Dr.Iris Halili/
Problemi i lindjes së emrave në letërsi është po aq i ndërlikuar sa ai i lindjes së personazheve dhe kuptohet është i ndërthurur me këto të fundit. Sipas kësaj linje mendimi, pyesim nëse lindja e një emri është e motivuar plotёsisht ose jo, me mitin që e përcjell.
Historia e letërsisë botërore ka treguar se emrat e personazheve dhe roli që luajnë nё njё vepёr, nuk është i rastёsishёm. Kjo traditë vjen që me mitet antike, ku emrat mbajnë një simbolikë të veçantë dhe ku me shënjimin e tyre të parë, receptuesit i vjen mesazhi i asaj që do të përcjellë personazhi apo një pjesë e reagimeve apo dramës së tij. E gjitha kjo të çon tek ideja se emrat nё letërsi përbëjnё një simbolikë të veçantë, të argumentueshme dhe të nevojshme për zbërthimin e mesazheve të krejt veprës.
Ndalemi te mitet. Mjafton të kujtojmë atë të Psikës që dashurohet me Erosin dhe prej kësaj dashurie lind Hemona. Gjithçka qё tregon miti është një histori dashurie, deshifrimi i së cilës vjen që me emrat e protagonistëve, që përkthyer nga greqishtja e vjetёr janë përkatësisht: Shpirt, Dashuri dhe Kënaqësi.
Shpesh emrat në letërsi na ndihmojnë të vendosim përkatësinë kombёtare të personazheve, apo një rrethanë tjetër që ka zgjedhur në vendosjen e këtij emri. Kështu, një personazh si Natasha Bollkonski tek Lufta e paqja (1867) e Tolstoj-it, në çdo faqe tё njeh më shumë me temperamentin rus tё feminilitetit.
Sikurse edhe në simbolikën antike, emrat kthehen në simbole të personazheve që ato përcjellin. Përsëri nga Lufta dhe Paqja mund të kujtojmё Marien, atë personazh aq tё dёlirë dhe tё nënshtruar, që krijon një lidhje me vetë Shën Mërinë, dhe simbolika është e dukshme.
Por këtë traditë të simbolikës së emrave e shfrytëzon edhe letërsia absurde. Në dramën Duke pritur Godonë (1952), tё Beckett-it, emrat e personazheve kanë gjithashtu veshje simbolike. Duke kujtuar se vepra në origjinal i takon gjuhës angleze, shënojmë se Godo të kujton fjalën “god”, që në anglisht do të thotë Zot. Pikërisht, shfrytëzimi i këtij deshifrimi i jep dramës një interpretim filozofik dhe bën shënjuesin Godo t’i afrohet një të shënjuari që i përngjan shpresës tek Zoti apo pritjes së pafund për t’iu afruar atij. Gjatë gjithë zbёrthimeve që i bëjmë veprës, kemi parasysh këto dritёhije emrash, që shpesh u japin rrjedhёn përfundimeve filozofive dhe interpretimeve ndёrtekstuale.
Sërish nga letërsia moderne le të kujtojmë emrat e personazheve të Kafka-ës. Ata herë janë të thjeshtë dhe të zakonshëm, si Klajdi apo Gregori Samsa, herë vijnë me iniciale A-ja, B-ja (Rrëmujë e përditëshme) etj. Pikërisht, kjo formё e shkurtuar, ose gjymtimi i njё emri, rrit misterin e personazheve dhe shkon në funksion të idesë së autorit për një padepërtueshmëri filozofiko-psikologjike. Ka raste që Kafka i lё edhe pa emër personazhet, duke na bërë ne si receptues t’i cilësojmë me një Unë apo Ai dhe duke krijuar kështu një bashkёbisedim tё pёrkryer midis Atij – Autorit, Atij – Personazhit dhe Unë – Receptuesit hipotetik, që mund të jetё i çdo kohe dhe i çdo vendi. Kjo gjetje e zhveshjes së personazheve nga mendёsia i jep mundësi Kafka-ës të krijojё universalen në vepër.
Kёtё traditë do ta përcillte edhe letërsia postmoderne. Ёshtё tipike, në shfaqjen postmoderne të antiromanit, identifikimi i personazheve me iniciale. Gjithmonë, kjo ёshtё përdorur për të zhdukur mëvetësinë dhe problemet e rëndomta individuale dhe për të hyrë në një zonë më të ërrët, që quhet me një emër të përgjithshëm, “shpirt”.
Ka raste që brenda një teksti letrar, një pjesë e personazheve janë pagёzuar me emra, kurse pjesa tjetër jo. Sipas një gjykimi letrar ato janë shënuar si zëra. Po t’i kthehemi novelave të Zweig-ut, kujtojmë se personazhi i parë që shfaqet edhe si narratori i parë, pothuaj gjithmonë, mbetet pa emër. Kjo nuk duhet të nënkuptohet si rëndësi e dorёs sё dytё, por si gjetje e autorit për ta afruar me receptuesin dhe, ndoshta më tutje, për ta vendosur në tё njëjtёn linjё me të. Pra, si në përrallat popullore, ku rrëfyesi i parë mbetet i paidentifikuar, edhe në letërsinë e kultivuar, mund të kemi një shfaqje, ku një zë mё tepër ёshtё njё spektator apo një rrëfyes jashtë ngjarjes, domethёnё, nuk kemi tё bёjmё me një personazh mirёfilli qё i lipset njё emёr i pёrveçёm.
Le tё kthehemi te metoda psikoanalitike, e cila nuk do ta quante asnjёherё rastёsi lindjen e një emri në letërsi. Përkundrazi, pёr tё, me siguri është i fshehur brenda skutave të padukshme të pavetёdijes, ndonjё emёr “çuditёrisht” i harruar, areketip. Mjafton të japim një rast nga shembujt e shumtë që na ofron psikoanaliza. Kështu, Freud-i përcakton se midis emrit të Hamletit dhe babait të Shakespear-it ka një ngjashmëri të madhe. Kjo i duhet atij të tregojë se edhe autori, sikurse Hamleti ka gjasa të ketë pasur kriza incesti, të cilat sublimohen tek vendosja e emrit të të atit tё personazhit që kalon tё njёjtёn gjendje. Nga ana tjetër, praktika e metodës psikoanalitike, nuk harron të theksojë se gjetja e një emri nga autori mund të duket edhe rastёsore për vetë autorin, por është, tërësisht, e motivueshme për analistin psikoanalitik që ka bindjen se gjithmonё kemi të bëjmë me instiktin dhe botёn e tij.
Tek T.S. Eliot dhe poema e tij Këngë Dashurie e Alfred Prufock-ut, pyetja që bëjmë kur lexojmë titullin, vjen si rezultat i lidhjes që do të na duhet të vendosim midis dashurisë si një ndjenjë e denjë për heronjtë dhe një emri që shfaqet më tepër si komik. Këtu vijmë tek një tjetër funksion simbolik i emrave në letërsi. Kështu, përveçse një efekti të drejtëpërdrejtë, emrat mund të krijojnë dhe një efekt të tërthortë. Sipas kësaj ideje, të duket sikur autori kërkon të lidhë pamje që duken të palidhshme. Ky është deshifrimi që bëjmë ne duke u nisur vetëm nga titulli i poemës. Si qëndron vërtet interpretimi përfundimtar, kjo vjen vetёm pas një shoshitjeje të njёpasnjёshme të kodeve në tekstin poetik, ku dy janë çështjet që na lindin me titullin: Elioti ka pasur vërtet ndër mend të lidhë të palidhshmet, duke sjellë te lexuesi deshifrimin efekt-tërthor, apo ky deshifrim shkon drejpërsëdrejti me atë që jo vetëm titulli, por edhe poema shënon? Në qoftë se do tё analizonim titullin e do të mbështeteshim vetëm tek ajo që thotë teksti, atëherё me siguri do t’i jepnim përparësi tezës, sipas të cilës, ai ka dashur të lidhë dy gjëra që nuk rrinë natyrshëm pranë tyre, duke krijuar, kështu, një shfaqje, apo figurё prej dadaisti. Por, kur hulumton në jetën e vetë Eliot-it, bindesh se teza e tij qё nuk përjashton biografinë e autorit në analiza kritike, gjen zbatim në faktin se Prufrock-u nuk qenkërkёsh një emër i sajuar, por paska qenë një furnizues në kohën kur djaloshi Eliot ndodhej në vendlindje, nё Saint Luis. Kjo ta përmbys disi tezën e parë dhe të kthen tek ideja se më tepër se trillim, Prufrock-u mbetet një emër i marrë me qëllim nga autori për të kryer një funksion të caktuar estetiko-filozofìk.
@Ky frangemrn është shkëputur nga Libri i autores “Letërsia në psikanalizën e Freud-it dhe dilemat eksistenciale”.