Në përkujtim të Pjeter Arbnorit-Me rastin e 85 vjetorit të lindjes-po botoj një shkrim të tijin për ne shqiptarët- Anton Çefa/
NGA PJETËR ARBNORI/
Jo pak psikologë dhe politologë të botës kanë theksuar se, “Shqiptarët vuajnë nga sëmundja perandorake”. Ata që e lexojnë ndahen në dysh në gjykim[u1] : disa turpërohen nga ky konkluzion, të tjerët krenohen shumë me këtë cilësi. Në mos qofshin kërthizë, jemi afër kërllizës së botës, ku ndahet lindja nga perëndimi dhe cilido që gjendet në zonë kufitare, cilido që fati e shtyn herë në njërën anë të frontit, herë në anën tjetër, merr disa cilësi negative apo pozitive që duhet menduar mirë përpara se t’i vlerëshosh. Mes nesh ka edhe servilizëm dhe pabesi, por më tepër ka qëndresë që mund të kalojë në kokëfortësi. Kemi dëgjuar se shumë fjalime apo referate tonat nisin me thënien se të parët tanë i kanë dhënë botës prijësa si Aleksandri i Maqedonisë dhe Gjergj Kastrioti që kanë qenë mjeshtër të luftimit, perandorë si Diokleciani apo Justiniani, muzikantë si Kukuzeli, kryeministra ose vezirë të mëdhenj sa nuk kuptohej cili ishtte pushtuesi apo i pushtuari, turku ndaj shqiptarit, apo shqiptari ndaj Perandorisë Osmane; I kemi dënë botës papë si Klementi dhe nxjerrë në dritë dhe nënën e madhe të të gjithë njerëzimit, Nënë Terezën.
Nuk janë të gjithë emra të shtuar nga romantizmi historik që mbërthen popujt e vegjël. Shumë prej tyre janë të vërtetë. Por ka edhe një të vërtetë tjetër, 90 % e këtyre njerëzve të mëdhenj që i kanë bërë kaq të mira apo të këqija botës thuajse e kanë harruar Ilirinë apo Shqipërinë nga e kishin origjinën dhe janë bërë të famshëm për të tjerët.
Skënderbeu mbrojti qytetërimin perëndimor nga Pushtimi Osman.Nënë Tereza qe shëmbëlltyra e madhe e kësaj bote pasanike, por të mbushur shpesh me njerëz shpirtvegjël, prandaj krenohemi kaq tepër me këta të dy.
Ne shqiptarët duhet të krenohemi, jo pse kemi përballuar kaq e kaq pushtime perandorish, jo, duhet të krenohemi me diçka tjetër. Ne jemi një popull i vogël që kemi ruajtur karakteristikat tona, kemi ruajtur gjuhën tonë në mes dy perandorive kulturore të antikitetit, kulturës greke dhe latine, më të shkëlqyerat në botë. Dikush na tallë: kemi qenë pa shkollë, kemi qenë malokë, prandaj ka mbetur si relike gjuha juaj. Malok paska qenë Skënderbeu, malok paska qenë Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi e Bogdani, iluministët e hershëm të gjuhës shqipe, malok paska qenë Naim Frashëri e Sami Frshëri, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi dhe poeti i madh Gjergj Fishta, Bajram Curri dhe Ahnet Zogu. Ata që i quajnë malokë mund t’i ketë ecur morri në ballë njëzet a tridhjetë vjet më parë e tani kapërdisen me kollare.
Ne shqiptarët kemi punuar për perandoritë, por edhe u kemi nxjerrë telashe perandorive. Shqiptari nuk shtë mesatar. Kur merr përpjetë nuk e di ku arrin në suksese, kur merr për të keq nuk e di sa poshtë arrinë.
Çfarë u shpik në botë dhe nuk e mori menjëherë shqiptari, çfarë u shkrua në botë dhe nuk e përvetësoi menjëherë shqiptari. Edhe Shën Tomën dhe Volterin, edhe Makiavelin edhe Leninin dhe Stalinin.
Dhe prapë jemi perëndim: Naim Frashëri shkruante “Lind atje tek perëndon”. Ndikimi lindor të themi të drejtën ka qenë mjaft I fortë. Së pari përqafuam islamizmin, por jo si besim, por si maskë fetare. Shqiptarët kurr nuk janë hquar për fondamentalizëm. Atë janë përpjekur të na e injektojnë nga jashtë me qëllim që të na tregojnë pastaj me gisht, por nuk kanë pasur sukses, kanë dështuar. Fondamentalizimi mund të jetë edhe orodoks, ndoshta edhe katolik, por gjithmonë tek pjesa më pak e kulturuar e popullsisë[u2] . Të gjithë kanë dështuar. Sot po përpiqentë ngjallin fondamentalizimin krahinor. Të ruhemi prej tij!
Së dyti, fandamentalizmi u përpoq të depërtojë me një tjetër shartim lindor, me anë të komunizmit. Nuk dështoi ai, dështuam ne me të, sepse ai me dhunë na detyroi të largoheshim nga Perëndimi, të armiqësoheshim me të dhe të mbetej Shqipëria një ishull aziatik në Evropë.
“Pranë detit e palarë, pranë dritës e paparë.”.