• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

34th Albanian Festival at SUNY Purchase on November 1st, 2026

October 29, 2026 by s p

Join us for the 34th Albanian Festival at SUNY Purchase on November 1st, 2026. Doors open at 4 pm and the show runs from 5 pm to 8 pm.

You can buy tickets now at the Our Lady of Shkodra church and by calling any of the ticket managers listed below.

We’ll have plenty of new music, dances, and costumes for you to enjoy! Don’t miss out on this year’s show!

Filed Under: Kulture

FILATELIA NUK MUND TË QËNDROJË JASHTË REALITETIT SHQIPTAR

October 27, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Kur mbrojtja e natyrës bëhet çështje qytetarie, edhe pulla postare duhet të flasë për kohën në të cilën jetojmë. Filatelia nuk është vetëm mbledhja dhe studimi i pullave postare. Ajo është një formë e veçantë e dokumentimit të historisë, kulturës, zhvillimit shoqëror dhe marrëdhënies së njeriut me mjedisin. Nëpërmjet imazheve të vogla të pullave, një vend paraqet vlerat që dëshiron të ruajë, figurat që nderon dhe trashëgiminë që synon t’u përcjellë brezave. Por, nëse filatelia ka këtë funksion dokumentues dhe edukues, lind një pyetje e rëndësishme: a duhet ajo të pasqyrojë edhe problemet e shoqërisë në të cilën jetojmë?

Në Shqipërinë e tranzicionit, kjo pyetje merr një domethënie të veçantë. Pas më shumë se tri dekadash ndryshimesh politike, ekonomike dhe shoqërore, vendi përballet me sfida që lidhen jo vetëm me mirëqenien e qytetarëve, por edhe me mbrojtjen e pasurive natyrore, përdorimin e territorit dhe përgjegjësinë institucionale. Në këtë kontekst, problematikat mjedisore nuk mund të shihen si çështje të shkëputura nga jeta e përditshme. Ato lidhen me zhvillimin ekonomik, cilësinë e jetës, interesin publik dhe të drejtën e brezave të ardhshëm për të trashëguar një vend të shëndetshëm.

Shqetësimet për Zvërnecin, ishullin e Sazanit, Rrjollin, ndërhyrjet në lumenj përmes hidrocentraleve dhe shfrytëzimin e kodrave e maleve në emër të investimeve strategjike kanë nxitur debat publik dhe kundërshtime qytetare. Këto çështje, përtej veçorive të secilës, shtrojnë një dilemë themelore: si mund të pajtohet zhvillimi ekonomik me ruajtjen e biodiversitetit dhe të trashëgimisë natyrore? Kur vendimmarrja për territorin perceptohet si e shkëputur nga interesat e komuniteteve, shqetësimi për natyrën mund të shndërrohet në një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.

Në këtë klimë, mobilizimi qytetar, veçanërisht përfshirja e të rinjve në protesta dhe diskutime publike në Tiranë dhe në zona të tjera të vendit, tregon se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm një interes i specialistëve apo i organizatave mjedisore. Ajo është bërë pjesë e një kërkese më të gjerë për transparencë, përgjegjësi dhe respekt ndaj interesit publik. Kur të rinjtë ngrihen për të mbrojtur një hapësirë natyrore, ata nuk mbrojnë vetëm një peizazh; ata shprehin edhe shqetësimin për Shqipërinë që do të trashëgojnë. Pikërisht këtu filatelia mund të gjejë një rol më të rëndësishëm. Pullat postare shqiptare që paraqesin florën, faunën, peizazhet, liqenet, ligatinat dhe zonat e mbrojtura nuk duhet të konsiderohen thjesht objekte të bukura koleksionimi. Ato mund të shërbejnë si dokumente vizuale të pasurisë natyrore dhe si mjete për edukimin ekologjik.

Një pullë që paraqet pelikanin kaçurrel, një shpend me rëndësi të veçantë për ligatinat shqiptare, merr vlerë të dyfishtë kur shoqërohet me informacion për habitatin e tij, kërcënimet që e rrethojnë dhe nevojën për mbrojtjen e tij. E njëjta gjë vlen për bimët endemike, faunën e egër dhe ekosistemet e brishta. Vlera e një emetimi filatelik nuk duhet të matet vetëm me cilësinë artistike, tirazhin apo interesin që ngjall te koleksionistët. Ajo mund të vlerësohet edhe nga aftësia për të përcjellë njohuri, për të nxitur reflektim dhe për të krijuar një lidhje ndërmjet trashëgimisë natyrore dhe përgjegjësisë qytetare.

Pullat, vulat postare, zarfet e ditës së parë dhe materialet e tjera filatelike mund të përdoren në shkolla, klube filatelike dhe ekspozita tematike për të afruar të rinjtë me ekologjinë dhe historinë e mjedisit shqiptar. Megjithatë, filatelia nuk duhet të kufizohet vetëm te paraqitja e bukur e natyrës. Ajo mund të ndihmojë edhe në ngritjen e pyetjeve që shoqëria nuk duhet t’i shmangë: çfarë ndodh me një habitat kur ndërhyrjet njerëzore e dëmtojnë atë? Çfarë vlere ka një zonë e mbrojtur nëse mbrojtja mbetet vetëm në dokumente? Si mund të sigurohet zhvillimi ekonomik pa shkatërruar burimet natyrore? Dhe çfarë përgjegjësie kanë institucionet, bizneset dhe qytetarët përballë këtyre sfidave?

Këto pyetje e zgjerojnë kuptimin e filatelisë nga një veprimtari koleksionimi në një formë të komunikimit kulturor dhe shoqëror. Ato nuk kërkojnë që pulla postare të shndërrohet në mjet propagande apo në instrument të një qëndrimi partiak. Përkundrazi, kërkojnë që ajo të ruajë karakterin e saj dokumentues, të mbështetet në fakte dhe të pasqyrojë me përgjegjësi çështjet që kanë rëndësi për shoqërinë. Tranzicioni shqiptar ka treguar se zhvillimi nuk mund të vlerësohet vetëm përmes ndërtimeve, investimeve dhe treguesve ekonomikë. Ai duhet të matet edhe me aftësinë për të ruajtur lumenjtë, pyjet, brigjet, biodiversitetin dhe hapësirat që përbëjnë pasuri të përbashkët. Në këtë kuptim, mbrojtja e natyrës është pjesë e kulturës demokratike dhe e përgjegjësisë ndaj brezave të ardhshëm.

Filatelia shqiptare duhet të jetë në përputhje me problematikat e tranzicionit, sepse ajo nuk dokumenton vetëm atë që kemi qenë, por mund të na ndihmojë të reflektojmë edhe mbi atë që po bëhemi. Nëse pullat postare na tregojnë bukurinë e Shqipërisë, studimi dhe interpretimi i tyre duhet të na kujtojnë edhe detyrimin për ta ruajtur atë. Në një kohë kur të rinjtë kërkojnë të dëgjohen dhe qytetarët kërkojnë më shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët, filatelia mund të bëhet një urë lidhëse ndërmjet historisë, edukimit dhe ndërgjegjes qytetare. Sepse një vend nuk e dëshmon dashurinë për natyrën vetëm duke e paraqitur atë në pullat e veta postare, por edhe duke ditur ta mbrojë në jetën reale.

Filed Under: Kulture

Luljeta Lleshanaku nderohet me çmimin Horst Bienek nga Akademia Bavareze e Arteve të Bukura në Gjermani

October 26, 2026 by s p

Me 20 Tetor në mbrëmje, Akademia Bavareze e Arteve të Bukura (Bayerische Akademie der Schönen Künste) në Mynih, Gjermani, shpalli poeten Luljeta Lleshanakun fituese të çmimit Horst‑Bienek 2026.

Çmimi Horst Bienek për Poezinë (Horst-Bienek-Preis für Lyrik) është një çmim letrar ndërkombëtar, që mban emrin e romancierit dhe poetit Horst Bienek dhe u jepet poetëve si vlerësim për veprën e plotë. Ai u themelua në vitin 1991, fillimisht një herë në vit, dhe një herë në dy vjet duke filluar nga viti 2010. Disa nga fituesit më të njohur të këtij çmimi në vite janë: John Ashbery (1991),Tomas Tranströmer (1992), Robert Creeley (1993), Seamus Heaney(1994), Inger Christensen(1998), Adam Zagajewski(2002), Charles Simic (2003), Yves Bonnefoy(2007) dhe fituesja e fundit Agi Mishol (2024). Ky çmim shoqërohet me një vlerë monetare prej 10,000 Euro. Çmimi inkurajues prej 5,000 Eurosh iu dha poetes ukrainase Halyna Kruk. Ceremonia e dorëzimit të çmimit do të mbahet me 2 dhjetor në Mynih.

Sipas argumentit të jurisë të përbërë nga Daniela Danz, Wolfgang Matz, Holger Pils, Elisa Primavera-Lévy, Beate Tröger dhe Jan Wagner: “Luljeta Lleshanaku shkruan poezi me një qartësi të madhe, në të cilat kujtesa vetjake dhe përvoja historike gërshetohen në mënyrë të pandashme. Gjuha e saj është e saktë dhe e përmbajtur, por mbart një tension të veçantë, i cili bën që e përditshmja të kalojë papritur në rrafshin ekzistencial. Me një ndjeshmëri të mprehtë ndaj thyerjeve, humbjeve dhe pasojave të dhunës politike, ajo bën të dukshme mënyrën se si historia gdhendet në trup, marrëdhënie dhe histori jetësore. Krijimtaria e saj përbën një nga zërat më të spikatur në poezinë bashkëkohore evropiane dhe meriton vëmendje shumë më përtej botës shqipfolëse.”

Deri tani, Lleshanaku ka dy përmbledhje me poezi të botuaranë gjuhën gjermane nën përkthimin e Andrea Grill: “Kinder der Natur” (Edition Korrespondenzen, 2010)“) dhe “Die Stadt der Äpfel (Carl Hanser Verlag GmbH, 2021).

© BalkanWeb

Filed Under: Kulture

“Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit

October 20, 2026 by s p

Luan Rama/

Artur Muharremit po ti shkosh papritur në shtëpi do ta gjesh gjithnjë para një tabloje. Puna e gjatë padyshim e lodh por ajo për të është gjithashtu dhe një lloj terapie. Dhe në këtë gjendje, lodhja duket se mundet, tërhiqet, pa arritur ta thyejë atë. Dhe kjo vazhdon si një ritual murgu, me ditë, muaj, vite, që kur e kam njohur kur nga Instituti i Arteve erdhi të punojë në Kinostudio, të krijojë si regjisor e piktor në animacion, duke vazhduar njëkohësisht dhe pikturën e kavaletit. Një vit para fillimit të ndryshimeve politike në Shqipëri, më shumë se 35 vite më parë ai rikrijoi figurën e tij me penela në duar dhe me pikëpytjen e madhe: çfarë të krijosh, duke mos pranuar të punojë nën urdhërat e ideologjisë por në lirinë e artistit.

Një pikturë emblematike, në pyetje filozofike që i bëri artisti vetvetes, kur arti përdorej si një fasadë e “lumturisë” Më pëlqen gjithnjë të bisedoj me të, të rri dhe bisedojmë sëbashku, për jetën, artin, politikën. Marr trenin dhe vij në Rouen duke e gjetur gjithnjë në atelier me punime të reja, tablo në përfundim e sipër apo që pas një kohë i ka ripunuar, pasi proçesi i krijimit vazhdon deri në ditën kur tabloja lë atelierin për të shkuar drejt publikut, galerisë, koleksionistit.

E tillë është tabloja “Humanoidët”, një temë e dashur për të që lidhet me zvetnimin e shpirtit njerëzor kur mbi shpirtin nis e merr mbivlerë paraja, teknologjia, uniformiteti, ku njeriut shumë pak i mbetet nga ajo që është personale, ndjesore, e thellë, shprehje e qenies dhe integritetit të tij edhe pse ai tenton ti shpëtojë këtij uniformiteti dhe shpërfytyrimit thjesht në një numur. Humanoidët në këtë tablo janë një vajzë dhe një djalë, ku hekuri i ftohtë përbën tashmë gjymtyrët e tyre. Gjithçka është e ftohtë inerte, dhe ajo kitarrë. Ndërsa lart, kultet e besimit e kanë lënë tokën dhe janë ngritur në ajër pasi kjo botë e “re” i ka larguar dhe ato enden pa peshë si në një galaksi tjetër…

Para se të largohesha fotografova një tablo të varur në mur, të perfunduar pak më parë: një kompozim me turmën njerëzore ku nga poshtë, njerëzit sulmojnë të ngjiten lart, si duket për të dalë në një botë tjetër, madje ngado ka shkallë dhe ata ngjiten si munden për tu bërë ajrorë, sikur piktori të ishte frymëzuar nga idea e Dantes, e daljes nga Ferri, ku ai dhe Virgjili ngjiten për tu shfaqur në Purgator. E ngjyrat në këtë ngjitje ndryshojnë: nga viktimat e shtrira në okër dhe makinat e prishura, në një grua me fytyrën e mbuluar nga flokët në krahë të një burri, e ngjashme me një figurë biblike, një kazan e pastaj në njerëzit që nxitojnë për tu ngjitur më lart dhe deri tek ajo turmë gati uniforme njerëzish që janë në ngjyrë të kaltër, si të ishin zogj dhe jo njerëz, pasi tashmë enden në një botë të paqtë. E megjithatë të mbeten sytë tek një topth i kuq anash. Padyshim një figurë simbolike. Dhe Arturit i pëlqen gjithnjë të ketë figura të tilla që shikuesin e bëjnë të mendojë: ç’të jetë vallë?…Kur dal nga shtëpia dhe atelieri i tij, bie shi në Rouen, por unë rri e mendoj për atë topth të kuq që qëndron në anë të talosë… Kohë e trishtë por unë jam i gëzuar me shpirtin dhe penelin e mikut tim.

Filed Under: Kulture

Kur miqtë e Shqipërisë kthehen kundër qeverisë, fundi i iluzionit politik Rama?

October 20, 2026 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Nga paralajmërimi i senatorit Gary Peters te kritikat e eurodeputetëve, Edi Rama përballet me një të vërtetë që diplomacia e tij nuk mund ta fshehë: miqtë e Shqipërisë nuk janë domosdoshmërisht miqtë e pushtetit të tij. Ka një moment kur një kryeministër duhet të shqetësohet më shumë nga heshtja e miqve sesa nga zhurma e kundërshtarëve. Dhe një moment edhe më të vështirë: kur miqtë fillojnë të flasin, por jo më në mbështetje të tij.

Edi Rama duket se po përballet me këtë provë. Protestat në Shqipëri, përplasjet me policinë dhe shqetësimet për trajtimin e studentëve kanë kaluar kufijtë e debatit të brendshëm. Ato kanë mbërritur në Uashington dhe Bruksel, ku përfaqësues politikë që mbështesin Shqipërinë po kërkojnë respektimin e të drejtave demokratike.

Për një kryeministër që ka investuar kaq shumë në imazhin e tij ndërkombëtar, ky është një sinjal politik që nuk mund të mbulohet me propagandë.

Sepse Rama ka ditur të ndërtojë marrëdhënie me liderët perëndimorë, të shfaqet si garant i stabilitetit rajonal dhe ta paraqesë integrimin evropian si sukses personal. Por një pyetje bëhet gjithnjë e më e pashmangshme: a mund të quhet garant i stabilitetit një qeveritar që nuk arrin të krijojë besim te qytetarët e vet?

Gary Peters: Paralajmërimi nga Amerika

Reagimi i senatorit demokrat të Michiganit, Gary Peters, ka një domethënie të veçantë. Sipas deklaratës së raportuar më 19 tetor, ai shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri dhe kërkoi që autoritetet të përmbahen nga agresioni ndaj protestuesve paqësorë.

Ky nuk është një politikan që kërkon të marrë pjesë në betejat partiake të Tiranës. Peters përfaqëson Michiganin, ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptaro-amerikan, i lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë. Gary Peters nuk kërkon të rizgjidhet në nëntor por e bën këtë në emër të miqve të tij shqiptarë.

Mesazhi i tij është i qartë: miqësia amerikane nuk mund të përdoret si mburojë politike për çdo veprim të qeverisë.

Peters nuk ka kërkuar largimin e Ramës. Por kërkesa për ndalimin e agresionit ndaj protestuesve paqësorë e vendos përgjegjësinë drejtpërdrejt përpara institucioneve që kontrollojnë forcën shtetërore.

Dhe këtu qëndron problemi politik për kryeministrin: nuk mund të kërkosh respekt ndërkombëtar për demokracinë shqiptare, ndërsa përballesh me akuza serioze për cenimin e saj në rrugët e Tiranës.

Brukseli fillon të kërkojë llogari

Edhe nga Parlamenti Evropian kanë ardhur sinjale shqetësuese për qeverinë.

Marco Tarquinio dhe Andreas Schieder kanë kërkuar hetimin e raportimeve për përdorim të tepruar të forcës policore, ndërsa kanë dënuar njëkohësisht sulmet ndaj institucioneve.

Eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg, sipas reagimit të përfshirë në materialin e kësaj analize, ka ngritur shqetësime edhe më të ashpra për trajtimin e studentëve dhe të miturve, duke denoncuar përdorimin e pretenduar të plumbave të gomës, arrestimet dhe dhunën fizike. Këto pretendime kërkojnë verifikim të pavarur.

Kritika e saj prek edhe vetë Bashkimin Evropian: Brukseli nuk mund të predikojë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të heshtë kur ngrihen dyshime për shkeljen e tyre në një vend kandidat.

Komisioni Evropian, nga ana tjetër, ka dënuar zjarrvëniet dhe sulmet ndaj institucioneve, por ka kërkuar që përgjigjja policore të jetë ligjore dhe proporcionale.

Pra, askush nuk po i jep opozitës licencë për dhunë. Por askush nuk duhet t’i japë as qeverisë licencë për represion.

Për Ramën, kjo është veçanërisht e sikletshme. Integrimin evropian ai e ka kthyer në flamurin kryesor të qeverisjes. Mirëpo Evropa nuk është vetëm fotografi në samite, negociata anëtarësimi dhe deklarata optimiste. Evropa është edhe liria për të kundërshtuar qeverinë pa frikën e një reagimi joproporcional policor.

Nuk mund të kërkosh duartrokitje në Bruksel për reformat dhe të shmangësh përgjegjësinë në Tiranë për mënyrën si trajtohen protestuesit.

Studentët, kundërshtari që Rama nuk duhet ta shpikë

Gabimi më i rëndë politik do të ishte trajtimi i protestës studentore vetëm si instrument i opozitës.

Studentët nuk janë pronë e asnjë partie. Pakënaqësitë për arsimin, korrupsionin, mundësitë ekonomike dhe të ardhmen e vendit nuk zhduken duke u vënë etiketa organizatorëve të protestave.

Rama mund të ketë argumente kundër kërkesave të tyre. Por duhet t’u përgjigjet atyre politikisht, jo vetëm përmes kordoneve policore.

Natyrisht, djegia e institucioneve, sulmet ndaj policëve dhe shkatërrimi i pronës janë të papranueshme. Autorët duhet të përgjigjen individualisht përpara ligjit. Por dhuna e disa individëve nuk e shuan të drejtën e mijëra qytetarëve për të protestuar paqësisht.

Një shtet demokratik duhet të dijë të dallojë protestuesin nga dhunuesi. Përndryshe, rendi publik kthehet në justifikim për kufizimin e lirive.

Arian Starova dhe thirrja për Uashingtonin

Shqetësimi nuk vjen vetëm nga jashtë.

Kryetari i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Arian Starova, i është drejtuar publikisht ambasadorit amerikan David J. Wendt, duke kërkuar angazhim diplomatik më aktiv për kapërcimin e krizës.

Starova ka paralajmëruar rrezikun e përplasjeve civile, një vlerësim politik që nuk duhet ngatërruar me një parashikim të sigurt.

Por vetë thirrja ka peshë: kur kërkohet ndihma e diplomacisë amerikane për të ulur tensionet ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve, kjo tregon sa serioze perceptohet kriza e besimit.

Megjithatë, përgjegjësia për zgjidhjen e saj nuk mund t’u delegohet ambasadorëve. Ajo i takon para së gjithash kryeministrit dhe institucioneve shqiptare.

Rama përballë pasqyrës së vet

Për vite me radhë, Rama ka ndërtuar figurën e një udhëheqësi që di të flasë me Perëndimin. Por diplomacia personale nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien demokratike.

Stabiliteti nuk është heshtje. Demokracia nuk është vetëm fitore elektorale. Dhe shumica parlamentare nuk është autorizim për ta trajtuar çdo kundërshtim si kërcënim.

Nëse Rama dëshiron të ruajë besueshmërinë e qeverisë së tij, duhet të kërkojë hetime transparente për çdo akuzë të përdorimit të tepruar të forcës, të garantojë protestën paqësore dhe të hapë dialog real me studentët.

Miqtë e Shqipërisë nuk janë kthyer kundër vendit. Ata po paralajmërojnë se mbështetja për Shqipërinë nuk nënkupton heshtje ndaj gabimeve të qeverisë.

Ky është mësimi që kryeministri duhet të nxjerrë nga reagimet amerikane dhe evropiane.

Dhe këtu qëndron paradoksi më i madh i pushtetit të Ramës: mund të kesh marrëdhënie të shkëlqyera me kancelaritë perëndimore, por kjo nuk të shpëton nga detyrimi për të dëgjuar qytetarët.

Sepse Shqipëria nuk është pronë politike e kryeministrit. Është republikë e qytetarëve të saj.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 583
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT