• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

28 VJET NGA DALJA E GAZETËS “EGNATIA” NË ATHINË

April 10, 2021 by dgreca

Nga KOLEC P. TRABOINI/

Themelues i “Egnatias”, e para gazetë në gjuhën shqipe në Greqi/

10 prill 1993 – 10 prill 2021-E shpërndamë atë pasdite në sheshin “Omonia” të Athinës, atje ku mblidheshin shqiptarët. Nuk po i besonin syve. Gazetë në gjuhën shqipe. Shtypur në Athinë. Gazeta jonë, e emigrantëve shqiptarë. Ato fytyra të argasura, ato shpirta të tunduar e munduar, të djegur nga malli për pak Shqipëri, u gëzoheshin gërmave shqipe.

Një prej çasteve më emocionante të jetës sime në emigracion.

Ne ishim këtu. Ne nuk kishim humbur. Nuk ishim siç na cilësonin me urrejtje në lajmet, vrasës e hajdutë. Ne kishim një pamje tjetër, atë që i pavdekshmi Aristidh P. Kola do ta citonte në një shkrim në revistën e vet “Arvanon”, “Ana tjetër e medaljes së emigrantëve shqiptarë.” E kjo ishte kultura, dija, vetëdija dhe krenaria kombëtare. 

Ne ishim këtu, larg Atdheut, por nuk kishim humbur.

Dalja e një gazete në shqip, në Greqi, dhe shpërndarja e saj ishte një ngjarje kaq befasuese dhe e papritur në rradhët ë emigracionit shqiptar, saqë shumëkush nuk e besonte se ishte botuar nga vetë emigrantët, dhe aq më tepër, se ishte shtypur në Athinë.

Emigrantët, në faqet e saj lexonin për hallet dhe problemet e tyre dhe e kuptuan se në kushtet e një indiference totale, si të shtetit shqiptar, ashtu dhe të shtetit ku punonin si argatë me gjysëm pagese, tashmë do të kishte një organ që do të fliste në emër të tyre,që do t’u qante hallet, e ku do të lexonin lajme dhe informacione nga Atdheu në gjuhën amtare.

Gazeta “Egnatia” nuk i gënjeu kurrë shpresat e lexuesve të vet se ajo do të bënte një luftë të jashtëzakonshme për të mbrojtur dinjitetin e emigrantit shqiptarë, fytyra e të cilit, nën influencën e propagandës së shfrenuar të masmendias, ishte kthyer në një sinonim të së keqes, dhunës, egërsisë, veseve të liga, pabesisë dhe krimit.

Mjafton të kujtoj se, në të parën natë të Vitit të Ri (1992), që festonim jashtë Atdheut, shqiptarët emigrantë anë e mbanë Greqisë, në vend që të gëzonin që jetonin në një botë të lirë, do të përjetonin një tmerr të padëgjuar kurrë në jetën e tyre. Programet e Televizioneve greke e kishin ndërprerë programin e argëtimit, dhe për pothuajse një orë, do të merreshin me një aksion blic policie në disa fshatra e në lagje të Athinës për të kapur shqiptarët. Kronika jepej direkt nga terreni, madje here pas here shkëputej programi e kthehej sërish, pasi komentatori thoshte “pa të shohim ç’të reja kemi nga aksioni për kapjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptare – alvanos metanastis”. Dukej që çdo gjë ishte e para përgatitur për një gjueti spektakolare raciste antishqiptare.Ishte tronditëse dhe e paimagjinueshme. Ky refren do të vazhdonte, jo me ditë, por me vite, deri në absurditete te të tilla me ngjyra shqiptarofobie e të shpikura nga klika Micotaqi, (të aplikuara me oreks edhe nga Papandreistët pasokxhi),si famëkeqet aksione çnjerëzore në rang kombëtar dhe me emër fyes e përbuzës “Skupa ja ton alvanus” – fshesë për shqiptarët. Këtu duhet gjetur shkaku se përse u prit me aq dashuri e shpresë gazeta” Emigranti – Egnatia”.

Ajo gazetë e vogël modeste me emrin “Emigranti”, që në fillimet e veta u prit me urrejtje nga disa renegatët shqiptarë, që ishin inkuadruar në shoqata antishqiptare vorioepirote,veçmas një shoqatë famëkeqe voriopepirote e himariotëve, e cila arriti deri atje sa, kur e panë që nuk po arrinin ta fusnin nën kontroll gazetën, gjetën rrugën e tradhëtisë duke e spiunuar botuesin në policinë greke, e cila nuk vonoi të trokasë në shtëpinë ku ai banonte duke sjelle frikë tek fëmijët e tij të vegjël që ishin vetëm në shtëpi. Por, pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat, gazeta arriti që me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse të jepte kontribut për të thyer konceptet antishqiptare të masmedias greke, të televizionit dhe gazetave.

Gazeta arriti të rrokë vëmendjen dhe kureshtjen e vëllezërve tanë të një gjaku, arvanitasve anë e mbanë Greqisë, të cilët nisën ta blejnë gazetën me dëshirën që të mësonin e të lexonin shqip. I paharruari Aristidh Kola, studiues e personalitet imadh, ish president i Arvanitasve të Greqisë, gëzohej për çdo perparim apo sukses i emigrantëve shqiptarë që i quante hapur vellezër. Ngrohtësia e përkrahjae tij ishte një stimul i jashtëkonshëm që të mos hiqeshim nga udha që kishim nisur. Gazeta arriti të ketë influencë pozitive edhe në rradhët e shkrimtarëve dhe artistëve greke, shkrimtari Kosta Valeta, aktorja Mimi Dennisi, shkrimtari G.Jiakumis, poetja Leta Kucohera, e plot të tjerë, të cilët e përshëndetën ngrohtësisht veprimtarinë intelektualedhe krijuese të emigrantëve shqiptarë.”Egnatia” mbrojti me këmbëngulje interesat e emigrantëve shqiptarë, që hiqnin të zitë e ullirit nëpër tërë hapësirën greke. Në faqet e saj gjen ngjarje rrënqethëse dhe të rënda që pësonin emigrantët, dukeu bërë kështu një kronikë e gjallë e fateve njerëzore. Ajo ushqeu tek bashkatdhetarët në mërgim dashurinë për Atdheun, nëpërmjet lajmeve e shkrimeve të ndryshme ajo paraqiste gjendjen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Gazeta botonte në faqet e saj edhe materiale në gjuhën greke mbi zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe analiza estatistika nga zhvillimet ekonomike në Bashkimin Europian, ndaj të cilit Shqipëria mbante një qëndrim inspirues me dëshirën për t’u inkuadruar në rradhëte saj. Në faqen e parë, gazeta kishte të vendosur flamurin e Bashkimit Europian me shprehjen “Drejt Europës”. 

Mirënjohje për shkrimtarin që nuk jeton më, Spiro Xhai, qe edhe pse qe minoritar dhe kishte shtetësi greke, na dha një ndihmë të pakursyer për daljen e numurit të parë.

Filed Under: Histori Tagged With: 28 Vjet, Egnatia, Kolec Traboini

Kujtimet e Skënder Luarasit

March 18, 2021 by dgreca

Kujtimet e Skënder Luarasit për travajat e familjes së Sevasti Qiriazi e Kristo Dako/

KRISTO DAKO NJË NGA VEPRIMTARËT E SHQUAR TË PAVARËSISË /

(Pushtimi i shtëpisë se tyre nga çifti Todi dhe Luljeta Konomi- Bozo, si i hoqi ky emrat e Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi nga filmi “Mësonjëtorja” në Kinostudio ku ishte nëndrejtor dhe sekretar Partie)/

NGA KOLEC TRABOINI/

Në kujtimet e tij Skënder Luarasi (19 janar 1900 – 27 janar 1982)  ka shkruar: ”Dergjesha në shtrat nga dhimbjet e veshkave dhe poliartriti kur ime shoqe më lajmoi se kishte ardhur të më takonte Ing. Aleksandër Dako, djali i madh i Sevastisë. (Aleksandër Dako, i biri i Kristos dhe i Sevastisë, i lindur në Manastir më 30 maj 1911, ishte pronar i banesës në rrugën Halim Xhelo, Nr.28, Tiranë, Ajo dikur qe në pronësi të Parashqevisë. Në një banesë tjetër në krah jetonte dhe vajza e tij e vogël , Diana Qiriazi-Hoxha, studente në degën e anglishtes.) “Kisha vite pa e parë. Dukej shumë i vrarë. Më tha se kur ishte ndarë nga gruaja e dytë, e kishin internuar me pa të drejtë dhe shtëpinë ia kishte zënë një zyrtar me rëndësi.” Pas vdekjes së gruas së parë, Aleksandër Dako qe martua me N.L. me të cilën nuk shkonin mirë, kinse ajo kërkonte që ai të mos kishte të bënte me fëmijët e gruas së parë dhe arësye të tjera. Por më vonë rezultoi se shkak i prishjes së çiftit Dako qe shantazhi mbi N.L. dhe nënshtrimi i saj nën presionin e Todi Bozos, motrës së tij dhe shoqes së saj V. L., Sekretare e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. e cila më pas u shkarkua për abuzime me detyrën shtetërore. Më 15 tetor 1975, me akuzat e sajuara të ish- gruas së tij të dytë N.L. Aleksandër Dakon e internuan në Tale të Lezhës. Në janar 1976 në shtëpinë e tij u fut familja e Todi Bozos, e cila pa dijeni të Aleksandrit kishte bërë shtesa banese. Menjëherë pas internimit ai kërkoi verifikimin e çështjes dhe Komisioni Qeveritar ia hoqi masën e dënimit. Kur u kthye në Tiranë më 14.7.1977, mësoi që shtëpinë ia kishte zënë i plotfuqishmi T.D. i cili me marrëveshje private i kishte dhënë ish-bashkëshortes së Aleksandrit një hyrje tjetër 1+1. Në këto kushte Aleksandri jetoi përkohësisht tek djali i tij Robert Dako, Rr.Tefta Tashko,P.22/1,A.1,Tiranë në pritje për t’iu liruar banesa, (në zbatim edhe të Vendimit gjyqësor të formës përfundimtare (Vendimi 249, 15.2.1978 i gjykatës popullore të rrethit, Tiranë) Në vendim shkruhej: ‘’ Rezultoi e provuar se paditësi efektivisht është pa banesë… Në të tilla rrethana vetkuptohet se paditësi Aleksandër Dako ka të drejtë të shkojë në pronën e tij dhe Vendosi: ‘’Detyrimine të paditurit Todi Bozo të lirojë banesën që ka në përdorim pasi t’i sigurohet një sipërfaqe tjetër banimi. Edhe kur iu dërgua vendimi i gjykatës, nënpunësit të strehimit të Komitetit Ekzekutiv, Tiranë me një letër rekomandimi, ai nuk po e zbatonte. Në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe me ligjet e shtetit mbi pronësinë, poseduesi nuk e lironte banesën me pretekst që ‘’kishte shpenzuar’’, duke bërë modifikime, një banjë dhe shtesa të tjera në oborr, pa dijeninë e pronarit.

SKËNDER LUARASI SKËNDER LUARASI, LETËR HYSNI KAPOS,

Tiranë, 15 qershor 1979: Skënder Luarasi kujton se për seriozitetin e çështjes iu drejtua Hysni Kapos ish-nxënësi i tij në Institutin Tregëtar të Vlorës më 1932. Në letër shkruhet: ”Duke përgatitur biografinë e motrave Parashqevi dhe Sevasti Qiriasi, kujtova përkrahjen që i dha e nderuara shoqe Vito Kapo Parashqevisë të ngrihej nga gjendja e mjerë në të cilën njerëz të pandërgjegjshëm e kishin rrëzuar këtë heroinë të arsimit kombëtar. Me këtë rast u njoha me birin e Sevasti Qirias-Dakos, Aleksandër Dakon, birin e patriotit Kristo Dako, dhe mora vesh se në ç’gjendje të mjerë e kanë rrëzuar edhe këtë bir patrioti. Duke dashur të shpreh të mirëfilltën në këtë biografi, u interesova për shkakun e fatkeqësisë së tij. Si qytetar shqiptar u trondita kur pashë se në Republikën Socialiste tonën paska akoma njerës që për të kënaqur lakmitë e tyre, nuk e quajnë për gjë të keqe t’i çkatërrojnë jetën një familje. Aleksandër Dako më dorëzoi përshkrimin si i ndodhi fatkeqësia dhe unë marr guximin që përshkrimin t’jua dërgoj juve tok me këtë letër. Përveç zemërimit që ndjej si qytetar për një padrejtësi të tillë, unë kam arësye të veçantë të interesohem për hallin e familjes Qirias- Dako: në këtë shtëpi mblodha materialin për biografinë në fjalë, dhe këtu dëgjova prej gojës së Parashqevisë fjalët mirënjohëse për ndihmën që i dha shoqja Vito Kapo së ndjerës Parashqevi të ngrejë jetën e lumtur në atë shtëpi…Ju jam drejtuar juve me këtë letër, se jam i bindur që nuk do të lejoni kënd të përçmojë Kushtetutën e Republikës Socialiste të Shqipërisë.” Skënder Luarasi shkruan në kujtimet e tij: ”Ndërkohë që prisja ndonjë përgjigje apo rezultat më zemëroi shumë një ngjarje tjetër. Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio, më kishte kërkuar dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ me skenar rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë, e themeluar më 1891 nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe gjithashtu ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35- vjetorit të çlirimit. Kur u interesova për mbarëvajtjen e xhirimeve të Kinostudios më thanë se dikush kishte ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësoheshin me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Dhe këtë presion e paskish bërë vetë Todi Bozo. Një ditë mësova se Hysni Kapo, i sëmurë, kishte lënë porosi të shikohej kjo çështje por Todi Bozo për shkak të postit të lartë dhe miqve nuk donte ta lironte shtëpinë. Madje më kishte çuar fjalë që ta lija këtë çështje mënjanë për hir të dhëndrit tim Vedatit që ai e kishte farefis. Kur shkova ta takoj, ai ishte ‘’i zënë‘’. Ndaj i shkrova një letër.  

LETËR TODI BOZOS

Tiranë, 26 gusht 1979  I nderuari zoti Todi Bozo, Mbasi nuk më pranuat në një bisedë shoqërore sy në sy, Ju dërgoj këtë letër që të rrëfenj përse kam dashur të piqem me zotërinë tuaj. Kam njohur personalisht Tafil Buletinin për të cilin jam duke përgatitur një broshurë. I përdëllyeri ndër të tjera më pati folur për miqësinë e tij me të ndjerin Llazo Bozo dhe desha që miqt e tij të jenë edhe të mitë. Qysh prej fëminisë sime pata njohur motrat Qiriazi, mësueset e motrës sime Thomaidhë, dhe qenë këto që nëpërmjet sime motre më mësuan të lexoj e të shkruaj gjuhën amtare shqipe. Për këtë arësye kam qenë mirënjohës ndaj atyre dhe do të jem kështu gjer në çastin kur t’i them lamtumirën e fundit atdheut tim të dashur. Nga simpathia që ruaj për Sevasti Qiriazi-Dakon dhe të motrën Parashqevinë, por edhe që të mos më përgënjeshtrohen fjalët e mira të Tafil Buletinit për babanë tuaj, po ju drejtoj këtë letër. Dhe shpresoj të merremi vesh urtë rreth dy çështjeve për të cilat bëhet fjalë: Së pari : Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio kërkoi dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë më 1891. Materialin e përmbledhur po jua dërgoj bashkëngjitur. Ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35-vjetorit të çlirimit. Të Kinostudios më thanë se keni ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësohen me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Lexoni në ‘’Zëri i popullit’’ artikullin e soçëm ‘’Vërtetësia të përshkojë si fill i kuq çdo paraqitje të fakteve historike’’, nga Shefqet Peçi. Së dyti: Me manipulacione të pahishme keni bërë që biri i Sevasti Qiriazi-Dakos të nxirej nga shtëpia dhe fare pa të keq u shtrove vetë në atë vatër. Gjyqi që e kuptoi sjelljen e pahijshme tuajën i dha të drejtën familjes Dako të kthehet në banesën e vet. Porse ju nuk i bindeni vendimit, nuk doni të shkoni në apartamentin shtetëror që kishit më parë. Në vilën Qiriazi-Dako vija shpesh të përshëndetja mësuesen e lavdishme Parashqevi Qiriazi për t’ iu falë nderjes për arsimin që bashkë me Sevastinë u dha motrave tona në kohën e tiranisë otomane, kur jo në shkollë por edhe në letërkëmbim ishte rreptësisht e ndaluar të përdoreshin shkronjat shqipe. Mora guximin t’ju shkruaj këtë letër sepse duhet ta mbrojmë të drejtën e të vërtetën edhe sikur të ndeshemi me personalitete të plotfuqishëm; por juve jua shkruaj edhe për një shkak tjetër. Pozita që mbani dhe prejardhja patriotike – që na ndalon të nxjerrim në Pazar emrat e prindërve tanë të ndritur edhe për gjithë atë llom të dheut që aq fort e lakmon borgjezia – na detyrojnë jo ta shkelni por ta mbroni ligjshmërinë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Për këto arsye jam i bindur që do ta pranoni, dhe do më përkrahni propozimin që kam dashur t’ju bëja po të më kishit pritur në bisedë shoqërore: së pari, filmit ti vihen emrat e plotë, të vërtetë, të heroinave Sevasti e Parashqevi Qiriazi; së dyti: t’ia ktheni të zotit shtëpinë dhe unë mendoj se ajo ndërtesë të caktohet shkollë ose muze për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave  Me përfillje të merituara Skënder Luarasi. Rruga Konferenca e Pezës, Pallati V, Shkalla1/3, Tiranë  

SKËNDER LUARASI LETËR VITO KAPOS,

Tiranë, 1 shtator 1979 Kur dëgjoi se Hysni Kapo ishte i sëmurë rëndë dhe përsëri Todi Bozo rrefuzoi të largohej nga shtëpia, S.Luarasi iu drejtua Vito Kapos, si Presidente e Bashkimit të Grave Shqiptare: “Personalisht, Ju dhe Nefo Myftiu, e shpëtuat Parashqevi Qiriazin nga mjerimi ku e patën shpënë njerës zemërzes. Kur e vizitoja Parashqevinë, më shumë se një herë më shprehu mirënjohjen për gruan e re shqiptare, për të cilën Ju po përpiqeni ta ngrini lart e më lart në shoqërinë tonë socialiste. Jua shkruaj këtë letër Juve, e nderuara shoqja Vito Kapo, nga respekti që kam për punën tuaj në qytetërimin e familjes shqiptare e në mbrojtjen e të drejtave të saj. Bashkëngjitur postoj një artikull ku shpreh atë që di unë për Sevasti Qiriasi- Dakon dhe një letër tjetër ku rrëfej çështjen që desha të zgjidh në mënyrë shoqërore me Todi Bozon. Duke qenë se Todi Bozo s’begenisi të më dëgjonte, Ju a dërgoj Juve, si kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, që t’ia qani hallin familjes së Sevastisë dhe të propozoj që (pasi Todi Bozo të zbrazë shtëpinë e përvetësuar) ajo ndërtesë, ku ka vdekur Parashqevi Qiriazi, të çelet me rastin e 35-vjetorit të çlirimit muze ose shkollë për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave.” Historia e shantazhit të Todi Bozos ndaj gruas së Aleksandër Dakos dhe përvetësimi i shtëpisë së familjes Qiriazi u përhap dhe bëri bujë. Sekretarja e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. me iniciale V. L., e cila kishte manipuliar me dokumentat u shkarkua nga puna për abuzim me detyrën shtetërore dhe Todi Bozo u detyrua ta lirojë banesen. Drejtesia u vu ne vend dhe Aleksandër Dako me familjen e mbylli jetën në vatrën e të parëve duke kujtuar me respekt mirësinë e mikut të vërtetë Skënder Petro Luarasi. Ky shkrim i mësipërm bazohet tek libri i pabotuar i Skënder P. Luarasit, “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar- kujtime” dhe nuk duhet të riprodhohet në asnjë formë pa përmendur burimin.

KUSH ISHTE KRISTO DAKO

Kristo Dako u lind në Korçë më 24 dhjetor 1876, i biri i Anastas Dakos. Më 1887 Dako emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mbaroi shkollën e mesme më 1898, dhe më 1902 Fakultetin e Matematikës. Nga ky vit u u aktivizua në shoqëritë Shpresa dhe Dituria të kryeqytetit rumun. Më pas shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku ndoqi dhe mbaroi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Oberlindit në vitet 1906-1913. Më 1908 u kthye në atdhe dhe më 1909 qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit. Më 1913 u zgjodh president dhe redaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarëshqiptare Vatra më 1913. Dako mori më vonë pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919. Dako është takuar dy herë me presidentin e Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë.Më 1921-1922 qe deputet i Partisë Përparimtare dhe më pas u bë pjesë e “Bashkimit të Shenjtë”. Më 1921 u caktua ministër i Arsimit në qeverinë pakditore të Hasan Prishtinës gjatë krizës së dhjetorit. Më pas u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit. Më 2 tetor 1922 hapet instituti “Kyriaz”, më 11 prill 1925 iu vendos guri i themelit në godinën e re në Kamëz., sot Universiteti Bujqësor i Kamzës. Ndërroi jetë më 16 dhjetor 1941 në Tiranë.

BASHKËSHORTËT SEVASTI QIRIAZI DHE KRISTO DAKO

FUNDI I DHIMBSHËM I  SEVASTI QIRIAZI DAKO

Ne konica.al lexojmë: Prej vitit 1941 do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj. Atë vit vdiq bashkëshorti, patrioti i shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamze. Pas dy vitesh, me 1943, krejt familja u internua në Zemun, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje. Te rraskapitur, Sevastia me motrën e saj Parashqevi, dy djemtë Gjergj dhe Skënder (Aleksandër) dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945. Iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamzë nuk ishte më e tyre. Përdhosja që filloi të mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë Komuniste që kishin uzurpuar godinat e tyre kishin thyer varrin e xhamtë të Kristo Dakos, i kishin shkulur kokën atij dhe me të kishin luajtur futboll…! Mësueseve të para të shqipes iu la si favor që nëse dëshironin të banonin ne kotecin e pulave të shtepise së tyre. Pasi e lyen me gëlqere të bardhe, si zemra e tyre, për pak kohë veteranet jetuan aty derisa u dëbuan edhe prej atje. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë në ish-kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj. Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit, kirurgut që ishte akuzuar për spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën.Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt. Si “armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra Parashqevia, nuset e dy djemve, ish-kuzhinierja Tafaj dhe dy varrëmihës. Ishte 30 gushti i vitit 1949.

Përgatiti K.P. Traboini 18 mars 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Kolec Traboini, Kristo Dako, Kujtimet e Skender luarasit, Qiriazi

TERROR ME KOKËN E GJENERALIT ARIS VELIQUOTIS – Mizori ballkanase

March 6, 2021 by dgreca

– Nga KOLEC P. TRABOINI/

 I shqetësuar nga lajmet e vrasjeve që po ndodhin në mes të shqiptareve, Ati i nderuar Foti Cici,  shtroi pyetjen se pse ndodhin kaq shumë vrasje mizore mes nesh dhe shtoi se kjo gjë nuk vihet re as ndër fqinjët tanë ballkanikë. Mirëpo, megjithëse edhe unë e dënoj këtë fatalitet mes nesh, siç ka bërë edhe im atë në Shkodër në gazetën “Bashkimi” të Ndoc Nikës që në vitin 1910;  “Palok Traboini: Vrasjet tona”  nuk më rezulton se vrasjet ndër shqiptarë janë shoqëruar me përçudnime mizore. Vrasjet ishin plagë  të rënda të një shoqëria të prapambetur, por nuk shpërthenin në mizori. Nuk jemi ne shqiptarët tipikët e barbarizmit primitiv, përkundrazi e kemi pësuar nga barbarizmi thuajse shtazarak i fqinjëve tanë. Dihen vrasjet masive të serbëve ndaj shqiptarëve, madje edhe ndër gra e fëmijë, duke i futur në varre të përbashkëta me qindra njerëz. Shpesh duke dëgjuar shprehjet makabre të gjeneralëve serb që u thonin ushtareve“shqiptarët therini me bajoneta të kursejmë plumbat”; pra jeta e një shqiptarit vlerësohej prej fqinjëve tanë ballkanikë më pak se vlera e një plumbi. Dhe nuk e kam fjalën këtu vetëm për një kohë të shkurtër, por përgjatë një shekulli. Janë dy dëshmi që gjykatat ndërkombëtare do të duhej ti kishin në evidenca si krime kundër njerëzimit shënimet nga fronti i  luftës në Ballkan i oficerit të ri Leon Trocki që ishte dëshmitar okular i krimeve serbe ndaj shqiptarëve, por më kryesor libri i Leo Freundlich: “Albania’s Golgotha: Indictment of the Exterminators of the Albanian People” 1913. Ka edhe personalitete të tjerë që kanë shkruar e shprehur indinjatën për vrasjet masive e masakrat ndaj shqiptarëve si Kosta Novaković, apo edhe se voni nga veprimtarja e të drejtave të njeriut serbja Natasha Kandiç, por përshkrimet e mizorive në historinë tragjike njëqindvjeçare zinin vend deri në gazetën “New York Times” që shkruante për masakra të padëgjuara në Europën e qytetruar. Edhe pse në luftë për të mbrojtur të drejtat e veta, shqiptarët kanë pasur si tipar dinjitetin e jo mizorin. Armikun e vriste, por kurrë nuk e përçudnonte. Edhe Kanuni e kushtëzonte marrësin e gjakut duke i kërkuar respekt për kufomën, kthimin e trupit me fytyrë nga qielli e kurrë të mos e linin përmbys, për më tepër asnjë lloj përçudnimi nuk ishte i pranueshëm, madje kjo konsiderohej e dënueshme nga pleqësia kanunore. Është një fotografi që tregon se si ushtarët serb i hedhin benzinë në trup një të riu 16 vjeçar shqiptar dhe pastaj e djegin të gjallë. E ky barbarizëm në vitin 1999. Therjet me bajoneta ne bark te grave shtatëzanë dhe prerja e kokave të burrave duke i ngulur në hu ka qenë praktikë e zakonshme në masakrimet që u bënin shqiptarëve. Nuk gjeni asnjë shembull që shqiptarët ndaj serbëve të jenë sjellë aq mizorisht.Por le të kalojmë në jug. Mizorinë e fqinjëve të jugut e kemi ndjerë kur janë sulur në trojet tona si hordhi e egër. E kemi ndjerë ende pa u bërë shteti shqiptar. Vrasjen e Papa Kristo Negovanit dhe masakrimi i trupit të tij e të shqiptare të tjerë patriotë është fillimi i masakrave që do të vazhdonin gjysmë shekulli mbi shqiptarët. Kujtojmë priftin tjetër ortodoks, atdhetarin e madh At Stath Melani, të cilin e vranë në pusi dhe i prenë kokën, të cilën në një thes ja dërguar Dhespotit  të  Konicës në Greqi; të njëjtin fat pati edhe At Ballamaçi,  e helmuan Petro Nini Luarasi për ta futur në gropë të gëlqeres. Hormovë, e mjera Hormovë, fshat i kthyer në varrezë. Tërë burrat e fshatit përshkuar nga plumbat e ushtarëve grekë, në shtëpinë tonë, në vatrën tonë, në atdheun tonë, në Shqipërinë tonë martire,  e sot kërkojnë sot fqinjët e jugut ndërtojnë varreza për vrasësit, por jo për viktimat e tyre, shqiptarë e masakruar. A po çpersonalizohemi prej çmendurisë së bastardëve që na drejtojnë si aventurierë dhe i shesin interesat kombëtare.  Kësisoj veprimesh mizore nuk janë njohur ndër shqiptarë, madje grekët e ardhur që kanë jetuar në Shqipëri, kanë qenë në bashkëjetesë të harmonishme me shqiptarët vendas, pa ndjerë asnjë urrejtje nacionale. Shqiptarët nuk u sollën ta zëmë me dropullitët ashtu si grekët në Greqi u sollën me popullsinë e Çamërisë, ku u masakruan me mijëra shqiptarë.  Madje ka dëshmi që burrat i vrisnin në sy të grave e fëmijëve, gratë i përdhunonin, më pas i mbyllnin nëpër shtëpi bashkë me fëmijët dhe u vinin flakën duke i djegur të gjallë. Më thoni ndonjë grek minoritar, apo sllav minoritar ta kenë masakruar shqiptarët nga urrejtja nacionale. Jo nuk ka asnjë rast në histori. Por kush shqiptar ka pasur rastin të jetojë si emigrant në Greqi ka rastisur të dëgjojë histori tmerresh të pa shoqe. Le ti qasemi një rasti që tejkalon çdo logjikë njerëzore; një fermer grek vrau në mënyrë kriminale 4 të rinj shqiptarë që punonin tek ai. Ky tmerr ka ndodhur kur emigrantet shqiptarë i kërkuan hakun e punës, se donin të ktheheshin në vendlindje. Pronari grek i qëlloi me armë, i plagosi e më pas i sharroi të gjallë me sharrë elektrike. Kjo është një mizori që të kujton kohët më të errëta në historinë e njerëzimit. Pak a shumë e njëjta histori me dy emigrantë shqiptarë në Kretë, kur pronari për të mos i paguar paratë e punës një vjeçare, natën u mbylli nga jashtë derën e kasolles ku flinin dy shqiptarët dhe pasi i hodhi një bidon me benzinë, i dogji të gjallë. Dhe për këto raste shkruanin vetë gazetat greke. Ndoshta mund të thuhet se politika i shpëlan trush njerëzit që manipulohen me ide  raciste e urrejtje nacionale. Nuk besoj se kjo është vetëm manipulimi politik dominues i akteve të tilla, megjithëse ndikon e motivon mjaftueshëm. Ka të bëjë me vetë njeriun, kulturën e dijen, mentalitetin, egërsinë e mjedisit ku është rritur dhe pastaj mishërohet në egërsinë që i buron nga shpirti katran, sepse këto ndodhi janë jo vetëm ndaj njerëzve me kombësi tjetër, por edhe brenda të njëjtës bashkësi. Dua të sjell në kujtesë një rast unik i mizorisë historike që ka dalë në pah për publikun vetëm vitet e fundit. Aris Veluqioti, gjenerali EAM-it, luftëtar i madh për çlirimin e Greqisë nga pushtimi nazist, i dorëzoi armët e ushtrisë se vet për të realizuar kështu fundin e luftës që sipas Marrëveshjes së Varkizës, një fshat ky afër Athinës, Greqia të hynte në një periudhe paqeje sociale në kuadrin e një shteti demokratik. Të djathtët e prishën marrëveshjen në pabesi në bashkëpunim të fshehtë me ushtarakët britanikët (në Shqipëri e prishen Mukjen të majtët).  Luftëtarët e EAM-it që kishin dorëzuar armët u vranë në gjumë në kazerma, me mijëra djem e vajza të rinj. Pas kësaj masakre të përgjakshme disa pak besnikë të Gjeneralit Aris Veluqioti që arritën të shpëtonin, morën malet. Të ndjekur këmba këmbës nga formacionet e së djathtës dhe britanikët,  u shpërndanë grupe-grupe për të arritur të mbijetonin. Gjeneral Aris Veluqioti, ky luftëtari i madh,  i mbetur me pak besnikë, mendohet se vrau veten ose ndonjë predhe murtaje e copëtoi. Trupat e djathta greke e gjetën trupin e copëtuar, i prenë kokën dhe e varen me tela në qendrën Trikalles.  E ashtu ndenji mjaft kohë. E fotografuan kokën e Veluqiotit dhe agjutantit të tij  besnik Xhavella (duhet të jetë shqiptar i Greqisë nga Xhavellat e Sulit)  dhe këto foto i mbajtën të fshehur afro 40 vjet. Atë foto e kam nxjerrë nga një film dokumentar grek për fundin tragjik të gjeneralit Aris Veliqioti. Luftëra djathtas majtas janë bërë edhe në Shqipëri, por koka të prera kundërshtarësh politike të varura në mes të qyteteve nuk janë parë. Kjo nuk motivon asnjërën palë për krimet që janë bërë, por të paktën na lehtëson në kuptimin se mizoria e urrejtja deri në shtazëri nuk është tipar i bashkëkombësve tanë, as ndaj njeri-tjetrit dhe as ndaj të huajve. Komunizmi në Shqipëri ka bërë krime të mëdha, madje edhe vrasja masive nga krimineli Mehmet Shehu si në Lushnjë më 1943,  vetë Enver Hoxha ka qenë një njeri me shpirt xhelati,  por edhe në vendet fqinjë që kanë pas sisteme krejt të kundërta, mizoria e barbarizmi nuk ka qenë të pakët, por po aq mizore. Prandaj të mos vetnjollosemi duke thënë vetëm ne,  sepse ekseset në jetën shoqërore ku përfshihen edhe krimet,  nuk përbëjnë tiparin themelor për një kombësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: ARIS VELIQUOTIS, Kolec Traboini, Mizori ballkanase

PËRPJEKJE BIZANTINE TË KARA ARAPËVE PËR TË DEGRADUAR KOL IDROMENON

September 8, 2020 by dgreca

Pamflet nga  Kolec P. Traboini-

-Foto: Motra tone Nga Kole Idromeno-

 Studiuesit bizantolog e zograf Kara Mustafa Arapit i kemi dhënë një përgjigje që e meriton sëra e tij kur u kërlesh të na mbushte mendjen se “Motra Tone” nuk ishte vepër e Kol Idromenos, por e dikujt që fantazonte ky soj Arapi. Menduam se ai u squll, u zgërlaq e këndell diku me pantallona të shkurtra dhe e mbylli squpin me të cilin birbilonte si më e bukura qyqe behari.  Mirëpo e kishim harruar proverbin “Prej arapit pjell arapi- lesh arapi”. Këtë Mustafa Arapin në kauzën e tij denigruese për Kol Idromenon del e mbron një zonjë që pretendon të jetë studiuese, të ketë marrë edhe titullin Dr., një nga 10 mijë tituj të tillë që ka prodhuar deri në skadencë Shqipëria. Aty ku Kara Mustafaj e ka bërë lesh arapi, nis e shtrohet gërhana e Arapes tjetër. Kjo fare studiuese, një vit më parë, më 2 shtator 2019 në faqet e “Gazeta shqiptare” ka shkarrashkru çfarë i ka ardhur ndër mend, por ne e gjetëm vetëm tani vonë e po marrim mundim t’i gjegjemi në emër të gjithë të afërmeve të Kol Idromenos dhe pasardhësve të vajzave të Motrës Tone.   Sulm zulmin e saj kjo Dr. Arapja e ka lëshuar kundër  Kol Idromenos duke i hequr këmishë e pantallona për ta nxjerr picak, si një mjeran i patalentuar, si një qyq që nuk dinte bënte art. Kështu kuptohen këto përpjekje mjerane prej bizantinësh të kara Arapëve. Kjo përpiqet që nga kuzhina e Arapëve të sjellë argumente kinse “shkencore”, se helbete e kanë vendos me detyrë në Ministri të Kulturës për trashëgiminë kulturore dhe patjetër në Akademinë e degraduar të Shkencave që e kanë nën zap ministri i diktaturës Skënder gjeneral Et’hem Gjinushi. Mjerë kultura e kësaj epoke mjerane. Po çfarë mollois kjo Arapja me shkrimin e vet “Disa konsiderata mbi krijimtarinë e Kol Idromenos”? Kjo turr e vrapja kryekreje  i bën dalje atyre që e kritikonin Kara Mustafa Arapin  me këto fjalë:  “…disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre.” A thua se vetë kjo ka mend jo vetëm për kullën e Arapëve, por për tan botën dhe i teprojnë e ngase ka tepër me gazep, i shpenzon ca energji trunore për t’i zbërthyer pantallonat Kol Idromenos. Kësisoj këngë qyqesh ka vjeshta more shqiptarë. Kola i vdekun tashmë nuk mund të flasë. E ata që e mbrojnë me tituj Prof. e Dr.  janë pak. Na ka mbet neve që jemi në lidhje familjare t’i themi ca fjalë jo vetëm Kara Mustafait, por edhe kësaj Arapes tjetër me doktoratë, që gjasat janë të jenë një familje. Punë e tyre. Ajo që na vë në mendime është, pse ky sulm prej urithësh mbi figurën e Kol Idromenos. Përse ky pasion i verbër për të shkatërruar imazhin e një artisti të madh para të cilit përkulej me nderim Odhise Paskali duke e konsideruar artistin më të madh shqiptar. Mirë po është një fjalë e urtë “I zoti e shet, por tellalli nuk e jep”. Kështu kjo tellallja e kulturës mjerane  me titullin doktor lëshohet e shkruan marrëzi pa cak e pa doganë. Kjo arrin deri atje sa merret me nistoret e kaligrafinë e Kol Idromenos. Kjo konfuze arrin deri atje sa të shprehet si profane me titull Dr. “arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.” Dikush mund te thotë se është mendimi i saj. Po është mendimi i saj, por si Kara Mustafai dhe kjo Arapja tjetër janë në një linjë, në një stil, me të njëjtën dorë e të njëjtin qëllim dhe kjo na shtyn të reagojmë e t’i themi si Kara Mustafa Arapit dhe pinjolles së tij “Kadalë beg se ka hendek!”.  Nuk mundeni ju të tjetërsoni portretin “Motra Tone” të Kol Idromenos. Përpjekjet tuaja janë groteske, por të lidhura në aliazh demagogjik kinse po bëni studim të thellë si specialista që na qënkeni. Me çfarë logjike bufi kërkohet të tjetërsohet vepra e një autori të madh si Kol Idromeno me kësisoj paragrafësh ku analizohet firmosja që i ka bërë Idromeno pikturave të veta, sikur ai t’i ketë bërë pikturat në një ditë dhe duhet të jenë rreptësisht të njëjta. Kjo nuk ka në konsideratë se në jetën e tij një artist mund të ketë ngritje dhe ulje të potencialit krijues për shkak të rrethanave në të cilat jeton, apo të tragjedive që përjeton. Çfarë dritë mund t’i jepte Kol Idromeno një  pikture të cilën e punonte në kohën kur i vetmi fëmijë i tij, djali 2-vjeçar Zefi sapo i kishte vdekur. Njerëz që nuk studiojnë jetën e një artisti as mund ta kuptojnë se çfarë ndodhte me ta dhe nuk gjejnë një arsye për ndryshim,  por thonë si profanë se papritur Kol Idromeno artistikisht kishte shterrun, me këtë rast doktoresha Arapi përdor fjalën dekadencë, për të dalë dukshëm e thekshëm si studiuese, de, duke harruar se dekadenca si fjalë ka qenë një rryme artistike para se të hynte në Shqipëri si një zhargon publicistik apo të bisedave të rëndomta “ti je dekadencë e gjallë”. Po aq e ka edhe Dr. Dorina Arapi, më tej se Kara Mustafaj nuk shkon dot. Le të ndjekim logjikën e saj se pse mendon se Nicola Arseni, apo Kol Arsen Idromeno nuk e ka krijuar portretin  “Motra Tone” por e ka bërë ndonjë Kara Mustafa në Venecia. Ja t’ia lemë paksa fjalën doktoreshës Arapi: “…dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”. Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqëndrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove.” E lexuat? E morët vesh. Me këto naivitete analizash të kaligrafisë na mbërrin jo pak, por në mohimin e veprës së Kol Idromenos. Po të shkonte kjo dr. në Rrmaj e ta lexonte këtë farë shkrimi,  përmbys do të ktheheshin eshtrat e Dajës Kolës, se kështu i kemi thënë të gjithë të afërmit kur i referoheshim figurës së tij në biseda familjare. E po të them ty se studiuesi Mikel Prenushi i tha grupit të filmit Kol Idromeno në vitin 1987 se ky skenaristi (dhe u drejtua nga unë), e ka emrin prej Kol Idromenos, ia ka ngjitur Dada Katrinë, vajza e Motres Tone (është dëshmitar operatori Ibrahim Kasapi), me siguri ti si ta lexosh këtë pasazh do të hapësh gojën si bufi në kënetë. Se aq di për jetën e rrethin e Kol Idromenos e jetës së tij.  Ty të mjafton të rrish para një tabloje e të mendosh me skepticizëm bizantin e të shtjellosh terrinë aty ku ka dritë, aq të mjafton, …dhe sa më shpejt sigurisht. Brumbujt nuk rrinë dot pa bërë toptha sa herë shtegut të livadhit kalon ndonjë lopë e lëshon të shkretën bajgë. E atyre lumëmëdhenjëve brumbuj u duhet një stinë për të bërë punën e tyre. Thoni po deshët se bajgat e lopës nuk janë zahiretë e  tyre të dimrit. Për deri sa ata me tituj doktorë që merren me zhvirgjërimin e panteonit tonë të artit e trumbetojnë, e pse jo?!


Filed Under: Analiza Tagged With: Kol Idromeno, Kolec Traboini, Motra Tone

SHPATARAKU I MADH…

June 22, 2020 by dgreca

MËSUESI E GJUHËTARI PETËR ELEZI (1903 – 1979)/

Nga Kolec Traboini/

 Petër Elezi  ishte një nga mësuesit e gjuhës shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë, e vendosur kjo, aty ku kishte qenë më parë Liceu i vjetër Artistik e më pas Muzeu i Shkencave të Natyrës, në rrugën e Kavajës. Në vitin në vazhdim na e hoqën prej andej e na vendosën në Qytetin e Nxënësve, aty ku shumëkush e quante kazermat e Ali Rizait. Kjo e fundit ishte një ndërtesë e madhe me shtrirje lindje perëndim, me pamje nga jugu dhe nga pas kishte kodra të buta. Në vitin e parë të shkollës e kisha parë profesor Petër Elezin, një burrë i vjetër, i shkurtër e babaxhan, por nuk ishte mësues në klasën tonë, u jepte mësime viteve të dyta. Aty kishte nxënëse shkodrane, Esma Musaja, që këndonte bukur këngën “Bishtalecat palë e palë”. Esmaja dhe unë ishim të vetmit nxënës nga Shkodra në atë shkollë.  Për atë nxënëse, profesori i vjetër, që ishte i martuar por nuk kishte fëmijë, kishte konsideratë të veçantë, sa qarkullonin fjalë se Esmanë  shkodrane që këndonte bukur mësuesi dëshironte ta adaptonte si fëmijën e vet, gjë që nuk ndodhi. Më pas një kërkesë të tillë ia kishte bërë edhe nxënësen së klasës sonë Zenepe Çekrezi-Luka, siç shkruan gazetarja e njohur në librin e vet me kujtime “Kjo është jeta ime”. Në vitin e dytë, kur shkolla kaloi në në Qytetin e Nxënësve, rasti e solli  që mësues Pjetri të më jepte disa orë mësimi në lëndën e gjuhës. E kishte zakon që kur bënte apelin i vështronte nxënësit me kujdes, kështu ndodhi dhe me mua. Atij ju duk i çuditshëm mbiemri im, ndaj ndaloi e mu drejtua duke më thënë se ti qenke nga Hoti i Dedë Gjon Lulit. Unë natyrisht u ndjeva mirë e i thashë se atje ka lindur babai im që ka qenë mësues. I bëri përshtypje mesa duket ky fakt dhe që atëherë më fliste  me respekt,  por edhe me një buzëqeshje të çiltër që ishte karakteristike e tij. “Traboin”, më thoshte, “nuk janë topat e Ulqinit po janë djemtë e Traboinit”. Në të vërtetë ishte një mësues i rreptë sa i përket përgatitjes dhe kërkesave mësimore. Nuk ta falte notën. Por as nuk ta hante hakun kurrë. Gjithsesi në sytë e nxënësve ishte i rëndësishëm edhe për faktin se gramatika na dukej e vështirë, kësisoj edhe vetë lënda i jepte autoritet në mes të nxënësve. Fliste pak por me fjalë të goditura. Këshilli Pedagogjik i kishte caktuar të drejtonte këndin letrar të shkollës,  që ishte vendosur në katin e parë, sapo të hyje në krahun e djathtë. Duke parë kujdesin që tregoja për bukurshkrimin, më tha se po më caktonte një detyrë të rëndësishme dhe si nga Traboini që je,  edhe djalë mësuesi, do ta kryesh më së miri. Kësisoj me profesor Petrin u lidha diçka më shumë se me mësuesit e tjerë. Herë pas here do të shkruaja përshkrime a hartime për ti vendosur tek këndi sepse edhe hartimet që bëja i kishin pëlqyer shumë. Ty të kemi shkrimtarin e shkollës më thoshte me humor dhe qeshte butësisht e mirësisht. Në të vërtetë ishte një punë jo e lehtë të bëje një shkrim që ta lexonte gjithë shkolla, por nuk kisha çfarë të bëja. Më thërriste gjithmonë me mbiemër, e asnjëherë me emër. Kjo më pëlqente e me jepte një lloj krenarie për prejardhjen. Isha 16-17 vjeçar, në një moshë ku njeriu dëshiron ta vlerësojnë. Vinte vjeshta e profesori më thoshte Traboin, për tre ditë dua përshkrimin e vjeshtës. Pastaj viti i ri, pastaj 4 shkurti, pastaj dita e pranverës, pastaj 5 Maji e si të thuash unë ushtrohesha kësisoj nga ana letrare. Shkrimet i lexonte me vëmendje, mi korrigjonte nga ana gjuhësore, por edhe letrare e me thoshte shkruaja tani në të pastër e vendose. Por kur shkoja ta vendosja vinte edhe vetë. Kishte një përkujdesje të çuditshme dhe të gjitha gjërave u jepte seriozitet. Aq sa mua më dukej diçka solemne vendosja e një përshkrimi në tabelën e këndit letrar. Mbaj mend se kishim edhe mësues të tjerë që sot i kujtoj me shumë mirënjohje si Vangjeli Comora, për të cilën kam shkruar një kujtim, Sul Haxhihyseni, Kamber Xheria, drejtori Gani Daiu, Jolanda Xhomo, Hajro Babameto, Liri Bellova, Islam Sharofi, Ramazan Driza mësues i fiskulturës dhe mësuesen e vjetër të punës së dorës Liri Dodbiba. Gjithsesi Petër Elezi ishte mësuesi që na dukej më i veçanti si të ishte një iluminist rilindas, ndoshta ndikonte edhe fakti që veç moshës, kishte urtësinë. Mësonim me librat e gjuhës që kishin emrin e tij si autor dhe na thoshte se ishte nga Shelcani i Shpatit të Elbasanit. Më vonë do të mësoja se në Kishën Shën Kollit të Shelcanit ende ishin disa nga punimet e mjeshtrit të shquar të ikonografisë shqiptare Onufri, punuar aty rreth vitit 1554. Nga shkolla pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” e Tiranës, në vitin e tretë do të kaloja në shkollën Pedagogjike të Shkodrës. Kështu që nuk do ta shihja më mësuesin Petër Elezi veç kur të kishin kaluar mjaft vite. Pasi kisha kryer studimet në Universitet dhe nisur punë në Kinostudio jam takuar me një ish bashkënxënës të shkollës pedagogjike në Tiranë, Muhamet Muçën. Ai kishte mbaruar shkollën e lartë për aktor dhe e merrnin herë pas here për të lozur në filmat e Kinostudios. Muhameti me tha një ditë se Profesor Petër Elezi është i sëmurë. E pyeta se ku e kishte shtëpinë e me tregoi rrugicën përballë ish Lidhjes së Shkrimtarëve, ajo që sot e quajnë rruga e çamëve. Duhet të ketë qenë fillimi i vitit 1979. Një ditë u bëra për mbarë dhe e kërkova banesën duke pyetur banoret e asaj rruge. Me së fundi e gjeta. Më doli në portë një grua e vjetër, e gjatë që sapo i thashë se isha një nxënës i kahershëm i profesor Petrit, më ftoi brenda. Dhomat ishin të vogla, shtëpi tipike tiranase, madje gjithë ajo rrugë kishte shtëpi me qerpiç. Profesori ishte në shtrat, i përgjumur, por sapo hymë brenda i tha të shoqes ta ngrinte pak. E shoqja, i vuri një jastëk dhe ai u ngrit paksa. I dhashë të njohur se kishin kaluar rreth 15 vite  e unë nuk isha më ai nxënësi pedagogjikas. Por sapo i thashë emrin u kujtua. Ju kujtua mbiemri im që kishte të bënte me një vend historik.U gëzua kur mori vesh se kisha kryer universitetin për gazetari, se kisha botuar libër me tregime dhe punoja në Kinostudio.

Kur mbarova vizitën, mbaj mend që i tha të shoqes, Harikla, ma sill atë bllokun. Ajo solli një tefter shënimesh ku kishte emra dhe data. Shënoi dhe emrin tim. Këtu tha, kam të gjithë emrat e nxënësve të mi që më kanë vizituar në këtë sëmundje që më vuri në shtrat. Dua ti ruaj në kujtesë të gjitha ata nxënës që nuk më kanë harruar Nuk kaloi shumë kohë dhe një dite ndërsa po shkoja të punoja tek ndërtesa me kontribut vullnetar që po ngrinte Kinostudio, e që ishte ngjitur me rrugën e shtëpisë se mësuesit, me tërhoqi vemëndjen një shpallje mortore. Ju afrova e dallova emrin e mësuesit tim. Në të thoshte se si mbas dëshirës që kishte pas Petër Elezi, varrimi i bëhet në vendlindje, në Shpat të Elbasanit. Por kur pash datën e kuptova se vdekja kishte ditë që kishte ndodhur. Nuk më mbetej veç të shkoja për ngushëllim tek e shoqja që kishte mbetur vetëm. Atje takova edhe një nip të mësuesit tim, i cili ishte përkujdesur për të deri në fund. Nëpër vite nuk kam arritur të gjej gjëkundi materiale të shkruara për mësues Petër Elezin. Vetëm së fundi më ra ne dore libri “Mësuesit për kombin shqiptar” botim i vitit 1993, ku gjeta të cituar në faqe 392 dhe 411. Në libër sillej një dëshmi e mësuesit Kamber Xherija: “Në korrik të vitit 1940, pushtuesit fashistë mblodhën në Durres, në kampin “DUX”, rreth 800 arsimtarë – që ata i quanin “indocenti albanezi”- me qëllim që ti bajshin për vete dhe kështu të futshin italishten në shkollat tona. Kjo gja dëshmohet ma se miri  dhe me përgatitjen e regjistrave të fillores në këtë gjuhë. Ishte Petër Elezi ai që, së bashku me disa shokë të tjerë, si Xhevdet Doda (dëshmor), Halit Ballshi, Sulë Haxhihyseni etj, u vunë në krye të kësaj lëvizje patriotike dhe me guxim të madh u ngrit kundër këtyre veprimeve djallëzore shkombëtarizuese, me të cilët u bashkuan qindra të tjerë e shprehnin haptas urrejtjen e tyre”( nga gazeta “Patrioti”, mars 1993 nr.7). Por kohët e fundit kam gjetur edhe dy shkrime të tjera, njëri është në faqen elektronike “Elbasani Arkivi Digital” ku ka një jetëshkrim të shkurtër të mësuesit të Popullit Petër Elezi si dhe një shkrim tjetër tek faqja elektronike e shoqatës kulturore “Shpati”, kujtimet e ish nxënësit të tij Filip Bërdufi për mësuesin Petër Elezi. Një shkrim i plotë ky me referenca që paraqet, pasqyron thuajse tërë veprimtarinë nëpër vite të mësuesit të njohur kudo në trojet shqiptare. Në një pasazh lexojmë vlerësimin që i bën Mësuesit të Popullit Petër Elezi, si themelues i gjimnazit  shqiptar të Pejës, shkruar nga Rexhep Dodushaj në librin e tij “Si e gjeta dhe si e lash shkollën shqipe në prefekturën e Pejës”:“…Prej shtatorit të vitit 1941, gjimnazi i Pejës u shëndrrua në gjimnaz shqiptar me në krye Petër Shpatarakun, i cili pasi ngriti shkollat e Vardarit erdhi në liceun e Pejës të cilin e shëndrroi në lice shqiptar nën shëmbullin e liceut të Korçës…” Po aty lexojmë se krahas punës në shkollë, mësuesi Petër Elezi nuk reshti së punuari me studime të ndryshme. Përveç atyre gjuhësore që janë me dhjetra, ai botoi edhe vështrime historike dhe analiza letrare si  “Josif Bageri” ,”Shkolla Shqiptare”, botuar në Konstancë 1943, si dhe “Vepra e Bajram Currit ndër vjersha të J. Bagerit”, botuar gjithashtu në Konstancë 1943. Mësuesi Petër Elezi bën një analizë dhe jep opinionin e tij për një revistë  të re letrare, ngritur nga Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu dhe Vedat Kokona me titullin “Një revistë e re: Revista letrare”,  Petër Elezi “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 11 shkurt 1944. Gjeografia e vendeve ku Peter Elezi ka dhënë mësim është mbresëlënëse, e nisi mësuesinë në vitin 1924 në Shtërmen të krahinës së vet, ku qëndroi vetëm disa muaj sepse Ministria e Arsimit e caktoi në shkollën internat të Bërzeshtës, më pas në Përmet, në Kastriot të Peshkopisë , në 1928 transferohet në Delvinë, në vazhdim në Mat, në Tiranë, në shtator 1935 emërohet drejtor i shkollës së Himarës, me pas në Vlorë, në 1939-1941 drejtor shkolle në Tiranë. Në 1941-1944 bashkë me qindra mësues shqiptare shkoi të shërbejë mësues në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë. Me vendosjen e rregjimit komunist në kuadrin e reprezaljeve kundër intelektualeve atdhetare, Petër Elezi arrestohet më 8 qershor 1945 dhe dënohet me 20 vjet burg, shkruan në blogun e tij Filip Bërdufi, por pas 7 muajve lirohet nga burgu. E fillon mësuesinë vetëm pas dy vjetësh në Vlorë e në vazhdimësi në Tiranë. Me të drejtë në një shënim të faqes elektronike të shoqatës “Shpati” thuhet se emri i shkollës së Shelcanit është ndërruar duke i hequr një emër luftëtari e duke venë serish po një tjetër luftëtar, sikur shkollat tona të ishin akademi ushtarake e nuk vihet emri i mësuesit të shquar e atdhetarit të madh Petër Elezi. Po kjo figurë madhore me kontribute në mësuesinë shqiptare e hartimin e teksteve mësimore të gjuhësisë në dekada, meriton edhe më shumë. Ajo do të nderonte çdo rrugë shesh apo shkolle të Shqipërisë. Kemi shumë militarizime në emërtimet e shkollave duke i lënë fare pak vend mendjeve të ndritura iluminuese si ajo e Mësuesit të Popullit Petër Elezi.

Drejtori Gani Daiu me trupën Pedagogjike të shkollës  “N.N. Gjoka” Tiranë.
Mësuesi i Popullit Petër Elezi me të shoqen Harikla.
Prof.Petër Elezi me nxënës shpatarakë në shkollën pedagogjike “N.N.Gjoka” Tiranë….




Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, Peter Elezi, SHPATARAKU I MADH

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT