

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha dhe kryetari i Këshillit të Vatrës z. Kolec Ndoja zhvilluan një vizitë zyrtare në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK. Zyrtarët e Vatrës shprehën mirënjohje, nderim e vlerësim për sakrificën sublime të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si histori, identitet e krenari kombëtare. Në faqen zyrtare të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK u raportua edhe nderimi për kryetarin e Vatrës nga organizata e kryesuar nga z.Hysni Gucati: “Sot kishim për vizitë z. Elmi Berisha, Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” të cilit iu nda mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në avancimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe atdheut”.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra i ka apeluar Kongresit, Senatit, Shtëpisë së Bardhë e Departamentit të Shtetit Amerikan për drejtësi për Kosovën. Vatra ka kërkuar vazhdimisht liri për çlirimtarët që mbahen padrejtësisht në Hagë dhe ka dënuar gjyqin e turpshëm ndaj heronjve të lirisë së Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Gjyqi i padrejtë dhe i turpshëm ndaj çlirimtarëve e luftërëve të lirisë së Kosovës është turp për perëndimin. Maskarada e Hagës duhet të marrë fund sa më parë. Çlirimtarët duhet të kthehen të lirë në Kosovë.
Përmes gazetës Dielli, Vatra ka sensibilizuar vazhdimisht opinionin ndërkombëtar për padrejtësinë që i bëhet kombit shqiptar në zemër të qytetërimit perëndimor, në Hagë dhe ka insistuar për proces të drejtë, të ndershëm, transparent dhe jo të fabrikuar nga serbët e rusët. UÇK është nderi i kombit shqiptar, krenari dhe faqe e ndritur në historinë kombëtare.