• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!

November 3, 2026 by s p

Nga solidarizimi me diktaturën e djeshme komuniste te reaagimi simbolik ose heshtja përballë padrejtësive të sotme.

Nga Frank Shkreli/

Ekziston një paradoks i dhimbshëm në historinë politike shqiptare, të cilin duket se bota shqiptare ende nuk ka guximin ta analizojë deri në fund. Shqiptarët shpesh janë solidarizuar me pushtetin, edhe kur ai pushtet ka qenë në kundërshtim të hapur me lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e bashkëkombësve të tyre, të sanksionuara dhe nga konventat ndërkombëtare.  Kjo nuk është dukuri e re.  Gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, ndërsa mijëra shqiptarë burgoseshin, pushkatoheshin, internoheshin dhe persekutoheshin për bindjet e tyre politike, fetare apo intelektuale, një pjesë e shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, vazhdonte të solidarizohej me regjimin diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Propaganda komuniste, bindjet ideologjike, interesat politike dhe mungesa e informacionit, gjatë dekadave, luajtën rolin e tyre.  Madje, për një kohë të gjatë, edhe një pjesë e diasporës shqiptare e shihte regjimin e Tiranës përmes syzeve të propagandës komuniste, ndërsa zërat e kundërshtarëve të diktaturës shpesh mbeteshin të izoluar dhe të pambështetur.

Historia duhet të shërbejë si mësim, jo si dekor për përvjetorë.  A po përsërisin shqiptarët të njëjtin gabim?  Sot, pas më shumë se tri dekadash “pluralizëm politik”, përballemi me një pyetje të ngjashme. Kur studentët dhe qytetarët shqiptarë protestojnë për të drejtat e tyre, kur ata kërkojnë llogari nga pushteti dhe kur përballen me trajtime që ngrenë shqetësime për respektimin e lirive demokratike, ku është solidariteti i shqiptarëve, kudo që jetojnë, në trojet shqiptare dhe në mërgim?  Le të bëjmë një krahasim: nëse një regjim serb, malazez, grek apo ndonjë regjim tjetër i huaj do të sillej me protestuesit shqiptarë në të njëjtën mënyrë, siç po sillen disa elementë të policisë shqiptare me protestuesit, a do të qëndronin shqiptarët – kudo që gjënden — indiferentë?  Vështirë të besohet! Në diasporën shqiptare në Amerikë e Evropë, do të organizoheshin protesta, demonstratata, lobime, do të bëheshin deklarata dhe do të kërkohej ndërhyrja e institucioneve ndërkombëtare.  Por kur problemet ndodhin brenda shoqërive tona e kur përgjegjësia bie mbi qeveritë shqiptare, solidariteti shpesh zbehet. Dhe çka është edhe më keq, ndahet sipas bindjeve partiake e politike ose zëvendësohet nga heshtja e plotë. Pse ndoshsë kjo? 

Patriotizmi nuk mund të jetë në shërbim të pushtetit.  Këtu qëndron, poblemi themelor: një pjesë e shqiptarëve dhe orgnaizatave të tyre, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare por sidomos në mërgim, ku gëzojnë të gjitha të drejtat e njeriut, duket se e kanë më të lehtë të identifikohen me pushtetin, cilido qoftë ai, sesa me qytetarin që kërkon të drejtat e veta themelore të njeriut, nga i njëjti pushtet.

Kjo ishte një nga tragjeditë e periudhës komuniste. Dhe nuk duhet të lejojmë që, në rrethana të tjera historike dhe politike, të përsëritet e njëjta logjikë shumë e gabuar.  Nuk mund të jesh kundër shtypjes së shqiptarëve nga regjimet e huaja dhe të heshtësh kur të drejtat e tyre cenohen brutalisht nga qeveritë shqiptare.  Nuk mund të kërkosh drejtësi për bashkëkombësit në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut apo Greqi, ndërsa nuk tregon të njëjtën ndjeshmëri për studentët dhe qytetarët në Shqipëri.  Nuk mund të mbrosh viktimat e diktaturës së djeshme dhe të relativizosh padrejtësitë e sotme vetëm sepse pushteti ushtron padrejtsitë e një partie të cilën ti ose organizata jote simpatizon.  Të drejtat e shqiptarëve nuk mund të varen nga emri, flamuri apo përkatësia partiake e atij që qeveris. Sidomos, diaspora duhet të ruajë ndërgjegjen e saj historike morale dhe atdhetare.  Diaspora anti-komuniste shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht, ka një histori të gjatë angazhimi për çështjen kombëtare. Ajo ka qenë në front të luftës kundër komunizmit gjatë luftës së ftoftë, ka mbështetur fuqimisht, Kosovën në luftë e në paqë dhe ka denoncuar shtypjen dhe ka kërkuar lirinë e shqiptarëve, kudo dhe gjithmonë.

Por kjo trashëgimi angazhimi politik nuk duhet të shndërrohet vetëm, në një kujtim të së kaluarës. Diaspora nuk mund të jetë e zëshme vetëm atëherë kur bëhet fjalë për çështje kombëtare jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa të jetë indiferente ndaj zhvillimeve demokratike në vendin amë. Nuk them se solidariteti është detyrim për të mbështetur çdo protestë, çdo slogan apo çdo kërkesë politike. Solidariteti është, para së gjithash, detyrim për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar, për të kritikuar dhe për të kërkuar llogari pa frikë nga dhuna apo ndëshkimi i pushtetit, qoftë në Tiranë apo në Prishtinë.  Mësimet e historisë nuk duhen harruar. Shqiptarët kanë vuajtur shumë nga regjimet shtypëse, nga diktatura komuniste dhe nga padrejtësitë e regjimeve të huaja. Pikërisht për këtë arsye, shqipptarët,duhet të jenë ndër të parët që reagojnë kur liria dhe dinjiteti i qytetarit shqiptarë, vihen në pikëpyetje kudo qoftë, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.  Në realitetin e sotëm politiko-ushtarak në Evropë mund të kemi një standard ndaj trajtimit të shqiptarëve në trojet e veta në Ballkanin Perendimor nga regjimet e huaja dhe një tjetër standard për trajtmin e shqiptarëve vendas nga regjimet shqiptare në Tiranë ose Prishtinë.  Por si një mbrojtës i viktimave të komunizmit në Shqipëri, gjatë dekadave, unë nuk mund të deklarohem që të kujtojmë viktimat e komunizmit dhe në të njëjtën kohë të hedhim në harresë selektive viktimat e padrejtësive të sotme ndaj studentve dhe qytetarve protestsues në Tiranë dhe anë e mbanë Shqipërisë. Dhe, mbi të gjitha, nuk mund ta quajmë veten komb të bashkuar nëse solidaritetin për njëri tjetrin e kushtëzojmë me interesat politike e partiake të pushtetit në fuqi, cilido qoftë ai.  “Motra jena, shoqe s’jena!”  Pra, a jemi solidarë kur njëri prej nesh kërkon, me të drejtë, liri dhe drejtësi?  Kjo është pyetja që shqiptarët kudo, duhet t’ia bëjnë vetes, jo vetëm sot, në kohën e protestave studentore, por edhe duke parë pas në historinë e vet. Sepse një komb dhe solidariteti i tij në mbrojtje të drejtave të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim, nuk dëshmohet vetëm nga mënyra se si një komb kundërshton armiqtë e jashtëm të shqiptarëve. Dëshmohet gjithashtu edhe nga guximi për të mos mbrojtur padrejtësitë ndaj bashkvendasve kur ajo kryhet nga të vetët.

Diktatura e djeshme komuniste duhet të na kishte mësuar se solidariteti me pushtetin nuk është gjithmonë solidaritet me Kombin. Dhe demokracia e sotme duhet t’i mësojë shqiptarët se solidariteti i vërtetë duhet të fillojë me qytetarin, me lirinë dhe me të drejtën për të kundërshtuar pushtetin, duke protestuar, si shqiptarë për të drejtat e veta.Edhe Prishtina zyrtare gjithashtu nuk mund të kufizohet te komentet ceremoniale në lidhje me ngjarjet aktuale në Tiranë. Nëse Kosova e konsideron Shqipërinë nënë ose motër, atëherë solidariteti duhet të shprehet me mbështetje të fortë publike për të drejtën e protestës, me thirrje për dialog të drejtpërdrejtë e të sinqert me studentët duke refuzuar çdo përpjekje për t’i etiketuar ata si të manipuluar nga forca të huaja, apo të dhunshëm vetëm sepse kritikojnë pushtetin.

Studentët nuk po kërkojnë leksione patriotizmi nga askush. Ata kërkojnë universitete funksionale, tarifa të përballueshme, konvikte dinjitoze, transparencë në financim dhe mundësi reale punësimi. Këto nuk janë kërkesa radikale. Janë detyrime bazë të një shteti, anëtar i NATO-s, që pretendon të jetë demokratik dhe evropian. Mendoj se kjo është një tezë historike, veçanërisht, e rëndësishme që duhet të trajtohet, seriozisht, edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, ashtuqë të mos i përsërisë sot gabimiet e një pjese të diasporës së djeshme, e cila, në rrethana të caktuara, që solidarizuar me regjimin komunist të Tiranës dhe jo me viktimat e tij. Frank Shkreli: Një thirrje për diasporën shqiptaro-amerikane, Shqipëria ka nevojë për zërin tonë | Gazeta TelegrafKjo është një çështje që meriton debat të hapur dhe të ndershëm nga të gjithë, qoftë nga Prishtina zyrtare, qoftë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe meeë gjerë.

Frank Shkreli

Filed Under: Featured

Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!

November 3, 2026 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Shqipëria dhe Kosova po qëndrojnë para një dere që duhet hapur. Sot dëgjohen protesta, akuza e përplasje. Zëra të shumtë, por ende jo drejtimi që meritojmë. Megjithatë, përmes vrimës së çelësit shihet drita. Prandaj nuk ka vend për dorëzim! Protesta është e drejtë, pakënaqësia duhet dëgjuar, por zemërimi duhet të shndërrohet në përgjegjësi, kundërshtimi në ide dhe energjia qytetare në ndryshim.

Çelësi nuk është te nostalgjia për të shkuarën dhe as te ndasitë e së sotmes. Çelësi është te besimi në njëri-tjetrin, te bashkimi, te studentetë dhe te rinia jonë! Te brezi që kërkon arsim, drejtësi, meritokraci dhe punë me dinjitet. Te të rinjtë që nuk trashëgojnë armiqësi, por ndërtojnë ura, që nuk presin t’u hapet rruga, por e krijojnë vetë të ardhmen.

Rinia nuk është vetëm e ardhmja. Është e sotmja! Ajo duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes dhe e përgjegjësisë për fatin tonë të përbashkët. Ne shqiptarët kemi kaluar shumë sprova historike. Sot nuk na duhet të jemi më të fortë se të tjerët, por të kemi guximin të jemi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës: me dinjitet, dije, drejtësi, mirëqenie dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.

Shqipëria dhe Kosova, duke respektuar veçantinë dhe përgjegjësitë e tyre, duhet ta ndërtojnë të ardhmen mbi bashkëpunimin, respektin dhe interesin e përbashkët kombëtar.

Ta hapim derën sa më parë!

Le të depërtojnë rrezet e diellit dhe të dritës mbi trojet tona dhe mbi mbarë kombin shqiptar…

Shpresa na bashkon, besimi na jep forcë dhe guximi na çon përpara.

Vetëm duke besuar te njëri-tjetri dhe duke qëndruar të bashkuar do të dalim faqebardhë përballë historisë dhe brezave që vijnë!

Çelësi është në duart tona.

Drita na pret.

Le ta hapim së bashku derën e së ardhmes!

Filed Under: Fejton

BALTA QË DUHET TA DUAM

November 3, 2026 by s p

– Një syhedhje librit “Balta që (s)duam” të publicistit lezhjan Gjovalin Gjeloshi –

Në këtë vjeshtë të trazuar shqiptare, kur duhet të shihnim rënien e gjetheve dhe ngjyrat e bukura, jo flakët, shkatërrimin dhe urrejtjen “pa kandar” ndërshqiptare, shfletoja me kureshtje librin publicistik të Gjovalin Gjeloshit. Është një libër me dedikim privat nga autori, me fjalë të thjeshta: “Mikut tim të parë të gazetarisë”. Dhe kujtoj: askush nuk trokiti në atë redaksi të vogël si Gjovalin Gjeloshi: i sjellshëm, i urtë (vetëm unë e Boriçi e dimë se ç’hoqëm më vonë, prej shkrimeve të tij) e plot respekt më tha: “Dua të shkruaj”. Dhe rrëmbeu çelësat e botimit vetëm me talentin e vet publicistik. Koha i dha të drejtë në “unin” gjeloshjan…

Ky libër, si një ndër kulmet e publicistikës së Gjeloshit, “nusëron” në bibliotekën time në Minneapolis. Në fakt, disa herë e kam shfletuar për të mësuar të rejat e autorit që e njoh aq mirë, por shpesh telefonatat e punët e papritura më ndërprisnin. Këtë vjeshtë thashë: Ta lexoj Gjeloshin (Gjelin e dashur, siç e kam quajtur edhe kur jemi “kacafytur”). M’u drodhën duart ndërsa lexoja titujt aq të gjetur qysh në fillesat e shkrimeve të tij, si “Kullotje me shkop dhe jo “shkopin kullotave”, duke marrë në mbrojtje kullotat malore, të cilat dëmtoheshin pa kriter; “Pa çati, por ka themele”, për bujqësinë tonë e cila vërtetë, pavarësisht politikës, lodhjeve e sakrificave të atyre që merreshin me të, pati arritje të cilat sot nuk po i arrijmë më; “Më hidh në baltë se të nxjerr në dritë”, duke përdorur një shprehje popullore për kohën dhe mënyrën e mbjelljes së grurit; “Bujqësia shqiptare mes lëngesës dhe harrimit”, ku kritikohen me të drejtë qeveritë shqiptare qysh nga viti 1991 e këndej, të cilat nuk e vënë ujin në zjarr për të bërë prioritet bujqësinë; “Kujt i dhimbsen më shumë lisat: fshatarit apo rojtarit”, shkrim ky në fillimvitin 1991, ku jep idenë e privatizimit të pasurisë pyjore, e cila kishte pësuar dëmtime të pallogaritshme në fund të viteve 1980; “Lumi i vdekur i Lezhës”, dukë vënë alarmin se lumi Drin që kalon nëpër Lezhë, ka vdekur dhe tashmë është vetëm një kanal që mbledh ca mbeturina e ujrat e tepërta të reshjeve në dimër; apo “Shqipëria, “Delja e zezë’”, edhe në privatizimin e tokës bujësore”, duke kritikuar me forcë ligjin e ngatërruar 7501, duke vënë theksin se “Kushtetuta e RPSSH e vitit 1976, megjithëse ishte komuniste, e mbron më shumë të drejtën e pronës, kur shprehet se “toka jepet në përdorim pa shpërblim”, se sa dekreti presidencial, nr. 1431, mars 1996, kur thotë se “toka jepet në pronësi pa shpërblim”; e plot tituj të tjerë, që vetëm Gjovo “i peshkon” aq gozhdueshëm.

“Një libër i mrekullueshëm i së vërtetës publicistike”, thashë me vete ndjeva gëzim. Gjeloshi ngeli te dashuria e parë: gazetaria. Ai nuk bëri asnjë tradhti ndaj asaj që quhet “puthja emocionale” e botimit, që e realizoi te gazeta e vockël, por serioze ato kohë: “Studenti i Bujqësisë”. Me krenari e fillon librin me “Studentin e Bujqësisë” e sjell në “vitrinë” gjithë organet ku botoi (“Bashkimi”, “Koha jonë”, “Rilindja Demokratike”, “Tema” etj,) duke e mbullur me gazetën që themeloi vetë “Drini”). Shfletoj në Minneapolis publicistikën e Gjovalin Gjeloshit dhe ndihem në një “katapultë” drejt Atdheut tim, ku edhe pata fatin të njihja auorin dhe shumë talente të tjera të realitetit publicistik shqiptar. Lexoj Gjeloshin e Lezhës dhe “vij” në Shqipëri, futem në orizoret e dikurshme të Shkodrës dhe fushat pa fund me misër e “humb rrugën” në tematikën therëse që trajton libri. Më tmerron fakti se nuk mund të kthehem në Minneapolis, ku jeta ime ka marrë “kthesë perëndimore”.

Unë nuk mund të tejkaloj dot publicistin me përvojë mbi gjysëmshekullore, Bashkim Koçi. Në parathënien e këtij libri ai na nxjerr “lakuriq” talentin e lindur publicistik të Gjovalin Gjeloshit, siç e ka cilësuar Prof. Boriçi, në të cilin, pa fshehur modestinë, “kam meritë edhe unë”. Por kjo nuk mjafton. Kjo është thjesht për të përkëdhelur egon time që po “kacavirret” drejt të 70-ve. Por duke qenë në midis Shqipërisë dhe Amerikës, midis “Moshës së Boriçit” dhe “Viteve të mia”, ndihem i çlodhur duke lexuar Gjovalin Gjeloshin. Libri “Balta që (s’)duam” është një “Piramidë mendimi” ndërtuar me fjalën e Gjeloshit në Lezhën legjendë. Ai që në fillim përulet ndaj mësuesit të madh të gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, kur shkruan në përkushtimin e librit: “Mësuesit tim të gazetarisë, Prof. Dr. Hamit Boriçi, në 40-vjetorin e miqësisë sonë”. Kjo më ngazëllon. Prof.Boriçi është edhe për mua Vlerë e Ҁmuar e Gazetarisë Shqiptare e meriton çdo nderim edhe “kumbari” i parë i Gjeloshit ka emrin tim. Ishte fati im rastësor “të krehja” shkrimet e para të tij.

Ishte kjo “krehje redaktoriale” nga ku do kalonin edhe gazetari Martin Lekaj, apo fabulisti po nga Lezha, Edmond Kaçeli si dhe poeti e romancieri modern i sprovuar Marash Mirashi, etj. Është folur shpesh në shtypin letrar për një “shkollë poetike” të Lezhës, por unë do të shtojë me krenari, se ekziston edhe një “shkollë gazetarie”, po në Lezhë dhe autorin për të cilin po shkruaj, do ta emëroja “dekanin”e saj.

Ndërsa unë zhytesha në “dallgët publicistike” të Gjovalin Gjeloshit, një telefonatë nga Çikago më befasoi. Ishte Emin Kukli, agronomi, fotograf i gazetës që na rriti dhe “moshoi”. “Keko, – më tha Kukli.- Jam në Çikago…” Më erdhën në mendje të gjitha aventurat tona në një gazetë rinore siç ishte “Studenti i Bujqësisë”. Isha gati të vrapoja drejt Çikagos, por “Balta që (s’)duam” nuk më la. “Herën tjetër”, i thashë Emin Kuklit tiransit fjalë-ëmbël. Unë shfletoja librin publicistik si një “letër që nuk m’u dërgua”. Në fakt, ashtu është. Gjeloshi nuk më dërgoi kurrë letër në Amerikë. Ai thjesht më harroi, siç ndodh harresa për shumë e shumë të tjerë. Ai kurrë nuk bëri telefonatën si ajo e Emin Kuklit, megjithëse shkeli disa herë tokën e Amerikës, duke e bërë këtë vend të madh, si Atdhe të dytë. Ai… Ai është Gjovalin Gjeloshi, por këtu flasim për librin. Është libri që mbetet, jo “qejfmbetjet” tona që janë të pashmangshme.

“Balta që (s’)duam” nuk është thjesht një publicistikë bujqësore. Ky libër është një “Lahutë Malësie” e dashurisë për punën dhe tokën që na mban gjallë. Gjovalin Gjeloshi me këtë libër dëshmon se është një “asqer” i tokës dhe punës mbi të. Ai nuk ndihet i përbuzur të flasë për fshatarin që punon tokën, që lodhet dhe “fle mbi parmendë”, ai nuk ngurron të kritikojë “tangërllëkun” qeveritar ndaj bujqësisë dhe fermerit dhe me të gjitha shkrimet mbetet një “pishtar” fjale për “baltën tonë”. Unë besoj se publicistika e Gjovalin Gjeloshit është një prurje e jashtëzakonshme jo vetëm në publicistikën rurale, por edhe një mburrje se nga njerëzit “e baltës” dalin filiza dhe “pemë plot kokrra”.

Argëtohem në Minneapolis, duke shfletuar librin e Gjovalin Gjeloshit “Balta që (s’)duam”. Në 492 faqe të këtij libri thuhen të gjitha “lëngimet” e bujqësisë shqiptare. Në gati 125 artikuj të përzgjedhur, autori ngre probleme madhore të bujqësisë, pyjeve, natyrës, jetës së fshatit dhe me dhimbjen e një gazetari që e do fjalën si “shpatë” progresi, nuk kursen asgjë. Me një gjuhë që di ta përdorë vetëm Gjeloshi, me lakonizëm publicistik që ai mjeshtërisht e shkruan, me një tematikë shteruese të përfshirë në këtë libër, publicistika e Gjovalin Gjeloshit shënon një kulm të lartë të botimeve rurale të deritanishme në Shqipëri. Ndërkohë, me pasionin e madh të të shkruarit, Gjovalin Gjeloshi synon dhe arrin të jetë një “Gjergj Fishtë” i publicistikës rurale shqiptare. Ai nuk harron asgjë në meditimet e veta intelektuale dhe i trajton thellësisht të gjitha temat e nxehta të bujqësisë shqiptare, kur kritikonte piramidën e Ministrisë së Bujqësisë përpara vitit 1990, por edhe “kur shan shefat” e qeverive qysh nga rënia e sistemit “Lavdi PPSH!”.

Lexon shpirtin e trazuar të publicistit të lindur Gjeloshi dhe përfytyron se çdo ditë, madje tri herë në ditë, Kryeministri, ministrat, deputetët, këshilltarët, gjykatësit, prokurorët, kryebashkiakët, opozita, të gjithë, tri herë në ditë “mbllaçitin” punën e bujkut shqiptar: ulen në tavolinë të ushqehen. Nuk ka rëndësi se si kjo energji shfrytëzohet, por një gjë është alarmante: bujku dhe bujqësia shqiptare janë të harruar edhe pse “mëkojnë” gjithë shoqërinë shqiptare. Është kjo harresë e shpërfillje shkaku kryesor i “shkretirës” në fshat, përballë së cilës kuja e dhimbëshme dërrmon shpirtin.

Gjeloshi ka meritë të madhe: ngre në kulme kritike një realitet të harruar e të braktisur, që do të kërkojë kohë të rigjallërohet. Ringritja do vijë ani se Gjeloshi ka “çelësat e kashtës”. Ai ka vetëm fjalën. Argumentin. Të vërtetën. Të gjitha këto “Gjeli” nga Lezha i sjell mrekullisht në një libër si “Balta që (s’)duam”. Vërtet e duam apo nuk e duam baltën që na rriti dhe baltën që “do të na hajë”? Gjeloshi mbetet alarmant dhe unë bashkohem me këtë “alarm publicistik”.

Ju që qeverisni, ju që protestoni, ju që krekoseni në ekrane. Lexoni Gjeloshin të kuptoni baltën dhe “baltosjen” tuaj. Ta duam baltën që na rriti. Ta duam Shqipërinë. Këtë thotë libri i Gjovalin Gjeloshit.

Unë vijoj ta shfletoj në Minneapolis dhe pëshpëris: “Gjovo mbeti ‘qibritkë publicistike’”. Dhe gëlltis një gotë verë e cila më shijon si “Kallmeti” që më gostitën 45 vjet më parë te shtëpia e Gjeloshëve në rrethinat e Lezhës.

Shefqet Meko, Minneapolis, MN, USA, 24 Tetor 2026

Filed Under: ESSE

Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar

November 3, 2026 by s p

Ettore Bonanno/

Mbi njëqind të ftuar nga Italia dhe jashtë vendit, tre bashki kryesore dhe një pjesëmarrje e gjerë e publikut. Në Karfici (Carfizzi), Shën Kolli (San Nicola dell’Alto) dhe Puheriu (Pallagorio), edicioni i dytë i festivalit të promovuar nga Fili Meridiani APS bëri bashkë komunitete, institucione, sipërmarrje dhe të rinj. Ettore Bonanno sjell përsëri sfidën e një ekosistemi të Arbërisë midis bashkëpunimit ndërkombëtar dhe teknologjive të reja. Tri ditë takimesh, përvojash kulturore, muzike dhe traditash, me mbi njëqind të ftuar nga Italia dhe jashtë vendit. Edicioni i dytë i Arbëria Digital Fest, i cili nga data 23 deri më 25 tetor 2026 përfshiu Karficin, Shën Kollin dhe Puheriun në një projekt të përbashkët për vlerësimin e identitetit arbëresh, u përmbyll me një pjesëmarrje të madhe. I promovuar nga Fili Meridiani APS, festivali bëri bashkë përfaqësues institucionalë, studiues, sipërmarrës, artistë, shoqata dhe të rinj nga Italia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Franca dhe Belgjika. Një takim që gërshetoi mbrojtjen e gjuhës dhe të traditave me turizmin e përvojës, inovacionin digjital, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e zonave të brendshme.

Të trashëgosh, Të tërheqësh, Të gjenerosh: tri fjalë që shoqëruan aktivitetin, duke shpalosur një vizion të Arbërisë jo vetëm si një trashëgimi për t’u ruajtur, por si një komunitet i aftë për të ndërtuar marrëdhënie dhe mundësi të reja. Karfici, një urë lidhëse midis Arbërisë, Shqipërisë dhe diasporës Dita e parë, e premte 23 tetor, u zhvillua në Karfici, me një debat kushtuar marrëdhënieve midis komuniteteve arbëreshe, Ballkanit dhe diasporës shqiptare. Punimet u hapën dhe u moderuan nga Ursula Basta. Pas himneve kombëtare italian dhe shqiptar si dhe notave të këngës “Lule Lule”, presidenti i Fili Meridiani, Ettore Bonanno, mirëpriti të ftuarit. Shfaqja e dokumentarit “COHA — Visioni d’Oriente in Arbëria” (‘COHA — Vizione të Lindjes në Arbëri’) prezantoi temat e identitetit, kujtesës dhe lidhjeve kulturore midis botës ballkanike. Kryetari i bashkisë Mario Amato rikujtoi rëndësinë e bashkëpunimit midis bashkive arbëreshe, ndërsa Anna Madeo, Konsulle Nderi e Republikës së Shqipërisë në Kalabri, ilustroi perspektivat dhe projektet e bashkëpunimit.

Në qendër të diskutimit ishin edhe brezat e rinj të diasporës, me Lirim Krasniqin, i cili prezantoi “OriginAL”, projektin që u mundëson të rinjve me origjinë shqiptare të rizbulojnë territoret e familjeve të tyre. Gjovani Cinari, nga Albanian Business Network, tregoi vlerën e rrjeteve midis profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptarë.

Zamira Gjeleshi, mësuese në Gjimnazin “Fiqiri Dine” të Maqellarës, solli një dëshmi domethënëse duke nënvizuar rolin e arsimit në ndërtimin e lidhjeve midis brezave të rinj. Nga gjimnazi shqiptar erdhi edhe një dhuratë simbolike për Fili Meridiani: një yll i emërtuar “Arbëria”. Një hapësirë e veçantë iu dedikua sektorit audioviziv si instrument për vlerësimin e pakicave gjuhësore, me Emanuele Galloni-n (i lidhur me projektin “Matriçë Arbëreshe”), si dhe temës së mikpritjes me Francesco Vizza-n, presidenti i Kooperativës Agape. Mbrëmja riktheu pamjen e traditës së Karficit, me serenatën karficiote, Këngëtarët Arbëreshë të Karficit dhe zërin e mësueses Mariannina Leonetti. Nuk mungoi as përshëndetja e shkrimtarit Carmine Abate, në kuadër të Parkut Letrar kushtuar atij.

Për të plotësuar përvojën, u zhvillua një degustim i xhinit arbëresh Asturi dhe i verërave arbëreshe të “Tenuta Renda”, shembuj të vlerësimit të produkteve identitare dhe të promovimit territorial. Shën Kolli, traditat shndërrohen në mundësi Të shtunën, 24 tetor, festivali vijoi në Shën Kolli, me panelin e diskutimit “Territoret që tërheqin”, kushtuar perspektivave të zonave të brendshme përmes turizmit, produkteve lokale dhe sipërmarrjes. Për të mirëpritur të ftuarit ishte grupi folklorik “Oreste Ventrice”, i vlerësuar për 70-vjetorin e aktivitetit të tij, dëshmi e një rrugëtimi të gjatë në mbrojtjen e traditave arbëreshe. Diskutimi, i moderuar nga Fabio Spadafora, u hap me ndërhyrjen në gjuhën arbëreshe të nënkryetares së bashkisë Tiziana Basta, e cila nënvizoi vlerën e gjuhës si element themelor të identitetit kulturor. Angelo Astorino, president i Sipërmarrësve të Rinj të Confindustria Crotone, thelloi rolin e ndërmarrjes në zhvillimin e territoreve. Pasuan përvojat e Franca Ruggiero-s dhe Pina Valente-s, protagoniste të rrëfimit të “Gjyshet e Arbërisë” dhe produkteve artizanale të Salumificio San Cristoforo; Gennaro De Fazio, krijues i Gin Asturi, i prezantuar si xhini i parë arbëresh; dhe Diletta Iocca, e angazhuar në vlerësimin e vajit dhe të produkteve lokale.

Turizmi i përvojës ishte në qendër të ndërhyrjeve të Salvatore Franco-s, udhërrëfyes mjedisor i Parkut të Pollino-s, dhe Pajtim Vranicit nga agjencia “Dibra Explorer”. Christian Zuin nga Protur Media dhe Francesco Biacca nga “Festival dell’Ospitalità” plotësuan diskutimin mbi format e reja të rrëfimit dhe mikpritjes turistike. Mëngjesi vijoi me një bufe të ofruar nga administrata lokale dhe një vizitë të udhëzuar në “Museo della Civiltà Contadina” në qendrën historike dhe në “La Pizzuta”, pika panoramike e katundit. Puheriu, një festë e madhe midis kulturës, gastronomisë dhe muzikës Pasditen e së shtunës, festivali u zhvendos në Puheri, duke përfshirë një publik të shumtë në një program historie, arti, gastronomie dhe muzike. Nga vizita te kambanat arbëreshe, e organizuar nga Pro Loco “Ofelia Giudicissi”, deri te “Arbëria Experience”, e udhëhequr nga Alessandro Frontera së bashku me Mystery Hunters, publiku mundi të thellohej në trashëgiminë historike dhe në traditën fetare bizantine të kulturës arbëreshe.

Rrugëtimi u pasurua me ndërhyrjet muzikore të grupit “Tarant Bau” nga Pllatëni (Plataci), rizbulimin e kukullave tradicionale “Pupugheji” me Carmela Fazio-n, si dhe me prezantimin e muraleve dhe të xhevahirëve të arit nga “Ori Arbëresh La Pietra”. Me ardhjen e mbrëmjes, Rruga Carmine, e veshur kuqezi, u shndërrua në një festë të madhe popullore. Festa e mishit “podolica”, me specialitetet e Mishtores Scigliano e ëmbëlsirat e pastiçerisë “The Best Moment”, vlerësoi ekselencat gastronomike lokale. Në skenë ishin rapsodi arbëresh Marco Moccia, grupi “Ajri i Lumit” (grup kërkimor muzikor nga Shën Mërtiri — San Martino di Finita) dhe Tarant Bau, të cilët përfshinë publikun mes muzikës dhe valleve. Një sukses të madh pati “Dromësat Challenge”, kushtuar përgatitjes live të dromësave (pasta e bekuar arbëreshe), me protagoniste Rosina Marra-n, Raffaella Bossio-n, Stefania Demasi-n, si dhe me praninë e Alessia Sisca-s, presidente e Slow Food Crotone. Mbrëmja, e prezantuar nga Carmelina Mele, u përmbyll me “Arbëria Remix”, një DJ set nga Giovanni Salerno Deejay. Gjatë ditës, “MUZÉ – Spazio Arbëria” mirëpriti vizitorë të shumtë. Domethënëse ishte edhe prania e kryetarit të Bashkisë së Dibrës së Madhe, Fisnik Mela, i cili erdhi nga Maqedonia e Veriut me një delegacion bashkiak.

Arbëria Next, të rinjtë imagjinojnë të ardhmen Të dielën, 25 tetor, dita përmbyllëse u hap në Puheriu me “Arbëria Next”, një punëtori që përfshiu të rinjtë arbëreshë në ndërtimin e ideve dhe propozimeve për të imagjinuar të ardhmen e komuniteteve në dhjetë vitet e ardhshme. Diskutimi vijoi me Prof. Francesco Altimari-n nga Universiteti i Kalabrisë dhe Nicola Bavasso-n, gazetar dhe prezantues i RAI Calabria Arbëreshe, mbi marrëdhënien midis gjuhës, kujtesës dhe formave të reja të komunikimit. Ndërhynë gjithashtu Noè Andreano, kryetar i bashkisë së Kazallveqit (Casalvecchio di Puglia), Filippo Quinto Tocci, kryetar i bashkisë së Shën Vasilit (San Basile), dhe Franco Amendola, drejtor i Bandës Muzikore të Distriktit Arbëresh, duke sjellë dëshmi mbi vlerën e marrëdhënieve midis komuniteteve arbëreshe italiane. Dreka komunitare përfaqësoi një moment tjetër takimi midis të ftuarve, shoqatave dhe qytetarëve. Open Arbëria, arti i rrugës (street art) rrëfen katundet Pasdite u përurua “OPEN ARBËRIA — Street Art Arbëreshe”, projekti që shndërroi disa porta të qendrës historike të Puheriut në vepra kushtuar kujtesës dhe simboleve identitare.

Protagonistë ishin artistët Michele Giudicissi, Carmelina Mele, Giuseppe Caruso dhe Luigi Perna, së bashku me fëmijët e punëtorisë krijuese të Fili Meridiani. Inaugurimi u shoqërua nga këngët e grupit “Ajri i Lumit”, të cilët interpretuan “Kostantini i Vogëlith”, një nga rrëfimet më të rëndësishme të traditës arbëreshe.

Ndërmarrjet, mediat dhe diaspora: perspektivat e Arbërisë Paneli përmbyllës i diskutimit kushtuar “Arbërisë e së nesërmes” bëri bashkë përfaqësues nga bota e sipërmarrjes, institucioneve dhe kulturës. Ndërhynë Giorgio Franzese, nga Italbacolor dhe kryetar i Sipërmarrësve të Rinj të Confindustria Cosenza, Massimo Fedele, drejtor i selisë së RAI-t në Kozencë, dhe Umberto Lorecchio, kryetar i bashkisë së Puheriut. Në qendër të debatit ishte roli i ndërmarrjeve, mediave dhe institucioneve në ndërtimin e mundësive të reja për territoret. I rëndësishëm ishte edhe kontributi i shoqatave “ALEA” nga Franca dhe “VLERA” nga Belgjika, të cilat sollën përvojën e diasporës arbëreshe evropiane. Gjatë takimit, Carmela Fazio u nderua me një mirënjohje për angazhimin e saj në ruajtjen dhe transmetimin e traditave popullore. Ettore Bonanno: Të ndërtojmë një ekosistem të Arbërisë mes kulturës, rrjetit dhe inteligjencës artificiale.

Perspektivat e ardhshme të festivalit i shpalosi Ettore Bonanno, presidenti i Fili Meridiani APS, i cili përtëriti vizionin e një Arbërie gjithnjë e më të lidhur, të aftë për të ndërtuar një ekosistem kulturor, social dhe ekonomik. Qëllimi është krijimi i rrjeteve të qëndrueshme midis komuniteteve arbëreshe, ndërmarrjeve, shoqatave, institucioneve dhe brezave të rinj, duke forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe diasporën ndërkombëtare. Një perspektivë që sheh me vendosmëri drejt inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja, të konsideruara si mjete për të mbrojtur gjuhën arbëreshe, për të digjitalizuar trashëgiminë kulturore, për të sjellë inovacion në promovimin e territoreve dhe për të gjeneruar mundësi të reja. Për Fili Meridiani, e ardhmja e Arbërisë kalon nga aftësia për të kapërcyer fragmentimin e nismave individuale dhe për të ndërtuar një sistem të përbashkët kompetencash, projektesh dhe marrëdhëniesh: jo vetëm për të ruajtur të kaluarën, por për të shndërruar rrënjët në një burim për të ardhmen.

Muzikë dhe tradita në mbrëmjen përmbyllëse Mes tingujve bashkëkohorë dhe identitetit arbëresh, koncerti i Enzo Iovine dhe Pietro Curci përmbylli edicionin e dytë të “Arbëria Digital Fest”. Ky moment u shoqërua me përgatitjen e kulumollave tradicionalë (culumolli) nga gratë e Puheriut, në një moment të fundit bashkëndarjeje dhe miqësie. Një angazhim i përbashkët për të ardhmen e Arbërisë Një falënderim i veçantë i shkon Fondacionit Carical dhe presidentit të tij Giovanni Pensabene, për mbështetjen e dhënë për edicionin e dytë të Arbëria Digital Fest. Edicioni i dytë i festivalit doli me sukses falë angazhimit të përbashkët të tri bashkive: Karficit, Shën Kollit dhe Puheriut, të drejtuara nga Mario Amato, Luigi Rizzuti dhe Umberto Lorecchio.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për Institutin Gjithëpërfshirës “Verzino-Melissa”, Drejtorinë shkollore dhe personelin, për disponueshmërinë dhe bashkëpunimin e çmuar në organizimin e aktiviteteve të festivalit. Fili Meridiani APS falënderon përzemërsisht të gjithë ata që mbështetën dhe kontribuuan në mbarëvajtjen e festivalit: sponsorët, partnerët, sipërmarrjet, vullnetarët, entet, relatorët dhe artistët, së bashku me të gjithë komunitetin që mori pjesë me kaq entuziazëm në këto tri ditë. Një falënderim i veçantë i shkon grupit të punës të Fili Meridiani, i cili me angazhim, pasion dhe përkushtim bëri të mundur realizimin e një aktiviteti të aftë për të bashkuar territore, njerëz dhe projekte. Në mënyrë të veçantë, mirënjohja shkon për: Ettore Bonanno, Fabio Spadafora, Rosina Marra, Salvatore Bonanno, Rosa Bonanno, Francesca Liuzzo, Donato Iocca, Raffaella Bossio, Rosanna Panebianco, Stefania Demasi, Maria Luisa Greco, Diletta Iocca, Anastasia Amato, Donato Setola, Federica De Bastiani, Ursula Basta, Alessandro Frontera, Filomena Rizzo, Lucia Brunetti, si dhe për të gjithë ata që, edhe pse nga larg, dhanë mbështetjen e tyre për mbarëvajtjen e festivalit. Tri ditë, tri katunde, mbi njëqind të ftuar dhe një vizion i vetëm: një Arbëri e aftë për t’u ndërlidhur, për të vlerësuar rrënjët e veta dhe për t’u përballur me sfidat e inovacionit.

Filed Under: Analiza

FINAL COUNTDOWN

November 3, 2026 by s p

Shqipëria në buzë të greminës demokratike.

Nga Kolec Ndoja

Në vitet tridhjetë, Winston Churchill paralajmëronte Europën për rrezikun që përfaqësonte Adolf Hitleri. Ndërsa udhëheqësit europianë kërkonin kompromise dhe mënyra për të fituar kohë, Churchill kuptonte se problemi nuk ishte një krizë e zakonshme politike, por natyra e pushtetit që po ndërtohej. Historia i dha të drejtë. Por kur Europa e kuptoi plotësisht rrezikun, çmimi ishte katastrofik.

Sot, duke parë zhvillimet në Shqipëri, më rikthehet ai mësim. Nuk pretendoj të jem Churchill dhe as ta barazoj Shqipërinë e sotme me Gjermaninë e viteve tridhjetë. Por e njoh rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e një njeriu, ndërsa ata që duhet ta kufizojnë sillen sikur kanë gjithë kohën e botës.

Nuk kam frikë se historia do të më japë të drejtë. Kam frikë se, kur të më japë të drejtë, për Shqipërinë do të jetë tepër vonë.

Historia që nuk duhej të përsëritej

Shqipëria e ka paguar shtrenjtë pushtetin personal.

Në vitet 1944–1946, Enver Hoxha konsolidoi sundimin komunist përmes shtypjes së opozitës, burgimeve, përndjekjeve dhe ekzekutimeve politike. Zgjedhjet e dhjetorit 1945 nuk ishin konkurrencë e lirë ndërmjet partive të pavarura. Pluralizmi po asgjësohej.

Hoxha nuk u bë diktator brenda një dite. Institucionet u nënshtruan, kundërshtarët u eliminuan nga jeta politike dhe besnikëria ndaj udhëheqësit zëvendësoi përgjegjësinë ndaj kombit.

Në dhjetor 1990, brezi ynë u ngrit kundër atij sistemi. Si një ndër themeluesit e Partisë Demokratike në Shkodër, e kujtoj mirë se nuk kërkuam leje nga diktatura për të themeluar pluralizmin. Morëm përgjegjësinë dhe vepruam. Sot, pas më shumë se tri dekadash, shtroj një pyetje që dikur do të më dukej e paimagjinueshme:

A po lejojmë që mendësia e pushtetit absolut të rikthehet përmes institucioneve që krijuam për ta penguar?

Edi Rama dhe rreziku i pushtetit personal

Po e them pa ekuivok, duke marrë përgjegjësinë për gjykimin tim:

Edi Rama është Enver Hoxha i rimishëruar politikisht.

Nuk po barazoj krimet e diktaturës komuniste me Shqipërinë e sotme. Po flas për atë që shoh si të njëjtën mendësi sundimi: vullnetin për ta vendosur pushtetin personal mbi institucionet dhe për ta trajtuar kundërshtimin si pengesë që duhet neutralizuar.

Për mua, Rama përfaqëson rrezikun më të madh për lirinë politike të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit.

Dhe shqetësimi nuk është vetëm retorika e tij.

Kemi parë shembje pronash e biznesesh në emër të ligjit, urbanistikës dhe mbrojtjes së mjedisit. Por a zbatohet i njëjti ligj ndaj qytetarit të zakonshëm dhe investitorit të lidhur me pushtetin? A respektohen e drejta e pronës, procedurat ligjore dhe vendimet gjyqësore?

Ligji që godet të dobëtin, por toleron të fuqishmin, nuk është drejtësi e barabartë. Në drejtësi, Sali Berisha kaloi afro një vit në arrest shtëpie; Ilir Meta dhe Erion Veliaj u arrestuan në kuadër të hetimeve penale. Asnjëri nuk është mbi ligjin dhe arrestimi nuk provon fajësinë. Po ashtu, këto masa nuk provojnë vetvetiu ndërhyrjen e kryeministrit. Por pikërisht për këtë arsye, pavarësia e drejtësisë dhe mungesa e ndikimit politik duhet të jenë të padiskutueshme.

Skandali i të dhënave të votuesve dhe praktikat e patronazhimit kanë ngritur shqetësime për privatësinë dhe profilizimin politik. Akuzat për presion administrativ, financim të paligjshëm dhe ndikim të krimit të organizuar në zgjedhje kërkojnë hetim të plotë.

Sepse çështja nuk është vetëm kush i fiton zgjedhjet.

Çështja është nëse qytetari mund të votojë lirisht dhe nëse institucionet kanë ende fuqinë ta kufizojnë pushtetin. Një kryeministër nuk është pronar i shtetit. Një shumicë parlamentare nuk është pronare e Republikës. Ata luajtën me zjarrin. Por Shqipëria nuk duhet të digjet. Sali Berisha dhe Ilir Meta sot janë bashkë në opozitë, bashkëvuajtës politikë të një përballjeje që nuk po arrijnë ta fitojnë.

Nuk po arrijnë ta përballojnë Edi Ramën as të ndarë, as së bashku. Por ata mbajnë edhe një përgjegjësi të rëndë historike. Për vite me radhë, përqendrimi i vendimmarrjes në rrethe të ngushta, mungesa e demokracisë së brendshme dhe përjashtimi i njerëzve të aftë dobësuan partitë dhe copëzuan potencialin e opozitës. Shumë individë u larguan ose krijuan forca të vogla politike, ndërsa besnikëria ndaj kryetarit shpesh vlejti më shumë se mendimi i lirë.

Në gjykimin tim, kjo kulturë politike ndihmoi në krijimin e kushteve që Rama të konsolidonte pushtetin.

Ata luajtën me zjarrin e pushtetit personal dhe sot po ndiejnë vetë nxehtësinë e tij. Por populli shqiptar nuk ka pse të paguajë çmimin e gabimeve të tyre. Berisha dhe Meta mund të jenë duke paguar një çmim të rëndë politik e personal. Megjithatë, përgjegjësia e tyre nuk përfundon te fati individual. Ata patën mundësinë të ndërtonin një pluralizëm më të fortë dhe më të hapur.

Sot, as bashkimi i tyre nuk mjafton. Ata mund ta kenë humbur betejën e tyre për pushtet. Por nuk kanë të drejtë ta tërheqin Shqipërinë në humbjen e tyre.

Shqipëria është më e madhe se partitë

Rreziku që unë shoh nuk është Partia Socialiste si bashkësi qytetarësh. Në atë parti ka njerëz të ndershëm, profesionistë dhe patriotë që e duan Shqipërinë. Ata nuk janë armiqtë e demokracisë.

Por çdo deputet socialist, ashtu si çdo deputet demokrat, i detyrohet besnikëri Kushtetutës dhe qytetarëve, jo vullnetit personal të një kryetari.

Edhe opozita duhet ta kuptojë se nuk mjafton një marrëveshje mes udhëheqësve të vjetër. Duhet t’u hapë dyert atyre që u mënjanuan, forcave të vogla politike dhe brezit të ri.

Shqipëria ka nevojë për përgjegjësinë e të gjithëve: socialistëve e demokratëve, studentëve, mësuesve, prindërve, intelektualëve, profesionistëve dhe diasporës. Jo për të harruar dallimet politike, por për të mbrojtur atë që është më e rëndësishme se çdo parti: lirinë dhe rendin kushtetues. Asnjë parti nuk është kombi. Asnjë kryetar nuk është shteti.

Ora nuk pret

Në gjykimin tim, demokracia shqiptare ndodhet në buzë të greminës. Nuk mjafton të thuhet se do të ketë zgjedhje të tjera. Zgjedhjet kanë kuptim vetëm kur konkurrenca është e lirë, institucionet janë të pavarura dhe qytetarët nuk kanë frikë nga pushteti.

Kjo nuk është thirrje për hakmarrje apo dhunë. Është thirrje për përgjegjësi të menjëhershme kushtetuese, për drejtësi të pavarur, për mbrojtjen e protestës paqësore dhe për llogaridhënie pa përjashtim.

Shqipëria nuk ka pse të përjetojë një tjetër tragjedi për të mësuar një mësim që historia ia ka dhënë tashmë.

Paralajmërimi im nuk u drejtohet vetëm atyre që qeverisin. U drejtohet edhe atyre që kanë qeverisur, atyre që kërkojnë të qeverisin dhe atyre që kanë autoritetin të veprojnë, por zgjedhin heshtjen.

Historia nuk do të gjykojë vetëm atë që e përqendroi pushtetin. Do të gjykojë edhe ata që e panë rrezikun dhe nuk bënë atë që mundeshin për ta ndalur.

Populli shqiptar nuk ka pse të paguajë për ambiciet dhe gabimet e udhëheqësve të tij. Nuk ka pse të humbasë lirinë për të cilën breza të tërë sakrifikuan.

Nuk kam frikë se historia do të më japë të drejtë. Kam frikë se, kur të më japë të drejtë, për Shqipërinë do të jetë tepër vonë. Numërimi mbrapsht nuk është për fatin e një kryeministri, as për karrierën e dy udhëheqësve të opozitës. Është për përgjegjësinë tonë ndaj lirisë së Shqipërisë.

Dhe ora nuk pret.

Filed Under: Komente

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 3290
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT