
Virgjil Kule/
Në shekullin e 19-të vendet e Ballkanit fituan pavarësinë nga Perandoria Otomane. Të nxitur nga ky fakt, rilindasit ia hynë punës për të gjallëruar ndjenjat kombëtare të shqiptarëve.
Vunë re se mungonte dokumentacioni historik që do të vërtetonte se shqiptarët e kishin kundërshtuar me armë pushtimin osman dhe se Shqipëria nuk ishte Turqi (sikundër pretendonin vendet fqinje), ndaj meritonte pavarësinë.
I vetmi dokumentacion i mirënjohur historik në shkallë europiane ishte epopeja 25-vjeçare e Skënderbeut. Për vetë kohëzgjatjen e epopesë, ky përbënte një dokument të plotë e të pakundërshtueshëm.
I pari shkroi për të arbëreshi Jeronim de Rada, pastaj vazhdoi bektashiu Naim Frashëri, më tej i krishteri Jani Vreto.
Ata promovuan figurën e harruar të Skënderbeut bash në kohën që ajo do t’i shërbente përpjekjeve komplekse për pavarësi kombëtare.
Nëpërmjet kësaj figure, autorët e shekullit të 19-të u paraqitën fuqive europiane vendimmarrëse një dokument vendimtar historik që mbështeste fuqimisht aspiratën e shqiptarëve për pavarësi.