Nga Ilir Levonja/
Sa herë që ndodh një skandal publik, në përgjithësi shqiptarët i mëshojnë personit. Përdorin një gjuhë të ashpër duke ia faturuar të gjitha atij, deri me prag shtëpie. Në të njëjtën kohë harrojnë kryesoren, ca me qëllim ca nga horia e gjindjes se thelbi i çështjes nuk është personi në fjalë, por ai që e pranon apo e promovon atë. Por edhe hallkat bajate shtetërore të verifikimit të figurave. Rasti konkret është edhe ky kandidati i dalë nga votimet e 30 qershorit 2019, në Shkodër, ky Pjetri. Kemi tre ditë që po e bombardojmë me delikatesën e virgjëreshave fanatike. Si është e mundur etj., që të kandidoj iks apo ypsilon person?! Ja që është e mundur madje edhe të mirëpritur. Dhe Edi Rama ua ka lënë të kuptohet këtë me kohë, sidomos pas këtyre zgjedhjeve të dyta parlamentare të 2017-ës. Ua ka lënë të kuptohet me pretekstin se ndryshe nuk fitohet karshi Berishës dhe ju e keni pranuar. Dridhni vithet, rrudhni buzët, por e keni pranuar. Ndaj skandalet publike aty janë kthyer në një normalitet social. Sa më shumë të tillë, aq më i fortë dhe më i ”pastër” del Edi Rama. Mirë që ekziston Departamenti i Shtetit Amerikan i cili herë më herë shpall non grata figurat shqiptare, se ndryshe askush nuk e besonte telenovelën e Shijakut dhe Durrësit. Madje as RAI, radio televizioni italian nuk ka më vlerë për ne, dikur ishte Amerika jonë. Me ndihmën e tij, programeve si Domenica in etj., përmbysëm diktaturën, sot është krejt i pabesueshëm për ne. Skandalet janë sillë e ditës kësisoj zor se do e kapim normalitetin e perëndimit. Ne jemi dëshmitarë okular se si të fortët kërcënojnë publikisht, se si të rrahin publikisht, nuk e di përse habitemi dhe i biem më qafë këtij djali. Ai është pjesë e kulturës integrale të Edi Ramës, handikapit më të madh social dhe politik shqiptar. Solli atë të Kavajës, ju ia falët. Solli ata të Shijakut dhe Durrësit, ju ia falët. Solli të fortët e Krujës, ju ia falët. Solli e i vrau ata të Lezhës ju ia falët. Solli ata të Pukës ju ia falët. Të Elbasanit, ju ia falët. Pa përmendur Vlorën sot në një agoni të qytetarëve të zhdukur. Pa përmendur policët e 21 janarit që i bëri shefa e kryetarë dhe ju ia falët.
Një shtet që nuk ka një komision verifikimi figurash brenda një afati dy javor, çfarë prisni prej tij. Apo një shtet që ka një kryeministër që thotë personi që gënjen në mirëbesim e ka fajin vet, ne nuk e mblështesim prandaj prokuroria le të veprojë etj., mjerë ai shtet kë ka në krye. E para se punët e shtetit nuk bëhen me mirëbesim, por me ligje dhe dokumenta. E dyta nëse vërtetë një kryeministër nuk ka aftësinë dhe organikat e duhura deri për të verifikuar një figurë personi, ç’prisni më prej tij për sigurinë kombëtare. Por gjasat janë ajo edukata e fitoreve me mashtrim dhe me ndihmën e bosëve të drogës, që ka domethënien që Edi Rama vetëm të jesh naiv e të besosh se nuk ka pasur dijeni për figurën e personit në fjalë. Dhe kjo e bën dyfish përgjegjës. Nga ana tjetër mënyra se si kërkon të uzurpojë një qytet kultura dhe tradita e të cilit ka rrënjë shekullore perëndimore. Një qytet që është kthyer në inat elektoral dhe që Edi Rama kërkon të marri me metodat e bazhdarit (kandarxhiut) personazhit real të At Zef Pllumit. Kjo ishte metoda më dalëboje për t’iu afruar një qyteti i cili pa përjashtim i ka zbythur si të djathtët dhe të majtët kur ka ardhur puna tek fytyra e tij. Kjo ka domethënien se liria dhe të drejtat sociale nuk peshojnë kund tjetër në Shqipëri si në Shkodër. Pastaj ne shqiptarët harrojmë lehtë, se nëpër studio është deklaruar publikisht nga plot figura të rilindjes që ne po kemi vjedhur dhe bashkëpunuar me krimin pasi kështu ka vepruar edhe PD-ja me Berishën në vitin kaq e aq. Shkurt dhe pa u zgjatur nuk ua ka fajin ky Pjetri, por shefi i madh. Modelisti i potureve jo i shtetit. Dhe dhëntë Zoti e ardhtë sa më shpejtë ajo dita kur Departamenti i Shtetit ta deklaroj edhe këtë non grata, se me sa duket, vet ju a ne shqiptarët në përgjithësi nuk qënkemi të zotët ta heqim nga froni.