-Lajmi i fundit: Pas orës 20.30, nga Rashka treni niset të kthehet në Beograd pa arritur të hynte në Kosovë/AAK: Rasti Haradinaj dhe treni, janë pjesë e të njejtit skenar/
-Policia e Kosovës: Informacion lidhur me veprimet policore në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinje të Mitrovicës/
-Fjala e plotë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa sonte në konferencën për shtyp në Prishtinë/
PRISHTINË, 14 Janar 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova nuk e lejoi hyrjen e trenit të provokimeve të Serbisë. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa zhvilloi sonte konferencë për shtyp pas zhvillimeve rreth nisjes së një treni serb nga Beogradi për në Mitrovicën veriore, për të kaluar kufirin pa lejen e autoriteteve të Prishtinës, i cili u ndal në qytetin e Rashkës në Serbi pa vazhduar më tej.
“Kthimi prapa i atij treni është veprim i duhur dhe hyrja e tij nuk do të lejohet. Nëse do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës”, tha ai.
Për këtë, “dje në Këshillin për Siguri kemi marrë vendim që të veprojmë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sonte se Prishtina “ka tentuar të provokojë konflikte, përasash të gjera”, me rastin e “hapjes së serishme të linjes hekurudhore Beograd-Mitrovicë”.“Prishtina pergatiti ‘lojë lufte’, tentoi të provokojë konflikt”, është titull në median serbe.Kryeministri serb Vuçiç kishte ftur për në orën 18:00 mbledhje urgjente të Byrosë për koordinim të shërbimeve të sigurisë pas së cilës paralajmërohej konferenmcë shtypi sonte në orën 18:30 “me rastin e situatës në Kosovë”.
Kështu bëjnë të ditur mediat e Beogradit, sipas të cilave njësitë special të Policisë së Kosovës ROSU ndodhen sonte në veri të Kosovës, ndërsa treni i nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës Veriore që nga ora 16:30 është ndalur në Rashkë, qytet në Serbi afër kufirit verior të Kosovës. “Pas orës 20.30, nga Rashka treni niset të kthehet në Beograd pa arritur të hynte në Kosovë”, është lajmi i fundit.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT MUSTAFA NË KONFERENCËN PËR SHTYP
Prishtinë, 14 janar 2017/ Fjala e plotë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa sonte në konferencën për shtyp në Prishtinë:Fillimisht më lejoni që të theksoj shqetësimin që kemi pasur dhe kemi përjetuar sot të gjithë duke u përballur me një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia në kuadër të lojërave të saj të pandershme.Andaj bashkëndjej me ju këtë shqetësim real dhe ju falënderoj shumë për përkrahjen e jashtëzakonshme që të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e kanë dhënë për përballimin e saj.Më lejoni të theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjitha dikasteret e saj, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoritetet tjera përgjegjëse janë angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve, jo vetëm sot, që në mënyrë intensive të adresojnë të gjitha aspektet ligjore, procedurale, teknike dhe operative për të trajtuar në mënyrë institucionale, me maturi dhe vendosmëri këtë çështje.
Dua të theksoj se së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe në konsultime me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Thaçi pas kthimit të tij në vend, kemi marrë të gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar për këtë situatë, kemi mobilizuar të gjitha institucionet shtetërore për t’u përballur me situatën dhe po ashtu janë ndërmarrë masat adekuate që na takojnë në përputhje me ligjet, në përputhje me Kushtetutën që të adresohet ky problem.
Gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar takime me institucionet kompetente shtetërore, me përfaqësues të misioneve diplomatike dhe misioneve tjera në Kosovë, në mënyrë që të sensibilizojmë synimet e mbrapshta të Serbisë për të destabilizuar situatën në Kosovë.
Dje kemi mbajtur Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit dhe gjitha institucionet që i takojnë këtij Këshilli dhe kemi marrë vendim që institucionet e Republikës së Kosovës në përputhje me situatën të ndërmarrin gjitha veprimet ligjore dhe veprimet kushtetuese.
Unë mendoj se kthimi mbrapa i këtij treni është veprim i duhur, dhe se hyrja e tij në Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës nuk do të lejohej, ose në rast se do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës është jetësisht e përkushtuar që të kontribuoj në lëvizjen e lirë të qytetarëve, realizimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, por, nuk do të lejoj provokime të tilla të cilat kanë për synim final kthimin e Kosovës dhe të rajonit në vitet e errëta të konflikteve të paparashikueshme.
Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në bashkëpunim të plotë me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, të angazhohemi për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Një falënderim të posaçëm e kam edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian për përkrahjen e tyre për Republikën e Kosovës në të gjithë hapat e saj, sepse kjo përkrahje është shumë e rëndësishme për ne, që të zgjidhim problemet që i kemi tani por poashtu, të zgjidhim edhe problemet me të cilat do të ballafaqohemi edhe në të ardhmen në ndërtimin e institucioneve tona dhe në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike.Faleminderit!
AAK: Rasti Haradinaj dhe treni, janë pjesë e të njejtit skenar
PRISHTINË, 14 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dërgoi sot këtë deklaratë:Ngjarja me Trenin, është provokim i radhës dhe përpjekje për destabilizim të situatës në Kosovë! Provokimet e njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Kosovës, janë rezultat i politikës nënshtruese të Qeverisë së Kosovës dhe qasjes së gabuar në bisedimet me Beogradin! Reagimi i Qeverisë për këtë ngjarje ka qenë tepër i vonuar. Dy sulme të njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Kosovës,brenda një kohe të shkurtër, fletarresti ndaj Haradinajt dhe “show me Trenin”, janë pjesë e të njejtit skenar që për qëllim ka destabilizimin e Kosovës dhe cënimin e lirisë së saj!Kjo fushatë incidentesh e provokimesh të hapura të Serbisë ndaj Kosovës, duhet të marrë fund menjëherë dhe hapi i parë i Qeverisë së Kosovës, duhet të jetë ndalja e menjëhershme e bisedimeve me Serbinë dhe krijimi i strategjisë së përballjes me sulmet, tashmë të hapura të Serbisë kundër Kosovës!
Policia e Kosovës: Informacion lidhur me veprimet policore në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinje të Mitrovicës/
Prishtinë, 14 janar 2017/
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës (RKS), ka ndërmarr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit operacional, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme, në rastin konkret për parandalimin e qarkullimit të trenit ilegal për në territorin e Republikës së Kosovës.
Referuar situatës së krijuar rreth qarkullimit të trenit, ka pasur deklarime dhe publikime të informacioneve të ndryshme në portalet dhe mediumet serbe, se është vendosur mjet shpërthyes (është minuar hekurudha) në territorin e RKS-se, ku për këtë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante policore duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka ndërmarrë veprimet e saja me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së.
Policia e Kosovës demanton fuqishëm të gjitha deklarimet e zyrtarëve politik serb dhe mediumet serbe, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese.
PK-ja falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës, që nuk kanë rënë pre e dezinformacioneve të ndryshme lidhur me këtë rast, duke treguar pjekuri dhe maturi qytetare.
Me respekt,
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë -Prishtinë