• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BRIKEN CALJA TRIUMFON NË TARANTO, KAMPION I MESDHEUT DHE KATËR REKORDE TË REJA

September 1, 2026 by s p

Peshëngritësi shqiptar fitoi medaljen e artë në shkëputje dhe të bronztën në shtytje, duke shkruar një tjetër faqe të rëndësishme në karrierën e tij të gjatë sportive.

Nga Albano Kolonjari

Briken Calja vazhdon t’i dhurojë Shqipërisë medalje dhe emocione të mëdha. Në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, peshëngritësi kuqezi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke u shpallur kampion i Mesdheut në stilin e shkëputjes.

Sportisti i Team Albania e dominoi garën në këtë disiplinë, duke realizuar me sukses të tria provat. Calja e nisi me 147 kilogramë, vijoi me 152 kg dhe e përfundoi konkurrimin me një ngritje të fuqishme prej 154 kilogramësh.

Rezultati përfundimtar i siguroi medaljen e artë, ndërsa tri provat e tij përmirësuan njëra pas tjetrës rekordin mesdhetar të garës.

Medalje bronzi edhe në shtytje

Calja u ngjit në podium edhe në stilin e shtytjes. Peshëngritësi shqiptar ngriti 184 kilogramë, rezultat që i dha medaljen e bronztë dhe njëkohësisht vendosi një tjetër rekord mesdhetar.

Ai e përfundoi paraqitjen në Taranto me 338 kilogramë në dygarësh, një medalje ari, një medalje bronzi dhe katër rekorde mesdhetare.

Ky ishte një tjetër rezultat i rëndësishëm për Shqipërinë në një aktivitet të madh ndërkombëtar dhe një konfirmim i nivelit të lartë që Calja vazhdon të ruajë edhe pas shumë vitesh në sportin elitar.

Rikthim si kampion pas 13 vjetësh

Suksesi në Taranto kishte një domethënie të veçantë personale për peshëngritësin nga Shtërmeni i Elbasanit. Kanë kaluar 13 vjet nga pjesëmarrja e tij e mëparshme në Lojërat Mesdhetare, një periudhë gjatë së cilës Calja ka përjetuar fitore, dëmtime, zhgënjime dhe rikthime të mëdha.

Në Pescara 2009 ai fitoi medaljen e argjendtë në shkëputje, ndërsa në Lojërat Mesdhetare të Mersinit më 2013 siguroi medalje bronzi në të dyja disiplinat.

Këtë herë u rikthye jo vetëm për të konkurruar, por për të pushtuar shkallën më të lartë të podiumit.

Një nga figurat më të mëdha të sportit shqiptar

I lindur më 19 shkurt 1990, Briken Calja ka ndërtuar një nga karrierat më të suksesshme në historinë e peshëngritjes shqiptare.

Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në tri edicione të Lojërave Olimpike: Londër 2012, Rio de Janeiro 2016 dhe Tokio 2020. Pikërisht në Tokio regjistroi një nga rezultatet më të mira të sportit shqiptar në Olimpiadë, duke u renditur i katërti dhe duke mbetur vetëm një kilogram larg medaljes.

Calja është shpallur kampion Evrope dhe ka fituar medalje në kampionate evropiane e botërore. Në Kampionatin Botëror të vitit 2021 ai triumfoi në stilin e shkëputjes dhe mori medaljen e argjendtë në dygarësh.

Edhe viti 2026 ka qenë i mbushur me rezultate të rëndësishme. Në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Batumi, Calja fitoi medaljen e artë në shtytje dhe të argjendtën në dygarësh në kategorinë deri në 79 kilogramë.

Një kampion që nuk dorëzohet

Në moshën 36-vjeçare dhe pas një karriere të gjatë në pedanë, Briken Calja vazhdon të konkurrojë me të njëjtën forcë dhe ambicie.

Triumfi në Taranto është më shumë se një tjetër medalje. Ai përfaqëson shpërblimin e viteve të sakrificës dhe këmbënguljes së një sportisti që është rrëzuar, është rikthyer dhe ka vazhduar të besojë edhe në momentet më të vështira.

Pas 13 vjetësh pritjeje, Calja u kthye në Lojërat Mesdhetare për të ngritur përsëri lart flamurin kuqezi—këtë herë si kampion i Mesdheut.

Filed Under: Sport

KRISTIAN PRENGA BËRI QË EMRI I SHQIPËRISË TË JEHONTE NË BOTË

August 3, 2026 by s p

Nga Gani Vila

Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA)/

Pas ndeshjes së Kristian Prengës me Anthony Joshua-n, siç ndodh pas çdo ngjarjeje të madhe sportive, pati mendime, analiza dhe vlerësime të ndryshme. Disa u ndalën vetëm te rezultati, të tjerë te disa momente të ndeshjes, ndërsa shumë njerëz, të pushtuar nga emocionet, harruan të shikonin rrugëtimin e gjatë që e solli Kristianin deri në një nga ringjet më të rëndësishme të boksit botëror.

Çdo mendim meriton respekt. Megjithatë, figura dhe karriera e Kristian Prengës nuk mund të gjykohen vetëm nga rezultati i një ndeshjeje. Për ta vlerësuar drejt atë që ai ka arritur, duhet të shikojmë afro 20 vjet jetë në emigracion, stërvitje, punë, investime, sakrifica dhe privime të vazhdueshme.

Kristiani arriti në majat e boksit botëror kryesisht me forcat e veta. Ai nuk pati pas vetes një federatë të fuqishme që ta financonte, ta promovonte dhe ta shoqëronte në çdo hap të karrierës. Nuk pati mbështetjen që sportistët e këtij niveli marrin zakonisht nga shtetet dhe institucionet e tyre.

Në shumë vende të botës, talentet sportive zbulohen që në moshë të re. Federatat dhe institucionet investojnë për trajnerët, palestrat, udhëtimet, ushqimin, kontrollet mjekësore dhe përgatitjen profesionale. Kristian Prenga një pjesë të madhe të kësaj barre e përballoi vetë, me ndihmën e familjes, stafit, miqve dhe sponsorëve që besuan në aftësitë e tij.

Atë që duhej ta kishte bërë Federata Shqiptare e Boksit dhe institucionet shqiptare, Kristiani u detyrua ta bënte vetë. Mungesën e mbështetjes e mbuloi me mund, djersë, disiplinë dhe një vullnet të jashtëzakonshëm. Nuk priti që dikush t’ia hapte rrugën. Ai e hapi vetë.

Nuk kërkoi justifikime. Vazhdoi të stërvitej, të ndeshej dhe të investonte në karrierën e tij, edhe atëherë kur rruga ishte e vështirë dhe ndihma institucionale mungonte.

Boksi profesionist nuk ndërtohet vetëm mbi talentin dhe forcën fizike. Ai kërkon palestër, trajnerë, partnerë stërvitorë, pajisje, kontrolle shëndetësore, ushqim të përcaktuar, udhëtime, menaxhim dhe përgatitje psikologjike. Pas disa minutave në ring qëndrojnë muaj të tërë pune dhe shpenzime të mëdha.

Kristiani e përballoi këtë rrugëtim me disiplinë. Është shumë punëtor në profesionin e tij dhe nuk ngopet së stërvituri. Nuk abuzon me jetën, kujdeset për ushqimin dhe shëndetin dhe jeton brenda rregullave të sportit. Për vite të tëra ka hequr dorë nga shumë kënaqësi të zakonshme, sepse e ka ditur se çdo pakujdesi mund ta largonte nga ëndrra e tij.

Jashtë ringut është një njeri i qetë, i thjeshtë dhe i komunikueshëm. Është djalë i mirë për prindërit, shok i mirë dhe një bashkatdhetar që të kënaq në bisedë. E do zhvillimin dhe përparimin e kombit të vet dhe gëzohet për sukseset e shqiptarëve. Në ring, Kristiani ndryshon. Bëhet i fuqishëm, i vendosur dhe i frikshëm për kundërshtarin. Shumicën e fitoreve të tij i ka arritur me nokaut, shpesh që në raundin e parë ose të dytë. Me 20 fitore dhe dy humbje, ai arriti të renditej në elitën e boksit botëror dhe të fitojë të drejtën për t’u përballur me emrat më të njohur të këtij sporti.

Gjatë karrierës së tij, Kristiani ka pasur mundësi të përfaqësonte federata të shteteve të tjera, përfshirë edhe atë amerikane, pasi jeton dhe e ka zhvilluar një pjesë të rëndësishme të karrierës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,por ai zgjodhi Shqipërinë.

Kjo mund të mos ketë qenë zgjedhja më e lehtë apo më e favorshme nga ana financiare dhe profesionale, por ishte zgjedhja e zemrës. Përfaqësimi i Shqipërisë, siç është shprehur edhe vetë, ia bënte grushtin më të fortë.

Sa herë hynte në ring, Kristiani nuk hynte vetëm për veten. Ai mbante me vete familjen, origjinën, flamurin dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Pas fitoreve, mbi supet dhe shpatullat e tij prej gjiganti vendoste flamurin tonë kombëtar. Në ato çaste, shqiponja dykrenare dukej sikur merrte krahë dhe fluturonte nëpër arenë.

Ndërkohë që po stërvitej dhe kishte planifikuar ndeshjen e radhës, mbërriti papritur lajmi i madh: oferta për t’u përballur me Anthony Joshua-n, dy herë kampion bote dhe një nga figurat më të njohura të boksit ndërkombëtar.

Kjo ofertë nuk ishte një privilegj i rastësishëm. Ishte vlerësim për punën, rezultatet, forcën dhe investimin shumëvjeçar të Kristian Prengës. Në një ndeshje të atij niveli nuk ftohet një boksier pa rezultate dhe pa aftësi të provuara. Kristiani ishte aty sepse e kishte fituar me meritë vendin e tij.

Ai e pranoi sfidën dhe vazhdoi përgatitjen intensive. Privoi veten nga gjithçka që mund ta largonte nga objektivi. Çdo ditë iu kushtua stërvitjes, përgatitjes fizike dhe strategjisë së ndeshjes. E dinte se përballë kishte një emër të madh, por nuk hyri në ring për të plotësuar programin. Nuk hyri vetëm për të qëndruar disa raunde. Hyri për të luftuar dhe për të kërkuar fitoren.

Në mbrëmjen e ndeshjes pati tri momente që, sipas meje, treguan më shumë se mijëra fjalë se çfarë përfaqëson Kristian Prenga.Kur hyri në ring, bëri shenjën e kryqit.Ishte një gjest i thjeshtë, por me kuptim të madh. Në ato çaste u shfaq besimi i tij, edukata familjare dhe respekti për Zotin. Përpara forcës fizike qëndronte forca shpirtërore. Përpara grushteve qëndronte besimi. Para një sfide kaq të madhe, Kristiani tregoi se nuk kishte harruar vlerat me të cilat ishte rritur.

Më pas në arenë jehoi Himni Kombëtar Shqiptar.

Në atë moment Kristiani nuk përfaqësonte vetëm veten. Me të ishin Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Evropës, Amerikës dhe diaspora shqiptare kudo në botë.

Kur Himni Kombëtar Shqiptar dëgjohet në një arenë të tillë, ai nuk i përket vetëm sportistit që ndodhet në ring. Ai u përket të gjithë shqiptarëve. Miliona njerëz panë flamurin kuqezi. Dëgjuan himnin tonë dhe mësuan se boksieri që po përballej me Anthony Joshua-n ishte shqiptar. Shumë të rinj panë se një shqiptar, i rritur dhe i stërvitur me sakrifica, mund të arrijë në skenat më të mëdha të botës.

Momenti tjetër i rëndësishëm ishin dy nokdaunet që Kristiani i shkaktoi kundërshtarit. Dy herë një ish-kampion bote u rrëzua në tapet nga goditjet e boksierit shqiptar. Ato dy rrëzime nuk ishin rastësi. Ishin rezultat i viteve të stërvitjes, disiplinës, punës dhe përkushtimit.

Ato treguan se Kristian Prenga nuk kishte shkuar në Arabinë Saudite për të qenë thjesht pjesëmarrës. Nuk kishte hyrë në ring vetëm për të mbijetuar. Ai kishte hyrë për t’u përballur si i barabartë dhe për të fituar.

Të rrëzosh dy herë një ish-kampion bote është një arritje që nuk mund të kalojë si një hollësi e vogël e ndeshjes. Ajo tregoi forcën dhe nivelin sportiv të Kristian Prengës dhe vërtetoi se ai e kishte merituar plotësisht vendin në atë ring.

Kryqi, Himni Kombëtar dhe dy nokdaunet do të mbeten ndër pamjet më të fuqishme të asaj mbrëmjeje.Kryqi tregoi besimin e tij.Himni tregoi dashurinë për atdheun.Dy nokdaunet treguan forcën, përgatitjen dhe guximin e tij. Rezultati përfundimtar nuk ishte ai që të gjithë dëshironim, por rezultati i një ndeshjeje nuk mund të fshijë një rrugëtim të tërë. Një humbje nuk i fshin 20 fitoret. Nuk i fshin vitet e stërvitjes, investimet dhe privimet. Nuk i fshin dy nokdaunet dhe nuk e zbeh jehonën që Kristiani krijoi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Edhe sikur Kristiani ta kishte fituar ndeshjen, fitorja do të kishte qenë një moment i jashtëzakonshëm. Por jehona e disa muajve, gjatë të cilëve emri i tij dhe emri i Shqipërisë u përmendën në mediat sportive, televizionet dhe rrjetet sociale, ishte një arritje me vlerë të madhe.

Në ditët përpara ndeshjes dhe veçanërisht në ditën kur ajo u zhvillua, interesimi i shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm. Kudo flitej për Kristian Prengën. Shqiptarët kërkonin orën e ndeshjes, kanalin ku mund ta shikonin dhe çdo lajm që lidhej me përgatitjen e tij.

Në Shqipëri, Kosovë, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera, njerëzit prisnin me emocion hyrjen e Kristianit në ring.

Për disa orë u harruan dallimet politike, krahinore dhe fetare. Shqiptarët u bashkuan rreth një flamuri dhe rreth një sportisti që kishte arritur me forcat e veta në një nga skenat më të mëdha të boksit botëror.

Kristian Prenga e ngriti në këmbë botën shqiptare.

Kjo jehonë nuk matet vetëm me rezultatin e një nate. Ajo matet me emocionin, bashkimin dhe krenarinë që ai u dha shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në këtë rrugëtim një rol shumë të rëndësishëm kanë pasur familja, trajnerët, stafi, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur Kristianin. Asnjë sportist, sado i talentuar dhe punëtor të jetë, nuk arrin në majë krejtësisht i vetëm.

Pas çdo minute në ring qëndrojnë qindra orë pune në palestër. Qëndrojnë trajnerët që kanë ndërtuar përgatitjen fizike dhe teknike, njerëzit që kanë punuar për strategjinë, ushqimin, peshën, shëndetin dhe rikuperimin e tij.

Një mirënjohje e veçantë u takon të gjithë shqiptarëve që e kanë mbështetur Kristian Prengën gjatë karrierës së tij. Mbështetja e tyre morale, prania në ndeshje, flamujt, mesazhet dhe përkrahja publike i kanë dhënë atij forcë për të vazhduar.

Mirënjohje meritojnë veçanërisht sponsorët dhe bizneset shqiptare nga Michigani dhe nga pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë besuar në aftësitë e Kristianit dhe e kanë ndihmuar në rrugëtimin e tij.

Sponsorët nuk kanë ndihmuar vetëm një boksier. Ata kanë mbështetur një sportist që mbante flamurin shqiptar dhe që po e çonte emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kontributi i tyre i ka dhënë mundësi Kristianit të stërvitej, të udhëtonte, të përgatitej dhe të përballonte shpenzimet e mëdha të sportit profesionist.

Një falënderim i veçantë i takon Prendi Il Caffè, me pronar Visi Prendi, për mbështetjen dhe besimin e treguar ndaj Kristian Prengës. Visi Prendi dhe biznesi i tij janë bërë pjesë e atij grupi shqiptarësh që nuk mjaftohen vetëm me fjalë, por ndihmojnë konkretisht sportistët dhe talentet shqiptare. Një mirënjohje e veçantë i takon gjithashtu biznesmenit Gerti Lumani, i cili ka qenë ndër mbështetësit e Kristianit dhe që, përveç kontributit të tij, i mundësoi ALBTVUSA-s pamje të drejtpërdrejta nga Arabia Saudite.

Falë kësaj ndihme, ALBTVUSA mundi t’u sillte shikuesve shqiptarë momente dhe pamje të drejtpërdrejta nga atmosfera e ndeshjes, duke i afruar shqiptarët në Amerikë dhe në mbarë botën me ngjarjen e madhe sportive. Ky ishte një kontribut me vlerë, jo vetëm për televizionin tonë, por edhe për mijëra shikues që dëshironin të shikonin nga afër atmosferën, flamujt shqiptarë dhe mbështetjen për Kristianin në Arabinë Saudite.

Prendi Il Caffè, Visi Prendi dhe Gerti Lumani meritojnë respekt për kontributin e tyre. Ata treguan se bizneset shqiptare mund dhe duhet të jenë pranë sportistëve, artistëve dhe talenteve tona, jo vetëm pasi arrijnë suksesin, por gjatë gjithë rrugëtimit të tyre.

Natyrisht, mirënjohja shkon për të gjithë sponsorët, biznesmenët, kompanitë, miqtë dhe individët që kanë ndihmuar Kristianin. Çdo kontribut, i madh apo i vogël, ka pasur rëndësi. Mbështetja më e vlefshme është ajo që jepet në kohën kur sportisti përgatitet, punon dhe sakrifikon, pa e ditur ende se cili do të jetë rezultati përfundimtar.

Po aq mirënjohje meritojnë shqiptarët që udhëtuan deri në Arabinë Saudite për të qenë pranë Kristian Prengës. Ata përshkuan mijëra kilometra, shpenzuan kohë dhe para, lanë punën dhe familjet dhe shkuan në arenë me flamujt kuqezi. Udhëtuan që Kristian Prenga të mos ndihej vetëm dhe që Shqipëria të kishte praninë e saj në tribunat e asaj ndeshjeje.

Kur Kristiani shikonte flamujt shqiptarë dhe dëgjonte zërat e bashkatdhetarëve, e dinte se pas tij qëndronte një popull. Ata nuk ishin vetëm spektatorë. Ishin pjesë e atmosferës, e emocionit dhe e historisë së asaj mbrëmjeje. Prania e tyre tregoi edhe një herë se, kur një shqiptar arrin në një skenë të madhe dhe përfaqëson kombin me dinjitet, shqiptarët dinë të bashkohen dhe ta mbështesin.

Respekt dhe mirënjohje meritojnë gjithashtu të gjithë shqiptarët që e ndoqën ndeshjen nga Shqipëria, Kosova, Evropa, Amerika dhe nga çdo vend tjetër i botës. Ata e përjetuan ndeshjen me emocione dhe shpresë, duke e mbështetur Kristianin nga larg.

Atë natë, pavarësisht distancës, zemrat e shqiptarëve rrihnin në të njëjtin ritëm.

Rrugëtimi i Kristian Prengës duhet të shërbejë edhe si një thirrje për shtetin dhe institucionet shqiptare. Sportistët nuk duhet të kujtohen vetëm kur arrijnë në majë. Nuk mjafton që pas suksesit të dërgohen urime, të bëhen deklarata apo fotografi. Mbështetja duhet të fillojë shumë më herët, në vitet kur sportisti stërvitet larg kamerave, kur ka nevojë për trajnerë, financime, udhëtime dhe mundësi për të konkurruar.

Kristiani arriti vetë atje ku institucionet shqiptare duhej ta kishin ndihmuar të arrinte. Për vite me radhë u stërvit, investoi dhe vazhdoi pa u dorëzuar. E ngriti emrin e Shqipërisë në një ring botëror pa pasur pas vetes organizimin dhe investimet që sportistët e vendeve të tjera i kanë si pjesë të sistemit të tyre.

Ai nuk kishte nevojë për tituj të mëdhenj dhe as për emërtime zyrtare. Kristian Prenga ishte një shqiptar që, me punën, rezultatet dhe dinjitetin e tij, e përfaqësoi kombin denjësisht.

Ai e bëri Shqipërinë të dëgjohej jo me fjalime, por me punë, sakrificë dhe prani në arenën botërore.

Nëpër botë ka edhe shqiptarë të tjerë që përpiqen të arrijnë në sporte të ndryshme pa mbështetjen e duhur institucionale. Shpesh ata rriten si “jetimë sportivë”, të mbështetur vetëm nga familjet, miqtë dhe sponsorët privatë.

Për këta sportistë dhe për brezat që do të vijnë, Kristian Prenga do të mbetet një shembull. Historia e tij tregon se suksesi nuk vjen brenda natës. Ai ndërtohet me vite pune, disipline, durimi dhe sakrifice.

Ai u tregon të rinjve se duhet të punojnë edhe kur askush nuk i sheh, të vazhdojnë edhe kur ndihen të lodhur dhe të mos dorëzohen kur mbështetja mungon.

U tregon se dashuria për vendin nuk dëshmohet vetëm me fjalë, por edhe me mënyrën se si e përfaqëson atë në botë.

Prandaj, pas kësaj ndeshjeje, më shumë se te rezultati duhet të ndalemi te rrugëtimi dhe arritja. Kristian Prenga hyri në ring duke bërë kryqin. Në arenë jehoi Himni Kombëtar Shqiptar. Ai rrëzoi dy herë një ish-kampion bote. Mbi shpatulla mbajti flamurin kuqezi dhe bëri që për muaj të tërë emri i Shqipërisë të përmendej në botën e boksit.

Për këtë rrugëtim, për këtë përfaqësim dhe për emocionin që u dha shqiptarëve, Kristian Prenga meriton respektin dhe mirënjohjen tonë.

Mirënjohje meritojnë familja dhe stafi i tij, të gjithë sponsorët dhe shqiptarët që e mbështetën, veçanërisht Prendi Il Caffè me pronar Visi Prendi dhe biznesmeni Gerti Lumani, i cili na mundësoi pamje të drejtpërdrejta nga Arabia Saudite për ALBTVUSA.

Mirënjohje meritojnë shqiptarët që udhëtuan deri në Arabinë Saudite dhe të gjithë ata që e ndoqën dhe e mbështetën nga çdo cep i botës.

Një rezultat nuk i fshin 20 fitoret.Nuk i fshin vitet e sakrificës.Nuk i fshin dy nokdaunet.Nuk e fshin Himnin Kombëtar.Nuk e fshin flamurin kuqezi. Dhe, mbi të gjitha, nuk e zbeh jehonën dhe krenarinë që Kristian Prenga u dha shqiptarëve. Kristian Prenga mbetet shqiptari që, me punë, sakrificë dhe dinjitet, bëri që emri i Shqipërisë të jehonte në botë dhe ngriti në këmbë botën shqiptare.

Filed Under: Sport

HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE

May 5, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

SKENDER JARECI (5 MAJ 1931 – 9 mars 1984)

“Skilja” do të mbushte 95 vjeç…

Skënder Jareci është një nga figurat më të rëndësishme të futbollit shqiptar, një bomber i lindur dhe më pas një strateg i madh, që la gjurmë si lojtar dhe si trajner. Ai mbetet një ikonë e Dinamos dhe e futbollit kombëtar, duke u kujtuar si njeri që e ktheu lojën në art dhe trashëgimi.

Lindur më 5 maj 1931 në Durrës, Jareci nisi futbollin te Ylli i Kuq dhe më pas u bë sulmues i Dinamos se Tiranes.

Nga viti 1950-1963 me Dinamon fitoi 7 kampionate:(1950, 1951, 1952, 1953, 1955, 1956, 1960), 6 Kupa te Republikes: (1950, 1951, 1952, 1953, 1954, 1960), mbi 40 ndeshje ndërkombëtare, tri herë shënuesi më i mirë (1952, 1957, 1958), protagonist i padiskutueshëm i Dinamos, madje ndër më kryesorët e saj ne nje ekip yjesh te perbere nga: Qemal Vogli, Hamdi Bakalli, Pal Mirashi, Qamil Teliti, Bule Vathi, Besim Borici, Bahri Kavaja, Taq Murati, Koci Sherko, Sabri Peqini, Xhevdet Shaqiri, Bet Vila, Lefter Thermija, Stavri Lubonja… nen drejtimin e Zihni Gjinalit (i pari) dhe Ludovik Jakoves.

Shënoi 122 gola në kampionatet kombetare, duke u renditur ndër golashënuesit më të mëdhenj të historisë së Superligës shqiptare.

Me kombëtaren, luajti 8 ndeshje dhe shënoi 1 gol, duke përfaqësuar Shqipërinë në vitet e pasluftës.

Debutoi me perfaqesuesen shqiptare me 6 nentor 1951 ne Varshave kunder Polonise (1-2).

Golin e vetem me perfasuesen e shenoi ne ndeshjen kunder Cekosllovakise me 29 nentor 1952 , duke kontribuar ne fitoren e ekipit tone 3-2.

Ndeshjen e fundit (#8) e luajti kunder RDGJ (1-1) me 1 maj 1958.

Ishte një sulmues i fuqishëm instinktiv dhe polivalent, me aftësi për të gjetur golin në çdo situate dhe me cdo “mjet”: koke, roveshjate apo me te dyja kembet.

Përshkruhej si lojtar që kombinonte forcën fizike me inteligjencën taktike, duke e bërë një lider në fushë.

Pastaj karriera si trajner…

Një strateg në drejtimin e ekipit, me skemat e përdorura ai gërshetoi elementin e ri me atë me përvojë, duke futur metoda të reja në stërvitje dhe perfeksionoi sistemin e stilin e lojës. Traineri me modern qe ka patur futbolli shqiptar.

Drejtoi Vllazninë, Dinamon dhe Lokomotiven e Durresit, duke formuar breza lojtarësh të rinj dhe duke lënë trashëgimi te emra si Faruk Sejdini, Ilir Pernaska…

Ishte i njohur për ditarin e tij sportiv, ku mbante shënime të hollësishme mbi taktikat, skemat dhe zhvillimin e futbollit shqiptar – një dokument unik që dëshmon për pasionin e tij.

Ai është trajneri që ideoi dhe krijoi Dinamon e famshme, atë të viteve ’70, bazuar në lojën akademike tipike dinamovite duke krijuar dhe kthyer në traditë shumëvjeçare atë stil.

Pati meritën të alternonte brezin e vjetër me atë të ri duke afruar e seleksionuar talente, lojtarë shumë cilësorë. Nga Çutra, Sejdini, Përnaska, Zëri, Gjoni, Ahmedani, Ibërshimi deri te Ballgjini. Një skuadër që mund të cilësohet nga më të mirat e gjithë kohërave me lojë të bukur, spektakël, gola, kombinim i aftësive individuale me lojën kolektive, klasike të Dinamos “jareciane”.

Iliaz Ceco, Fred Gjinali, Lorenc Vorfi, Thoma Duro, Taip Çutra, Çlirim Hysi, Medin Zhega, Shpetim Hoxha, Ilir Pernaska, Shyqyri Ballgjini, Vasillaq Zeri, Faruk Sejdini, Gani Xhafa, Koco Dinella, Jani Rama, Ahmet Ahmedani, Ilir Luarasin, Rifat Ibershimi, Enver Hafizi, Kujtim Cocoli, Haxhi Mergjyshi, Ibrahim Kodra, Torez Çiraku, Andrea Marko, Muhedin Targaj… luajten “muziken” e mrekullueshme te Mozartit shqiptar te futbollit, te paharruarit Skender Jareci.

Jareci u nda nga jeta më 9 mars 1984, por kujtohet si një strateg i Dinamos së madhe dhe një figurë që e shndërroi futbollin në një projekt kulturor e kombëtar.

Ai mbetet një ikonë e pasionit sportiv shqiptar, një njeri që e pa futbollin jo vetëm si lojë, por si art dhe si mision për të bashkuar njerëzit.

Skënder Jareci ishte një simfoni e futbollit shqiptar: një djalosh nga Durrësi me origjine nga Dibra e Madhe, që u bë mbret i golave blu, e më pas një dirigjent i skemave taktike.

Në fushë ishte zjarr, në pankinë ishte mendje e kthjellët, ndërsa në ditarët e tij ishte një poet i lojës. Ai mbetet një figurë që e ktheu futbollin në trashëgimi kulturore, duke lënë pas një kujtim të gjallë për brezat e rinj.

Dinamo qe projektoi Jareci ishte nje veper “arti”, nje skuader “artistesh”… Skender Jareci ishte Herbert Von Karajani i kesaj skuadre…

Inteligjenca e Skënder Jarecit si trajner qëndronte në aftësinë e tij për të lexuar lojën, për të kombinuar brezin e vjetër me talentet e reja dhe për të krijuar një stil të veçantë akademik që u bë traditë e Dinamos.

Ai nuk ishte thjesht një menaxher i skuadrës, por një arkitekt i lojës, që e ndërtonte futbollin si te ishte projekt kulturor. Në këtë sens, nuk e teproj kur e krahasoj me trajnerët e mëdhenj botërorë.

Jareci projektoi një Dinamo që luante futboll të bukur, spektakolar dhe të organizuar. Si Herbert Chapman në Angli apo Valeriy Lobanovskyi në Ukrainë, ai ishte vizionar që e pa futbollin si shkencë dhe art njëkohësisht.

Nje qytetar dinjitoz qe respektohej kudo… Ne cdo qytet te Shqiperise dhe vecanerisht ne Shkoder…

Kur respektohesh ne Shkoder, meritokracia eshte plotesisht e merituar…

Mban titujt “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”.

Tituj qe nuk mjaftojne për vlerësimin e kësaj figure te madhe te sportit shqiptar.

Megjithëse biografia e Skënder Jarecit ishte e mbuluar nga hije të rënda – babai i tij humbi jetën nën torturat e hetuesisë komuniste – talenti i tij i jashtëzakonshëm e bëri të mbijetonte dhe të ngrihej mbi fatin e dhimbshëm personal.

Me inteligjencën e lojës, karakterin e fortë dhe ndershmërinë sportive, ai u shndërrua në kapiten legjendar të skuadrës së Ministrisë së Brendshme, Dinamos, duke e udhëhequr me autoritet dhe karizmë.

Jareci ishte shembull i njeriut që, pavarësisht plagëve të jetës, e ktheu dhimbjen në forcë dhe futbollin në art.

Ai mbeti jo vetëm një sportist i madh, por edhe një simbol i rezistencës së talentit përballë diktaturës, duke dëshmuar se pasioni dhe inteligjenca mund të triumfojnë mbi çdo pengesë.

Ishte talenti i tij i magjishëm që si rrallëkush hipnotizoi diktaturën…

Filed Under: Sport

Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll

April 14, 2026 by s p

Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll.

Filed Under: Sport

Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni

March 27, 2026 by s p

Sokol Paja/

Kosova zhgarraviti Sllovakinë. Shqipëria bie në Warshavë. Kosova për herë të parë në histori ka shans të artë të kualifikohet në botërorin e futbollit. Me një dominim absolut, Kosova u paraqit në Sllovaki me një skuadër të ndërtuar: digë në mbrojtje, mesfushë e ngjeshur e sulm vrastar. Plot 4 gola njëri më i bukur se tjetri shënoi Kosova në Sllovaki duke dominuar një ndeshje të vështirë përballë një kundërshtari shumë më të fortë në letër. Hoxha, Asllani, Muslija e Hajrizi dërguan Kosovën në ndeshjen finale të Play-Off kundër Turqisë më 31 mars në “Fadil Vokrri”. Kosova është shumë afër kualifikimit për në Kupën e Botës teksa luan me Turqinë që nuk ka diferenca të mëdha në cilësi me ekipin dardan. Kosova luan si ekip i madh. Ka klas, elegancë e shumë cilësi në çdo repart. Edhe pse mungoi kapiteni Rrahmani e truri i ekipit Avdullahu, yjet e Dardanisë nuk i ndjenë mungesat. Lidhja e reparteve, rreshtimi i duhur, sakrifica në dublimin e pozicioneve asfiksuan yjet e Sllovakisë.

Arbër Hoxha krijoi iluzionin se Shqipëria do të fitonte në Poloni por Levandovski e Zielinski “vranë” ëndrrën e Shqipërisë për të vazhduar më tej. Bajrami dhe Pilo humbën raste të pastra shënimi që do kishin prodhuar tjetër rezultat e histori. Në pjesën e parë Shqipëria zhvilloi një lojë inteligjente dhe të kujdesshme duke e pritur kundërshtarin dhe sulmuar befasishëm. Në pjesën e dytë ekipi u “fik” dhe lëshoi terren ndaj polakëve. Lojtarë me pak minuta në këmbë në ekipet e tyre, ndërrime të vonuara dhe mungesa e fatit e konkretizimit të rasteve dërguan kuq e zinjtë në shtëpi. Shqipëria duhej të bënte më shumë përballë një Polonie të plakuar, pa ide dhe të pa organizuar. Nga ana tjetër Kosova gëzoi dhe krenoi kombin tonë duke treguar shpirt luftarak, zemër të fortë, garë të bukur e vlera të larta sportive.

Filed Under: Sport

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 118
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924
  • SHTETI NËN THUNDRËN E KRIMIT
  • MENDIME TË FILOZOFIT ISUF LUZAJ
  • “When the Memories Gain Color” – Tre artistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut çelin ekspozitë në New York
  • Shqiptarët e Amerikës protestuan para selisë së OKB në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi çlirimtarët e luftëtarët e lirisë. Fotoreportazh: Ervin Toro
  • Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Asamblenë e OKB-së: Amerika në qendër të vëmendjes botërore – Fotoreportazh: Dritan Haxhia
  • HAGUE: THE CALVARY OF KOSOVO
  • FJALIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT
  • Çfarë po fshihet pas procesit gjyqësor, juridik e politik në Hagë?
  • Sistemin që perfeksionoi, personalizoi e nënkontraktoi…
  • Humbja e territorit politik dhe etnik të shqiptarëve gjatë shekujve XIX dhe XX

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT