• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE

November 2, 2026 by s p

Sokol Paja

Foto: Ndrekë Tonaj + Diana Ivezaj/

New York, 1 nëntor 2026- Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” organizoi në mënyrë mallështore Festivalin e XXXIV Shqiptar duke bashkuar patriotët, artistët, këngëtarët, valltarët, grupet muzikore, ansamblet folklorike, instrumentistë, kërcimtarët, skenografët e koreografët në një spektakël madhështor dedikuar gjuhës shqipe, elementit themelor të përkatësisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Një investim shpirtëror e kulturor i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës si garanci e vazhdimësi patriotike për çdo fëmijë shqiptar të lindur e rritur në emigracion.

Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” si institucion fetar, atdhetar, kulturor e komunitar, me organizimet serioze e dinjitoze i bën një nder e shlrbim të jashtëzakonshëm trashëgimisë kulturore kombëtare dhe mbarë mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veprimtaria frymëzuese e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York duke bashkuar mbarë shqiptarët nga çdo cep i Amerikës, është vlerë, identitet, trashëgimi dhe pasuri e jashtëzakonshme për diasporën shqiptare.

Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të New York-ut, personalitet fetar, atdhetar e kombëtar, në fjalën kryesore të Festivalit theksoi ky vit ka një randësi të veçantë dhe të thellë për të gjithë ne. Na sonte e dedikojmë këtë festival gjuhës tonë të bukur shqipe. Gjuha jonë është rrahja e zemrës së identitetit tonë, fillim i artë që lidh të kaluemen tonë me të ardhmen dhe simboli më i naltë i qëndresës sonë si komb.

Festivale si ky janë të radha sepse na ndihmojnë të ruajmë kulturën tonë të pasur, traditat tona të gjalla dhe gjuhën amtare për brezat që do të vijnë. Përmes këtyre aktiviteteve, na sigurojmë që rranjet tona të qëndrojnë të forta, megjithëse jemi larg atdheut. Sonte, zemrat tona mbushen me plot krenari kur shohim djemtë e ri dhe vajzat e reja në skenë që do të përformojnë për ju sonte. Përmes valles, muzikës dhe kangës së tyre, ata mbajnë ndezur pishtarin e trashëgimisë sonë. Faleminderit të gjithë organizatorëve që punuen pa u lodhë ditë e natë me e ba të muejtun këtë festival. Faleminderit të gjithë juve të pranishëm që me përkrahjen tuej dëshmoni bukurinë e kulturës sonë, theksoi Dom Pjetër Popaj.

PROGRAMI I FESTIVALIT TË 34-TË SHQIPTAR

1.Film i shkurtër: “Gjuha jonë”

2.Hapja – Gegë e toskë

3.Dom Pjetri – Përshëndetja e festivalit

4.Rozafati: Valle e Ulqinit

5.Nora e Kelmendit: Valle (Prej Malësie në Tropojë)

6.Gjovani Gjonaj: Ulqini ynë

7.Flamur Biçaku: Potpuri e Shqipërisë së Mesme

8.Bashkimi Dance: Valle me motive çame

9.Haxhi Nezaj: Prej nji shpati

10.Nik Çarku: Cili asht ma bukur

11.AYC Greenwich: Valle me motive të Tropojës

12.Grupi Lab: Gjuha shqipe

13.Gjergj Kastrioti: a) Valle e shoqëruar me çifteli e fyell b) Valle me DJ e tupana c) Këngë d) Valle

14.Rozafati Dance: Valle me motive të Kosovës

15.Ermina Bushi: Ç’ka ka zogu

16.Barbana: Valle me motive të Shqipërisë së Mesme

17.Nora e Kelmendit: Rrofsh përjetë, Malësia e Madhe

18.Projektori me film për kombin shqiptar

19.Montclair University – Kolazh këngësh popullore

20Merita Halili: Na leu dielli n’at buzë mali

21.Rozafati Dance: Valle me motive të jugut

22.Haki Krasniqi: Moj Kosovë, t’u njeft e mira

23.Bashkimi Dance: Valle me motive Tropoje

24.Lorna Hysa: Do marr çiften, do dal për gjah

25.AACW Dance: Për ty, Nanë

26.Grupi Lab: Kënga labe

27.Besim Muriqi: Mora udhën kah Manastiri

28.Albanian Roots: 2 valle

29.Struga: a) Zana Sahiti – Shqipëri, o nana ime b) Instrumentale me çifteli c) Siara Kaba, Arlinda & Diana Dauti – Hidhet vallja d) Valle me motive të veriut

30.Gjystina Bojaj: Këndon bilbili fushave

31.Argjend Llogaj: O gjuhë e bukur

32.Dijana Vajushi: Malësinë time

33.Rozafati Dance: Valle me motive Tropoje.

KOMISIONI ORGANIZUES:

Famullitar: Dom Pjetër Popaj, Kryetar i Këshillit të Kishës: Ndrekë Tonaj, Kryetar i Qendrës Nënë Tereza: Mark Berishaj, Drejtor i Festivalit: Dr. Elizabet Peraj, Drejtor artistik: Agim Kola, Regjia: Agim Kola, Prezantues: Zef Vataj & Mikejla Nonaj, Koordinatore e reklamave: Dr. Elizabet Peraj, Drejtues i orkestrës: Alfred Popaj, Video: Festor Volaj, Photography: Diana Ivezaj

ANËTARËT E KOMISIONIT:

Agim Kola, Alfred Jaku, Alfred Popaj, Angjelina Nika, Diana Ivezaj, Dr. Elizabet Peraj, Gjergj Paloka, Ismer Mjeku, Kristina Popaj, Mark Berishaj, Mikejla Nonaj, Ndrekë Tonaj, Petrit Grishaj, Vjeko Cotaј dhe Zef Vataj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sokol Paja

Koreografi Bekim Murati: “Grupi i valleve “Besa”, kontribut në ruajtjen e rrënjëve shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj në Florida”

October 21, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Z. Murati, cila ka qenë ecuria artistike e grupit të valleve BESA në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Florida?

Grupi i valleve Besa ka filluar veprimtarinë e tij në tetor 2024, përpara ky grup ishte në një situatë kaotike dhe nuk i përgjigjej kërkesave që ky grup kishte karshi komunitetit që përfaqësonte, por edhe karshi vetes, kjo sepse fëmijët që dëshironin të kërcenin vallet shqiptare nuk po gjenin atë çfarë dëshironin nga ky grup!

Mua më thirrën për ta drejtuar në atë kohë dhe sigurisht do të më duhej një apo dy seanca provash që fëmijët të bindeshin në atë që kërkonin të bënin, por duhet edhe t’i bindja si fëmijët, por edhe drejtuesit e shoqatës Besa për gjithçka kërkonin nga ky grup! Sigurisht e kam thënë dhe do ta them përsëri, ju jam mirënjohës zonjave drejtuese të shoqatës Besa, Imelda Pojani dhe Lola Naqo, që ma besuan drejtimin artistik të këtij grupi, i cili e rifilloi punën e tij me 5-7 fëmijë, por me kalimin e ditëve ai do të plotësohej me më shumë se 20-25 fëmijë të moshave të ndryshme. Duke filluar nga 5-6-vjeçarë deri në 18-20-vjeçarë!

Mua m’u desh të punoja shumë, por edhe t’u shpjegoja për origjinën e valleve shqiptare nga jugu në veri! Grupi i valleve Besa promovon vallet origjinale të të gjithë Shqipërisë! Këto valle janë vallet më tradicionale që kërcehen në të gjitha festimet kombëtare, por edhe ato lokale! Grupi Besa është i pranishëm në disa evente të përvitshme që organizohen për komunitetin shqiptar në Tampa Bay Area ose në Pinellas County! Fëmijët dhe, në tërësi, grupi i valleve Besa i promovojnë vallet shqiptare nëpër festa familjare, në evente që organizohen nga shoqata Besa!

2. Si koreograf, çfarë efekti ka vallja tradicionale shqiptare në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në përcjelljen e trashëgimisë kulturore te fëmijët shqiptarë të lindur në Amerikë?

Vallja në tërësi është një nga pjesët më të bukura të traditave, folklorit shqiptar, trashëgimisë kulturore dhe kulturës shqiptare, si e tillë ajo krijon një efekt të jashtëzakonshëm dhe të emocioni të lartë për atë që e sheh, po patjetër janë shumë të dëshiruar ta mësojnë! Patjetër ata ndihen shumë mirë kur dalin të kërcejnë para prindërve të tyre ose përpara një publiku në salla apo në skenë! Atë që bën vallja dhe muzika e valles krijon një efekt të atillë që edhe nëse nuk di të flasësh shqip, pasi je një fëmijë që ka lindur në USA, të bën ta fillosh ta shikosh fillimisht, pastaj fëmijët, por edhe më të mëdhenj se fëmijët fillojnë të bëhen pjesë e grupit ku kanë filluar të mësojnë e më andej ata fillojnë ta kërcejnë ku munden ose fillojnë ta kërkojnë ta kërcejnë atje ku mblidhen për të festuar, përfshirë këtu edhe ditëlindje shokësh, apo festa familjare jo vetëm në USA, por edhe kur shkojnë në Shqipëri!

Nëpërmjet valles ne ruajmë dhe trashëgojmë një nga traditat më të hershme të kulturës sonë, po njëkohësisht të historisë së folklorit shqiptar! Fëmijët të të gjitha moshave, pjesë e grupit të valleve, mesa kam vënë re, nuk hezitojnë ta thonë me plot gojën kudo nëpër aktivitete: jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe jemi krenarë që kërcejmë dhe këndojmë valle dhe këngë shqiptare, kjo sepse vallja, kërcimi i tyre i ka hequr emocionet dhe ato ngurrime të mundshme që mund të ketë një fëmijë! Sigurisht një pjesë e madhe e tyre kanë lindur këtu dhe jetojnë këtu, edukohen këtu në shkolla, por kemi vënë re që kur vjen fjala për të kënduar himnin kombëtar të gjithë e këndojnë me shumë kënaqësi, kjo për mua si profesionist apo dhe prindërve u jep një ndjenjë krenarie, e cila besoj do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre!

Vallja dhe kërcimi ndikon shumë në disa aspekte, emocional, fizik, psikologjik, po pa diskutim ka një efekt në rritjen e vëmendjes! Vallja dhe kërcimi i ndihmon të mësojnë edhe kërcime të tjera të ndryshme!

3. Sa e vështirë është të ruhet dhe të kultivohet autenticiteti i valleve tradicionale shqiptare në një mjedis multikulturor si Tampa Bay, ku fëmijët dhe të rinjtë rriten mes ndikimeve të ndryshme kulturore e gjuhësore?

Gjithçka lidhet me edukimin, por pa diskutim edhe me familjen! Sigurisht për fëmijët e vegjël janë prindërit ata të cilët janë të interesuar që këta fëmijë të marrin ato njohuri, të cilat i bëjnë ata të interesuar të mësojnë nga kultura dhe trashëgimia kulturore e vendit të origjinës, por ajo që unë po përpiqem dhe punoj është që ata të ruajnë dhe ta kërcejnë ato valle që kërcehen nëpër aktivitetet që organizohen nga Besa!

Sigurisht në gjykimin tim nuk është e lehtë, por duhet gjetur ai çelësi i artë që ata ta hapin dhe të gjejnë diçka që u pëlqen, të gjejnë diçka që ndihen mirë, të gjejnë diçka që ndoshta shumë fëmijë të tjerë nuk kanë mundësi ta bëjnë! Kjo kërkon pa diskutim një njohje të mirë të kulturës, folklorit, traditës, kërkon profesionalizëm dhe përkushtim nga të gjitha palët!

4. Si e keni të organizuar programin kulturor me fëmijët në lidhje tipologjinë e valleve, kostumografinë dhe muzikën popullore?

Unë bëj njëherë në javë, çdo ditë të shtunë, për rreth 2 orë pa pushim, mësim të valleve tradicionale shqiptare! E kam organizuar në bazë mosheje. Fillimisht me grupin e vogël 5-9 vjeç, pastaj grupi i dytë 10-13 vjeç! Por në disa raste i organizojmë së bashku të gjithë, por ajo që unë kam bërë është që në fund të kursit organizoj një kërcim, siç është vallja pogonishte, ku fillohet nga fëmijët e vegjël, futen fëmijët pak më të mëdhenj dhe pastaj ftoj edhe prindërit të kërcejnë së bashku, kjo u jep më shumë besim fëmijëve, u heq ato emocione që ata mund të kenë, por pa diskutim ata ndihen krenarë që kërcejnë me mamanë ose me babanë e tyre në krah!

Ndihen shumë mirë dhe është një mënyrë e mirë që kam aplikuar për të mbyllur kursin e valles! Nga fillimi i muajit shtator, në pjesën e fundit të kursit të valleve kemi filluar kurs me një pjesë të mamave, duke u mësuar disa valle tradicionale shqiptare!

5. Si ka ndikuar pjesëmarrja në aktivitetet kulturore dhe artistike e fëmijëve shqiptarë të lindur në Amerikë në forcimin e lidhjeve mes familjeve shqiptare dhe në afrimin e brezit të ri me rrënjët e prejardhjen shqiptare?

Ka ndikuar shumë pozitivisht, sepse prania e tyre çdo të shtunë nga 2 orë ka bërë një socializim të fëmijëve, por pa diskutim dhe prindërve të tyre! Fëmijët kanë krijuar lidhjet e tyre të reja me pjesëtarë të grupit të valleve Besa, kanë krijuar grupet e tyre në rrjetet sociale ku shprehen për çfarë bëjnë në kursin e valleve, apo shpërndajnë foto me kostumet e bukura shqiptare duke kërcyer!

Pjesëmarrja ka ardhur në rritje nga viti i parë në vitin e dytë dhe në vazhdim, sidomos në këto ditë që ne kemi filluar sezonin e ri të mësimit të valleve, kemi një pjesëmarrje të madhe me mbi 35-40 fëmijë në çdo të shtunë, por sigurisht nga njohjet dhe komunikimi që kanë, sa po vjen dhe shtohen, kjo jo vetëm nga Tampa Bay Area, por edhe jashtë saj, kemi fëmijë dhe prindër që udhëtojnë mbi 2 vajtje-ardhje për të qenë pjesë e grupit dhe të kërcejnë vallet shqiptare!

6. A mendoni se arti, muzika dhe vallja shqiptare janë ndër mënyrat më të fuqishme për ta bërë të njohur Shqipërinë dhe kulturën shqiptare në shoqërinë amerikane?

Po, arti, muzika, vallja dhe historia shqiptare janë disa nga mënyrat më të fuqishme për t’u bashkuar, për t’u afruar, për të gëzuar, e mbi të gjitha të njihen, të ndihmojnë, të marrin e të japin informacion për gjithçka kërkojnë ata që kanë pak kohë që kanë ardhur, por muzika i bën krenarë për ato këngë dhe valle të bukura dhe me lëvizje ekspresive e bëjnë që dhe shumë amerikanë të jenë kuriozë dhe të kërkojnë më shumë informacion për Shqipërinë! Kjo i bën ata shumë krenarë për atë që përfaqësojnë!

7. Çfarë mesazhi do t’u përcillnit të rinjve shqiptaro-amerikanë që dëshironi t’i shihni më të përfshirë në ruajtjen dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Më lejoni të bëj thirrje të gjithë fëmijëve të lindur këtu në USA, adoleshentëve që jetojnë dhe që kanë ardhur fare të vegjël, por edhe të prindërve të këtyre, të bëjnë të mundur të dëgjojnë muzikë shqiptare, të mësojnë vallet tradicionale shqiptare, t’ua mësojnë fëmijëve himnin kombëtar dhe t’u mësojnë të flasin shqip sa munden!

Të rinjve amerikano-shqiptarë do t’u kërkoja më shumë përulje, mësoni të këndoni himnin kombëtar shqiptar, mësoni sa mundeni vallet tradicionale shqiptare sepse ato janë pjesë e një kulture të një populli nga më të vjetrit në Evropë! Një popull që ka një folklor, se ka tradita shumë të bukura, ka valle që kërcehen për çdo festë familjare, apo në çdo aktivitet kombëtar që do të organizoni, sepse do të ndjehen shumë krenarë për atë që janë dhe përfaqësojnë!

Motivi im është: Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar! Jam krenar që jam shqiptar!

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” u promovuan në Philadelphia

October 17, 2026 by s p

Sokol Paja/

Philadelphia, 17 Tetor 2026 – Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” të patriotit Tajar Domi u promovuan në Philadelphia. Shoqata “Bijtë e Shqipes”, shtëpia e shqiptarizmës në Pennsylvania bashkoi studiues, historianë, shkrimtarë, gazetarë, poetë e patriotë për të nderuar krijimtarinë letrare e veprimtarinë atdhetare të veprimtarit Tajar Domi. Në fjalën e mirëseardhjes patrioti z.Domi theksoi se “Libri është miku më i mirë i njeriut” teksa përmes botimeve ruajmë gjuhën, kulturën, traditën e trashëgiminë e pasur shqiptare”.

Prezantuesi mësues Enver Parllaku u shpjegoi të pranishmëve veçoritë dhe vlerat e librave si një dhuratë brezave dhe kontribut për dijen, historinë e kulturën shqiptare.

Dr. Bexhet Asani, sekretar i shoqatës së shkrimtareve shqiptaro – amerikanë në kumtesën e tij theksoi se studiuesi Domi përveç se merret me historikun dhe figurat e shquara të Dinastisë Domi, ai nuk i harron për asnjë çast pinjollët e Dinastisë Domi në Shqipëri dhe në diasporë dhe kanë arritur suksese në fusha të ndryshme të artit, të kulturës, të shkencës dhe të teknologjisë. Monografia “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” sipas Dr. Asanit është një simbiozë sa etnike po aq edhe shkencore e kulturore. Në libër zë një vend të rëndësishëm shkenca etnografike shqiptare. Të dhënat etnografike në libër janë me interes për shkencat albanologjike. Në libër përveç personaliteteve të Dinastisë Domi janë prezentuar edhe personalitete të tjerë kombëtarë si Ismail Kadare, Margarita Xhepa, Liri Rasha e të tjerë. Libri i Tajar Domit është një monografi e thukët me karakter gjithkombëtar. Monografi të tilla duhet të shkruhen me qëllim që t’ u mbeten trashëgim brezave që vijnë. Njëqind apo dyqind vjet më parë ka pasur fise e familje të dalluara shqiptare por ne nuk dimë asgjë për to sepse nuk është shkruar asgjë prandaj i ka mbuluar pluhuri i harresës.

Poeti Lutfi Brami në kumtesën “Kur historia dhe vlerat bëhen dritë për brezat”, theksoi se libri është një akt dashurie, një monument kujtese dhe historie, pasuri, busull, manual dhe orientim për familjet shqiptare në Shqipëri dhe diasporë. Z. Brami renditi kontributin gjuhësor e patriotik të familjes Domi në ruajtjen e Abetareve të shqipes për zhvillim e arsim kombëtar e identitet shqiptar. Z. Brami theksoi se monografia e Domit është një libër për familjet e fëmijët shqiptarë në Amerikë për të ruajtur gjuhën shqipe. Dr. Sadik Elshani në kumtesën “Vlerat i japin emër një kombi” renditi “kontributin dhe vlerat morale e kombëtare të familjes Domi. Urtinë, mençurinë e zgjuarsinë e Odës shqiptare”. Z.Skender Kodra apeloi që intelektualët, studiuesit dhe njerëzit e penës të shkruajnë sa më shumë libra për të vërtetat e kombit tonë.

Editori i gazetës Dielli në kumtesën “Mençuria shqiptare”, një udhëtim në historinë shpirtërore të shqiptarëve” theksoi se libri na kujton se kultura kombëtare nuk ndërtohet vetëm nga veprat e mëdha letrare, nga monumentet dhe nga ngjarjet historike. Ajo ndërtohet edhe nga fjalët e njerëzve të zakonshëm, nga përvojat e tyre dhe nga mënyra se si ata kanë zgjedhur t’ua përcjellin të tjerëve atë që kanë mësuar në jetë. Prandaj, vepra e Tajar Domit meriton të lexohet jo vetëm si një dëshmi e së kaluarës, por edhe si një ftesë për reflektim mbi të ardhmen. Kontributi i librit dhe vlerat qëndrojnë te pyetjet që ngre, te kujtimet që zgjon dhe te dëshira që nxit për të njohur më mirë gjuhën, historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Shkrimtari Vlashi Fili në kumtesën “Tajar Domi dhe mençuria shqiptare” theksoi se vepra e Domit është një kujtesë e gjallë për të mos harruar atë që është trashëguar. Libri i Domit është një pasuri e çmuar sepse përmban shprehje të mençura të popullit, shpirtit, kombit, dhe kujtesë e rrugëtimit shekullore të shqiptarëve. Bashkëthemeluesi i “AlbLibris” Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij theksoi se fjala e urtë është historia e një populli. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e kësaj vepre. Përmes fjalëve të urta, ne nuk trashëgojmë vetëm shprehje të bukura. Ne trashëgojmë mënyra të të menduarit, parime morale dhe përvoja jetësore. Trashëgojmë kuptimin e nderit, të besës, të përgjegjësisë, të durimit dhe të respektit për tjetrin. Më pëlqen veçanërisht përpjekja e autorit për të përfshirë urtësinë nga krahina të ndryshme shqiptare, nga Veriu në Jug, nga Shqipëria e Mesme, nga trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe nga mërgata. Kjo i jep librit një mesazh të rëndësishëm: trashëgimia jonë nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë. Ajo jeton kudo ku ruhet gjuha, kujtesa dhe lidhja me rrënjët. Përshëndetën promovimin e librave patriotët: Bujar Gjoka, Eqerem Murati, Mëhill Velaj, Agim Pira, Abdulla Domi, Elsa Sako, Halil Rama dhe Mahmudije Shehu Domi. Një festë libri që nderoi një familje patriotike dhe patriotë shqiptarë me kontribute të mëdha në arsimin e historinë shqiptare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sokol Paja

MES OPTIMIZMIT TË ZYMTË DHE PESIMIZMIT ME DRITË…

October 15, 2026 by s p

Intervistë me gazetarin, ambasadorin dhe shkrimtarin Bujar Skëndo.

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar z.Skendo romani juaj “Flijimi i maskave” trajton marrëdhënien e ndërlikuar mes botës së krimit dhe pushtetit të korruptuar. Çfarë ju shtyu ta vini këtë fenomen në qendër të romanit dhe çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni lexuesit përmes tij?

Bujar SKËNDO: Nuk më shtyu asgjë më shumë se revolta dhe refuzimi ndaj asaj që ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë. Një gjë monstruoze, e përbindëshme: Kriminalizimi i vullnetshëm, i vetëdijshëm, madje i planifikuar i pushtetit dhe më pas, i tërë jetës së vendit. Në roman, përmes vetëzbulimit dhe zbulimit të mendjes dhe shpirtit të personazheve, përshkruhen hapat nëpër të cilat kaloi ky proces rrënues, tjetërsimi i misionit të pushtetit dhe shoqërisë. Pushteti ndau qeverisjen me trafikantët, u hapi portat e Kuvendit të Popullit, dyert e zyrave, kurse krimi ndau paratë “e pista”me pushtetin. Lindi një pushtet hibrid, i dyfishtë mes dy forcave që teorikisht do të duhej të ishin antagonistë, kundërshtarë, armiq të njëri tjetrit. U krijua një klimë kriminale në vend: Shoqëria shqiptare, prej rreth tri dekadash, u mësua dhe pranoi të jetojë së bashku me qeveritarë- biznesmenë dhe me ishtrafikantë e kriminelë- qeveritarë. Të dy palët të kriminalizuar, të korruptuar. Të dy palët iu vërsulën buxhetit të shtetit, pra taksave të qytetarëve dhe pasurive natyrore të vendit me një grykësi tmerruese. Në këtë moment njerëzit e ndershëm u shtangën, shpresat e tyre nisën të zbehen, në mos edhe të shuhen, si flaka e trembur e qiririt. Rezistenca, reagimi, përplasja nuk u dukën kund. Ishte kohë e adaptimit me murtajën.

Romani “Flijimi i maskave” ështe një reagim i paqetë artistik, një thirrje plot pikëllim drejtuar njerëzve të thjeshtë për të shpëtuar vendin nga lëngata e pafundme në të cilën është flakur me përçmim. E keqja tashmë ka arritur në një pikë kulmore. Por triumfit përfundimtar të më të keqes i nevojitet nënshtrimi i plotë, jo i një pjese të shoqërisë, por i të tërës. Gjunjëzimi i saj. Asfiksimi. Shkurt, përshtatja pa kushte e saj. Nëse njerëzit e mirë të vendit, intelektualët e ndershëm, të rinjtë guximtarë nuk do bëjnë diçka, kjo do të shënonte ngadhënjimin përfundimtar të të keqes, të krimit dhe korrupsionit.

Nëse qëndroni neutralë në situara padrejtësie, thoshte Platoni, ju keni zgjedhur anën e shtypësit. Nëse njerëzit e mirë, atdhetarë do i thonë “Jo” këtij pushteti ogurzi, të neveritshëm, të kriminalizuar me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, atëherë ky pushtet do nisë të shëmbet.

2. Metafora e maskës përshkon gjithë romanin dhe simbolizon hipokrizinë, mashtrimin dhe tjetërsimin e identitetit njerëzor. Si lindi kjo metaforë dhe në ç’masë mendoni se njeriu i shoqërisë së sotme e ka humbur dallimin mes fytyrës së tij të vërtetë dhe maskës që mban përpara të tjerëve?

Bujar SKËNDO: Në mjegullën që e rrethon shkrimtarin ndërsa shkruan, në mënyrë të turbullt, unë kuptova se po shkoja drejt një pike të panjohur, tronditëse. Isha duke shkruar faqet e para të romanit: Një aktore e talentuar e gjen veten të huaj e të braktisur nga teatri, nga shoqëria. Nga gjithçka. Shoqet e saj të dikurshme lëviznin me makina të shtrenjta rrugëve të Tiranës. Shkojnë për pushime në Dubai apo në Ibiza e më tej në vende ekzotike botërore… Ishin lidhur me ishtrafikantë, njerëz të krimit, por që tashmë kishin arritur t’i pastronin paratë e pista nëpërmjet korruptimit të zyrtarëve…

“Është koha të ndryshoj diçka brenda vetes sime”, duhet të ketë pëshpëritur Ema dikur. Me sa duket unë po i vija rrotull diçkaje si mbulimi i diçkaje të vërtetë me diçka të gënjeshtërt. Ndoshta ky ishte sinjali i parë në nënvetëdijen time për të kuptuar se si njeriu e fsheh mashtrimi, si mbulohet diçka e mbrapshta… Si njeriu gënjen pa iu skuqur fytyra ditën me diell. Pastaj dyfytyrësia, pafytyrësia… I isha afruar në mënyrë krejt të pavetëdijshme dhe njëkohësisht fatale simbolit të maskës…

Në përfytyrimin tim nisën të shfaqen më shumë maska se fytyra. Flijohet fytyra për maskën. Pastaj flijohet edhe kjo për një tjetër maskë. Dhe më pas, një maskë tjetër… Maskë hipokrizie, maskë e etjes për pushtet e para, maskë për gjithçka. Madje maskë edhe kur ndodhesh përpara vetes tënde, dmth maskë edhe kur je vetëm me vetveten. Komike e tragjike, në të njëjtën kohë. Maska pa fund, njëra më mashtruese se tjetra. Një tmerr më vete, i pafund edhe ky. Simbolika e maskës ka qenë dhe mbetet një pasqyrë shtrembëruese, deformuese. Devijuese e të vërtetës.

Vend qëndror në roman zë figura e Leonit, ishtrafikant i shndërruar tashmë në një biznesmen “të ndershëm”, pronar i një restoranti diku afër Parkut të Madh të Tiranës me emrin provokues “Korbi i bardhë”. Ishte vendi ku nisnin rrugëtimin e ri tërë ishtrafikantët, tashmë biznesmenë të veshur me kostume e gravata të shtrenjta, me makina lluksoze…Maskat e tyre shkëlqenin me magjinë e tyre makabre. Në krah të ishtrafikantëve, vajza të ekranit, muzikës në rolin e bashkëshorteve. Krejtësisht ndryshe nga e shkuara. Kishin vënë maskat rrëzëllitëse e ziplotë edhe ato. Të tërë krejtësisht të pafytyrë, dikur ia vënë syrin politikës. Maskat janë në apogjeun e tyre.

Gjashtë nga klubi i “Korbit të bardhë” futen në listat e partisë që kërkon të rimarrë pushtetin. Dhe këta monstra me maska bëjnë diçka të padëgjuar: I fitojnë votat më herët se të vinte dita e votimit. Si? Maskat shumëfishohen brenda natës dhe mbulojnë fytyrat e përvuajtura të votuesve për 50 apo dhe më shumë Euro… Jo vetëm të atyre që votojnë pro tyre, por edhe të atyre (nënkupto të krahut tjetër politik) që nuk dalin fare të votojnë…

Për t’u rikthyer te pjesa e fundit e pyetjes tuaj, mendoj se njeriu dhe shoqëria shqiptare janë të prekur rëndë nga murtaja e maskave. Në roman është një episod ku përshkruhet një djegie masive maskash. Njerëz me fytyra të përgjakura nga shkulja e maskave, maska pa fytyrë, fytyra pa maska, pastaj një bllokim trafiku në Sheshin Skënderbej i shoqëruar me një stuhi ere, një polic që ka ngecur midis dhe që vetëm thërret “skenë krimi”! Njolla gjaku gjithandej… pamje vërtet groteske.

Virtytet dhe veset janë brenda njeriut në një përpjekje të përjetshme për dominimin e tjetrit. Për një çast, për një kohë ose edhe për gjithë jetën. Tek ne

koha e dominimit të veseve po zgjat shumë. Histeria e veseve çnjerëzore ka kohë që ia ka zënë frymën virtyteve njerëzore.

Por mendoj se pjesa e mirë e shoqërisë shqiptare është ende gjallë, me fytyrën e saj të vërtetë. Janë edhe moshat e reja, studentët e gjimnazistët e Gjeneratës Z. Janë intelektualët e ndershëm. Njerëzit e thjeshtë që jetojnë me punën e tyre të ndershme. Të gjithë këta kanë refuzuar të lënë peng fytyrën për maskën e ofruar nga qeveria e kriminalizuar që punon kundër tyre. Shumë të tjerë nuk kanë rezistuar dhe për të ruajtur “faqen e bardhë” kanë marrë udhët e botës. Janë detyruar në mënyrë djallëzisht të qëllimshme të lënë vendin. Por shpesh ndodh që edhe një grup i vogël mund t’a ndryshojë vendin.

Njerëzit me fytyrën e vërtetë janë makthi më dëshpërues për maskat qeveritare. Njerëzit pa maska i trëmbin, u kallin drithërimat pushtetarëve të kriminalizuar, të korruptuar. Dhe maskave të tyre, gjithashtu. Gjithçka nis me një ndezje flake për drejtësi. Një shkrepje kundër padrejtësive. Pastaj zjarri i ndezur djeg gjithçka që i del kundër. Maskat digjen së bashku me fytyrat e ndotura të krimit dhe korrupsionit.

3. Në roman, krimi dhe pushteti duket se ushqejnë njëri tjetrin, duke dobësuar drejtësinë dhe liritë e shoqërisë. A synon vepra juaj të jetë vetëm një pasqyrim artistik i një realiteti bashkëkohor, apo edhe një thirrje për ndërgjegjësim e reagim shoqëror?

Bujar SKËNDO: Romani im nuk është aspak, thjesht tregim i të vërtetës së jetës. Por është art i të vërtetës. Ai zbulon artistikisht të keqen dhe të këqinjtë dhe u heq këtyre maskat pa pikë mëshire. Thirrjen për pakënaqësi, për mospranim, për revoltë romani e ka të shkrirë në çdo ind artistik të tij. Deri më sot “mishi në hell” nuk ka qenë as i kryeautokratit dhe as i shpurës së tij me maska kriminale e të krimbur në vese, por ka qenë fytyra e vërtetë njerëzore, virtytet e njerëzve të thjeshtë, të ndershëm. Përplasja midis dy palëve është e pashmangëshme. Dhe fitorja, gjithashtu.

4. Një nga veçoritë e romanit është ndërthurja e ngjarjeve me përsiatjet e personazheve dhe zërin reflektues të rrëfimtarit. Si e keni ndërtuar këtë ekuilibër mes rrëfimit të ngjarjeve dhe mendimit filozofik në mënyrë që lexuesi të depërtojë përtej sipërfaqes së personazheve?

Bujar SKËNDO: “Flijimi i maskave”, sikundër edhe dy romanet e tjerë të mi, janë të tipit psikologjik. Priren nga zbulimi dhe vetëzbulimi gjendjeve emocionale dhe mendore të personazheve, konfliktet me vetveten, përjetimet, frikërat, kotësia e jetës, ankthet ekzistenciale, pendesat, ambiciet, fajësinë, etjen e të qënies së tyre për pushtet dhe para. Reflektimi i ngjarjeve dhe episodeve në psiqikën dhe shpirtin e tyre. Të dyja të fshehta, të ruajtura thellë në një vend të errët dhe të vështira për t’i kuptuar me një vështrim të jashtëm. “Unë, thoshte Dostojevski, dëshmoj për thellësitë e shpirtit njerëzor”. Dhe ai mbetet ende sot Mjeshtri i Madh i romanit psikologjik.

Në roman unë tentoj të zbuloj si reflektohen në mendjet njerëzore ide, mendime filozofike, ngjarje e imazhe. Si shpërfaqen ato në zonat errëta të mendimit të personazheve. Është, si të thuash, një udhëtim brenda vetes, në thellësitë që as vetë personazhet nuk i dinë dhe nuk i njohin. Pikërisht aty ku ata luftojnë me vetveten, me të keqen dhe të mirën, me gënjeshtrën dhe të vërtetën, me moralin dhe absurdin e tij. Me pasionet dhe krizat e vetëdijes të vetvetes. Me ankthet dhe tjetërsimin. Dhe është normale të tronditen, të dyshojne te vetvetja, të tërhiqen ose t’u shkojnë edhe më thellë pasioneve të tyre. Të pranojnë dobësi që në asnjë rrethanë tjetër nuk do t’a bënin. Të dallojnë të vërtetën brenda vetes edhe në mjegullën e dëndur të shpirtit njerëzor. Kështu bëhet e mundur të çahet “deti i ngrirë brenda nesh” i Franc Kafkës. Të tillë personazhe në roman janë Leoni, Ema, gazetari analist Albert Vango, psikologu Gazmend Tasho, Elona, bashkëshortja dhe “zyra e biznesit” të Prokurorit të Përgjithshëm.

Romani e tërheq lexuesin në thellësitë e mendimit e emocionit individual, të trazuar e të mjegulluar, të ndrrydhur e të shtypur përdhunshëm nga forca të jashtme. Dhe për paradoks, edhe nga prirje negative të brendëshme. Dhe, me sa kam kuptuar prej përshtypjeve të lexuesve, një stil i tillë të shkruari dhe të konceptuari jo vetëm nuk të lodh, por, përkundrazi, të nxit për të depërtuar edhe më thellë brenda vetes. Në atë që lexuesit “shkruajnë” me imagjinatën e tyre pas mbarimit së lexuari romanin. Mund të tingëllojë e pabesueshme, por kam kuptuar se në këtë lloj romani lexuesit mezi presin të zbulojnë sekretet e personazheve, e për analogji, të takohen edhe me sekretet e vetvetes.

5. Në “Flijimi i maskave”, korrupsioni dhe hipokrizia shndërrohen në një traumë sociale me pasoja psikologjike duke prodhuar vetmi, frikë dhe mungesë dashurie. Si ndikon kjo klimë te bota e brendëshme e personazheve dhe çfarë na zbulon ajo për brishtësinë e njeriut përballë pushtetit dhe parasë?

Bujar SKËNDO: Në roman është një përshkrim prej 3-4 faqesh për disa grupime njerëzish që në mënyrë instiktive mblidhen çdo muzg në kënde të ndryshme të lulishtes në krah të Librit Universitar. Qëndrojnë aty për orë të tëra pa e ditur pse, por edhe të pashqetësuar që nuk e dinë. Dikush prej tyre kishte qenë biznesmen me emër, por një natë ia kishin hedhur në erë me eksploziv. Dikush tjetër thjesht kujton se dikur, vite apo edhe dekada më parë, kishte qenë biznesmen. Të vetmuar apo në grupe të vogla, si fantazma hijerënda. Ishin atje të zymtët, me vështrimin të tretur në askund. Pak më tej grupi i të mërziturve me vetveten dhe gjithë të tjerët. Të poshtëruar nga jeta, të uritur dhe pa një kokërr leku në xhep, veç mallkonin. Në skajin më të largët ishin të dëshpëruarit. Të gjithë të rrënuar, të zhgënjyer, të pashpresë, të pamend. Të dështuar. Askush nga kalimtarët nuk u hedh sytë. Askush nuk pyet ç’janë. As pse janë atje. Mendo për një çast, sa të tillë janë sot pas gati tri dekadash nga koha e ngjarjeve të romanit. Ky është kapitalizmi egër e mafioz që u projektua dhe u ngrit në sistem nga kriminalizimi i vullnetshëm i pushtetit, ekonomisë dhe tërë jetës së vendit, nga ndarja e pushtetit, parave dhe pasurive të vendit me krimin dhe trafikantët…

6. Titulli “Flijimi i maskave” sugjeron një paradoks tragjik: Edhe maskat duket sikur bëhen vetë viktima të mashtrimit që janë krijuar për të fshehur. Çfarë kuptimi i keni dhënë fjalës “flijim” në këtë kontekst dhe si lidhet ajo me deformimin e identitetit njerëzor që në roman merr edhe përmasa groteske e tragjike?

Bujar SKËNDO: Unë i kisha vënë një tjetër titull romanit, “Vejusha milionere”. Dhe kisha motivet e mia. Por botuesi nuk e pëlqente. Diskutuam gjatë e nuk u morrëm vesh. U ktheva në shtëpi dhe ndihesha i ftohtë me romanin, por pa e kuptuar as vetë kisha nisur t’a lexoja nga faqja e parë. U trondita kur vura re se sa shumë herë përmendej fjala flijim: Flijim i të mirës, flijim i virtyteve, flijim i moralit, flijim i shoqërisë, flijim i fytyrës, flijim i të drejtës… Dhe më në fund, paradoksalisht, flijim edhe i vetë maskave prej të tjera maskash edhe më monstruoze. Tamam i atyre mbi të cilat ishte ngritur i tërë romani. Ia nisa menjëherë titullin botuesit dhe brenda disa sekondave ai më telefonoi i lumturuar. Ky, po, tha ai. Romani meriton pikërisht këtë titull. I shpreha mirënjohjen për këmbënguljen.

Flijimi, në vetvete, është tragjik. Por kur bëhet fjalë për flijim të maskave atëherë shfaqet ana e fshehtë e metaforës. Grotesku. Njeriu i sotëm dhe jeta e tij është si një karnaval me apo pa maska. Një herë e fsheh fytyrën pas maskës dhe më pas maskat, në mënyrë qesharake e groteske, ndërrojnë njëra tjetrën duke e gjakosur atë që ka mbetur nga fytyra fillestare. Por fytyra e vërtetë njerëzore është shumë më e sofistikuar se një maskë, sado mashtruese të jetë kjo. Dikur, psh tri dekada më parë, krimi i organizuar vepronte në fshehtësi. Sot, duke i veshur fytyrës kriminale maskën e demagogjisë e të paturpësisë, përpara se të vidhen dhjetëra e qindra milionë, ndryshohen ligjet, kinse për interesa kombëtare. Maskë mbi maskë. Ose maskë e dyfishtë. Kur vesi mbulohet nga maska e virtytit, është vrasës. Por gjëmën ta bën maska e atij që e shfaq fytyrën të zbuluar. Kjo lloj maske e re diabolike, groteske për fytyrën që mbulon e zbulon, njëkohësisht, me atë që ofron në mënyrë të dhunshme, kthehet në tragjike për individin dhe shoqërinë. Grabitjen ditën me diell të votave, të taksave të shqiptarëve dhe pasurive të shenjta të natyrës së vendit tonë që vidhen e shiten pa pikën e brerjes së ndërgjegjes, nuk ka maskë që e fsheh, nuk ka maskë që e deformon.

Tërë shpërfillje, plot fodullëk, përplot me urrejtje të pakursyer ndaj njerëzve të thjeshtë, tani qeveria e organizon vetë krimin e organizuar. Kjo nuk është tjetër veçse vetë tirania e maskave dhe maska e tiranisë. Gjithë sistemi është i kriminalizuar. Brenda sistemit vjedhin kush e kush më shumë. Bien vetëm disa, bashkë me maskat e veta. Edhe rënien e atyre pak grabitësve të parave të popullit, shpesh duket se e organizon vetë maska qeveritare për të shpëtuar kryemaskën.

Në roman fjala “flijim” është përdorur në kuptimin e një akti suprem. Flijimi për një ide të lartësuar- një thirrje ekzistenciale për atë që jemi dhe për atë që synojmë të jemi. Një apel, një ftesë, një klithmë, një britmë për t’u prirur drejt të mirës, virtytit, përparimit të sinqertë, të vërtetë. Një akt i paheshtur. Pa maska e vese vetvrasëse. Kemi trashëguar diçka të shenjtë e të shtrenjtë: Atdheun dhe banorët e hershëm të tij, shqiptarët. Të sakrifikojmë, të flijojmë, jo diçka, por gjithçka kemi që tua kalojmë gjeneratave që vijnë të pacënuar, të patjetërsuar, të plotë… Të panxirë, të panjollosur… Ky është edhe një nga mesazhet e fshehta të romanit.

7. Në analizën e romanit mund të dallohen ngjashmëri me botën kafkiane, ku individi përballet me tjetërsimin dhe deformimin e qënies. E shihni këtë vepër si një reflektim mbi absurditetin e shoqërisë moderrne dhe, mbi të gjitha, a besoni se ekziston ende mundësia që njeriu të heqë maskën dhe të rikthehet te vetvetja e vërtetë?

Bujar SKËNDO: Të falënderoj për zbulimin e kësaj ngjashmërie. E kanë vënë re edhe kritikë e studjues. E madje, edhe lexues që e njohin mirë dhe e admirojnë shkrimtarin gjenial Franc Kafka. Por dua të theksoj se është një prirje e natyrshme e stilit tim të të shkruarit depërtimi në thellësi të nënvetëdijes së personazheve për të zbuluar, jo aq, vetëm atë që ata bëjnë apo nuk bëjnë, atë që ndiejnë apo nuk ndiejnë, por edhe arsyen u ndodh kjo, pse përpëliten, pse i kalojnë ditët në një mëdyshje absurde. Pse ndihen të vetmuar, të huaj edhe kur gjenden në mesin e njerëzve. Për të përshkruar frikërat që u vijnë nga drejtime të panjohura, madje edhe nga brenda vetes. Qenia e tyre përshkohet nga ankthe dhe nga mungesa e guximit për t’u përballur me atë që i kërcënon, të cilën, shpesh herë, as nuk e kuptojnë çfarë është dhe as përse i sulmon… Këto dhe të tjera aspekte të personazheve të romanit tim mund të quhen edhe një zbritje në errësirën e të vërtetatave të zhveshura, lakuriqe të psiqikës njerëzore.

Shkrimtari ka guximin të hyjë në mendjen e njeriut dhe të zbulojë tërë të fshehtat që ruhen atje, në atë vend të errët e të vetmuar.

Personazhet e romaneve të mi shkojnë drejt drejt vetëmbylljes, vetëizolimit dhe absurdit. Ose edhe vijnë nga atje, nga mbyllja, vetëizolimi, absurdi. Prandaj jo rrallë shfaqen të gatshëm të vënë në dyshim ekzistencën e vetvetes. Ndihen të tjetërsuar, të pazot të dalin nga udhëkryqet shpirtërore e psikologjike ku e kanë çuar veten pavetëdijshëm, ose i kanë detyruar të kryqëzohen në udhëkryqet e jetës. Dhe të gjitha këto ngaqë mjedisi për rreth u duket armiqësor, zyrat i përjetojnë si organe shtypëse, tiranike. Dhe largohen të tmerruar pa mundur të gjejnë prehje e mbrojtje as brenda vetevetes. Mandje, shpesh, as nuk e pranojnë këtë prehje a ndihmë. Ndihen të qetë vetëm brenda absurdit të pakuptueshëm të vetvetes e, paradoksalisht, edhe përtej ekzistencës vetjake.

Pak a shumë ky është njeriu moderrn që përpëlitet në një botë përherë e më të egër, jo miqësore. Sidoqoftë, edhe pse njerëzit vuajnë, gëzojnë, argëtohen, përleshen dhe në fund… vdesin duke marrë me vete tërë pasiguritë e sëmundjet psiqike të shekullit, njerëzimi, prapëseprapë rinohet. Jeta normale apo absurde qoftë, me gjithë ulje- ngritjet e temperaturave të brendëshme të saj e ka dominuar përherë vdekjen. Dhe në këtë proçes të ndërlikuar, kundërshtia mes fytyrës së vërtetë njerëzore dhe maskës çnjerëzore do vazhdojë. Virtytet dhe veset do vijojnë të përplasen, të përqafohen apo edhe të shqyhen midis tyre. Dhe ndoshta, do e çojnë vetëm përpara shoqërinë njerëzore. Njerëzimi ka parë edhe më keq, por e ka gjetur përherë rrugën e mbijetesës edhe përmes kaosit.

Përsa i takon njeriut shqiptar, mendoj se sot veset çnjerëzore, maskat, po dominojnë mbi virtytet, mbi fytyrat e vërteta. Por kjo gjendje nuk besoj se zgjat shumë. Me kohë krijohet një tjetër klimë, një tjetër atmosferë, e ngjashme, ndoshta me drithërimën që përshkon atmosferën para ciklonit dhe rivendoset sërish ekuilibri i të mirës mbi të keqen.

Sa për mua, unë e gjej veten diku mes optimizmit të zymtë dhe pesimizmit me dritë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Bujar Skendo, Sokol Paja

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në “Nutley Historical Museum” përmes artit të piktorit Dashamir Gurabardhi

October 12, 2026 by s p

Nga Sokol Paja/

Piktori shqiptar Dashamir Gurabardhi do të marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të shtatë artistëve, e cila do të hapet më 16 tetor, në orën 17:00, në “Nutley Historical Museum”, në New Jersey. Mes veprave që ai do të prezantojë para publikut amerikan spikat kompozimi kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe aleancës së tij me Alfonsin e Napolit, një vepër që sjell në vëmendje figurën historike të Heroit Kombëtar shqiptar dhe rolin e tij në marrëdhëniet diplomatike të kohës.

Në këtë ekspozitë, Gurabardhi do të paraqitet edhe me pikturën “New York”, me përmasa mbi një metër në gjerësi, si dhe me veprat “Kingsland Waterfalls, Nutley”, një peizazh nga Firence dhe një tjetër nga Aruba. Përmes këtyre punimeve, artisti sjell një ndërthurje temash e përjetimesh artistike, nga peizazhet urbane dhe natyrore te kompozimet me karakter historik.

Tri vjet më parë, Dashamir Gurabardhi kishte çelur një ekspozitë personale në të njëjtin muze, me interesimin dhe mbështetjen e një përfaqësuesi amerikan të institucionit. Edhe pse publiku i asaj ekspozite nuk kishte njohuri të thelluara për Shqipërinë, veprat e artistit, kryesisht të realizuara në New Jersey, tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve. Pas përfundimit të saj, përfaqësuesit e muzeut i shprehën dëshirën që ai të bëhej pjesë e një ekspozite të ardhshme, së bashku me artistë të tjerë vendas.

Më 4 tetor, artisti Gurabardhi u prit nga drejtori i muzeut, i cili është njëkohësisht edhe kuratori i ekspozitës. Piktori Gurabardhi i paraqiti pesë veprat e përzgjedhura, ndër të cilat katër peizazhe dhe kompozimin historik me Skënderbeun. Sipas tij, si subjekti, ashtu edhe realizimi artistik i kësaj vepre tërhoqën vëmendjen e kuratorit, i cili shfaqi interes edhe për punimet e tjera.

Biseda u përqendrua veçanërisht te figura e Skënderbeut dhe rëndësia e tij historike. Gurabardhi vëren se, ndryshe nga Evropa, në Shtetet e Bashkuara figura e Heroit Kombëtar shqiptar nuk është gjerësisht e njohur, me përjashtim të qarqeve të kufizuara akademike dhe studiuesve të interesuar për historinë evropiane. Pikërisht kjo e bën paraqitjen e tij në një mjedis të tillë kulturor një mundësi për të zgjeruar njohjen e publikut amerikan me historinë dhe trashëgiminë shqiptare.

Titulli i zgjedhur për veprën është “Defender of Christianity – George Castriot-Skanderbeg” (Mbrojtësi i krishterimit – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu). Në këtë kompozim, Skënderbeu zë vendin qendror dhe paraqitet veçanërisht në dimensionin e tij diplomatik, duke vënë në pah marrëdhëniet dhe aleancat politike të kohës. Lidhja me Alfonsin e Napolit përbën një pikë referimi të rëndësishme për të kuptuar veprimtarinë e Skënderbeut përtej fushëbetejave.

Për Gurabardhin, përzgjedhja e kësaj vepre për ekspozim në një institucion kulturor amerikan ka edhe një domethënie më të gjerë. Pozita strategjike e Shqipërisë dhe kthesat e shumta historike që kanë shoqëruar fatet e saj përbëjnë një sfond të rëndësishëm për të reflektuar mbi të kaluarën dhe të tashmen. Në këtë këndvështrim, figura e Skënderbeut shërben si pikënisje për të sjellë në vëmendje historinë shqiptare dhe lidhjet e saj me zhvillimet politike e kulturore të Evropës.

Kjo ekspozitë është një mundësi e shkëlqyer për bashkimin e komunitetit shqiptar në Amerikë, njohjen e artistëve të komunitetit tonë dhe promovimin e vlerave e krijimtarisë së artistëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës.

Artisti shpreson që, përmes kësaj paraqitjeje, publiku amerikan të njohë jo vetëm një figurë të rëndësishme të historisë shqiptare, por edhe një mënyrë të veçantë të të shprehurit artistik, të mbështetur në traditën e shkollës evropiane të pikturës dhe në përvojën e tij krijuese.

Ekspozita e 16 tetorit pritet të tërheqë vëmendjen e publikut, pasi në të do të marrin pjesë artistë të njohur nga disa qarqe të New Jersey-t. Pjesëmarrja e Dashamir Gurabardhit, veçanërisht me kompozimin kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, përbën një mundësi për të sjellë historinë shqiptare në një hapësirë të re kulturore dhe për të forcuar praninë e artit shqiptar në mjediset artistike amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Sokol Paja

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 109
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT