-Organizata të shoqërisë civile theksonin se “kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”/
-BE, thirrje autoriteteve që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane/
PRISHTINË, 30 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministria e Drejtësisë e Kosovës deklaroi sot se, duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, me efekt të menjëhershëm tërheq nenet e propozuara “fyerja ndaj shtetit dhe simboleve të shtetit” dhe “fyerja ndaj organeve kushtetuese” nga propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës.
Ministria e Drejtësisë thekson se, “i merr seriozisht shqetësimet e shoqërisë civile lidhur me çdo propozim që vjen nga Ministria dhe dëshiron të dëshmojë se është e gatshme të bëjë idetë dhe propozimet e shoqërisë civile pjesë të vendimeve të saj”.
Më tej shtohet se, Ministria e Drejtësisë synon të vazhdojë dhe të thellojë bashkëpunimin me shoqërinë civile të Kosovës në të gjitha fushat që janë në përgjegjësinë e saj dhe do të sigurojë që shoqëria civile do të përfshihet në të gjitha proceset e politikëbërjes dhe hartimit të legjislacionit, duke përfshirë Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe tërë rishikimin funksional të sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë.
“Jemi të bindur se vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë midis institucioneve publike dhe shoqërisë civile mund të realizohen veprime që janë në dobi të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, dhe Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në këtë drejtim”, përfundon deklarata.
Në 27 prill, në një reagim, organizata të shoqërisë civile theksonin se “kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së deklaronte se është e brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për të ndryshuar e plotësuar Kodin Penal të Kosovës me dispozita të reja për shpifjen dhe fyerjen.
“Kjo është në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim. Dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013”, theksonte deklarata.
Më tej vlerësohej se, Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet.
“BE-ja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane”, përfundonte deklarata.