Nexhmedin Spahiu: “NGRITJA E KOMBIT KOSOVAR”, 2017
Nga Plarention Muhadri, Nju Jork
Kombi dhe lidhjet konceptuale me shtetin, etninë edhereligjionin
Këto ditë pata rastin ta lexoja librin “Ngritja e kombit kosovar”, të Nexhmedin Spahiut, që është rezultat e një debati të gjatë dhe të vazhdueshëm që ai zhvillon tash e sa vite për këtë çështje. Ky libër i cili është vazhdimësi e librave të tij të tjerë të kësaj natyre, si: “Ekuilbret shqiptare’, “Shqiptarët dhe serbët në luftën finale për Kosovën”, “Drejt protektoratrit Ndërkombëtar në Kosovë”, “Drejt Kombi Kosovar”, “Kombi në inkubator”, “Foshnjëria e Kombit Kosovar”, trajton aspekte të rëndësishme dhe mëton të ofrojë alternativa të tjera, të cilat nuk jemi mësuar t’i dëgjojmë apo edhe t’i pranojmë. Pavarësisht këtyre, libri i Spahiut i bie fort çështjes së teorisë së Kombit Kosovar, teori të cilën vazhdon ta mbrojë duke ofruar fakte dhe argumente të shumta që ndërlidhen me këtë problematikë. Duke pasur parasysh të gjithë këta tituj librash të shkruar, ku trajtohet dhe mbrohet me këmbëngulje teoria që e konsideron si të drejtë të pakontestueshme. Duke lexuar këtë libër, aty gjeta aspekte të cilat me interesonin edhe mua. Një nga ato që më interesoj të dija, ishte teoria apo koncepti për Kombin Kosovar, që lirisht mund të konsiderohet teori e profesorit Nexhmedin Spahiu, me të cilin nuk pajtohen pjesa më e madhe e shqiptarëve të të dy krahëve, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.
Ndonëse në libër trajtohen edhe probleme të tjera, unë u fokusova të shkrimi që ka të bëjë pikërisht me konceptin e Kombit Kosovar si dhe për çështje që kanë të bëjnë me pozitën kushtetues të Kosovës, përkatësisht me problemin e fusnotës si dhe me problemin e Veriut të Kosovës.
“Koncepti i kombit lidhet ngushtë edhe me shtetin, edhe me etninë edhe me religjionin, edhe me racën edhe me territorin. Mirëpo edhe pse kombi në disa raste mund të përputhet me njërin prej këtyre koncepteve, ai, megjithë këtë, është shumë më kompleks”, thotë në mes tjerash Spahiu.
Këtë sqarim ai e bën duke pasur parasysh konceptet e gabuara të disa nga shtetet e lindjes të dala nga komunizmi, në lidhje me termin komb, të cilat siç e thotë ai “e përziejnë me etninë”. Pra në vend të etnisë, përdorin termin komb.
Kur elaboron përkufizimin në lidhje me konceptin për kombin, ai ka parasysh shumë teoricienë e liderë politikë botërorë, të cilët janë marrë me konceptin e kombit, si ata francezë, gjermanë, rusë, amerikanë e shumë e shumë të tjerë, shumica prej të cilëve kombin e kanë definuar sipas mënyrës së vet. Mirëpo, megjithatë, thelbin e të gjithave këtyre koncepteve ai e sheh në atë se “Kombi është një bashkësi e njerëzve që është e aftë të ndërtojë shtet”. Sipas kësaj, ai e pranon se kombi është pronar i shtetit.
Në këtë kontekst të elaborimit të tij në lidhje me konceptin “Komb” më janë dukur tepër interesante informacionet historike apo rrugëtimi historik i këtij koncepti, duke filluar që nga mesjeta e deri në kohët moderne, që është shumë më rëndësi për të formuluar një tezë për Kombin Kosovar, tezë të cilën ai e mbron me plotë fakte, pavarësisht kundërshtimeve, ndoshta jo pa rreziqe, që ka ka hasur e është duke hasur në këtë aspekt.
Natyra fluide e një kombi
Duke parë ecurinë e zhvillimeve mbi të konceptuarit e kombit, a vëren se natyra e kombit mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Kur e thotë këtë ai, gjithsesi, ka parasysh zgjedhjen e Barak Obamës president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast kombi amerikan ka dëshmuar se nuk është një komb monoracor, siç është pretenduar, por me këtë rast është bërë një komb multi-racor. Këtë trend të ndryshimeve nga mono në multi e sheh edhe të kombe të tjera, si te rumunët, të cilët për president patën zgjedhur një person me preajrdhe apo etni gjermane, kështu që rumunët nga një komb mono-etnik kalojnë në një komb multi-etnik.
Tek elaborimi i tij në lidhje me konceptet për kombin se si kanë dështuar shumë kombe për t’u krijuar sipas koncepteve teorike të ideologëve të tyre, a përmend serbët, përkatësisht Vuk Karaxhiqin, i cili insistonte që kombin serb ta bërbënin serbët e të gjitha religjioneve, mirëpo doli që serbët ortodoks e konsideruan veten serbë të rendit të parë, ndërsa serbët katolikë të rendit të dytë.
Po ashtu në librin e tij në lidhje me këtë temë, shohim dështimin e krijimit të kombeve mbi baza etnike, gjë që nuk ka funksionuar. Në kët kontekst ai përmend rastin e rumunëve ortodoksë, që fati historik me rastin e invadimit të Bashkimit Sovjetik në Moldavi më 1944, bëri që rumunët ortodoksë të bëhen dy kombe.
Një rast të kundërt e sheh te malazezët, të cilët pasi që dolën si komb, pretendojnë që edhe etnia e tyre është e ndryshme nga ajo serbe. Po ashtu edhe gjuhën e tyre kanë filluar ta quajnë malazeze, ndonëse Peter Petroviq Njegoshi, kryeheroi i tyre e ka quajtur veten serb.
Në librin e Spahiut mësojmë se si në botë kemi një numër të konsideruar kombesh që e pranojnë njëri-tjetrin, që pajtohen me faktin se e ndajnë të njëjtën përkatësi etnike (këtu përmend gjermanët dhe austriakët, malajzianët, indonezianët, kombet arabe dhe shumë të tjerë).
Të gjitha këto autori i përmend për t’i marrë si shembuj, në mënyrë që të del te teza e tij në lidhje me Kombin Kosovar, ku si sintagmë (pra komb kosovar) për herë të parë e sheh të përdoret te poema e Mitrush Kutelit kushtuar Kosovës, e shkruar në vitin 1941. Pra gjenezën e sintagmës komb kosovar e sheh të promovuar në vitin 1941 nga ana e autorit në fjalë, Mitrush Kutelit, një personalitet i rëndësishëm jo vetëm i letrave shqipe.
Sipas Spahiu, për elitën politike shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë etnia dhe kombi janë apo ishin sinonime, pra të njejta, ndërkohë që me konceptin apo teorinë e tij për Kombin Kosovar edhe është akuzuar për tradhti dhe për prishje të unitetit kombëtar. Koncepti apo teoria e tij për Kombin Kosovar filloi të merr në një farë forme “dritën jeshile” pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 e liderët botërorë, në mesin e të cilëve edhe Toni Bler e Hilari Klinton i uronin jetë të gjatë kombit të ri kosovar, që u kundërshtua nga presidenti i atëhershëm serb, Boris Tadiq, por edhe udhëheqësit politikë të Kosovës.
Plani i Ahtisarit nuk është pengesë që Kombi Kosovar në të ardhmen të zhvillohet në një komb multi-etnik
Ndonëse në planin e Ahtisaarit kombi kosovar nuk përmendet shprehimisht, megjithatë Spahiu këtë shprehje e gjen te nenin 1.7 të këtij plani kur përmenden simbolet kombëtar, siç janë flamuri, emblema dhe himni kombëtar, të cilat shumica e elitës politikës kosovare vazhdojnë t’i quajnë simbole shtetërore.
Sipas Spahiut, Plani i Ahtisaarit e formulon në mënyrë eksplicite Kombin Kosovar dhe këtë e sheh tek definimi i minoriteteve kosovare dhe të drejtat e tyre në aspektin e diskriminimit pozitiv. Kur merr parasysh këtë, ai e definoni edhe konceptin e Kombit Kosovar, të cilin sipas tij e përbën komuniteti shqiptar, me vet faktin se komunitetet e tjera janë të definuara si minoritete.
Duke elaboruar këtë temë dhe me këtë rast duke u thirrur dhe mbështetur në Planin e apo Pakon e Ahtisaarit, Spahiu është i bindur se Kombi Kosovar është një komb monoetnik dhe bireligjioz (mysliman e katolik), pra shqiptar. Meqenëse katolikët shqiptarë llogariten si përbërës apo formues të Kombit Kosovar, ata edhe nuk kanë vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës, siç e kanë ta zëmë minoritetet e tjera e në veçanti serbët.
“Fusnota” zëvendëson fjalën Republikë
Nexhmedin Spahiu po ashtu është i bindur se Plani i Ahtisarit nuk është pengesë që Kombi Kosovar në të ardhmen të zhvillohet në një komb multi-etnik dhe se ai madje synon pikërisht këtë perspektivë. Megjitahëtë, ai është i bindur se edhe ndodh kjo, komuniteti serb nuk do të ishte pjesë e këtij kombi, sepse ata sipas Planit të Ahtisarit mbeten pjesë integrale e kombit serb.
Në librin “Ngritja e kombit kosovar” me interes është edhe tema apo problemi i Fusnotës si dhe Veriu i Kosovës. Fusnotën, e cila zëvendëson fjalën Republikë, ai e ilustroni me një shembull shumë interesant me një shtatëzani të padëshiruar të një gruaje, e cila nuk e ka evituar dot kur ishte koha shtatëzaninë e saj të padëshiruar dhe madje as që e ka çarë kokën për të abortuar deri kur ka ardhur koha për të lindur. Dhe tek në momentin kur po lindte fëmijën e saj të padëshiruar, ajo e hap dilemën se çfarë të bëjë me fëmijën e saj: Që të mos e lindte tash ishte e pamundur; Ta vriste, duhej të shkonte në burg dhe, së fundi, ta lindte kopilin dhe ta merrte turpin me vete dhe ta bartte gjatë gjithës jetës.
Këtë shembull shumë interesant dhe të qëlluar ai e krahason me debatet e politikanëve kosovarë në lidhje me problemin e fusnotës apo me probleme të tjera, të cilat nuk ishin analizuar apo debatuar kur ishte koha, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë ishte e kotë të dabatohej një gjë e tillë, sepse ishte pranuar realiteti apo “Turpi i lindjes së fëmijës kopil”, siç e krahason ai.
Shumë interesant më është dukur edhe një shembull që ai sjell në lidhje me kategorizimin e poupujve sipas një filozofi. Sipas këtij filozofi, që ju nuk ia përmendi emrin, janë tri kategori popujsh: 1. Popuj të përparuar, 2. Popuj mesatarë dhe 3. Popuj idiotë.
1. Të parët janë popuj të cilët e dinë mirë historinë, e jetojnë të tashmën mirë dhe sigurt duke debatuar për të ardhmen,
2. Popujt mesatarë e dinë historinë, por jo mirë, prandaj zhvillojnë debate për të tashmen (pra jo për të ardhmen, të cilën e presin me shqetësim, kurse kategoria e tretë, pra popujt idiotë, historinë e kanë të mbushur me rrena dhe vazhdimisht zhvillojnë debate për historinë, të tashmen e jetojnë me ankth dhe shqetësim, në ndërkohë që e ardhmja as që u intereson.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, Spahiu është i mendimit se ne si popull i takojmë kategorisë së tretë të popujve, pra popujve idiotë, sado që kjo tingëllon vrazhdë dhe nuk pranohet nga intelektualët shqiptarë.
Megjithatë ai vazhdon të këmbëngulë dhe t’i bie fort teorive të tij, si asaj për kombin ashtu edhe për kategorizimin si popull, sepse në këtë kontekst koincidojnë shumë akte historike dhe shumë aspekte që i kanë karakterizuar ato. Më është dukur tepër interesant dhe bindës kur autori përmend faktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, kur gjithë ai kuvend burrash të politikës nuk kishte një flamur të vetëm për ta ngritur në Vlorë dhe u detyruan të merrnin një flamur në dhomën e gjumit të Eqrem Bej Vlorës që ta ngrinin dhe ta qendisnin një kopje të tillë.
Këtë akt të pamend të shqiptarëve Spahiu e krahason edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur flamuri u soll në momentin e fundit, edhe pse kishte intelektualë kosovarë që kishin shkruar për këtë punë gati dy dekada më herët. Me këtë rast përmend edhe presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, i cili e kishte dizajnuar flamurin që ai mendonte se duhej të ishte i Kosovës, përkatësisht i Dardanisë, siç e quante ai.
Nga kjo del se të gjitha këto, edhe fusnota, edhe flamuri por edhe shumë gjërë të tjera kanë ardhur si rezultat i mosharmonizimit të punëve dhe mospajtimit në mes shqiptarëve, të cilat akte vazhdon t’i vuajë Kosova dhe populli i saj.
Shkrime me interes në këtë libër janë edhe ato që trajtojnë problemin e shqiptarëve në Maqedoni, ato që kanë të bëjnë me Veriun e Kosovës, për formësimin tonë kombëtar, për tekstet e historisë dhe ndryshimin që duhet t’u bëhet atyre etj..
Ndonëse nuk jam ithtar i teorisë se Spahiut për kombin kosovar dhe në asnjë mënyrë nuk pajtohem me mendimet e tij në lidhje me idetë e shpërfaqura në këtë libër e gjetiu, megjithatë mendoj se tema qendrore e librit është ajo për Kombin Kosovar, lindja dhe ngritja e tij si vetëdijë, koncept dhe, për fat të keq, për momentin si realitet, sado që i papranueshëm për shqiptarët e Kosovës, të cilët ndër shekuj luftuan për liri, pavarësi dhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.