
Nga Alberto Alesina dhe Francesco Giavazzi/
Përktheu për Diellin-Eugjen MERLIKA/
Institucionet e pavarura janë qenësore sepse detyrat e tyre kërkojnë koncepte që shohin në periudha afatmesme e afatgjata që nuk i përshtaten mirë horizonteve të politikës.
Vladimir Putini pohon se, parimet liberale që deri tani kanë mbarështuar Perëndimin, sot janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Ndërmjet tyre Putin-i fut demokracinë përfaqësuese dhe liberizmin ekonomik. Lidhja ndërmjet udhëheqësit e popullit, në koceptin “populist” të tij, duhet të jetë i drejtpërdrejtë pa ndërhyrjen e një parlamenti që është themeli i demokracisë përfaqësuese. Kjo në fakt bazohet mbi një sistem të “checks and balances” që përfshijnë , përveç parlamentit, institucione të tjera të pavarura: ndërmjet këtyre drejtësinë e, në fushën ekonomike, bankat qëndrore dhe autoritetet e rregullimit të tregjeve. Peshat e kundërpeshat herë herë ngadalësojnë veprimin e qeverisë, po shmangin që drejtues të panënështruar asnjë kontrolli të bëhen në fakt diktatorë.
Institucionet e pavarura janë qenësore edhe në një demokraci sepse detyrat e ngarkuara atyre (për shembull qëndrueshmëria e çmimeve dhe e ciklit ekonomik e konkurrencës) kërkojnë koncepte që shohin në periudha të mesme e të largëta që nuk i përshtaten mirë horizonteve të politikës, të ndikuar nga grupe të ndryshme trysnie dhe afatesh kohore zgjedhore të qeverive. Pavarësia duhet të ketë caqe të sakta, të përcaktuara nga ligje e statute e qeveria duhet të ketë pushtetin të emërojë, në ndërhapësirat e rregullta, drejtuesit e këtyre institucioneve me një proçedurë që të shohë bashkëpunimin e institucioneve të tjera, për shembull të vetë parlamentit.
Një libër i bukur i Paul Tucker, ish zëvendësguvernator i bankës s’Anglisë, shtjellon rolin dhe organizimin më të mirë të institucioneve të pavarura në një sistem demokratik. Ndërsa në Moskë, banka qëndrore merr urdhëra drejtpërsëdrejti nga Putin-i dhe antitrasti rus është thjesht një ministri e qeverisë nën urdhërat e presidentit.
Në Perëndim janë dashur shumë dhjetravjeçarëpër të krijuar institucionet e pavarura dhe disa, populistët të parët, sot pyesin veten nëse pavarësia e tyre duhet ruajtur. Le të marrim në shqyrtim më parë konkurrencën. Disa muaj më parë Komisioni evropian, të cilit traktatet i kanë dhënë fuqi ekzekutive sa i përket konkurrencës, ndaloi shkrirjen e dy ndërmarrjeve të mëdha, njëra franceze e tjetra gjermane, Alstom dhe Siemens, duke gjykuar se do të lindëte një gjigand që do të kishte rrënuar konkurrencën e çmimeve për konsumatorët. Franca e Gjermania protestuan , por nuk mundën të bënin asgjë sepse Komisioni është i pavarur. E njëjta gjë ndodhi njëzet vite më parë kur antitrasti i Brukselit, atëherë i drejtuar nga Mario Monti, detyroi Gjermaninë të shmangëte sigurinë publike për Arkat e kursimit gjermane, një formë e ndihmës së Shtetit. Edhe atherë qeveria gjermane sokëlliu por nuk mundi të bëjë asgjë.
Ndërsa për sa i përket bankave qëndrore, pak më shumë se mbas një dhjetëvjeçari nga fillimi i krizës financiare mund të pyetet se si duhet gjykuar qëndrimi i tyre. Bankierët qëndrorë janë paditur me të drejtë se kanë kuptuar me vonesë se çfarë po ndodhte e si po zhvillohej një furtunë e rëndë financiare. Problemet ishin tre. I pari: vepruesit e tregjeve financiare ishin dehur nga ideja se çmimet e aksionevet dhe titujt e tjerë nuk mund veçse të ngriheshin dhe fitimet e tyre të vazhdonin në pafundësi pa rreziqe. Ishin mashtruar se veprime komplekse financiare të cilat kishin si pasojë fshehjen e rrezikut global do të mund t’a shmangnin atë. I dyti: bankat qëndrore nuk kuptuan se tregjet financiare kishin ndërmarrë një dinamikë të pambrojtëshme dhe nuk ndërhynë. I treti: shumë nga ekonomistët që në bankat qëndrore, por edhe në universitetet merreshin me makroekonomi e financë, ishin të verbuar nga ideja se tregjet ishin “të përsosur” e do të ndreqeshin vetë pa dhimbje. Dy ekonomistë, Nicola Gennaioli i Bocconit dhe Andrei Shleifer i Harvardit i përshkruajnë në mënyrë mjeshtërore këta gabime të rënda vlerësimi në një libër të tyre të kohëve të fundit.
Të mbajmë parasysh se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa mund të duken. Të shmangej kriza financiare ishte një lojë fëmijësh: mjaftonte të viheshin kufizime shumë të shtrënguara për marrjen e rrezikut dhe për rezervat e bankave. Por kështu do të shtrëngohej borxhi për familjet e ndërmarrjet, duke penguar rritjen. Është pak a shumë si të thuash se është e lehtë të shmangeshin pothuajse të gjithë aksidentet rrugore duke bërë të detyrueshme shpejtësinë më të lartë atë 50 km n’orë në autostrada. Ndërsa bashkërisht zgjedhim të pranojmë një numur të lartë aksidentesh vdekësorë për të mundur të ecet më shpejt. Si të mbahet në një drejtpeshim rritja dhe qëndrueshmëria financiare është pra një problem jo i thjeshtë.
Përgjigja e bankierëve qëndrorë mbas shpërthimit të krizës ka qënë veçanërisht e volitëshme. Para së gjithash kanë kuptuar se duhej t’a mbushnin me para sistemin financiar, duke shmangur gabimin e kryer gjatë krizës së vitit 1929. E bëri Ben Bernanke, guvernatori i Federal Reserve, një ekonomist akademik, fama e të cilit i detyrohej pikërisht studimeve të tij për krizën e 29-ës. Të njëjtën bënë edhe bankat qëndrore të Japonisë e të Anglisë dhe Bqe e Mario Draghit, mbasi që parardhësi i tij, Jean – Claude Trichet, më 2011, i kishte ngritur dy herë përqindjet e interesit, duke përsëritur gabimet e vitit 1929. Veç asaj Fed kuptoi shpejt se duhej ndërhyrë për të mbështetur sistemin bankar e për të shmangur shëmbjen. Banka qëndrore dhe qeveria amerikane vepruan me shpejtësi e me sukses, aq sa depozituesit të mos humbnin as një dollar. Nëse ka qenë një gabim të lihej të falimentonte Lehman Brothers apo mund të bëhej ndryshe nuk është e padiskutueshme.
N’Evropë u desh shumë kohë për të ndërhyrë në stabilizimin e bankave, por për një arsye politike: “kapja” e qeverive nga ana e aksionistëve të bankave që donin të shmangnin pësimin e humbjeve.Ndërmjet të tjerash kjo ngadalësoi ndërtimin e një strukture financiare me kontroll evropian në zonën euro, i ashtuquajturi “bashkim bankar” që vetëm sot, mbas dhjetë vitesh të krizës, Evropa me shumë ngadalësi po mundohet t’a plotësojë.
Arsyeja tjetër për të cilën u shmang katastrofa është se u ndalua shtyrja populiste për mbylljen e tregjeve dhe luftën e tarifave, edhe në sajë të dhjetëvjeçarëve të studimeve ekonomike që kanë treguar se proteksionizmi është rrënues dhe se mbajtja e tregëtisë së lirë ndërkombëtare është jetike, edhe në çaste krizash në të cilat shfaqen kërkesa të fuqishme”Proteksioni”. Mbas krizës së 1929 u bë saktësisht e kundërta me përfundimin që PPB ra me 30% në SHBA e pak më pak n’Evropë. Së fundi qeveritë lejuan që borxhet e brëndëshme të shtoheshin, si për pasojën automatike të rënies ekonomike, si për efektet e politikave të stimujve tatimorë, duke ndjekur porositë e zhvilluara nga kërkimi ekonomik që në vite kishte përpunuar mendimin e Keynes-it. Raporti borxh PPB arriti në 6% në Shtetet e Bashkuara, 3 në Gjermani, 5 në Francë, 6 në Britaninë e Madhe, 2 në Suedi ( nga një tepricë prej 4% para krizës), të gjithë Vënde me bilance të qëndrueshme dhe një nam fiskal të padiskutueshëm, që mbrapa nuk kanë patur nevojë të marrin masa regjimi kursimi.
Ndërsa aty ku regjimi i rreptë i kursimit ka filluar shpejt, ose më parë se të mbaronte rënia ekonomike, qe në ata Vende që për një arsye apo një tjetër kishin një gjëndje tatimore të paqëndrueshme, megjithëse politika monetare e Bqe ishte fuqimisht espansive.Në Irlandë e në Spanjë për shkak të shpërthimit të një flluske spekulative të ndërtimeve me pasojat e saj mbi bankat dhe defiçitin publik; në Portugali dhe Itali për peshën e borxhit të grumbulluar pa arsye në dhjetëvjeçarët e mëparshëm; në Greqi për shkak të politikave jashtzakonisht të pandërgjegjëshme të dhjetëvjeçarit para krizës. Kur në këta Vënde u bë e nevojshme të zbatohej rreptësia financiare më parë se të mbaronte rënia ekonomike, shumë ekonomistë këshilluan të shkurtohej harxhimi e jo të rriteshin taksat. Këto këshilla u vërtetuan të sakta; Vëndet që vepruan kështu kanë patur rënie ekonomike më të shkurtëra e më pak të thella.
Por Putinit e gjithë kjo i intereson pak. Mbështetja e tij për populizmin, edhe për atë italian, është vetëm një mënyrë për të ligjësuar diktaturën e tij “në fakt” e për të përforcuar partitë që në Be kërkojnë të çmontojnë ndërtesën evropiane. Kështu do të lirohej nga një konkurrent e do të kthehej tek dypolësia ShBA – Rusi me një tjetër më shumë sot, Kinën.
Corriere della Sera, 3 korrik 2019 E përktheu Eugjen Merlika