• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË 10-VJETORIN E LINDJES 10 VJECARJA PROMOVON LIBRIN E TRETE

December 9, 2017 by dgreca

Nga Prof.Murat Gecaj/1 SiboraSibora e M.Gecaj (Tiranë, 8 dhjetor 2017)3.Pamje nga salla...

1.Kam qenë shpesh herë i pranishëm në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, ku janë organizuar përurime të botmeve të ndryshme.
Pothuajse në asnjë rast, ajo nuk më është dukur aq e vogël, sa paraditën e sotme. Jo vetëm karriget e saj, por dhe mjediset anësore ishin tejmbushur me të ftuar.
Ndokush, natyrshëm, mund të pyesë: “Pse, çfarë kishte ndodhur?” Në pamjen e jashtme, asgjë e jashtëzakonshme. Ndërsa, kur e mëson, se mikpritësja e tërë atyre të ftuarëve ishte një vajzë 10-vjeçare, autore e tre librave poetikë, me emrin Sibora Huda, atëherë e kupton domethënien e asaj, që shkrova më lart.

1.Sibora Huda,Muze,8.12.2017

Me atë buzëqeshje engjëllore dhe e veshur aq hijshëm, ajo kishte zënë derën e
hyrjes në sallë dhe ua jepte dorën e i falënderonte të gjithë, për ardhjen. Po kështu,
veproi dhe me mua, që Siborën e takoja për herë të parë. Ndërsa vetëm kishim
shkëmbyer mesazhe përmes Fb dhe ia dinim mirë njëri-tjetrit të dhënat jetësore, si
dhe krijmtarinë e botimet. Sapo më pa, ajo m’u hodh në qafë e m’u drejtua: “Mirë
se erdhe, xhaxhi Murat! Ja, kjo është mami dhe ai babi im…”. Në fytyrat e të dyve
lexoheshin qartë gëzimi e lumturia e natyrshme: Vajza e tyre kishte dy festa së
bashku, pra 10-vjetorin e lindjes dhe do të përuronte librin e ri me poezi, “Ky

shi…” Duke parë numrin e shumtë të pjesëmarrësve në këto dy ngjarje, si e zënë
ngusht, mami i Siborës u shpreh, me buzën në gaz: “Nuk e parashikonim kështu,
se do të kishim gjetur një sallë më të madhe!?”
I ulur pranë një grupi vajzash e djemësh, bashkëmoshatarë e bashkënxënës të
Siborës, në klasën e 4-të A, të shkollën 9-vjeçare “Ali Demi” të Tiranës, i shihja se
si ata i kishin mbushur plot duart e tyre më buqeta lulesh shumëngjyrëshe e me
dhurata simbolike. Prisnin me padurim, që t’ia jepnin të gjitha mikes së tyre të
rrallë e, tashmë, e njohur në fushën e letrave, Sibora Hudës. Nuk e di se përse, por
mendoja që, ashtu, a nuk do t’i shkonte më bukur emri “Silule…”(ha,ha).
Po, ndërmjet pjesëmarrësve në ato dy festa, ishin edhe poetë e shkrimtarë të
moshave të ndryshme, punonjës të arsimit, kulturës e artit, si dhe nga media e
shkruar e ajo elektronike etj.

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…
2.
Koha e fillimit të festave kushtuar Siborës, nuk vonoi. Disa veta zunë vend
përpara, siç është bërë praktikë e njohur. I pari e mori mikrofonin në dorë Agim
Xheka, duke kryer detyrën e moderatorit të kësaj veprimtarie të bukur. Tërë shend
e verë, gjithnjë duke buzëqeshur, me sy vezullues e duke përshdeetur me dorë të
ftuarit në sallë, pranë tij rrinte Sibora. Ajo mezi dukej nga buqetat e shumta të
luleve, që e kishin mbushur tavolinën e tyre. Agimi nuk u zgjat në fjalën e tij, por
tha se kishte kënaqësi t’ia plotësonte dëshirën vogëlushes poete dhe, me atë zërin e
tij kumbues, recitoi një poezi të saj.
Pas tij, përshëndeti krijuesi e botuesi i mirënjohur Pandeli Koçi ose, ndryshe,
“Sazan Goliku”. As ai nuk i shpëtoi “sëmundjes”, që i përfshiu adhe folësit tjerë,
në vazhdim. Pasi nënvizoi, se krijimet e Siborës janë “brumë” i mirë, jo vetëm për
lexuesit e vegjël e të mëdhenj, por dhe për studiuesit e kritikët e letërsisë, lexoi
poezi të kësaj autoreje të vogël, që janë botuar në librin e tretë të saj, “Ky shi…”.
Tërë sallës i dhanë gjallëri edhe folësit e recituesit e tjerë, si: Klara Kodra, Xhelal
Luca, Marilena Shena, Ali Hasani… Pranë kisha dy shoqe të klasës së

Siborës,_Tea Alhasa e Sofia Qirko. Ato dolën në podiumin përpara dhe jo recituan
poezi të Siborës, por sikur cicëruan, me zërin e tyre të ëmbël. Prandaj
pjesëmarrësit duartrokitën aq shumë.

Kapakët e tre librave poetikë, me autore Sibora Huda…
Duke “thyer rregullat” e për të shpejuar, sepse e dija që, kur të mbyllej kjo
ceremoni, do të shkonin shumë veta për të marrë nënshkrimin, unë i vura përpara
Siborës, një kopje të librit të saj të ri. Ajo shkroi aty këto fjalë: “Për Xhaxhi
Muratin! Tiranë, 8 dhjetor 2017”.
Në mbllje të këtyre dy festave, pra të ditëlindjes e përurimit të librit të tretë poetik,
edhe Sibora Huda tha përsëri pak fjalë, mes gëzimit dhe emocioneve të natyrshme
të saj. Nërkaq, drejt tavolinës, ku ajo tashmë ishte ngritur në këmbë, vërshuan
fëmijë e të rritur, për ta përqafuar e përgëzuar atë, nxehtësisht.
…Çaste të bukura kaluan të ftuarit, në këtë festë mbresëlënëse edhe në koktejin e
shtuar nga familja, me këtë rast. Si gjatë veprimtarisë në sallë dhe aty, me Siborën
ata bënë shumë fotografi e filmime, që janë një kujtim i paharruar, për të gjithë
pjesëmarrësit.
Tiranë, 8 dhjetor 2017

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, promovon librin e trete, vogelushja 10 vjecare

DIANA ZHITI DHE MBIJETESA E ËNDRRAVE…

September 9, 2017 by dgreca

Bisedë me autoren Diana Zhiti, për librin e parë të saj, “Ëndërr ishte…”/

2.Ballinat e librit...Nga Prof. Murat Gecaj/

1.Në fillim të kësaj Bisede të përbashkët, mike Diana, për të cilën të falënderoj, duam të dimë: Cila është vendlindja juaj? Po shkollimin  fillestar, ku e kreve?

1.Diana Zhiti-bust

-Kam lindur në Plug të rrethit të Lushnjës, në vitin 1960. Më pas, jetuam në Dushk dhe, në vitin 1967, u transferuam, familjarisht, në Grabjan, të po këtij rrethi. Aty kreva arsimin tetëvjeçar.

2.Si e përjetove dhe përballove  përbuzjen e nënçmimin, në regjimin e kaluar, kur jetonit në Lushnjë?

-Im Atë, gjate këtyre viteve, nga arsimi kaloi agronom, sepse ishte shkolluar edhe për këtë degë, por dhe ekonomist. Mami punonte  edukatore kopshti. Në kohën, kur ne fëmijët mbaruam tetëvjeçaren, filluan goditjet e luftës së klasave.Prindërit i larguan nga detyrat e mëparshme dhe i dërguan direkt në punët bujqësore. Ndërsa ne, femijeve, nuk na u dha e drejta e studimit!? Jetonim nën presion  fizik, psikologjik etj. Që në moshë të mitur e kuptoja dallimn, që na bëhej.Por ne fëmijët dinim, aq sa duhej të dinim. Të tjerat i mësuam gjatë jetës…

3.Kur keni emigruar jashtë Shqipërisë dhe si u përshtatët me jetën e re atje?

-Në vitin 1991, u larguam në emigracion, në Greqi, me të dy fëmijët. Atje iu përkushtuam punës, shkollimit të fëmijëve. Sigurisht, e patëm vështirësi me gjuhën, por dhe këtë e kaluam shpejt. U përshtatëm me vendin e njerëzit dhe iu kushtuam vazhdimësisë, me korrektësinë e normave morale e shoqëërore, që gjetëm atje.

4.A të ka pëlqyer të lexosh libra letrarë? Po, kur ke nisur të shkruash, poezi ose prozë? A të kujtohen krijimet e para?

-Krijimet e para i kam filluar që në moshë të vogël. Kur vazhdoja shkollën fillore e më pas atë tetëvjeçare, hartimet e mia lexoheshin në vitin tjetër, po pa e treguar emrin tim! Libri ka qenë për mua gjithnjë ushqim shpirtëror. Tërë kohën krijoja në mendjen time. Po, realisht, nisa të shkruaja mbas vitit 2016, kjo dhe për mungesë kohe.

5.Ku jetoni tani  dhe cila është përbërja juaj familjare? Fëmijët, a i kanë ndjekur shkollat dhe në cilët profile?

–Jetojmë në Anglli, prej dy vjetësh. Kam dy fëmijë.  Vajza jeton ende në Greqi dhe prej saj kam dy mbesa, si yje, të cilat ma kënaqin shpirtin dhe më frymëzojnë, që të shkruaj më bukur. Kurse djali vazhdoi shkollën e lartë, në Angli, me bursë. Ia doli mbanë me focat e tij dhe ushtron profesionin e aktorit e regjisorit dhe jep mësim, për këto degë të artit.

6.Tani, le të flasim, sigurisht shkurt, për librin tënd të parë poetik, që është dhe arsyeja kryesore e kësaj Bisede…Kur ke nisur t’i  shkruash këto poezi dhe a ke publikuar prej tyre, në shtyp ose në rrjetet sociale?

–Siç thashë më lart, fillova të shkruaja në vitin 2016. Në gazetën “Intervista” janë botuar disa poezi të mijat. Sot jetojmë në botën elektronike, ndaj  herë pas herë i  publikoj krjimet e mia në Fb. Përsëri vazhdoj të shkruaj. Si qytetare e këtij vendi, në poezitë e mia, kam shprehur mendimet e shqetësimet e mia për traditat, historinë, të kaluarën e afërt. Në ato flitet edhe për marrëdhëniet shoqërore, ka lirika të ndryshme etj.

Si temë kryesore të poezive të mia, veçoj mbijetimin e ëndrrave. Jetoj prej 26 vitesh në emigrim dhe gjithnjë jam me  mendje, zemër e shpirt në Atdheun tim.  Më dhimbset, sepse zhvillimi po vjen me ritme të ngadalta, me të meta themeltare, të cilat janë të dukshme. Por, megjithatë, le të shpresojmë për një të ardhme më të mirë, për brezat e ardhshëm.

7.A do të  shkruash e të botosh edhe në vazhdimësi?

– Po,  nuk do  të pushoj së shkruari dhe, sigurisht, së botuari!…

8.Me cilin ke bashkëpunuar ose të ka ndihmuar, në përgatitjen dhe botimin e këtij libri të parë poetik, “Ëndër ishte…”?

–Redaktimin e librit tim e ka bërë Bledi Ylli, korrektimin  Eltona Lakuriqi. Ndërsa është përgatitur e shtypur në SHB “Ada”, me Roland Lushin, të cilët i përshëndes dhe i falënderoj, për zellin e dëshmuar dhe punën profesionale, që kanë bërë!

9.Por dhe Hyrjen e librit tënd e ka shkruar Bledi Ylli…Cilën pjesë të saj ke dëshirë ta nënvizosh këtu?

–Me që më pyesni, po veçoj këto mendime të tij, për të cilat i jam mirënjohese:

“Poetja Diana Zhiti vjen në botën e poezisë,  përpara lexuesit, me një grumbull ëndrrash shpirtërore. Unë e quaj poete, sepse për ditë të tëra kisha fatin të punoja mbi shkrimet e saj. Vargu i Dianës ka një shenjë të gdhendur thellë, nga dora e saj. Kjo e bën atë unike në mënyrën e të shkruarit. Pra, poezia e Dianës ka fituar «unin» personal, që duhet të ketë çdo autor, që i shërben artit të fjalës. Ky vëllim, që nga titulli, vërteton një enigmë. Një botë pafund ëndrrash shpirtërore të autores, por dhe, njëkohësisht, shumëllojshmëri kuptimesh. Çdo kush mund të supozojë diçka…”.

10.A ke ndonjë mendim tjetër, që dëshiron ta shtosh në mbyllje të kësaj Bisede?Ndër të tjera, që dhe se ndodhesh, këto ditë, në qytetin e bukur të Durrësit?

–Sa herë kthehem në Shqipëri, sikur ripërtërihem, mbushem me ndjenja të bukura, që më frymëzojnë. Valët e Detit Adriatik, sikur më përkundin në ëndrrat e së shkuarës së vendit tim dhe më japin shpresa, për një jetë më të mirë…

Së fundi, ishte kënaqësi, që e zhvilluam bashkë këtë Bisedë të shkurtër…Gjej rastin t’i përshëndes të gjithë krijuesit e lexuasit tanë, sidomos femrat tona, poete e shkrimtare, artiste e veprimtare shoqërore!

Tiranë-Durrës, 9 shtator 2017

Filed Under: Interviste Tagged With: DIANA ZHITI DHE, MBIJETESA E ËNDRRAVE…, Murat Gecaj

Bisedë me krijuesen Anjeza Dielli, në Oslo të Norvegjisë

April 10, 2017 by dgreca

unnamed (1)

“SHKRUAJ POEZI, SEPSE KAM NEVOJË TË SHPREHI NDJENJAT E MIA, POR DHE PËRJETOJ KËNAQËSI SHPIRTËRORE…”/

          unnamed

Shkruan: Prof. Murat Gecaj/

 1.Përshëndetje, mike Anjeza dhe shpreh kënaqësinë, që po e zhvillojmë, bashkë, këtë bisedë të shkurtër…Së pari, cilat janë kujtimet nga fëmijëria, me prindërit tu dhe pastaj nga shkollimi etj.?

-Ju falënderoj për kohën dhe hapësirën, që më jepni, me këtë bisedë, profesor Murati! Mund të them që çdo gjë, e cila më kujtohet nga femijëria ime, është shumë e bukur. Ndoshta, ato përjetime të vegjëlisë, njeriu  i kujton më lehtë, me nostalgji dhe e më bukur, nga sa kanë qenë në realitet. Por unë isha një fëmijë me fat. Jam rritur shumë mirë e me dashuri të pakufizuar nga prindërit, por dhe e rrethuar nga gjyshërit, prej të cilëve ruaj kujtime të paharruara.

Një gjë shumë të bukur dhe të veçantë, që mbaj mend nga mosha e fëmijërisë sime, në Pojan të  Korçës, është ardhja e pranverës, kur çelnin lulet shumëngjyrëshe. Kishim një oborr të madh e aty mami im vendoste një govatë me ujë, që të ngrohej nga dielli. Në më të mirën e rasteve, uji bëhej si i vakur, pra pak i ngrohtë. Pastaj, merrte lulet e pemëve (kumblla, dardha dhe çfarëdolloj luleje tjetër, që sapo  kishin çelur) dhe me lante me to! Pra, unë e prisja verën, e larë me ujë dielli dhe lule pemësh, të sapoçelura.

Gjithashtu, kam mjaft kujtime nga gjyshërit dhe gjyshet, se pushimet i kaloja tek ata. Shumë dashuri e shumë ngrohtësi kam në shpirt prej tyre! 

Ndërsa figura kryesore, që mbetet për mua si një pikë reference e gjithë atyre viteve, por dhe në vazhdim, ka qenë dhe është babai im. Ai ka ditur të më flase në heshtje dhe ka ditur të më tregojë dashuri, veç me një shikim dhe një fjalë të vetme.

Me pas, me prindërit e mi dhe dy vëllezërit, emigruam në qytetin e Selanikut të  Greqisë. Siç dihet, fillimi ka qenë i vështirë për të gjithë. Por, më pas, çdo gjë shkoi mirë. Jeta ime atje, megjithëse në emigracion, mund të them se ka qenë shumë e bukur, plot mbresa e kujtime të paharruara. Mbasi kreva liceun e përgjithshëm, filluan vitet e studimeve në degën e shkencave politike, shoqëruar me veprimtari të ndryshme dhe mbresëëlënëse. Ishte një botë e re, shoqëri e re dhe, ato katër vite, sikur i kam jetuar me një frymë!

Të gjitha këto, që tregova më lart, kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën time. Prandaj dhe më kanë frymëzuar shumë, në tërë krijimtarinë poetike të mëvonshme.

2.Kur jeni vendosur në atë qytet skandinav, pra në Oslo të Norvegjisë dhe çfarë vështirësishë përjetuat, për t’u sistemuar dhe përshtatur: me klimën, njerëzit, punën etj.?

-Kemi katër vite, që jetojmë në Oslo. Siç është e kuptueshme, fillimi ka qenë i vështirë. Ndërsa sistemimi ishte pak më i thjeshtë, për shkak te legjislacionit të këtij shteti demokratik. Po dhe për shkak se ishte hera e dytë,  që ne emigonim në një vend tjetër të huaj.

Ajo, që më pëlqen më tepër, në Norvegji, është natyra magjike dhe mënyra, se si e përjetojnë dhe e shijojnë norvegjezët atë. Si njerëz, janë të sjellshëm me njëri-tjetrin dhe emigrantët, por jo kaq të hapur, sa ne balkanasit.

3.Tashmë, është diçka e bukur të krijosh, sidomos në poezi…Kur të lindi kjo ndjenjë dhe cilat ishin poezitë tua të para, a i kujton dhe a i ke ruajtur ato?

-Poezia, për mua, është diçka që më zbukuron çasstet, kur e shkruaj, në letër ose kompjuter. Pastaj, çfarë është ajo, që mbetet nga ky frymezim, vlen ose jo, këtë nuk mund ta di as mund ta vlersoj unë. Por, ama, e di, se ajo që shkruaj, del thellë nga brenda meje.

Poezitë e para nuk i kam ruajtur,fatkeqësisht! Por mbaj mend që kisha shkruar një poezi për duart e gjyshit tim dhe e kam ruajtur në kujtesën time, si diçka të bukur, që me solli mjaft kënaqësi shpirtërore.

4.Kam parë te profile yt, në Fb, se ke publikuar  tri vëllime poetike…Cilët janë ata, për çfrë flasin dhe me kë bashkëpunove, për botimin e tyre?

-Botimi im i parë ka qenë një vellim me poezi, i botuar nga “Ombra GVG”, Tiranë, me titullin, “Pemët flasin përcart”. Janë poezi, që mësojnë të ecin, që presin të rriten, brenda meje.

Vëllimi i dytë është në gjuhën greke, nga Shtëpia Botuese “Alde”. Ka qenë një bashkpunim shumë i mirë me punonjsit e saj. Më pas, vitin e kaluar, doli në qarkullim libri im i tretë me poezi, nga SHB “Toena”, Tiranë, me titullin në shifra, “77” . Mund të them që rrugëtimi i këtyre librave është shumë i ngadaltë. Po rendesi ka që keta ndodhen në “jetë”…

Poezitë e mia kanë tematika të ndryshme. Kështu, shkruaj për: dashurinë,  natyrën, bukurinë fizike e shpirtërore të njeriut, për kohën dhe hapësirat e saj etj..

5.Ke botuar dhe një novelë, në gjuhën greke…Cila është përmbajtja kryesore e saj?

-Po, siç e përmendët më parë, kam botuar dhe një novelë e cila titullohet   “Pema, në krevatin tim”. Bëhet fjalë për një vajzë, e cila ndihet e vetmuar dhe ndjen që nuk e kupton askush. Ajo gjetur rrugëzgjidhje që të jetojë e mbyllur, në një dhomë. Aty ka një dritare, libra, një krevat dhe në mes të tij, një pemë. Kështu, i jeton stinët dhe kohën: duke fjetur  e duke folur, duke jetuar me një pemë…derisa, një ditë, e gjen dashurinë e shumërkuar.

6.Katër libra nuk janë pak…Po, si janë pritur ata nga lexuesit? A janë përuruar ata dhe a është bërë ndonjë vlerësim ose a është shkruar, në shtyp a internet?

-E përmënda dhe pak më lart, se librat shkojnë drejt lexuesit me hapa shumë të ngadaltë… më ngadalë se një breshkë(ha,ha,ha). Këtë gjë, besoj, e keni vërejtur edhe ju, në Shqipëri. Por rëndësi ka që, ndoshta, një ditë do të arrijnë në duart e tij. Unë ndjehem e lumtur, që këta libra janë në ” jetë” dhe, tani për tani, vetëm kjo gjë është e mjaftueshme.

Kujtoj këtu që,  libri me poezi” “77”, u përurua në nëntorin e vitit të kaluar, në kryeqytetin Tiranë, ku isha e pranishme. Sigurisht, u ndjeva mirë, si me pjesëmarrjen e kolegëve, miqëve e dashamirësve të letërsisë, po dhe për fjalët, që u shprehën aty, për krijimet e mia. Prandaj, gjej rastin këtu, që t’i falënderoj të gjithë ata, përzemërsisht! Gjithashtu, Albert Varaj ka botuar në shkrim për krijimtarinë time.

Sa për vlerësime tjera, nuk besoj që ka patur. Sepse, kur botohen kaq shumë libra, është normale që librat e mi të jenë veç një “pike uji”,  në oqeanin e gjithë librave, që publikohen!

Disa poezi të miat publikohen në faqet e Internetit “Dritarja online”, me Azem Osmanin dhe te portali atunispoetry.com, me Agron Shelen, në Belgjikë, të cilët i  falënderoj!

7.Thamë më lart, se jeni larguar tash sa vjet nga vendlindja, familjarisht…Si e përjetoni këtë fakt, pra emgraconin dhe si i mbani lidhjet tuaja me Shqipërinë?

-Besoj se të gjithë, që janë larguar nga Shqipëria, kanë nostalgji dhe duan të këthehen, ndoshta, një ditë. Edhe unë e mendoj të njëjtën gjë… Pra, ëndërroj që të kthehem përsëri, në Atdheun tim…

Lidhjet me Shqipërinë i kemi shumë të forta, pra të pandërprera. Kështu, vijmë çdo vit atje, informohemi përmes TV dhe lexojmë përditë, çfarë ndodh aty. Shohim kohën dhe, kur vërejmë ndryshimin me Oslon, do dëshironim që të ishim aty, për pak… diell!( ha,ha,ha).

8.Po i kthehemi edhe një herë temës së krijimitarisë poetike…Kam venë re se ti vazhdon të shkruash poezi dhe të publikosh, sidomos në Internet. Kur parashikon ta botosh librin e radhës, me ato ose poezi tjera të reja?

 -Krijoj pandërprerje,  se vërej që ka diçka brenda meje, që fillon e jeton, kur e shkruaj dhe e nxjerr jashtë vetes…Shkruaj poezi, sepse e kam nevojë të shprehi ndjenjat e mia, por dhe përjetoj kënaqësi shpirtërore. Mund të përmendi këtu ndonjë poezi, që kam krijuar kohët e fundit, si: “Zbres, në buzët e tua”, “Jemi meteor dhe qiellin e kemi në sy”, “Me frymën e ditës” ose “Gjymtyrët u pagëzuan”…Por besoj që kam shumë rrugë, ende për të bërë brenda meje dhe për të zbuluar poezi të tjera…Pra, nuk e di, se kur do vijë në ” jetë” libri tjetër. Por, si zakonisht, them që dy vjet ose, më saktë, një herë në dy vjet është kohë e mire dhe e mjaftueshme, për t’u “fermentuar” poezitë…(ha,ha).

9.Në bisedat e zhvilluara me krijuesit, jorrallë, ndodhë që mbetet diçka pa u thënë…Po ti, a mos ke “harruar” ndonjë gjë (ha,ha) dhe dëshiron ta shprehësh tani, në mbyllje të bashkëbisedimit tonë?

-Nuk kam diçka të veçantë, që të shtoj…Veç, ju falënderoj, prof. Murati,  për kohën dhe mundësinë e zhvllimit të kësaj bisede!

-Edhe unë, të falënderoj përzemërsisht, mike poete Anjeza Dielli,  për përgjigjet tua korrekte dhe ju uroj çdo gjë të bukur, që dëshironi, si për veten dhe familjen tuaj të nderuar…Po kështu, për të ardhmen, dëshiroj e shpresoj, që të keshë krijimtari poetike, sa më të bukur dhe të pëlqyer nga lexuesit!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Bisedë me krijuesen Anjeza Dielli, Murat Gecaj, në Oslo të Norvegjisë

DITËT DIBRANE NË TIRANË

April 10, 2017 by dgreca


1 dibranet
Nga: Prof.Murat Gecaj/

2 diber         1.Kishte disa ditë, që drejtoresha e kulturës, në Bashkinë e Dibrës, Zamira Gjeleshi lajmëroi se, në kryeqytetin tonë, do të ishin “Ditët e Dibrës”, në datat 8 e 9 prill 2017. Si vendi më i përshtatshëm, ishte zgjedhur “Pazari i Ri”, tashmë me një pamje më të bukur e më funksionale. Për veprimtaritë e larmishme dhe të bukura, që priteshin të organizoheshin aty, më lajmëroi Lindita Titka-Pasholli, mbesa e edukatores së paharruar dhe të talentuar të vajzave dibrane, Nazmie Pasholli-“Mësuese e merituar”. Prandaj, së bashku, ne shkuam atje dhe i ndoqëm, disa nga ato.

Sapo u futëm në anën e majtë të atij mjedisi të këndshëm, përpara na dolën dhjetëra dibranë, që i kishin sistemuar aq bukur, punimet e artizanatit, por dhe prodhimet bujqësore e blegtorale. Ato do t’i tregtonin për banorët kryeqytetas. Hijeshinë e tërë atij mjedisi të veçantë, ia shtonin vogëlushët dhe djemtë e vajzat e asaj krahine, të veshur me rroba shumëngjyrëshe popullore. Në mesin e tyre, instumentistë të talentuar u binin veglave popullore të atyre anëve. Kështu, vërtet, ata të krijonin kënaqësinë dhe ndjesinë e një feste të bukur.

Pak më tej, në ballë të sheshit, ishte një podium i posaçëm dhe i zbukuruar. Aty u ngjitën, me shpejtësi, këngëtarë e instrumentistë popullorë. Sakaq, sheshi shpërtheu në duartrokitje, kur këngët e tyre shoqëroheshin nga daullja, gajdia e çiftelia dhe instrumentë të tjerë të njohur, nga krahina e Dibrës e më gjerë.

Tërë këtë manifestim masiv, ndër të tjerët, po e shoqëronin edhe disa djem e vajza, gjithashtu me rroba të bukura popullore, të cilët ishin ulur rreth një sofre të stërmadhe. Ashtu, ata imitonin festat e gëzimet popullore të tyre, me shishet e pijeve dhe mezet përpara. Për të shprehur nostalgjinë e tij për vendlindjen, bashkë me ta, pra këmbëkryq e duke venë një qeleshe në kokë, zuri vend edhe diplomati shumë i njohur i karrierës dhe mik i kahershëm i imi, Sulejman Tomçini. Po, kështu, duke e imiuar atë, të njëjtën gjë  bëra dhe unë. Sigurisht, në të dyja rastet, bashkë me festarët nga Dibra, ne bëmë  fotografi, të cilat janë kujtim i rrallë për ne.

2.

Pasditja e djeshme e kësaj feste së dibranëve në kryeqytetin tonë, të cilët ia shtuan gjallërinë atij, për dy ditë radhazi, kishte të veçantën e saj. Ajo i kushtohej mësueses dhe edukatores së paharruar të vajzave të krahinës së Dibrës, Nazmie Pashollit, nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me titullin e lartë, “Mësuese e merituar” dhe tri femrave të njohura të atyre anëve: Atletes Luiza Gega-kampione e Ballkanit, të resë Ambra Meda e Suela Lalës, arsimtare dhe veprimtare  e njohur për të drejtat e njeriut.

Moderatore dhe drejtuese e tërë kësaj ceremonie ishte gazetarja Luna D.Methasani. Pata kënaqësinë dhe nderin që, i pari, t’i përshëndesja të pranishmit në shesh, me detyrën shoqërore sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Pastaj, përfaqësueses së Bashkisë Dibër, Z.Gjeleshi, i dorëzova dhuratë, librin tim të ri, “Kur flasin zemrat…”.Në faqet e tij kam shkruar, me nderim e mirënjohje edhe për veprimtaren e shquar të arsimit kombëtar shqiptar, Nazmie Pasholli.

Në vazhdim, e mori fjalën mbesa e saj, Lindita Titka-Pasholli. Ndër  të tjera, ajo tha: “Fatmirësisht, me modesti më duhet të pranoj se edhe familja ime, më saktë, të parët e mi, kanë dhënë sadopak ndihmesën e tyre në trashgiminë historike-kulturore dhe arsimore, të krahinës e mbarë vendit tonë. Këtë gjë e dëshmon dhe vlerësimi i lartë, që ju po i bëni gjyshes sime, nga babai, Nazmie Pasholli. Ajo, tashmë, ka hyrë në historikun e arsimit dibran, mësuese e parë e shkollës së vajzave të Peshkopisë, çelur në vitin 1924. Ndërsa më pas ajo shërbeu me përkushtim, në Trebisht e Homesh…”.

Në mbarim të fjalës së Linditës, e cila u duartrokit nxehtësisht, iu dorëzua “Mirënjohja”, që  ka dhënë Bashkia e qytetit të Dibrës. Në motivacionin përkatës, thuhet:”Nazmie Pashollit (pas vdekjes): Për kontributin dhe mbështetjen e pakursyer, në projektin për përparimin; misionare për integrimin, mbrojtjen e interesave të gruas shqiptare dhe promovimin e vlerave të Dibrës”.

Plot emocione u shoqërua nga të pranishmit, poezia e recituar nga Ilda Muka dhe që i kushtohej kësaj mësueseje veterane e të paharruar. Një poezi të bukur recitoi edhe Flavia Goleci. Pas tyre, u dëgjuan fjalët prekëse të vajzës Ambra Meda. Siç është e njohur, ajo u shpëtua nga kthetrat e vdekjes, në saje të mbështetjes së gjerë popullore shqiptare, me një operacion të rrallë, në Mynih të Gjermanisë dhe tani e gëzon jetën, si gjithë moshataret e tjera.

…Kur po largoheshim nga kjo ceremoni mjaft mbresëlënëse, unë e Lindita dhe dibranja e Universitetit të Arteve, Ateri Sakiqi, të “ngarkuar” plot me mbresa të bukura, vëreja me kujdes stërmbesën e Nazmie Pashollit, Sara Titkën, e cila na shoqëroi në tërë atë veprimtari. Ajo e mbante shtërnguar fort, ndër duar, atë “Mirënjohje”, që sot iu dha stërgjyshes së saj. Është pikërisht ajo vajzë shqiptare, e cila në vitin 2004 shkëmbeu letra me Presidentin e Amerikës, Xhorxh Bush. Atëherë, jetuan atje disa kohë, familjarisht. Sa mirë e domethënse është, kur breznitë e reja duan t’i njohin traditat dhe historitë e paraardhësve dhe të mësojnë e të përfitojnë, sa më shumë, prej tyre!

Tiranë, 9 prill 2017

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ditet e Dibres, Murat Gecaj, ne Tirane

NDAHET NGA JETA AKADEMIKU ALFRED UÇI, “KALORES I SKENDERBEUT”

October 26, 2016 by dgreca

2-alfred-uci

AKADEMIKU ALFRED UÇI, PERSONALITET I SHQUAR I ARSIMIT, KULTURËS DHE  SHKENCËS  MBARËKOMBËTARE SHQIPTARE/

1-alfred-uciNga: Prof.Murat Gecaj/

Sot, më 26 tetor 2016, përmes TV u njoftua se u nda përgjithnjë nga jeta, Akademiku Alfred Uçi (Korçë,15 dhjetor 1930-Tiranë,26 tetor 2016), personalitet i shquar i arsimit, kulturës dhe shkencës mbarëkombëtare shqiptare. Përveç njohjes së kahershme dhe takimeve të pashkëputura me të, sidomos në vitet e fundit, së bashku me prof.A.Uçin, kemi qenë në udhëtimet e bëra në Shkup (10 tetor 2012), Prishtinë(23 nëntor 2012) e Ulqin(8 mars 2013) dhe, së fundi, në Pogradec(11 maj 2013). Atje dërguam dhuratë librin e tij, kushtuar Petro Nini Luarasit dhe morëm pjesë në veprimtaritë e bukura dhe mbresëlënëse, që u organizuan, me atë rast. Kudo ai u prit me  nderim e respekt të veçantë, për përkushtimin e dëshmuar ndaj Atdheut e popullit, për ndihmesën e pakursyer në edukimin dhe mësimin e brezit tonë të ri dhe për veprat e shumta e plot vlera, që ai ka shkruar dhe që zenë një  vend të merituar në letrat shqipe.

Për ta kujtuar sadopak jetën dhe veprën shumëplanëshe të Akademikut të njohur Alfred Uçi, më poshtë po ripublikoj një shkrim modest, të cilin e pata shkruar, me rstin e organizimit të ceremonisë festive për 80-vjetorin e ditëlindjes së tij. Ndërsa tani marrim pjesë në hidhërimin e madh për  ndarjen e tij nga jeta dhe i dërgojmë ngushëllimet më të sinqerta: bashkëshortes Rozeta, dy vajzave e familjarëve të tjerë, si dhe kolegëve e miqëve të tij të shumtë. 

Të paharruara qofshin jeta dhe veprimtaria pedagogjike e shkencore, kulturore e botuese etj., të prof.Alfred Uçit-Akademik!

Tiranë, 26 tetor 2016

1.

Prof. Alfred Uçi feston 80 vjetorin e lindjes…Një jetë e mbushur me mësime e studime: të mesmet në Korçë, Tiranë e Shkodër dhe të lartat për estetikë e filozofi, në Universitetin “Lomonosov” të Moskës , më 1949-1954. Detyrën e pedagogut e nisi në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Pastaj, me krijimin e Univesitetit të pare shqiptar, dha lëndët e estetikës e të filozofisë, në disa fakultete të tij. Në vitin 1970, iu dha titulli “Profesor” e më pas “Akademik”, kur u krijua Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese: drejtor i Institutit të Kulturës Popullore (1979-1987) dhe kryetar i Komitetit të Kulturëse e Arteve (1987-1990). Për meritat e tij, në vitin 2005, u nderua nga Presidenti i Republikës, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Gjatë jetës së tij, përveç veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare në Tiranë, ka marrë pjesë dhe ka referuar në kongrese, konferenca e simpoziume shkencore jashtë vendit, si në Sofje, Athinë, Ankara, Beograd, Prishtinë, Vjenë, Itali, Suedi, Francë etj. Ka shkruar një numër të madh artikujsh, referatesh e kumtesash me tematikë nga fusha e filozofisë, sociologjisë, estetikës, etnografisë, folkloristikës, kritikës letrare etj.

Duke përgjithësuar përvojën e punës dhe të kërkimeve të veta, prof.A.Uçi ka shkruar e botuar mjaft libra. Ndër ta, përmendim: “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976 e 1980), “Labirintet e modernizmit (1978), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kultures” (1986),”Estetika” – Vëllimi I, II, III (vitet 1987-1988), “Shekspiri në botën shqipare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Ferrparajsa Danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, në Athinë, 1998), “Grotesku kadarean”(1999), “Estetika e groteskut – Teoria dhe historia” (2001), “Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe” (2001), “Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike e politike” (2001), “Estetika e groteskut”-në tre vëllime dhe libri i ri i tij është “Filozofia e donkishotizmit”.
2.

Pra, prof.Alfred Uçi kishte se çfarë të tregonte dhe të dëshmonte para familjarëve, kolegëve, ish-studentëve të panumërt, miqëve e dashamirëve të jetës, në festimin e 80-vjetorit të ditëlindjes. Ishin të pranishëm: akademikë e profesorë, personalitete të jetës politike e shoqërore, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë.  Gjithashtu, merrnin pjese, në këtë ceremoni: ish-Presidentët e Shqipërisë, prof.Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, kryetari i Akademisë së Shkencave Gudar Beqiraj e zv.i tij MuzaferKorkuti, këshilltari i Kryeministrit Nerinan Ceka e të tjerë. Ata kishin ardhur së bashku, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, për ta uruar e përgëzuar për jetën e tij të begatë e të përkushtuar, në fushat e arsimit, kultures dhe shkencës sonë mbarëkombëtare. Me fjalën e tij me peshë, studimete  botimet e  shumta, ai është bërë një personalitet i njohur, si brenda dhe jashtë vendit tonë.

Veprimtarinë e mësipërme e hapi dhe e drejtoi Erion Kristo. Ndërsa vetë prof.Uçi i përshëndeti dhe i falënderoi nga zemra pjesëmarrësit për nderin, që i bënë dhe u ndal shkurt rreth disa pikëpamjeve të tij në studimet dhe botimet e ndryshme, sidomos në fushën e estetikës dhe filizofisë së jetës. Duke u shprehur me modesti, ai nënvizoi se çdo gjë e ka bërë në shërbim të popullit e Atdheut, brezit të ri të vendit tonë.

Me plot emocione, e përshëndeti prof.Uçin, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, koleg e bashkëkrahinas i tij. Në vazhdimësi, për aspekte të jetës, veprimtarisë dhe botimeve folën, me radhë, kolegë e ish-studentë të tij: Moikom Zeqo, Gjergj Simoni, Josif  Papagjoni e Zyhdi Dervishi. Kryetari i Shoqatës “Devolli” i dorëzoi atij dëshminë “Krenaria e Shoqatës Devolli” dhe propozoi që prof.Alfred Uçit, personalitet i shquar shumëplanësh, t’i jepet edhe titulli më i lartë, “Nderi i Kombit”.

Gjatë kësaj veprimtarie u shfaq një dokumentar televiziv, i cili fliste, me gojën e vetë prof. Uçit, për jetën dhe veprimtarinë e tij të pasur,, në mjaft fusha të jetës. Gjithashtu, u recituan pjesë të ndryshme, që lidheshin me aspekte të veçanta të krijimtarisë së tij mjaft të pasur. Mjedisin festiv e bënë më të gëzueshëm recitimet dhe buqetat me lule të freskëta, që i dhuruan atij nipër e mbesa dhe i uruan nga zemrat e tyre të vogla, jetëgjatësi e lumturi.

Gjithashtu, në këtë festë të gëzuar u njoftua se  miq e dashamirë të A.Uçit, nga brenda e jashtë vendit, e kanë uruar atë me mesazhe të ngrohta, me rastin e kësaj ngjarjeje të shënuar, si nga Shqipëria, Kosova, Kalabria, Amerika e tjerë. Në këtë veprimtari festive, u tha se atij i kishte dërguar një mesazh urimi, kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë.

Në mbyllje, pjesëmarrësit i kaluan disa çaste së bashku, në koktejin e organizuar me këtë rast,nga familja dhe bënë mjaft fotografi, të cilat do të mbeten kujtim i paharruar për të gjithë (Tiranë, 15 dhjetor 2010)

Filed Under: Komente Tagged With: Alfred Uci, Murat Gecaj, nderroi jete

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT