• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lojërat politike në kurriz të shqiptarëve

August 5, 2021 by s p

Skënder MULLIQI 

Në politikë po rreshtohen ata që po bëhën gjithnjë e më të rrezikshem për shtet dhe për interesa nacionale. Më fjalë dhe veprime në vepër po e pushkatojnë ngadalë të ardhmën tonë. Janë rrështuar në eshalonin e parë , ata që janë duke i futur shqiptarët në telashe të mëdha. Fatkeqësitë nuk janë vetëm natyrore , ato vijnë edhe nga njerëzitë e pa përgjergjshem të politikës. Thirrjët për konflikte dhe revanshizma  të ndërsjella që shumë kohë , mund të  na  sjellin vetëm tragjedi të reja . Arsyetimet së këto veprime  po i bëjnë për të mirën e shtetit, janë të pa argumentuara dhe janë   banale.Kur shënjestrohet para së të shtrohet pyetja për temën e caktuar , kjo nuk i kontribuon të mirës. Nuk është e mjaftueshme besatimi i rremë , nuk është i mjaftueshme betimi në të vertëten , në menqurinë , kulturën, shkollimin , kur punët flasin krejt ndryshe , me keq. Rreshtimi në radhën e parë të pushkatimit medial para të cilit shpesh po gjenden dy shtet tona , kësaj nuk i thonë të bërit politikë ! A janë fajtorë njerëzit e caktuar të politikës , apo jemi fajtorë të gjithë ne?! Sigurishtë fajtor për lëshime dhe gabime të mëdha apo të vogla janë njerëzit e politikës shqiptare , të cilët para interesave përsonale e kan humbur torruan dhe arsyen. Po futën në gjëra të këqija , pa e pyetur sovranin popull, dhe këtë po e bëjnë edhe kur janë në pyetje interesat nacionale.Mos të në shesin dushkë për gogla, së nuk ka më budallenjë në këtë botë që mos ti kuptojnë  manipulmet dhe rrenat e tilla . Shqiptarët në trojët etnike sigurishtrë së nuk i kan merituar  disa nga strukturat e tilla politike .Duhet të pranojë  shumë kush së nuk e meriton të gjenden në rreshtin e parë të politkibërjës shqiptare.Duhet  të largohën nga aty ku gjenden , së i kan vu seriozisht në pëshore interesat e  shteteve shqiptare dhe i kan vu në pëshore edhe interesat e viseve tjera etnike. Nese dikush është ushtruar për manovrime  të tilla  , mos të mëndon së gjithmonë do ti ecë kungulli mbi ujë…!Kemi ardhur në një situatë kur nuk po jemi veq të robnuar politikisht , por po jemi  edhe viktima! Pushoni të na mbani fjalë  së  së jeni njerëz të politikës , kur nuk jeni.

Filed Under: Analiza Tagged With: shqiptaret, Skender Mulliqi

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK

July 13, 2021 by dgreca

KANDIDATI REPUBLIKAN MARKO KEPI FLET PËR DIELLIN E VATRËS/

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK/

SOKOL PAJA – DIELLI/

Marko Kepi, kandidati Republikan për Këshillin Bashkiak të New Yorkut në një intervistë ekskluzive për Diellin e Vatrës deklaron se shqiptarët janë një faktor politik i pa kapërcyeshëm në New York. Ai tregon detaje nga fushata e tij elektorale dhe beteja për zërin shqiptar dhe votën e lirë në Staten Island.
TRANSPARENCA, THEMELI I DEMOKRACISË

Vota e lirë dhe transparenca e votës janë themeli i demokracisë. Unë dhe ekipi im kërkojmë me çdo kusht që nga Komisioni i administrimit dhe numërimit të votave të na ofrojë një proces të rregullt ligjor, të ndershëm, të barabartë dhe të numerohen të gjitha votat. Sot për sot ka një situatë absurde pasi janë bllokuar 370 vota, të gjitha vota shqiptarësh. Është rast i pa precedentë. Ne si ekip dhe shtab elektoral kemi arritur të kontaktojmë me të paktën 330 prej tyre që të firmosin edhe një herë që t’u numërohet vota e tyre. Rezultati është i ngushtë. Votuesit e tjerë shqiptarë dhe mbështetësit tanë janë me pushime dhe angazhime të tjera personale dhe profesionale dhe nuk na mjaftoi afati ligjor 7 ditor për ti marrë të gjitha firmat e tyre me qëllim numërimin e votës së bllokuar. Asnjë Komision, asgjë në këtë botë nuk e ndal transparencën e votës. Ne do ti ndjekim të gjitha rrugët tona ligjore për ta kërkuar fitoren dhe votën tonë.

FUSHATA, NJË ORGANIZIM MODEL

Ne si ekip zhvilluam një fushatë spektakolare. Si kurrë më parë komuniteti shqiptar në zonën time elektorale është përfshirë fuqishëm me qëllim që të ketë zërin e tij në Këshillin Bashkiak të New Yorkut. Unë shpërndava platformën time elektorale dhe mora mendime konstruktive nga gjithë komuniteti votues dhe sidomos ai shqiptar në zonën ku garoj. Dua në veçanti të falenderoj e ti shpreh mirënjohjen time të thellë shqiptarëve fisnikë dibranë që në këtë fushatë më kanë mbështetur pa hezitim. Shqiptarët nga Dibra më kanë lënë mbresa fantastike. Në përgjithësi kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm me të gjithë shqiptarët, ndonëse kurdoherë kërkohet më shumë bashkim e bashkëpunim për të mirën e komunitetit tonë.

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK

Nga viti në vit, nga zgjedhjet në zgjedhje, pesha dhe forca politike e shqiptarëve po rritet. Është një ndjesi fantastike. Pritshmëria është e madhe në këto zgjedhje dhe garat vijuese pasi Republikanët janë forcë politike kryesore në Staten Island dhe kryesojnë bindshëm. Asnjëherë nuk mund ta nënvlerësoj kundërshtarin pasi kjo do shkaktonte vetëkënaqësi dhe neglizhencë. Çdo kundërshtari i duhet dhënë rëndësia dhe hapësira e duhur. Si kurrë më parë në këto zgjedhje, kemi kaq shumë kandidatë shqiptarë. Në këtë fushatë ne si shqiptarë kemi bërë histori sepse është hera e parë që në Staten Island një kandidat fiton kundra makinerisë super të fuqishme të republikanëve dhe thyen zinxhirin e kandidatëve që ata kishin planifikuar me vite me radhë. Shqiptarët janë faktor real.  Tashmë jemi faktor që ndryshon shifrat e fitores për shumë gara në këtë zonë zgjedhore dhe jo vetëm. Duke u rritur pesha po rritet dhe rëndësia e shqiptarëve në skenën politike në New York.

KËRKOHET BASHKIMI I SHQIPTARËVE

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njëri tjetrin si patriotë shqiptarë. Mesazhi Im është që të bashkohemi më shumë se forca jonë do jetë shumë më shumë se sa një politikan garues, por si një komb që futet në garën e fitores. Kemi popullsinë (forcës) për 3 politikanë në këtë zonë. Duhet të krijojmë qendrën tonë Illyria House ku të ruajmë me çdo kusht traditat gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare shqiptare.

BETEJA NË KOMISION TË NUMËRIMIT

Do ta quaja shfaqje komuniste “grabitjen” e të drejtës së numërimit të votës. Ne në këtë betejë kemi treguar forcë dhe qëndrueshmëri. Nuk jemi ndalur as kthyer mbrapsht. Betejën për çdo votë shqiptare do ta zhvillojmë edhe në një kohë kur politikanët shqiptarë që kemi në Nju Jork nuk po na mbështesin sa duhet për të ruajtur votat shqiptare, ndërsa politikanët grekë na sulmuan me në krye Georgia Kontzamanis (Director of operations) në KQZ e Nju Jorkut që akoma vazhdojnë luftën për të mos u numëruar votat e shqiptarëve. Kjo betejë është për shqiptarët mbi të gjitha, jo vetëm për Marko Kepin. Sfida jonë e ardhshme është beteja kundrejtë Demokratit Sal Albanese. Sa më shpejt që të fillojmë punën do të jetë më e lehtë për komunitetin tonë për ta fituar atë betejë politike.  

Filed Under: Emigracion Tagged With: FAKTOR POLITIK, Marko Kepi, shqiptaret, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË TEHUN NAZI-FASHIST

May 9, 2021 by dgreca

76 vjet nga fitorja mbi nazi-fashizmin/ 

SHQIPTARËT NË  TEHUN NAZI-FASHIST/

“Kush ka vuajtur nuk harron” – Ciceroni/

Shkruan: Hazir MEHMETI, Vjenë- DIELLI-USA/

Ngadhënjimi mbi fashizmin në Evropë nuk e ka çrrënjosur atë tërësisht deri në ditët tona. Gjenocidi serb kundër shqiptarëve në shekuj ishte mbi çdo krim tjetër ndaj tyre. Dëshmitë e fundit janë masakrat serbe dhe varret masive deri në Batajnicë si dhe dëbimi masiv i shqiptarëve.

Mathauzen
Kampin e shfarosjes njerëzore Mathauzen,  e kisha lexuar si emër në një skaj flete historie. Më shumë do ishte e kapshme në ndijimin e thjeshtë kallëzimi për “përrallën” e Mathauzenit ku loja e vdekjes ishte përditshmëri. Çuditërisht vdekja i donte të gjithë, dhe ata e donin atë si shpëtim nga tortura e fyerja, përditshmëria e kënaqësisë sadiste e hijeve që zgërdhiheshin me kryqin e thyer në krah. Dhomat e gazit ushqeheshin me mish njeriu nën përcjelljen e flakës me tymin që rrokej qiellit bashkë me shpirtrat në amshim.

       Ky ishte fillimi i mësimit një ditë maji nën pikat e shiut të ftohtë në rreshtin e gjatë kaladredhash të mbushur me flamuj gjithfarë ngjyrash. Delegacionet e vendeve nga e gjithë bota në çdo fillim maji nderojnë viktimat. Të rreshtuara sipas alfabetit, ato nisen qysh nga Shkallët e Vdekjes, dhe vazhdojnë deri tek Sheshi i Apelit (Appellplatz), ku vihen kurorat me radhë. Kosova ishte shteti më i ri në kontinent me flamurin që mbante delegacioni i Ambasadës së Republikës së Kosovës diku nga mesi, kurse Republika e Shqipërisë ndër vendet e para që i printe flamuri kuqezi.

Shqiptarët u gjendën bashkë me gjithë Frontin Antifashist në luftën e cila i shkaktoi dhembje të mëdha njerëzimit. U gjendën përkrah Shteteve të Bashkura të Amerikës, Anglisë dhe forcave të tjera antifashiste. Nga kjo luftë kundër një force e ideologjie antinjerëzore siç ishte fashizmi, duhet të mësojnë brezat e rinj në vazhdimësi si arma më e fuqishme mbrojtëse ndaj çmendurive mbytëse që mund të lindin. “Niemehrfaschismus”- (Kurrë më fashizëm) ishte porosia përcjellëse në kohë.

Hapësirë Emrash
Shqiptarët ishin pjesë e koalicionit antifashist i cili ngadhënjeu në fillim majin e vitit 1945 duke luftuar për lirinë e tyre dhe kombeve të tjera. Shumë prej shqiptarëve u kapën nga nazistët dhe u dërguan në kampe përqendrimi në Batajnicë, Srem dhe prej andej ata që shpëtuan, në Mathauzen dhe Aushvic. Sipas dokumenteve në arkivat e Komitetit të Mathauzenit, nuk dihet saktësisht numri i tyre, mungojnë shënimet e plota ose janë shënime jo të sakta të shkruara gabimisht në gjuhë të tjera të pushtuesve jugosllavë, maqedonas, malazezë, grekë apo italianë. Pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë më 2008, u bënë përpjekje për zbulimin dhe vërtetimin e saktë të të internuarve në kampin e Mathauzenit. Nga shënimet del se shumica e të internuarve janë pjesë e grupeve nga radhët e kombeve të tjera, por në fakt janë shqiptarë. Projekti i shpallur nga Komiteti i Mathauzenit me emrin “RaumderNamen” në vitin 2013, u dha mundësia e bashkëpunimit mes këtij Komuniteti dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës. Ky projekt kishte si qëllim kompletimin e mundshëm me të dhëna të sakta nga të internuarit e kombeve të ndryshme. Ambasada e  Republikës së Kosovës bashkëpunoi me Komitetin e  Mathauzenitnë krijimin e rrethanave dhe mundësive, mbasi kjo i nevojitej Kosovës si shteti i ri, në kërkimet dhe hulumtimet e mundshme për të gjetur individë të internuar nga Kosova në Mathauzen me kampet e tjera përcjellëse: Ebensee, Melk, Gusen dhe dhjetëra të tjerë më pak të ditur.  Meqë kisha shkrime mbi Mathauzenin dhe të internuarit shqiptarë, Komiteti i Mathauzenit më shkroi duke shprehur nevojën që edhe për shqiptarët të kemi mundësi hulumtimi. Nga këto kontakte Ambasada e Republikës së Kosovës më dha autorizimin që ta përfaqësoj në projektin “RaumderNamen”(Hapësira e Emrave) projekt në të cilin punova me kënaqësi megjithëse nuk ishte një punë e lehtë.  Materialet nga Arkivi i Mathauzenit: regjistri, foto, CD dhe pjesë nga shtypi ishin të shumta dhe me paqartësi të mëdha. Mbi dhjetë mijë emra nga regjistri i të burgosurve të ish-Jugosllavisë ku kishte shqiptarë nga viset shqiptare të regjistruar me kombësi të tjera (kryesisht jugosllavë). Ishte një punë e mundimshme, por më dukej e ndershme dhe lavdishme. Çuditërisht u miqësova me emra shqiptarësh që kishin përfunduar në kampet e përqendrimit në Mathauzen dhe degët e tij.  Mbi pesëdhjetë emra shqiptarësh u korrigjuan duke u bazuar në faktet: gjuhësore, vendlindje, rregulla gramatikore të emrave, kontakteve direkte me pasardhësit e tyre, dokumenteve nga Këshilli Nacional Çlirimtar i Kosovës dhe fakte të tjera. Takimet me njërën nga drejtuesit e tyre, zonjën Vahide Hoxha (mësuese) ishin miqësore dhe me shumë vlerë. Dokumentet që mora nga ajo më ndihmuan posaçërisht në gjetjen e emrave të rinj të të internuarve, por edhe në korrigjimet e atyre që kisha nga regjistri i Mathauzenit. Një falënderim me respekt të veçantë shkon për Vahide Hoxhën dhe kryesinë e KNÇK.  Për ta bindur grupin shkencor të Komitetit të Mathauzenit duheshin argumente faktike të përkthyera në gjermanisht dhe shqip. Në gjithë këtë ndërmarrje timen më ndihmuan në çdo moment dhe fjali fëmijët e mi Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani, Mag. Qamile Mehmeti-Bufaj dhe Mag. Kreshnik Mehmeti.  Puna ime u pranua nga Komiteti dhe sot në Librat Përkujtues të emrave të viktimave janë të korrigjuar dhe me nacionalitetin që i takonin, atij shqiptar. Çdo vizitor i Kompleksit Memorial Përkujtues të Viktimave nga Fashizmi mund të gjejë emrat e secilit me shënime të shkurtra biografike. Kompletimi i shënimeve vazhdon gjithnjë. Këtë angazhim e ndihmojnë të gjithë familjarët, shokët apo të tjerët që kanë pasur lidhje me personat e zhdukur në Mathausen. Shqiptarët, sipas dëshmitarëve që e përjetuan Mathauzenin, ishin shumë herë në numër më të lartë se sa numri që dihej aktualisht.        Zbulimi dhe shënimet e sakta janë vlerësim i luftës sonë antifashiste krahas aleatëve amerikanë, anglezë dhe koalicionit të gjerë. Njerëzit tanë ishin të vuajtur vazhdimisht nën shënjestrën e pushtuesve, andaj e kemi detyrim respektin ndaj veprës së tyre. Ata që harrojnë historinë sot, marrëzisht ajo do përsëritet nesër. Ne e provuam shumë herë nëpër shekuj.
Sipas shënimeve nga Mauthauzeni aty gjetën vdekjen 133 shqiptarë nga trevat shqiptare, në mes tyre edhe XhevdetDoda e KozmaNushi, heroj të popullit. Në shenjë përkujtimi ndaj tyre do japim edhe emrat: Abaz Dine, AbazSullaj, Abdulla Tabaku, AdilAlushi, AhmetRamzoti, Alem Tafili, AliAshimi, AliBiduli, Asti Gogoli, Azem Toska, BedriAgalliu, Beg Nushi, Besim Liku, Buharedin Mitarja, CaneÇaçi, CaneRapushi, DalipMeminaj, Demir Bardhi, Dervish Hoxha, DilaverKamberi, DhimitërKonduri, Dhimitër Kulla, EjupKondo, EmanuelHasdurian, Enver Velja, Faik Haruni, FaslliLelaj, Faslli Zoga, FeimMustafaj, Fejzo Toska, FerikBuzi, Fizo Spahiu, Gani Kokli, Gjysh Duraj, HajdarShameti, HajredinKerkova, HakimVeliu, HalilShyri, HamitRoseni, HamitXhyheri, Hamza Laperi, HasanDoci, Hekuran Novruzi, Hysen Shtufi, Ibrahim Skendaj, Ibrahim Xhatufa, Ilo Çomi, Isa Rapushi, IsmailZyma, Isuf Berberi, IsufIbershimi, IzetMema, Jani Kosta, JaniNathanaili, JaniPopa, Jano Maska, Jorgji Ziu, Koro Çoni, KostandinSimaku, Late Bregu, MehmetDauti, MehmetSulo, Mihal Koçi, Mihal Pema, MinellaGogo, MuhamedVelaj, MuhametBino, Muhamet Dine, Muhamet Kabashi, MusaGorishti, Mustafa Kotherja, MustafaZahaj, MyslymNelaj, MystehatMalaj, NaunThanasi, Neim Gjoni, Nexhip Hekurani, NexhipHimçi, NovruzAbazi, Novruz Dine, NovruzHajdini, PandeliDimo, PavlloPapingji, PiroPapalilo, Qazim Çakerri, RamadanNebiu, RamadanRamo, Ramazan Myrto, Rapo Kapllani, RapushÇarçani, RasimHamzaraj, RefatIsmajli, Rexhep Bani, Sabri Habibaj, SadikAsnjoku, Sali Dibra, Sami Karriqi, SelimÇarçani, Senusi Nota, SofokliDhimitriadhi, Stavri Havale, SulejmanCenoimeri, SulejmanDoko, Sulejman Rukja, SulejmanZakja, SuloGorishti, Shefqet Leka, Shefqet Shyti, Sherif Nuredini, Shyqyri Buzi, TaqoDino, Tefik Skilja, Telat Noga, Teme Alushi, ThimioNathanaili, Thoma Kuqali, Vangjel Shkurti, VangjelVasili, Vangjel Xhani, Vasil Dushku, Vasil Gjata, VasilMojsiu, Vehbi Vrashtazi, Xhafer Kodra, Xhafer Skilja, XhaferZera, Xhemal Kasa, XhemalMyhdari, NuredinMemishaj, XhemalShasho, Hajrullah Ramë Hoxha, AbedinAbdula, AbdulaRamis, IbushIdrizi. Katër të fundit janë vërtetuar si shqiptarë nga hulumtimet dhe e shtojnë numrin në regjistrin aktual në 137 persona. Gjenocidi serb
       Derisa vazhdonin deportimet  nga fashistët gjermanë drejtë Batajnicës, Sremit, Mathauzenit e Aushvicit, forcat çetnike-komuniste arrestonin të rinjtë shqiptarë në Kosovë dhe i dërgonin në veri drejtë Banatit e Sremit, kurse në perëndim drejtë Tivarit dhe Triestes, të cilët nuk u kthyen kurrë më. Ky “marshim i vdekjes” bëhej në emër të luftës për liri. Në këtë kohë lufte, shqiptarët u ndodhën mes dy zjarreve; atij fashist dhe atij çetniko-komunist serbo-jugosllav,  i cili  ishte më dinak dhe më shkatërrues për shqiptarët.  Nga forcat serbo-sllave u arrestuan në fund të Luftës së Dytë Botërore mijëra të rinj shqiptarë dhe i deportuan të etur dhe uritur drejt Tivarit. Buzë detit, aty ku ishte Metropoli i Duhanit, brenda një dite u ekzekutuan mbi tre mijë të rinj shqiptarë të rrëmbyer me qëllim ekzekutimi. Ishte kjo pjesë e programit nga memorandumet famëkeqe serbe në vazhdimin e gjenocidit për zhdukjen e shqiptarëve. Këto masakra si pjesë e gjenocidit serb mbeten akoma të pa ndriçuara dhe askush nuk mori përgjegjësi, bile as që u diskutua ndonjëherë seriozisht. Në Kosovën e robëruar nuk e lejonte pushteti i cili ishte autor i këtij krimi, të zbardhej e vërteta, megjithatë,  populli i ruante në shpirtin dhe kujtesën e tij dhe nuk i harroi kurrë. Ai i thurte këngë, tregime dhe përkujtime që nuk vdesin në krenarinë kombëtare. Në Shqipëri diktatura e ndërtuar mbi bazën ideologjike të serbo-sllavëve ishte bashkëfajtore dhe nuk kishte interes ideologjik dhe as fuqi morale. Në luftën e fundit kur shpërtheu egërsia serbe duke tentuar pastrimin etnik të Kosovës të ngjashëm me atë të shekullit nëntëmbëdhjetë e njëzetë kur nga viset shqiptare të Vranjes, Leskocit, Medvegjes, Bujanocit, Preshevës u dëbuan mbi 300 mijë shqiptarë dhe 150 mijë u masakruan. Kjo ndodhi para syve të botës, e njohur si Golgota Shqiptare të cilën e dokumentoi nga afër publicisti e diplomati austriak me rrënjë hebrejeLeoFreundlich në veprën e tij “AlbanischerGolgotha”. Për këtë vepër dhe aktivitetin e autorit akoma shqiptarët nuk nxorën dhe mësuan asgjë, as hartuan ndonjë dokument akuzë kundër Serbisë. LeoFreundlich  e përgatiti dhe parashtroi para mediave të kancelarive të fuqishme botërore dhe gjykatave të asaj kohe si dokument akuzues për gjenocid ndaj një etnie.  Batajnica në Beograd  ku grumbulloheshin e masakroheshin shqiptarët dje, u ripërsërit para syve të Evropës edhe në ditët e sotme. Shteti i Kosovës dhe Evropa demokratike duhet të zbardhin përfundimisht në emër të popullit të Kosovës gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. Viktimat nuk pyesin për demokraci, ato akuzojnë dhe kërkojnë drejtësi. Varri masiv i 762 shqiptareve e shqiptarëve, prej të cilëve 74 fëmijë, në Batajnicë, akuzon dhe është argument i fuqishëm i cili vërteton gjenocidin serb, një nga faktet e shumta se Serbia duhet të denoncohet në gjyqet ndërkombëtare për gjenocid të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Shtetet demokratike duhet ta njohin pa vonuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të pafajshë

Filed Under: ESSE Tagged With: mathauzen, shqiptaret

SHQIPTARET PAS RENIES SE KOMUNIZMIT

April 16, 2021 by dgreca

-Pas rënies së komunizmit, shqiptarët i drejtohen ksenocentrizmit, vlerësojnë modelin shoqëror të popujve të tjerë -/

Shkruan: Eneida Jaçaj-/

Çdo popull karakterizohet nga traditat, zakonet, kultura, gjuha, të cilat përfaqësojnë etalonin dhe modelin unik të një kombi të caktuar. Të vlerësosh kulturën dhe traditat e kombit tënd, të ngresh në altarin e nderit dhe në majën më të lartë të ajsbergut modelin e shoqërisë ku bën pjesë, është njësoj si të duash dhe të vlerësosh “shtëpinë” tënde, me të gjitha objektet dhe njerëzit e dashur që bëjnë pjesë në të. Ajo që të përket ty, në mënyrë koshiente apo subkoshiente, është e prirur të të pëlqejë pavarësisht mesazhit dhe rëndësisë që mbart në vetvete. Në logjikën parësore, një vlerësim i tillë ndaj kulturës vetjake, është normale të ndodhë. Por, jo gjithmonë ndodh kështu, pasi, jo koha, por shoqëritë ndryshojnë mendësinë e tyre sipas situatave të caktuara, pozitive apo negative. 

Në vlerësimin e kulturave të popujve takohen dy ekstreme, dy dukuri shoqërore: Etnocentrizmi dhe Ksenocentrizmi. Etnocentrizmi nënkupton vlerësimin e kulturës dhe gjithçkaje vetjake që e rrethon një popull të caktuar. Këta popuj i shohin me përbuzje dhe injorim popujt e tjerë, pasi besojnë se vlerat dhe traditat, modeli shoqëror qëndron më lart krahasuar me kombet e tjera. Ndërsa ksenocentrizmi është antitezë e etnocentrizmit. Popujt ksenocentrikë kanë prirjen të hiperbolizojnë vlerësimin për kulturat e popujve të tjerë, dhe të nënvlerësojnë kulturën vetjake. Për ta çdo gjë që i rrethon rreth vetes është negative dhe inferiore, krahasuar me kombet e tjera. 

Popujt etnocentrikë

Sipas studimeve që bën sociologjia në fushën e zhvillimeve dhe kulturave shoqërore, zakonisht popujt etnocentrikë janë popuj të izoluar nga bota jashtë; ata refuzojnë të dalin nga guacka dhe të shohin përtej vetvetes, nuk janë të hapur për t’u përshtatur me kulturat e tjera, për të marrë nektarin më të mirë të asaj kulture dhe modeli shoqëror, duke përmirësuar veten. Janë kundër të resë dhe të izoluar ndaj zhvillimeve në botë. Preferojnë të mbyllin veshët dhe sytë, përpara kulturave të tjerave. Në periudhën 45 vjeçare të komunizmit, populli ynë ka qenë një popull etnocentrik, i izoluar komplet nga bota e jashtme, i indoktrinuar nga kulti i individit, nga udhëheqësi-Zot, besonte se kulturat e tjera dhe modelet e shoqërive të tjera në botë nuk ishin të denja, madje se jetonin shumë keq. Këta popuj e konsiderojnë veten një model, që duhet të ndjekin të gjithë popujt e tjerë. Janë bërë studime për popujt etnocentrikë. Sociologu amerikan Ëilliam G. Sumner studioi shfaqjen e etno-centrizmit në mesin e popujve primitivë dhe arriti në përfundimin se pothuajse secili prej këtyre popujve pretendonte një vend të veçantë, duke e “datuar” atë me krijimin e botës. Gjithashtu, sociologu Muriel Herbert ka shkruar se ekziston një fis eskimez, mjaft i izoluar nga rrjedhat e zhvillimit të kulturave botërore me shtrirje të gjerë, që e quan veten “inuit”, dmth njerëz të vërtetë. Por çfarë thonë sociologët shqiptarë për popujt etnocentrikë?

“Ne si shoqëri e varfër, në izolim për më shumë se katër dekada gjatë regjimit komunist, shkëmbimet me kulturat e tjera i kemi pasur tejet të pakta. Dhe kjo prirje etnocentrike dallohej edhe në parrullat e asaj kohe që tregonin mbivlerësimin e shoqërisë së asaj kohe për tiparet e veta kulturore që ishin superiore atyre “borgjeze dhe revizioniste perëndimore”, të cilat i konsideronte si inferiore dhe “të degjeneruara””, thotë sociologia Entela Binjaku, për “Diellin”. Ndërsa aktivistja për të drejtat e grave, Sevim Arbana thotë: “Në periudha të ndryshme të historisë, ne kemi kaluar në ekstrem në fenomenin e etnocentrizmit, si psh në periudhën e diktaturës komuniste, ku mosnjohja, mbyllja , izolimi, na kishin krijuar bindjen që ishim një komb unik në vështrimin e kulturës , historisë. Diktaturat, përgjithësisht kultivojnë një vetëdije të fuqishme, të konsoliduar kombëtare, me doza të forta etnocentrizmi”. 

Popujt ksenocentrikë

Pas rënies së perderes së hekurt të diktaturës, shoqëria jonë u drejtua drejt ksenocentrizmit. Pas një periudhe të gjatë izolimi, populli ynë kishte etje për të parë dhe mësuar gjëra të reja. Kuptoi se ajo çka u ishte thënë në ato vite të gjata izolimi, ishte një gënjeshtër. Shoqëria jonë la pas vlerësimin e lartë për veten dhe u hodh në krahët e kulturave të tjera. Ne kopjuam gjithçka të huaj, ndërsa besimin dhe vlerësimin për veten e minuam. Në ditët e sotme, ksenocentrizmi vjen për shkak të politikave jo të mira për popullin; populli e ka humbur besimin te vetja, te politikanët, dhe beson se e mira do t’u vijë vetëm duke përqafuar kulturen e çdo gjë tjetër të një kombi tjetër. Besimi ka shkuar në pikën 0 saqë shqiptarët kanë lënë vendin e tyre,  dhe janë shndëruar në kopjacë të popujve të tjerë. Të prekësh ekstremet, eksperienca ka treguar se nuk del asgjë e mirë. Shprehja e Aristotelit për mesin e artë, këtu do të gjente vend. Duhet të duam veten, por gjithashtu të jemi të hapur për të pranuar të renë dhe për t’u përmirësuar. Pa dashur veten, nuk mund të duam të tjerët! Ja çfarë thotë Entela Binjaku për këtë fenomen. “Në kushtet e lirisë po shfaqemi më shumë ksenocentrikë: i vendosim emërtime në gjuhë të huaj të subjekteve të ndryshme të sipërmarrjeve tregtare, zgjedhim emra të huaj për pasardhësit, përdorim në mënyrë të pakontrolluar dhe të shtuar fjalë të huaja, kemi prirjen për të respektuar mjaft norma kulturore që janë të huaja etj. Kjo sepse përçmojmë, shpërfillim ose përbuzim elementët tanë kulturorë dhe mbivlerësojmë cdo gjë element nuk është yni. Arsyet për këtë mund t´i kërkojmë tek: mosnjohja, padija, mungesa e informacionit mbi vlerat e kulturës sonë, “agresionit” mediatik që vjen përmes teknologjisë së informacionit të kulturave të shoqërive të mëdha e të zhvilluara dhe nga ana tjetër edhe sepse nevoja për t´i përkitur ose për t´u asociuar me një kulturë të caktuar dhe zbrazëtinë që përjetojmë duke braktisur tonën, ta plotësojmë ose kompensojmë me përqafimin për të huajën, përballja me kulturat e tjera bëri që shumë qytetarë të përjetonin zhgënjim për “madhështinë” dhe “lavdinë” e popullit duke mbivlerësuar kulturat e tjera”. Ndërsa Sevim Arbana thotë: “Ksenocentrizmi mbështetet përkundrazi në një hiperbolizim të kulturës së të tjerëve dhe një nënvlerësim të çdo gjëje autoktone. Këto janë rrjedhojë e politikave qeveritare që nxisin përbuzjen ndaj vlerave vendase, ose ideologjite shtypëse. Për ta ilustruar më mirë këtë fenomen, marrim Shqipërinë e pas’90-ës. Glorifikimi, adhurimi dhe përulja ndaj çdo gjëje të huaj, kish të bënte me mosnjohjen, mbylljen dhe qeverisjen e deriatëhershme. Sot mendoj që shqiptarët janë më realistë në kontekstin e dy qëndrimeve, si ndaj etnocentrizmit, ashtu dhe ndaj ksenocentrizmit”. 

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jaçaj, pas renies se Komunizmit, shqiptaret

SHQIPTARËT KANË NEVOJË PËR PAJTIM KOMBËTAR!….

October 19, 2020 by dgreca

-“TURPI NË RADHËT E TË PATURPSHËMVE-

 -Një libër i ri në anglisht dhe reagimi i Profesor Sami Repishtit ndaj Kryeministrit Rama-

Shkruan: Frank Shkreli-

“Sa për komunizmin, ballist, unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me të, im atë po, ka qenë komunist si shumë të tjerë, dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë…”. Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama në parlament, 30 korrik, 2020.

“Jemi ndarë komunistë e ballistë, që në vitin 1944…” dhe shton, “Është shekulli i mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë…”, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, 24 Shtator, 2020.

Nga ana e tij, deputeti i Ballit Z. Adriatik Alimadhi bllokon foltoren e Kuvendit dhe shanë, Z. Gramoz Ruçin, “komunist i ndyrë”, 24 Shtator, 2020.

Kur njeriu dëgjon deklarata të tilla nga udhëheqsit më të lartë të Republikës së Shqipërisë – Kryeministrit të vendit, Kryetarit të Parlamentit dhe një interlokutori të ashtuquajturës opozitë – të një Shqipërie 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, vend anëtar i NATO-s, aleancë ushtarake që për një gjysëm shekulli mbrojti lirinë dhe demokracinë perëndimore nga hordhitë komuniste sllavo-aziatike dhe të një Shqipërie të shekullit XXI, që të pakën me fjalë aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian – lind pyetja: quo vadis Shqipëri? Kush janë këta njerëz dhe në cilin vend tjetër evropian do të toleroheshin deklarata të tilla në mbështetje të një ideologjie sllavo-aziatike – jo nga ndonjë pseudo-historian nostlagjik i komunizmit – por nga foltorja e parlamentit të një vendi anëtar i NATO-s? 

Këto deklarata janë provokime të rënda ndaj një përqindjeje të madhe të shqiptarëve dhe familjeve të tyre, që për pothuaj 50-vjet kanë vuajtur dhe vuajnë gjithnjë pasojat e tmershme të komunizmit.  Me të thënë të drejtën nuk kisha në plan ta prekja prap këtë subjekt, pasi jam lodhur me nostalgjikët e komunizmit në nivelet më të larta politike të Tiranës, si dhe në radhët e akademikëve, gazetarëve, opinionistëve dhe publicistëve shqiptarë, të të gjitha ngjyrave, të cilët po helmojnë brezin e ri të shqiptarëve.  Por gjithnjë nuk mund të heshtë dhe detyrohem të pyes veten, në cilin vend tjetër ish-komunist të Evropës së NATO-s dhe të Bashkimit Evropian do të toleroheshin deklarata të tilla nga zyrtarët më të lartë të qeverisë e të shtetit nga tempulli i gjoja “demokracisë” shqiptare?

Kam në dorë një libër të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e Bashkuara, titulluar, “Shame Among the Shameless”, ose (“Turpi në Radhët e të Paturpshëmve”, nga autorja e re shqiptaro-amerikane, Monika Koleci.  Në këtë libër, ajo përshkruan historinë tronditëse të zemrës së një familje me nëntë anëtarë nga fshati Fishtë në rrethin e Lezhës në Shqipëri– të familjes së saj të gjerë pra — të cilët u persekutuan ashpër pasi i rezistuan regjimit komunist në fillimet e tij.  Protagonisti kryesor, Vasa, djali i madh i çiftit Toma dhe Lina, pasi mori vesh se regjimi komunist i kishte burgosur prindërit e tij, ai la ushtrinë dhe u bashkua me çetat antikomuniste që vepronin brenda vendit për të rrëxuar regjimin komunist.  Veprimet e tij përshkruhen si heroike, por tepër të dëmshme për familjen e tij, veçanërisht për vëllain e tij Lukën, i cili është torturuar për disa muaj nga regjimi komunist dhe më pas kaloi disa vite në një kamp përqendrimi. Pjesa tjetër e vëllezërve dhe motrave të tij, sipas librit, u dërguan në një kamp internimi.  Gjatë gjithë kësaj kohe, motra e madhe, Çilja, bëri të pamundurën për të mbajtur familjen Koleci, së bashku.  Askush në familje nuk është kursyer nga vuajtjet, sipas tregimit në librin në fjalë.  Etja e antarëve të kësaj familjeje për liri u ndesh me shtypje, tortura, madje edhe vdekje. Vuajtja dhe turpërimi i pamerituar me të cilin janë përballur anëtarët e familjes Koleci, pasqyrojnë vështirësitë e të gjithë shqiptarëve që në atë kohë nuk u pajtuan me atë regjim due të cilët guxuan të ndërmerrnin veprime kundër regjimit komunist shqiptar, në emër të lirisë, demokracisë dhe në mbrojtje të vlerave perëndimore.

Një prej këtyre shqiptarëve që e ka pësuar rendë mos pajtimin e tij me regjimin komunist të Enver Hoxhës është edhe miku dhe kolegu im i dashur Profesor Sami Repishti – njëri prej figurave më të njohura të botës shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve tona si dhe në diasporën e pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot – i cili gjithnjë me shkrimet e tija ende nuk pushon të dëshmojë ferrin e komunizmit shqiptar, bazuar në përvojën dhe vuajtjet e tija personale në burgjet e Enver Hoxhës.

Në një shkrim të ditëve të fundit, duke reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Rama në parlament, se “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e e duhur të historisë”,  Profesor Repishti, në analizën e tij me titull: “Ju lutemi, mos lëndoni plagët tona të hapuna!”, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan rrjeshton disa fakte se pse komunistët dhe komunizmi, në të vërtetë, nuk kanë qenë kurrë në anën e duhur të historisë, siç pretendon Kryeministri Rama.

Në analizën e botuar në potalin e gazetës Dielli të Vatrës në Nju Jork, https://gazetadielli.com/sami-repishti-ju-lutemi-mos-lendoni-plaget-tona-te-hapuna/, Profesor Repishti shkruan se e kundërta është e vërtetë.  Si viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës, Profesor Repishti shkruan se komunistët shqiptarë kanë qenë pjesa më fatkeqe e vendit, trashëgimtarë të krimeve dhe dhunës së pashoqe në Shqipëri.  Prof. Repishti përmend me data disa prej ngjarjeve dhe veprimet fatzeza të udhëhequra nga komunistët gjatë dekadave ndaj kundërshtarëve të tyre, e që sipas tij, kanë sjellë tragjedinë shoqërore dhe izolimin e Shqipërisë, pasojat e të cilës ndihen edhe sot.  Dhe me të drejtë, Profesori ynë i nderuar, i kujton Kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai, ndryshimin thelbësor midis komunistëve që morën pushtetin me dhunë në vitin 1944 dhe ngjarjeve të vitit 1990 që sollën rrëximin e sistemit zyrtar komunist në Shqipëri:  “Për fatin e madh të popullit tonë, (me 1990) rrugët e sheshet e Shqipërisë nuk u mbuluen me gjak, ashtu siç ngjau me 28 nandor 1944…Na nuk kërkuem varjen në litar të Byrosë Politike”, shkruan Profesor Sami Repishti.

Ky pra është ndryshimi midis komunizmit dhe komunistëve në Shqipëri dhe brezit të shqiptarëve, kundërshtarë të komunizmit, denjësisht të përfaqësuar sot nga Profesor Sami Repishti.  Megjithë vuajtjet e tyre dhe krimet ndaj familjeve të pafajshme shqiptare, siç ishte edhe familja Koleci, vuajtjet dhe mundimet e të cilës pasqyrohen në librin e lartë përmendur, “Turpi në Radhët e të Paturpshëmve”, (Shame Among the Shameless”, të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e Bashkuara – ish-të-përndjekurit e regjimit enverist – megjithë humbjet e tyre të mëdha —  kurrë nuk kanë kërkuar as nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm pajtim kanë kërkuar dhe kërkojnë për shoqërinë shqiptare, sidomos, nga udhëheqsit më të lartë të vendit. Ata presin pajtim kombëtar midis brezave të shqiptarëve –pa dallim ideologjie, feje a krahine — në radhë të parë nga përfaqsuesit e tyre politikë, pasi ata janë përgjegjës për të siguruar unitetin e popullit dhe të kombit, pa dallime.    

Në shkrimin e tij, Profesor Repishti i lutet Kryeministrit Rama, por edhe të tjerëve, në  emër të viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme, “të mos lëndohen plagët tona të hapuna” dhe u kërkon atyre që “Mos harroni se nji kalvar i vërtetë 45-vjeçar ashtë përjetue nga nji popullsi disamilionëshe nën tiraninë e murtajës komuniste.  Mijëra të pushkatuem pa faj, të arrestuem, të torturuem, të gjykuem e të burgosun pa faj, të shpronësuem pa të drejtë, me plotësue dëshirat satanike të udhëheqësve injorantë e maniakë komunistë, ose me plotësue forcën punëtore të nevojitun për projektet e çmenduna”, i kujton ai Kryeministrit.

Më në fund, Profesor Repishti u kujton autoriteteve “ma të nalta që qeverisin vendin tonë”, se në vend të justifikimeve the lavdërimeve të komunizmit — e si përfundim edhe të krimeve të atij sistemi gjakatar — të pakën të ofrojnë “nji fjalë ngushëllimi, nji përkëdhelje për fëmijët pa prindë, për të vejat pa burrë, për prindët pa djalin e pa vajzën, të zhdukun në qelitë e errëta mesjetare të Sigurimit kriminel… e kampe përqendrimi”, shkruan Prof. Repishti dhe përfundon duke kujtuar kalvarin e familjes sës vet:  “Mijëra të tjerë si unë kemi zemrën e thyeme pa shërim! Babai, viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë, viktimë e terrorit nazist; nana, motra e vëllau minorenë, víktima të regjimit komunist të internuem në Berat e Tepelenë…aty ku motra ime 14-vjeçare u detyrue me tërheqë karrocën e bukës për policët në tatëpjetat e rrugës…në vend të kalit.  Unë i arrestuem, i torturuem e i burgosun për dhjetë vjet të gjata sepse deklarova besnikërinë time për demokracinë liberale perëndimore; shtëpinë e zanun nga të huejt … e të tjera! Dëshiroj të veçoj nji rast: ditën e “lirimit” nga burgu, në mbramje, nana plakë, e shqetësueme, më tha: Nuk kemi të holla me ble bukën! Ishte dita e ime e parë në “liri”, përfundon shkrimin e tij Profesor Sami Repishti, në përgjigje të deklaratës së kohëve të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama se, “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e duhur të historisë.”

Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë.  Dëgjoni të urtin Profesor Sami Repishtin i cili ka kaluar 10-vjetë në qelitë e errëta të torturës së regjimit komunist në Shqipëri due gjamën e mijëra viktimave të komunizmit në Shqipëri, para se të bëni deklarata të tilla të papërgjegjëshme dhe të pahijshme për autoritetet e një vendi anëtar të Aleancës së NATO-s. Shprehje të tilla nuk u nderojnë ju para popullit tuaj  dhe Shqipërinë e shekullit XXI, jo se jo, para botës! Tri dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, Më në fund, Kombi shqiptar ka nevojë për një ballafaqim të sinqert me të kaluarën komuniste, ka nevojë për të vërtetën historike dhe, përfundimisht, vendit i nevojitet pajtimi kombëtar midis shqiptarëve. Mjaft me deklarata që nxisin urrejtje midis shqiptarëve!

Frank Shkreli 

*1.          2*.   

1*Vetëm një prej librave të Profesor Sami Repishtit, me tregime nga burgu, kushtuar, “Grues shqiptare, fisnikërisë së kryqëzueme pa faj! Bashkshorteve, nanave, bijave dhe motrave tona, vuejtjet dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmasën e saj ma njerëzore”. Sami Repishti

*2. Libri I autores së re shqiptaro-amerikane, Monika Koleci, “Turpi në Radhët e të Paturpshëmve” (Shame among the Shameless”, kushtuar të parëve të saj, familjes së saj të madhe, gjyshëve, gjysheve dhe stërgjyshëve/eve, të ciclët vuajtën aq shumë nën regjimin komunist, por që sipas saj, me këtë libër, të pakën, vuajtjet e të parëve të saj nuk do të harrohen kurrrë.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, shqiptaret

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 27
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT