Veri Talushllari/
Napoleon Bonaparti (i lindur Napoleone di Bonaparte, më vonë i njohur si Napoleon I), është padyshim një nga majat e mendimit dhe veprimit ushtarak botëror, pa përmendur veprimtarinë politike dhe udhëheqëse të Francës së fundit të shek. 18të dhe fillimit të shek. të 19të gjatë Luftrave Revolucionare dhe Luftrave Napoleonike (1796 deri më 1815.)
Bonaparti u lind në Korsikë në një familje me origjinë italiane, dhe pasi shkoi në Francë më 1779, mori bursë për të studiuar në Akademinë Ushtarake në Brien le Shato. Nuk kanë qënë vite të lehta për Perandorin e ardhshëm, pasi shokët e vinin në lojë për faktin që ish korsikan, theksin në të folur, shtatin e shkurtër apo fërngjishten jo të pasur. Megjithatë ai ishte i shkëlqyer në mësime dhe vitin e fundit (mbaroi dy vite shkollorë bashkë), e bëri në Shkollën Ushtarake në Paris ku titullua oficer artilerie më 1785. Pati një karierë të shpejtë në radhët e forcave Revolucionare.
Në një shkrim gazete është e pamundur sikur edhe kalimthi ta përshkruash jetën e këtij ushtari dhe komandanti të jashtëzakonshëm, por le të përmendim që Napoleoni mori pjesë në rreth 60 luftra e beteja, 17 prej të cilave shumë të njohura. Shumicën e tyre padyshim i fitoi, por disa dhe i humbi, e dy prej tyre, Beteja e Borodinos (7 shtator 1812) dhe më pas Beteja e Vaterlos (18 qershor 1815), patën pasoja fatale për të si Perandor dhe Kryekomandant. Megjithatë le të shënojmë se duke filluar nga Rrethimi i Tulonit (29 gusht- 19 dhjetor 1793) ku për herë të parë shkëlqeu gjenia e tij ushtarake nëpërmjet planit për pushtimin e fortifikatave mbi portin e qytetit e më pas me- sa për të përmendur ato më të famshmet- Betejën e Marengos (1800), atë të Austerlicit (1805), Betejën e Fridlendit (1807), të Vagramit (1809) etj., ne shohim të shpalosur gjeninë e tij ushtarake, trashëgimia e së cilës studjohet në shkollat ushtarake kudo në botë. Lëvizja e shpejtë dhe përqëndrimi i trupës në pikën strategjike është një nga shprehjet e kësaj gjenie. Napoleoni kish si parime të patundura mbajtjen e forcave të bashkuara, mbrojtjen e çdo pike të dobët të formacionit luftarak, shfrytëzimin e çda shansi të krijuar në dinamikën e betejës… Ai ishte sfidues, nuhatës, kërkues, krijues, reagues ndaj çdo zhvillimi në fushën e luftës, Lidhja e tij me trupën, me ushtarin më të fundit, është legjendare. Ai kurrë nuk i drejtohej një ushtari pa mësuar më parë emrin e tij. Natyrisht nuk mungojnë edhe legjenda, si ajo që kur e gjeti një ushtar në gjumë në vendroje, nuk e zgjoi, por mori armën dhe qëndroi në vend të tij. Ishte Napoleoni që bëri të harroej praktika e luftrave mesjetare e automanovrimit, shmangies së përballjes,në favor të grushtit të përqëndruar, shkatërrimit të armikut. Me Napoleonin kemi linjden dhe tendencat e para të asaj që më vonë do të quhej “Lufta Totale”.
Por studiuesit e jetës dhe veprës së Napoleon Bonapartit, bashkëkohës të tij dhe bashkëkohësit tanë, janë të një mendimi se gjenialiteti si ushtarak mbase nuk është ana e tij më e rëndësishme. Siç thotë Prof. Rafa Blafairb i Institutit të Studimeve të Napoleonit dhe Revolucionit Francez pranë Universitetit Shtetëror të Floridës, ShBA, më e rendësishme se ana ushtarake, është fakti që Napoléoni ishte një “qënie politike”,(politikal animal). Ai donte të sundonte. E kërkonte dhe dinte si ta merte e ta përdorte pushtetin. Dhe ai ishte më i suksesshëm si politikan se sa si udhëheqës ushtarak. Në llogari të fundit, ai humbi gjithçka për shkak të disfatave ushtarake. Por arritjet dhe reformat e tij politike jetojnë edhe sot. Ato endé i gjejmë në strukturat e jetës publike të Francës dhe shumë vendeve në Europë dhe në botë.
Le të përmendim Kodin e Napoleonit si një shembull të madh dhe si trashëgimi të Revolucionit Francez. Ky Kod është një sistem unik, i kompletuar dhe harmonik i legjislacinit civil që rregullon mardhëniet mes njerëzve dhe pasurisë së tyre. Kodi sanksionoi parimet e barazisë para ligjit, tolerancën fetare, të drejtën e pronës dhe të trashëgimisë së të gjithë fëmijëve,etj. Me pak ndryshime ai Kod është në fuqi edhe sot, jo vetëm në Francë, por edhe në mbi 20 vende, përfshi Japoninë, Iranin (para Revolucionit) etj. Por meritat e tij vijnë deri në ditët tona edhe në fusha të tjera, si për organizimin dhe funksionimin e pushtetit, vendor – një koncept dhe praktikë e panjohur deri atëherë-,organizimi i policisë, i sistemit bankar, sistemi i arsimimit në përgjithësi dhe atij ushtarak në veçanti,etj.
Bibliografia napoleoniane dhe ajo e Revolucionit Francez në tërësi dhe biografologjia e Napoleon Bonapartit në veçanti, zënë faqe të tëra të bibliotekave anëekënd botës. Penat më të ndritura të kohës së tij dhe gjer të ditëve tona- le të përmendim Shatobrianin, Lord Bajronin, Stendalin, Valter Skotin, Henrik Hajnen, Aleksandër Dymane e për të ardhur në ditët tona tek emra të tillë si Endrju Roberts, David Bell e deri tek filmi “Napoleon” i regjisorit Ridëll Skot i shfaqur nëntorin e kaluar(2023)- e kanë përshkruar e studiuar kohën, jetën dhe veprën e tij në të gjitha anët dhe me imtësi. E megjithatë kudo e kurdoherë ka diçka të re e të pazbuluar, endé të pathënë. Dhe më tepër se për këdo, kjo është e vërtetë për ushtarakët.
Foto: wikidata.org