• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DÜSSELDORFI NË ZË TË PROTESTËS: “JO NË EMRIN TIM”

September 27, 2026 by s p

Në Düsseldorf, përballë Landtagut të Nordrhein-Westfalenit, sot u zhvillua një protestë e organizuar nga organizatat e dala nga lufta, me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve që jetojnë, punojnë apo qëndrojnë përkohësisht në Gjermani.

Në qendër të protestës ishte kundërshtimi ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, përmes të cilit ish-pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Protesta e mbajtur në Düsseldorf nuk ishte vetëm një tubim i shprehjes së pakënaqësisë ndaj një vendimi gjyqësor. Ajo ishte, mbi të gjitha, një manifestim i një qëndrimi kolektiv të një pjese të komunitetit shqiptar në Gjermani, i cili kërkoi të shprehë publikisht qëndrimin e vet ndaj mënyrës se si është trajtuar juridikisht dhe historikisht lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jo në emrin tim” – një mesazh që u përsërit në protestë

Para protestuesve foli veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Gani Nuha, i cili në fjalën e tij falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për mbështetjen e protestës së organizuar nga organizatat e dala nga lufta.

Në fjalën e tij, Nuha theksoi se vendimi i gjykatës nuk mund të konsiderohet si një vendim i marrë në emër të popullit të Kosovës. Pikërisht mbi këtë qëndrim u artikulua edhe mesazhi kryesor i protestës:

“Jo në emrin tim.”

Kjo thirrje u përsërit disa herë nga pjesëmarrësit, duke u shndërruar në simbolin kryesor të tubimit.

Nga organizatorët u përmendën me radhë emrat e të dënuarve – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – ndërsa protestuesit iu përgjigjën me të njëjtën thirrje: “Jo në emrin tim.”

Në aspektin simbolik, kjo shprehje përfaqëson një distancim të protestuesve nga pretendimi se një vendim gjyqësor mund të artikulojë automatikisht vullnetin apo qëndrimin e të gjithë popullit të Kosovës.

Drejtësia kërkon prova, jo perceptime

Një nga kërkesat e artikuluara gjatë protestës ishte që vendimmarrja gjyqësore të mbështetet mbi prova dhe argumente të verifikueshme dhe jo mbi perceptime, interpretime politike apo narrativa të kundërshtuara.

Ky është një parim themelor i çdo sistemi demokratik dhe juridik: faji dhe përgjegjësia individuale duhet të përcaktohen mbi bazën e provave dhe procedurave të rregullta gjyqësore.

Pikërisht për këtë arsye, çdo debat publik rreth proceseve gjyqësore duhet të zhvillohet me kujdes, duke respektuar dallimin ndërmjet qëndrimeve politike, kujtesës historike dhe standardeve të drejtësisë.

Për protestuesit në Düsseldorf, çështja nuk lidhet vetëm me individët që ndodhen përballë drejtësisë, por edhe me mënyrën se si interpretohet një periudhë jashtëzakonisht e rëndësishme e historisë së Kosovës.

Për një pjesë të shqiptarëve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet e lidhur ngushtë me përpjekjen për çlirimin e Kosovës dhe me luftën e viteve 1998–1999. Për këtë arsye, çdo proces gjyqësor që prek drejtuesit e saj shihet prej tyre edhe përmes prizmit të kujtesës historike dhe përvojës kolektive.

Protesta si e drejtë demokratike

Një element i rëndësishëm i protestës ishte edhe mënyra e zhvillimit të saj.

Sipas organizatorëve, protesta u mbajt nën mbikëqyrjen e personave përgjegjës për rendin dhe mbarëvajtjen e tubimit. Pavarësisht numrit të konsiderueshëm të pjesëmarrësve dhe natyrës së ndjeshme të temës, protesta përfundoi pa incidente.

Edhe prania e policisë gjermane ishte pjesë e monitorimit të tubimit, pa pasur nevojë për ndërhyrje.

Ky fakt meriton të veçohet, sepse një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga mënyra se si institucionet e saj trajtojnë vendimet e gjykatave, por edhe nga mënyra se si qytetarët dhe komunitetet mund të shprehin mospajtimin e tyre në mënyrë paqësore.

Protesta paqësore është një prej formave themelore të pjesëmarrjes qytetare. Ajo i jep mundësi individëve dhe komuniteteve që të shprehin qëndrimet e tyre publikisht, edhe kur këto qëndrime janë kritike ndaj institucioneve apo vendimeve të tyre.

Diaspora shqiptare dhe kujtesa e Kosovës

Tubimi në Düsseldorf dëshmoi edhe një herë peshën që vazhdon të ketë çështja e Kosovës në mesin e diasporës shqiptare në Gjermani.

Për shumë shqiptarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, lufta e viteve 1998–1999 nuk është një kapitull thjesht historik. Ajo është pjesë e përvojës familjare, shoqërore dhe kombëtare. Për këtë arsye, proceset gjyqësore që lidhen me figura të rëndësishme të asaj periudhe shkaktojnë reagime të fuqishme emocionale dhe politike në komunitet.

Por pikërisht për shkak të rëndësisë së kësaj teme, debati duhet të mbetet i civilizuar dhe i mbështetur në argumente.

Është e mundur që një shoqëri të kërkojë drejtësi dhe, në të njëjtën kohë, të mbrojë kujtesën e saj historike. Është po ashtu e mundur që një vendim gjyqësor të kundërshtohet publikisht pa u cenuar parimi i shtetit të së drejtës.

Në këtë kuptim, mesazhi i protestës së Düsseldorf-it ishte i qartë: pjesëmarrësit kërkuan që zëri i tyre të dëgjohet dhe që vendimi gjyqësor të mos interpretohet si shprehje e vullnetit të tyre.

Një protestë që përfundoi në qetësi

Në fund të tubimit, pjesëmarrësit u shpërndanë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Ky përfundim është domethënës. Përtej dallimeve politike dhe interpretimeve të ndryshme mbi luftën e Kosovës, protestat publike duhet të mbeten hapësira ku qytetarët shprehin qëndrimet e tyre përmes fjalës, argumentit dhe pjesëmarrjes paqësore.

Düsseldorfi sot ishte dëshmi e kësaj forme të shprehjes qytetare.

Mesazhi që u përcoll nga protestuesit ishte i përmbledhur në tri fjalë:

“Jo në emrin tim.”

Një fjali e shkurtër, por me peshë të madhe simbolike për ata që e përdorën atë.

Në fund të fundit, drejtësia dhe historia nuk duhet të përplasen si koncepte, por duhet të dialogojnë përmes fakteve, provave, dokumenteve dhe kujtesës së përgjegjshme. Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të ndërtohet një debat i denjë për një shoqëri demokratike dhe për një popull që ende vazhdon të përballet me interpretimet e ndryshme të historisë së tij të afërt.

Hilmi N Gashi,

Gjermani

Filed Under: Reportazh

Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

September 25, 2026 by s p

Shqiptarët në vendlindjen e SHBA-ve organizuan një protestë paqësore për të shprehur pakënaqësinë e tyre për dënimin skandaloz të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së

Nga dr. Sadik Elshani

Një luftë për liri dhe një Gjykatë pa drejtësi

Aktgjykimi i padrejtë e skandaloz i Gjykatës Speciale në Hagë, që para pak ditësh i shpalli fajtorë ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ngjallur zemëratën e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë ata, në trojet etnike, si dhe në diasporë. Kryetari i kësaj Gjykate e shpalli aktgjykimin me ironi e sarkazëm, i dënoi ata në emër të popullit të Kosovës. Ish-udhëheqësit e luftës çlirimtare nuk po i dënon populli i Kosovës, por injoranca, arroganca, urrejtja e joprofesionalizmi i një gjykate të papërgjegjshme, të njëanshme e me ngjyrime politike.

Por, shqiptarët po flasin në emrin e tyre dhe në emër të Kosovës, duke e ngritur lart zërin kundër padrejtësisë së kësaj Gjykate, duke shprehur pakënaqësinë, zhgënjimin e tyre për këtë aktgjykim skandaloz, që ua kalon edhe gjykatave të Rusisë, Kinës, madje edhe të gjykatave të Serbisë së Millosheviqit.

Kjo gjykatë, që në themelimin e saj ishte paracaktuar që t’i shpallte fajtorë ata që e udhëhoqën popullin e Kosovës në luftën e pabarabartë për liri e pavarësi, duke e trajtuar këtë përpjekje, këtë sakrificë të popullit tonë si një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. A ka turp më të madh për një gjykatë ndërkombëtare me gjyqtarë perëndimorë që të lëshohet në nivele kaq të mjerueshme?!

Të gjithë e dinë se ishin forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe ato që kryen krime të tmerrshme e të papërshkrueshme mbi popullsinë e pafajshme e të pambrojtur shqiptare. Të gjitha provat e tyre dështuan, njëra pas tjetrës, për t’ia lënë vendin pastaj urrejtjes, paragjykimeve, cinizmit të tyre ndaj shqiptarëve, sikur në Kosovë nuk kishte ndodhur asgjë.

Në Kosovë ka ndodhur gjenocidi, spastrimi etnik dhe janë kryer krime makabre, nga më të rëndat që nga Lufta e Dytë Botërore. (Për vuajtjet shekullore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi mund të shkruhen faqe gjer në pakufi, por nuk po zgjatemi këtu më tepër).

E tani na del një Gjykatë, që fatkeqësisht po quhet edhe Gjykatë e Kosovës, dhe e merr anën e xhelatëve tanë. Sipas gjyqtarëve të kësaj Gjykate, çfarë ka qenë dashur të bënin shqiptarët në ato rrethana të atij gjenocidi? Të rrinin duarkryq e të bënin sehir kur po vriteshin shqiptarët e pafajshëm, anëtarët e familjeve të tyre, po dëboheshin me forcë nga shtëpitë e tyre, kur gratë e vajzat e reja po dhunoheshin e krimi po mbizotëronte në çdo cep të Kosovës?!

Prandaj, shqiptarët, me të drejtë, janë duke protestuar e duke e ngritur zërin lart për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vendimet skandaloze të kësaj gjykate po aq skandaloze, për t’u treguar këtyre gjyqtarëve se vetëm sovrani mund të flasë në emër të Kosovës.

Protestë në qytetin ku fjala liri merr një kuptim të veçantë

E tillë ishte edhe atmosfera në protestën që shqiptarët e organizuan ditën e shtunë, më 19 shtator, në sheshin e Bashkisë së Philadelphias. Sheshi ishte mbushur me plot bashkatdhetarë, jo vetëm nga Philadelphia, por edhe nga qytete e shtete të tjera, Nju Jork, Nju Xhersi, etj. Ata mbanin në duar flamujt kuqezi, flamujt e Kosovës, flamujt amerikanë, flamujt e UÇK-së.

Po ashtu, ata mbanin portretet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit; parullat me mbishkrimet: “Jo në emrin tim”, “Liria ka emër”, “Drejtësi për krerët e UÇK-së”. Jehonin këngët për Epopesë e UÇK-së, Adem Jasharin dhe heronjtë e tjerë të shqiptarisë.

Kjo protestë kishte diçka të veçantë, sepse po mbahej në qytetin ku 250 vite më parë lindi një shtet i ri dhe një epokë e re për njerëzimin, ngjarje që u bë burim frymëzimi për të gjithë popujt që luftojnë për liri e pavarësi, përfshirë edhe popullin shqiptar.

Tubimin e hapi z. Dritan Matraku, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, i cili i përshëndeti dhe i falënderoi bashkatdhetarët për pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë paqësore, për ta ngritur zërin tonë kundër aktgjykimit skandaloz të Gjykatës Speciale dhe për të shprehur përkrahjen tonë të fuqishme për ish-drejtuesit e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Pastaj z. Matraku i bëri një paraqitje të shkurtër të vendimeve të padrejta e të pabaza të kësaj Gjykate, duke theksuar se edhe ne duhet të japim ndihmesën tonë, të ngremë zërin kundër padrejtësisë, por edhe të organizohemi që të sigurojmë një mbrojtje të fuqishme e profesionale në Gjykatën e Apelit.

Në vazhdim, fjalën e morën edhe shumë të pranishëm, zonjat: Elda Gjoni e Elona Çalaj; zotërinjtë: Llazar Vero, Mexhit Koboci, Bujar Çela, Bujar Gjoka, Milot Rukiqi, Sadik Elshani, Leo Osmanollaj, Lumni Shurdhiqi, Eqerem Murataj, Eqerem Muço.

Të pranishmëve iu drejtua edhe miku i shoqatës sonë, z. Astrit Hyskaj, ish-pjesëtar i UÇK-së dhe tani kryetar i veteranëve të UÇK-së në SHBA. Ai kishte udhëtuar nga Nju Jorku vetëm për të marrë pjesë në këtë protestë.

Fjalët e të gjithë folësve të cekur më lart i përshkonte i njëjti motiv e njëjta temë, qëndrime e porosi të njëjta: aktgjykimi i kësaj gjykate është i padrejtë e skandaloz, lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e pastër, dënimi i çlirimtarëve nuk mund të qëndrojë, nuk mund të barazohen viktima e krimineli, nuk mund të përdhoset UÇK-ja, që për popullin tonë është një vlerë kombëtare.

Meqenëse kjo protestë po mbahej në qytetin e Philadelphias, jo fort larg nga vendi ku është shpallur pavarësia e SHBA-ve, z. Elshani, në fjalën e tij, u shpreh pak me ironi se, ndoshta gjykatësit e kësaj Gjykate Speciale do t’i shpallnin fajtorë e do t’i dënonin edhe etërit themelues të SHBA-ve, sepse edhe ata ishin ngritur kundër tiranisë britanike.

Në fund të protestës, pjesëmarrësit miratuan njëzëri këto tri kërkesa:

1. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të miratojë një rezolutë që dënon gjenocidin, krimet dhe spastrimin etnik të kryer nga forcat serbe.

2. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë të mos e njohin vendimin e Gjykatës Speciale lidhur me dënimin e ish-drejtuesve të UÇK-së.

3. Qeveria e Republikës së Kosovës të hapë një llogari të posaçme për mbledhjen e fondeve, të cilat do të përdoren për sigurimin e një mbrojtjeje sa më të mirë, profesionale dhe dinjitoze në procesin e Apelit për ish-drejtuesit e UÇK-së, që padrejtësisht po mbahen në Hagë.

Të gjithë tani sytë i kemi drejtuar te Gjykata e Apelit, por ndërkohë kemi shumë për të bërë që të dalim të suksesshëm: grumbullimin e fondeve, lobim në Kongresin Amerikan dhe shtetet e tjera demokratike, kontakte me politikanë të rëndësishëm, figura të dalluara të skenës politike, publike, kulturës, etj.

Philadelphia, më 22 shtator 2026

Filed Under: Reportazh

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Asamblenë e OKB-së: Amerika në qendër të vëmendjes botërore – Fotoreportazh: Dritan Haxhia

September 23, 2026 by s p

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Asamblenë e OKB-së: Amerika në qendër të vëmendjes botërore – Fotoreportazh: Dritan Haxhia.

Filed Under: Reportazh

Statuja e Mbretëreshës Teuta (231–228 p.K.) vendoset në “Ballkonin Panoramik”, mbi “Rânën e Hèdhun”, në Shëngjin

September 16, 2026 by s p

Paulin Zefi/

Sot inauguruam statujën monumentale të Mbretëreshës Teuta (231–228 p.K.), të vendosur në “Ballkonin Panoramik”, mbi “Rânën e Hèdhun”, në Shëngjin. Kjo vepër monumentale është një dhuratë e çmuar e Fondacionit “Shqipëria Tjetër”, me President Z.Marin Mema, dhe është realizuar nga skulptori Julian Muçollari. Personi që e solli Teutën në Lezhë është Paulin Zefi dhe personi që përzgjodhi vendndodhjen: Pjerin Ndreu. Financimi i statujës është mundësuar nga shqiptarët e zakonshëm🇦🇱, të cilët iu përgjigjën me bujari nismës së Marin Memës për mbledhjen e fondit. Ndërsa, Bashkia Lezhë ka financuar ndërtimin e piedestalit të statujës dhe ka rehabilituar të gjithë hapësirën përreth, duke krijuar një pikë të re identitare, kulturore dhe turistike për Lezhën dhe Shqipërinë Veriperëndimore.

Urojmë që ky projekt madhështor të shërbejë si një shembull frymëzues për të gjitha bashkitë dhe qytetet e tjera shqiptare, për ta pasuruar hapësirën publike me vepra monumentale që nderojnë historinë, kulturën dhe figurat e shquara të parardhësve tanë të lavdishëm, Ilirëve!

Teuta jonë tashmë qëndron me shumë hijeshi mbi “Rânën e Hèdhun”, pranë Rrugës Shëngjin-Velipojë, si një dëshmi e gjallë e kujtesës sonë historike dhe e lidhjes së Lezhës me trashëgiminë e lashtë ilire.

Një kryevepër arti për sot dhe një simbol i jashtëzakonshëm për brezat që do të vijnë

Filed Under: Reportazh

“Beyond the Runway”, kur moda kthehet në forcë, shpresë dhe motivim

September 14, 2026 by s p

Sokol Paja/

Spektakli “Beyond the Runway”, i ideuar nga stilistja shqiptare Lejda Troci dhuroi një emocion shumë të veçantë njerëzor, kulturor e patriotik për bashkatdhetarët shqiptarë në Manhattan, në një spektakël që shkoi përtej modës dhe pasarelës, duke dhënë mesazhe të fuqishëm për gratë që kanë përballuar betejën me kancerin: jeta vazhdon, shpresa mbetet dhe ëndrrat mund të rilindin edhe pas sfidave më të vështira. Nën tingujt e këngës atdhetare “Moj e bukura Arbëri”, mjekë shqiptarë, diplomatë, inxhinierë, studentë, artistë, gazetarë, drejtues organizatash e shoqatash, profesionistë të spikatur, miq e bashkëpunëtorë shqiptarë u bënë pjesë e kësaj ëndrre, duke dëshmuar se solidariteti, dashuria dhe komuniteti mund të shndërrohen në forcë, besim dhe shpresë.

Arti bashkon, promovon dhe forcon komunitetin shqiptar. Çdo veshje e koleksionit të shfaqur në spektakël mbarte një histori personale, një emocion dhe një simbol të forcës, dashurisë, jetës. Punimet me dorë, qëndisjet dhe punimet me grep sollën në pasarelë një pjesë të traditës së lashtë shqiptare, ndërsa ngjyrosja natyrale e pëlhurave me fruta përcjell një trashëgimi të ruajtur nga nënat dhe gjyshet shqiptare. Një prej krijimeve në veshje është dhuruar për Memorial Sloan Kettering Cancer Center, të ardhurat do t’i kushtohen kërkimit shkencor për kancerin e gjirit. Spektakli “Beyond the Runway” erdhi si një dëshmi e vlerave shqiptare, e dashurisë, kujdesit, miqësisë dhe fuqisë që lind kur njerëzit qëndrojnë së bashku në ditë dhe kohë të vështira.

“Beyond the Runway” udhëhequr nga kompania e themeluar nga Lejda Troci “A Tangerine Design” nuk ishte thjesht një spektakël mode; ishte një rrëfim i forcës njerëzore, i një gruaje që e ktheu një betejë të vështirë në frymëzim dhe një ëndërr personale në një mesazh shprese për motrat, nënat dhe vajzat shqiptare. Çdo veshje që u shfaq në sfilatë përmbante një kujtim, një dhimbje, një lot, një buzëqeshje dhe mbi të gjitha, një dritë, një jetë, një shpresë.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 195
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Përkujtojmë në ditën e ndarjes nga jeta, klerikun françeskan dhe albanologun e shquar shqiptar At Shtjefën Gjeçovin
  • Struktura burokratike, partiake dhe korruptive…
  • OSE NDRYSHIM RRËNJËSOR, OSE VALIXHET GATI PËR RRUGËT E BOTËS!
  • GJERGJ ADHAMIDHI, PROFESORI HERRON DHE PRESIDENTI WILSON
  • THE WESTERN BALKANS: WAITING FOR GODOT
  • Atdheu im, ti ke një uri të çuditshme për heronj
  • Dritëro Agolli, fjalimi i tij dhe llogaria që politika shqiptare ende duhet të japë
  • Drita që asnjë fron s’mund ta bëjë të vetin
  • Dioqezat arbërore të Arbënit, Balecit, Budvës, Shasit, Ulqinit dhe Krajës sipas Illyricum Sacrum
  • SHQIPËRIA NUK ËSHTË PRONË E NJË REGJIMI, NDËRSA POLICIA E SHTETIT NUK MUND TË JETË GARDA E TIJ POLITIKE!
  • Kur dhunohet rinia, qan Shqipëria!
  • KOSOVA SOVRANE SI EKSTERRITOR AMERIKAN PËRSA I PËRKET SIGURISË
  • Join AAWO “Motrat Qiriazi,” AAGA, and Psychiatry by Valbona for Mental Wellness and Gut Wellbeing, an afternoon exploring the connection between mind and body
  • Paradoksi i reformës territoriale: Bashki më të mëdha, Shqipëri më e zbrazët
  • ARTIZANATI I STOLISJES ILIRO-ARBËRORE NË EMISIONIN FILATELIK “EUROPA 2025”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT