Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Gusht 2015/ Largimi i barrikadës së quajtur “parku i paqes”, mbi lumin Ibër, i cili ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, është i varur ekskluzivisht nga themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, bëjnë të ditur zyrtarë serbë, sipas shtypit kosovar.
Edhe kryetari i Mitrovicë së Jugut, Agim Bahtiri, tashmë e pranon se pa themelimin e Asociacionit, nuk largohet barrikada mbi Ibër. Megjithatë, Bahtiri pati deklaruar se më së largu në qershor 2015, do të largohet barrikada e vendosur nga serbët, madje ishte shprehur se “vetë ai do të dalë aty për ta larguar”, citon sot gazeta “Zëri” në Prishtinë.
Tashmë Bahtiri thotë se kjo çështje është bllokuar, për shkak se palët Prishtinë – Beograd, ende nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen, e cila përfshinë katër temat në një pako.
Në 30 qershor njoftohej se, nuk është arritur asnjë marrëveshje finale në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel të raundit të 27-të në nivel të lartë kryeministror, të nisura një ditë më parë në mëngjes, e të përfunduara pas mesnate. Një nga katër temat ishte barrikada mbi urën kryesore të Mitrovicës.
Në 8 korrik në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
“Në katër tema që i kemi tash në shqyrtim, mund të them se ne e kemi përfunduar praktikisht marrëveshjen për kodin telefonik. Marrëveshja është e gatshme, nuk është nënshkruar”, ka shtuar ai.
“Kemi përafruar qëndrimet sa i përket Asociacionit të Komunave, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, mirëpo kanë mbetur disa çështje të cilat duhet të diskutohen dhe të sqarohen edhe më tutje, në mënyrë që çdo gjë që merremi vesh atje të jetë e zbatueshme dhe të jetë e aplikueshme”, ka theksuar Mustafa.
“Janë diskutuar, por nuk janë përfunduar edhe çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me Urën mbi Ibër që kanë mbetur që të diskutohen në vijim”, ka vijuar ai.
“Ne kemi prezantuar qëndrimin tonë, që jemi për atë që të bëjmë përpjekje që këto katër marrëveshje t’i përfundojmë, dhe që si pako t’i realizojmë, natyrisht duke e nënshkruar secilën veç e veç”, ka thënë Mustafa.
Barrikada mbi pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë e ngritur në vitin 2011 është hequr në qershor 2014 nga vetë serbët, natën, por ura përsëri u bllokua ditën me ngritjen aty të ashtuquajturit “park i paqes” me pisha të mbjella në vazo të betonit.