Nga Dalip Greca*/
Dr. Kristo Floqi është jo vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe inisiatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Vërtetë se ishin Faik Konica dhe Fan Noli, ata që hodhën farën e bashkimit, por thirrjen për takimin e parë bashkues me 11 dhjetor 1911 e kishte bërë ai. Si editor i Diellit, Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e bashkimit e duke fshikulluar përçarësit. Edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga ai. Çuditërisht ai është përmendur pak ose aspak në faqet e Diellit, pasi e pat lënë Amerikën, dhe ishte i ndaluar rreptësisht të përmendej në literaturën komuniste të Shqipërisë. Nuk u shkrua fare për fatin e tij në burgjet e komunizmit, ashtu si dhe për fatin e shumë të tjerëve, mbi të cilët ra pa mëshirë gijotina e diktaturës, edhe pse kishin qenë shpirti i Vatrës dhe kishin luftuar aq shumë për Kombin. Paradoksi qëndron se me rastin e vdekjes së tij në Shqipëri, Dielli që ai editoi, nuk shkroi asnjë rresht!Të jetë kjo mungesë informimi apo një harresë siç kishte ndodhë me ish editorin e Diellit, Bahri Omari të pushkatuar, me komandantin e vullnetarëve shqiptarë të Amerikës, Aqif Përmeti, pushkatuar, me ish themeluesin tjetër të Vatrës, Kristo Kirkën, me Kolë Tromarën e të tjerë vatranë që dhanë shpirtin për çështjen Kombëtare?!
Kush ishte Kristo Floqi?/Pati lindur më 1976 në Korçë (është shkruar se ai ka lindur në fshatin Floq, por kjo nuk i përgjigjet së vërtetës sepse vetë ai në shënimet autobiografike pohon se ka lindur në Korçë.) I ati, Vasili, kishte lindur në Floq.Informacion japin për Floqin edhe studiuesit Robert Elsie dhe Hasan Hasani, ndërsa gazetari Fiqri Shahinllari në librin e tij’Lis në Shkëmb” sjell të dhëna interesante rreth Floqit, pasi ka shfletuar arkivin. Ndërsa Prof. Dr. Stilian Adhami, krahas studimit të kësaj figure sjell të dhëna e dëshmi të rralla. Kristo Floqi ishte i biri i Vasil Floqit, i cili pati katër djem dhe një vajzë; Dhimitrin, Kriston, Nikollaqin, Thanasin dhe Katerinën. Mbetën gjallë vetëm Kristo me Thanasin. Të dy studiuan për drejtësi.Mësimet e para Kristo Floqi i mori në Korçë, ndëkohë që studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. Diplomoi për drejtësi në Athinë, po aty e ushtroi profesionin e avokatit deri në vitin 1900. Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, më pas kaloi në Vlorë.Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe shquhej që në rini për prirje letrare dhe publicistike.Veprimtaria politike, juridike, letrare dhe publicistike e Kristo Floqit përfshinë Shqipërinë dhe SHBA-në. Në kohën e para Luftës shkëlqeu, pas lufte kaloi një kalvar vuajtjesh e harrimi, ndërsa pasvdekja ishte injorim për këtë figurë kombëtare, mbuluar me pluhur harrese e terr.
Nga Vlora në SHBA/Është shkruar se Kristo Floqi erdhi në SHBA nga Turqia, ku kishte shkuar për të përvetësuar Turqishten, është shkruar edhe një variant tjetër, se ai kishte mbërritur në SHBA për arsye ekonomike dhe nevoja të Lëvizjes Kombëtare siç kishin shkuar Petro Nini Luarasi,Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Mihal Grameno, Kristo Dako e të tjerë. Asnjëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Variantin e vërtetë e tregon vetë ai, në “Kujtime Historike- Formimi i Federatës Panshqiptare”Vatra”- botuar në nëntor 1937 në revistën “LEKA”. Kristo Floqi në vitin 1909 ishte avokat në Vlorë. Është koha kur ai e ka afirmuar veten në radhën e nacionalistëve që kërkojnë një Shqipëri më vete.Ishte ky shkaku i një përleshje mes një grupi nacionalistësh shqiptarë, ku kryesor ishte kristo Floqi dhe një grupi turkoshakësh, që bënin pjesë në Shoqërinë nacionaliste Turke me emrin “Itihat Ve Tereki”, që propagandonte një Turqi të re. Dy grupimet u përleshën paq, dhe autoritetet e pushtetit lokal “ua suallën shpirtin majë fytit”, siç kujton Kristo Floqi në shënimet historike të botuara më 1937 në Revistën “Leka”. Në këto rrethana grupimi i nacionalistëve shqiptarë menduan se kishte mbrritë rasti t’u tregonin vendin turkoshakëve dhe si hap të parë ndërmorën sulmin mbi zyrën e Post-Telegrafës së Vlorës. Aso kohe, Ismail Qemali ndodhej në Selanik. Grupi i nacionalistëve hyri në kontakt me Ismail Bej Qemalin dhe me të gjithë ata që ishin për inisiativën Kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe u prezantuan situatën ku ndodhej Vlora dhe veprimet e tyre.Duke qenë zotër të postë-telegrafës, nisën shifërkëmbimin, duke përcjellë situatën e acaruar dhe ç’mund të bënin në atë situatë.I ndalën të gjitha telegrafet që zyrtarët lokal përpiqeshin të nisnin drejt eprorëve. Autoritet ushatarake u zemruan së tepërmi dhe rrethuan Postën, duke kërkuar dorëzimin e Postës, por nacionalistët shqiptarë kundërshtuan dhe nuk ua dorëzuan as shifrën.Situata u përkeqësua dhe forcat ushtarake u shtuan. Në këto rrethana rebelusit shqiptarë e lanë Postën dhe një pjesë kapërcyen detin dhe u hodhën matanë Adriatikut, ndërsa një pjesë tjetër u ngjitën maleve. Kristo shkoi në Cakran të Fierit nën kujdesin e Bektash Cakranit. Mirëpo edhe aty ishte vështitrë të qëndronin gjatë pa rënë në sy. Vendosën që ta linin Shqipërinë dhe të kalonin në Brindizi e që aty morën anijen drejt SHBA-ve.
Nga Bostoni në Salte-Lake City/Pas disa ditësh Kristo Floqi arrinë në Boston. Nuk bëhej fjalë për të ushtruar zanatin e avokatit sapo vuri këmbë në Amerikë. Vendosën që të hapnin një restorant në Boston duke shfrytëzuar klientelën shqiptare, që përbëhej kryesisht prej punëtorëve të fabrikave të Natick në Mass. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë, restoranti dha shenja falimentimi. Pas katër muajësh u detyruan që ta linin atë punë. Ç’të bënin? Nuk e dimë se ç’punë tjetër mund të ketë bërë Kristo me shokët me të cilët pat marrë rrugën përkëndej Atlantikut, por ai vetë shkruan në kujtimet e veta se”nevoja na shtërngojë të çajmë barakzi Shteteve të Bashkaura të Amerikës e të zemë vend në qytetin e bukur të Salt-Lake City të shtetit të Utah, pranë Kalifornisë”. Në Salt-Lake, Kristo kishte kunatin e tij, Kristo Poçi, i cili merrej me tregëti dhe punët i shkonin mirë. Aty punoi deri më 20 shtator 1911, pasi i erdhi një Ftesë nga Shoqëria Besa-Besën për të marrë detyrën e editorit të gazetës”Dielli”, post i cili ishte vakant pasi e kishte lëshuar Eftim Natse, para të cilit në atë post kishte qenë Konica.
Editor i Diellit/Shoqëria Besa-Besën,po kërkonte një editor të ri për gazetën e saj “Dielli”. Me propozimin e Kolë Rodhes dhe të Llambi Çikozit, ky post iu propozua pikërisht Kristo Floqit, i cili në atë kohë i kishte rregulluar problemet financiare dhe fitimet po i shkonin mbarë. Edhe pse pagesa që iu propozua nuk ishte kushedi çfarë, 50 dollarë në muaj, ai e pranoi detyrën për hir të çështjes kombëtare dhe bashkimit të kolonive shqiptare në SHBA.Përmes gazetës Floqi u bënte thirrje shqiptarëve që të bëheshin bashkë sepse kështu do t’i shërbenin më mirë kombit dhe do të ndikonin në krijimin e shtetit shqiptar. Mbresat e asaj dite, kur Kristo Floqi mori detyrën, na e përshkruan me nota mallëngjenjëse gazeta Dielli e Vjeshtës 1911 :”Të dielën që shkoi, më 17 të Vjeshtës, u mbajt meshë në Kishën e Shën Gjergjit në Boston prej të Përnd. At Naum Çere dhe At Damianit.Ishin mjaft shqiptarë prej Bostonit dhe fshatrave përreth. At Naumi meshoi fort bukur me me zën’ e tij të plotë e të begatshëm.Si tha Unigjillë, At Damiani mbajti një fjalë të shkurtër, por të bukur, duke përkthyer Ungjillë e duke prurë fjalën mbi çështjen Kombëtare. Pas priftit, nënkryetari i Shoqërisë Besa-Besën z. Vangjo Mille u ngrit dhe me një fjalë të mirë rekomandoi drejtorin e ri, z. Kristaq Floqin, i cili u prit gëzimërisht me një përpjekje duarësh të paprerë nga ana e dëgjonjësve. Pasandaj, z. Kristo Floqi u ngrit, duke marrë në duar kurorën e shoqërisë Besa-Besën si dhe dy kurorët e tjera të shoqërisë Arsimi dhe të Shqiptarëve të Cochituate-it, kaq të bukura të tria, mbajti një fjalë të gjatë, më tepër se një orë, ku çmoi vleftën e trimave djelmoshë, të cilët njëri pas tjetrit, ranë dëshmorë për nderin dhe famën e Atdheut. Fjala e drejtorit qe kaq e bukur, e lartër dhe pëllore në ndjenjë e në fantazi, sa e mallëngjevi të tërë popullin dhe ngjethi zemrat gjersa qanë me lot. Pas z. Kristo Floqi, u ngrit i njohuri atdhetar z. Kristo Kirka, i cili foli me një nxehtësirë të madhe për therorët e Përlindjes, duke përvëluar zemrat e djegura. Një përpjekje duarsh e fortë vërtetonte gëzimin që ndjenin dëgjonjësit. Më së fundi, me fjalë fort të hijshme e të pëlqyera, rekomandoi drejtorin tonë në popull, duke thënë se nga burra si Kristaq Floqi duhet të presë shumë kombi.Shqiptarët e Amerikës duhet t’i ndihin pa kursim në udhën e re në të cilën dëshiron të sjellë Shqiptarët dhe Kombin. Kësisoj mesha u krye duke lënë një përkujtim të pa harruar”.
Detyrën e editorit ai nuk e bënte vetëm duke qëndruar në zyrë, por shkonte atje ku ishin shqiptarët,konak më konak; katund më katund e qytezë më qytezë. Ai mbante konferenca dhe inkurajonte shqiptarët për patriotizëm. Qëllimi i konferencave ishte bashkimi i të gjitha kolonive shqiptare, me qëllim që shqiptarët e Amerikës të kishin një zë të bashkuar për Kombin e tyre.Në atë kohë në Amerikë egzistonin disa shoqëri shqiptare si: Më e madhja ishte Shoqëria Besa-Besën, më pas vinte Arsimi e Korçarëve, Dallëndyshe e New York-ut, Shoqëria Kombëtare e Worcesterit, Shoqëria Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja e Jamestownit, Shoqëria Lidhja, Shoqëria Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shoqëria Hylli Afërdita, Shoqëria Bashkimi, Shoqëria Mirëbërëse, Shoqëria Përparimi dhe Komiteti i z. Faik Konitza”Flamuri i Krujës”. Në konferencat që zhvillonte nëpër kolonitë shqiptare, Kristo Floqi shtronte idenë e një programi të përbashkët të shoqërive të bashkuara dhe dhënien fund të grindjeve dhe lokalizmave krahinore. Ai argumentonte se vetëm të bashkuar, do të arrinin që të forconin frymën kombëtare në SHBA. Floqi, arriti që për tre muaj t’i binte kryq e tërthor kolonive shqiptare dhe realizonte më shumë se 100 konferenca. Kur e pa se fara e bashkimit ishte hedhur, dhe se disa nga shoqëritë ishin të bindura se ishte koha për bashkim, dërgoi thirrjen për një takim të përbashkët.
Takimi historik i 11 dhjetorit në Boston, mungesa e Konicës/Në mirëkuptim me shoqëritë u la që takimi i parë të bëhej me 11 dhjetor 1911 në Boston. Atë ditë me qindra shqiptarë mbërritën në Boston dhe është pikërisht kjo ditë që çeli një epokë të re për Lëvizjen Kombëtare shqiptare në SHBA. Në kujtimet e tij, Kristo Floqi shkruan se “ Dita historike 11 Dhjetorit 1911 shënoi një periudhë të re për shqiptarët e Amerikës. Atë ditë arritën në Boston me qindra shqiptarë, si delegatë të shoqërive, por edhe individë. Salla e gjerë e hollit Rathbonne u mbush plot, sa shumë veta u shtrënguan të qëndrojnë më këmbë dhe qindra të tjerë mbetën jashtë”. Në mbledhje mori pjesë edhe Peshkop Noli. Ra në sy mungesa e “dekanit” të çështjes Kombëtare, Faik Konicës, i cili ishte padyshim figura më elitare e asaj kohe dhe një prej promotorëve të Lëvizjes Kombëtare. Artikujt e tij në Dielli i kishin bërë për vete shqiptarët e Amerikës, ndaj përfaqësuesit e shoqërive të ndryshme që kishin ardhë në atë takim historik, po habiteshin që mungonte aty shtylla e bashkimit. Kureshtjen e delegatëve e shoi Kristo Floqi, i cili u tregoi atyre letrën që kishte marrë nga Faik Konica dhe ua lexoi fjalë për fjalë.
Çfarë shkruante Konica në atë letër? E sjellim të plotë:
I dashur z. Floqi
E mora letërn tuaj sot pasdreke dhe ju kthej përhirime për fjalët miqësije dhe nderimi që më thoni. Për fat të zi jam fare i penguar të Djelën, se s’e dinja se kishit mbledhje dhe se do t’më ftojit dhe kështu u lidha gjetkë për pasnesër. Ato që më thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formulë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar gjer tani me shumë mundime. Kemi komitetin tonë këtu(Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim. Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes. Besoj këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë”.
Mbetem Juaji me besë,
FAIK KONITZA d.v
Letra duket se la një shije mosbesimi tek të pranishmit. Vetë Kristo Floqi shkruan se kjo letër ishte një justifikim për të mos ardhur, pasi njoftimi për mbledhjen bashkuse botohej në çdo numër të Diellit dhe Faikut i dërgohej gazeta. Mirëpo tashmë që ai nuk ishte më editor i Diellit, kur e pyesnin për gazetën, thoshte jo pa shpoti se nuk e lexonte më Diellin nga frika se mos harronte shqipen! Sipas interpretimit që i bën letrës, Kristo Floqi, dyshon se Konica e dërgoi letrën dhe s’shkoi vetë në takim ngaqë nuk ishte ai iniciatori dhe s’e nuk donte të sakrifikonte Komitetin e tij “Flamuri i Krujës”, që sipas Floqit kishte vetëm 10-12 anëtarë. Floqi e shkruan të zezë mbi të bardhë”Konica nuk donte që ta merrja unë bajrakun e bashkimit. Si ky, ashtu dhe Noli, qitnin gjithënjë pengime. Këto i kishin kuptuar shqiptarët e Amerikës dhe unë veçanërisht ua diktonja herë pas here me anë të Diellit, organit tonë”.
Në fakt Fan Noli, i ktheu përgjigje Kristo Floqit, se ai dhe miku i tij Konica, nuk ishin kundër bashkimit, përkundrazi, kishin punuar gjatë për bashkimin, por ata kërkonin një punë të pëlqyer dhe serioze, jo qesharake (Dielli 18 janar 1912). Nga ana e tij, ish editori i Diellit, Refat Xh Gurazezi, në ciklin e artikujve rreth historisë së Vatrës, të përmbledhur në librin “Historia e Federatës “Vatra”, e kundërshton Floqin, për të cilin shkruan: “Editori i fundit (sa Dielli ishte gazetë e shoq Besa-Besën), e gjeti të shtruar tryezën e bisedimit, idenë dhe planin për bashkimin e gjithë shoqërive shqiptare të Amerikës rreth një shoqërie të madhe kombëtare”.
Floqi, kryetar i mbledhjes historike/Në kujtimet e veta, Kristo Floqi pohon se për të respektuar Imzot Nolin, e propozoi atë për kryetar të mbledhjes, por Noli e refuzoi me argumentin se i takonte Floqit ai post sepse qe ai që inisiatori dhe organizatori. Propozimi i Nolit u hodh në votë dhe Kristo Floqi u zgjodh kryetar, ndërsa Llambi Kreshpani, sekretar. Pas fjalimeve, Marko Adams propozoi Komisionin historik për themelimin e Vatrës, ku renditi katër emra: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe Paskal Aleks. Sipas propozuesit ky komision do të merrte përsipër organizimin e një Federate të madhe Panshqiptare në marrëveshje me të gjitha shoqëritë. Propozimi u gjet i pëlqyer.
Barra i mbeti Komisionit, i cili në mbledhjen e parë zgjodhi Fan S Nolin si sekretar. U njoftua çdo shoqatë që të dërgonte në qendër emrin e delegatit të vet. Floqi kujton se rekordi i parë që shpalli komisioni ishte: Të katër të nënshkruarit, të zgjedhur prej Asamblesë si Komision për të gjetur udhën e bashkimit të të gjitha shoqërive Shqiptare të SHBA, u mblodhën dhe vendosën: 1-Të pyeten të gjitha shoqëritë e kolonitë e tjera, ku nuk egzistojnë shoqëri, nëse u pëlqen një bashkim i përgjithshëm. 2- Si e dëshirojnë bashkimin, në formë qendrore, apo si një federatë? 3-Me çfarë soj qëllimit e dëshirojnë, me qëllim politik, letrar, apo me qëllim propagandë popullore? 4-Në rast se u pëlqen ky bashkim, kur mund të kenë zgjedhë delegatët e tyre për të ardhur në Boston e për të themeluar bashkimin.
Njëkohësisht u njoftuan se Komisioni i të katërve, zgjodhi për sekretar rev. At Fan Nolin me adresë P.O Box 2445, Boston, Mass, me të cilin do të mbahej korerspondenca. Mbledhja e afërme do të bëhej me 3 mars 1912. Poshtë njoftimit ishin vendosur katër emrat, që kanë hyrë tashmë në histori: F. Konitza, Kr. Floqi, At Fan Noli, P. Aleks.
Më pas, ai kujton se ishin zgjedhur edhe delegatët, përfaqësues fuqiplotë: Për Shoqërinë Besa-Besën Llambi Çikozi, për Shoqërinë Mirëbërse At Naum Çerja, për Shoqërinë Kombëtare të Worcesterit Kostika Treska, i cili u zëvendësua prej Kosta Vasilit, për Shqoqërinë Përlindja dhe Malli i Mëmëdheut të Jamestown Kostaq Kota, për Shoqërinë Dallëndyshja të New Yokut dhe Arësimi Kristo Kirka dhe për Komitetin Flamuri i Krujës Kolë Tromara.
Në mbledhjen e 24 marsit 1912, Floqi kujton se u mor vendimi që të hartohej Kanunorja.
Pas gjithë këtyre veprimeve duhej një emër për të pagëzuar Federatën. Floqi kujton: “Gjithësecili prej nesh organizatorë e delegatë, propozoi nga një emër, kush Plugu, kush Parmenda, një tjetër Kastrioti, një tjetër Skënderbeu, dikush Përlindja, por asnjë prej tyre nuk gjeti pëlqimin e të gjithëve. Më pas Fan Noli, hodhi mes pjesmarrësve emrin”Vatra”. U pamë sy më sy më njëri-tjetrin; jo se emri ishte i keq, por sikur nuk na goditi mirë në vesh, por Fan Noli me elokuencën e tij na dha disa sqarime e shpjegime të tjera sinjifikative e kështu na bindi të gjithëve dhe e pranuam me brohori e duartrokitje”. Konica në artikull të botuar në Diellin e 31 marsit 1922, e kundërshton këtë paraqitje të Floqit, kur shkruan:” Për emrin, formën federale, kanunoren, rregulloren, dhe shpirtin e parë të VATRËS, jam responsibël unë. Por e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajësh, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë”.
Më pas u hartu edhe Kanunorja, e cila u nënshkrua nga të gjithë.
28 prill, dita historike/Floqi kujton se 28 prilli 1912 ishte një ditë historike. Ai shkruan:” Dita e 28 prillit 1912 ka qenë dita e fundit e bisedimeve për VATRËN dhe kjo ditë mund të quhet “dita historike e krijimit të Vatrës” e cila kaq shumë i shërbeu Atdheut në kohërat e rrezikshme që pasuan më vonë, shërbime me të vërtetë patriotike që nuk mund të harrohen kurrë”. Kjo ditë është e fiksuar në Rekordin XI, që përmban zgjedhjen e Pleqësisë së Vatrës. U zgjodhën si pleq; Fan Noli, Llambi Çikozi, dhe Kristo Kirka. Si organizatorë për formimin e degëve u zgjodhën Faik Konitza, dhe Kristo Floqi, si kontrollorë Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Puan më e vështirë u takoi dy organizatorëve të cilët duhej të shkonin koloni më koloni dhe të formonin degët e Vatrës. Floqi, duket se nuk ka qenë i kënaqur nga përzgjedhja që bëri Faik Konica, i cili sipas tij, zgjodhi ato koloni ose shoqëri, ku prania numerike e shqiptarëve ishte e madhe, ndërsa fshatrat ia la atij, Kristo Floqit. Ndoshta me subjektivizëm, ai ankohet edhe për rolin ndërmjetës të Nolit, i cili favorizoi Konicën. Floqi kujton se Konica zgjodhi krijimin e degëve në ” Lynn, Worcester, Manchester, Southbridge dhe të Central Falls. Fan Noli, si mik i Konicës, ofroi ndihëmn e vet, dhe mori përsipër që të organizonte degët në Boston, Natichk dhe të Cochituatetit. Kristo Floqit i mbetën degët; Milford So, Framingham, Marlboro, Hudson, Taunton, New Bedford, Bideford Me, Saco Me, Lewiston, Sanford, Augusta, NH, Concoder N. H, Franklin, Penacook dhe disa të tjera më të vogla. Refat Gurazezi edhe në këtë pikë e kundërshton Floqin.
Largimi/Komisioni i përkohshëm i Vatrës e bëri mbledhjen e parë pas themelimit më 2 korrik 1912 në Simonds Hall dhe aty u mor vendimi që të organizohej Kuvendi i Parë të dielën e 14 korrikut 1912. Mbledhja vendosi që të mernin pjesë në Kuvend edhe anëtarë të cilët do të përcaktoheshin nga sekretarët e degëve, por ata do të ishin vetëm dëgjues. Po kjo mbledhje i caktoi për detyrë Faik Konicës që të përgatiste vulën e Federatës, Llambi Çikozi, kishte marrë përsipër që të porosiste kopsat me monogramet F. S. V, dhe Kristo Kirka kishte marrë përsipër botimin e Kanunores në gjuhën shqipe. Kuvendi i parë u bë brenda ditës, edhe pse filloi në orën 1.00 të pasditës. Aty u zgjodhën; Faik Konitza sekretar i përgjithshëm dhe Editor i Diellit, Llambi Çikozi arkëtar i përgjithshëm, Kristo Kirka Menager i Diellit, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Vangjel Gjika dhe Josif Pani kontrollorë. Pa kaluar muaji nisën mosmarrveshjet mes zyrtarëve të Vatrës. Për të kthyer normalitetin, u hoqën tre kontrollorët, Kristo Floqi, Paskal Aleksi dhe Vasil Gjika. Më 11 gusht në vend të tyre u zgjodhën, Fan Noli, Andrea Kristo dhe Koli Caknaqi. Kristo Floqi u zemrua dhe shkoi në New York, ku nisi botimin e gazetës “Zëri i Popullit”.
Floqi shkrimtar, jurist, politikan/Pas kthimit në Atdhe Kristo Floqi iu kushtua avokaturës, letërsisë dhe politikës. Më 1919 ai drejtonte të përmujshmen”Agimi” në Shkodër, ku kishte hapur dhe zyrën e vet avokatore. Më 19 shtator 1920, për pak muaj ai është Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Në legjislaturën e parë, 21 prill 1921 ishte deputet në Parlament. Ushtroi edhe detyrën e gjyqtarit të Diktimit. Floqi u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike. Poezitë e tij ishin plot tharm dhe i këndonin atdheut, dëshmorëve, natyrës së bukur, evokonin trimërinë dhe traditat shqiptare. Madje në vitet 1920-30 poezitë e tij ishin në pjesë të teksteve të Këndimit. Vëllimi i tij “Shkëndija ose Antologji shkollore” përmblidhte 105 vjersha, elegji, fabula. Elegjitë kushtuar Naim e Sami Frashërit, Themistokli Gërmenjit, Gani Butkës, Spiro Bellkamenit, Papa Kristo Negovanit, Ceno Sharrës, Meleq Frashërit, Mustafa Qullit, Çerçiz Topullit, Babë Dudë Karbunarës, Kolonelit hollandez Tomson, etj, ishin ndër më të pëlqyerat dhe recitoheshin nëpër festa a përkujtime. Floqi ishte ndër dramaturgët e zëshëm të kohës së vet dhe radhitet në historinë e lëvrimit të dramës shqiptare krahas Sami Frashërit, Mihal Gramenos, Nolit, Foqon Postolit etj. Drama më e pëlqyer e Floqit ishte “Fe e Kombësi”, që u shfaq nga shumë trupa teatrore në vitet ’30. Atij i përkasin edhe dramat “Pirro i Neoptolemit”, “Karl Topia”,”Skënderbeu n’Itali”, “Qypërllinjtë” etj. Ai ishte edhe një komedian jo pak i suksesshëm. Kristo Floqi është dalluar edhe në fushën e studimeve. Ai ka botuar një sërë tekstesh me karakter politik dhe juridik, historik e etnografik. Përmendim:” E drejta themelore”, “Elementë të Ekonomisë politike”, “Një predikim mbi patriotizmë dhe nacionalizmë”,”Kosovë-Serbi e Vjetër”-Studim etnografik, ku ai kundërshton mr fakte se Kosova nuk është Serbi e Vjetër.
Dënimi dhe harresa/Kristo Floqi pat një fund tragjik. Pasi u burgos nga vitet 1945-1950, ai vdiq në mjerim, i braktisur në vitin 1951.Asgjëkundi nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. Po përse u dënua Floqi? I vetmi faj i tij ishte akuza se kishte shkruar vargjet e Hymnit të Mbretërisë Shqiptare! Si per rastesi edhe muziken e kishte kompozuar nej vatran, Thoma Nassi. Për këtë arsye emri i tij u fut në rreth të zi dhe u damkos si “Armik i Popullit”! Ka ardhur koha që historia jonë kombëtare të shkruhet sipas fakteve dhe jo opinioneve.*(Dielli-arkiv)
Search Results for: Dalip Greca, Kristo Kirka
KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
DEBAT NË “PARLAMENTIN” E VATRËS: DEMOKRACIA NUK PRET, TË AUTORIT FRANK SHKRELI!
Kronikë nga Dalip Greca botuar në gazetën Dielli, Prill, 2018 me rastin e promovimit në Vatër të vëllimit: Demokracia nuk Pret
SHËNIM: Kjo kronikë e botuar 5-vjetë më parë në gazetën Dielli të Vatrës nga Dalip Greca po ribotohet në kujtim të tij me rastin e 1-vjetorit të kalimit në amshim. Dalipi ka shërbyer si ish-Editor i Gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra — gazeta e famshme Shqiptaro-Amerikane, e themeluar nga Noli e Konicanë vitin 1909. Ribotimi i kronikës së të ndjerit Dalip kujton gjithashtu edhe 5-vjetorin e botimit të tre vëllimeve “Demokracia Nuk Pret”, me autor Frank Shkrelin, siç duket një profeci e realizuar, pasi për fat të keq, 30-e ca vjet pas “shembjes së komunizmit”, sot demokracia shqiptare duket se është në rrezik më shumë se kurrë këto tre dekada.
DEBAT NË “PARLAMENTIN” E VATRËS: DEMOKRACIA NUK PRET!
Nga Dalip GRECA/*
Vatra, dikur, në kohët e arta të saj, kur kryente rolin e shtetit të vdekur, kur siguronte financat për shtetin shqiptar, apo kur emëronte ambasadorët për Kombin nëpër Europë e Washington, ishte Parlamenti i shqiptarëve, jo vetëm në Amerikë, natyrisht, jo si Parlamenti-Karnaval i sotëm. Kur do të ngrihej Parlamenti ligjor i shqiptarëve në Tiranë, Vatra do të dërgonte kryeparlamentarin e saj Fan S. Noli, të cilin më pas e shoqëruan si deputetë edhe Kristo Kirka e Loni Prifti…
Në prag të 106 vjetorit të lindjes së saj (28 prill 1912-2018), Vatra, thirri Parlamentin e saj për të debatuar rreth demokracisë hibride, demokracisë së dështuar me tranzicion të tejzgjatur, me moton:DEMOKRACIA NUK PRET!
Në foltoren e Parlamentit Vatran përcollën kumte për Demokracinë: Dr. Elez Biberaj- drejtor i Euro-Azisë në Zërin e Amerikës , Frank Shkreli-ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, deputeti i Parlamentit të Shqipërisë dr. Halim Kosova, ish gazetari i Zërit të Amerikës Idriz Lamaj, Prof. Nikolla Pano, Prof. Sami Repishti, akademik Jusuf Buxhovi, dhe editori i gazetës “Dielli” që moderoi debatin.
Pjesë e debatit ishin edhe shumë prej pjesmarrësve në sallë: ish ambasadori shqiptar në Bullgari e Izrael Bujar Skëndo, ish i burgosuri në burgun e Spaçit Pëllumb Lamaj, ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, dr. Azeta Kola, Marjan Cubi, Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi, Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj, Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë.
Kronika e Promovimit: Promovimin-Debat e ka çelë editori i Diellit, i cili ka prezantuar autorin e librit, ”Demokracia nuk Pret” gazetarin Frank Shkreli ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro Azinë. Më pas moderatori ka ftuar kryetarin e Vatrës, Dritan Mishto, për të çelë debatin dhe për të prezantuar folësin e parë Dr. Elez Biberaj, duke bërë një biografi të shkurtër të tij.
Dr. Elez Biberaj pasi ka falenderuar Vatrën për ftesën, ka treguar lidhjet e ngushta të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” me Zërin e Amerikës, dhe ka uruar mikun dhe kolegun e tij Frank Shkreli për librin. Është ndalur në karakteristikat e publicistikës së tij, ka analizuar Demokracinë shqiptare, arritjet, dështimet, dhe ka vënë piketat tek e ardhmja.
Për Dr. Biberajn, ndërsa rekomandimi i Brukselit për Shqipërinë është shpresëdhënës, ai paraqet një moment të volitshëm që elitat qeverisëse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni, të reflektojnë mbi ato që do ti quaja raste të arta që shqiptarët kanë humbur gjatë viteve dhe dekadave të fundit dhe që kanë ngadalësuar rrugën e tyre për konsolidimin e demokracisë. Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kishin filluar vite më parë. Duhet pranuar se ky dhe raste të tjera të arta për Shqipërinë dhe për Kosovën, janë humbur kryesisht si rrjedhim i i mangësive të theksuara udhëheqëse të vendim-marrësvë shqiptarë.
Sot, shqiptarët përballen me sfida të dukshme: problemet ekonomike; papunësia e lartë dhe varfëria; korrupcioni që ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë; paligjshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobëta; dhe politikanë të papërgjegjshëm që tolerojnë e nxisin korrupcionin dhe përdorin praktika jodemokratike për të siguaruar dhe mbajtur pushtetin.
Këtyre sfidave të brendshme tani u shtohen edhe disa probleme të jashtme: prirja rajonale dhe globale e rrëshqitjes së demokracisë; forcimi i alternativës autoritare, si në Turqi dhe Rusi; dhe ndryshimi i peisazhit politik balkanik dhe evropian. Për Dr. Biberajn duhet ndryshim thelbësor për të shkuar tek demokracia e vërtetë:
Stili i tanishëm i qeverisjes duhet të ndryshojë me themel dhe të përqëndrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtëra. Forcat kryesore politike të bien në ujdi mbi vizionin për të ardhmen e vendit dhe mbi përpilimin dhe zbatimin e politikave madhore që do të çonin në realizimin e këtij vizioni. Të krijohen dhe të fuqizohen institucione me të vërtetë të pavarura dhe të afta për vendosjen e shtetit ligjor dhe çrrënjosjen e korrupsionit.
Media të çlirohet nga trysnia dhe interesat politike dhe financiare. Procesi i vendimmarrjes për çështje të rëndësishme të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë, grupeve të interesit, të shoqërisë civile, dhe ekspertëve. Dhe se fundi, e gjithë shoqëria duhet të ndryshojë thellësisht – mënyra si mendon dhe si vepron ajo. Shqiptarët duhet të jenë më kërkues dhe ndëshkues ndaj politikanëve të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe. Këto janë objektiva shumë të vështira dhe duhet vullnet politik dhe kohë që ato të arrihen. Por shqiptarët në përgjithësi, e jo vetëm udhëheqësit dhe politikanët e tyre, ndodhen para një prove historike: të pajtohen me gjendjen e tanishme ose të zgjohen nga amullia, të kapin momentin dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar potencialin e tyre të plotë demokratik. Siç thekson Frank Shkreli, Demokracia nuk pret, ka nënvijuar Dr Elez Biberaj.
Editorja e seksionit anglisht të Gazetës Dielli, Rafaela Prifti ka përcjellë mesazhin e Prof. Nikolla Pano.
Gazetari Frank Shkreli ka prezantuar mysafirin dhe mikun e tij personal, një nga personazhet e librit,”Demokracia nuk Pret”, Deputetin e Parlamentit Shqiptar Dr. Halim Kosova, i cili kishte ardhur enkas për këtë promovim-debat në Vatër. Dr. Kosova tha ndër të tjera se ndjehej i nderuar që ishte në Vatër dhe pjesë e debatit-promovus,”Demokracia nuk pret”. Në këndvështrimin e tij, Demokracia Shqiptare i ngjanë foshnjës së porsalindur, që ka probleme e anomali dhe vetëm një mjek i mirë e i kujdesshëm mund ta mbajë në jetë. Ai tregoi hyrjen e tij në politikë, duke pasur moton, ”Partia ime është Shqipëria” dhe rrethanat e njohjes me Frank Shkrelin pas zgjedhjeve të humbura për Bashkinë e Tiranës. E njoha Franin, tha ai, pasi kishte shkruar artikullin, dhe u habita që më kishte njohur pa më takuar. Në shenjë nderimi Dr. Halim Kosova i dhuroi një penë të argjendtë gazetarit Shkreli.
Studiuesi dhe ish gazetari i Zërit të Amerikës Idriz Lamaj, në kumtesën e tij, trajtoi kontributin e Frank Shkrelit në gazetarinë shqiptaro-amerikane, duke e analizuar atë në dy epoka historike, para dhe pas viteve ’90.
Ndër të tjera Lamaj tha sjell në vëmendje revistën“Rinia shqiptare në mërgim”, të botuar nga Fran Shkreli para 46 vitesh…Fran Shkreli, djal i ri në mërgim, filloi botimin e revistës së tij “Rinija shqiptare në mërgim”me përkrahjen e pakë shokëve të ngushtë idealistë. Në janar të vitit 1972, doli këtu në New York numri i parë i revistës në fjalë. Në numërin e parë, Frani goditë pa mëshirë qendrimet e errta politike komuniste të shkrimeve të tyre kundër mërgatës nacionaliste dhe Klerit tonë Katolik. Ai i goditë jo me metoda të formës pro-jugosllave, siç bënin disa, por me armën Fishtiane. Në editorialet dhe në artikujt e tij, vazhdimisht e cilësoi komunizmin shqiptar si sllavo-komunizëm, si sëmundje vdekjeprurse për kombin shqiptar të mbështetur dhe drejtuar nga jugosllavët gjatë gjithë ekzistencës ideologjike në Shqipëri. Lamaj solli fragmente artikujsh, analiza, kronika, editoriale të shkruara nag Frank shkreli dhe u fokusua në këndvështrimin e kthjelltë publicistik të Shkrelit rreth Demokracisë. Duke analizuar librin”Demokracia nuk pret: z. Lamaj arrin në përfundimin se: Përshkrimi i temave, analizat koncize, të thella e të gjithanëshme, historike, politike, ekonomike, shoqërore, ideologjike e kulturore; densiteti dhe gjërësia e informacionit jepen me mjeshtri e pa përsëritje të dukurive të ndryshme e ngjarjeve. Pasuria e fakteve është e padiskutueshme. Njohuritë e gjithanëshme historike, stili i rrjedhshëm dhe elokuenca e të shprehurit i kanë dhënë mundësi autorit Shkreli t’i shmanget pësëritjeve monotone.
Zv. Kryetari i Vatrës Agim Rexhaj solli Kumtesën “Nëpër Kohë” përgatitur nga akademiku Jusuf Buxhovi. Përmes një analize profesionale akademiku Buxhovi sillte në fokus evolimin dhe fokusimin e publicistikës shqipttare që në kohën e Konicës dhe angazhimin e saj ndaj problemeve shoqërore, politike dhe atyre kulturore. Për Buxhovin, publicisti Shkreli trajton problemet shqiptare, jo me brengën e Konicës deri në dëshpërim, por me një shqetësim nga që, në njërën anë shoqëria shqiptare nuk po ia del që të mundë apo të lirohet nga ngarkesat ideologjike dhe mbetjet e tyre, dhe në tjetrën anë, nuk po ia del që të tejkalojë sa duhet ngarkesat e mentaliteteve fetare, të cilave, Rilindja jonë kombëtare, u kishte dhënë përgjigje të duhur.
Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu solli mesazhin e Prof. Sami Repishtit, i cili përshëndeti takimin dhe përcolli vlerësime për gazetarin Frank Shkreli. Citoj nga përshëndetja e Prof. Repishtit: “E gjithë veprimtaria e Frank Gj.Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij;
E para: besimin në Zotin, feja e krishtenë; dhe e dyta: shërbim për Atdheun, Nanën Shqipëri, që për atë përfshinë të gjithë hapësinën shqiptare në Ballkan, Me nji pikë qendrore: epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”. E treta; përpjekja koshiente dhe konstante me mbrojtë demokracinë liberale amerikane, dhe me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.
E kaluemja e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i pësuem si shqiptar në nji shtet sllav kanë formue karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u sherue asnji herë. Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni.” Profesor Repishti i përgëzon organizatorët: Ky tubim u pagëzue nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këte unë i përgëzoi plotësisht, ka thenë Profesor Repishti. Ashtë nji term që përmbledh shokë e miq me mendime të ndryshme por me qellime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo inisiativë ashtë jashtëzakonisht e randësishme dhe i ka mungue bashkësisë sonë këtu në Amerikë për shume vjet. Ka ardhë koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njeni-tjetrin me shqyrtue gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësinës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për nji orientim që e kërkon e nuk e gjen. Kjo hapësinë përfshinë të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht bukën e quejnë bukë, dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare. Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këte punë me vlera të pa përshkrueshme. Këtu ashtë Shqipëria e jonë, kjo ashtë Shqipëria e jonë! Le ta ndertojmë simbas konditave të vendit, shoqëninë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë me ndihmue vëllaznit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe e arsim. Dhe ma në fund, si thonte Noli i madh: “Paçi uratën e Perendisë!”, ka përfunduar Profesori i nderuar Sami Repishti.
Moderatori i tubimit ka sjellë në fragment nga koleksioni i Diellit të 30 Janarit 1976, ku përshkruhej një çast kulmor nga jeta e Frank Shkrelit dhe e zonjës Viktori, dita e martesës.
Gazearja Marjana Bulku, anëtare e Kryesisë së Vatrës, solli kumtesën e studiuesit Prof. Thanas Gjika, sekretar i degës së Vatrës në Uster: “Mbi vlerat dhe temat kryesore te gazetarit Frank Gjeto Shkreli”. Prof. Th. Gjika në hyrje të kumtesës së tij theksonte se: “Në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, “Radio Zëri i Amerikës”, luajti rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar për informimin e popullit shqiptar mbi ngjarjet kryesore, duke ia treguar ato me vërtetësi, ashtu si kishin ndodhur. E në këtë mision kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi, Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Idriz Lamaj dhe Frank Gjeto Shkreli.” Gjika në analizën e tij për librin “Demokracia nuk pret” konstaton se gazetari Frank Shkreli është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por atij nuk i mungon orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe e BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin”…
Sipas Thanas Gjikës , Frank Shkreli ecën në rrugën e Profesor Repishtit lidhur me luftën për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë.
Më pas ai ndalet në përmbajtjen e librit:Vlerësimin e Kishës Katolike dhe i barinjve të saj, në Nostalgjia ndaj diktatorit Hoxha, si një pengesë serioze për Shqipërinë, ndalet në domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve, në analizat rreth Ballkanit Perëndimor, SHBA-të, Rusia dhe Turqia; fokusohet në Idetë demokratike;në Grindjet që kanë penguar suksesin e shqiptarëve; në trajtimin që i bën Frank Shkreli Diasporës si pasuri e madhe shkencore, letrare dhe kulturore etj.
Editori i Diellit solli Kumtesën,”Stili publicistik në gazetarinë e Frank Shkrelit”. Në hyrje të kumtesës së tij editori tha: “Kam mendimin se libri që promovojmë, “Demokracia nuk pret” i gazetarit Frank Shkreli, përveç mesazheve dhe shqetësimeve qytetare, sjell edhe përvojën e tij gazetareske, ku dallohet një stil i veçantë i të shkruarit, me një gjuhë të pasur nga ana leksikore dhe të pastër nga fjalët e huaja, strukturat sintaksore, fjalët janë të thjeshta, pa fjalë e fjali parazite, pa shprehje standarte e pllakateske, që vlen të studiohet dhe të merret në konsideratë nga gazetarët e rinj, natyrisht pa e imituar. Stili i tij gazetaresk nuk vuan nga mania e oratorizmit apo e ligjërimit fals, as nga moralizimet.
Në shikimin tim, z. Shkreli është një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve demokratike, i ngjarejeve të ditës dhe ato të perspektivës, veçanërisht në trevat etnike shqiptare dhe një analist gjakftohtë, që operon kujdesshëm me faktet, pa e ngarkuar tekstin. Frazat dhe fjalitë në 80 artikujt e këtij libri që promovojmë janë të zhveshura nga mbingarkesa e huazimeve të huaja dhe përdor mjaft mirë gjuhën shqipe, edhe pse ka mërguar në moshë fare të re në SHBA. Mendoj se kapja e temës dhe vendosja e titujve përbën një model për atë që do të mësoj prej përvojës së gjatë të tij. Editori arrinë në përfundimin se: publicistika e shkruar e z. Shkreli është e zhveshur nga fjalët bombastike, nga vlerësimet e glorifikuara, nga epitetet false. Nuk gjenë tek ai shprehjet e lodhshme që karaktirizojnë gazetarinë e rëndomtë edhe këtu në komunitet, ku të gjithë përshkruhen si të mirënjohur, të shquar e shumë të shquar, tepër të njohur, shumë të talentuar, ku të gjithëve u vihen grada dhe tituj, sa na është mbushur komuniteti me doktorë e profesorë, shkrimtarë të shquar, poetë të shquar, artist i shquar etj..etj…edhe kur nuk i kanë këto grada ua japim ne gazearët. Jo, Franku i jep secilt hakun që meriton.
Gjithësesi mendoj se publicistika e gazetarit Frank Shkreli meriton vëmendje edhe nga katedrat e fakultetet e gazetarisë në Tiranë e Prishtinë, ndërsa për ne gazetarët e komunitetit të këtushëm, dhe në përgjithësi gazetarët e diasporës, ai mbetet një model nga duhet mësuar, natyrisht, jo kopjuar. Uroj: Përurofshim së shpejti dhe librin e ri me publicistikë të autorit!- tha editori i Diellit.
Frank Shkreli,autori i librit ka përcjellë falenderimet e tij në mbyllje të Kumtesave: Falënderimet e mia Vatrës….Jam mirënjohës dhe falënderoj sinqerisht, Kryetarin Dritan Mishto, Kryeredaktorin e Diellit Dalip Greca dhe gjithë antarët e Kryesisë së Vatrës për këtë organizim, që na ofron mundësinë të kalojmë këtë bashkbisedim vëllazëror me ju sot – Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në takimin tuaj kulturor të radhës, tha ai.
Dua të falënderoj Dr Elez Biberajn mikun e ngushtë ç’prej bankave të Lehman college në vitin 1972 e deri më sot: kolegun dhe mikun Idriz Lamaj, Prof Sami Repishtin dhe Prof. Nick Panon, Akademik Jusuf Buxhovin, Dr. Thanas Gjikën dhe të tjerë për meazhet e tyre, për miqësinë dhe këshillat e tyre gjatë viteve. Një falënderim të veçant për deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Dr. Halim Kosova, i cili na nderon me pjesëmarrjen e tij. Një sekret të vogël po e ndaj me ju. Titulli i librit, “Demokracia nuk pret”, është pronësi intelektuale e Dr. Halim Kosovës.
Vëllimi i parë — është botuar me sponsorizimin e Gazetës Telegraf, Drejtorit të saj, Engjëll Musai dhe botuesit, Klaus Çiraku. Dua t’i falënderoj publikisht për besimin ndaj meje dhe për mbështetjen që më kanë dhënë për më shumë se një dekadë, duke botuar të gjitha shkrimet e mia, pa përjashtim…”.
Më pas ka vazhduar debati për Demokracinë shqiptare, e cila shpresat e shqiptarëve për Demokraci të ëvrtetë, i ka kthyer në zhgënjim falë kontributit të klasës politike. Kritik i ashpër ka qenë ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, ndërkohë që kanë shprehë opinionet e tyre edhe: Bujar Skëndo, ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, dr. Azeta Kola, Marjan Cubi,Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi, Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj, Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë. Ky i fundit e ka mbyllë takimin me këngën: ”Gegë e Toskë”, që përcjell mesazhin e bashkimit, këngë që e këndoi bashkë me sallën.
Idriz Lamaj, Dalip Greca, Frank Shkreli
KONTRIBUTI I FEDERATËS “VATRA” NË MJEDISIN POLITIK DHE KULTUROR TË VITEVE 20’ NË SHQIPËRI
Dr. Adelina Nexhipi, Dr. Ardiana Miçi
Departamenti Histori – Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë
Abstrakt
Vitet 20’ në Shqipëri përfaqësojnë një periudhë nga më të rëndësishmet në historinë e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Nuk kishte kaluar asnjë dekadë nga shpallja e pavarur e Shqipërisë kur u vu përsëri në diskutim pavarësia dhe tërësia territoriale e saj. Luftërat rajonale dhe botërore e kishin hedhur në mes të furtunës fatin e Shqipërisë. Shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut bënë përpjekje të përbashkëta për të zgjidhur tashmë njëherë e mirë problemin kombëtar, ku shqiptarët e Amerikës të organizuar në Federatën Panshqiptare “Vatra”, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Që në fillimet e shek XX, ata kishin punuar për të mbajtur fort të gjallë ndjenjën kombëtare, për të zhvilluar gjuhën dhe debatin politik përmes shtypit të shkruar e u bënë të njohur si komunitet diaspore. Në momentet më delikate, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht në Shqipëri dhe pranë kancelarive evropiane në mjediset diplomatike ku luhej drama shqiptare. Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve 20’ është i çmuar. Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet diplomatike e propagandistike, por “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare. Banda muzikore që e shoqëronte atë u bë ambasadorja dhe frymëzimi i shqiptarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e territorin e tyre. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar, që e përfaqësuan Shqipërinë në nivelet më të larta, vinin nga rradhët e vatranëve. Takimet, memorandumet, lobimet kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA. Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan i kishte hedhur themelet më herët.
Fjalë kyçe: Fedarata Panshqiptare Vatra, Shqipëri, SHBA, demokratizim, marëdhënie diplomatike
1. Komuniteti shqiptar në SHBA në fillim të shek XX
Ndër kolonitë shqiptare jashtë atdheut, kolonia e shqiptarëve të Amerikës ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e nacionalizmit dhe zhvillimit intelektual të shqiptarëve si përpara se të shpallej pavarësia e shtetit amtar edhe në vazhdim. Shqiptari i parë në Amerikë (fund i shek XIX), Kolë Kristofori, nga Katundi i Kolonjës do të tërhiqte pas një grup të rinjsh nga rajoni i Korçës të cilët u vendosën në Anglinë e Re, Boston e New York e jetonin në konakë. Jeta në migracion ekonomik i bënte të jetonin së bashku e të kishin të fortë ndjenjën komunitare por jo aq të shfaqur ndjenjën kombëtare. Në vitin 1905, një grup më i shkolluar shqiptarësh të ardhur nga kolonia e Rumanisë, krijuan të parën shoqëri “Mall i Mëmëdheut”, në Jamestown, NY. Do të ishte Sotir Peci nga Dardha e Korçës, që do të vendoste gurin e parë në themelet e lëvizjes kombëtare në SHBA, me botimin e gazetës së përjavshme “Kombi, në vitin 1906. Me të ardhurat e veta si punëtor dhe zellin që e dallonte, Peci ua çonte falas gazetën shqiptarëve të Amerikës të cilët qëllonte të ishin edhe analfabetë. Atëherë atij i duhej me durim t’u shpjegonte se çfarë ishte ajo dhe çfarë pritej nga shqiptarët[1]. Nga 5000 shqiptarë që mund të ishin në atë kohë në Amerikë, vetëm 20 vetë dinin të shkruanin e të lexonin[2]. Në vitin 1907 u themelua në Boston shoqëria “Besa-Besë”, që filloi të botonte gazetën “Dielli”. Patriotët shqiptarë e kishin kuptuar se një diasporë e fortë dhe e organizuar në SHBA krijonte mundësi më të mëdha për të bërë realitet pavarësinë, tërësinë territoriale dhe përparimin e Shqipërisë, ndaj shumë prej tyre u nisën drejt Amerikës.
Jeta sociale e këtij komuniteti nuk mund të ishte e plotë pa një institucion rreth të cilit ata të bashkoheshin shpirtërisht. Në 8 mars 1908, Fan Noli u dorëzua si prifti i parë shqiptar i kishës ortodokse, ndërsa në 22 mars 1908 ai mbajti liturgjinë e parë në gjuhën shqipe. Themelimi i Kishës së Pavarur Orthodokse Shqiptare dhe liturgjia në shqip do të shënonte një “revolucion të vërtetë paqësor”[3] duke shtuar një gur themeli të ri në organizimin e shqiptarëve, me rëndësi edhe në Shqipërinë amë, ku Patriarkana e Stambollit nxirrte ende dekrete ç’kishërimi për përdorimin e gjuhës shqipe. Me krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale, të cilën Nicholas C. Pano e cilëson “agjenci të nacionalizmit”[4], organizimi i shqiptarëve arriti një nivel më të lartë, duke demonstruar një harmoni befasuese me migrantët e tjerë të fesë myslimane[5]. Edhe këtu në diasporë, del në pah konstatimi i Hobhaus, se “kombësia i bashkon shqiptarët, shumë më tepër sesa i ndan feja”[6].
Organizimi më i lartë i komunitetit shqiptar në Amerikë arriti me themelimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, më 28 prill 1912 dhe fuqizimit të Gazetës “Dielli” e cila u bë gazeta më e besueshme ndër të gjitha. Degët e saj u shtrinë në shumë shtete dhe më 13 qershor 1912, “Vatra” u regjistrua zyrtarisht në shtetin e Masacusests. Federata “Vatra” u fuqizua me shpejtësi, brenda një viti numri i anëtarëve arriti në 1000.[7] Rreth saj u përfshinë personalitete të tilla si; Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Kol Tromara, Kristo Floqi, Bahri Omari, Kostaq Kota, Mihal Grameno, Andon Frashëri etj. Ata krijuan kontakte me amerikanë të shquar, si; Charles Crane, George Fred Williams, Jane Addams, Osvald Garrison Villard, R. Uds, Charles Telford Erickson, etj të cilët mbështetën çështjen kombëtare shqiptare dhe lobuan me institucionet amerikane për zgjidhjen e drejtë të saj, duke hedhur themelet e marrëdhënieve shqiptaro – amerikane.
Që në fillimet e veprimtarisë së saj, “Vatra” do të luante rol të rëndësishëm në mbështetje të çështjes kombëtare. Më 17 nëntor 1912, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë, filloi të mbledhë fonde për kryengritjen në Shqipëri dhe u dërgoi telegram Fuqive të Mëdha dhe Presidentit Amerikan, Taft, ku kërkohej njohja e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë. I madh ishte kontributi i vatranëve në Kongresin e Triestes (1 mars 1913), i cili u kryesua nga Faik Konica, i zgjedhur për këtë detyrë nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës”, i 16 shkurtit 1913. Përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare miratuan një rezolutë në mbështeteje të qeverisë së përkohshme shqiptare dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë. Gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, “Vatra” denoncoi në shtyp padrejtësitë ndaj shqiptarëve, mbrojti të drejtat e tyre kombëtare, organizoi disa mitingje, për të siguruar mbështetjen e opinionit amerikan; dërgoi memorandume në Londër dhe filloi përgatitjen e trupave vullnetare, në ndihmë të shtetit shqiptar. Në Londër, “Vatra” dërgoi Nolin, për të zhvilluar propaganë proshqiptare në mjediset politike, ku ai ndihmoi në formimin e Komitetit Proshqiptar të Londrës ndërsa në Shqipëri Faik Konica, do të vendoste lidhjet midis diasporës së Amerikës dhe qeverisë së Vlorës.
Përpjekjet për arsimim dhe kulturë do të bëheshin paralel me zgjimin kombëtar dhe veprimtarinë diplomatike. Në vitet në vazhdim, numri i gazetave dhe revistave të botuara në Amerikë u shtua dhe së bashku me to edhe përpjekjet e shqiptarëve për të mësuar shkrim dhe lexim, të cilat në mungesë të shkollave, bëheshin në mënyrë autodidakte pas pune. Sipas kujtimeve të Llambi Vaskë George (jetonte në Pontiac, ishte anëtar dhe sekretar i degës Nr.43 të “Vatrës” në Micigan) gjatë ditëve të javës, ai priste të lexonte gazetën “Dielli”, gazetën “Albania”, të botuar në NY, gazetën “Mbrojtja shqiptare”, Gazetën “Koha” të Gramenos, Revistën “Yll’ i Mëngjesit”, “Era Shqiptare”, “Vullnetari”, “Përparimi” etj., lexonte lajmet në “Chicago Tribune” dhe shkruante herë pas here ndonjë artikull për këto gazeta[8]. Nëpërmjet shtypit të shkruar dhe përpjekjeve për ta shpërndarë atë mes shqiptarëve, u lëvrua dhe u përsos më shumë gjuha amtare dhe u mbajt gjallë ndjenja kombëtare.
Shpesh në këto gazeta mbahej i gjallë edhe debati politik midis grupimeve shqiptare të cilat kishin qëllim të njëjtë, por dallonin mes tyre në disa pikëpamje. Në vitin 1919 në SHBA botoheshin 10 gazeta në gjuhën shqipe dhe 4 gazeta dygjuhëshe, anglisht–shqip, në artikujt e të cilave mbizotëronte tematika kombëtare[9]. Tek “Ditarët”, Llambi Vaskë George, tregon sesi nevojës së bashkëatdhetarëve të tij për t’u integruar në shoqërinë amerikane dhe mësuar anglisht ai ju përgjigj duke hartuar një libër të vogël shqip-anglisht në vitin 1915, të cilin e kishte quajtur “Methodë”. “Methoda” u botua e ribotua në 1918-1919 dhe u shpërnda edhe me ndihmën e “Vatrës” dhe “Diellit”, e gazetave të tjera ku i bëhej reklamë[10]. Një fenomen që do të ndikonte jetën sociale të komunitetit shqiptar në SHBA ishte krijimi i skuadrave sportive dhe bandave muzikore që bashkonin njerëzit dhe krijonin kohesion social të nevojshëm në një mjedis të huaj dhe që sigurisht ndikoheshin nga jeta në Amerikë. Dy banda muzikore dhe mjaft shoqëri të tjera u shtuan me ardhjen e më shumë migrantëve shqiptarë.
2. Kontributi i “Vatrës” në mbrojtjen e çështjes kombëtare gjatë dhe pas LIB
Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Shqipërinë në pozita të vështira. Lufta iu dha shteteve fqinje mundësinë për të përmbushur synimet e tyre territoriale duke i shndërruar krahinat shqiptare në shesh lufte, edhe pse Shqipëria shpalli asnjanësinë në konfliktin botëror. Shqipëria u bë vendi i përplasjes së dy blloqeve ushtarake ndërluftuese. Vendi u zhyt në kaos të vërtetë dhe në mjerim të plotë. Në fund të vitit 1918 Lufta e Madhe kishte mbaruar, por pavarësia e Shqipërisë ishte sërish e rrezikuar. Gjatë vitit 1919 Shkodra ishte nën administrimin e garnizonit ushtarak ndëraleat; Italia mbante të pushtuar Vlorën e rrethinat; Luma, Dibra, Kukësi e Peshkopia ishin nën pushtimin serb; në Korçë e Pogradec gjendeshin forcat ushtarake franceze; prefektuara e Gjirokastrës ishte nën kontrollin e forcave ushtarake greke; autoriteti i qeverisë së Turhan Pashë Përmetit, krijuar nga Kongresi i Durrësit (25 dhjetor 1918) shtrihej vetëm në Durrës, Elbasan, Berat e pjesërisht në prefekturën e Tiranës dhe Shkodrës. Zhvillimet në Konferencën e Paqes ishin shqetësuese për Shqipërinë. Kjo situatë në Shqipëri, nxiti jo vetëm organizimin e brendshëm por edhe të diasporës shqiptare e cila nuk kishte reshtur së punuari dhe tani ishte gati për veprime aktive. Shoqëritë politiko-kulturore shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, ndër të cilat “Vatra” ka spikatur, patën një angazhim shumëplanësh në shërbim të çështjes kombëtare, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore.
Veprimtaria diplomatike e vatranëve u intensifikua. Më 21 gusht 1915, Noli, i dërgon Sekretarit të Departamentit të Shtetit, R. Lansing një telegram, me anë të së cilit denonconte Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe kërkonte nga presidenti Wilson “të parandalonte ndarjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha”[11]. Në kuvendin e vitit 1915, “Vatra” mori vendimin për të dërguar delegatë në Evropë, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë si dhe vendimin për organizimin e Trupave Vullnetare. Kol Rodhe në gazetën “Vullnetari” argumentonte nevojën e organizimit të Trupave Vullnetare, duke u shprehur se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhur nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Në numrat e gazetës bëhej thirrje për mobilizim “Atheu është duke rënkuar…Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!”[12] Menjëherë pas vendimit u zgjodh komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kostë Çekrezi dhe Vangjel Sotiri[13], komandant i përgjithshëm i Trupave u caktua Aqif Përmeti, ushtarak karriere dhe filloi organizimi dhe stërvitja e trupave.
Në vitin 1916, u dërgua në Londër delegati i parë i “Vatrës”, Mehmet Konica, i cili krijoi Komitetin “Miqtë e Shqipërisë”, ku bënin pjesë personalitete të shquar si A. Herbert, E. Aubrey, E. Durham, C. Woods etj. Këta miq të Shqipërisë, u bënë mbrojtësit më të mëdhenj të të drejtave të kombit shqiptar. Në 1917 u dërguan dhe dy delegatë të tjerë, M Turtulli dhe Nikolla Kasneci. Në vazhdim të përpjekjeve, gjatë vitit 1917, “Vatra” kërkoi të vendoste kontakte e të bashkëpunonte me Foreign Office të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim që të ushtronte ndikim në favor të Shqipërisë. “Vatra” i propozoi qeverisë britanike dërgimin e dy regjimenteve me vullnetarë shqiptarë nga Amerika, për të luftuar në Ballkan, madje ajo kishte organizuar 3000 – 4000 forca vullnetare, por propozimi nuk u mbështet nga Foreign Office.[14]
Megjithatë, “Vatra” nuk i reshti përpjekjet për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i shpërbërjes, gjatë Luftës së parë Botërore, ndonëse u vendos në kushte të vështira në mjedisin amerikan. SHBA-të kishin hyrë në luftë me Austro-Hungarinë dhe anëtarët e “Vatrës”, dyshoheshin si agjentë të saj[15]. Përveç situatës ndërkombëtare të pafavorshme, lëvizja kombëtare shqiptare në SHBA, duhej të orientohej mirë e të siguronte mbështetjen amerikane në realizimin e qëllimit kombëtar. Në këto kushte, hyrjen e SHBA-së në luftë, “Vatra” e vlerësoi si pozitive për çështjen shqiptare dhe u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të mobilizoheshin në ushtrinë amerikane. Mbi baza vullnetare, rreth 3000 emigrantë shqiptarë morën pjesë në ushtrinë amerikane[16], veprim ky i nxitur nga interesat kombëtare. Ata synonin të fitonin simpatinë amerikane e mbështetjen e saj në fund të luftës. Megjithatë në arenë nuk munguan as përplasjet e brendshme; grupi i Dakos, Gramenos, e Sevasti Qiriazit i ishte kundërvënë “Vatrës”[17].
Kur pavarësia dhe tërësia territoriale e Shqipërisë ishin në diskutim, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht si në Shqipëri ashtu edhe pranë kancelarive evropiane e në mjediset diplomatike ku po luhej drama shqiptare. Gjatë viteve 1917-1918, Vatra ka luajtur rolin e qeverisë së munguar të shqiptarëve, e njohur si qeveri në mërgim. Konica dhe të tjerë pohojnë se “Vatra”, për shumë kohë kishte zënë edhe vendin e guvernës, aherë kur guverna ose nuk ish akoma e formuar ose ish tepër e pafuqishme[18]. Kuptohet që kësaj “qeverie”, i mungonte aspekti territorial i shtetit që qeveriste, por ajo mbante kuvende si të ishin mbledhje parlamenti. Në kuvendin e korrikut 1917, “Vatra” protestoi hapur kundër Proklamatës italiane të 3 qershorit 1917 dhe në Rezolutën e saj ajo ushpreh për “një Shqipëri me kufijtë e saj etnikë, me indipendencë mbretërore të plotë, një Shqipëri për shqiptarët, politikisht dhe ekonomikisht”[19]. Ndërsa nuk mund të mblidhte taksa si një qeveri e zakonshme, ajo mblidhte kontribute vullnetare nga shqiptarët e Amerikës. Aq shumë kontribute arrinte në atë kohë të mblidhte Vatra, sa dedektivët amerikanë dyshonin për financim të saj nga Austria[20]. Thirrjes së Vatrës për të krijuar një Fond Kombëtar (qershor 1917), shqiptarët e Amerikës iu përgjigjën me një zemërgjerësi të paparë. Vatra mblodhi 160.000 $. Të bënte përshtypje të thellë kur shikoje që punëtorët e fabrikave dhe shitës të vegjël jepnin rrogat apo fitimet e dy-tre muajve për çështjen kombëtare- shprehet K. Cekrezi[21]. Ndërkohë Mehmet Konica si përfaqësues i Vatrës në Europë mbante korrespondencë të rregullt me Vatrën, në guvernën e së cilës ai mbante postin e ministrit të jashtëm[22]. Qeveria e “Vatrës” me seli në Boston kishte këtë përbërje: kryeministër F. Noli, zv.kryeministër Kolë Tromara, ministër i Luftës Aqif Përmeti, ministër i Ekonomisë dhe Financave Loni Kristo, ministër i Brendshëm Koli Rrodhi, ministër i Punëve botore Kristo Kirka, ministër i Arsimit dhe Kulturës Kostë Çekrezi[23]. Kjo qeveri i mbante mbledhjet në zyrat e Vatrës në Boston.
Në mars 1918, Noli i dërgoi një memorandum presidentit amerikan, ku denonconte protektoratin italian të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe “Vatra” ia kishte dalë të njihej si komunitet diaspore dhe Fan Noli, si udhëheqës i saj, u ftua në takimin e presidentit Wilson me përfaqësues të 30 kombësive në SHBA, në festimet e 4 korrikut 1918. Gjatë këtij takimi, Noli mori premtimin e presidentit Wilson se do të përkrahte çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes. Hapat diplomatike të “Vatrës” ishin ngjitur në nivele të larta. “Vatra” u vu në krye të përpjekjeve për të siguruar përkrahjen e SHBA-së në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Që përpara mbarimit të luftës, në mars 1918, ajo shprehte dëshirën e shqiptarëvë për restaurimin e pavarësisë me asistencën e një fuqie të madhe, e cila mund të ishte SHBA, “i vetmi shtet tek i cili shqiptarët mund të kishin besim të plotë”[24]. Qëndrimi i shprehur fillimisht nga “Vatra”, për një mandat amerikan në territorin e kontestuar në jug të Shqipërisë, u shpreh në mars 1919, në Konferencën e Paqes edhe nga kryeministri shqiptar, Turhan Pashë Përmeti. Në nëntor 1918, kur delegacioni amerikan po përgatitej për të shkuar në Paris, Noli, në emër të “Vatrës” i drejtoi një memorandum presidentit Wilson, Sekretarit të Shtetit, Lancing dhe Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate, ku kërkohej rivendosja e pavarësisë së Shqipërisë, bazuar në parimet fisnike të shpallura në programin e presidentit Wilson[25].
Në prag të Konferencës së Paqes, “Vatra” organizoi delegacionin e saj në Evropë, me anëtarë Fan Nolin, A. Lorechio, Rasih Dino, T. Erickson, A Herbert. Aktiviteti diplomatik i delegacionit të “Vatrës” gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes, ishte intensiv. Vlen të përmendim, takimet e Mehmet Konicës me diplomatë italian; kontributin e tij në organizimin e Kongresit të Durrësit; memorandumi dërguar ambasadës franceze në Washington (16 janar 1919), me anë të së cilit kërkohej që Korça t’i mbetej Shqipërisë; memorandumi i 3250 shqiptarëve ortodoskë të SHBA-së, dërguar Konferencës së Paqes, ku denoncohej veprimtaria antishqiptare e diplomacisë greke, memorandumi i 52 kishave shqiptare të Amerikës në mbrojtje të popullsisë ortodokse të Shqipërisë së Jugut, që konsiderohej greke nga qeveria e Athinës; memorandumi i prillit 1919, që denonconte protektoratin Italian dhe synimet e Italisë për të aneksuar Vlorën.[26]
Po kaq e rëndësishme ishte dhe veprimtaria propagandistike, artikujt e shumtë në shtypin shqiptar dhe atë amerikan, polemikat me ambasadën greke në SHBA dhe Lidhjen e Miqve të Greqisë në SHBA. Gjatë zhvillimeve të Konferencës, “Vatra” organizoi dhe disa mitingje, me pjesëmarrje të gjerë, konferenca, leksione të hapura në universitete të njohura amerikane, ku kërkohej ruajtja e tërrësisë territoriale të Shqipërisë, njohja e pavarësisë së saj. Me anë të kësaj veprimtarie synohej të fitohej simpatia dhe mbështetja e oponionit amerikan. Në fund të të gjitha përpjekjeve të papërkulura të shqiptarëve një nga qëllimet kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare ishte arritur, shpëtimi i pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë territoriale, të paktën të në kufijtë e viteve 1913. Më 9 nëntor 1921 u bë publik vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të Parisit i cili shpallte njohjen e qeverisë shqiptare si qeveri e një shteti sovran dhe të pavarur, konfirmonte kufijtë e vitit 1913, me disa rektifikime të vogla, por që nuk preknin thelbin.
3. Kontributi i “Vatrës” dhe vatranëve në fazat e para të ndërtimit të shtetit
Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet e tyre diplomatike e propagandistike, por për t’i ardhur në ndihmë qeverisë shqiptare, “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare, për t’u vënë në shërbim të Shqipërisë në ato kohë të vështira. Me në krye, Aqif Përmetin, Trupi i Vullnetarëve, mbërriti në Shqipëri në 2 prill 1920, “për mbrojtjen e kufijve dhe stabilizimin e qeverisë së saj”[27]. Gjetja më interesante në këtë kontribut ishte shoqërimi i këtij Trupi, me Bandën muzikore “Vatra”, të përbërë nga muzikantë amatorë dhe profesionistë, të udhëhequr nga mjeshtri Thoma Nasi. Rrugëtimi i tyre drejt atdheut ishte i lidhur me një ndjenjë të fortë patriotizmi, entuziazmi dhe shprese për ta bërë Shqipërinë. Ll. V. George, i cili mori pjesë në Kuvendin e shtatë të Vatrës si delegat dhe regjistroi veten dhe 4 shokë nga dega 43, si vullnetarë të Gardës Civile, për të ardhur në Shqipëri me shpenzimet e tyre, iu ngarkua detyra e sekretarit[28]. Në Ditarët e mbajtur prej tij përshkruhet rruga e ndjekur nga Trupi Vullnetar, Banda e “Vatrës” dhe ngjarjeve që i shoqëruan gjatë veprimtarisë në Shqipëri. Në një intervistë me djalin e tij, Kristaq Jorgji, i cili i ka përmbledhur dhe botuar “Ditarët”, tregon sesa entuziast ishte babai i tij kur fliste për atë periudhë, kur ata me nga një sënduk me vete hipën në anijen “Canada” dhe u nisën për në atdhe.
Trupi Vullnetar dhe Banda muzikore mbërritën në Durrës, ku Banda dha koncertin e saj të parë. “Ardhja e Trupës vullnetare dhe Bandës “Vatra” e forcoi më tepër besimin e popullit te qeveria e Tiranës dhe kjo ishte mbështetje që i jepej drejtëpërsëdrejti asaj”[29] – shprehet Vasil Tole, në librin e tij “Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane”. Banda “Vatra” udhëtoi, dha koncerte, ngjalli shprese e gëzim, përhapi mesazhe atdhedashurie e vlera të larta kulturore thuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Ajo qendroi në Tiranë, në Elbasan, në Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Sarandë, Nivicë, Lukovë, Përmet, Shkodër, Vlorë, Korçë, etj. Kudo u prit me gëzim dhe entuziazëm të pashoq.
Kur në 27 maj, Trupa vullnetare dhe Banda “Vatra” mbërriti në qytetin e Korçës, qyteti dhe banorët e tij vuanin nga frika dhe pasiguria, Konferenca e Paqes ende nuk kishte vendosur fatin e qytetit. Pretendimet dhe veprimet e autoriteteve greke për ta konsideruar Korçën të tyren dhe tërheqja e trupave franceze nga qyteti e vendosnin atë në pozitë të vështirë. Me koncertet e saj në çdo lagje dhe pranë çdo përfaqësie të huaj të ndodhur në qytet, Banda “Vatra” përcillte bukur, përshfaqte në mënyrën më të kulturuar ndjenjat atdhetare shqiptare të banorëve të Korcës, që këndonin bashkë me të himnin shqiptar dhe këngët e bukura shqiptare, krahas interpretimit të simfonive të njohura botërisht. Banda u bë ambasadorja dhe frymëzimi i korçarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e tyre. Nëpërmjet ndikimit të saj sidomos në Korçë, “Vatra” arriti të ndërtonte një mjedis të fortë nacionalist përballë përpjekjeve të një pakice filogrekësh në këtë qytet që krijonin vazhdimisht alibi për përbërjen etnike dhe atë gjuhësore të këtij komuniteti që jetonte përgjatë kufirit[30].
Trupi Vullnetar i “Vatrës” u bë barrikada e parë në mbrojtje të kufijve jugore të Shqipërisë. Trupi Vullnetar plotësonte një varg detyrash të ushtrisë kombëtare shqiptare, duke rritur prestigjin e shtetit shqiptar. Në qershor ata u bashkuan në Luftën e Vlorës, që u bë simbol i qëndresës popullore. Krahas “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” për Vlorën, nën komandën e Aqif Përmetit, 120 anëtarë të Trupës Vullnetare si dhe 250 vullnetarë të ardhur me ta nga Korça, luftuan për çlirimin e Vlorës. Banda “Vatra” do të shoqëronte shqiptarët gjatë luftës së Vlorës dhe siç shprehej F. Noli “do të mbante lart moralin e tyre”[31]. Himni i kënduar prej saj do të ndizte peshë zemrat e luftëtarëve. Kënga himn “Vlora-Vlora” është kompozuar, në ditët që zhvillohej lufta, nga drejtuesi i bandës së “Vatrës”, Thoma Nasi, mbi vargjet e Ali Asllanit.* Më 3 shtator luftëtarët e ngazëllyer për fitoren, hynë në Vlorë, të udhëhequr nga Banda “Vatra”. Banda u shndërrua nga një orkestër frymore normale në një bandë kombëtare të natyrës ushtarake.[32]
Trupi Vullnetar i Vatrës formoi Gardën Kombëtare të Shqipërisë dhe pas një shërbimi të vyer, bërë atdheut, me urdhër nga Komanda e Ushtrisë së Korçës, Trupi Vullnetar lirohet[33]. Komandanti i saj, Aqif Përmeti, vazhdoi të qendrojë në Shqipëri. Gjatë viteve 1920 – 1924 ai shërbeu me patriotizëm si komandant i lartë në ushtrinë shqiptare, dhe në vitet e mëvonshme vuri në shërbim të vendit përvojën e tij ushtarake, për të organizuar xhandarmërinë shqiptare.[34]
Banda “Vatra” qendroi pjesën tjetër të kohës kryesisht në Korçë dhe Tiranë. Në Korçë ajo filloi të jepte koncerte të hapura dy herë në javë. Programet e saj përmbanin muzikë klasike si dhe aranzhime këngësh shqipe, për t’u kënduar nga masa e njerëzve. Me mijëra banorë të Korçës i ndiqnin këto koncerte dhe duartrokitjet e tyre ishin të stuhishme. Kontributi i Bandës për jetën kulturore të Korçës është i pashoq. Profesor Nasi, me shpirtin e vet plot dashuri për muzikën dhe shumë vullnet, nxiti dhe ndihmoi në formimin e koreve muzikore, trupave teatrale, shoqërive artistike. Me ide dhe nismë të tij, në dhjetor 1920, në Korçë u themelua Shoqëria e “Arteve të bukura”, një organizim i madh, me veprimtari në fushën e muzikës, teatrit dhe arteve figurative. Shoqëria kishte në bërthamë të saj anëtarët e bandës muzikore “Vatra” dhe grumbulloi rreth vetes amatorë në fusha të ndryshme. Veprimtaria e suksesshme dhe e larmishme e Shoqërisë së “Arteve të bukura” vazhdoi deri në vitin 1925, kur u detyrua të ndërpritet për shkak të mungesës së fondeve. Përveç se gjallëroi jetën kulturore dhe nxiti lindjen e talenteve, mbi modelin dhe përvojën e saj u krijua në Korçë, në vitin 1928 Kori “Lyra” (që funksionon ende edhe sot). Falë këmbënguljes dhe vizionit të Thoma Nasit, në Korçë u krijua edhe orkestra simfonike, e para dhe e vetmja në Shqipëri. Koncertin e saj të parë Orkestra e dha në 6 prill 1924.[35] E gjithë veprimtaria e Thoma Nasit, përvecse artistike, ishte mbi të gjitha patriotike, ai donte t’i paraqiste shqiptarët evropiane, si në art, kulturë, gjuhë e histori. Ai qëndroi dhe punoi në Korçë deri më 1925, më pas u transferua në Tiranë, ku themeloi Bandën Presidenciale Shqiptare. Në kryeqytet Th. Nasi qëndroi vetëm një vit për t’u larguar përfundimisht në Amerikë më 1926.
Shqipëria e viteve ’20 përballej me sfida të shumta; interesat konfliktuale të shteteve fqinjë, pa aleatë të drejtëpërdrejtë ndërkombëtarë, me një profil të dobët ekonomik, me çështjen kombëtare të zgjidhur përgjysmë, pa eksperiencë shtetformuese, me disa segmente të kufirit të pacaktuar përfundimisht, me një histori të gjatë të të qënit e pushtuar, me një shoqëri që vuante nga konfliktet për pushtet midis familjeve të mëdha bejlere[36]. Gjatë këtyre zhvillimeve historike të kombit shqiptar, “Vatra” dha kontributin e saj në politikë të drejtpërdrejtë, në diplomaci, në arsim dhe në zhvillimin kulturor, aq të nevojshëm për një shoqëri që synonte përparimin si komb. Pas Kongresit të Lushnjes, “Vatra” e përqendroi veprimtarinë e saj në njohjen ndërkombëtare të qeverisë së Sulejman Delvinës, forcimin e lidhjeve me institucionet shtetërore shqiptare dhe luajti një rol aktiv në ndërtimin dhe demokratizimin e shtetit të ri shqiptar.
Qeveria e S. Delvinës, duke njohur kontributet e komunitetit shqiptaro – amerikan, autorizoi “Vatrën” të zgjidhte një deputet në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që iu besua Nolit. Veçanërisht i çmuar është kontributi i Nolit në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve, më 17 dhjetor 1920. Sipas Arben Putos, Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, bëri punën e një diplomati të përkryer[37] me takimet paraprake me anëtarët e Sekretariatit të Lidhjes, me kontaktet me shtypin dhe fjalimin e tij elokuent në Asamblenë e Lidhjes. Vetë Noli e cilësonte anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si fitoren e tij më të madhe. Pas kësaj Noli u emërua përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Sipas teorisë së të drejtës ndërkombëtare, pranimi i një shteti në Lidhjen e Kombeve, është konsideruar si një formë e njohjes kolektive e shtetit të pranuar.[38] Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ripohonte statusin e Shqipërisë si shtet i pavarur.
Në fund të Luftës së Parë Botërore u kthyen në Shqipëri rreth 15.000 emigrantë[39] nga SHBA, një pjesë e të cilëve u përfshinë aktivisht në jetën politike, arsimore dhe kulturore. Kristo Floqi si vatran i hershëm ishte kthyer më herët në Shqipëri e kishte jetuar këto ngjarje nga brenda, e quan vitin 1920 si vitin shpëtimtar të Shqipërisë.[40] Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve ’20 është i çmuar.
Në Këshillin Kombëtar emëruar nga Kongresi i Lushnjes, 3 anëtarë ishin të ardhur nga “Vatra”, Kostaq Kota, Sotir Peci dhe Fazlli Frashëri. Në Këshillin Kombëtar, dalë nga zgjedhjet e vitit 1921 (zgjedhjet e para parlamentare në vend) nga 78 deputetë, 8 ishin vatranë, Kristo Floqi, Kristo Dako*, Sotir Peci, Fan Noli, Bahri Omari, Loni Kristo, Kristo Kirka, Koli Rrodhe (mori mandatin pas emërimit të S. Pecit në Këshillin e Lartë) Skena politike dominohej nga dy parti politike, Partia Përparimtare dhe Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli. Përfaqësuesit e Vatrës ishin angazhuar në të dyja partitë politike. Në Kuvendin Kushtetues (1924 – 1925) dalë nga zgjedhjet tetor – dhjetor 1923, nga 102 deputetë, 5 ishin vatranë, Bahri Omari, Kostaq Kota, Faik Konica, Fan Noli dhe Kolë Tromara. Ata u zgjodhën përfaqësues të popullit në institucionin ligjvënës, falë mbështetjes që gëzonin në popull. Përfaqësuan kryesisht popullsinë e prefekturës së Korçës, Dibrës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Pothuajse në çdo qeveri që ushtroi detyrën në vitet 1920 – 1925, kishte të paktën një ministër, që vinte nga “Vatra”. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar vinin nga rradhët e vatranëve, Mehmet Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Faik Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, Fan Noli ishte përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e pas tij Rasih Dino. Angazhimi i vatranëve ishte po kaq i rëndësishem në administratën lokale, duke mbajtur postet e prefektit, si Kostaq Kota, Kolë Tromara, Kristo Kirka dhe Koli Rodhe. Jo më pak i rëndësishëm ishte kontributi i Andon Frashërit, si Sekretar i Përgjithshëm i kabitetit qeveritar të Nolit, apo Nik Dishnicës si drejtor i Policisë në Korçe gjatë qeverisjes së P. Evangjelit. Në jetën politike ata ishin aktivë dhe forcuan pluralizmin politik duke krijuar parti apo organizata politike, që u bënë alternative politike e rëndësishme, apo opozitë e hekurt, të tilla si, Partia Demokratike-Nacionale, Partia Liberale, Bashkimi Kombëtar, KONARE etj. Kristo Dako së bashku më Sevasti e Parashqevi Qiriazin veç kontributit politik dhanë kontribut të çmuar në fushën e arsimit. Morën pjesë në kongreset arsimore në vitet 1920 – 1922, hartuan programe e tekste shkollore, ndërtuan Institutin e vajzave Kiriaz dhe ndihmuan në emancipimin e vajzave shqiptare. Koço Kota, gjithashtu, hartoi tekstin e matematikës për tre klasat e para fillore[41].
Federata “Vatra” me veprimtarinë e saj atdhetare e kulturore, në SHBA e në Shqipëri, u bë vatër e rëndësishme e kulturës kombëtare, ajo ndikoi e ndihmoi në formimin e shoqërisë civile në Shqipëri. U bënë përparime të rëndësishme në fushën e teatrit, letërsisë, muzikës, falë kontributit të vyer të Fan S. Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos, Kristo Floqit, Thoma Nasit, etj Federata “Vatra”, më 20 korrik të vitit 1921, do të ndizte zjarrin e dijes në qytetin e Korçës, dhe me një tjetër kontribut të çmuar, krijimin e “Bibliotekës Popullore”, e para e këtij lloji në Shqipëri. Biblioteka, drejtohej nga sekretari i qendrës së Vatrës, Miçe Frashëri dhe fondi i saj fillestar ishin botimet e Federatës “Vatra” dhe dhurimet prej saj.
Në emancipimin e shoqërisë ndihmoi veprimtaria e gjerë letrare e publicistike e vatranëve. Ata botuan e drejtuan në Shqipëri gjatë viteve ’20 gazeta / revista të tilla si “Bota e Re”, “Agimi” “Telegraf”, “Ora”, “Shekulli”, “Indipendenca shqiptare”, të cilat u bënë pasqyrë e jetës social – politike, kritikët më të mëdhenj të padrejtësive, mbrojtësit më të vendosur të demokracisë, promovuesit më të flaktë të artit dhe kulturës. Letërsia në të gjitha zhanret e saj u pasurua falë kontributit të Kristo Floqit, Fan Nolit, Faik Konicës, Kostë Cekrezit, të cilët kontribuan edhe në studime historike, gjeografike dhe antropologjike.
Vatranët dhanë kontribut të gjithanshëm dhe u shquan për atdhetari.Një pjesë e tyre u larguan nga Shqipëria në vitin 1925, ndërsa të tjerë vazhduan kontributin e tyre politik, e jo vetëm, në Shqipëri. Një pjesë e tyre, patën fatin tragjik të arrestoheshin, të vuanin në burgjet komuniste apo të ekzekutoheshin. I tillë ishte fati i Andon Frashërit, Kolë Tromaras, Kristo Kirkës, Koli Rodhes, Aqif Përmetit, Kostaq Kotës, Kristo Floqit, Bahri Omarit etj.
Përfundime
Me 17 nëntor 1921, Komisionieri i qeverisë shqiptare në Uashington, Kostë Çekrezi, dorëzoi kërkesën për njohje në Departamentin e Shtetit. Kërkesa u përsërit nga qeveria shqiptare në 7 qershor 1922. Ishte Noli që, në detyrën e Ministrit të Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, nënshkroi në janar 1922, notën zyrtare të qeverisë shqiptare, që kërkonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Qeveria e SHBA dërgoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj jo-zyrtar Maxwell Black, me një mision hetimi paraprak për situatën politike në Shqipëri pas mbërritjes së kërkesës së qeverisë shqiptare për njohje. Me 28 korrik 1922, ai i dorëzoi Xhafer Ypit, në cilësinë e Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, notën e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA. Deri në vendosjen e marrëdhënieve të rregullta diplomatike Black do të qëndronte në Shqipëri si Komisionier i SHBA në rangun e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të SHBA. Në fillim të dhjetorit 1922 mbërriti në Tiranë përfaqësuesi i parë diplomatik i qeverisë amerikane U.Grant-Smith, në cilësinë e Ministrit të parë Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të SHBA në Shqipëri. Deri në prill 1922 qeveria shqiptare u përfaqësua nga Komisionieri Çekrezi në Washington e më pas nga konsujt e saj në New York, Koço Tashko e Abdi Sula. Në korrik 1926 u emërua Ministri i parë Fuqiplotë dhe i Jashtëzakonshëm shqiptar në Uashington, Faik Konica, i cili hapi Legatën shqiptare në SHBA.
Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan është më i hershëm. Veprimtaria e ngjeshur e “Vatrës”, (e përshkruar më sipër), krijimi i Kishës Autoqefale shqiptare, mitingjet, leksionet e hapura, veprimtaria publicistike, klubet muzikore e teatrale e kishin bërë të njohur Shqipërinë, popullin shqiptar, kulturën shqiptare e çështjen shqiptare në opinionin amerikan. Imazhi i njerëzve të punës, njerëzve të shkolluar, njerëzve të mirë dhe të drejtë, që shqiptarët e Amerikës përcillnin në opinionin dhe institucionet amerikane ishte kontributi më i vyer që komuniteti shqiptar i Amerikës i ka bërë Shqipërisë. Takimet, memorandumet, lobimet e shumta kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane që në fillim të shekullit të XX-të. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i mbarë dhe i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA.
Referenca
[1] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),.266
[2] Po aty, 266
[3] Po aty, 271
[4] Nicholas C. Pano. Fan Noli, komuniteti shqiptaro – amerikan dhe Shqipëria, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014) 491
[5] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012), 269
[6] Faik Konica, Vepra 2, (Tiranë, Dudaj: 2001) 226-227
[7] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547
[8] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014),79-81
[9] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 545
[10] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014).15
[11] Cit. Nasho Jorgaqi, Roli i Fan Nolit në marrëdhëniet shqiptaro – amerikane, në “Fan S. Noli ne 130 vjetorin e lindjes (Promo print, Korçë: 2012) 14
[12] Cit. Dalip Greca, Histori shqiptaro-amerikane / Një patriot si Kol Rodhe që la Shqipërinë për Amerikën, [online] i disponueshëm në: https://inforculture.info/2021/06/22
[13] Po aty
[14] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 557
[15] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 53
[16] Cit. Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 555
[17] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 57
[18] Cit. A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati (Argeta LMG, Tirane: 2016) , f.264,
[19] Cit. Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 408
[20] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 60
[21] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),273
[22] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 60
[23] Po aty
[24] Cit. Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 240
[25] Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 214
[26] Po aty, 558 – 561
[27] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014) .20
[28] Po aty
[29] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 81
[30] Nuçi Koti, Kufijtë Jugorë të Shqipërisë, 30
[31] Cit. Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 99
* Vec saj Th. Nasi kompozoi dhe këngë të tjera patriotike, të shndërruara në himn, siç ishte “Marshi i Korçës” dhe “Marshi mbretëror”, një kompozim mbi tekstin e Kristo Floqit, kushtuar Ahmet Zogut, të cilin ky i fundit e bëri marsh mbretëror pas shpalljes së monarkisë
[32] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 85
[33] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014) 177
[34] Eugen Shehu, Aqif Përmeti…me vision atdhetar, [online] i disponueshëm në: https://www.radiandradi.com
[35] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 138
[36] Pranvera Dibra, Dilemat e diplomacisë angleze për pavarësinë e Shqipërisë, në rrethanat e krizës politike shqiptare 1921 – 1925, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014), 25
[37] Arben Puto, Historia diplomatike e cështjes shqiptare 1878 – 1926, (Titane, Dudaj: 2010) 292
[38] Po aty, 321
[39] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547
[40] Jonela Spaho, Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare (OMBRA GVG, Tiranë: 2020) 114
* Edhe pse në vitin 1916, për shkak të mosmarrëveshjeve, Dako u shkëput nga “Vatra” dhe krijoi Partinë Poitike në Boston. Kristo Dako ishte përkrah Nolit, Floqit, Pecit dhe Konicës, ndër anëtarët e parë të Federatës “Vatra”, ndaj e kemi renditur këtu, përkrah të tjerëve.
[41] Harallamb Kota, Koco Kota, për një Shqipëri oksidentale, (Morava, Tiranë:2017)260
EFTHIM NATSI, VATRANI DHE EDITORI PAK I NJOHUR I DIELLIT
- Me rastin e 110 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA”-
NGA DALIP GRECA
Efthim Nasi(Natsi) ishte një ndër shqiptarët e parë të Amerikës që vuri kursimet e tij, shpirtin dhe zemrën në themel të Lëvizjes Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ai kishte hyrë në Amerikë më 1905 dhe kishte zbritë në portin e Nju Jork-ut. Më pas ishte çvendosur në Boston, ku jetonin shumë prej bashkatdhetarëve të tij korçarë.
Fillimisht kontribuoi me të gjitha mjetet e mundshme për t’i ndihur gazetës” Kombi ” që themeloi Sotir Peci. Ishte pjesë e “Kombit” që më 6 Qershor 1906 në numrin e parë dhe nuk u nda nga ai deri në numrin e fundit të 10 Janarit 1909, edhe pse Sotir Peci ishte larguar që në Vjeshtën e dytë të vitit 1908, por gazeta vazhdoi të dilte nën përkujesjen e Efthim Nasit, George Konda Gjoleka e Fan S.Noli.
Vatra dhe Dielli ia kanë njohur meritat dhe kontributet që Nasi dha për “Kombin”, “Diellin” dhe “Vatrën”. Në festimet e 50 vjetorit të gazetës Dielli, në buletin special të 2 shtatorit 1959, gazeta Dielli shkruante:” Në lidhje me Sotir Pecin, duhet të përmendim me mirënjohje dhe adhurim Zotin Efthim Natsi, i cili që në fillim dhe gjer në mbyllje të KOMBIT ish dora e djathtë e Sotir Pecit…Në fakt, mund të shënohet pa frikë, kundërshtimi që Sotir Peci s’mund ta kishte filluar gazetë”Kombi” pa Efthim Natsin dhe Efthim Natsi s’mund të kish nisur gazetën pa Sotir Pecin.”
Kur iu bashkëngjit Noli Kombit, e gjeti aty Efthim Natsin duke shtypur gazetën,duke punuar paralelisht në dy makina.
Shkëpus këtë fragment nga “Historia e Diellit”, projekt në vijim imi: “Fan S. Noli e la fabrikën në Bufalo ku punonte dhe me 20 korrik 1906 shkoi në Boston pranë Pecit që të merrte detyrën e redaktorit. Puna ishte e vështirë. Redaksia dhe shypshkronja ku shtypej “Kombi” ndodhej në adresën Hadson 100. Një tip hauri ku mbizotëronte lagështia. Kushte tepër të vështira. Gazeta përgatitej dhe shtypej nga Efthim Natsi.Të rinjët vinin dhe e merrnin gazetën për ta shpërndarë tek bashkatdhetarët. Për ta kuptuar gjendjen e vështirë ku shtypej gazeta, mjafton të sjellim në mendje atë çfarë shkruante Kostandin Demo në libërthin e tij ”Shqiptarë n’Amerikë”: “Përfytëroni po të mundni, Nolin në të djathtë duke ushqye me letër shtypshkronjën, Thimaqin (Efthim) në mes duke pompu maqinën me këmbë, dhe mandej fill duke u vërsulë që të kontrollonte shtypjen, ndërsa Peci në të majtë, nxirrte nga maqina fletët e shtypura të gazetës…”
Emrin e Efthim Natsit e ndeshim përherë e më shpesh gjatë shfletimeve të Kombi-t dhe të Diellit si dhe në veprimtaritë e Besa-Besën dhe Vatrës.Ai ishte pjesë e Shoqatës kombëtare Besa-Besë që në themelimin e saj me 6 Janar 1907, edhe pse nuk ishte pjesë e kryesisë.
Fjalë mirësie për kontributin e Efthim Natsit në gazetën Dielli gjejmë edhe në shkrimin redaksional të drejtorit të Diellit, Faik Konicës, në numrin e përvjetorit të parë, botuar në gazetën e 11 shkurtit 1910.
Gazeta “Kombi”përgatitej dhe shtypej nga Efthim Natsi dhe George Konda Gjoleka.Të rinjët shkonin në shtypshkronjë dhe e merrnin gazetën për ta shpërndarë tek bashkatdhetarët. Për ta kuptuar gjendjen e vështirë ku shtypej gazeta, mjafton të sjellim në mendje atë çfarë shkruante Kostandin Demo në libërthin e tij ”Shqiptarë n’Amerikë”.
Citoj:“Përfytëroni po të mundni,Nolin në të djathtë duke ushqye me letër shtypshkronjën, Thimaqin në mes duke pompu maqinën me këmbë, dhe mandej fill duke u vërsulë që të kontrollonte shtypjen, ndërsa Peci në të majtë, nxirrte nga maqina fletët e shtypura të gazetës…”
Emrin e Efthim Natsit e ndeshim përherë e më shpesh gjatë shfletimeve të Kombi-t dhe të Diellit si dhe në si veprimtaritë e Besa-Besë e VATRA,që kishin në administrim”Diellin”.
Konica shkruante plot ngrohtësi për kryetarin e Besa-Besë, Kristo Kirka, për pleqësinë e nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, …menaxherin George Konda… Drejtori i Diellit, Faik Konica, nuk harron që të përhirojë Efthim Natsin me vëllezër:”…Dhe s’mund të heshtim emrin e zotit Efthim Natsi, i cili nga atdhesia ka marrë gjurmët e dy vëllezërve të njohur të Tij, dhe z. Ilo Zografi”, shkruan Konica në numrin e 11 shkurtit 1910.
Efthimi ishte pjesë e gazetës”Dielli” dhe kontributor i saj edhe kur gazeta e Besa-Besë dilte me dy emra”Dielli dhe Flamuri, (25 Shkurt 1910 deri me 28 Shtator 1911).
Efthim Natsi ishte pjesa e padukshme e Diellit, veçanërisht në dekadën e parë. Ai nuk e shënoi emrin si editor i Diellit, edhe pse shpesh herë e kreu këtë mision.Kështu ndodhi në Dhjetorin e vitit 1912, kur Faik Konica shkoi në Evropë, në gazetë mbeti emri i Faik Konicës, edhe pse gazeta defakto drejtohej nga Efthim Natsi, si editor. Kjo e dhënë dokumentohet në gazetën”Dielli” të 19 dhjetorit 1912, ku botohet lajmi”Faik Konica Largohet nga Amerika.”
Lajmi informon për largimin dhe mesazhin e Konicës:”Atdhetarë, Shqiptarë të Amerikës; me qenë që më përcjellin me urimet e tyre të ngrohta, u lë shëndet. U pjekshim të gëzuar, dhe për së afërmi në Shqipëri!. Si zyrtarëve të Vatrës, si anëtarëve dhe këndonjësve të dashur, u jap pjekje për së afërmi në Shqipëri”. F.K.
Nën këtë përshëndetje të kryetarit të Vatrës dhe kryeredaktorit të Diellit, bëhej ky shënim i redaksisë: ”Ndonëse Faik Konica shkojë n’Evropë, emri i tij qëndroi për një kohë të gjatë si redaktor i DIELLIT. Punën si redaktor e bënte z.Efthim Natsi.”(Citimi nga gazeta “Dielli, 19 dhjetor 1912.)
Efthim Natsi, jo vetëm që bënte punën e editorit, por edhe kontribuonte financiarisht, si shumë shqiptarë të tjerë të Amerikës. Ai iu bashkua thirrjes që u drejtoi lexuesëve të Diellit dhe vatranëve, menaxheri i gazetës,Vangjel Gjika, më 30 shtator 1913. Njoftimi u publikua në Diellin e 14 tetorit:” …Me datë 30 shtator menaxheri Vangjel Gjika, lëshoi thirrjen për të blerë shtypshkronjë për Diellin. Gjika kërkonte 100 shokë të jepnin nga 15 dollarë ose më tepër (sipas mundësive) për të blerë makineritë e shtypskronjës. Për këtë qëllim ai shkoi nëpër kolonitë, ku jetonin shqiptarët, dhe dha konferenca duke argumentuar se përse duhej kjo shtypshkronjë, si do t’i ndihte ajo jo vetëm gazetës”Dielli”, por edhe çështjes kombëtare duke botuar libra për Shqipërinë.
Efthim Natsi ishte nga të parët që iu bashhkua këtij grupimi, madje ai ishte pjesë e komisiont që u caktua për të blerë makineritë e shtypshkronëjs së re.
Gazeta Dielli njoftonte në numrin e 12 dhjetorit 1913 se”Më 23 nëntor, 1913, Komisioni i Vatrës (i brazvlershëm me Kryesinë e sotshme) mbajti mbledhje dhe vendosi të blerë makineritë për shtypshkronjën. Komisioni i zgjedhur për këtë qëllim përbëhet nga Efthim Natsi, Paskal Aleksi, Nick Dishnica dhe Harry Kaçka.”
Si rezultat i blerjes së makinerive për shtypshkronjën e Diellit, gazeta në numrin e 6 janarit 1914, u zmadhua; nga katër kolona, që dilte më parë, doli me pesë. Dielli në këtë kohë kishte për editor Paskal Aleks, i cili me 17 shkurt 1914, u nis për në Shqipëri dhe shkroi reportazhe nga Durrësi. Në vend të tij, Diellin e drejtoi Denis Kamburi(Dennis Kambury). Atë kohe Diell i dërgoi në Shqipëri 400 copë gazeta.
Efthim Natsit iu ngarkua sërish barra e editorit të Diellit në kuvendin e 4 Korriku 1914. Arsyeja ishte se u hoq nga pozicioni i editorit Denis Kamburi.Natsi e pranoi detyrën. Ai e drejtoi gazetën Dielli deri në nëntor 1914. Komisioni Drejtues i vatrës kishte vendosur në mbledhjen e 11 tetorit të thërriste për pozicionin e editorit Kostë Çekrezin, i cili aso kohe ndodhej në Brindizi, Itali, në kampin e refugjatëve. Çekrezi nisi ta drejtojë Diellin, që nga numri i 10 nëntorit 1914. Gazeta botohej 2 herë në javë, që nga 11 marsi i vitit 1913. Pas tri javësh, Kostë Çekerezi realizoi botimin 3 herë në javë të Diellit. Me 7 nëntor 1915 Dielli nën drejtimin e Çekrezit u bë e përditshme, duke shënuar rekordin e së parës gazetë shqiptare të përditshme.
Dielli do të vazhdonte të botohej nën drejtimin e Kostë Çekrezit deri në numrin e 20 Dhjetorit 1915. Pas atij numri Dielli u editua vullnetarisht, pa pagesë nga Fan S Noli, deri në numrin e 6 korrikut 1916. Në Janar 1916, Vatra emëroi ndihmës editor Andon Frashërin, një ndër vatranët që kishte përfunduar shkollën e mesme në Natick, Massachusetts. Frashëri qëndroi ndihmës editor për disa vite. Ai punoi në këtë pozicion edhe pas Kuvendit të 4 Korriku, kur Bahri Omari, fitoi pozicionin e editorit përballë kandidaturës të Kostë Çekrezit. Andon Frashëri u emërua editor në Kuvendin e 11 Korrikut 1920. Ai e mbajti këtë pozicion deri në tetor 1923, ku Faik Konica e pushoi.
Me këto radhë, në kuadër të 110 vjetorit të themelimit të Vatrës, solla në kujtesë një nga vatranët dhe editorin e paekspozuar të Diellit, Efthim Natsi(Nasi), edhe për faktin se për të shkruhet për herë të parë.
Me këtë rast kujtoj të ndjerin kryetar të Vatrës, Inxhinier Agim Karagjozin, i cili në mometin që mora drejtimin e Diellit, më porositi: Mos shkruaj vetëm për Nolin dhe Konicën se për ta shkruajnë shumë studiues, por shkruaj dhe për vatranët e thjeshtë, për të cilët është thënë fare pak.Vatrën dhe Diellin e kanë mbajtur vatranët, jo vetëm kryetarët.”
28 PRILL 1912-2022; 110 VJETORI I THEMELIMIT TË VATRËS / ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL
…NJOLLA E KRIMINELIT MBI BALLIN E ATDHETARIT
ARSHI PIPA: Vdiq Flamurtari i moçëm!/ Si rrojti: vdiq me nder/ I pastër, i devoçëm,/E pa u përkulë nji herë./… Ndër qela- u sos t’Burrelit,/Me dhunën e tradhëtarit,/Me njoll’n e kriminelit/ Mbi ballin e atdhetarit/…
NGA DALIP GRECA*
ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL
Me 28 prill 1955 pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të orëve të para të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish kryetar i Shoqatës atdhetare”Besa Besën”,kryetar i shoqatës “Arsimi”, bashkthemelues i Vatrës, nënkryetar i saj, shoqërues i dorëzimit të Imzot Nolit Prift, deputet në Parlamentin shqiptar, nën/prefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i Bashkisë së Korçës, një ndër themeltarët e Vatrës, menaxheri i parë i Diellit si gazetë e Vatrës, dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka.
Shpirti i atdhetarit u shua në ditën e themelimit të Vatrës, me 28 prill, si për të dëshmuar se jeta e tij prej martiri ishte pazgjidhshmërisht e lidhur me Vatrën kombtare, së cilës ai dhe patriotët e tjerë i dhanë përjetësinë.
Jeta e atdhetarit u shua në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste. Atdhetarit të orëve të para edhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Nuk ka varr. Vatrani që kishte vënë jetën në themelet e atdhetarizmit ndëshkohej në mënyrën më çnjerëzore. Cili komb tjetër i ka ndëshkuar atdhetarët në mënyrë kaq kriminale?
Kristo Kirka pat ardhë në Amerikë që më 1905. Ai qe një ndër atdhetarët që iu përkushtua kombit dhe ishte me fat që pat miqësi e aktivitet të përbashkët me Sotir Pecin, Fan S. Nolin, Faik Konicën, Kristo Floqin,Koço Kotën, Elio Tromarën e të tjerë patriotë, që përbëjnë elitën e diasporës në SHBA. Që më 1906 iu përgjigj thirrjes së Sotir Pecit për të ndihmuar gazetën”Kombi” ,e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës, dhe jo vetëm dhuroi, por edhe mblodhi ndihma për të.Kur Noli iu bashklua Pecit si redaktor i Kombi-t, Kristo Kirka, e shoqëroi në Natick dhe u bëri thirrje të ndihnin Kombin, që të vazhdonte botimin. I pari dhuroi kursimet e veta Kirka dhe pas tij Kol Tromara, Andrea Pani, Ilo Tromara, Sotir Noka, Ilo Zdruli dhe shumë të tjerë. Noli i falenderoi me fjalë zemre.Kur Noli do të themelonte shoqatën Besa-Besë, Kirka ishte pjesë e shoqatës.
Kur Noli do të dorëzohej prift, Kristo Kirka ishte në komisionin dëshmus të ortodoksëve shqiptarë pranë Kishës Ruse në Nju Jork, së bashku me Sotir Pecin, Vangjel Miller, Spiridon e Gaqo Dushi , Kol Rodhe e të tjerë patriotë korcarë, që i dhanë shpirt lëvizjes kombtare në SHBA.
Më 1908 Kristo Kirka është zgjedhur kryetar i Shoqërisë Besa-Besën, detyrë që duket se e ka mbajtë dhe më 1910, ç’ka e dëshmon një letër e Faik Konitzës, e 11 shkurtit të atij viti,kur kryente detyrën e editorit të Diellit dhe i drejtohej me mesazhin falenderues:”Shoqërisë Besa-Besën, kryetarit të palodhur të saj Kristo Kirka,pleqësisë së nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj…”.
Kristo Kirka kontribuonte paralelisht në disa shoqata, që vepronin atë kohë në SHBA. Me 1911 ai kryente detyrën e arkëtarit të Shoqërisë teatrale”Lahuta” që e kishte qendrën në Cochituate në Massachusetts. Ishte dhe kontributi i tij që kjo shoqatë kulturore vuri me sukses në skenë dramën”Vdekja e Pirros”(1910), shkruar nga Mihal Grameno dhe komedinë “Një gjyq në Rekë” të Kristo Floqit më 1911.
Ndërkohë, kontributi i tij në shoqatat “Besa-Besë” dhe “Arsimi” ishte parësor. Ai ishte në krahun përparimtar në debatet që paten shpërthyer në Shoqatën Besa-Besë në vitet 190-1911, ku debatohej se ç’krah duhej të merrte shoqata, atë të Austro-Hungarisë apo të Turqisë që po gremisej.Dielli shkruantë në numrin e 9 nëntorit 1911se Kristo Kirka kishte triumfuar me kritikat e rrepta kundër përçarsve.
Qëndrimin e tij pro Austro-Hungarisë, Kirka e shfaq edhe në një takim në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai denoncoi krimet serbe në Kosovë dhe shprehu përkrahje për Austrinë, e cila duke çliruar tokat shqiptare të Kosovës martire, do të fitojë përgjithnjë dashurinë dhe mirënjohjen e kombit shqiptar.
Për Kirkën, dy fqinjët tanë, grekët në Jugë dhe serbët në Veri, ishin armiqtë tanë, që rrezikojnë ekzistencën e Kombit të lashtë shqiptar. Në një miting të madh, organizuar me 2 shkurt 1913, ku shqiptarët protestuan kundër masakrave dhe barbarive greke në jug të Shqipërisë. Demonstrata u organizua nga Shoqëria”Arsimi” e Korçës, ku Kirka ishte në bordin drejtues, dhe kishte qenë kryetar i saj. Edhe Vatra ishte pjesë e organizimit të kësaj demonstrate.Në krye të mitingut ishte Kristo Kirka. Dielli, në kronikën e vet përshkruse, ka përcjellë pjesë nga fjalimi i kryetarit Kirka,i cili ngriti lart vlerat e qytetit të tij të lindjes, Korçës, si djep i Shqiptarisë, ku u ngrit e para shkollë shqipe, ku u botuan të parat gazeta shqip, të parat shtypshkronja. Ai tha se do të ishte një çnderim i madh nëse Korça mbetej jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Kirka firmosi telegramin e mitingut të madh të Bostonit, drejtuar ministrit të Jashtëm britanik, Sir Edward Grey. Në të shkruhej” Mijëra shqiptarë të krishterë protestojnë kundër masakrave që po bën ushtëria greke nër burrat dhe gratë në Korçë dhe fshatarve rrotull, si dhe kundër pothua 80 fshatrave cilët i përmbysnë rrotull Devollit. Një telegram i tillë iu dërgua dhe qeverisë së përkohshme shqiptare. Në arkivin e familjes Kirka, ruhet dhe telegrami, që atë Kohë Kristo Kirka mori nga delegatët shqiptarë, që ndodheshin atë kohë në Londër.
Gazeta Dielli e 27 Shkurtit 1913 e ka përcjellë tekstin e atij telegrami:” I nderçmi atdhetar; Ju përhirojmë për atdhesinë që çfaqni.Korçarët, kurdoherë atdhetarë, u çfaqnë në këto çaste kritke të zotët të luftojnë për të drejtat e tyre.Me sa na mundet, u përpoqmë dhe përpiqemi që Korça, një nga më të bukurat xhevaire të kurorës shqiptare, t’i mbetet Shqipërisë dhe mundim t’ju sigurojmë që do t’i shpëtojë nga thonjtë armiqëve…”
Vatra, me patriotë të tillë si Kristo Kirka, shpëtoi Korçën dhe Gjirokastrën nga thonjtë e grekëve. Eshtë e njohur deklarata e Venizellosit se ishte Vatra ajo që ia hoqi nga duart Vorio Epirin.
Sipas Diellit të 2 majit 1913, në një tjetër miting të madh, shqiptarët e Amerikës protestuan fuqishëm kundër vendimeve të Konferencës së Londrës.Menaxheri i gazetës”Dielli” Kristo Kirka, denoncoi grabitjen e tokave shqiptare me vendime të ndërkombëtareve. Kirka ngre lart luftën e trimave shqiptar të Kosovës me gjeneralin popullor Isa Boletini dhe e mbylli fjalimin me vargjet e poezisë”Oso Kuka”.
Kristo Kirka ishte delegat në të gjitha takimet themeluse të Federatës “Vatra” dhe në mbledhjen themeluse ai u zgjodh menaxher i Diellit. E kreu edhe detyrën e kryetarit të degës së Vatrës nr 1 për Bostonin, që në themelimin e degës, ndërkohë u zgjodh nënkryetar dhe kreu edhe detyrën e kryetarit.
Atdhetari i përkushtuar gjatë të gjithë kohës ishte në krye të veprimtarive antigreke që organizonin shqiptarët e Amerikës. Madje në mitingun madhështor të 2 shkurtit 1913, në “Phoenix Hall” në Boston, organizuar nga Shoqëria Korçare “Arsimi” me përkrahjen e “Vatrës” ai ishte drejtus i mitingut kundër barabarizmave greke në jug të Shqipërisë.
Kristo Kirka sipas gazetës Dielli , 2 maj 1913, ishte në krye të një mitingu të organizuar në Boston në mbrojtje të kufijëve të Shqipërisë, si reagim kundër vendimeve coptuse të Konferencës së Londrës.
Më 1914, atdhetari i palodhur, ndodhet në Rumani dhe me delegacionin e shqiptarëve të Rumanisë shkon në Durrës dhe urojnë dhe mbështesin Princ Vidin. Po atë vit Kristo Kirkën e gjejmë në Korçë, i emëruar përgjegjës për punët publike. Gjatë përpjekjeve të grekëve për të aneksuar Korçën, Kristo Kirka ishte në krah të Themistokli Gërmenjit, me detyrë përgjegjës për mbrojtjen e postblloqeve të qytetit nga sulmet e andartëve grekë.Pas hyrjes së grekëve në Korçë, Kristo Kirka me atdhetarë të tjerë detyrohen të lënë vendin. Rikthehet sërish në radhët e Vatrës duke u bërë si më parë një përkrahës i zjarrtë i Nolit.
Në janar 1921,Këshilli i Vatrës e ngarkon Kristo Kirkën përfaqësues të posaçëm të Vatrës në Shqipëri.Duke qenë një figurë që gëzonte besim në popull ai u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Shqiptar për katër vite.Më 1924 Qeveria e Nolit e dërgoi konsull në Boston.
Në vitin 1933 rikthehet në Shqipëri, edhe pse ishte kundërshtar i monarkisë, për atdhetarizëm emërohet nënprefekt në Himarë dhe më pas në Bilisht.Ishte i fundit kryetar bashkie i Korçës para instalimit të diktaturës komuniste, para ardhjes në pushtet të komunistëve.Refuzoi ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit. Sapo komunistët hynë në Korçë, arrestohet nga njësiti guerril; e lirojnë pas një jave. Pas dy muajsh e propozojnë për kryetar fronti për shkak të popullaritetit që kishte; por sërish refuzon, duke paraqitë si shkak moshën e mahde. Me 12 maj 1946 arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Arrestohet vatrani që kishte lënë Amerikën për të bërë Shqipërinë! Atdhetarizmi shpërblehet me burg! Pas 9 vitesh vuajtjesh në burgun e tmerrshëm të Burrelit, dha shpirt, por trupi i tij nuk iu kthye familjarëve.Martiri mbeti pa varr!
Poeti antikomunist, Arshi Pipa,bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do të shkruante aso kohe elegjinë përjetësuse”Elegji për atdhetarin Kristo Kirka”. Në vargje shpërthen dhimbja për atdhetarin dhe mllefi për diktaturën, që i mohoi dhe varrin:
Vdiq Flamurtari i moçëm!
Si rrojti: vdiq me nder.
I pastër, i devoçëm,
E pa u përkulë nji herë.
Ndër qela- u sos t’Burrelit,
Me dhunën e tradhëtarit,
Me njoll’n e kriminelit
Mbi ballin e atdhetarit
A u pezmatu, a u-lodh
Se ashtu u-shpërblye i pafati?
Se fëmija pranë s’ju ndodh
Se vorr, as vorr, nuk pati?
Nuk fali, nuk mallkoi.
Por kur fjala ju-pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për Flamur!…për Atdhe…!
(Arshi Pipa- Libri i Burgut)
VATRA, SHTETI I MUNGUAR SHQIPTAR
Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dha gjithëçka për të shpëtuar Shqipërinë, madje sakrifikoi jetët e drejtuesëve të saj..Siç ka shkruar Faik Konica, një ndër shtyllat e Federatës, sekretari i Komisionit të bashkimit të shoqërive që vepronin në SHBA më 1912,- “Vatra” mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur shqiptar.”
“Vatra” e shqiptarëve të Amerikës ka bërë punë të mëdha për Shqipërinë: Emëroi dhe financoi delegatët e Shqipërisë në Evropë dhe Uashington, që i shërbyen çështjes kombëtare në çastet më të vështira gjatë Luftës së Parë Botërore e më pas.
Ishin harxhet e Vatrës ato që financuan jo vetëm diplomatët shqiptarë, por edhe miq të Shqipërisë si dhe agjensi të huaja të specializuara që punuan në ato vite për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare. Protestat e shumta, telegramet dhe deklaratat e organizuara nga Vatra në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë kancelarive, konferencave, forumeve ndërkombëtare, qenë jetike për kombin.
Ishte Vatra ajo që me 3 qershor 1917 nisi fushatën e lobimit për mbrojtjen e pavarsisv së Shqipërisë nën moton”Për shpëtimin e Shqipërisë”, ku u mblodhën 150 mijë dollar. Pa kaluar tre vjet nisi fushata tjetër në ndihmë të qeverisë shqiptare “Huaja Kombëtare”, ku mblodhën më shumë se 198.000.00 dollarë amerikanë, që për kohën ishin shuma të mëdha, ndërkohë që punëtorët a pakualifikuar s’arrinin të merrnin më shumë se 5-7 dollarë në javë.
Një kontribut i çmuar i Vatrës ishte ai për zgjimin e kombit dhe ndriçimin e vetëdijes kombëtare.“Dielli” dhe Federatës “Vatra”, zgjuan nga plogështia shekullore jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Shqipërisë.Ndihma që dha” Vatra” për arsimimin e shqiptarëve dhe kulturën kombëtare, janë të pamohushme. Më shumë se 200 mijë tekste shkollore për shkollat shqiptare i sponsorizoi “Vatra”,ndërkohë që nxiti botimin dhe përkthimin e dhjetëra veprave letrare, përkrahu materialisht dërgimin e studentëve shqiptarë në shkollat amerikane etj. Nga diaspora e Amerikës Shqipëria fitoi edhe Kishën Autoqefale Orthodokse, që u bë një nga shtyllat e forcimit të shtetit.
Pas Luftës së Parë Botërore, si dhe në prag të Luftës së Dytë Botërore, shumë prej vatranëve patriotë iu përgjigjën zërit të Atdheut, lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë. Disa prej tyre u ndëshkuan nga diktatura komuniste që u instalua në Shqipëri, pa qenë fajtorë e pa u gjykuar si të atillë. Atdhetarët e orëve të para ranë në kurthin e diktaturës,e cila shumëzoi me zero kontributin atdhetar dhe sakrificat e mëdha që ata kishin bërë për Shqipërinë.
Është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda. Ajo “Vatër” që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, ajo VATER, që mbrojti Shqipërinë përmes Amerikës në Konferencën e Paqes, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar vatranëve patriotë, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar idologjinë vëllavrasëse komuniste. Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Kryetari i Vatrës Kol Tromari, komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës Aqif Përmeti, Editori i Diellit Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij, siç kishte ndodhë edhe me Kristo Kirkën.
PARADOKSI- VATRANËT U SHPËRBLYEN ME PLUMBA
Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetari i Vatrës më 1917 dhe 1918, që i kishte dhënë Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë, deri edhe jeten? Po Bahri Omari, editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, komandant i Trupava Vullnetare të Vatrës që la Amerikën për të mbrojtë Shqipërinë nga barbaritë e grekëve? Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit:”Jepni për Nënën”? Shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të Beratit.U mbeti ndër duar hetuesve komunist gjatë torturave çnjerzore në qelitë e vdekjes! Edhe vatranë të tjerë: Ish kryetari i Vatrës dhe editor i Diellit Aqile Tasi,Koço Kota, Kristo Floqi, Kol Rodhe, Kol Kuqali, Andon Frashëri, do të plaseshin në burgjet e diktaturës.
Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare.
PA KOMENT-LETRA E KRISTO KIRKËS PËR MID’HAT FRASHËRIN
Boston Mass, 27 prill, 1920
Z. Mid’hat Frashëri,
Delegat i Vatrës.
40 Rue de l’Artois
Paris, Francë
Muarëm letrën tuaj me datë 21 Mars
Për dr. Adhamidin, përsa na shkruani, u habitmë, se nuk dimë gjësendi dhe nuk kemi dëgjuar gjë. Do ish mirë po të kini më tepër dritë, të na bëni të njohur.
Sa për politikën që mban Dielli dhe të cilën e gjeni Italo-file vimë t’ju themi se Dielli nuk ka mbajtur politikë të tillë, por munt disa nga artikujt e tij t’ju duken si të tillë. Redaksia e Diellit si dhe neve, ju lutemi tepër që hera-herën të na shkruani nga një raport, i cili të botohet në gazetë dhe të shfaqni politikën tonë. Kësisoj Dielli të shkelë mbi ato gjurmë, se pa mos patur një dritë të tillë, gazeta nga ndonjë herë munt të gabohet pa dashur. Me raporte më të dendur dhe më të gjatë, Vatra dhe Dielli, ndritohen mjaft dhe dinë të punojnë më mirë.
Nga një kabllo që muarmë me datë 20 prill nga dr. Mihal Turtulli, delegati i Vatrës, muarëm dhe demicjen e tij(dorëheqjen), si delegate i Vatrës. Kjo na hidhëroi tepër se nuk dimë shkaket që doktori jep dorëheqjen.Duket që e gjen të tepërt që Vatra të ketë delegatë sot kur qeveria ka të sajët.
Nuk dimë edhe se si gjykoni juve mbi këtë çështje, duhet delegatët e Vatrës të qëndrojnë edhe në Paris apo duhet të veprojnë në Shqipëri, ku ka fushë veprimi më të gjërë dhe është nevoja për ta?
Më 17 të këtij muaji, ju dërguam një kabllo, siç ju dërguam dhe delegatëve të tjerë të Vatrës, ku ju thoshim se duhet në këto raste të jeni të bashkuar dhe në harmoni me delegacjen zyrtare të Qeverisë sonë. E gjetmë të arsyeshme se një mosbashkëpunim dhe një përçarje na duket në këto kohëra është tepër i rrezikshëm.
Në raportin financial të zotit Mehmet Konica me datë 22 nëntor, 1919 vemë re si ai ju ka dërguar për broshurën ”Shqiptarët dhe sllavët” franga 2910.20(dy mijë e nëntëqind e dhjetë). Gjithashtu u ka dërguar për rrogë franga 3.095.20(tri mijë e nëntëdhjetë e pesë e 20) për rrogën dhe harxhe. Vatra u ka dërguar së këtejmi në Midi-Clarence, Svicre, më 13 dhjetor 1919 franga 10.000(Dhjetemijë). Me që Kuvendi i Vatrës i përmotshëm po afrohet, dëshirojmë që të kemi një raport financial për këto të holla dhe për rrogën tuaj , që kështu dhe hesapet e mvarura t’i mbyllim dhe t’ia paraqitim Kuvendit. Shpresojmë të na dërgoni këtë raport përpara 15 Qershorit që vjen.
Ju përshëndosh atdhetarisht dhe mbetem juaji me besë
Kristo Kirka
Zëvendës/Kryetar i Vatrës
Arkivi Qendror I Shtetit
Fondi 35, dosja 38,fletet 142-143
Diçiturat e fotografive:
1-Kristo. Kirka 17 Janar 1883- 28 Prill 1955
2- Fan S. Noli, Sotir Peci, Kristo Kirka, Boston 1908
3-Imzot Noli, shoqeruar nga Kristo Kirka, Korçe, 11 dhjetor 1921
5-Kristo Kirka dhe ambasadori amerika Grant Hugh, qershor 1938 ne Hoçisht, Korçe.
4- Kristo Kirka, Konsull ne Nju Jork, 1925..
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- …
- 11
- Next Page »