*Paqe për gjithë botën: Mesazhi Urbi et Orbi i Papës Françesku/*Për Krishtlindje t’i lëmë të na flasin fëmijët në luftë e emigrantët/
Përmendet 20 herë fjala paqe, në mesazhin e sotëm Urbi et Orbi të Papës Françesku. Paqe për botën mbarë, duke u nisur nga Siria e Halebi, për të përshkuar Tokën Shenjte, Afrikën, Ukrainën, Kolumbinë, Mianmarin…; paqe për ata që vuajnë, që brengosen nga hallet e jetës, viktima të trafikut e të lakmisë së të pushtetshmëve e të zotit-para. Ky ishte mesazhi i Atit të Shenjtë në ditën e Krishtlindjes, në mesditë nga llozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, nga ku ritingëlloi sërish kumti profetik i lindjes së Foshnjës së Betlehemit, i Princit të Paqes.
“Pushteti i kësaj Foshnjeje, Bir i Zotit e i Marisë, – vuri në dukje Papa – nuk është pushtet i kësaj bote, bazuar mbi forcën e mbi pasurinë; është pushteti i dashurisë. Është pushteti, që krijoi qiellin e tokën, që i jep jetë çdo krijese: mineraleve(tokës), bimëve, kafshëve; është forca që tërheq burrin e gruan dhe i bën një trup të vetëm, një ekzistencë të vetme; është pushteti që lind jetën, që fal fajet, që pajton armiqtë, që e shndërron të keqen në të mirë. Është pushteti i Zotit. Ky pushtet i dashurisë e çoi Jezu Krishtin të zhvishet nga lavdia e Tij e të bëhet njeri; e drejtoi më pas të japë jetën në kryq e të ngjallet së vdekurish. Është pushteti i shërbimit, që vendos në botë themelet e mbretërisë së Hyjit, mbretëri drejtësie dhe paqeje”.
E së bashku me engjëjt, e përshkon krejt tokën e arrin tek të gjithë popujt, kënga e lavdit për Hyjin “në më të lartin qiell”, kënga që u uron paqen njerëzve vullnetmirë mbi tokë. E këtu, Papa Françesku fillon një sërë urimesh për paqen në të katër anët e botës, në një listë, që duket pa fund, aq shumë janë gjendjet e ndërlikuar e vendet pa paqe e pajtim:
“Paqe, burrave e grave të Sirisë së martirizuar, ku është derdhur tepër gjak. Sidomos në qytetin e Halebit, teatër i njërës prej betejave më barbare gjatë javëve të fundit, është urgjente më shumë se kurrë t’i garantohet ndihmë dhe ngushëllim popullsisë civile të rraskapitur, duke respektuar të drejtën humanitare. Është koha të heshtin armët një herë e përgjithmonë e bashkësia ndërkombëtare të impenjohet aktivisht për arritjen e zgjidhjes me bisedime që të rivendoset bashkëjetesa civile në vend”.
Paqe, vijoi të kërkojë Papa Françesku, duke e hedhur vështrimin mbi Tokën Shenjte e duke u kërkuar izraelitëve e palestinezëve guximin dhe vendosmërinë për të shkruar një faqe të re në histori, në të cilën urrejtja dhe hakmarrja t’ia lënë vendin vullnetit për të ndërtuar së bashku një të ardhme në mirëkuptim e harmoni të ndërsjelltë. Po kështu, edhe për Irakun, Libinë dhe Jemenin, ku popullsitë vuajnë nga lufta dhe nga akte brutale terroriste. E më pas:
“Paqe, burrave dhe grave të rajoneve të ndryshme të Afrikës, sidomos në Nigeri, ku terrorizmi fundamentalist shfrytëzon edhe fëmijët për të përhapur tmerr dhe vdekje. Paqe në Sudanin Jugor e në Republikën Demokratike të Kongos, që të kapërcehen ndarjet e të gjithë njerëzit vullnetmirë të punojnë për të nisur një udhë zhvillimi e bashkëpunimi, duke parapëlqyer kulturën e dialogut në vend të logjikës së ndeshjes”.
E Papa u uroi paqen burrave dhe grave, që edhe sot, vuajnë nga pasojat e konfliktit në Ukrainën lindore, por edhe popullit kolumbian, që synon të ndërmarrë një udhë të re e të guximshme dialogu e pajtimi. Ky guxim, nënvizoi, të nxisë edhe Venezuelën për t’u dhënë fund tensioneve aktuale. Ati i Shenjtë përmendi të gjitha ato zona, ku njerëzit vuajnë për shkak të rreziqeve e të padrejtësive; foli për Mianmarin, duke kërkuar të favorizojë bashkëjetesën paqësore; uroi që gadishulli korean të kapërcejë problemet e pastaj, vijoi:
“Paqe, kujt ka humbur njeriun e dashur, për shkak të akteve mizore të terrorizmit, që kanë mbjellë frikë e vdekje në zemër të shumë vendeve e qyteteve. Paqe – jo me fjalë, por me fakte konkrete – për vëllezërit e motrat tona të braktisura e të mënjanuara, për ata që kanë uri e për viktimat e dhunës. Paqe për azilkërkuesit, emigrantët e refugjatët, për ata, që janë objekte të trafikut të njerëzve. Paqe për popujt, që vuajnë nga ambiciet ekonomike të pak vetëve e nga lakmia e babëzitur e zotit-para, që sjell skllavëri. Paqe, të prekurve nga mjerimi shoqëror dhe ekonomik, të munduarve nga pasojat e tërmeteve, ose të fatkeqësive të tjera natyrore”.
Paqe fëmijëve, ngriti zërin Papa Françesku, në këtë ditë të veçantë, në të cilën Hyji bëhet fëmijë. Ati i Shenjtë nuk harroi të përmendë ata, që privohen nga gëzimet e fëmijërisë, për shkak të urisë, luftës dhe egoizmit të të rriturve. E as të gjithë njerëzit vullnetmirë, që çdo ditë punojnë, me maturi e durim, në familje e në shoqëri, për të ndërtuar një botë më njerëzore e më të drejtë, të mbështetur nga bindja se vetëm me paqen ekziston mundësia për një të ardhme më të begatë për të gjithë. E së fundi, duke cituar Isainë profet, iu drejtua të gjithëve: ““Na lindi një foshnjë, fituam një djalë”: është “Princi i paqes”. Ta mirëpresim!”.Pas bekimit Urbi et Orbi, Romës dhe botës, Papa Françesku u bëri urimet e Krishtlindjes të pranishmëve të shumtë, që kishin mbushur plot Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, por edhe atyre, që në të gjithë botën, u lidhën përmes radios, televizionit dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Përfundoi me fjalët:“Në këtë ditë gëzimi jemi të thirrur të gjithë të kundrojmë Jezusin Fëmijë, që i jep shpresë çdo njeriu mbi faqen e tokës. Me hirin e Tij, t’i japim zë e ta bëjmë të prekshme këtë shpresë, duke dëshmuar solidaritetin e paqen. Për shumë mot Krishtlindjen të gjithëve!”.
Papa: për Krishtlindje t’i lëmë të na flasin fëmijët në luftë e emigrantët/
Natën e Krishtlindjes, natë lumnie e drite, ta lëmë Foshnjën e grazhdit të na flasë nga kashta, por t’i lëmë të na flasin edhe fëmijët, që sot nuk tunden në djep, as nuk ledhatohen me dashuri nga nëna a nga babai, sepse dergjen në “grazhdet e dinjitetit” të nëpërkëmbur, në strehimet e nëndheshme, për të shpëtuar nga bombardimet, në trotuaret e qyteteve të mëdha, në fundet e barkave të mbingarkuara ne emigrantë. Kështu u shpreh Papa Françesku, duke kremtuar Meshën Shenjte të Natës së Krishtlindjes, në Bazilikën e Vatikanit. Papa bëri thirrje t’i braktisim iluzionet e kalimtares, për të shkuar tek themelorja, për të rigjetur thjeshtësinë e Zotit-Foshnjë të paqes, të gëzimit, të kuptimit të jetës.
Përballë mendësisë së botës, që e ka marrë peng Krishtlindjen, ta lëmë të na flasë Foshnjën e grazhdit, që është gjithnjë shenja për ta gjetur Jezusin. Kjo, nxitja e Papës në Meshën e Natës së Krishtlindjes, kremtuar në Shën Pjetër. E Françesku na fton të shkojmë edhe më përtej:
“Ta lëmë Foshnjën e grazhdit të na flasë nga kashta, por t’i lëmë të na flasin edhe fëmijët, që sot nuk tunden në djep, as nuk ledhatohen me dashuri nga nëna a nga babai, sepse dergjen në ‘grazhdet e dinjitetit’ të nëpërkëmbur, në strehimet e nëndheshme, për të shpëtuar nga bombardimet, në trotuaret e qyteteve të mëdha, në fundet e barkave të mbingarkuara ne emigrantë”.
Papa vijon të na kujtojë se nuk duhet të qëndrojmë indiferentë edhe përballë fëmijëve, që nuk lejohen as të dalin në dritë, përballë atyre që qajnë, sepse askush nuk ua shuan urinë, atyre që nuk kanë në duar lojëra, por armë! Nga ana tjetër – shpjegoi Papa – në Fëmijën, që na u dhurua, bëhet konkrete dashuria e Zotit për ne. Zoti nuk është i pranishëm ndërmjet të mëdhenjve, nuk duket në sallën e fisme të një pallati mbretëror, por në varfërinë e një stalle; nuk është ndër analet e dukjes, por në thjeshtësinë e jetës, nuk është në pushtet, por në vogëlsi, që të mahnit: “E, për ta takuar, duhet të shkosh atje ku është, duhet të përkulesh, të ulesh, të bëhesh i vogël. Fëmija që lind, na flet, na kërkon mendimin tonë, nësa bën thirrje t’i braktisim iluzionet e kalimtares, për të shkuar tek themelorja, për të hequr dorë nga pretekstet tona të pangishme, për ta braktisur pakënaqësinë dhe trishtimin për gjithçka që na mungon. Na bën mirë t’i lëmë mënjanë këto gjëra, për të rigjetur thjeshtësinë e Zotit-Foshnjë, paqen, gëzimin, kuptimin e ndritshëm të jetës”.
Misteri i Krishtlindjes është njëkohësisht shprese e trishtimi. Sjell me vete shijen e trishtimit, sepse – kujtoi Papa – dashuria nuk mirëpritet, jeta shikohet si hedhurinë. Kështu u ndodhi Jozefit e Marisë, që i gjetën portat e mbyllura dhe e vunë Jezusin në një grazhd, “mbasi për ta nuk kishte vend në bujtinë”:
“Jezusi lind i papranuar nga disa e i rrethuar nga indiferenca e shumicës. Edhe sot mund ta vërejmë të njëjtën indiferencë, kur Krishtlindja bëhet festë, në të cilën protagonistë jemi ne, në vend që të ishte Ai; kur dritat e tregtisë e flakin në errësirë dritën e Zotit; kur shqetësohemi për dhuratat e mbetemi fare të pandjeshëm përballë njeriut të lënë krejtësisht pas dore. Kjo mendësi e botës na e mori peng Krishtlindjen, duhet ta lirojmë!”.
Por Krishtlindja – vijoi Françesku – ka posaçërisht shijen e shpresës, sepse, pavarësisht nga terrinat tona, drita e Zotit shkëlqen. Drita e tij e fisme nuk të ngjall frikë; Zoti, i dashuruar me ne, na tërheq me njomësinë e vet, duke lindur i varfër e i brishtë mes nesh, si njëri nga ne:
“Lind në Betlehem, që do të thotë ‘shtëpia e bukës’. Duket, kështu, sikur dëshiron të na thotë se po lind si bukë për ne: se vjen në jetë, për të na dhënë jetën e Tij; vjen në botën tonë, për të na sjellë dashurinë e Tij. Nuk vjen të përlajë, as të komandojë, por të ushqejë e të shërbejë. Kështu është një fill i drejtpërdrejt, që lidh grazhdin me kryqin, ku Jezusi do të jetë bukë e thyer; është filli, i cili e lidh drejtëpërdrejt dashurinë, që dhurohet me atë, që shëlbon, që i jep dritë jetës sonë e paqe zemrave tona”.
Këtë e kuptuan mirëfilli barinjtë, të mënjanuarit e asaj kohe. Po në sytë e Zotit nuk mënjanohet askush, e prandaj qenë pikërisht ata, të ftuarit e Krishtlindjes. Kush ishte i sigurt në vetvete, kush ishte plot me vetveten, ishte në shtëpi, ndërmjet rraqeve të veta; ndërsa “barinjtë shkuan me nxitim”(Krh Lk 2,16). Ta lëmë edhe ne Jezusin të na flasë këtë natë, të shkojmë tek Ai me besim, duke u nisur nga kufizimet tona, duke u nisur nga mëkatet tona:
“Ta lëmë të na prekë me njomësinë, që shpëton. T’i afrohemi Zotit, që bëhet i afërt, të ndalemi e ta kundrojmë Shpellën e Betlehemit, ta përfytyrojmë lindjen e Jezusit: dritën e paqen, kulmin e varfërisë e të mospranimit. Të hyjmë në Krishtlindjen e vërtetë bashkë me barinjtë, t’i çojmë Jezusit gjithë çka jemi, mënjanimet tona, plagët tona të pambyllura, mëkatet tona”.
Kështu, në Jezusin, do të shijojmë shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes: ta provojmë sa bukur është të ndjesh se të do vetë Zoti. Me Marinë e Jozefin të rrimë para grazhdit, para Jezusit, që lind si bukë për jetën tonë, timen. Ta kundrojmë dashurinë e Tij të përvujtë e të pafundme, t’i themi thjesht faleminderit; faleminderit që e bëre gjithë këtë për ne”, përfundoi Françesku para se ta vendoste Krishtin Fëmijë në Shpellën e Betlehemit të Bazilikës, realizuar në njërën nga Kapelat anësore. Papa u nis me procesion drejt Shpellës, i shoqëruar nga 12 fëmijë nga mbarë bota, simbol i atyre të vegjëlve, të cilëve Françesku ia kushtoi mendimin e tij të Krishtlindjes.