
Rafaela Prifti/
Mira Murati është Drejtoreshë Teknologe në Open AI (Inteligjenca Artificiale e hapur) kompania që shpalosi teknologjinë e re GPT-4 katër muaj pasi modeli ChatGPT e shastisi ‘kryeqytetin’ e kësaj industrije, Silicon Valley. Nëse nuk e keni dëgjuar emrin e saj, Mira Murati u lind në Shqipëri në 1986. Pasi ka kryer studimet me rezultate të shkëlqyera në vendlindje, ka ardhur në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar edukimin pasuniversitar në fushën e inxhinierisë mekanike. U punësua në Zodiac Aerospace dhe pastaj për tri vjet të tjera te Tesla por në 2018 hyri në OpenAI ku mbikqyr Chat GPT si Drejtoreshë Teknologe. Pikërisht katër muaj më parë, kjo kompani e vogël dominoi debatet në industrinë teknologjike kur prezantoi një model që kishte aftësinë t’ju përgjigjej pyetjeve komplekse, madje mund të shkruante poezi dhe të imitonte ndjenjat njerëzore. Tani kompania ka nxjerrë një model të ri dhe të përmirësuar që e vendos theksin kryesor te gara për inteligjencën artificiale dhe ethet se kush do të jetë në ballë të industrisë. Programatorët dhe drejtuesit e kësaj fushe e krahasojnë momentin e tanishëm me krijimin e aplikacioneve të cilat duke filluar nga viti 1996 u bënë motorat e kërkimeve në internet si Microsoft Edge, Google Chrome, Internet Explorer etj. Tani mund të jemi në një pikë të paparashikuar për industrinë teknologjike në dhjetëvjeçarët e fundit, thonë ata.
Për sa i takon përdorimeve praktike, disa kompani dhe individë e kanë inkuadruar modelin e ri në sistemet e punës dhe në disa portale të tregtisë virtuale. Gjenialiteti i ChatGPT është aftësia për të kuptuar modelet dhe formuluar koncepte abstrakte si edhe zotesia për të përgjithësuar në formë logjike, thotë Mira Murati në intervistën e saj me Revistën Ndërkombëtare të Financave. Teknologjia e OpenAI funksionon në nivel eksperti për subjekte të caktuara por është diletante në disa të tjera. Ajo nuk mund ta zëvendësojë arsyetimin njerëzor. Ashtu siç mund të tregojë një barcelet por nuk e ka konceptin se çfarë e shkakton të qeshurën. Modeli bazohet në të njëjtën teknologji si Siri dhe është ndërtuar si një “rrjet neuroni” nga një sistem matematikor që mëson nëpërmjet analizimit të të dhënave që i jepen (data).
Për mësuesit dhe studentët modeli ka paraqitur sfida të reja meqë mund të përdoret për të shkruar ese, teza, për të dhënë provime shkolle etj. Është e qartë se si pasojë e kësaj teknologjie do të mbyllen shumë vende pune psh në firma juridike, banka, zyra të përgatitjes së taksave etj., por krijuesit thonë se edhe do hapi mundësi të tjera punësimi. Mbetet për tu parë sesa të vërteta do dalin parashikimet e tyre.
Nga një aplikacion që ka aftësinë të shkruajë vazhdimin e një teksti në baze të të dhënave që ka marrë paraprakisht, brenda një kohe të shkurtër, kompania arriti të krijojë DALL•E, një stad më i përparuar që mund ta bëjë këtë funksion me imazhe dhe foto, duke dhënë krijime origjinale dixhitale. Mira Murati flet hapur si për përparësitë dhe mundësitë dobiprurëse potencialisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë por edhe për dobësitë veçanërisht në aspektin etik dhe moral siç është keqpërdorimi, dizinformacioni dhe abuzimi nga persona keqdashës. Për të qenë të përgjegjshëm, ajo thotë se rregullatorët duhet të jenë të përfshirë në këtë proces ndërkohë që ndikimi midis teknologjisë dhe shoqërisë duhet të jetë i dyanshëm. “Synimi duhet të jetë demokratizimi i inteligjencës artificiale dhe për të qenë funksionale, ajo duhet të jetë në duart e të gjithëve,” vëren Mira Murati në bisedë me revistën Gruaja Globale.
Sistemet e Inteligjencës Artificiale janë duke evoluar dhe duke u përhapur çdo ditë e më shumë. Ndikimi i tyre në jetën praktike është i pashmangshëm. Shumë kompani mund të falimentojnë prej saj por ato që do dinë si ta përdorin do arrijnë majat e suksesit.