Ekipi ynë përfaqësues ka barazuar ndaj një seleksioni amatorësh nga Italia në stadiumin “Besa”.
Në kampin italian bënin pjesë futbollistë nga ekipe thuajse të panjohura si Macerateze, San Donato, Portotorres, Vis Pezaro, Carateze, Recione Calcio e tjera. Të besuarit e Strakoshës, sidomos në pjesën e dytë, kanë ushtruar mjaft presion. Madje, kanë humbur edhe një 11-mettërsh në minutën e 76-të kur Ymeraj çoi topin mbi traversë.
Pjesa e parë Ka qenë një pjesë e parë kryesisht e dobët, me të dyja skuadrat që gabonin shpesh në pasime. Përfaqësuesja jonë me gjithë dëshirën e madhe nuk pati qartësi dhe loja kryesisht u zhvillua në mesfushë. Sulmuesit tanë, si Ymeraliaj edhe Ymeraj, e patën të vështirë të çanin murin e mbrojtjes mike, që u kujdes më shumë të mos pësonte. Madje, në minutën e 30-të Ymeraj ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi dhe vetëm mjeshtëria e portierit shtatlartë italian, Marani, e evitoi golin, kur grushtoi në goditje këndi. Ndërsa miqtë u dukën mjaft të pafuqishëm për të rrezikuar portën tonë, ku nuk munguan edhe gabime të tyre elementare. Ra në sy loja mjaft elegante dhe e sigurt e mbrojtësit Bruno Lulaj, i cili tregoi pjekuri e shkathtësi pothuaj në të gjitha ndërhyrjet.
Pjesa e dytë: Në këtë pjesë trajneri Strakosha aktivizoi mesfushorin Enis Gavazaj, i cili i dha të tjera ngjyra takimit. Kësisoj, sulmet e Shqipërisë ishin më të qarta dhe Gavazaj s’e kishte të vështirë të kalonte mbrojtësit e të fuste në zonë mjaft topa. Tjetër grintë shfaqi edhe Ymeraj, që duket u lirua taktikisht me futjen e Gavazajt dhe goditi 3 herë portën mike. Madje në minutën e 67- të ka qenë një ekzekutim prefekt i një goditjeje dënimi me dy pasime ku Gavazaj goditi, por portieri mik evitoi golin. Duhet të vinte minuta e 76-të, kur pas krosimit të Gavazajt, Sallaku bukur brenda zonës dhe dy mbrojtës e penguan me faull dhe gjyqtari Jemini akordoi 11-metërsh. Ekzekutimin e mori përsipër Ymeraj, i cili goditi mbi shtyllë duke humbur kështu rastin më ideal të takimit. Deri në fund vazhdoi dyluftimi mes repartit tonë ofensiv e mbrojtjes mike, por që nuk u konkretizua me gol.
Formacionet:
SHQIPËRIA: Strakosha, Meksi, Lulaj, Marku, Syku, Hoxhallari, Maksutaj, Qose, Ymeraliaj, Ymeraj, Gjini (U aktivizuan: Çaka, Bardhi, A.Sallaku, Gavazaj, Sallaku, Prendi) Trajner: F. Strakosha
ITALIA: Marani, Bini, Cauz, Saba, Tuzi, Carminuci, Attili, Torelli, Marrone, Ladu, Galelli. (U aktiviziuan: Edhe Berti, Bensaja, Audino, Aprille, Casula, M.Talamo) Trajner: V.Malerba