• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUBLIÇISTIKA  E  DON LAZЁR SHANTOJЁS  DHE NYJET  E PAZGJIDHURA  TE HISTORIOGRAFISЁ  SHQIPTARE

August 14, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Më 5 mars 1945 u pushkatua martiri i parë i Kishës katolike shqiptare në erën komuniste, Don Lazër Shantoja. Ishte arrestuar prej “çlirimtarëve” të Shqipërisë pak më shumë se dy muaj më parë. Në ata dy muaj kishte pësuar torturat më çnjerëzore që mund të merreshin me mënd. Trupi i gjymtuar, me gjymtyrët të sharruara, atë ditë marsi u hodh në një gropë pa emër, së bashku me atë të Sulçe Beg Bushatit.

Kështu mbyllej qarku i jetës së njërit prej eruditëve më të spikatur të shoqërisë shqiptare, personaliteti i të cilit shquhej në shumë fusha të artit të letrave, duke dhënë një ndihmesë me të vërtetë të fuqishme në jetën kulturore të bashkatdhetarëve. Ai ishte bir i traditës katolike të Shkodrës, qytetit më përfaqësues në lëmin e kulturës shqiptare. U rrit e u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnuer të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik  që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman.

Shantoja hyri me tërsëllimë në hullinë e gjërë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri tek Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj. zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qëndresës shqiptare ndaj rrezikut thërmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës dhe idesë kombëtare. Nëse institucionet fetare të krishtera në Evropën mesjetare pas romake patën meritën e njohur të ruajtjes së  vlerave të kulturës klasike të lashtësisë greko – romake nga rreziku i zhdukjes së tyre prej fiseve barbare, kisha katolike shqiptare në mesjetën tonë, që u zgjat deri në shekullin e njëzetë, mbajti mbi shpatulla elementet themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.

Don Lazër Shantoja, djalosh 24 vjeçar, i sapo shuguruar meshtar, emërohet sekretar i arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda. Këtu filloi veprimtaria e tij gati tridhjet vjeçare në shërbim të kishës, të kulturës e të shoqërisë shqiptare në periudhën e ngjeshur me ngjarje, të cilat përcaktuan ecurinë e krijimit e të forcimit të Shtetit të parë shqiptar të bashkuar. Veprimtaria e Shantojës, falë formimit të tij të pasur e të mirëfilltë intelektual, ishte e larmishme. Poet i lindur e prozator i arrirë, orator i paarritshëm e tribun i vërtetë politik, përkthyes nga më të talentuarit e letrave shqipe e njohës i thellë  i gjuhëve klasike dhe atyre kryesore evropiane, studjues i vëmendshëm i mendimit letrar, sociologjik e filozofik të elitave evropiane, Don Lazër Shantoja u shqua në mënyrë të veçantë për ndihmesën e dhënë në fushën e publiçistikës e të mendimit shoqëror të dhjetëvjeçarëve të parë të qindvjetit njëzetë.

Publiçistika e Shantojës ka bukurinë kristaline të një liqeni alpin, në të cilin derdhen rrëketë e rrëmbyeshme kur stuhitë rrahin malet përreth. Ato stuhì janë ngjarjet politike të jetuara në vetë të parë e të pasqyruara në artikujt e tij. Rrethi i vështrimit të autorit është mjaft i hapur e interesat e tij të shumanëshme vërtiten të gjitha rreth një ideje qëndrore që është credo-ja e tij: Atdheu, Shqipëria, zhvillimi i saj në rrugën e qytetërimit, në kahun Perëndimor. Ёshtë një ide e paluajtëshme e autorit, e miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij, që ndriçon e i jep kuptim   jetëve të tyre që përshkojnë një morì shtigjesh, sakrificash e privacionesh të çdo lloji. Artikujt e tij i gjejmë të botuara në fletore të ndryshme  brënda e jashtë Shqipërisë e në to del në pah një personalitet poliedrik.

Në ciklin e shkrimeve të botuara tek “Shkolla e re” të vitit 1921 spikat dëshira e autorit për të mbjellë tek bashkatdhetarët e tij parimet e qytetërimit, të atij të vërtetit që rrjedh nga mësimet e filozofëve dhe përvoja e njerëzimit në shekuj. Rrjeshtohen në këta shkrime parimet e edukatës, të moralit, të shoqërisë në shfaqjet e saj më të ndryshme si shkolla, puna, karierat, artet etj. Në to sillen shembuj të njerëzve të shquar, të rrugës së tyre të vështirë, të sukseseve, famës e arritjeve me të vetmin qëllim për të nxitur ambiciet fisnike të shqiptarëve që u duhej të ndërtonin gjithshka me duart e tyre. Me një stil të thjeshtë e bindës Shantoja do t’u thotë bashkatdhetarëve të tij, sidomos të rijve, se nuk ka kalà që nuk merret nëse njeriu ka vullnetin e dëshirën për të shkuar përpara. Janë mësime të vlefshme që i jepen një populli që sapo ka hyrë në rrugën e zhvillimit mbas shekujsh pushtimi të huaj që nuk e kishte ndihmuar aspak atë zhvillim. Autori bën pjesë në atë elitë të këtij populli që mundohet, me të gjitha mjetet, të nxisë në të kurreshtën, interesin, dëshirën për të shkuar përpara, për të vënë në provë zgjuarsinë, forcën e vullnetit, durimin, cilësi aq të domosdoshme për të kaluar vështirësitë e pengesat që koha dhe rrethanat historike vinin me shumicë para shqiptarëve. Nëpërmjet shembujve të shumë njerëzve të shquar, jeta e të cilëve kishte filluar në vështirësi të mëdha, por kishte përfunduar me suksese marramendëse në fusha të ndryshme të shkencës, artit apo politikës të kombeve të tyre, Shantoja përciell mesazhin e optimizmit, të besimit në forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit të vet. Njëkohësisht ai u thotë shqiptarëve se asgjë nuk arrihet lehtë, se asgjë nuk dhurohet, por fitohet me mund, me djersë e me sakrifica. Në këtë rrugë të ringjalljes së kombit e të përpjekjeve për të ecur në gjurmët e popujve të qytetëruar secili duhet të bëjë pjesën e tij. Kjo vlen për brezat si për individët, për prijsit ashtu si dhe për qytetarët e thjeshtë.

I krishterë e demokrat Don Lazri mundohet të zhdukë paragjykimet e kastës, të racës së zgjedhur, të “familjeve të mira”, sidomos në sistemin e shkollave, në mendësitë e mësuesve që kanë një rol parësor në rrugën e zhvillimit të kombit. Prej dorës së tyre do të dalin ata që do të çojnë përpara Shqipërinë në të gjitha fushat, do të dalin administruesit dhe shtetarët, artistët dhe profesionistët, ajo elitë intelektuale që do të bëhet shtylla vertebrale e një shoqërije që duhet të synojë të djegë etapat, të fitojë kohën e humbur për të hyrë me të drejta të plota në rradhën e popujve të qytetëruar. Shqipërisë i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret e që punën e tyre t’a shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë  së t’ardhmes. Për autorin “ Âsht e dijtun se në këqyrëshin mësuesët vetëm me fitue kashatën e gojës, atbotë s’kanë për të pasë fitim tjetër veçse kashatën me zânë frymën e me mbajtë në veprim barkun; fitimet e vërteta, fitimet shpirtnore, ideale, kënaqa m’u njehë e me kênë ndër përparimprûesë t’atdheut, tue mbiellë nji farë qi nji ditë do të qesë fryte të madhnueshme, këto fitime duhet me pasë mësuesi ideal.”(f. 63)

Mendimi i Shantojës i paraprin projektit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, mbasi është në vetvete mjaft i përparuar në krahasim me mendësinë zotëruese të kohës. Ai fshikullon patriarkalizmin tradicional dhe mashkuellsinë karakteristike të botkuptimit shqiptar, këshillon tolerancën e respektin e mendimit, megjithëse koncepti për gruan nuk i shpëton mendësisë së kohës e bëhet i papranueshëm për stadin e zhvillimit të Shqipërisë së sotme.

Problemet e ekonomisë shihen nën prizmin e mendësisë stataliste. Qeveria, Shteti duhet të jenë rregullatorë të ekonomisë, madje të përcaktojnë edhe drejtimin e mënyrën e funksionimit. Hasim në mendime proteksioniste që, në shikim të parë, shkojnë në favor të prodhuesve dhe blerësve shqiptarë, por që krijojnë një ekonomi të ngrirë e të mbyllur e cila, me kalimin e kohës, nuk ka aftësi zhvillimi.

Shtypi, forca e tij, rëndësia, funksioni, ndikimi mbi shtetin e shoqërinë janë një tjetër temë e shkrimeve të Shantojës. Ai  është mjaft kritik, sidomos përsa i përket gjuhës së shkruar që, po të huazojmë një shprehje të Budit, “po bdaret e po bastardohet”. “ Mâ fort se asgjâ do të kritikojmë paaftësìn fenomenale të shumë shkrimtarve të cilët pà pregatitje studimesh marrin e shkruejn kryq e terthuer mbi çashtje për të cilat s’kan farë kompetence….. Perkundrazi kuer lypet me shqyrtue çashtjet mâ delikate të filozofìs, të moralit, të sociologìs, të gjithë duen me kên kompetenta, deri akshìt e kamerjerat… Ç’farë edukatet mûndet me i dhânë popullit t’onë nji shtyllë mbâjtun në kambë me mistrecat e pêndës, të nji pêndës shumë herë të shitme e partizane?…” (f.128) pyet me një zemërim të ligjshëm në faqet e “Orës së maleve” eruditi që kishte privilegjin të studjonte në gjuhët origjinale arritjet më të mira të kulturave të Perëndimit.        

Shantoja ishte idhtar i shtypit të lirë e të pavarur, atij që ve në qendër të synimit paraqitjen e së vërtetës së paanëshme, një shtypi që nuk i nënështrohet forcës së parasë apo të pushtetit, sepse n’atë rast ai kthehet në të kundërtën e misionit të tij që është formimi i opinionit dhe njohja e lexuesit me rrjedhën e ngjarjeve të çdo dite. Interesi i tij rrok shumë sfera të jetës shqiptare e tematika e shkrimeve shtrihet pothuaj në gjithë gamën e dukurive të saj.

 Në shkrimet  jepet një tabllo aspak optimiste e ecurisë së Shtetit shqiptar, të problemeve të tij ekonomike, financiare, administrative. Në to bëhet një analizë anatomike e këtyre dukurive e vihet theksi mbi një aparat burokratik administrativ të stërfryrë që rëndon si një shkëmb mbi një ekonomi të dobët e të pazhvilluar, për të mos thënë të paqënë. “ A thue âsht nevoja për gjithëket personal? A perdoret gjithky personal pse Shqypënija e të mëkambunit e saj kan nevojë për tê, a po pse këta duen të jetojnë në shpinë të Shqypnìs?..” (f.131) pyet me dhimbje autori. Ndihet shqetësimi qytetar i Shantojës që futet deri në skutat më të errta të Vendit të tij, që i bën jehonë skamjes së pjesës më të madhe të popullit që kjo mënyrë organizimi e funksionimi e Shtetit nuk ndihmon aspak t’a lehtësojë. Shqetësimi është i sinqertë, i ndjerë, në përputhje edhe me misionin e famullitarit që  përditë prek me dorë hallet e mangësitë e shqiptarëve të thjeshtë që mbushin famullinë çdo të djelë, që revoltohet e shpërthen kur sheh se “ si shkrryhet parja, si shpërdoret mûndi i fukaràs, i popullit, i bulkut, i puntorit. Për me mbajtë njerz parasita……qi nuk dijnë se si me jetue, veçse në shpinë të Shtetit, me nji nênpunësì të vjedhun me protekcjon…”. (f.131) Nuk kemi të bëjmë me një instrumentalizim të tipit marksist të dukurisë por me dhimbjen e thellë të atij që e do me gjithë zemër popullin e tij. Kjo dhimbje arrin deri në revoltë e dëshpërim kur sheh se kriteret e marrjes në punë  të morisë së nëpunësve nuk janë meritat dhe zotësitë, por klientelizmat dhe hatëret politike. Janë plagë të hapura e të pambyllura kurrë deri në ditët tona, kur ende përballemi me këto dukuri, duke paragjykuar zhvillimin.

Në artikujt e botuar tek “Ora e maleve” ndihet fuqishëm pulsi i atdhetarit, por ka një dozë të madhe realizmi. Problemet e Vendit përballohen me zemër por edhe me mendje, kryesisht në kah kritik. Shkrimtari ka një objektiv të qartë rreth të cilit vërtitet e gjithë masa e shqetësimeve të tij: Shqipëria që duhet të ecë në rrugën e zhvillimit, të përparimit, të qytetërimit. Dukuritë që pengojnë këtë ecje janë në tehun e kritikës së publiçistit, janë lënda e pamfleteve të tij politike, objekt i fshikullimit, herë herë me tone mjaft të ashpra. Por Shantoja nuk është nihilist, nuk shikon vetëm errësirë në të tashmen e në t’ardhmen e kombit të tij. Ai ka aftësinë të shohë edhe dritën tek njerëzit idealistë që mundohen të shtrojnë rrugën, mbi të cilën breznitë e ardhme do të ndërtojnë shtetin bashkëkohor. “Shqypënìn e ka bâ inteligenca e do t’a mbâjë inteligenca, ose Shqypënìë nuk kem me pasë! Reservoir-i i forcës mâ të shndoshtë në Shqypnìë âsht qandra e saj intelektuale. Kur ndiejm bisedimet plot dieje e hollësië të nji Fan Nolit, dialektikën e shterngûet e të mbâtun të nji Luigj Gurakuqit, fjalën elektrixante te nji Ali Kelcyrës, gjuhën kirurgjike të nji Stavro Vinjaut, arsyetimet ligjore të nji Koço Tasit, na i harrojmë të tana eksplozjonet e soçme e nji fjalë e vetme e e ambël na tingllon në vesh: Po! ka Shqypnìë!” (f.143)

Shantoja është idealist, por në idealizmin e tij ka një farë pragmatizmi. Historia e botës i ka mësuar se popujt, në rrugën e tyre të zhvillimit, kanë arritur synimet kur kanë patur prijsa t’aftë e të kushtuar çështjes së tyre. Në pranì të tyre fashitet pezmi dhe lind shpresa për t’ardhmen e besimi në të. Kjo shpresë gjen burime ushqimi te të rinjtë, te studentët  që, në Vende të ndryshme të Evropës, pregatiten me dije, kulturë e profesione e janë të gatshëm t’i venë në jetë këto në Atdheun e tyre. Kështu u krijua ajo elitë kulturore e pasur në Shqipërinë e viteve tridhjetë, që do të kositej pa mëshirë mbas 1944, si “inteligjencë borgjeze”, kundërshtare e regjimit komunist. 

Duket se është një fatalitet historik për Shqipërinë fakti që i duhet të ëndërrojë gjithmonë një brez të ri që duhet t’a nxjerrë nga këneta e mbrapambetjes e t’a verë në rrugën e përparimit. “ Idét linden, rriten e frytësojnë vetëm në nji tokë virgjin; në mênden e në zêmbren e të rivet: prej tyne mandej dalin e pastrojnë kalbësinat e gjithshkaf ndalon perparimin o kristalizohet në trajtat e nji kohe qi ka prendue” (f.244) shkruante Don Lazri më 1924. Tetëmbëdhjetë vite më pas Mustafa Kruja, atëhere Kryeministër i Shqipërisë së bashkuar me Italinë, në intervistën dhënë gazetarit të njohur italian Indro Montaneli shprehet:

 “Ne kemi një aristokraci të lodhur, të mbetur prapa, me parime që nuk i përshtaten më kohës sonë, një borgjezí të mangët në numur, në mjete e pregatitje, një masë në të cilën 70% është analfabete. Shpresa jonë është tek të rinjtë. Të rinjtë kanë vrulle që herë herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdije kombëtare dhe vetiake. Shumë prej tyrë shkojnë për të studjuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vëndin e tyre në nivelin italian. Shpesh padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí. Un nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht të parët do t’a bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja”. 

Sot, mbas gjashtëdhjetë vitesh të tjera, shpresa për të nxjerrë politikën shqiptare nga bataku dhe Vendin nga renditja e fundit në Evropë, është varur përsëri tek të rijtë. Edhe se shpesh hasim në zhgënjime në atë drejtim, mbasi jo çdo gjë që shndrit është ar, mendoj se përtëritja e vazhdueshme e politikës shqiptare është një domosdoshmërì. Për fat të keq nuk shihet në këtë prizëm nga një pjesë e mirë e klasës drejtuese që ruan pozitat e fituara, pa marrë para sysh faktin se koha kalon e nuk mund të ketë njerëz për të gjitha stinët. Megjithatë  aktivizimi i mjaft të rijve të diplomuar jashtë Shtetit në administratën shtetërore është diçka inkurajuese.

Ndër shkrimet publiçistike të Shantojës mendoj se një vend të dorës së parë zenë ata që i kushtohen ngjarjeve dhe personazheve të politikës shqiptare në një hark kohor  prej pothuaj një të katërt shekulli. Shkrimtari ishte një vëzhgues i mprehtë i tyre e, më shumë se pjesëmarrës me funksione të rëndësishme, ishte një viktimë e ndërgjegjëshme e atyre ngjarjeve. Pësoi burgime, internime e mërgime edhe se nuk ka patur asnjëherë ndonjë pozitë të lartë, madje nuk ka qenë as deputet. Por prifti poet është në simbiozë me ato ngjarje dhe protagonistët e tyre e penda e tij, së bashku me oratorinë, ndikojnë herë herë në mënyrë vendimtare në to. Shantoja është gjithmonë koherent me veten dhe parimet. Opinionet mund edhe të ndryshojnë, por vlerësimet kanë një kriter përcaktues e të paluajtshëm: interesi i Atdheut. Ky është metri i vërtetë e i vetëm që shërben si njësí matjeje për këdo e për gjithshka. 

Ai ishte i pozicionuar në krahun e Opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi që “Me nji duresë e nji palodhësië shembullore shkrîni jetën për idealin e nji Shqipënie të lirë, të madhe, të lume.”, kryetari i Opozitës në vitet 21-24. Martirët e lirisë e të demokracisë ishin Avni Rustemi, vetë Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Elez Isufi, Zija Dibra, Ramiz Daci, Zef Ndoci, Mark Raka. Bashkëluftëtarët me të cilët ndau bindjet e idealet ishin Mustafa Kruja, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Xhevat Korça etj. Në altarin e kombit ishin kolegët  e tij më të njohur si Fishta, Gjeçovi, Mjeda, Harapi, Marlaskaj etj. Në fushën kundërshtare ishte Ahmet Zogu, Kryeministër, President e më pas Mbret i Shqipërisë, sinonim për një pjesë të shqiptarëve i së keqes në pushtet, i rrethuar nga bejlerë përkrahës si Eshref Frashëri, Mehdi Frashëri, Faik Konica etj. apo vrasës dhe ideatorë vrasjesh si Baltjon Stambolla, Çatin Saraçi etj.

Në këtë mikrounivers figurash politike Shantoja depërton me fuqinë e pendës , duke na lënë të skalitura bindjet e mendimet e tij. Ato janë frut pikëpamjesh objektive e subjektive të autorit, ndonjëherë edhe të pasioneve politike të tij. Por gjithsesi ata janë dëshmí të rëndësishme, mbasi dalin prej pendës së një personi pa paragjykime, që vlerëson duke u nisur nga faktet. Periudhat të cilave i referohen shkrimet janë ato 1920-24, koha e mërgimit 24-39 dhe vitet 39-43, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët por kishte një status të posaçëm, sepse quhej e bashkuar me Mbretërinë e Italisë.

Për ngjarjet e këtyre hapësirave kohore historike autori mban qëndrime të ndryshme. Me botkuptim të përparuar demokrat mbështet pa rezerva revolucionin e qershorit 1924 dhe ata intelektualë e të rinj të Bashkimit që ishin flamurmbajtës të tij. Çuditërisht i kushton pak shkrime Qeverisë së Nolit dhe më shumë mërgimit politik që pasoi rënien e saj. Ndoshta ky fakt dëshmon për një farë zhgënjimi që pëson publiçisti Shantoja nga ajo qeverisje dhe në vetë të parë nga Kryeministri, të cilin në një shkrim të mëvonshëm e sulmon rreptë. Nga mërgimi në Jugosllavì, Austrì e Zvicër mundohet të analizojë gjëndjen e Shqipërisë reale, që përfaqësohet nga evolucioni i pushtetit të Ahmet Zogut deri në Mbretërì, por edhe atë alternative që ka fytyrën e mërgatës politike shqiptare antizogiste. Në këtë gjëndje konflikti të fortë e të përhershëm duket se nuk ka vend për biseda e marrëveshje. Për Shantojën, ashtu si për të gjithë të mërguarit politikë jashtë Atdheut, “Bota e ka marrë vesht se në Shqipnìë sundon nji President gjaksor, nji President qi mbytë me pare diten për diellë, nji President qi flet vetë me sikarët, qi u premton ndihmen e nji fuqiës s’huej, qi u premton lirim të shpejtë, rrogë të përmuejshme…” (f.370)

Por këtë kundërshtar politik, këtë “President gjaksor”, kur e sheh të diskredituar pa të drejtë nga një gazetë austriake, ka burrërinë t’i kërkojë Kancelarit austriak, Dr. Seipel, ndërhyrjen e tij për të vënë në vend prestigjin e atëhere Kryeministrit shqiptar. Ёshtë një nga perlat e këtij libri, një shembull ideal i moralit politik në një shkallë të lartë, një shprehje e harmonizimit të luftës politike me etikën e saj e me respektimin e institucioneve, një leksion stili për politikën e sotme në Shqipërì e më gjërë.

Nga ana e tij Zogu ishte i vetëdijshëm për forcën intelektuale të kundërshtarëve të tij, por dinte gjithashtu se mendësia evropiane e tyre nuk gjente një tokë të lëruar tek shqiptarët që donin kohë të tresnin shtresat dhjamore të botkuptimit lindor të trashëguar nga pesë shekuj. Ai u mundua me të gjitha mjetet  t’a bëjë të parrezikëshme  këtë Opozitë të shpërndarë e të përçarë në grupe, shtete e bindje politike të ndryshme. Kjo luftë në largësì vazhdoi, mes sharjesh, mallkimesh, denigrimesh e përbetimesh të ndërsjellta, deri në shtatë prillin 1939, kur Musolini dhe Çiano vendosën t’i shtojnë kurorës së Viktor Emanuelit edhe Mbretërinë shqiptare, duke dërguar ushtritë pushtuese në brigjet e saj.

Si shumë të tjerë edhe meshtari Shantoja la famullinë në Jurën Berneze dhe u kthye në Shqipërinë e “çliruar” nga “tirania” e Mbretit Zog. Ndryshimet e ndodhura i pa me shpresë e besim për t’ardhmen. Pushtimin e Vendit nuk e quajti një tragjedì, përkundrazi si një mjet për t’u bashkuar me Italinë e, nëpërmjet saj, me Evropën e qytetëruar, ku ai ëndërronte të shihte edhe Vendin e tij me të gjitha atributet. Shkrimet e kësaj periudhe ndoshta kanë qenë aktakuza më e fortë që drejtësia komuniste i ka bërë martirit të parë të ligjeve të saj. Ai merr në mbrojtje haptas e me forcë bashkimin me Italinë, jo sepse është i ndjeshëm ndaj interesave të saj, mbasi në shkrime të mëparëshme, sidomos në lidhje me vrasjen e Gurakuqit, flet mjaft ashpër për te. Në këtë bashkim kurorash ai sheh mundësinë e ecjes së Shqipërisë në rrugën e përparimit. Nëse i duhet të zgjedhë ndërmjet pavarësisë në varfëri e prapambetje, apo varësisë në mirëqënie e përparim ai zgjedh të dytën. Ai bën pjesë në atë aradhë intelektualësh e politikanësh shqiptarë që i konsideronin lidhjet me Italinë strategjike e prioritare, miqësinë me popullin e përtej detit si themelore për t’ardhmen e Vendit të tyre, e pushtimin si një dukurì e përkohëshme që nuk cënonte thelbin qenësor të shqiptarëve, të atyre që herë me qesëndì e herë me përbuzje apo urrejtje u quajtën “italofilë”. Në atë aradhë figura më e spikatur kishte qënë prijsi Luigj Gurakuqi që, për Shantojën si për shumë të tjerë, kishte qenë një etalon atdhetarizmi.

Duke dalë pak nga kuadri i bisedës së ngushtë për publiçistikën e Don Lazër Shantojës, desha të hap një tjetër fushë diskutimi që më duket i nevojshëm e që merr shkas nga leximi i librit. Si i ka trajtuar e vazhdon t’i trajtojë historiografia jonë zyrtare e jo këto ndodhì e figura që mbushin faqet e librit, për të cilin po flasim, dhe a ka vend për ndryshime n’atë drejtim? Duke marrë në analizë tre periudhat kryesore që trajton Shantoja si revolucioni i qershorit dhe Opozita antizogiste, mbretërimi i Zogut dhe roli i tij, pushtimi fashist e bashkimi me Italinë, për më shumë se gjysmë shekulli më duket se janë trajtuar vetëm në formë manikeiste, në vështrimin bardh e zì. Për historiografinë komuniste që, fatkeqësisht ende nëpërmjet studjuesve dhe mendësisë, vazhdon të diktojë në forma të ndryshme logjikën e saj, revolucioni i qershorit 1924 ka qenë një ngjarje epokale në drejtim të demokratizimit të Shqipërisë, periudha e Zogut një kohë e errët tiranie dhe bashkimi me Italinë tragjedia më e madhe për Shqipërinë.

Sot, kur kemi lënë mbas krahëve qindvjetorin e shkuar, me të gjitha mizoritë që ideologjitë totalitare shënuan me pasoja të mnershme për botën dhe për ne, më duket se ka ardhur koha të bëjmë një bilanc objektiv, të saktë e të vërtetë të atyre ngjarjeve, të shkaqeve e pasojave të tyre, por edhe të jetëve të protagonistëve të tyre. Duhet të jetë një bilanc pa pasion politik, t’i nënështrohet analizës së ftohtë të një arsyetimi që duhet të ketë si bosht qëndror  vetëm një idè, interesin e vërtetë të Shqipërisë larg skemave ideologjike, si lëndë për të bluajtur në mullirin e tij vetëm faktet historike të shkoqura, të pastra e të pashtrembëruara. Studjuesit, që duhet të shkruajnë një historì të vërtetë të Vendit tonë, duhet të jenë si gjykatësit e paanshëm që duhet të shqyrtojnë ata fakte për të nxjerrë prej tyre të vërtetën e pakundërshtueshme. Do të ishte mision i tyre shkokolepsja e shumë nyjeve të pazgjidhura të historiografisë tonë e vlerësimi, në përmasat e tyre të vërteta, të figurave politike të mpleksura në to. Besoj se është kjo një nga detyrat kryesore të brezit të ri të studjuesve shqiptarë, mjerisht të pakët e të mangët, sidomos në këtë fushë.

Ёshtë detyrë e tyre të çlirojnë historiografinë nga termat “tradhëtarë të atdheut”, “armiq të popullit”, “të shitur”, “kriminelë” e të tjera paçavure të këtij lloji, që një klimë e helmuar arbitrariteti komunist ka projektuar pa mëshirë mbi të. Jam i bindur se kuadri, që do të dilte nga një punë e tillë e që do të ishte fotografia e vërtetë e së shkuarës sonë, duke iu referuar periudhave historike për të cilat shkruan Don Lazër Shantoja, do të kishte një pamje krejt tjetër nga ai që gjejmë në tekstet e historisë dhe pjesërisht edhe nga ato që shohim në shkrimet e tij. Ndoshta do të gjenim revolucionin e qershorit 1924 dhe qeverimin e Nolit si një nga gabimet më të mëdha të një pjese të klasës politike t’asaj kohe dhe Ahmet Zogun jo vetëm si një tiran që urdhëron vrasjet e kundërshtarëve politike, por edhe si një nga shtetarët më të shquar të këtij kombi, me një ndihmesë themelore në formimin e strukturave të Shtetit shqiptar dhe të ecurisë së tij në rrugën bashkëkohore. Po ashtu të ashtuquajturit “kolaboracionistë”, jo si “tradhëtarë” e “të shitur” tek fashizmi, por si atdhetarë në shkallë sipërore që, për të mbrojtur interesat e Vendit të tyre, në një nga çastet më të vështira të tij, nuk nguruan të venë në altarin e tij gjënë më të shtrenjtë që kishin, dinjitetin njerëzor e politik.   

Jam i bindur se sita e historisë, shpejt a vonë, do të kryejë funksionin e saj për t’i dhënë të rinjve të Shqipërisë së sotme e të nesërme mundësinë të njohin me saktësi bëmat e të parëve të tyre, për të shmangur mashtrimin e madh që ne dhe brezat parardhës pësuam, si pasojë e vënies në jetë të një projekti politik që i kushtoi kaq rëndë Atdheut tonë. Ne duhet t’a nxisim këtë proçes jo se jemi të përmalluar të së shkuarës, por se jemi idhtarë të së vërtetës e se mendojmë se në themelet e së ardhmes së shoqërisë sonë nuk duhet të ketë mashtrime e shtrembërime dashakeqe. 

Këtij qëllimi i shërben edhe botimi i këtij libri, meritë e punës së gjatë, të ndërgjegjëshme, cilësore e plot pasion të vëllezërvë Marku, të cilëve i shkon falënderimi im i sinqertë dhe përgëzimi  i ngrohtë së bashku me urimin që kjo punë të vazhdojë në dobi të së vërtetës historike, të kulturës sonë, të nxjerrjes në dritë të vlerave kombëtare të mbuluara nga pluhuri i harresës që komunizmi qëllimisht hodhi mbi to për një gjysëm shekulli.                                                        

Filed Under: Kulture Tagged With: Eugjen Merlika

PЁRTEJ  MJEGULLЁS  SЁ  HISTORISЁ

August 12, 2022 by s p

( SOTIR  GJIKA  dhe familja e tij)

Nga Eugjen Merlika/

Ishte mbrëmja e 2 marsit të vitit 1925. Në restorantin Cavour të Barit Luigj Gurakuqi po darkonte me dy shokë të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do të shkoj tek Sotiri, mbasi i kam premtuar një kukull vajzës së tij. Sotiri ishte një mik i tij, bashkatdhetar, por që kishte nënështetësinë italiane mbasi ishte martuar me një vajzë të Vendit.

Gurakuqi, ai burrë i hijshëm e zemërmadh, nuk arriti t’i çonte kukullën e premtuar Elenës katërvjeçare, mbasi plumbi i zi i Baltjon Stambollës i këputi jetën aqë të vyer për Shqipërinë. Në varrimin e tij duhej të fliste miku Sotir Gjika. Por edhe ai ishte i sëmurë e i pamundur të dilte nga shtëpia. Në emër të tij foli e shoqia, Anxhela Kuarta, gruaja besnike që i qëndroi pranë deri në fund e që e mbylli jetën e saj vetëm me kujtimin e tij.

Sotir Gjika ishte një njeri mjaft i njohur në Bari. Shkruante për gazetën lokale dhe Il Messaggero të Romës. Shtëpia e tij ishte vendi ku mërgimtarët politikë shqiptarë ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Ishin të mirëpritur n’atë shtëpi Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Gjovalin Kamsi, Stavro Vinjau e të tjerë personalitete që kishin zgjedhur mërgimin natën e Krishtlindjeve 1924, kur Fan Noli dhe përvoja e tij “revolucionare” u arkivuan nga historia.

Sotir Gjika nuk quhej emigrant politik. Në politikën aktive ishte angazhuar pak e për pak kohë, por ishte një publiçist. Fusha e veprimtarisë së tij thithte ushqimin pikërisht nga politika, sidomos në vitet e para mbas pavarësisë, kur fatet e Shqipërisë ishin bërë monedhë këmbimi e fqinjëve dhe e Fuqive të Mëdha. Ai ishte lindur më 10 tetor 1889 në fshatin Shtikë të Kolonjës, vendi ku të parët e tij, në fillim të shekullit 17, kishin qëndruar mbas ikjes prej Spanjës së largët e qëndrimit të përkohshëm në Vendet e Ulta e në Gjermani. Nëna e tij, Lena, mbetet shpejt e ve me dy djem për të rritur. Kushtet  e jetesës ishin të vështira në Kolonjën e kohës së Turqisë dhe varfërisë i bëhej ballë vetëm nëpërmjet mërgimit. Jugorët ishin më shumë të prirur për të kërkuar një jetë tjetër, mes shumë peripecish e të panjohurash, në botën e madhe që fillonte në Greqinë apo Turqinë e afërt e kishte si piksynim Amerikën, prej nga shumë shqiptarë mbanin familjet e lëna në Vendin e tyre.

Vëllezërit Gjika u larguan nga Shtika për të mos u kthyer më në të. Pa mbushur ende njëzet vitet Sotiri u largua nga fshati, nga nëna e tij, me një dhimbje të madhe në zemër. Udhëtoi drejt Misirit, ku kishte farefis që e pritën. Më pas u stabilizua në Kartum të Sudanit, ku punoi disa kohë. Me kursimet e asaj pune dhe një ndihmë të vëllait, që ishte ngulur në Boston të SHBA kaloi oqeanin  dhe u bashkua me vëllanë. Të dy së bashku hapën një dyqan ushqimesh e shquheshin për ndihmën e vazhdueshme që i jepnin Shoqërisë “Besa-Besë”, Federatës panshqiptare “Vatra” dhe Kishës Autoqefale Shqiptare. Ishin vite pune intensive në shërbim të çështjes kombëtare, por edhe në drejtim të formimit intelektual. Sotiri nuk kishte vazhduar studimet e larta, por ishte një autodidakt me vullnet të çeliktë, me parime të shëndosha e të forta.

Erdhi viti 1912. Tek të gjithë shqiptarët lindi ideja se aspirata e ushqyer nga breza të tërë, në shekuj të gjatë robërie, ajo e lirisë dhe e Shtetit shqiptar të pavarur, po i afrohej sendërtimit. Kjo ide i vu flatra Sotir Gjikës dhe bëri t’i japë fund përvojës amerikane e të kthehet në Evropë. Erdhi në Itali, në Milano, ku mori pjesë në Komitetin italo – shqiptar, të krijuar aty e që kishte si qëllim të ndihmonte çështjen kombëtare. Si i dërguar i atij Komiteti mori pjesë në Kongresin e Triestes, që i dha “bekimin” nismës historike të Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

Pavarësia solli edhe një rrahje të ashpër mendimesh në klasën politike e në shoqërinë patriarkale shqiptare të kohës. Problemi që shtrohej me forcë në mjediset politike e shoqërore  të Shqipërisë së pavarur ishte rruga që duhej të merrte Vendi. Një pjesë e mirë e klasës drejtuese përbëhej nga ish funksionarë të Perandorisë Turke, të lidhur si mendësi e si kulturë me botën e Lindjes dhe ligjet e saj. Një pjesë tjetër ishte e prirur nga Perëndimi, nga kultura evropiane e synonte të fuste Shqipërinë në rrugën e qytetërimit Perëndimor, duke i vënë një kufi të qartë ndikimit turk mbi Shtetin e ri shqiptar. Në këtë pjesë intelektualësh, përkrahës të përvojave e kulturës politike Perëndimore, rreshtohej edhe Sotir Gjika i cili, më 1913, me t’u njohur entiteti i Shqipërisë së pavarur nga Konferenca e Ambasadorëvë në Londër, erdhi në Vlorë. Ishte kaq shumë entuziast për t’ardhmen evropiane të Shqipërisë saqë u angazhua me të gjitha forcat në dobi të Princ Wiedit si Mbret i Shqipërisë. Po të përforcohej figura dhe roli i tij përmbi të gjitha palët në panoramën e larmishme të jetës politike e administrative të Shqipërisë, po të ishte më konkrete dhe e prekëshme prania e favorshme e Evropës në fatet e saj, do të ishte kjo një fletë garancie për të ardhmen e Vendit.

Në mars 1914 Sotir Gjika me armë në dorë luftoi në Rashbull, në krah të Kolonel Tomsonit, kundër rebelëve esadistë e qamilistë, që kërkonin të rikthenin “dovletin e babës”, pra Turqinë e Sulltanëve. Në ballë të luftës ai plagoset së bashku me të tjerë e shpëtohet nga ndërhyrja energjike e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdhà, duke u nisur për kurime n’Itali. Pjesëmarrja në luftën e rinisë kombëtariste, në mbështetje të Mbretit të caktuar nga Evropa, u shpërblye me një medalje që Ai i dhuroi, në shenjë mirënjohjeje, në të cilën ishte shënuar data 26 mars. Ishte pranvera  1914, pragu i fillimit të luftës së parë botërore dhe i njërës nga periudhat më të vështira edhe për Shtetin e ri shqiptar. Ai, me mëndje e zemër pranë Atdheut të trazuar, do të fillonte në Itali një jetë të re, atë të gazetarit, nëpërmjet së cilës do të jepte një ndihmesë themelore në dobì të çështjes shqiptare.

6 gushti i vitit 1914 ishte një ditë e shënuar për Sotir Gjikën, ajo e hyrjes në botën e madhe të gazetarisë, konkretisht në redaktimin e një “faqe gazete shqiptare” në organin e përditshëm të Barit “Corriere delle Puglie”, që më vonë bëhet “La gazzetta del mezzogiorno”. Në të vërtetë ai e kishte nisur më herët atë rrugë me shkrime në organe të shtypit shqiptar jashtë Atdheut si “Liri e Shqipërisë” e Sofjes, “Atdheu” i Kostancës apo “Dielli” i SHBA, në të cilat kishte botuar artikuj duke filluar që nga viti 1911. Bashkëpunimin me gazetën italiane e ka dhuratë nga kapiten Kastoldi, adjutant i Princ Wiedit, të cilin e kishte njohur gjatë aktivizimit politik e ushtarak në Shqipëri. Kastoldi, i dashuruar edhe ai me çështjen shqiptare, mendon t’i shërbejë asaj me botimin e një faqeje gazete, kushtuar problemeve të saj. Sotiri i ri e pa përvojën e duhur u prit mirë e u inkurajua nga gazetarët e njohur Kasano e Axarita, të cilët i mësuan artin e gazetarisë, duke e ndihmuar aqë sa, në pak kohë, të bëhej nga përfaqësuesit më të shquar shqiptarë në atë fushë.

“ Me gjithë qi shtypej në nji atmosferë jo aq të favorëshme për Fatin e Shqipnìs e coptueme si mbas Traktatit të msheftë të Londonit (1915), nenshkrue prej Beslidhunve, ajo “faqe” dhe ajo “pendë” nuk pushuen tue trumbetue anë e kand të botës, të drejtën e Shqipnìs për kufijt etnikë kundra idhevet t’interesuemve e vendimeve grabitëse të Beslidhunve. Nuk kursej me artikuj t’ashprë jo vetëm anmiqt e Shqipnìs, por edhe miqët kur interesat kundërshtoheshin me ato t’Atdheut.” shkruan Gjovalin Kamsi në artikullin “Sotir Gjika” të botuar në gazetën “Vullneti i Popullit” më 24 tetor 1930.

Në një festë të organizuar në Romë në vitin 1916  gazetari i ri njihet me një vajzë të re nga jugu i Italisë. Vajza quhej Anxhela Kuarta e i përkiste një familjeje të njohur aristokrate në Leçe. Nga kjo familje kishte dalë juristi i njohur Oronco Kuarta, Kryetar i Gjykatës së lartë të Italisë. Në atë festë vajza shoqëronte këngëtarin e madh lirik me origjinë shqiptare Tito Skipa e këndontë bashkë me të, mbasi kishte një zë mjaft të bukur. Qe një dashuri e fortë, dashuri me shikimin e parë, dashuri që mbeti e tillë deri në çastet e fundit të jetës së tyre të përbashkët që, fatkeqësisht, qe e shkurtër e nuk i kaloi të dhjetë vitet.

Vajza ishte me origjinë nga Celio Mesiatiko dhe familja e saj kishte monopolin e kultivimit të duhanit për të gjithë krahinën. Kishte studjuar në një shkollë pedagogjike e ishte diplomuar për mësuese. Martesa qe e shpejtë e mbas saj erdhi transferimi në Romë, në rrugën Salaria, ku Sotiri do të fillonte botimin e gazetës Kuvendi, që u bë në pak kohë tribuna e çështjes shqiptare në Itali. Gazeta pa dritën në vitet 1918-1920, në një kohë që gazetari bashkëpunonte edhe me organin romak “Lajmëtari” (Il messaggero), për të cilin shpesh shkonte edhe me shërbime jashtë Italisë. Puna e Sotir Gjikës n’ata vite ishte e një intensiteti e dobie të veçantë. Gazeta kishte në listën e bashkëpuntorëve të saj firma nga më të njohurat e publiçistikës shqiptare e arbëreshë të kohës si drejtori i fletores “La nazione albanese” Anselmo Lorecchio, profesor Zef Skiroi, avokat Kozmo Serembe, doktor Agostino Ribeko, Françesko Argondica, Kol Mëllazi, Mustafa Asim Kruja, Lec Kurti, Kolë Kamsi, Kostaq Cipo, Milto Sotir Gurra, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Kostandin Kote, Visarion Dodani etj. 

Nga pala italiane gazeta mbështetej në shkrimet e Federconit, të Kastoldit, Axaritës, Korrado Xolit, Prof. Benedeto de Lukës, Filipo Naldit. Antonio Baldaçit, Sofia Mashit, Rozalia Adamit etj. Gazeta u bë një urë lidhjeje mes Italisë e Shqipërisë, mes dy popujve e dy kulturave. Drejtori i saj, që tashmë kishte nënshtetësinë italiane, punonte fort në drejtim të forcimit të miqësisë mes dy Vendeve. Sotir Gjika i besonte idesë se Shqipëria duhej të mbështetej në rrugën e saj tek ndihma e Italisë, se asnjë Vend tjetër i madh në Perëndim nuk kishte interesa që të vepronin në dobi të Vendit tonë sa ç’kishte Italia. Kushtet gjeografike e historia e shkuar të çonin në këtë rrugë. Ishte ky një nga motivet zotëruese të rrahjes së mendimeve që, gjatë gjithë këtij shekulli  të të qënit të Shtetit shqiptar të pavarur, ka përcaktuar mjaft ngjarje e personazhe të jetës politike.

Në largësi kohe e në një botë që ka ndryshuar shumë në formën e në përbërësit e saj mund të jepet sot një gjykim më i ftohtë, i urtë e pa pasion mbi thelbin e polemikave e të vetë tezës së shumë rrahur, pa rënë në prehrin e demonizimeve, siç është bërë shpesh në të kaluarën. Mendoj se duhet mbajtur parasysh një gjë: të gjithë ata burra, që diskutonin me pasion strategjitë e Shqipërisë në periudha të ndryshme të gjysmës së parë të qindvjetit të shkuar, kishin mendime e këndvështrime të ndryshme. Megjithatë ata të gjithë kishin një qëllim të përbashkët, mbarëvajtjen e përparimin e Shqipërisë. Si të tillë ata të gjithë e meritojnë sot mirënjohjen dhe respektin e Kombit.                   

Sotir Gjika i besoi shumë e punoi për miqësinë italo-shqiptare edhe në ata çaste kur veprime politike të njërës apo të tjetrës palë e dëmtonin atë. Gazeta Kuvendi u bë tribuna e atyre ideve, ashtu siç ishte tribunë e çështjes shqiptare, në mbrojtje të tërësisë tokësore e të identitetit kombëtar në kohë të vështira gjatë e mbas luftës së parë botërore, kur rreziqet ishin me të vërtetë serioze e të mëdha. Duke i lënë fjalën përsëri Gjovalin Kamsit, në lidhje me Kuvendin, mësojmë se:    

“Për frymën qi u jipte gjallní, për bashkpunimin me êmnat mâ të shquem e të përmêndun të gazetarìs italjane e të nacionalizmës shqiptare qi i siguroi, ay organ, i vogël në fillim, u rrit e muer nji êmën e nji randësì ndër qarqe politike ndërkombtare, qi kaloi përtej shpresave.”

Në këto vite veprimtarie të ethëshme në fushën e gazetarisë Sotir Gjika ka dhe kënaqësitë në jetën familiare. Bashkëshortia i dhuron dy fëmijë që ai i pagëzon Aleksandër dhe Elena. Emri i djalit kujtonte mbretin e madh të Maqedonisë, që kishte gjak ilir nga nëna e tij, ndërsa emri i vajzës ringjallte atë të nënës por edhe të një përfaqësueseje në zë të fisit të tij, që kishte shtrirë praninë e tij deri në Rumani, princeshës Elena Gjika (Dora d’Istria). Fëmijët u lindën në Romë e më pas u rritën e u shkolluan në Bari, ku familja u kthye mbas mbylljes së gazetës Kuvendi, në fundin e vitit 1920.

Atëhere çështja shqiptare u quajt e stabilizuar dhe Qeveria italiane ndërpreu fondet, mbasi e pa të panevojshme vazhdimin e botimit të gazetës. Duke mbajtur parasysh faktin e financimit të Kuvendit nga Qeveria italiane, gazetari nga Shtika u detyrua të përballojë edhe insinuatat ose kritikat që, madje edhe nga shokë të tij, pësoi ai në drejtim të ruajtjes së pavarësisë së gjykimit, objektivitetit dhe mbrojtjes së interesave të Kombit shqiptar nga ana e gazetës. Ja si shprehet ai vetë në lidhje me këtë problem:

“Unë e mejtova thellë këtë gjë, para se t’a nisëshe. Eca me filosofì objektive… Peshova mirë më parë nevojët e mëdha që kishte çështja e jonë të njihej në botë dhe të mburrehej, pastaj peshova dëmet e fitimet që mund t’i vijshin çështjes kombtare nga një gazetë e botuar me fonde të huaja: fitimet m’u duknë të mëdha. Iu përvesha pra punës, pa vështruar rrotull, pa përfillur gjendjen e vështirë  në të cillën vullnetarisht e vinja veten”.

Drejtori i Kuvendit ishte një gazetar atdhetar, i vetëdijshëm për brishtësinë e çastit historik të Atdheut të tij. Kultura dhe përvoja në fushën e gazetarisë i kishin mësuar se “pushteti i katërt” ishte shpesh përcaktues edhe në vendime me peshë historike të diplomacisë apo të politikës. Qëllimi i tij bëhet njohja dhe propagandimi i çështjes shqiptare në Italì e n’Evropë, shpalosia e arsyeve dhe të drejtave të kombit të fundit në Ballkan që kishte dalë më vete, dënimi i intrigave e përbetimeve që kryheshin në shpinën e tij. Për këtë i duhej një tribunë dhe njerëz t’aftë që, nga sheshi i saj, t’i flisnin opinionit publik evropian e t’a bindnin atë në vërtetësinë e argumentave e në drejtësinë e kërkesave. I epet kjo mundësi me një gazetë që mund të dilte në Romë, kryeqyteti “lente”, nëpërmjet së cilës Evropa vështron Shqipërinë, e që mund të financohej nga Qeveria e këtij Vendi. E dinte që ky fakt nuk tingëllonte mirë, që i shpalosej një shqyrtimi radiografik nga ana e një opinioni tepër kërkues, herë herë i ashpër e i njëanshëm, që ishte gati të njolloste për hiçgjë. Por nuk stepet, interesi i Atdheut ishte më i fortë dhe e shtyu përpara në shmangien e ngurimeve edhe nëse rrezikonte diçka në planin vetiak.

U fut me pasion në punën për gazetën, duke thithur bashkëpunimin e firmave nga më të njohurat e gazetarisë shqiptare e italiane, me piksynimin e qartë e të vendosur për të paraqitur në dritën e vërtetë çështjen shqiptare, sidomos në lidhje me punimet e Konferencës së Versajës, e për të dhënë ndihmesën e plotë në forcimin e miqësisë mes Shqipërisë e Italisë. Janë pikërisht dy motivet zotëruese të mendimit politik të drejtorit të Kuvendit që edhe titullin  e organit e mori nga e shkuara e bashkatdhetarëve të tij që, në dallgët e furtunave të historisë, kishin gjetur forcën e qëndresës në ato mbledhje burrash të cilat pagëzoheshin “Kuvendet e Arbërit”.

Çështja kombëtare dhe marredhëniet italo-shqiptare përbënin një binom që frymëzonte shkrimet, të cilët mbushnin faqet e gazetës. Në ata shkrime nuk ka përunjësi, kompleks të të voglit e të varfërit që shtrin dorën për lëmoshë. Miqësia konceptohej ashtu si në malet e Shqipërisë, miku vihet në krye të vendit por nuk bëhet kurrë zot shtëpie. Kuvendi nuk kursen fshikullimin për politikën e gabuar të Qeverive italiane në drejtim të Shqipërisë. Kjo ishte përgjigja më e mirë që Sotir Gjika mund t’u epte atyre që shpreheshin se po e mbante gazetën me paratë e italianëve. 

Në çastet e krizave mes dy Vendeve, siç ishin marrëveshja italo-greke (Titoni-Venizellos) më 29 korrik 1919 dhe Lufta e Vlorës, qëndrimi i Kuvendit ishte në anën e Shqipërisë. Kjo jo vetëm për ndjenjat e forta atdhetare të drejtorit Gjika e bashkëpuntorëve të tij, por edhe për hir të objektivitetit historik e të së drejtës së natyrëshme të çështjes shqiptare. Ja si shprehet drejtori i Kuvendit me rastin e nënëshkrimit të Protokollit të Tiranës më 2 gusht 1920, mbas luftës së Vlorës të udhëhequr nga Qazim Koculi:

“Ngjarja e Vlonës qe shkaktue nga njerës të cilët e treguan me punë se qenë shum ma të vegjël se rangu i rëndë dhe delikat që patën marrë persipër; për pesë vjet e ca mbajtën Shqipërinë të çkputur me zemër nga Italija, dhe aqë fort të çkputur sa i vij mendja njeriut të thosh e të besonte se një erë e tërbuar ua kishte marrë mendjen fare burrave të Shtetit q’e drejtuan fatin e Italis së madhe që pas vdekjes së Di Sangiuliano e gjer ditën q’u kthye përsëri në pushtet Giovanni Giolitti. Shqipërija dhe Italija e gjetën tani mendjen, e gjetën prap udhën e mbarë, dhe posa q’e gjeten, kësaj udhë doemos do t’ecin, të dyja bashkë kundrejt orizonteve të rinj e kundrejt të pastajmes së re. Që kësaj udhe fatale kishin për të dalë një ditë Italija me Shqipërinë ne s’kemi dyshuar kurrë: e tregon puna jonë e gjashtë vjetvet gazetarije n’Itali. Besimin t’onë të fortë se Italia dhe Shqipëria n’Adriatik e në Ballkan s’mundin  veçse të rrojnë njera për tjetrën, s’e tundi kurrë politika e keqe e Consultës faqe Vendit t’onë, s’e tundën dot tendencat e paarësyeshme të ca qarqeve shqiptare faqe punës s’onë fjesht patriotike, fjesht shqiptare. Erdhi pra, aqë shpejt sa s’pandehej, dita e triumfit, vëllazërimit të dy popujvet. Vepra jonë zuri vendin e saj: ne s’paskemi punuar më kot.”

Këto fjali, kjo pjesëz e një prej shkrimeve të shumta të Kuvendit, dëshmojnë katërcipërisht se cili ishte boshti qëndror i botkuptimit të gazetarit të njohur kolonjar, cilat ishin bindjet politike të tij, cilat ishin kriteret e vlerësimit të ngjarjeve e problemeve, cili ishte lejtmotivi i veprimtarisë së tij publiçistike, cili ishte vizioni i së ardhmes dhe përfytyresa strategjike e marredhënieve mes dy brigjeve t’Adriatikut. Ai i mbeti besnik deri në fund të jetës këtij vizioni dhe nuk pati fatin të shihte furtunat, baticat e zbaticat që historia e marredhënieve italo-shqiptare do të rezervonte në dhjetëvjeçarët e mëvonshëm. 

Me mbylljen e Kuvendit, në tetor 1920, veprimtaria publiçistike e Sotir Gjikës, drejt për drejt në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, nuk ka më tribunën e vet. Ai vazhdoi të shkruajë tek Messaggero dhe La gazzetta del Mezzogiorno, por edhe në fletore shqiptare si Agimi etj. Më pas familja kthehet në Bari ku ai e vazhdoi punën në gazetën e qytetit. 

Më 27 gusht 1923 u vra në rrugën Janinë – Sarandë gjenerali italian Enriko Telini, kryetar i komisionit ndërkombëtar për përcaktimin e kufirit shqiparo-grek. Vrasja u krye nga grekët dhe pati një jehonë të madhe në shtypin evropian. Sotir Gjika u dërgua nga gazeta në të cilën punonte, “Il messaggero”, në vend për të hetuar mbi autorët e vrasjes. Atje u sëmur dhe që atëhere shëndeti i tij mori të tatëpjetën. Megjithëse kishte një fizik të fuqishëm, sëmundja e pashërueshme në pak kohë e rrëzoi në shtrat. Ishin këta vitet më të vështira të jetës së gazetarit tashmë të njohur në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ai ishte i vetëdijshëm për fundin tragjik të parakohshëm, drejt të cilit ishte nisur pa kthim. Pranë tij ishin gruaja e re dhe dy fëmijët e vegjël. E mundonte mendimi  se ata do të mbeteshin pa asnjë mbështetje e pa asnjë pasuri për të përballuar jetesën. Me rrogën e tij të vogël si gazetar ai kishte mundur vetëm të përballonte kërkesat e jetesës, por nuk kishte mundur të vinte asgjë mënjanë. Tepër bujar prej natyre, gjatë jetës së tij nuk ishte kursyer kurrë të ndihmonte, shpesh herë edhe jashtë fuqive të tij, shokët e miqtë që gjëndeshin në vështirësi. Ai i bënte këto të mira dhe i hidhte gjithmonë mbas krahëve, pa i bërë të njohura. Ja çfarë shkruan Gjovalin Kamsi që ka njohur nga afër gazetarin atdhetar:

“….Sa e sa kanë qenë të mirat e tija që dihen e nuk dihen, sa herë ai të papasunve dhe të pasunve u ka vjeftë, dhe askush s’e ka dijtë. Sot ndoshta nuk e kujtojnë kohën kur Sotiri u ka qenë vëlla e përmbi vëlla. 

Atdhetar i flaktë, burr i drejtë, i pathyeshëm. Bindte çdo kundërshtar të idheve të tija. Kryefjala e tij ish:”me i shërbye atdheut me besë e me nderë”. Rastet qi ati nuk i kanë mungue dhe kanë qenë të shumta, të mëdhaja, do t’a kishin ba pasanik sikur të kishte dashtë por ai nuk e përlyente êmnin ndër vepra qi nuk ishin ma se të ndershme. Kush guxoi t’i premtojë ( dhe ishte në kohë kuer smundja e marrun në krye të detyrës si gazetar për zbulimin e vrasësve të Gjeneral Tellini-t po e përkulte at lis, pse vdiq më 12 prill 1927 në vetmin e nji bjeshke) nji jetë begatije jo të vorfën si ai kalonte me at rrogë të vogël gazetari, vetëm sikur të vente pendën e vet në shërbim të nji çashtjeje qi i kundërshtonte me besën e tij, me idealin nacjonal i pat përgjegjë: “Ma parë më thehen duert se thej besën t’eme. Do të vdes i vobekët, por due të vdes me nderë. Fmija do të trashëgojë prej meje vobekësin, e dij mirë, por nji êmën të jetuem me nderë. E për kaq jam krenar”.

Mbas testamentit politik, që mbështetej në vizionin strategjik të një Shqipërie që do të ecte në rrugën e saj të rimëkëmbjes e të përparimit në sajë të marredhënieve të ngushta e miqësore me Italinë, kemi testamentin e tij moral, në të cilin fjalët “Besë” e “Nder” janë shkruar me të madhe e janë tabu të pakapërcyeshme edhe me çmimin e jetës. Kanë kaluar  pak dhjetëvjeçarë  nga koha kur personalitete të një shtati të tillë moral përfaqësonin Vendin tonë në fushat e ndryshme të jetës shoqërore,  politike, kulturale. E na duket se jemi vite dritë larg nga realiteti i një Vendi që ze një nga vendet e para në botë për nga niveli i paligjshmërisë e i korrupsionit. Çuditërisht, me gjithë përparimin e bërë në këta dhjetëvjeçarë në fushat e ndryshme të jetës ekonomike apo kulturore, hasim një rënie të theksuar përsa i përket moralizimit të jetës publike. Kjo ka aryet e veta të ndryshme, por më duket se një prej tyre  është edhe errësimi që, për një gjysëm shekulli, regjimi komunist u bëri figurave të shquara të historisë shqiptare të shekullit të shkuar, që do të ishin, në sajë të integritetit të tyre moral e atdhetar, pika riferimi dhe fenerë ndriçues për formimin dhe edukimin e shqiptarëve.

Sotir Gjika mbylli sytë, siç u tha më sipër, më 12 prill 1927, në një vend kurimi e u varros në Verona në moshën 38 vjeçare. Familja e tij vazhdoi jetën në vështirësi ekonomike. Gruaja e ve, në moshën 35 vjeçare, e lidhi jetën e saj me rritjen e shkollimin e dy fëmijëve e me kujtimin e burrit që e deshi dhe e respektoi për cilësitë e tija morale e intelektuale. Punoi në profesionin e saj të mësueses e me rrogën e saj çoi përpara familjen. U desh të kërkonte ndërhyrjen e Kryeministrit Musolini për të patur nga një gjysëm pensioni për dy fëmijët e saj. Ata u rritën e u shkolluan duke kryer universitetin, djali për mjekësi e vajza për letërsi. Djali mbeti në Vendin e lindjes dhe krijoi familjen e tij. Vajza do të vinte në Shqipëri si nuse  e djalit të njërit prej miqve më të ngushtë të babait të saj, të Mustafa Krujës.

U mundova të përshkruaj shkurtimisht, me sa kisha mundësi jetën e një  gazetari atdhetar, me një ndihmesë të rëndësishme në dobi të çështjes shqiptare në disa nga çastet më delikate të historisë së saj. Në vitin 1934 banorët e fshatit të lindjes i kishin vënë emrin e tij, emrin e njeriut më të shquar që nxorën, shkollës fillore. Historia zyrtare e “akademistëve” të regjimit komunist e tashti vonë, edhe fjalori enciklopedik i Z. Robert Elsie, e injoruan plotësisht, duke krijuar një “borxh nderi” që Shqipëria i mbetet njërit prej bijve të saj të shquar. Do të lahej ky “borxh” duke nxjerrë në dritë punën e tij, duke grumbulluar e botuar shkrimet e tij, duke i dhënë vendin e merituar në historinë e publiçistikës shqiptare, që më duket se është “jetimja” e lënë mënjanë nga vëmëndja e kulturës dhe historiografisë sonë.

Për gati një gjysëm shekulli diktatura komuniste i mbuloi me mjegull e me baltë shumë vlera të kulturës e të traditës së shqiptarëve. Koha e re, në cilësinë e arkeologut, duhet t’i zbulojë e t’i rivendosë në vendin që meritojnë. Është kjo një nga detyrat kryesore që kultura jonë, në veçanti brezi i ri i studjuesve, duhet të plotësojnë, në dobi të imazhit të Vendit e në respektimin e së vërtetës historike.

Filed Under: Kronike Tagged With: Eugjen Merlika

FARI I ARBЁRISË

August 6, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………” – Fan S. Noli.

Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.

Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…

Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.

Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të shtohet asgjë.

I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.

Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.

Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.

Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.

Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.

Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.

Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.

Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.

“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.

Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.

Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.

Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.

Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.

Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Reposh, që kishte vdekur si murg në manastirin e Hilandarit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,

.Për shumë kohë, thellë në vetvete, kishte ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.

Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….

Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej i tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.

Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.

Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?

Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Baderën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.

Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.

Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….

Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që lindi gjashtëqind vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

SHBA, KINA DHE RUSIA: FRONTET E SHUMTA DHE RREZIKU PËR TË BËRË LOJËN E XI E TË PUTINIT

August 3, 2022 by s p

Nga DANILO TAINO

Të përballohet një krizë që ka vështrime ushtarake është një sipërmarrje serioze. Të përballohen dy, tetëmijë kilometra larg njëra tjetrës, bëhet e paarritëshme. Tani Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar në këtë gjëndje: mundim i madh për të siguruar pavarësinë e Ukrainës, zotim i detyrueshëm për të mbështetur Taivanin. Vizita e Nancy Pelosit në Taipei ka hapur një tjetër front që duhet të mbarështojë Shtëpia e Bardhë: Joe Biden nuk do t’a kishte dashur, por tashmë që spikerja e Dhomës së Deputetëve ka arritur në ishull, nuk mund të mos mbrojë të drejtën e saj për të vizituar çfarëdo Vëndi që e mirëpret.

Problemi tashti është se mbifuqia amerikane është e mbingarkuar me zotime. Nga pikpamja ushtarake, e rezervave, e prapavijës, e politikës, e diplomacisë. E tepruar frikësohen në Washington, e tërhequr për së tepërmi. Është pikërisht ajo që Vladimir Putin e Xi jinping dëshirojnë: të zotojnë Shtetet e Bashkuara në më shumë kriza për të bërë të dukëshëm që zotërimi i tyre global është në fund e që nevojiten të tjera barazpesha ndërkombëtare. Që Pax (paqja) amerikane nuk ka më frymë për të vrapuar. Ukraina, Taivani, Lindja e Mesme me Iranin që i avitet armës bërthamore, Amerika Latine çdo javë e më e paqëndrueshme: zjarre të rinj ndizen në fortesat historike të Shteteve të Bashkuara.  

Nancy Pelosi ka plot të drejtë të vizitojë Taivanin e të takojë presidenten Cai Ing-wen. Nuk është Pekini ai që mund të hartojë rendin e saj të ditës e të detyrojë ndalimet. Por tani jemi përballë një hopi cilësor. Në vitet e fundit, veçanërisht që kur Xi Jinping është ngjitur në pushtet, më 2012, Kina ka kërcënuar dhe përfrikësuar shumë Vënde që nuk respektojnë vullnetet e saj politike, ka përdorur fuqinë, kryesisht ekonomike, për të ndaluar qëndrime të papëlqyera për të: mbi respektin e të drejtave njerëzore, mbi rolin e Dalai Lamës, mbi praktikat tregëtare, mbi përgjegjësitë në fillimin e mbarështimin e pandemisë të Covid-19. Fakti i ri është që tani zbaton të njëjtën metodë edhe kundrejt autoritetit të tretë institucional të mbifuqisë amerikane.

Udhëtimi i Pelosit nuk ka përmbajtje të mëdha politike konkrete. Ka një vlerë kryesisht simbolike për të pohuar mbështetjen e Kongresit amerikan demokracisë së lulëzuar të ishullit (e teta në botë dhe e para n’Azi për cilësi, simbas një treguesi të  përpunuar nga Economist Intelligence Unit). Xi do të kishte mundur t’udhëzonte antarët e Partisë Komuniste për të protestuar kundrejt vizitës në atë që Pekini e quan provincën e saj kryengritëse; nga ana tjetër do të duhej në teori të shmangëte një përshkallëzim të kërcënimeve e mobilizimeve ushtarake në tokë, det e qiell, t’a degradonte në një gjë të vogël udhëtimin e kryetares. Ndërsa ka ngritur tonet e veprimet si asnjë herë. Vizita është kthyer kështu në një krizë ndërmjet Pekinit dhe Washingtonit. Nancy Pelosi nuk mund të mos e parashikonte: këtu hyn ai që mjaft vëzhgues e quajnë një gabim gjykimi.

Një gjë është e drejta për të vizituar Taivanin. Një tjetër është leverdia politike për t’a bërë në këtë çast. Gjëndja ndërkombëtare është tejet e nderë, nuk ka arsye të dukëshme për të ushqyer tensionet. Është e vërtetë që agresiviteti gojor i Pekinit kundër Taivanit është shtuar shumë dhe gjuajtësit kinezë kanë hyrë  555 herë në Zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit në gjashtë muajt e parë të vitit. Por mbështetja e Taivanit kalon, më shumë se nga udhëtimet e zhurmëshme, nga garancia e Washingtonit për t’a mbrojtur e për t’a furnizuar me armë. Veç asaj Pelosi duhej t’a dinte se për Xi vizita do të kishte qënë një fyerje. Udhëheqësi kinez ka vënë në krye të listës së përparësive politike synimin për të bashkuar ishullin me mëmëdheun. Në vjeshtë do të përballojë kongresin e Partisë Komuniste që do t’i ripërtërijë  mandatin për të drejtuar Vëndin për të tretin pesëvjeçar të vazhdueshëm, gjë e pandodhur që nga Vitet Tetëdhjetë. Por arrin me një ekonomi të dobësuar, me protesta popullore të shkaktuara nga shkandullimet në sektorin e ndërtimeve të banesave, me një politikë të Zero-Kovid e ndalime të vazhdueshëm, gjithënjë e më pak të duruar nga kinezët. Pakënaqësitë në parti për gjëndjen e vështirë ekonomike e shoqërore do të ishin ndezur nëse Xi nuk do të kishte kundërvepruar ndaj belegut.

Tani, sido që të shkojë, kundërshtia që është hapur në Ngushticën e Taivanit i vë në një tension të mëtejshëm marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit e Pekinit. S’afërmi përbën rrezik përplasjesh e në kohë të gjata shpejton krijimin e blloqeve kundërshtare ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Çimentohet muri ndërmjet SHBA dhe Kinës. Dhe është një tjetër provë e aftësisë së Shteteve të Bashkuara për të mbarështuar kriza që krijohen pa ndërprerë  në pjesë të ndryshme të botës. Me gjasë ky nuk ishte synimi i parë i kryetares Pelosi.

“Corriere della Sera”, 2 gusht 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

PERËNDIMI TANI ZBULON BRISHTËSINË E DREJTUESVE TË TIJ

August 1, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI/

“E ardhmja është Italia dhe është e zymtë”. Është titulli i një komenti të shfaqur në New York Times mbas dorëheqjes së Draghit.  Përimtimet e amerikanëve mbi Italinë nuk janë gjithmonë të besueshëm. Nxjerrin në pah megjithatë një ndijesi të përhapur: që kriza politike italiane është pjesë e një rënieje të drejtimit të përgjithshëm, aq më shumë shqetësuese sepse ndodh në sfondin e problemeve të rëndësishëm, një lufte në zemrën e Evropës, pjesërisht që tani të harruar, një ekonomie që shkon drejt rënies, belegut të perandorive autoritare me dëshira zotëruese. Mungonte vetëm Covidi i Joe Bidenit për t’i shtuar një cekje vetiake ndijimit të vështirësive të Perëndimit. Lamtumira e Mario Draghit shihet në këtë kontekst  Italia është gjithmonë një e vëzhguar e posaçme për lëndueshmërinë e saj, duke filluar nga borxhi publik; paqëndrueshmëria e qeverive të saj nuk është e re, por këtë herë kriza e saj politike rëndohet nga pasiguritë që trishtojnë bashkëpuntorët dhe aleatët e saj më të rëndësishëm. 

Amerika ka një president të brishtë në të gjithë drejtimet. Veç shëndetit, popullariteti i tij ka rënë më poshtë edhe në krahasim me humnerën në të cilën gjëndej Donald Trump-i në të njëjtën periudhë të mandatit të tij. Bideni-t i është hequr besimi edhe nga të tijtë: shumica e zgjedhësve demokratë nuk e gjykon t’aftë për një mandat të dytë. Krahu i majtë i partisë së tij – që zotëron mediat – e quan një tradhëtar për lëshimet mbi Green New Deal dhe mbi imigracionin; por është më shumë qëndra e moderuar që ka rëndësi sepse në të luhen zgjedhjet administrative të nëndorit. Shumica e heshtur e partisë demokratike  vë re një shmangie drejt qëndrimeve më radikale dhe hemoragjia e votave drejt republikanëve është pothuajse e sigurtë. Kush lexon vetëm mediat e klasës drejtuese përparimtare ka përshtypjen se vëmëndja e amerikanëve është përqëndruar në hetimin parlamentar mbi “grushtin e shtetit të orvatur” të 6 janarit 2021. Nuk është kështu. Shumica e amerikanëve e gjykon qeverinë e saj nga inflaksioni, humbja e fuqisë blerëse, pasiguria e përgjithëshme, përfshirë edhe shtimin e kriminalitetit. Prandaj në kançeleritë e huaja  tashmë ka filluar loja e basteve mbi çfarë do të jetë politika e jashtëme amerikane e mbas – Biden-it.  

Nuk është më mirë Evropa perëndimore. Janë të paktë ata që e qajnë Boris Xhonsonin, por ndërmjet tyre ndoshta është Volodimir Zelenski, që mund të bënte llogari mbi mbështetjen e tij të pakushtëzuar. Emmanuel Macron ka formuar një qeveri pa një shumicë parlamentare e duhet të përqëndrohet mbi problemet e ekonomisë, duke lënë në plan të dytë dëshirat për drejtim të Evropës dhe orvatjet pa frut për bisedime të drejtpërdrejta me Vladimir Putinin. E sëmura më shqetësuese është Gjermania. “Mrekullia e dytë gjermane”, ajo që ndodhi në vitet nëntëdhjetë, i lejoi kombit më të rëndësishëm evropian të dilte nga një krizë (çmimet fillestare të ribashkimit) në sajë të një sëre përbërësish. Dy prej tyre spikasnin më shumë: gazi rus ekonomik dhe i bollshëm; tregjet e Lindjes (Kina në krye) të stërhapura e t’etura për “Made in Germany). Të dy këta përbërës tashmë i përkasin së shkuarës; modeli gjerman duhet rishpikur. Kjo krizë identiteti  arrin në një mungesë drejtimi shqetësuese. Olaf Scholz është hija e një kançelari. Deri tani i vetmi vendim i fuqishëm është plani i racionimit të energjisë elektrike në vjeshtë-dimër, me mbyllje me rradhë të fabrikave. Të gjithë do të dëshironim të dinim se cila është strategjia afatgjatë e Gjermanisë, cili është propozimi i Berlinit për Evropën, cila është nisma kundrejt kundërshtarësh e rivalësh strategjikë në Moskë e në Pekin. Dalja nga skena e Draghit vërtetohet si hallka e një zinxhiri të gjatë dobësish. Tani për tani Perëndimi mbetet i shtrënguar në lidhjen e tij, nuk ka tradhëti në vijën e tij të ndihmës për Ukrainën dhe sanksionet ekonomike. Por me kohë, kushedi. Zelenski ka tradhëuar frikërat e tij kur i telefonoi në çastet e fundit Draghit për t’a bindur të tërhiqte dorëheqjen.

Brishtësive tona Putini i përgjigjet duke na përshkruar ne perëndimorëve  si “miliardi i artë”. Shprehja ka një histori të hershme të propagandës kombëtariste ruse. Lidhet me gjuhën e kryetarëve komunistë kundër imperializmit dhe rishkolonializmit të Vëndeve kapitalistë. Shpluhurimi i atyre argumenteve të luftës së ftohtë ka një shije cinike dhe hipokrite, tani që Kina është zonja e vërtetë e Afrikës dhe Divizioni Wagner i mercenarëve rusë zëvendëson repartet franceze për të mbështetur regjimet ushtarake  në Jugë të Sahelit. Kështu, përfytyresa e “miliardit të artë” ka një farë suksesi mes atij numëri të gjërë Vëndesh që kanë ringjallur “lëvizjen e të pa-angazhuarve” (viti i lindjes 1955, në zemrën e luftës së ftohtë). Ajo shumicë qeverish aziatike, afrikane, latinoameikane që nuk pranojnë t’u bashkohen sanksioneve tona kundër Rusisë, që nuk qëndrojnë as këndej as andej, kanë drejtues të formuar në universitetet perëndimore, ku mësohet (si n’ata kineze e ruse) që e vetmja perandori e së keqes është Amerika, i vetmi qytetërim agresiv është Perëndimi. Fakti është që Kina e Rusia janë tani perandoritë e vërteta koloniale, që rilindja e imperializmave rajonale si ata otomanë, arabë, persianë, janë të parëndësishëm përballë fuqisë së “miliardit t’artë”. Në të vërtetë, si nivel jetese, Gjiri Persik që pret me krahë hapur oligarkët rusë është m’i artë se ne. Por deri edhe sheikët e vajgurit adhurojnë përdorimin e propagandës kundër-koloniale kur i shkon për shtat interesave të tyre.

Përgjigja e Perëndimit është e vagëlluar, simbas përfytyresës e ngjajshmërisë së udhëheqësve të tyre. Biden-i valëvitet deri edhe mbi Taivanin, guri i ardhshëm i provës së rendit botëror mbas Ukrainës. Presidenti amerikan ka premtuar se do t’a mbrojë në rast sulmi ushtarak kinez. Por tani kërkon të bindë kryetaren e Dhomës së deputetëve, Nancy Pelosi, të mos shkojë në Taivan nga frika e kundërveprimeve të Pekinit. Bashkimi Evropian nuk ka një strategji të qartë për të tëhequr në zonën e tij të ndikimit Mesdheun Jugor, ku rriten ndërhyrjet gjeopolitike e ushtarake të Putinit, Xisë, Erdoganit, për më shumë të ajatollahëve iranianë. Deri edhe marrëveshja për piskamën grurë – e gjitha për t’u vërtetuar mbas raketave mbi Odesë – është pjekur brënda një trekëndëshi Rusi-Ukrainë-Turqi, pa një rol të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara ose të Bashkimit Evropian.

“Corriere della Sera”, 23 korrik 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj
  • #SiSot ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe Mësuesi i Popullit Petro Nini Luarasi
  • Koha e Gjenive: Lord Byron dhe Bonaparti
  • Napoleon-i dhe trojet shqiptare… mbi dy shekuj pas vdekjes së tij
  • KOSOVA DHE SERBIA RINISIN DIALOGUN NË NIVEL TË LARTË NË BRUKSEL
  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT