
Nga Marjana BULKU/
Për shkollën shqipe “Children of the eagle” e shtuna është një ditë e zakonshme mësimi i gjuhës shqipe në një program tri orësh për të cilin kujdeset Drita Gjongecaj e cila është nën drejtore e shkollës publike Theodore Schoenfeld School , bashkë me stafin e saj mësimdhënës , ndërsa për mua mëngjesi filloi ndryshe , tjetër rrugë, drejtim, zonë , nga ajo me çka zakonisht vrapon java ime. Natyrisht që është një ditë që mbart emocione, meditime, vlerësime dhe efekte të bukura sepse lidhet me ish-profesionin e ushtruar me aq shumë pasion dikur, lidhet me simbolin tonë përbashkues dhe identifikues siç është gjuha shqipe si dhe me atë mision që nuk është aspak i lehtë kur je larg Shqipërisë; ruajtjen , trashëgimin dhe edukimin e brezave të ardhshëm shqitaro-amerikan përmes gjuhës shqipes me kulturën tonë, historinë tonë dhe vlerat që kanë ruajtur ekzistencën kombëtare në çdo kohë. Teksa nxitojmë me Dritën për të gjetur një kënd nga ku mundemi tia nisim komunikimin mbi detajet rreth organizimit të këtij cikli edukimi i cili ka 4 -vjet që ka filluar si pjesë e Programit Dual albanian American language and culture, nuk ke se si të mos ndalosh pranë klasês ku këndohet “ Dhuratë për ditëlindje” , një këngë historike e festivalit kombëtar të fëmijëve në Shqipëri e cila interpretohet nga amerikano-shqiptarët që edhe pse gjuhën shqipen nuk e kanë të natyrshme ,përpjekjet për ta mësuar atë nuk ju mungojnë. Pak më tej nxënësit lexojnë “himnin e flamurit” pastaj e këndojnë… dhe vetëm ca hapa më tutje klasa e të vegjëlve shfleton faqe me shkronja , lidh fjalë . Këtu hyj me vrull brenda, përpara kêtyre vogëlushëve që paralel me gjuhën angleze zgjedhin edhe shqipen , nuk ke se si të mos ndalosh, përkëdhelësh, përgëzosh për atë dashuri të çiltër që u lexohet në çdo shqisë.Ata të surprizojnë me vjersha të cituara rrjedhshëm, për gjuhën shqipe , në gjuhën shqipe dhe nuk ke se si të mos ndjesh mirnjohje për prindërit që ua kanë injektuar këtë dashuri , mësuesen që i organizon kaq bukur dhe Dritën që e kam në krah e cila rrallë flet e lëvdohet por kur puna flet…janë të tepêrta edhe vetë fjalët.
A keni ndërtuar një kalendar me festat shqiptare ?
-i pyes fëmijët ..
Shtatori …tetori… nëntori të cilit ju i këndoni himnin .
29 shtatori është dita e trashëgimnisë kulturore në Shqipëri, e kush më fort se shqiptaro amerikanët i don , ruan dhe vesh kostumet tona kombëtare plot art e mjeshtëri.
Pastaj ndalojmë tek 19 tetori , dita e Lumturimit të Nënë Terezës, nxitur nga Papa Gjon Pali i II që i parapriu shenjtërimit të saj.
Ju jap të lexojnë një sentencë të saj : “It is not how much we do -it is how much love we put into the doing”
Dhe ata përpiqen ta përkthejnë në shqip.
Dhe ta ndjejnë në çdo gjuhë e në gjithçka do të bëjnë në jetë.
Ulemi në një kënd, pasi mësimi ka mbaruar dhe nxënësit janë shpërndarë. Nuk është e lehtë të kujdesesh për një grup fëmijësh që êshtë relativisht i madh . Përveç programit duket se ekziston edhe një vullnet i bukur për të nxitur tek fëmijët dashuri për gjuhën , kulturën, historinë , emra të shquar shqiptar që edhe bota i njeh.
Ne kemi folun me Dritën rreth këtij projekti qysh në embrionin e tij dhe sot biseda është më e thjeshtë sepse bazat e punës janë hedhur dhe shkolla tashmë ka një histori e cila rritet dhe zgjerohet bashkë me përpjekjet për një shqipe jetëgjatë..Mësueset performojnë lirshëm duke ndërthurur metodat amerikane me ato shqiptare ku gjuha bën diferencën. Nxënësit mësojnë përmes metodash por edhe niveleve të ndryshme të njëri tjetrit , askush nuk humbet sepse eshe ai që shqipen e ka gjuhë të dytë mëson nga pak nga progresi i tjetrit.
Ky proçes – shprehet Drita Gjongecaj -“ kalon nga klasa tek nxënësi permes materialesh didaktike, filmike, vizitave në institucione ku promovohet historia dhe kultura shqiptare( Vatra, Konsullata e Kosovës, Televizionet shqiptare ACTV) , projekteve individuale dhe në grup si dhe mjaft praktikave te tjera që sa vijnë e intensifikohen.
Êshtë shpresëdhënës fakti që fëmijët e duan këtë program edhe pse nuk është e lehtë që të shtunën ta kalosh përsëri mbi libra, gjuhë tjetër, histori tjera të cilat stafi edukativ mundohet tua përcjellë bashkë me emocionet që ndodh që këta fëmijë të mos i kuptojnë pasi shumë prej tyre nuk e kanë përjetuar të jetuarit në Shqipëri. Por me partneritetin prindëror si the eventet atraktive të komunitetit shqiptaro amerikan duket se interesi për gjuhën nuk është sipërfaqsor , ai shtrihet thellë në detaje që Drita i zbulon me shumë modesti.
Është prag festa jonë kombëtare Dita e Pavarësisë 28 Nëntori dhe me siguri këta vogëlushë do të pregatisin diçka që tjua bëjë më të dashur, njohur dhe historike këtë ditë.
Festimet e fëmijëve kanë ngjyra tjera përveç atyre kuq e zi, kanë kolorin e ndjesive të pastra dhe kureshtjen e kohës që prindërit e tyre përjetuan ndryshe me mangësi e kufizime , ëndrra e zhgënjime . Teksa bisedoj me mësueset ndjej dëshirën e tyre të madhe që këtij interesi masiv të fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe ti përgjigjen me përkushtim.
Dhe me të vërtetë nuk ka rëndësi se sa shumë gjëra bëjmë por me sa dashuri i realizojmë ato , shprehej Tereza jonë me zemër të madhe .