
Dr. Lulzim Nika/
Nëntori është muaji që na bashkon rreth historisë, gjuhës, flamurit dhe sakrificës. Ai na kujton rrugëtimin e gjatë të popullit shqiptar dhe përpjekjet e brezave për liri, pavarësi e dinjitet kombëtar.
Rruga e popullit shqiptar drejt lirisë dhe pavarësisë ishte e gjatë dhe e mbushur me sakrifica ndër breza. Shtetet e Lidhjes Ballkanike, të mbështetura nga Rusia, kundërshtonin krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Falë Lëvizjes sonë Kombëtare dhe vizionarëve të saj, u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Pas shumë përpjekjesh e sakrificash, edhe liria e Kosovës u bë realitet.
22 Nëntor 1908 – Në Manastir përfundoi Kongresi i Manastirit, ku u vendos për njësimin e alfabetit shqip. Ky ishte një hap vendimtar për zhvillimin e gjuhës, arsimit dhe bashkimit kulturor të shqiptarëve.
28 Nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë. Kjo ngjarje u bë simbol i qëndresës dhe i aspiratës për liri. Një vit më vonë, në Kuvendin e Lezhës, princat shqiptarë u bashkuan për t’i bërë ballë pushtimit osman dhe për të mbrojtur trojet e tyre.
28 Nëntor 1912 – Në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar. Në rrethana të vështira, ndërsa trojet shqiptare përballeshin me pushtime dhe dhunë nga ushtritë e shteteve të Lidhjes Ballkanike, populli shqiptar shpalli pavarësinë. Kjo ditë shënoi një kthesë të madhe në historinë e kombit shqiptar.
28 Nëntor 1997 – Në Llaushë të Drenicës, UÇK-ja doli për herë të parë publikisht, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci. Kjo datë mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë kolektive dhe e historisë së luftës për lirinë e Kosovës.
Hamëz Jashari:
“Kjo tokë nuk e duron askënd tjetër, përveç kambës së shqiptarit.”
28 Nëntor 1955 – Në Prekaz lindi Adem Jashari, Komandanti Legjendar i UÇK-së. Emri dhe sakrifica e tij mbeten të lidhura përgjithmonë me qëndresën dhe lirinë e Kosovës.
Këto data na kujtojnë se historia jonë është ndërtuar me përkushtim ndaj gjuhës, dashuri për flamurin dhe sakrificë për liri. Ta ruajmë kujtesën dhe t’ua përcjellim brezave të rinj vlerat që na bashkojnë.
Gëzuar festat e Nëntorit!
Rroftë kombi shqiptar!







