• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH

November 12, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

“Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini.

Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur.

Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.

Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.”

Ismail Kadare: “Ftesë në studio”

Ne librin “Ftese ne Studio”, Ismail Kadare pershkruan nje dialog me Lasgush Poradecin per Vinçenc Prenushin…

“Ne e denuam Vinçenc Prenushin me 75 vjet burg, kur ai ishte 75 vjec…” i drejtohet poeti yne i madh lirik Kadarese…

“Kush ne?” – iu pergjigj i habitur Ismaili…”ne nuk jemi as prokurore dhe as gjykates”.

“Po… po… ne poetet…” vazhdoi Lasgushi…

“Ne nje vend te qyteteruar poetet mbajne pergjegjesi per gjithshka”

Filed Under: Kulture

Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit

November 11, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Arkeologët janë paraprijës për të arritur deri tek e vërteta, për të parë më në fund pamjet e brendshme të asaj bote mbi të cilën ka rënë anonimati i kohëve. Zbulimet arkeologjike, si dhe faktet që kanë mbijetuar në kronikat e autorëve të lashtë, na informojnë për aspekte të ndryshme, për strukturën materiale, si dhe kultuën shpirtërore të botës së madhe ilire. Shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, trashëgojnë jo vetëm elemente të thelbit etnik origjinal, të vijimësisë së pakëputur të kohëve. Ata përfaqësojnë edhe një zhvillim cilësor të ri të kohëve të tjera historike. Këtë vijimësi, të kuptuar si progres të përhershëm zakonisht e sinonimojmë, duke e quajtur qytetërimi iliro-shqiptar, më thotë arkeologu dhe studiuesi i njohur i jugut të Shqipërisë, Halil Shabani, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në studimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e qytetit antik të Çukës së Aitoit (Ajtoit), i cili ndodhet pranë fshatit Çiflik në bashkinë e Konispolit.

Çuka e Aitoit është një kështjellë/qytet ilir i vendosur në një kodër konike rreth 16 km në jug të Butrintit, me mure fortifikuese rreth 1,16 km të gjata, që ka shërbyer për mbrojtjen dhe kontrollin e rrugëve dhe fushës së Vrinës (Kestrinës) në periudhën helenistike dhe antiket e vona. I pari që kreu kërkime dhe gërmime arkeologjike në Çukën e Aitoit, veçanërisht me survejimet dhe gërmimet e kryera në vitet 1979, ishte profesor Selim Islami, për aktivitetin dhe punën kërkimore e studimore të të cilit kam shkruar gjerë e gjatë dhe po përgatis edhe një monografi, në bashkëpunim me prof. Neritan Cekën.

Halil Shabani ka dokumentuar se qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit rrethohej nga mure mbi 1400 metra të gjatë, të ndërtuar me të paktën tri teknika të ndryshme. Ai ka specifikuar se qyteti kishte katër hyrje të mëdha, ku njëra prej tyre ka një strukturë gjeometrike dhe mbrojtëse të ngjashme me portat e Trojës antike. Përmes studimeve të tij mbi besimet e banorëve të lashtë të Çukës së Aitoit, Shabani i ka shpjeguar se si ata përdornin simbole mistike për vetëmbrojtje, siç ishte adhurimi i perëndeshës Kybela (Nëna e Madhe e Perëndive), e cila sipas besimit popullor të kohës dilte natën për të ruajtur muret e qytetit. H. Shabani, me mbi 50 vite në arkeologji gjetjet e rralla historike dhe kulturore i ka përmbledhur në jo pak, por 18 libra.

Filed Under: Kulture

GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK

November 9, 2026 by s p

Kristaq Balli/

Gjatë krijimtarisë së tij artistike fotografike, Gjon Mili e ka gdhendur personalitetin e tij si një kërkues dhe paraprirës i llojeve e formave të larmishme estetike, teknike e teknologjike, që e abstragojnë realitetin dhe subjektin në vepra pamore të një larmie të gjerë dhe të një fantazie origjinale, autentike. Kur interpretojmë fotografitë e tij të realizuara jashtë studios, direkt në skena e arena masive aktivitetesh artistike apo sportive, duhet të merren parasysh vështirësitë e shumta, energjitë fizike për lëvizjen dhe manovrimin e aparaturave, aftësitë organizuese, situatatat e mundësinë ambientale të pozicionimit, vëmendja e përqëndrimi për të kapur kuadrin dhe momentin e dëshiruar, llogaritja dhe bashkërendimi i aparatit me dritën strobe, të qënit racional me shkrepjet, për të mos shkaktuar efektin e dëmshëm të fluksit të fortë stroboskopik, si dhe ngarkesën e madhe shpirtërore me emocione forta, pra që gjithçka në mjedisin publik të mos ndihet e të tërheqë vëmendjen.

Për më shumë se një duzine vitesh të eksperimentimit, lëvrimit dhe evoluimit artistik, estetik e teknologjik të fotografisë stroboskopike, ku Gjon Mili pati arritje dhe kontribute të paçmuara artistike dhe u bë i njohur ndërkombëtarisht për novatorizmin e tij thuajse në të gjitha tablotë e jetës artistike, muzikore, skenike, sportive, shkencore e deri në fotot për fëmijët, aty nga fillimi i viteve ’50 ai deklaroi se e kishte përmbushur misionin e tij me fotografinë stroboskopike dhe se do të vijonte me gjini të tjera: “Pas një dekade unë u vela me fotot strobe, sepse kisha bërë pothuajse gjithçka dhe nuk doja të përsërisja veten”1)

Por duhet të theksojmë se ai nuk i qëndroi dhe aq besnik kësaj deklarate. Herë pas here ai do ta “evokonte” me nostalgji, por edhe duke i shtuar elementë rinovues. Njëheresh, ajo i shërbeu atij edhe si një pedanë për fillimin dhe hapjen e të tjera dritareve fotografike, një prej të cilave, e emërtuar nga vetë ai -“imazhet pa formë” (unshape images).

Vepra e tij e parë fotografike e “imazheve pa formë” mund të konsiderohet fotoja e mësipërme (me ngjyra) e titulluar “Firebird: Alicia Markova, Anton Dolin, Ballet Theatre, 1947”.2) Pra e vitit 1947, çka do të thotë se fotografitë pa formë nuk ishin një rastësi, një koincidencë, por rezultat, i një parashikimi e paraprirjeje afatgjatë, i një shpërfaqjeje dhe eksperimentimi të kujdesshëm e gradual, që kishte të bënte kryesisht me manovrat e aparatit fotografik, me të cilat ai do të shpërthente plotësisht aty nga vitet e mbrame të jetës së tij. Ka një fakt interesant: Kjo foto nuk është botuar ndonjëherë në revistën LIFE, edhe pse është porositur prej saj në kohën respektive, pasi, ndoshta, nuk është kuptuar e vlerësuar thelbi abstragues i saj. Sidoqoftë, ajo u botua në librin autobiografik “Gjon Mili: Photographs and Recollections”, në vitin 1980, e cila i prin një serie me foto të ngjashme.

Sipas Milit: “Duhej të kalonte shumë kohë për të çrrënjosur pikpamjen se vetëm mprehtësia e bën fotografinë…3) Nga ana tjetër ai e lidh zbulimin e “imazheve pa formë”, në një fare mënyre edhe me incidentin e djegjes së studios së tij. “Pak kuptoja që, duke humbur studion time nga zjarri, do të fitoja një vizion më të lirë edhe pse më të ndërlikuar, në terren”4), rrethanë e cila bëri që “…unë fillova të eksperimentoj me ‘imazhet pa formë’ (unshaped images), në të cilat elementët e mprehtësisë dhe difuzionit përzihen në mënyrë të paparishikueshme. Unë mësova që duke lëvizur aparatin gjatë ekspozimit relativisht të gjatë – madje edhe për çështje sekondash – rezultonte tërheqëse, nqs imazhet ambiguide (të dyfishta) përfundonin me mbylljen e diafragmës, veprim që koincidonte me një pauzë (ndalesë) momentale të aksionit (veprimit)… Këto fotografi bazoheshin në idenë dhe përfytyrimin që kur lëvizja fizike ndalon, emocioni vazhdon edhe për një çast të shkurtër. 5)

Por çfarë dallimesh e risish sjell fotografia e parë pa formë “Firebird” dhe të tjerat që do të vinin më pas?

Së pari, ajo shënon për Gjon Milin dhe, më vonë, për fotografët e tjerë pasues një pikë evoluimi dhe kthese, ku fotografia nuk analizon lëvizjen e fraksionuar e të mprehtë stroboskopike (siç bënte ai në fillimet e tij, apo edhe gjatë veprimtarisë së mëtejshme), por fillon ta përjetojë atë në mënyrë abstrakte, difuzive, disociative ( të zbërthyer, të shpërbërë), ku mungojnë transparenca dhe konturet të sakta.

Koha e hapjes së abduratorit (diafragmës) është relativisht më e gjatë dhe ndriçimi po ashtu. Ekspozimi i gjatë dhe lëvizja e kamerës krijojnë një rrugë të pandërprerë dhe të turbullt (blur) të lëvizjes. Më shumë se një fotografimi, ajo i ngjan një filmimi shumë të shkurtër me një programim të saktë të fraksioneve jo shumë të shkurtra të dritës strobe dhe zgjatjes më të madhe të kohës së hapjes të diafragmës. Ajo shënon një largim të vetëdijshëm nga fotografia si “regjistrim i realitetit” dhe një afrim drejt fotografisë si krijim vizionar, pothuajse në kufijtë e pikturës abstrakte. Spektatori imponohet të përjetojë një gjëndje të nënvetëdijshme turbulence, përhumbje, kllapie.

Më tej, Gjon Mili ka eksperimentuar jo dendur këtë mënyrë fotografimi me fotot e vitit 1955 gjatë shfaqjes së operës “The Saint of Blecker Street”6)7), tek fotografimi gjatë xhirimit të filmit “Guys and Dolls” 😎, tek fotoja “Karrige që bije” nga shfaqja e Broadway “Exciting Commotion off- Broadway”9), dhe “Koreogràfi George Ballanchine gjatë provave të baletit “Jewels”, 1967, etj.

Një prej fotove të hershme që pasqyron praktikimin e këtij lloj konceptimi të ri inteligjent të manovrimit të kombinuar të kamerës me lëvizjen dhe dritën, është edhe ajo e realizuar gjatë interpretimit të operës “The Saint of Blecker Street” (Shenjtorja e Rrugës Blleker)., të Gian-Carlo Mennoti, 1955. Gjatë skenës finale të aktit të parë të operës, Mili ka shkrepur disa foto me teknika shkrepjesh të ndryshme e krahasimore. Për të qartësuar interpretimin artistik të fotos, po jap disa prej elementëve kompozicionalë, artistike e teknikë të saj: Annina është emri artistik i personazhit kryesor të “shenjtores” së kësaj opere. Ajo nderohej përgjatë bulevardit “Bleecker Street” të komunitetit italian në Nju Jork për shkak të plagëve (stigmave) (plagët e Krishtit gjatë mbërthimit të tij në Kryq), që i shfaqeshin në duar çdo të Premte të Mirë të Pashkës. E brishtë, por besimtare e devotshme dhe me vizione qiellore, ajo lutet për vëllain e saj të pafe, Mikele, i cili, nga ana e vet, ka një obsesion psikopatik për të mos e lejuar të motrën të bëhej murgeshë. Për këtë arsye Annina ndjehej e frikësuar, një gjendje që i shkaktonte edhe probleme të vështira shëndetsore.

Gjon Mili ka fiksuar pikërisht çastin kur asaj i shfaqen stigmat e përgjakura të gozhdëve në duar (të cilat janë të dukshme në fotografi), si dhe situatën e çuditshme e të vorbullt që krijohet midis gjindjes – banorë të ndryshëm gjitonë napolitanë të rrugës Bleecker. Pikërisht, përafrimin e kombinimin absolut të këtyre dy gjendjeve subkoshiente, jotokësore s’mund ta bënte tjetër njeri, veçse Gjon Mili me një lloj fotografie të një modeli të ri artistik e teknologjik – “unshaped image”… Vini re, një shkrepje dhe dy situata të ndryshme fotografike brenda saj. Nga njera anë, Annina, në epiqendër, në momente shumë të veçanta sakramenti e bekimi qiellor, me duar të shtrira, me stigmat e sapokrijuara të plagëve të Krishtit, në gjëndje letargjie, palëvizshmërie, jermi e ngrirjeje paqësore, mbi të cilën fokusohet edhe ndriçimi i fotografit dhe, nga ana tjetër, turma e njerëzve që e kanë rrethuar atë të pështjelluar nga gjendje sugjestioni, lëvizjeje kaotike, të pakontrolluara e të papërmbajtura të duarve dhe shprehjeve të habitshme, sureale e të deformuara të fytyrave të tyre. Pra, përkundër Anninës trupat, duart e zgjatura drejt saj me dridhërima, si dhe fytyrat e tyre konvulsive shfaqen në lëvizje pështjelluese. Habia, makthi, frika, përgjërimi mistik për fatin e Anninës, i mbajnë ata në gjendje haluçinante …. Vetëm sytë e tyre mbeten të fiksuar në fytyrën e Anninës. Drita e plotë mbi fytyrën e trupin e saj (si rrezatim i vizioneve qiellore), errësira e plotë e sfondit dhe gjysmëdrita e vagullt mbi portretet e personazheve të tjerë shërbejnë në përcjelljen e këtij momenti kulmor dramatik me një domethënie esenciale figurative e artistike.

Nuk e dimë nëse ky efekt ndriçimi i takon fantazisë së Milit, apo është pjesë përbërëse e skenografisë. Por, cilido të jetë varianti i saj, Mili e ka përdorur blicin si një mjeshtër i vërtetë dhe ka arritur që të kompozojë një subjekt transhendetal nga tërësia e skenës së madhe operistike, ta veçojë, t’i afrohet asaj dhe të veprojë sipas vizionit të tij optik, ku ai është një profesionist i padiskutueshëm. Dhe, për hir të së vërtetës, fotoja që ka rezultuar duket se ka brenda kornizës së saj dy gjendje të ndryshme fotografike, dy foto, dy teknika realizimi, por vetëm një shkrepje, vetëm një. Binomi i fantazisë artistike dhe njohurive të veçanta shkencore që i atribuonin atij cilësitë e një novatori, të cilat i kanë vënë në dukje vazhdimisht kritikët dhe opinioni artdashës bashkëkohor, kanë ngjizur idenë që ai ta realizojë shkrepjen e vetme pak të zgjatur doke lëvizur aparatin në drejtim të kundërt të lëvizjes, pikërisht në çastin kur përputhja midis palëvizshmërisë engjëllëre të Anninës dhe kinetikës kaotike të turmës të sinkronizohen përsosmërisht.

Por shpërthimi i tij i vërtetë në këtë zhanër i përket viteve 1969 -1972, kur Gjon Mili do të formësonte plotësisht konceptet e tij moderniste abstraksioniste dhe do të promovonte si nismëtar teknikën e re të fotografimit. që do të përhapej më tej tek artistët fotografë bashkëkohorë dhe të tjerë më të rinj, deri në ditët e sotme.

Le të përqëndrohemi tek një seri fotosh të botuara në revistën LIFE në vitin 1969, që përbën edhe ciklin e parë të plotë të fotove tranzitore me një kombinim të teknikës me shumë shkrepje dhe asaj të imazheve pa formë, nga baleti “Dances at A Gathering – An American Masterpiece” (Vallzimet në Një Tubim – Një Kryevepër Amerikane).10)

Në këtë kohë Mili ishte 65 vjeç, pra i formuar e i plotësuar si një prej fotografëve novatorë të mesit të shek. XX, me gjurmë të thella në trashëgiminë e gërshetuar artistike e shkencore elitare amerikane, që do të dallonte e do të linte ndriçimin e brerores së saj edhe në të ardhmen. Ai nuk do ta linte punën e tij, do të sfidonte moshën e shëndetin por, me mendje të kthjellët, do të vijonte të punonte e të shpikte sërish.

I referohemim me këtë rast, një shkrimi redaksional të Ralph Graves, në atë kohë kryeredaktor i revistës “LIFE”, me titull “Building Images from music and motion” (Duke ndërtuar imazhe nga muzika dhe lëvizja): “… Imazhet e shumëfishta nuk janë asgjë e re për Milin. Një inxhinier kërkues ndriçimi i studiuar në M.I.T…, 30 vjet më herët, ishte i pari që përdori njësi blicesh elektronike me shpejtësi të lartë stroboskopike për të ilustruar gjithçka nga goditjet e bejsbollit, deri tek ato të një nudoje që zbret shkallët. Ai ka përdorur fraksionet strobe për të fotografuar baletin gjatë gjithë karierës së tij por, këtë herë, shpjegon vetë ai (Mili – K.B.): ‘Kisha diçka më shumë në mendje sesa një ngrirje e momenteve… E kam parë këtë balet gjashtë ose shtatë herë dhe, gjatë rrugës, u fiksova me idenë se si mund ta fotografoja. Më tundoi në një farë mënyre; kisha frikë se nuk do ta bëja dot. Ky balet nuk ishte një përvojë e zakonshme. Ishte një kryevepër amerikane… Gjithmonë kam fiksuar momente në balet. Këtë herë, në fakt, doja të kapja fraza të tëra – sekuenca të ngrira nga stroboskopat që arrinin kulmin. Që në krye e imagjinoja çfarë doja të bëja, por nuk e dija ende nëse e kisha realizuar, derisa pashë filmin e përfunduar. Ndjehesha sikur kisha krijuar një vijë të brendshme.” 11)

Ndërkaq, Mili në një bisedë me studentët e Wellisley College, Mass. në vitin 1975, ka treguar: “…Duhej të vinte viti 1969, kur fotografova baletin e Jerry Robbins ‘Dancers at a Gathering’, ku unë qëllimisht lashë të hyjnë rastësitë, elementë të papërshtatur, si pjesë e kompozimit. Njëkohësisht me sekuencat e stroboskopit të konceptuara saktësisht, të cilat kishin bërë që të ishin shenjë dalluese e punës sime, unë gjithashtu regjistrova në të njëjtin film imazhet e rastësishme që ndodhin me ndriçim normal kur kamera është e hapur për sekonda të tëra. Ajo që më pëlqen është se, në njëfarë mënyre, pjesërisht për shkak të ndjeshmërisë e afërsisë me baletin që kisha fituar përmes fotografimit dhe shikimit të vazhdueshëm të tij dhe pjesërisht për shkak të fatit, arrita të mbaj koherencën me modelet e mia. Më shpesh, fotografitë që i konsiderojmë më të mirat duket se janë kryesisht aksidente, rastësira. Është sikur një kombinim i rrethanave të paparashikuara të jetë bashkuar për të krijuar një moment unik, që kurrë nuk mund të realizohet përsëri. Imazhi, i cili ruan qëndrueshmëri, mund të mos ketë domosdoshmërisht qartësinë, mprehtësinë e një imazhi të çastit, por një model koherent, ndonjëherë, tregon më shumë se realiteti i pastër. Me fjalë të tjera, po përpiqesha të bëja poezi me kamerën.

Gjithmonë filloj me ide të parapara, të cilat më shërbejnë si udhërrëfyes. Njëherë shkova në teatër gjatë një prove të fundit dhe drejtova aparatin tek valltarët ndërsa lëviznin bashkë me dritën dhe hapja kamerën për një gjysmë sekonde, apo për një sekondë, për të parë çfarë do të rrëmbeja. Pra, lëvizja kamerën me dorë, nuk e mbaja statike, por e spostoja në drejtim të kundërt me sensin e lëvizjes së valltarëve duke shpresuar që, sa herë të kishte një pushim në lëvizjen e subjektit, gjatë baletit, edhe dora ime të qëndronte e palëvizshme dhe kështu, do të merrja herë pas here një imazh të mprehtë që do të kompensonte ndjesinë e lëvizjes që nuk qartësohet ndryshe. Përvoja më ka mësuar atë që Herakliti e kish bërë të njohur: ‘Nëse nuk e kërkon, nëse nuk e pret, nuk do ta gjesh të papriturën, sepse është e vështirë për t’u gjetur’. Shpesh u them studentëve që ndonjëherë është pikërisht paqartësia që krijon foton. Ka diçka të veçantë rreth kësaj, e cila, sinqerisht, sfidon ligjet e probabilitetit. Pra, për mua të gjitha këto janë aksidente, rastësira. Nuk jam i shqetësuar në të vërtetë për artin; jam i shqetësuar për fotografinë, çfarëdo që të jetë.” 12)

Ballina e revistës LIFE, October 3, 1969, i takon gjithashtu Gjon Milit me një foto nga kjo shfaqje baleti. Kjo është konsideruar si një nga ballinat më të arrira artistikisht të revistës LIFE gjatë vitit 1969, e ndërtuar si një diptik vizual dhe konceptual: në njërën anë baleti klasik, në anën tjetër muzika rock e këngëtarit dhe instrumentistit (kitaristit) më të madh të historisë së muzikës rock, Jimi Hendrix-it (Johnny Allen Hendrix), i epitetuar si stuhi emocionesh, apo kaosi krijues si fenomen atrtistik.13) Në kontekstin e ballinës, redaktorët e LIFE kanë krijuar një kundërvënie artistike: “Two Arts, Two Visions” (Dy Arte, Dy Vizione) – “The Grace of Ballet” (Hijeshia e Baletit) dhe “The Tumult of Hendrix” (Shpërthimi (emocinal-KB) i Hendrix-it). Ky kontrast ështe shumë karakteristik për klimën kulturore të fundviteve ’60 , kur baleti dhe rock-u shiheshin si dy pole të mëdha të artit bashkëkohor.

Reportazhi fotografik i Milit (f. 42-51) nuk ishte thjesht dokumentim i një baleti. Ai përdor ndriçimin, kompozimin dhe kapjen e lëvizjes për ta ngritur vallëzimin në një nivel pothuaj skulpturor. Pikërisht, për këtë arsye, titulli “The Grace of Ballet” (Hijeshia e Baletit) lidhet jo vetëm me baletin, por edhe me mënyrën se si Mili e përkthen lëvizjen në fotografi.

Kjo ballinë nuk është ndërtuar vetëm mbi dy tema të ndryshme, por mbi një dialog estetik: Mili përfaqëson fotografinë e lëvizjes së kontrolluar dhe të rafinuar, ndërsa Hendrix simbolizon energjinë e pakufizuar të kulturës rock. Kjo është një zgjidhje tipike e redaksisë së LIFE, ku fotografia, titulli dhe faqosja krijojnë së bashku një metaforë kulturore, që nuk pasqyron vetëm subjektet, por edhe ritmin vizual të fotografive. Pikërisht për këtë arsye titulli “The Grace of Ballet” lidhet jo vetëm me baletin, por edhe me mënyrën se si Mili e përkthen lëvizjen në fotografi.

Gjatë fotografimit stroboskopik të shumëfishtë, Mili ka eksperimentuar në optikën imagjinare edhe elementët e dukshëm të fotografive pa formë duke i kombinuar ato në një mënyrë që vetëm ai mund t’i realizonte. Si rrjedhojë, një pjesë e fotove të këtij cikli kanë dy tipare të perfeksionuara deri në detale të imta e mjeshtërore, së pari Mili ka realizuar foto ku një apo disa valltarë të lenë përshtypjen difuze të shumëfishit të tyre dhe, së dyti, njëheresh me të ai ka zbatuar edhe teknikën e sfumimit (si me polen të butë) të linjave të mprehta, duke e kthyer foton në një mirazh të ëndërrt, imagjinar. Mendoj se një prej fotove më të veçanta nga shfaqja mësipërme i shërbeu atij për mbulesën (këmishën) e librit dhe katalogut të tij “Gjon Mili, Photographs & Recollection”, 1980.

Ndërkohë, rryma dhe korente të reja filozofike dhe estetike moderniste të sofistikuara, surrealiste, impresioniste, ekzistencialiste, etj. kishin penetruar edhe në artet pamore. Në fotografi, krahas absorbimit dhe manifestimit e tyre nëpërmjet fantazisë dhe shumëllojshmërisë krijuese të autorëve, por edhe në kontekst të përparimeve të shpejta industriale, teknike e teknologjike të pajisjeve të fotografimit, ndriçimit, filmave dhe përpunimit laboratorik, kishte filluar një garë e heshtur për alternativa të reja artistike e estetike në përmbajtje e formë. E, natyrisht, Gjon Mili ishte në avangardë të tyre.

Gjatë vitit 1970, midis të tjerash, ai fotografoi me ngjyra një nga shfaqjet më të bukura muzikore, fituese e Çmimit “Obie”, 1970. Muzikali dramatik : “The Me Nobody Knows” (Mua S’më Njeh Askush) ishte një evokim pasionant i një dite në jetën e një getoje zezakësh. Bazuar në një mori prozash e poezish të shkruara nga fëmijët e lagjeve të varfra të Nju Jorkut, të interpretuara po nga aktorë të rinj me ngjyrë…, Gjon Mili, për të pasqyruar gjendjen dramatike dhe jetën e zymtë të getos, realizoi foto pa formë me një aparat që e mbante gjithë kohës në duar, ndërsa subjektet fotografike lëviznin të mjegulluar nën ndriçimin e zbehtë të skenës së errët, të improvizuar në një godinë të abandonuar. “…Në fotot e tij, revolta e tyre e zjarrtë takonte fytyrat e tyre të fëmijërisë”14)

Siç shihet, Gjon Mili ka zgjedhur këtë shfaqje, jo si manierë formaliste, por si një përqasje të atmosferës së dhimbshme e të revoltës konfuze e dramatike me elementë shumë shprehës të fotove pa formë .

Të njëjtën përfytyrim ai ka pasur, midis të tjerash, edhe gjatë fotografimit të këngëtares së famshme Tina Turner direkt gjatë shfaqjes koncertit të saj me bashkëshortin Ike Turner, në Las Vegas në vitin 1970.

Tina Turner është konsideruar një prej artisteve me më shumë epitete të bujshme, si: “feniksi i Rock and Roll-it”, “seks simboli i rock-ut”, “mbretëresha e Rock & Roll.”, “testamenti i dashurisë, dhimbjes dhe seksit”, “një nga më të nxehtat e më eksplozivet…”. Këngëtari dhe muzikanti i famshëm David Bowe është shprehur se “Duke qëndruar pranë saj më dukej sikur isha në vendin më të nxehtë të universit”, etj.

Presidenti George W. Bush e uroi Tina Turner me komplimentat e tij me humor: “mjeshtëri natyrale, energji dhe sensualitet” dhe iu referua këmbëve të saj si “më të famshmet në biznesin e show-t”…

Ndaj edhe Gjon Mili shfrytëzoi ekzekutimet e saj për ta fotografuar atë, krahas të tjerash, duke iu përshtatur idesë së flakadanit dhe furtunës prej drite që, pë 65 minuta, nuk u shua asnjë çast. Midis dhjetra shkrepjeve me teknika të ndryshme, fotografitë pa formë e individualizojnë Tina Turner me një epitet po aq të përshtatshëm imazherik.

Por, kulmi i fantazisë dhe abstragimit estetik të Milit ndaj fotove pa formë do të shfaqej gjatë vitit 1972 dhe më pas, kur ai fotografoi disa shfaqje baleti që lidheshin me krijimtarinë e kompozitorit Igor Stravinski dhe baletmaestrit të famshëm George Balanchine me kompaninë e tij “The New York City Ballet”15) nga të cilat shumica kanë mbetur të pabotuara dhe pak të njohura, por që kanë mundur të mbërrijnë deri në ditët tona nga arkivi i LIFE.com.

Me fotografitë pa formë të Gjon Milit dhe të artistëve të tjerë pas tij fillon një përjetim dhe pasqyrim më ndryshe i konceptimit nëpërmjet formës artistike të një botëkuptimi më surealist që lidhet me lindjen, demokratizimin, globalizimin, liberalizimin dhe lëvizjet social-kulturore e shpirtërore të shoqërisë pas Luftës II Botërore, me sfumimin e ideologjive konservatore, si dhe me zhvillimet e thella të teknologjisë së komunikimit masiv, me të cilat lidhej edhe fotografia. Në rastin tonë, këto fenomene i gjejmë të materializuara në evoluimin që ka pësuar një nga revistat më jetëgjatë amerikane, “LIFE”, ku punoi e shfaqi krijimtarinë e tij për më se dyzetvjeçare edhe Gjon Mili.

Por, çfarë tiparesh përveçuese kanë, pra, fotot pa formë të Gjon Milit, në krahasim me fotot pararendëse të tij? Ato shënojnë një pikë evoluimi estetik ku fotografia ndalon së analizuari lëvizjen dhe fillon ta përjetojë atë në mënyrë abstrakte. Ekspozimet janë relativisht të gjata, ashtu si edhe lëvizjet e aparatit. Nga pikpamja fizike, humbasin linjat e mprehta të subjekteve, kufijtë e tyre zbehen, mjegullohen, figurat shkrihen në lëvizje. Valltarët nuk janë më individë, ato treten në dritë. Lëvizja bëhet më e rëndësishme se figura, ngjyrat mbivendosen njera mbi tjetrën duke krijuar brerore imagjinare. Fotoja merr tipare të një tabloje abstrakte, surealiste. Në të vërtetë, forma nuk zhduket. Forma shpërbëhet, ajo bëhet energji, bëhet kujtim. Bëhet dritë.

Ashtu si fotot stroboskopike, apo vizatimet me dritë edhe fotot pa formë shprehin në vijimësi njohuritë e përvojën e thellë shkencore, si dhe talentin dhe vizionin artistik të Gjon Milit. Me kalimin e kohës, ndoshta edhe pas vdekjes së tij, këto foto, ashtu si edhe të autorëve të tjerë pasardhës iu referuan një drejtimi estetik të quajtur “oneirizmi”16), ose më saktë “oneirizmi poetik”.

Në estetikën dhe kritikën e artit, oneirizmi nuk është një shkollë artistike e organizuar si psh. impresionizmi apo surrealizmi, por një qasje shpirtërore, apo edhe artistike dhe letrare që përpiqet të krijojë atmosferën, logjikën dhe ndjesinë e ëndrrave në një vepër arti, është një kategori estetike ose prirje shprehëse që nënkupton atmosferën e ëndrrës, një ëndërrim artistik që nuk synon të paraqesë realitetin, por përjetimin e tij, paqartësinë e qëllimshme të formave, shkrirjen e figurave në lëvizje, humbjen e kufijve të objekteve, krijimin e një realiteti më psikologjik sesa fizik; figurat duken si vegime; drita dhe hijet krijojnë një ndjesi iracionale; koha dhe hapësira duken të pezulluara; shikuesi ka përshtypjen se po sheh një ëndërr me sy hapur dhe jo një ngjarje reale. Në vend që fotografia të jetë “çasti vendimtar” (decisive instant), ajo bëhet një kohë e grumbulluar, ku çasti, kujtesa dhe lëvizja bashkëjetojnë në të njëjtin imazh, sikur fotografia nuk dokumenton më veprimin, apo lëvizjen, por “kujtesën” e tyre. Kjo është logjika oneiriste.

Por, a ishte Mili “oneirist”?

Mendoj, jo!

Nuk ka asnjë dëshmi që Gjon Mili, apo të të tjerëve para, apo pas tij që të ketë shpallur ndonjë manifest të oneirizmit, ta ketë quajtur veten oneirist, të ketë qenë pjesë e një lëvizjeje artistike me këtë emër.

Është kritika e artit ajo që, shumë vite më vonë, ka përdorur termin “ poetic oneirism” për të interpretuar një pjesë nga fotografitë e tij të mbrame. Pra termi është interpretues, jo historik.

Risitë teknike të Milit edhe në fotot pa formë (unshape photos) nuk janë thjesht mjete, por pjesë e gjuhës së tij artistike. Ai nuk përdori shkencën për të ilustruar artin; ai përdori shkencën për të krijuar një estetikë të re të fotografisë. Kjo është arsyeja pse shumë prej fotografive të tij, edhe kur lindin nga një eksperiment shkencor, përfundojnë si vepra me ngarkesë poetike. Ashtu si fotografitë në lëvizje, fotografitë stroboskopike, vizatimet me dritë edhe fotot pa formë të Gjon Milit, ndonëse studiuesit kanë folur tangencialisht, mbeten një prurje autentike e nismëtare e Gjon Milit.

Më tej kjo lëvizje artistike dhe implikimi i skajshëm i oneirizmit social e patologjik në të, evoluoi dhe u sofistikua shpejt dhe ekstremisht, madje deri edhe në manière, shpëfytyrim e absurditet, sidomos për arsye të avancimit të teknologjisë digjitale të fotografimit. Aq sa, sot, edhe me një telefon “smart’ mund të realizohen foto të tilla nga më të ndërliksurat, më të bukurat, por edhe deri më dehumanet.

Referenca:

____________________

Gjon Mili: Picture quotes.com

Gjon Mili: Photographs & Recollections, 1980, p. 63.

Po aty

Photography into the Humanities, Addison House Publisher, 1977, p. 51

Gjon Mili: Photographs & Recollections, 1980, p. 63

LIFE , February 14, 1955, p. 62

Kristaq Balli: Shenjtorja me Stigma e Gjon Milit: http://alb-spirit.com/…/kristaq-balli-shenjtorja-me…

LIFE, September, 19, 1955, pp. 128, 131

LIFE. 24 March 1958, p.119

LIFE, October 3, 1969, Ballina dh pp 42-51 .

Ralph Graves, Editor note-Building Images from Music and Motion, LIFE, October 3, 1969, p.3

Photography into the Humanities, Addison House Publisher, 1977, f. 51

Pasi ky numër reviste përmbante dy rubrika speciale, pra një fotoese prej 9 faqesh të plota me ngjyra nga Gjon Mili kushtuar baletit modern amerikan dhe tjetra, një seri fotosh artisti ekscentrik Raymundo De Larrain, kushtuar artistit të muzikës rock, Jimy Hendrix-it.

”The Me Nobody Knows” LIFE, September 4, 1970, p.35

“An Artistic Explosion” LIFE, June 10, 1972 pp. 6-9.

Gr.: një gjendje jonormale e vetëdijes, në të cilën të përfshin gjendja e ëndrrës dhe haluçinacionit që ndodh gjatë kohës së zgjimit.

Filed Under: Kulture

HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT

November 7, 2026 by s p

Akademik Emeritus Gjovalin Shkurtaj/

(Mishërim meritor i urimit tradicional të këngëtarëve në Malësi: “Të këndoftë zemra e ia laç djalit!”)

Në hullinë e librit “Kënga si mjet për ruajtjen e gjuhës shqipe” e me idenë se, po pata jetë e shëndet, të bëj një ribotim të pasuruar e të zgjeruar, po sjell disa prurje e vlerësime për këngët e Nikollë Nikprelajt, natyrisht, duke bërë një kundrim të përfshirë në kuadrin e prurjeve e prirjeve ligjërimore të këngëve të reja bashkëkohore.

Në rrjedhë të viteve, krahas punës kryesore si gjuhëtar, kryesisht si dialektolog e sociolinguist, kam ndjekur me ëndje edhe krijimtarinë popullore, sidomos këngët, në krye të herës Këngët e Kreshnikëve, po edhe këngë të tjera dhe kam shprehur edhe vlerësimin tim se kënga për shqiptarët në rrjedhë të shekujve ka qenë mjet kryesor dhe për ruajtjen e gjuhës shqipe. Dhe, për ta thënë me një shprehje të bukur të arbëreshëve të Italisë, kënga popullore në rrjedhë të shekujve për shqiptarët ka qenë jo vetëm mjet argëtues, po edhe shkollë e shqipes.

Kur kam nge, edhe kur jam duke shkruar a lexuar, më pëlqen të dëgjoj me zë të ulët këngë e muzikë të bukur, këngë të muzikës së lehtë e të muzikës popullore, natyrisht, me përparësi ato të anëve të mia, të Malësisë së Madhe e të Shkodrës, po edhe përgjithësisht këngët e reja. Kjo, jo vetëm për kënaqësi, po edhe për të parë kahet e sotme të gjuhës së këngëve shqiptare, në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të gjuhës shqipe në epokën e modernitetit e të globalizmit kulturor e gjuhësor që nuk mund t’i shpëtonte as Shqipëria e sotme. Kam shkruar qysh në fillesat e hulumtimeve të mia si dialektolog edhe për gjuhën e këngëve, të këngëve tipike malësore si : ”Kangët majekrahut”, për këngët epike e sidomos për Eposin e Kreshnikëve, që e kam quajtur “përmendore madhështore e kulturës së të folurit”; kam shkruar për hijeshinë ligjërimore e figurat e bukura të këngëve popullore lirike të Veriut e të Jugut, si dhe për rolin e këngës si “mësuese e shqipes” në diasporën arbëreshe të Italisë.

Para pak kohësh kam botuar dhe librin “ Kënga si mjet për ruajtjen e gjuhës shqipe” (Akademia e Shkencave, Tiranë, 2022). si dhe shkrime të tjera (kumtesa e artikuj) për gjuhën e këngëve popullore e të muzikës së lehtë. Këngët e kreshnikëve na japin një pamje të gjerë të asaj mënyre të shprehjes gjuhësore popullore ku politesa dhe arroganca, miklimi dhe ironia, shpotia dhe sarkazma etj.paraqiten me mjete gjuhësore të qëlluara, të gjetura mirë e të bukura, me larmi e figurshmëri, që dëshmojnë për shije të hollë artistike, po edhe për traditë të lashtë të shprehjes së përpunuar, të gjuhës si mjet arti. Nga ky këndvështrim, nuk e teprojmë kur themi se këngët e kreshnikëve janë përmendore madhështore e kulturës së gjuhës shqipe dhe sidomos e etnografisë së të folurit. Të tillë e kanë vlerësuar edhe shumë albanologë dhe folkloristë të shquar shqiptarë e të huaj. Ka studiues që janë dashuruar me eposin dhe deri në fund të jetës janë marrë me bukuritë e tij si argjendarët që i rijnë e shkëlzejnë “rgjãtet” e moçme për t’ua shtuar vlerën e çmimin faqe konsumatorëve. Disa herë, natyrisht, në funksion të shqyrtimeve dialektologjike e sociolinguistike, ma ka dashur puna të merrem edhe me vlerat e ligjërimit të folklorit.

Në librin e Dialektologjisë, në pjesën kushtuar gjuhës së folklorit, kemi dhënë edhe disa vlerësime për gjuhën e e foklorit e veçmas të gjuhëssë këngëveqë shfaqin gjithandej më shumë ndikime nga qendrat e mëdha urbane e pësojnë edhe më shumë pranime nga elemente “qytetare”. Kam shkruar e botuar edhe ndonjë studim kushtuar gjuhës së këngëve popullore në përgjithësi e të këngëve të kreshnikëve në veçanti,duke thesuar se Eposi ynë i kreshnikëve, me tematikën dhe realizimin artistik aq të bukur, me perifrazat aq të vetvetishme e me metaforat e pakundshoqe, ka qenë e do të mbetet edhe më tej si gurrë e pashtershme e modelimit poetik e gjuhësor në shqipen. Ndikimet e eposit mund t’i hetojmë në krijimtarinë letrare të autorëve madhorë, sidomos te Gjergj Fishta dhe “Lahuta” e tij si vlerë e shtuar e Eposit në rrethanat e reja të kohës. Edhe Ndre Mjeda, poet kryesisht lirik, në vjershat e tij e ka pasur një “vrujim” prej metaforikës së eposit malësor. Le të kujtojmë, sidomos, ”Vajin e bylbylit”, metaforë që na kishte dalë qysh shumë kohë para tij në këngën “Ajkuna qan Omerin”, ku thuhet shprehimisht: “Mirë bylbylat djalin po ma vajtojnë”.

Nga studimet tona kemi arritur në përfundimin se në gjuhën e epikës, qoftë risitë (inovacionet), qoftë ruajtjet (konservacionet) janë të lidhura më tepër me brendinë, me stilin dhe me mëtimet artistike, gjë që shkakton lëvizje më të shumta në fushën e leksikut dhe të morfo-sintaksës. Sistemi fonetik, ndërkaq, mbetet i njëjtë me atë të gjuhës së folur të trevave përkatëse, për arsye se ai nuk mund të kryejë funksione artistike-stilistike si ato që përmbushen me anën e leksikut.

Fjalët e bukura si pjesë themelore e pëlqyeshmërisë së këngëve

Në rrjedhë të shekujve, qysh kur njerëzit kanë filluar të këndojnë në publik, fjalët apo teksti i këngëve kanë pasur rol parësor dhe, mbi atë bazë, edhe pritja, pëlqimi dhe vlerësimi kanë shkuar gjithmonë, jo vetëm mbi bazën e muzikës, po edhe simbas bukurisë dhe hijeshisë së tekstit, të figurave letrare, krahasimeve, epiteteve, metaforave etj. Kjo, sepse kënga, qysh në fillesat e saj, ka qenë e mbështetur në

vjershën, në poezinë si krijimi më i zakonshëm dhe më i shpejtë për t’u përçuar te dëgjuesit. Madje, do të thoshim se, fjalët e këngëve kanë qenë si motra lozonjare dhe e përzgjedhur e vjershave dhe, si e tillë, kënga ka qenë, kurdoherë shoqëruese e shprehëse e shpirtit të popullit, shfrim artistik i përjetimeve dhe i pësimeve të ndryshme e të larmishme, që nga lindja, gjatë gjithë rritës së njeriut, përfshirë lojërat e bëmat rinore, dashurinë, fejesën, martesën, të gjitha etapat e jetës deri në mbarimin e saj me këngët vajtimtare aq prekëse në të gjitha trojet shqiptare e në diasporën arbëreshe.

Epitetet e qëlluara, përshkrimet metaforike e plot ngjyresë të këndshme, si pjesa më e bukur e ligjërimit të bashkësive shqiptare, prej vjershave popullore apo të shkruara nga poetë të njohur, gjithmonë, nëpërmjet muzikimit e të kënduarit nga artistë të talentuar, kanë ushqyer breznitë e reja me tharmin atdhedashës, etnipohues e gjuhëruajtës. Në mungesë të shkollave shqipe, gjithandej në trojet shqiptare e në diasporën arbëreshe e arvanite, kënga ka qenë “mësuese e gjuhës shqipe”.

Edhe në krijimet bashkëkohore, me kënaqësi vëmë re se, këngët që kanë tekste të pëlqyeshme, të shkruara mirë, me fjalë të zgjedhura e të përshtatshme, kapen menjëherë nga dëgjuesit, pëlqehen qysh në shfaqjen e tyre më të parë në performancën e këngëtarëve. Muzika dhe interpretimi i këngëve janë me rëndësi, sikundër janë të tilla edhe pamja fizike, hijeshia dhe veshja e këngëtares a këngëtarit që këndon, por, në qoftë se mungon teksti, në qoftë se nuk janë fjalët e bukura, jetëgjatësia dhe pëlqyeshmëria e këngës mbeten të dyshimta. Ka këngëtare që vishen shumë bukur, sikundër ka edhe asosh që zhvishen “bukur” dhe kjo, natyrisht, në shfaqjet e drejtpërdrejta siguron edhe duartrokitjet e jehonë mbështetëse, porse suksesi i vërtetë dhe jetëgjatësia u takon vetëm atyre këngëve që mbështeten në tekste e fjalë të bukura, në vargje e refrene që të mbeten në vesh dhe, bashkë më melodinë, ruhen në kujtesë për shumë kohë. Këngët e vërteta janë ato që, jo vetëm interpretohen e kanë “performancë” të këndshme nga këngëtare e këngëtarë të shquar, por edhe që këndohen e këngëzohen nga njerëzit e zakonshëm.

Edhe në moshën që kam sot, kur kam mundësi e nge, dëgjoj muzikë, dëgjoj sidomos këngët e kënduara e të regjistruara në original, që janë si po thuhet për ushqimet “bio”, kurse prodhimet me intelegjencën artificiale janë të bukura, por atyre u mungon “era”, njësoj si luleve artificiale që nuk e kanë “adurin’ (erën, aromën) e “manushaqes ndë dushkut vjuar”.

Kur kam ndonjë grimëherë të lirë hyj në youtube dhe dëgjoj këngë popullore që kanë edhe tematikë të bukur. Më pëlqejnë shumë këngët e Nikollë Nikprelajt, sidomos ajo kënga që nis me vargjet e pavdira që himnizojnë njësinë dhe përbashkësinë etnokultuorore e gjuhësore të shqiptarëve në hapësirat ballkanike e në diasporë : “Pse jem toskë e pse jem gegë, jem si lisi me dy degë”, si dhe këngë të shoqëruara me lahutë të disa rapsodëve të talentuar të anëve të Veriperëndimit, si Pjetër Matusha, Jonuz Delaj, Pretash Nilaj, Vasel Shkreli, vëllëzërit Kolë e Biq Buçi nga Bajza e kastratit, vëllëzërit Lleshi nga Mirdita etj. Më kanë pëlqyer gjithmonë dhe disa këngë popullore që këndohen nga dy grupe që, në mënyrë të alternuar, “gjelafiten” duke ironizuar e thumbuar me të qeshur qëndrime a koncepte të ndryshme.

E kam fjalën për “Këngët e putirit”, një nga llojet e këngëve shumë interesante në anët e Shqipërisë Veriore, kryesisht në krahinat veripërndimore, në Malësi të Madhe, në Dukagjin, Shalë, Shosh etj. Me shumë kënaqësi dëgjoj “Dasma e Dukagjinit’, “Ta vlerësojë vetë historia” etj. nga një yjësi këngëtarësh si Gjovalin Shani, Ndue Shytani, Fran Kodra, Ndoc Fusha etj.

Mendoj se rigjallërimi i këngëve të putirit, si dhe përgjithësisht krijmet e bukura të folklorit të ri në trevat shqiptare e në diasporë, janë si perlat e krijimtarisë etnofolklorike të popullit shqiptar. Ato meritojnë jo vetëm të dëgjohen, po edhe të vlerësohen e të bëhet e mundshme që të gjallërohen. Mbi të gjitha janë për t’u përshëndetur, vlerësuar e nxitur këngët e reja të muzikës popullore dhe të muzikës së lehtë me tematikë të zgjedhur mirë e të shkruara me fjalë të bukura, me figura e metafora të vetvetishme e pa “tëhollime” të panevojshme.

Qysh se kam qenë i vogël, në rrjedhë të moteve e deri tashti që po plakem, i kam dashur shumë vjershat dhe këngët. Nuk kam kënduar vetë, por i kam në kujtesë fjalët e të gjitha këngëve të bukura popullore e të muzikës së lehtë.

Edhe kur lexoj e shkruaj në kompjuter, më pëlqen të kem një “shtrat” muzikor me zë të ulët. Dëgjoj me ëndje këngët e e brezit tim, si p.sh. të madhërishmen “Për ty Atdhe” të kënduar nga Mentor Xhemali, sikundër nuk mund të lë pa rikujtuar e ridëgjuar këngët e “bilbilit korçar” Gaqo Çako “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Ballëlarta me flamur”. Dhe, natyrisht, në treshen e bukur kompozitor-poet-këngëtar, me kalimin e viteve, njerëzit e zakonshëm, edhe mund t’i harrojnë emrat e krijuesve, por fjalët e këngëve dhe zërin e këngëtarëve mbahen mend e kujtohen më gjatë. Shpesh, më vijnë si këngëzim i ëmbël vargjet “Degën e dafinës e përkundi…”, por, para se të kujtohem se kompozitor ka qenë Limoz Dizdari, më del në buzë emri i këngëtarit. Dëgjoj e më kanë pëlqyer gjithherë këngët e Arif Vladit, Besnik Shaqirit, Gëzim Nikës, Vida Kunorës etj. shumë prej të cilave kanë edhe fjalë të bukura e që mbahen mend lehtë; dëgjoj këngë të Aurela Gaçes, sepse ka shumë shpirt në performancën dhe në fjalët e këngëve të saj. Dëgjoj shpesh këngët e bukura Frederik Ndocit, të Eli Farës, po edhe të Elsa Lilës e të Pirro Çakos e të mikt tim të hershëm Ardit Gjebrea.

Dëgjoj me ëndje edhe shumë këngëtarë të tjerë, sidomos kur më bie malli për zëra burrërorë, si këngë të Aleksandër Gjokës, të Redon Makashit etj. I dëgjoj unë, por janë të shumtë, janë me miliona ata që dëgjojnë më shumë se unë, që rrojnë me muzikën e këngën shqiptare, po edhe e kanë këngën në gjuhën shqipe si “ushqim” shqiptarie e si mësim gjuhe. Kënga, qysh në agimet e historisë njerëzore, ka qenë mjet i mësimit, i ruajtjes dhe i përhapjes së gjuhës amtare. Këtë rol e ka edhe kënga e sotme shqiptare, kënga e të rinjve dhe e të rejave, prandaj, edhe si gjuhëtar, më bëhet zemra mal kur dëgjoj këngautorë që këndojnë bukur, që sjellin tekste këngësh fjalëbukura, që kanë pasuri e larmi shprehjeje dhe që, duke dëgjuar e shijuar këngën e tyre, njerëzit përthithin edhe njomështinë e gjuhës amtare.

Disa vlerësime më të veçanta për këngët e Nikollë Nikprelajt

Ridëgjova me ëndje në yotube një koncert të bukur të Nikollë Nikprelajt, të regjistruar më 10 korrik 2025 me rastin e 50-vjetorit të daljes në skenë, 50 vite në shërbim të artit, kulturës dhe shpirtit të Malësisë. Nikolla nuk është vetëm një këngëtar shumë i njohur, i pashëm e më zë të mrekullueshëm, po edhe me formim të mirë muzikor e kulturor, me dhunti krijuese e mirëfilli poetike, që shfaqen aq këndshëm e me figurshmëri të pëlqyeshme në të gjitha tekstet e këngëve, që ai zakonisht i krijon vetë; ai është quajtur, nga muziktarë e kritikë bashkëkohës, si “bilbili i Malësisë”, zëri që i dha shpirt këngës, krenarisë, dashurisë dhe trojeve tona. Përmes zërit të tij janë rritur breza, janë ruajtur tradita, është përçuar dinjiteti i një populli që nuk i harron rrënjët.

Ai është biri besnik i Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, dhe Malësia gjithmonë do të mburret me të. Emri i Nikollë Nikprelajt, tashmë, me të drejtë vlerësohet si njëri prej bijve më të shquar të Malësisë së Madhe të ditëve tona, vazhdues meritor i yjësisë së “bijve të xhubletës”, si Ivanajt e mëdhenj (Nikollë, Martin e Mirash) nga Trieshi, si këngëtari i shquar Luk Kaçaj nga Bajza e Kastratit, si piktori akademik Gjelosh Gjokaj, si atë Zef Pllumi e Atë Kolë Berishaj, si famshmi Angjelin Prelocaj në Paris, si poeti e studjuesi Gjekë Marinaj etj.me të cilët krenarohet jo vetëm Malësia jonë e Madhe për këta bij të shquar të saj, po edhe mbarë shqiptaria.

Dëgjoj shpesh një nga këngët e tij “Më ka marrë malli për vendin tim”, të kënduar në duet me tenorin e shquar Kastriot Tusha, që nis me fjalët e këngës “majekrahu” : “O fjale për tel…”, tipike për fillimin e tubimeve festive madhëshore në Malësinë e Madhe, në një videoclip të realizuar në shtëpinë-muze të Dedë Gjo Lulit, si dhe, tashti së mbrami, edhe këngë të tjera të Nikollës të publikuara në Youtube. Kënaqem kur ia dëgjoj zërin e tij të thekshëm, po edhe larminë e intonacioneve e timbreve e shkrirjen e natyrshme të fjalëve të reja me leksikun e hershëm të të folmeve të Malësisë. Një mrekulli. Edhe ime shoqe, ndonëse është bijë e një familjeje nga Shqipëria e Jugut ( i ati nga Vlora, e ëma nga Gjirokastra), kur po i ridëgjoja këngët e Nikollës, për të nxjerrë disa elemente leksikore e shembullzime për thurimën leksikore e figuracionin e këngëve të tij, më qortoi se pse nuk jam ulur të shkruaj e të shpreh disa vlerësime për këtë këngëtar kaq të madh, virtuoz e me një krijimtari me tematikë atdhetare e me një shpallim shqiptarie pak të thuash të jashtëzakonshëm.

U “mbrojta”duke i kujtuar se e kam cituar disa herë këngën e Nikollës “Pse jem toskë e pse jem gegë, jem si lisi me dy degë”, por vërejtja e ish-mësueses së letërsisë më bëri të ulem e t’ia kushtoj disa rreshta të mirë këtij biri të shquar të Malësisë sonë, i cili, më këngën, zërin dhe artin e tij u jep një “ushqim” atdhetarie e shqiptarie brezave të shqiptarëve, sidomos atyre që janë në diaporë e që, nëpërmjet koncerteve të Nikollës dhe botimeve në Youtube e në videoklipa, bëhet edhe si shkollë e shqipes. Kam parasysh, sidomos “Jam Shqiptar, jam Malsor” publikuar me datë 9 tetor 2012. Për melodinë dhe për tekstin është përkujdesur Ilir Berani, teksa këngën e ka orkestruar Shpëtim Saraçi. Më ka pëlqyer e dua ta theksoj se Nikollë Nikprelaj ka ditur të kapet pikërisht te elementet e treguesit më të rëndësishëm të shqiptarisë, te vlerat atdhetare e fryma kombëtare që në shekuj janë edukuar te malësorët nëpërmjet këngës e si pjesë e psikologjisë dhe e etnicitetit të malësorëve shqiptarë, si lahuta e xhubleta, bujaria proverbiale dhe trimëria e shpirti i papërkulshëm e liridashës i malësorëve.

Për Lahutën, në videoklipin që ka publikuar me datë 11 prill 2007, kur diskutohej në zyrat e institucioneve përkatëse të UNESCO-s për pranimin apo jo të saj, si pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojur prej saj, Nikprelaj, me vargjet, zërin e tij pak të thuash si bilbil, po edhe me mjeshtërinë e tij si këngëtar i veçantë, i këndonte kështu këtij instrumenti përfaqësimtar të shpirtit të shqiptarëve:

“Si ushtima kur del prej dheut,

Si prej gojës së Skenderbeut,

Kapërcen shekuj me radhë,

Në malet tona gjallë se gjallë.

Kush ka thanë se ke mbarua?

Kush ka thanë se je harrua?

Ke jetue e prapë jeton,

Ke ushtue e prapë ushton.

Te oxhaku n’derë të Malësorve,

Te bajraku n’ballë të Dasmorëve,

Kurrë nuk plakesh kuj si falesh,

O lahutë jehonë prej malesh.

O lahutë ti je e jona,

Djepi yt te malet tona,

Ti je penda e kangës së rrallë,

Historia jonë e gjallë.”

Vlerësoj shumë dhe fjalët e realizimin e këngës kushtuar xhubletës, veshje e hershme e grave të Malësisë së Madhe, me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë p.e.s. dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetar.Edhe për xhubletën, ashtu si për lahutën, kënga e bukur e Nikollë Nikprelajt shkon në harmoni me jehonën e pranimit të saj si veshje nga më të hershmet dhe si e tillë do të jetë nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Natyrisht, si gjuhëtar që jam marrë gjithë jetën kryesisht me studimin e dialekteve, vlerësoj shumë lart idenë e mbarë e shumë të rendësishme, edhe me vlerë aktuale, për konceptin e drejtë që ka këngëari Nikollë Nikprelaj për dialektet e shqipes si “dy degë” të të njëjtit trung ashtu si degët e një lisi.

“Pse jem tosk’ e pse jem gegë,

jem lis o me dy degë.

Nuk ka fe as s’ka parti,

që e përçan kët shqiptari.

………………………..

Me trimri e mençuri,

dalngadal do bahem nji.

Nuk ka fe as s’ka parti,

që e përçan kët shqiptari.

Nikollë Nikprelaj në 50 e sa vjet, ka krijuar aq shumë këngë dhe të gjitha i ka të atilla që, po të shprehem malësorçe, “gjithecilla ësht ma e bukur se shoqja”, prandaj, në pamunësi për t’i përmendur të gjitha, punë që meriton të bëhet në një botim antologjik, duke përzgjedhur më të bukurat e tij.Po të isha unë do të zgjdhja me përparësi këngët me temë e theks të qartë atdhetar e kombëtar shqiptar, që u kushtohen trimave malësorë si Baca Kurti, Pretash Zeka, sidhe ato me tematikë nga Kosova, si: “Moj Kosovë t’u njehtë e mira!”, “UÇK ka emër” (publikuar me datë 26 nëntor 2025).

Nuk mund të mos përmendim me vlerësim të thekshëm shqiparie e me vlerë atdhetare kombëtare, këngën “ JEM ILIRA… JEM TEUTA” “

Tan kto male… sikur thërrasin,

Bjeshkët tona… diç po flasin:

Mos harroni n’kangë t’i a thoni:

Jem Ilira… jem Teuta,

Jem të rritur nëpër luftna,

T’gjithë Shqiptarët kudo janë,

Nuk kanë tjetër veç nji nanë.

……………………………….

Tanë kto male… sikur thonë:

Të gjithëve gjaku o… na bashkon.

Mos harroni n’kangë t’i a thoni:

Jem Ilira… jem Teuta.

Jem të rritun nëpër luftna.

T’gjithë Shqiptarët kudo janë,

Nuk kanë tjetër veç nji nanë.

Dhe, së mbrami, dëshroj të vë re edhe faktin se, Nikollë Nikprelaj ka dhe një djalë, që këndon bukur, Albinin, të pashëm e të hijshëm si Zuku Bajraktar dhe që, një nga këngët e të atit “Djali i kumbarës” ka filluar të këndojë dhe ai. Edhe Albini, është tashmë një emër i njohur, një këngëtar me talent që i shtohet krenarisë së një prindi për të birin kur bëhet i suksesshëm e në udhën e tij.Kjo, në mënyrë të natyrshme e të vetvetishme, më solli në mendje urimin tradicional të Malësisë sonë të Madhe, kur këngëtarët mbarojnë këngën: “Të këndoftë zemra e ja laç djalit!”.

Po, shumë bukur dhe kënaqësi e madhe për Malësinë, po edhe për krejt Shqipërinë e shqiptarinë, që djali i një artisti të shquar si Nikollë Nikpreaj të bëhet si i ati dhe, pse jo, po mundi, edhe më i mirë. Prej Nikollës te Albini (si i madhërishmi Andrea Bocelli me të birin në Itali), si i paharrueshmi Gaqo Çako me të birin, Pirron; si i madhi Avni Mula me Invën; si i famshmi Ibrahim Tukiqi me të birin, Davidin, që spikati qysh krejt i vogël me këngën e bukur “Globi rrotullohet”; si Ardit Gjebrea me të bijën, Anën, që aq me hijeshi po i vjen muzikës e prezentimit televiziv si një “gonxhe” që po çel bukuraza; si Sabri Fejzullahu me të birin në Kosovë, si Gjeto Luca me Markon e plot të tjerë.Në atë udhë të bukur, mesa duket do të ecin edhe vogëlushja e Aurela Gaçes e plotë të tjera, që u shtoftshin e paçin frymëzim.

Dëgjojini edhe ju, lexues të dashur, këngët e Nikollë Nikprelajt. Mua më pëlqyen si i këndon Nikolla, po edhe më shumë me fjalët e theksimet atdhetare e kombëtare shqiptare që ka në vargjet e këngëve të tij, të atyre me tema të mëdha si “S’preket Shqipja tek Flamuri”, “Unë biri yt, Malësi”, “Për liri e pavarësi”e për bëma trimërore, si për Baca Kurtin e Pretash Zekën, apo për luftarët e lavdishëm të UCK-së e të heroizmit të Kosovarëve, po edhe hijeshia ligjërimore e fjalët e pikuara (ashtu si argjendarët varëset e relikat e shtrenjta) që kanë edhe këngët me tema lirike a erotike, gjithmonë me përzgjedhje të kujdesshme e me fjalë të bukura, ashtu si i ka Malësia jonë e Madhe në traditën e hershme e të përhershme. Gati përditë e dëgjoj edhe këngën e tij humoristike “Gjithkush luan ka pak” si dhe këngë të tjera, që i këndon vetëm apo në duet me kolegë të shquar si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Selami Kolonja etj. Uroj t’ju pëlqejnë edhe juve, por unë, si gjuhëtar dhe dashamirë i këngëtarëve të tillë, duke i uruar të ketë suksese të mëtejshme, po edhe duke e përgëzuar për performancën e tij aq të pëlqyeshme, duke iu lutur të më mirëkuptojë do t’i thosha (sikundër ua kam shprehur edhe disa këngëtarëve të tjerë kur kam vlerësuar këngët e tyre) që dëshira dhe këshilla ime dashamirëse si gjuhëtar do të ishte që tekstet para se të publikohen edhe të redaktohen sa më mirë. Se, edhe në gjuhën e këngëve, ashtu si për të gjitha krijmet e shkruara (përkat.të publikuara në Youtube) mbetet me vlerë të përhershme thënia e urtë e latinëve: “Verba volant, scripta manent.”

Filed Under: Kulture

MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL

November 6, 2026 by s p

Thanas L. Gjika

(Me rastin e 95-vjetorit të vdekjes)/

Njerëzit që merren me art, kulturë, shkencë, politikë dhe atdhetari hyjnë në historinë kombëtare të popullit të vet nëse kanë mundur të sjellin me jetën dhe veprat e tyre vlera ideore, artistike, morale dhe materiale; nëse kanë hapur rrugë të reja, nëse vepra e tyre ka ndikuar në formimin e bashkëkombasve dhe nëse ajo vijon te lexohet/shfrytëzohet me përfitim edhe mbas vdekjes së tyre.

Mihal Gramenoja (1871-1931) është një nga figurat më të kompletuara, jo vetëm të Korcës, por të mbarë historisë dhe të letërsisë sonë kombëtare, si atdhetar, poet, novelist, dramaturg, memuarist, si publicist i talentuar dhe lufttëtar i lirisë me pushkën krahut.

Bijtë e Korçës dhe të Shkodrës ishin dy shtyllat Herkuliane të Rilindjes Kombëtare: Në vitin 1913, në Konferencën e 6 Fuqive të Mëdha ku u diskutuan kufijtë e shteteve ballkanike pas shkatërrimit të Perandorisë Turke, përfaqësuesi i Rusisë Cariste i detyroi pjesëmarrësit që t’i jepeshin shtetit serb tokat shqiprare të gjithë Vilajetit të Kosovës, dhe ato të anës perëndimore të Vilajetit të Manastirit, kurse shtetit grek t’i jepej Epiri i Jugut. Kundërshtimet e përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe të Italisë u hodhën poshte me votimin e katër përfaqësuesve të tjerë. Por kur më tej përfaqësuesi i Rusisë kërkoi që Shkodra t’i jepej Malit të Zi dhe Korça t’i jepej Greqisë, përfaqësuesi i Austro-Hungarisë i kundërshtoi këto kërkesa duke cituar mesazhin që i kishte dërguar me kabllogram Perandori Franc Jozef: “Shkodra dhe Korca duhet të jenë pa tjetër pjesë të shtetit shqiptar, sepse djemtë e këtyre dy qyteteve krijuan ideologjinë e Rilindjes Kombëtare, dhe pa këtë ideologji nuk mund të ekzistojë shteti i ardhshëm shqiptar”. Këtë mendim e mbështeti dhe Papa i Romës që mori pjesë personalisht në atë seancë të konferencës. Ky arsyetim u pranua nga shumica e delegatëve dhe kështu u hodh poshtë kërkesa shoviniste e Rusisë Cariste.

Shqiptaria mbi të gjitha: Që në rininë e hershme, Mihali u pushtua nga ideja madhore “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Që kur ishte 15-vjeçar, nxënës i gjysëmgjimnazit grek, u doli kundër vëllait më të madh, Dhimitrit, dhe mësuesve grekë, duke ua kundërshtuar hapur propagandën shoviniste për greqizim. Mbas kësaj zënke Dhimitri ndëroi mendim dhe u afrua me rrymën atdhetare. Vëllezërit e tjerë që u rritën pas Mihalit: Minai, Koçoja, Petroja, Tasi, e Spiroja, shkuan dhe ata pas tij. Mihali, me bashkënxënësit Kristo Floqi, Themistokli Gërmenji e Foqion Turtulli, etj, bënë të parët dallimin midis të qenit shqiptar simpatizant i kulturës greke dhe shqiptar grekoman, shërbëtor i propagandës shoviniste greke. Mësuesit grekë duke iu mësuar gjuhën greke, duke iu shpjeguar historinë dhe letërsinë e Greqisë së lashtë, përpiqeshin t’u ngjallnin nxënësve të tyre dashuri për Greqinë, krenarinë e të qenit grek, dëshirën për t’u bërë bir i kombit grek dhe përbuzjen ndaj origjinës shqiptare. Kjo punë djallëzore e mësuesve grekë dhe e priftërinjve grekë, shërbëtorë të Patrikanës së atëhershme të Stambollit, ishte mjaft e vjetër dhe kishte dhënë rezultate në shkollat dhe kishat e qyteteve shqiptare si Kosturi, Voskopoja, disi edhe Korça.

Para pushtimit osman, Kosturi kishte qenë qytet shqiptar i principatës së Muzakajve me nje minoritet te vogel grek, por gjatë shekujve XVI-XVIII, greqizimi i popullsi shqiptare të qytetit kishte ecur përpara. Shumica e popullsisë së këtij qyteti në fund të shek. XVIII e kishte braktisur gjuhën shqipe si gjuhë shtëpie dhe kishte përvetësuar gjuhën greke. Ndonëse popullsia e fshatrave për rreth Kosturit e ruajti gjuhën shqipe, në fillim të shek. XIX, kur filluan të përhapeshin në Ballkan idetë e krijimit të shteteve kombëtare, banorët e këtij qyteti iu bashkuan idesë së krijimit të shtetit grek.

Kurse qyteti i Voskopojës, i banuar nga arumunë/vlleh e shqiptarë, lulëzoi si qendër tregtare e kulturore deri në vitet 1769-1789, por pas dy djegieve dhe shkatërrimeve që pësoi, më 1769 prej ushtarëve të dërguar prej sulltanit dhe më 1789 prej kacakëve dhe fshatarëve të varfër të zonës për rreth, u rrudh në dimensionet e një fshati. Sulltani u alarmua prej aktivizimit të klerit të lartë ortodoks të Voskopojës, Ohrid, Korçës, Manastirit, Nikolicës etj dhe e gjuajti qytetin e Voskopojës me topa e altileri. U shkatërrua shtypshkronja dhe shkolla e mesme në gjuhën greke, e quajtura “Akademi”. Kjo shkollë kishte pasur në programet e veta vetëm mësimin e gjuhës e të kultures greke, asnjë orë mësimi për gjuhën arumune e shqipen, gjuhët amëtare të banorëve vendas. Nuk u hartua asnjë abetare e arumanishtes ose e shqipes, nuk u mblodh krijimtaria gojore e këtyre dy popullsive. Energjitë intelektuale të këtij qyteti u derdhën për perhapjen e ideve iluministe te kohes, por duke perdorur vetem gjuhen greke, gje qe ndihmonte ne procesin e greqizimit te nxënësve e të banorëve dhe jo për gjallërimin e ideve të rilindjes kombëtare të aromunëve dhe të shqiptarëve.

Qyteti dhe krahina e Korçës pati tjetër ecuri, sepse bijtë e saj, kur shkonin në mërgim (Stamboll, Egjypt, Bukuresht, Sofje, SHBA) përqafonin atje idetë e nacionalizmit të popujve ku ata punonin. Këto ide ata i sillnin në vendlindje, ku i përhapnin përmes bisedave gojore, poezive dhe artikujve të botuar nëpër gazeta. Këto ide ndezën zjarrin e nacionalizmit shqiptar tek zemrat e shumë qytetarëve dhe fshatarëve korcarë.

Erësira në të cilën e kishte mbajtur popullin shqiptar për disa shekuj pushtuesi turk, filloi të davaritej së pari në Korçë në saje të punës dhe veprës së shume atdhetareve, por sidomos te katër pishtarëve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare: Naum Veqilharxhi, Thimi Mitko, Mihal Grameno e Asdreni.

Naum Veqilharxhi u be ideologu i parë i shqiptarizmit me letrën qarkore dhe abetaren/ Evetarin, që i botoi më 1844. Me alfabetin e tij u mësua shkrimi e leximi i gjuhës shqipe tek e para shkollë shqipe jo zyrtare tek Manastiri i Shën Mërisë në Trebickë në vitet 1850-1855.

Thimi Mitko botoi më 1878 librin “Bbleta shqiptare”, të parën përmbledhje me krijime popullore nga krahinat e Shqiperise dhe nga arbereshet e Italise e te Greqise.

Mihal Grameno hodhi hapat e para të letërsisë shqipe si novelist, dramaturg, tragjedian, hartues i hymneve kryengritëse, dhe si atdhetari që rëmbeu pushkën e doli malit për liri.

Asdreni krahas krijimtarisë së gjerë poetike e pasuroi Rilindjen Kombëtare Shqiptare me Hymnin Kombëtar.

Me përpjekjet e tyre bijtë e bijat e Korçës hapën shkollën e parë shqipe për djem më 1887 dhe për vajza më 1891.

Korcarët e pasuruan lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe me një aspekt tjetër, me dhurime shumash në të holla për ndërtim veprash shoqërore e kulturore, si shkolla, bibliotekë, shtrim rrugësh, krijim kopshtesh e çezmash, etj. Vlen të përmenden këtu vëllazërit Tërpo, që dhruruan shtëpinë e tyre për të shërbyer si godinë e Mësonjëtores së parë shqipe; Dr Thoma Turtullin, që dhuroi paret për ndërtimin e godinës së Bibliotekës së qytetit dhe të godinës që u bë spital; miljonerin Anastas Avramidh Lakçe që dhuroi shumën për ndërtimin e Kishës madhështore të Shën Gjergjit, shenjtorit mbrojtës të qytetit; Jovan Bankën që la në testament pare për ndërtimin e një shkolle; milionerin Kristo Naum Dogani bashkëshorti i hallës së M. Gramenos, për dhurimin e një shume të madhe për ndërtimin e një universiteti në Korcë, etj. Duke mos pasur avokatë shqiptarë testamentet e tyre këta atdhetarë i nënshkruan me avokatë grekë, të cilët shprehjen “Për skoli në Shqipëri” e interpretuan si dëshirë për hapje shkollash në gjuhën greke në trojet shqiptare.

Ndërkohë vetë Mihal Gramenoja dha shembullin e dhuruesit bujar, ai dhuroi kursimet e tij shumëvjeçare të mërgimit për mirëtrajtimin e anëtarëve të çetës së Cerciz Topullit.

Si rilindas ky atdhetar ishte njëheresh dhe iluminist. Duke ndjekur shembullin e rilindësve pararendës ai luftoi që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishin futur sundimi i gjatë dhe i egër turk dhe propagandat e qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë. Luftoi ta nxirrte popullin e vet nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonte për të përdorur logjikën e vet për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse. Luftoi për ringjalljen e krenarisë kombëtare shqiptare duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike, duke hymnizuar udhëheqësin e shquar mbretin Pirro të Epirit me tragjedinë “Vdekja e Pirros” e cila u vu në skenë shumë herë në Bukuresht, Vlorë, Boston, Tiranë, Durrës e Korçë.

Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenoja e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, hymneve patriotike dhe këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut (1907-1908). Ai u shqua për aktivizimin e tij të pandërprerë në lëvizjen kombëtare e demokratike, sepse sipas tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë. Ky mendim i Gramenos qorton shumë nga ne shqiptarët e sotëm, që e kemi kthyer mërgimin në shpërngulje familjare.

Mihal Gramenoja, si shumë bashkëkombas të rinj u hodh në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se edhe të tjerët do ta ndiqnin shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë dhe ia arritën synimit të tyre. Ata luftuan për ta çliruar edhe letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ndjekur rrugën e poetëve kombëtarë, Naim Frashërit, Atë Gjergj Fishtës, Andon Zako Cajupit, Gramenoja ndihmoi për ta afruar letërsinë tonë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe për ta bërë atë shprehëse të ndërgjegjes morale dhe estetike të popullit shqiptar. Ashtu si shkrimtarët më të mirë dhe ai luftoi me shumë sakrifica për dinjitetin e vet dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studjuar dhe pa i vlerësuar si duhet këta farkëtues të shqiptarizmit. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma shoqërore e morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.

Mihal Gramenoja u lind në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi në mbrëmje mësimet në një shkollë të mesme që ishte hapur me nxitjen e Nikolla Nacos, dhe mbeshtetjen financiare të qeverisë rumune. Atje, bashkë me Asdrenin, Jashar Erebarën etj Mihali dëgjoi leksionet që dhanë disa profesorë universitarë. Në vitin 1903 ai erdhi në vendlindje dhe pushoi disa javë në Vithkuq, ku dëgjoi historinë tragjike të një familjeje, tragjedia e së cilës u shkaktua prej priftit grekoman që nuk deshi ta pagëzonte foshnjën në gjuhën shqipe. I prekur prej kësaj ndodhie Mihali hartoi novelën “Varri i Pagëzimit”.

Nga fundi i vitit 1906 shkoi në Sofje ku u takua me vëllezërit Bajo e Cerciz Topulli, të cilët i përgëzoi për veprimet e çetës së tyre dhe u dha fjalën se vitin e ardhshëm do të bashkohej dhe ai me ta. Pasi bëri stërvitje ushtarake në një poligon për përdorimin e pushkës, ku demtoi gishtin e madh te dores se djathte. Hartoi hymnin patriotik “Për Mëmëdhenë” dhe shkoi përsëri në Sofje, ku u bashkua me çetën e re. Bajoja duke e vlerësuar formimin atdhetar dhe intelektual të Mihalit, vendosi të mos delte kësaj radhe komit. Mihali gjatë marshimeve të çetës shërbeu si komit dhe si propagandistit, “shkronjëtor”, si e quante ai veten. Mbajti shënime për çdo gjë të rëndësishme që ndodhi nga marsi i vitit 1907, kur ceta u nis prej Sofjes, e deri në fund të korrikut 1908, kur ajo u shpërnda në Thesalonik. Mbi bazën e këtyre shënimeve ai hartoi më vonë veprën letrare memuaristike “Kryengritja Shqiptare”, ku e përjetësoi jetën e luftëtarëve të asaj çete. Pa këtë vepër çeta e Cerçiz Topullit do të ishte nënvlerësuar, shumë ngjarje të saj do të ishin harruar, vetë figura e Cerçizit do të përmendej thjesht si shumë komandantë të tjerë çetash patriotike.

Krijimtaria letrare poetike dhe pjesëmarrja e Mihal Gramenos në cetën e Cerçiz Topullit, e bëri atë një rilindës shqiptar të ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihai Eminescu 1850-1889), Tudor Argjezi (Tudor Arghezu 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botev (Hristo Botev 1848-1876),

Mbas korrikut 1908 Mihali qëndroi në qytetin e lindjes, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk, dhe filloi aktivitetin publicistik duke botuar së pari gazetën Lidhja Ortodokse (1909-1910) dhe pas saj gazetën jetëgjatë Koha, të cilën e botoi në vitet 1911-1912 dhe 1914 në Korçë, në vitet 1915-1919 në qytetin Jamestown NY të SBA-ve dhe në vitet 1920-1926 përsëri në Korçë. Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, kryeartikuj, portrete, fejtone, pamflete dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për te diskredituar progandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë.

M. Gramenoja nuk mundi të firmoste si delegat i Korçës aktin e shpalljes së pavarësisë, sepse Xhavit Pasha, komandanti i forcave turke të zonës së Korçës ua dorëzoi veprimtarëve korçarë disa ditë me vonesë telegramin që nisi Ismail Qemali nga Durrësi, ku kërkonte dergimin e një delegati për Kuvendin që do të mbahej në Vlorë. Mihali edhe pse u zgjodh prej atdhetarëve korçarë delegat i Korçës, nuk mundi të merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, mbasi arriti atje me vonesë. Ismail Qemali e mirëpriti dhe e mbajti pranë. Në fund të korrikut 1913, kur suguroi fonde për botimin e gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, gazetës zyrtare të Qeverisë së Vlorës, iu lut Gramenos që të merrte detyrën e botuesit e të kryeredaktorit. Mirëpo Mihali, duke qenë se i njohu nga afër ministrat e asaj qeverie, shumë prej të cilëve kishin mentalitet oriental, nuk e pranoi propozimin e kryeministrit dhe i tha se do të ndihmonte me sa të mundej si gazetar i lirë, por jo si nëpunës me rrogë. Ai shkroi në këtë gazetë shumë shkrime problemore nga gushti deri në nëntor të vitit 1913.

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria u pushtua prej ushtrive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenoja u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij, Minait, Koços dhe Petros. Në SHBA iu bashkua komunitetit shqiptar të qytetit Jamestown New York, pranë liqeneve të mëdhenj. Aty vijoi botimin e gazetës Koha, nga janari 1915 deri në tetor 1919. Kjo periudhë 5-vjecare ka qenë periudha e lulëzimit të Gramenos si publicist. Me portrete, fejtone pamflete e shkrime të tjera satirike, nga njëra anë ngriti lart figura atdhetarësh si Isamil Qemali, Nikolla Naçoja, Thanas Tashkoja, Themistokli Gërmenji, Sali Buka, motrat Qiriazi, luftëtarët e lirisë si Cerçiz Topulli, Themistokli Gërmenji; dëshmorët e atdheut si Vasil Nastas Trebicka, etj; dhe nga ana tjetër kritikoi disa ministra të qeverisë së I. Qemalit, të cilët i kishin kthyer zyrat ministrore në kafene e vend muhabetesh. Po ashtu në këto vite ai kritikoi dhe disa dobësi të zyrtarëve të lartë të Federatës Vatra, si egoizmin dhe prepotencën e Fan Nolit te fejtoni “Unë”, sjelljen demagogjike të Kol Tromarës te fejtoni “Programistët”, etj.

Natyrisht me shkrimet satirike të kësaj periudhe, Gramenoja nuk synonte të kritikonte personat konkretë, por veset dhe dobësitë e karakterit të tyre. Ai nuk u mbante mëri personave me të cilët këmbeu polemika. Kështu ndodhi me Fan Nolin, të cilin e kishte vlerësuar lart më 1913, kundër qëndrimit të zyrtarëve të qeverisë së I. Qemalit, të cilët nuk donin që Noli të zbriste në Vlorë, por kur gjatë viteve 1916-1918 Noli kritikoi “Partinë Politike” dhe vendimin e saj për emërimin e I. Qemalit delegat pranë qeverive europiane, dhe M. Gramenon, mbështetësin e këtij vendimi. Mihali i hodhi tutje këto kritika e sharje, dhe kur Noli gjatë vitit 1918 shkoi për të meshuar në kishën shqiptare të Jamestown NY, ai e takoi me përzemërsi e shtroi drekë për nder të tij. Po ashtu, kur Noli u shpall Peshkop i kishës shqiptare të Amerikës më 1919, Gramenoja e përshëndeti në gazetën e tij, ndonëse ky veprin nuk ishte në përputhje me kanunin e Kishës Ortodokse. Edhe më vonë Gramenoja e përshëndeti zgjedhjen e F. Nolit Kryeministër të qeverisë që u krijua pas lëvizjes revolucionare të qershorit 1924 dhe u përpoq ta ndihmonte atë për të realizuar programin e saj.

Më 1920 Gramenoja u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku rifilloi botimin e gazetës “Koha”. Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924 ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe në fitoren e lëvizjes revolucionare të Qershorit 1924, e cila solli në pushtet Fan Nolin. Pas dështimit të qeverisë “Noli” dhe ardhjes në pushtet të kundërshtarit Ahmet Zogu, M. Gramenoja duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike u detyrua të qëndronte në atdhe. Në janar 1925 Faik Konica, miku i Nolit e kundërshtar i Zogut shkroi tek “Dielli”: “Ahmet Zogu na mundi dhe na mundi me themel… Mund ta urrejmë Ahmet Zogun, po duhet ta njohim se është më i zoti, shumë më i zoti se ne…” prandaj, shtonte ai, duhet një pajtim për të siguruar qetësinë e brendshme. M. Gramenoja e dëgjoi këshillën e Konicës. Ahmet Zogu pas disa muajsh shpalli amnistinë dhe M. Gramenon e vlerësoi si patriot. Pas botimit të librit “Kryengritja Shqiptare” qeveria i lidhi një pension patriotik, të cilin Mihali e gëzoi derisa vdiq në shkurt të vitit 1931. Pas vdekjes së Mihalit e mori bashkëshortja e tij, Androniqi / Niqi Grameno, e cila e mori pesionin deri sa u largua nga jeta më 1980. Të gjitha qeveritë që erdhën në pushtet pas pushtimit fashist më 7 prill 1939 ia njohën vlerat atdhetare shkrimtarit e luftëtarit Mihal Grameno, madje qeveria komuniste e shpalli më 1972 “Hero i Popullit”.

Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur dhe në përpjekjet e para seriozë për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirti dhe e talentit të Mihal Gramenos, ka qenë e dukshme dhe e paharrueshme.

Ai bashkë me rilindësit tanë më të mprehtë e zgjodhi luftën për liri e demokraci sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht Gramenoja kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, dhe t’i hidhte poshtë propozimet që i bënë sundimtari turk dhe dhespoti grek i Korçës në vitin 1909, si dhe ministri italian San Juliano në Milano më 1914, për të marrë rroga të majme po të punonte si gazetar në shërbim të tyre.

Si dramaturg e publicist M. Gramenoja bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit, shënuan një periudhë të re letrare ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Andon Zako Cajupi, Mihal Gramenoja dhe Asdreni e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata bashkë me Atë Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën e pak të tjerë, nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin romantikët para tyre, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë dhe mentalitetin shqiptar të asaj kohe.

Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimit, që botoi në vitet 1904-1909, Gramenoja hyri në letërsinë tonë bashkë me Dom Ndoc Nikajn si lëvruesit e parë të prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre novelave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie.

Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë elemente të realizmit, Gramenoja i hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, etj.

Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike ne vargje, në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer, prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.

Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet humori i veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit të huaj, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve.

Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Ky lloj realizmi te kjo komedi është më i shëndetshëm se në novelat e tij. Dobësia e realizmit spontan të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori. Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe e shkruar më 1902 dhe botuar më 1905 ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mendoj se i ka shërbyer si shtytje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes që e hartoi më 1910 dhe u botua pas vdekjes së tij më 1937. Komedia “Mallkimi i gjuhës shqipe” në kushtet e sotme, kur disa qarqe qeveritare greke ndjekin një politikë mesjetare për perçmim dhe asimilim të shqiptarëve, mund të përpunohet nga ndonjë talent i ri dhe të vihet në skenë, ose të kthehet në skenar filmi artistik, ku të demaskohet grekomanizmi, qe eshte gjallëruar në ditët tona.

Tragjedia Vdekja e Pirros, ka në qendër një temë historike, fundin e jetës së mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Andon Zako Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar.

Pavarësisht nga karaktrei spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan, procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin te Andon Zako Çajupit, me vepra të Atë Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.

Gramenoja nuk është vetëm prozator e dramaturg por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë, Lamtumirë, Uratë për liri, Ardhi dita, të cilat u bënë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja, të cilat u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke, por edhe në vitet 1940-1944 kundër zgjedhës italo-gjermane.

Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e Mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dalendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamirut i Asdrenit, Flamuri i Atë Fan Nolit, Vlora Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lazgush Poradecit, e të tjera mund të futen në çdo tekst antalogjik për shkollat 9-vjeçare dhe për shkollat e mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë në formimin atdhetar të nxënësve.

Gramenoja u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike si rrallë kush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse dhe Koha, të cilat, me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.

Publicistika është në fakt fusha ku shkëlqeu edhe më shumë talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh, mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër propagandistët kryesorë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe disa klerikë të besimit katorik; ose ajo turke, që propagandonte ndonjë gazetar filoturk. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar. Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.

Duke qenë se Gramenoja iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, shohim se në publicistikën e vet interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë Gramenoja eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.

Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, Gramenoja qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, ky gazetar në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji.

Gramenoja u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin, si dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e para të publicistëve tanë si një penë origjinale, si veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike.

Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbi mesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Grmaenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve autodidakte të pandalshme. Ai ishte gjithnjë i kuptueshëm dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh.

Gramenoja, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e veta publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik.

Filed Under: Kulture

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 583
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT