• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Peter Prifti In Memoriam – Dedikimi për Fan Nolin, Peteri dhe Naum Prifti

November 24, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Veprat, fjalimet, artikujt dhe dokumentet publike janë burimet e para për njohjen e figurave të mëdha. Por hollësitë që në pamje të parë duken të vogla, si për shembull, një letër personale, një libër i dhuruar apo një dedikim, i japin portretit të tyre ngjyra dhe plotësime që kanë vlerë të veçantë. Në këtë përvjetor të lindjes së Peter Priftit (24 nëntor 1924 – 17 gusht 2010), një letër e tij zbulon një episod që hedh dritë mbi lidhjet mes vëllezërve Prifti dhe Fan Nolit.

Në vitin 1960, Peteri dhe Naumi ndodheshin rreth pesë mijë milje larg, njëri në Boston, ndërsa tjetri në Tiranë. Nga letra që Peteri i dërgoi Naumit më 4 korrik 1960 mësojmë se ai ia kishte dhuruar Nolit kopjen e vëllimit të parë të Historisë së Letërsisë Shqipe, të cilën ia kishte dërguar i vëllai. Në këtë letër, Peteri i kërkon Naumit, së pari, një kopje tjetër të vëllimit të parë, për të zëvendësuar atë që i kishte dhënë Nolit. Gjithashtu, i kërkon dy kopje të vëllimit të dytë, njërën për vete dhe tjetrën për Nolin. Për kopjen që do t’i dërgohej Nolit, i sugjeron Naumit të shkruante një dedikim.

Kështu, në bibliotekën e Nolit, vëllimi i parë me dedikimin e Peterit dhe vëllimi i dytë me dedikimin e Naumit ruajnë një copëz të kulturës epistolare shqiptare. Ato flasin për respektin dhe lidhjet intelektuale mes tyre. Së bashku me letrën, dedikimet na japin mundësinë ta rindërtojmë këtë episod dhe të kapim diçka nga jeta e përditshme e kohës: si qarkullonin librat, si tregohej miqësia dhe si shprehej vlerësimi për një figurë si Imzot Fan Noli. Episode të tilla ndihmojnë të plotësohet historia epistolare shqiptare, si një fushë ende pak e studiuar.

Fragment nga letra

14 Pleasant St.

Cambridge 39, Mass.

4 Korrik, 1960

I dashur vëllai im Naum,

Me shumë gëzim mora letrën tënde, të datuar 19 Maj, 1960. Gëzohem që jeni të gjithë mirë.

Për çupën e dytë që ju lindi, ju dërgova një kabllogram urimi, të cilin duhet ta kini marë. Po përsëri uroj që çupa t’ju rojë, e ta rritni gëzuar, e tjatër herë me djalë.

Të katër librat që më dërgove i mora dhe të falem nderit shumë. Të jam mirënjojtës për këtë të mirë. Të dy librat historike janë të nevojshme, dhe një pasuri për librarinë time. Mirëpo, librin e Historisë të Letërsisë Shqipe nuk e kam më. Ia bëra dhuratë Fan Nolit, i cili më tha se nuk e kish atë librë. Prandaj , i dhashë timin. Në është e mundur, dërgomë një copë tjatër të librit në fjalë, si edhe dy copë të vëllimit të dytë të Historisë të Letërsisë Shqipe, që të kem një për vete dhe një t’ia jap Fan Nolit. Atë të Nolit, po tē duash mund ta autografosh vetë.

Fjalorin e S.Mann-it ta dërgova me postë tri javë të shkuara. Bashkë me fjalorin të dërgova 4 libra Frëngjisht: “La fin de Chéri”, prej Colatta, “L’Epil at Le Royasime”, prej Albert Camus, “Thérés” prej Andre Gide, “Paradês Perdu”, prej E. Hemingway. Mjerisht, novela të François Sagan nuk gjeta, po në qoftë se gjej gjëkundi, do të ti dërgoj. Unë kam lexuar një novelë të saj, “Bonjour Tristesse”, në Inglisht, dhe e pëlqeva mjaft.

Po pres me interesim librin tënd të ri, “Çezma e Floritit”. Me këtë rast, çfaq gëzimin tim për botimin kësaj vepre të re nga dora jote. Shumë bukur, i dashur vëĺl. Të uroj të vazhdosh në udhën e mbarë që ke marë, duke krijuar vepra ne vlerë për shoqërinë njerëzore, vepra që pasqyrojnë me besnikëri dhe simpathi jetën e popullit.

Mua, kohë më kohë, më bie në dorë nonjë botim nga Shqipëria që përmban nonjë tregim prej teje. Kështu, kam lexuar tregimet “Brazda e fundit”, “Një Ndër të Shumtët”, dhe “Letra e Turkut”.

…………..

Miqve tonë aty në Tiranë, të fala.

Vëllau yt i dashur,

Pandeli

Filed Under: LETERSI

Pesë revolucione. Një jetë që vazhdon të frymëzojë botën

November 24, 2026 by s p

Në librin Mother Teresa’s Revolutionary Theology (Teologjia revolucionare e Nënë Terezës), Prof. Ines Angeli Murzaku sjell një vështrim të ri mbi jetën dhe trashëgiminë e Nënë Terezës. Në qendër të veprës qëndrojnë pesë “revolucione” që i dhanë formë misionit të saj: lutja, varfëria, shërbimi, vuajtja dhe ndërgjegjja.

Duke u mbështetur në Konstitucionet e para të Misionareve të Dashurisë dhe në burime arkivore të hapura rishtazi, autorja nxjerr në dritë një histori shenjtërie, qëndrese dhe ripërtëritjeje. Kërkimi shtrihet nga dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe arkivat shqiptare te Propaganda Fide në Romë dhe koleksionet dioqezane në Itali e Shtetet e Bashkuara, duke sjellë dëshmi që pasurojnë kuptimin e jetës dhe veprës së saj.

Me thellësi teologjike dhe një rrëfim historik të gjallë, libri tregon se si tradita katolike, e jetuar me besnikëri radikale, bëhet forcë shndërruese. Revolucioni i fundit, ai i ndërgjegjes, e çon këtë histori nga shenjtëria personale te ndryshimi shoqëror, me një ndikim që shtrihet nga Shkupi e Kalkuta në Tiranë e Romë.

Vepra u shkrua në Vitin Jubilar 2025, që shënoi 115-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, 75-vjetorin e themelimit të Misionareve të Dashurisë dhe dhjetëvjetorin e njohjes së mrekullisë së saj të dytë. Ajo u drejtohet studiuesve dhe publikut të gjerë të interesuar për teologjinë, historinë fetare, shenjtërinë dhe dialogun ekumenik e ndërfetar.

Një ftesë për ta njohur më thellë Nënë Terezën dhe për të zbuluar se si teologjia bëhet jetë, shërbim dhe përgjegjësi ndaj tjetrit.

Filed Under: Kronike

“GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE KOSOVA”

November 24, 2026 by s p

Paulin Zefi/

Marrëdhëniet historike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Kosovën përbëjnë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë politike, ushtarake dhe kulturore të Shqipërisë gjatë shek. XV. Këto lidhje duhen shqyrtuar në një kontekst më të gjerë, duke përfshirë prejardhjen e Kastriotëve, zotërimet dhe interesat e tyre ekonomike e strategjike, si dhe marrëdhëniet me trevat dhe personalitetet historike të Kosovës. Në këtë kuadër, Kosova përfaqësonte një hapësirë me rëndësi të veçantë gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për shkak të pozitës së saj dhe rolit në komunikimin ndërmjet trevave të ndryshme të Ballkanit.

Punimi trajton disa dëshmi dhe episode domethënëse që lidhen me këtë marrëdhënie, nga traditat mbi origjinën e Kastriotëve dhe zotërimet e Gjon Kastriotit, deri te itineraret e mundshme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, veprimtaria e tij ushtarake dhe lidhjet me institucione fetare e figura të rëndësishme të kohës. Analiza mbështetet në burime dokumentare, historiografike, dëshmi materiale dhe tradita të kujtesës lokale, duke synuar të dallojë faktet e verifikueshme nga interpretimet dhe hipotezat historike. Nëpërmjet kësaj qasjeje synimi është që të vlerësoj rolin e Kosovës në kontekstin e veprimtarisë politike dhe ushtarake të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në punimin tim do të ndalem në shtatë çështje kryesore:

1. Prejardhja e Kastriotëve dhe lidhjet e tyre me Hasin

Për të kuptuar marrëdhëniet historike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Kosovën, është e rëndësishme të ndalemi fillimisht te një çështje me interes të veçantë: prejardhja e familjes Kastrioti. Historiografia shqiptare ka paraqitur disa teza mbi vendorigjinën e kësaj familjeje fisnike. Marin Barleti, në veprën e tij të njohur mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut, e lidh zanafillën e Kastriotëve me krahinën e Matit. Ndërsa një traditë tjetër historiografike, e mbështetur në autorë të mëvonshëm dhe në dëshmi të ndryshme dokumentare, e lidh këtë familje me Hasin.

Ndër dëshmitë që meritojnë vëmendje është ajo e kronistit raguzan, Giacomo di Pietro Luccari, i cili në veprën Annali di Ragusa, botuar më 1605, shkruan se familja e Gjon Kastriotit kishte dalë nga Kastrati, një fshat nën juridiksionin e Hasit të Arbërisë, pranë lumit Drin. Kjo traditë mbështetet edhe nga Frang Bardhi, i cili në veprën e tij kushtuar Skënderbeut, botuar më 1636, e lidh prejardhjen e Kastriotëve me Mazrekun e Hasit. Në të njëjtën linjë janë trajtuar edhe disa dëshmi të tjera historiografike, përfshirë referenca që lidhen me emërtimin e vjetër të kësaj familjeje. Natyrisht, duhet të theksoj se çështja e vendorigjinës së Kastriotëve nuk është përfundimisht e zgjidhur.

Përballë tezës hasjane qëndron edhe tradita e Barletit për Matin, ndërsa në historiografi janë diskutuar edhe variante të tjera, ku kryesojnë krahina e Çidhnës në Dibrën e Poshtme, Kastri i Vigut në Mirditë dhe Mazreku i Shkodrës. Prandaj, prejardhja nga Hasi mund të paraqitet si një tezë e rëndësishme historiografike, e mbështetur në dëshmi konkrete, por jo si një çështje e mbyllur përfundimisht. Megjithatë, kjo lidhje është veçanërisht domethënëse për temën që po trajtoj. Hasi, trevë historike e lidhur ngushtë me hapësirën dardane dhe me luginën e Drinit, përbën një pikë të rëndësishme në diskutimin mbi zanafillën e dinastisë më të njohur të Arbërisë mesjetare. Kështu, marrëdhënia e Kastriotëve me Kosovën nuk nis vetëm me veprimtarinë politike e ushtarake të Gjergj Kastriotit, por mund të kërkohet edhe në traditat mbi prejardhjen e vetë familjes së tij.

2. Gjon Kastrioti, zotërimet e tij në Kosovë dhe çështja e Prizrenit

Një nga çështjet më interesante për historinë politike të Kosovës në fillim të shek. XV është shtrirja e zotërimeve të Gjon Kastriotit drejt lindjes. Gjon Kastrioti ishte një nga sundimtarët më të rëndësishëm arbërorë të kohës. Zotërimet e tij përfshinin një hapësirë të gjerë, e cila lidhte territoret e brendshme të Arbërisë me korridoret tregtare drejt bregdetit dhe trevave të Kosovës. Në këtë drejtim, dokumentacioni mesjetar ka një rëndësi të veçantë. Një marrëveshje tregtare-doganore e vitit 1420, që lidhet me marrëdhëniet e Gjon Kastriotit me Republikën e Raguzës, përmban të dhëna të rëndësishme për shtrirjen e interesave dhe zotërimeve të tij, nga Shufadaja në bregdet deri në drejtim të Prizrenit. Historiani Kasem Biçoku, i kushton vëmendje të posaçme kësaj çështjeje.

Ai argumenton se Kastriotët kishin një lidhje të qëndrueshme me rrugën tregtare që bashkonte bregdetin pranë Lezhës me Prizrenin dhe trevat e Dardanisë. Kjo rrugë kalonte nga Shufadaja dhe Lezha nëpër Mirditë, ndiqte luginat e Fanit dhe të Fanit të Vogël, përshkonte trevën e Lumës dhe mbërrinte në Prizren. Ajo nuk ishte thjesht një rrugë komunikimi, por një arterie me rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike. Nëpërmjet saj qarkullonin mallra, karvane tregtare dhe njerëz, ndërsa kontrolli mbi këtë korridor i jepte zotëruesit të tij ndikim të konsiderueshëm në marrëdhëniet ndërmjet hapësirave perëndimore dhe lindore të Arbërisë. Por elementi që meriton vëmendje të veçantë është vetë Prizreni.

Në bazë të dokumentacionit të trajtuar nga K.Biçoku dhe studiues të tjerë, ekzistojnë argumente për përfshirjen e Prizrenit dhe të një hapësire të gjerë përreth tij në zotërimet e Gjon Kastriotit. Biçoku shkon edhe më tej, duke e konsideruar Prizrenin si një nga qendrat kryesore të shtetit të tij dhe duke shqyrtuar mundësinë që ai të ketë pasur funksionin e kryeqendrës së këtij formacioni politik. Kjo është një çështje që meriton studim të mëtejshëm dhe ballafaqim të kujdesshëm të dokumentacionit. Por, pavarësisht interpretimit përfundimtar të statusit të vetë qytetit, lidhja e Kastriotëve me trevat përreth Prizrenit dhe me rrugën që bashkonte këtë qytet me bregdetin është një element i rëndësishëm i historisë sonë mesjetare.

Për rrjedhojë, Prizreni me rrethina nuk mund të trajtohen si një territor i shkëputur nga historia e Kastriotëve. Përkundrazi, ai përbënte një element të rëndësishëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike të kësaj familjeje. Dhe kjo na çon në një përfundim të rëndësishëm: hapësira e ndikimit të Kastriotëve nuk kufizohej vetëm në krahinat e Shqipërisë së Veriut, Shqipërisë së Mesme dhe Maqedonisë Perëndimore, por shtrihej në një sistem më të gjerë marrëdhëniesh që përfshinte edhe qytete dhe vise të sotme të Kosovës.

3. Varianti i kthimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga Nishi nëpërmjet Kosovës, në nëntor të vitit 1443.

“Variant itinerari dhe tradita historike e Drenicës”

Pas disfatës së ushtrisë osmane në betejën e Nishit, më 3 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu shfrytëzoi rrethanat e krijuara për t’u shkëputur nga ushtria osmane dhe për t’u kthyer në zotërimet e familjes së tij. I shoqëruar nga 300 kalorës arbër, ndër të cilët edhe nipi i tij Hamza Kastrioti, ai ndërmori një udhëtim që do të shënonte fillimin e kryemisionit të jetës së tij. Sipas të dhënave historiografike, pas largimit nga Nishi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kaloi në Fushë-Dardani, vijoi nëpërmjet korridorit të Prishtinës dhe Prizrenit, për të zbritur më pas drejt trevës së Dibrës.

Megjithatë, itinerari i saktë i këtij udhëtimi nuk dokumentohet në mënyrë të hollësishme nga biografët e hershëm të tij, çka lë hapësirë për shqyrtimin e varianteve të mundshme të rrugës së ndjekur. Në këtë kontekst, një variant me interes të veçantë është ai që e përfshin Drenicën në itinerarin e kthimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ky variant është: Nish – Leskovac – Medvegjë – Malësia e Gollakut/Gallapit – Fushë Kosovë – Drenicë – Prizren – Dibër. Tradita gojore e ruajtur nëpër disa vendbanime të Drenicës, së bashku me toponiminë historike, përcjell kujtesën e kalimit të tij nëpër këtë trevë, ku thuhet se qëndroi për disa ditë në territorin pranë vendit ku më vonë do të zhvillohej qyteti i sotëm i Skënderajt. Sipas kësaj tradite, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vijoi udhëtimin përgjatë luginës së Drenicës, përmes Drenicës së Kuqe, drejt Bjeshkëve të Berishës, ku thuhet se pushoi së bashku me kalorësit e tij dhe u ndal për të shuar etjen te një krua që njihet edhe sot me emrat “Kroi i Mbretit” dhe “Kroi i Skënderbeut.”

Nga Bjeshkët e Berishës, itinerari i mundshëm duhet të ketë vijuar drejt rrethinave të Malishevës dhe Therandës (Suharekës), për të arritur më pas në Prizren, e prej andej drejt Dibrës, në zotërimet e Kastriotëve. Kjo traditë, ndonëse nuk mbështetet deri më sot në një dëshmi dokumentare bashkëkohore që të përcaktojë me siguri itinerarin, përbën një element me interes për studimin e kujtesës historike, të toponimisë dhe të marrëdhënies së trevave të Kosovës me figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nëse ky variant do të merret në konsideratë si një segment i itinerarit të njohur Prishtinë-Prizren, ai e vendos Drenicën në një hapësirë të mundshme të lëvizjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut gjatë episodit më vendimtar të jetës së tij.

4. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Janosh Huniadi dhe Beteja e Dytë e Kosovës, në vitin 1448

Një tjetër moment i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut dhe Kosovës është fushata ushtarake e vitit 1448, e lidhur me përpjekjet e Janosh Huniadit për të frenuar zgjerimin osman në Ballkan. Në tetor të vitit 1448, Huniadi ndërmori fushatën që do të përfundonte me Betejën e Dytë të Kosovës, të zhvilluar më 17–20 tetor, kundër ushtrisë së sulltan Muratit II. Skënderbeu synoi t’i bashkohej kësaj ekspedite me forcat e veta. Megjithatë, gjatë marshimit drejt Fushë-Kosovës, ai u përball me pengesa politike dhe ushtarake, pikërisht me qëndrimin e despotit të paskrupullt serb dhe vjehrrit të sulltan Muratit II, Gjergj Brankoviçit, i cili asokohe kontrollonte rrugë dhe territore të rëndësishme të kësaj hapësire gjeografike. Për pasojë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk arriti të bashkohej në kohë me ushtrinë e Janosh Huniadit. Beteja përfundoi me disfatën e ushtrisë hungareze dhe të aleatëve të saj.

Grupet e ushtarëve të mbijetuar u arratisën në tre drejtime të ndryshme: në jug, në veri dhe në perëndim. Në mesin e të mbijetuarve, siç e thekson historiani rumun dhe jetëshkruesi i njohur i Janosh Huniadit, Camil Bujor Mureşanu, “më me fat ishin ata që u arratisën drejt jugut, të cilët u takuan në afërsi të Duhlës së sotme (Komuna e Suharekës/Therandës – P.Z.) me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.” Grupi i dytë, që ishte nisur në drejtim të veriut për në Hungari, kur kaluan në malet e Qyqavicës në afërsi të Vushtrrisë, u takuan me Dukë Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit. Falë ndihmës së dhënë prej Dukë Bogdanit, ata i shpëtuan pa vështirësi rrezikut që u kanosej nga forcat osmane, të cilët po i ndiqnin nga pas. Duhet theksuar qartë se përpjekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut për t’u përfshirë në këtë ndërmarrje ushtarake ka një domethënie të veçantë. Ajo dëshmon se Kryeheroi e shihte qëndresën e tij si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë ballkanike dhe evropiane për t’i bërë ballë zgjerimit osman. Në këtë kontekst, Kosova ishte një nga hapësirat gjeografike që zinte një vend të veçantë në planet e tij për çlirimin e plotë të Arbërisë dhe dëbimim e turqve osmane nga Europa Juglindore.

5. Marshimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga rrethinat e Ohrit dhe Dibrës në drejtim të Sjenicës, në fillim të shtatorit 1464

Burimet dokumentare të kohës dëshmojnë se, në fillim të shtatorit të vitit 1464, ndërsa ishte i angazhuar në operacionet ushtarake kundër forcave osmane për çlirimin e qytetit të Ohrit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndërmori një marshim në drejtim të trevës së Sanxhakut të sotëm, me synimin për t’u përballur me pararojën e armatës perandorake osmane. Sipas të dhënave të përcjella nga burimet e kohës, ushtria arbëre arriti deri në Sjenicë, ndërsa autorë të mëvonshëm e datojnë përballjen ushtarake më 11 shtator 1464. Megjithatë, itinerari i saktë i marshimit të kalorësisë arbëre, nën drejtimin e Kryeheroit, nuk është përcaktuar ende me siguri. Në këtë kontekst, një nga itineraret e mundshme mund të ketë ndjekur rrjedhën e Drinit të Zi, për të vijuar më pas drejt Rrafshit të Lumës (Kukës), përmes Rrafshit të Dukagjinit dhe në drejtim të zonave malore në pjesën lindore të Bjeshkëve të Namuna.

Prej këtej, ushtria mund të ketë kaluar nëpër zonën e Malit të Zhlebit (2.382 m), në veri të Pejës, për të zbritur më pas drejt Rrozhajës dhe, me ndihmën e zbuluesve vendas, për të depërtuar në trevën e Sanxhakut, deri në afërsi të Sjenicës. Një itinerar tjetër i mundshëm mund të ketë ndjekur luginën e Drinit të Zi dhe Rrafshin e Lumës, duke vijuar drejt Prizrenit, Suharekës, Drenicës e Mitrovicës, prej nga ushtria arbëre mund të ketë përshkuar rrugën e vjetër tregtare drejt Pazarit të Ri (Novi Pazar) dhe më pas të ketë mbërritur në afërsi të Sjenicës. Ndërkohë, disa autorë kanë sugjeruar se udhëtimi për në Sjenicë bëhej duke kaluar nëpër Rrafshin e Dukagjinit të sotëm dhe këtu arrijnë edhe në një përfundim tjetër, se gjatë vitit 1464, Dardania Perëndimore është kontrolluar prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Ky interpretim, megjithatë, duhet trajtuar me kujdes, pasi kalimi i ushtrisë arbëre nëpër këto treva, në vetvete, nuk përbën dëshmi të mjaftueshme për të përcaktuar shkallën e kontrollit politik ose ushtarak të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut mbi Rrafshin e Dukagjinit. Për rrjedhojë, rindërtimi i itinerarit mbetet një çështje e hapur kërkimore, e cila kërkon ballafaqimin e burimeve dokumentare me topografinë historike, rrjetin e rrugëve mesjetare dhe kushtet strategjike të lëvizjes së ushtrive në këtë hapësirë.

6. Shandani që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ka bërë dhuratë Manastirit të Deçanit

Një dëshmi interesante e marrëdhënies së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Manastirin e Deçanit është pikërisht një shandan bronzi i shek. XV, i cili, sipas traditës historike, i atribuohet si dhuratë e Kryeheroit këtij institucioni të rëndësishëm fetar dhe kulturor. Ky objekt, që shërbente për ndriçimin e trapezës (sallës së ngrënies së murgjve), përbëhet nga një rreth bronzi, prej qendrës së të cilit shpërndahen tetë krahë të vendosur në mënyrë koncentrike. Në skajet e tyre ngriheshin vertikalisht tetë qirinj. Shandani mbahet nga një zinxhir rreth tre metra i gjatë dhe është i varur në harkun mbi hyrjen e hapësirës së absidës gjysmërrethore, e cila mbyll sallën e madhe nga ana jugore. Si objekt i artit kishtar të shek. XV, ky shandan përbën një dëshmi materiale me interes të veçantë për studimin e lidhjeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me institucionet fetare mesjetare në territorin e Kosovës.

7. Martin Segoni i Novobërdës, një nga biografët më të hershëm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Martin Segoni zë një vend të veçantë në traditën e hershme historiografike kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Humanist, klerik katolik dhe ipeshkv i Dioqezës së Ulqinit, ai ishte një nga autorët parabarletianë që kontribuuan në dokumentimin e jetës dhe bëmave të Heroit tonë Kombëtar. I lindur në Novobërdë (Artanë), në Kosovën e sotme lindore, Martin Segoni ishte i biri i Gjon Segonit (Giovanni de Segonis), me prejardhje nga Kotorri. Fillimisht shërbeu si prift në kishën katolike të Shën Marisë në Novobërdë, ndërsa më pas studioi në Universitetin e Padovës, ku në vitin 1475 mori gradën e doktorit në të Dyja të Drejtat (Doctor utriusque iuris). Më vonë shërbeu si ipeshkv i Dioqezës së Ulqinit. Rëndësia e tij historiografike lidhet veçanërisht me punimin biografik kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me titull: “Narrazioni di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioè Alesandro Magno”, të hartuar rreth vitit 1480. Ky tekst përbën një nga dëshmitë më të hershme të shkruara kushtuar jetës së Kastriotit dhe i paraprin veprës së mirënjohur të Marin Barletit.

Po ashtu, rivalizon edhe jetëshkrimin e vetë bashkëpunëtorit të ngushtë të Kryeheroit, Dhimitër Frangut. Afërsia kronologjike me jetën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ndërroi jetë 12 vite më herët, më 1468, i jep veprës të Martin Segonit një vlerë të veçantë si burim shumë i besueshëm për studimin e kujtesës historike të Kryeheroit në vitet e para pas vdekjes së tij. Ndonëse nuk provohet drejtpërdrejt ndikimi i tij mbi Marin Barletin, vepra dëshmon se përjetësimi i figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në shkrimet humaniste kishte nisur që në shek. XV. Ndërsa, një kontribut vendimtar për njohjen e Martin Segonit ka dhënë historiani italian, Agostino Pertusi, i cili, në vitin 1981 botoi monografinë me titull: “Martino Segono di Novo Brdo, vescovo di Dulcigno”, duke vënë në dispozicion të studiuesve dokumentacionin dhe një pjesë të veprës e tij.

*Shqyrtimi i këtyre shtatë çështjeve dëshmon se marrëdhëniet historike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Kosovën ishin të shumëanshme dhe shtriheshin në rrafshin politik, ekonomik, ushtarak dhe kulturor. Nga traditat mbi prejardhjen e Kastriotëve dhe zotërimet e Gjon Kastriotit, deri te veprimtaria ushtarake e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe lidhjet me institucionet fetare e personalitetet historike të Kosovës, evidentohen marrëdhënie me rëndësi të veçantë për historinë e shek. XV.

Këto dëshmi e vendosin Kosovën në një pozicion të rëndësishëm në hapësirën politike dhe strategjike ku u zhvillua veprimtaria e Kastriotëve. Megjithatë, interpretimi i tyre kërkon një qasje kritike dhe metodologjike, duke dalluar faktet e dokumentuara nga traditat historike dhe hipotezat kërkimore. Studimi i mëtejshëm i burimeve arkivore, dokumentare dhe dëshmive materiale mund të ndihmojë në sqarimin e disa aspekteve ende të debatueshme të këtyre marrëdhënieve. Në këtë kuadër, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Kosova përfaqësojnë një lidhje shumë të rëndësishme historike, e cila dëshmon ndërthurjen e fatit politik dhe ushtarak të trevave arbëre në shek. XV.

Filed Under: Histori

FESTIVALI I LIBRIT NË NJU JORK–DËSHMI E GJALLË E IDENTITETIT SHQIPTAR

November 24, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Një shënim paraprak me rastin e Festivalit Shqiptar të Librit në New York, organizuar nga AlbLibris, më 28–29 nëntor 2026.

Këtë fund jave në Nju Jork mbahet Fesfivali i II i Festivalit Shqiptar të Librit në New York, ku do marrin pjesë përfaqësues të AlbLibris, shkrimtarë, poetë, studiues, botues dhe dashamirës të librit shqip nga Shgqipëria dhe nga diaspora. Është kënaqësi dhe nder i veçantë ta paralajmëroj këtë tubim dy-ditor të rëndësishëm të kulturës shqiptare në New York — Festivalin Shqiptar të Librit, që do të zhvillohet më 28 dhe 29 nëntor 2026.

Së pari, dëshiroj të përgëzoj organizatorët Dr. Pashko Camaj dhe AlbLibris për këtë nismë të çmuar kulturore, e cila dëshmon se libri shqip vazhdon të jetë një nga lidhjet më të forta shpirtërore ndërmjet shqiptarëve, kudo që ndodhen. Ky festival merr një domethënie edhe më të veçantë këtë vit, sepse zhvillohet Ditën Festës së Flamurit, 28-Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Nuk besoj se është rastësi që libri dhe flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe takohen në këto ditë. Të dy janë simbole të identitetit tonë kombëtar. Flamuri përfaqëson historinë, sakrificat dhe aspiratat tona kombëtare, ndërsa libri përfaqëson kujtesën, gjuhën, mendimin dhe kulturën që ua përcjellim brezave. Shqiptarët e Amerikës kanë një histori të veçantë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të identitetit kombëtar. Breza të tërë emigrantësh, intelektualësh, shkrimtarësh dhe veprimtarësh kanë punuar për më shumë se një shekull që gjuha shqipe dhe identiteti kombëtar të mos humbasin dhe që lidhjet me atdheun të mbeten të gjalla. Prandaj, një festival i tillë nuk është thjesht një panair librash. Ai është një manifestim i identitetit kulturor dhe kombëtar të komunitetit shqiptaro-amerikan, një dëshmi se kultura shqiptare jeton dhe zhvillohet edhe larg trojeve tona.

Libri është kujtesa e një kombi. Përmes tij ruhen historia, traditat, vlerat, përvojat dhe sakrificat e brezave. Përmes librit njihen figurat tona kombëtare, shkrimtarët, intelektualët dhe personalitetet që i kanë dhënë emër dhe dinjitet kombit shqiptar. Në këtë kontekst, kemi edhe një përgjegjësi të veçantë që të mos harrojmë asnjëherë ata autorë dhe intelektualë që, për arsye politike e ideologjike, u përjashtuan, u heshtën dhe u mohuan nga regjimi komunist. Historia e letërsisë dhe e kulturës shqiptare duhet të jetë e plotë, pa censurë dhe pa përjashtime. Një komb që nuk njeh dhe nuk vlerëson trashëgiminë e vet kulturore, rrezikon të humbasë një pjesë të historisë dhe identitetit të tij. Një vëmendje të veçantë duhet t’u kushtohet brezave të rinj shqiptarë të lindur dhe të rritur në Shtetet e Bashkuara. Sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, ajo është edhe kujtesa dhe shpirti i një kombi.

Paraprakisht, dua t’i përgëzoj edhe një herë organizatorët e AlbLibris, autorët, botuesit dhe të gjithë ata që kontribuojnë në organizimin e kësaj veprimtarie. Uroj që ky festival i librit të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme kulturore, në një takim të përvitshëm të mendimit, krijimtarisë dhe identitetit shqiptar në Amerikë. Sepse një komb që lexon, është një komb që mendon. Një komb që shkruan, është një komb që lë gjurmë në histori. Dhe një komb që ruan gjuhën e vet, ruan vetveten!

Suksese organizuesve dhe pjesëmarrsve, suksese të gjithëve! Rroftë libri shqip, rroftë kultura shqiptare, rroftë Kombi shqiptar dhe miqësia shqiptaro-amerikane! Gëzuar Festën e Flamurit — 28 Nëntorin, Ditën e pavarësisë së Shqipërisë!

Filed Under: Komunitet

Prof. Ramadan Sokoli – njeriu që ruajti tingujt e një kombi, por humbi pianon e vet

November 24, 2026 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Një homazh për Prof. Ramadan Sokolin, mësuesin dhe babin tim shpirtëror, mikun e pazëvendësueshëm dhe njeriun që më ndihmoi të njoh një Shqipëri që duhej njohur. Ka njerëz që i takon gjatë jetës, i respekton, i vlerëson dhe i kujton me mirënjohje. Ka edhe të tjerë që hyjnë në jetën tënde dhe bëhen pjesë e formimit, e kujtesës dhe e mënyrës si e sheh botën.

Për mua, një njeri i tillë ishte profesor Ramadan Sokoli. Prof. Rado, siç e thërrisnim ne që patëm fatin ta njihnim nga afër. Prof. Ramadan Sokolin e takova për herë të parë në korrik të vitit 1991, gjatë një vizite në Shqipëri. Isha një i ri i ikur nga Kosova, me gjithë ëndrrat, shqetësimet dhe përfytyrimet që kishim atëherë për Shqipërinë.

Nuk mund ta dija se ajo njohje do të bëhej një nga marrëdhëniet më të rëndësishme të jetës sime. Në janar 1992, kur u vendosa përfundimishtë të jetoja në Shqipëri, filloi edhe një kapitull i ri i marrëdhënies sonë. Me kalimin e viteve, Prof. Rado u bë shumë më tepër sesa një profesor i njohur. U bë miku im, këshilltari, udhërrëfyesi dhe, në kuptimin më të plotë të fjalës, mësuesi dhe babi im shpirtëror.

Pas prindërve të mi, ai është ndër njerëzit që kanë ndikuar më shumë në formimin tim. Nuk e kam fjalën vetëm për kulturën apo dijet që më përcolli. Ai më mësoi të njoh njerëzit, të kuptoj se historia nuk është vetëm ajo që shkruhet në libra, por edhe ajo që njerëzit mbartin në kujtesën e tyre. Të dalloj madhështinë e vërtetë nga ajo e shpallur dhe të kuptoj se fisnikëria nuk është një trashëgimi që mjafton ta përmendësh, por një mënyrë për të jetuar.

Përmes tij njoha një Shqipëri tjetër.

Shqipërinë e familjeve të vjetra qytetare, të dijetarëve, artistëve, ish-të burgosurve politikë, intelektualëve që kishin jetuar në heshtje dhe njerëzve që, pavarësisht gjithçkaje, kishin ruajtur kulturën dhe dinjitetin.

Ishte Shqipëria që duhej njohur.

Prof. Rado ishte një nga njerëzit që m’i hapi dyert e saj.

Me kohën, ai nisi të më thërriste me një shprehje që nuk do ta harroj kurrë:

“Shkopi i pleqërisë.”

Në ato pak fjalë kishte dashuri, besim, afërsi dhe diçka nga humori i tij i hollë shkodran. Ishte një përkëdhelje që më bënte të ndihesha pjesë e familjes së tij.

Ramadan Sokoli lindi më 14 qershor 1920, në Shkodër, në një familje me tradita të njohura qytetare, kulturore dhe atdhetare. Ishte pasardhës i Hodo Pashë Sokolit, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shkodrës dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Babai i tij, Isuf Sokoli, dhe nëna, Aishe Juka-Sokoli, rritën nëntë fëmijë në një mjedis ku mikpritja, historia dhe dashuria për dijen ishin pjesë e përditshmërisë.

Shtëpia historike e familjes Sokoli, me arkitekturën e saj dhe oxhakun dhe oborrin e punuar dhe trajtuar me mjeshtëri, mbante kujtesën e disa brezave.

Edhe objektet e trashëguara kishin historitë e tyre.

Nga rrëfimet familjare më ka mbetur në kujtesë historia e shpatës së Hodo Pashës, për të cilën thuhej se ishte marrë nga pushteti komunist dhe më pas nga Enver Hoxha i ishte dhuruar Stalinit.

Një tjetër objekt i çmuar, pistoleta e Hodo Pashës, u dhurua nga Linda, vajza e profesorit, për Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Prof. Ramadani e njihte mirë historinë e familjes së tij. Fliste për të me respekt, por pa e përdorur prejardhjen si arsye për t’u ndier mbi të tjerët.

Megjithatë, historia e familjes Sokoli nuk ishte vetëm histori e trashëgimisë dhe e krenarisë. Ajo mbante mbi vete edhe një tragjedi të rëndë.

Pasardhësit e Hodo Pashë Sokolit, të linjës të birit, Isuf Sokolit, u goditën ashpër nga regjimi komunist.

Ibrahimi, djali i madh, ishte jurist, kishte qenë pjesë e Lëvizjes së Legalitetit. I arrestuar në vitin 1945, kaloi 36 vjet në burgje e internime; të njëjtin fat përndjekjeje pati edhe bashkëshortja e tij, Shano (Hasan) Dosti.

Hodoja, më i vogli i vëllezërve, ishte mësues dhe u arrestua në vitin 1964. Kaloi rreth 26 vjet në burgjet komuniste, përfshirë Spaçin, ku u ridënua pas revoltës së të burgosurve të vitit 1973.

Safetja, motra e tyre, kishte një zë të mrekullueshëm sopranoje dhe një talent që premtonte një jetë në skenë. Por regjimi ia mbylli rrugën e karrierës artistike, ndërsa ajo kaloi vite të tëra duke udhëtuar nga një burg në tjetrin, për t’u çuar ushqime dhe për të takuar vëllezërit e burgosur.

Edhe vetë profesor Ramadani, i formuar në Konservatorin e Firences, u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me pesë vjet burg. Përndjekja do ta ndiqte edhe pas lirimit, duke i kufizuar mundësitë për të zhvilluar veprimtarinë shkencore dhe artistike.

Edhe babai i tyre, Isufi, u arrestua dhe u burgos në vitin 1946.

Nuk ishte, pra, drama e një njeriu të vetëm. Ishte goditja e një familjeje të tërë, që preku disa breza dhe la pasoja të thella në jetën e saj.

Dhe këtu qëndron një nga të vërtetat më prekëse të kësaj historie.

Nga dega mashkullore e tre djemve të Isuf Sokolit, Ibrahimit, Hodos dhe Ramadanit, vazhdimësia familjare mbeti te dy vajzat e profesorit, Linda dhe Tesi.

Familja kishte, natyrisht, nipa e mbesa nga motrat, por kjo degë e saj vazhdoi përmes dy vajzave të Prof. Rados.

Ai i donte pa masë dhe shprehte shpesh krenarinë për to me humorin e tij të veçantë:

“Nuk i ndërroj vajzat e mija, me gjithë djemtë e Amerikës Latine!”

Kur e kujtoj sot këtë shprehje, pas gjithë asaj që kishte kaluar familja Sokoli, ajo më tingëllon edhe më e dashur. Nuk ishte vetëm humori i një babai krenar. Ishte gëzimi i një njeriu që, pavarësisht goditjeve të jetës, kishte ruajtur dashurinë për familjen dhe besimin te vazhdimësia e saj.

Që në rini, profesor Ramadani ishte përfshirë në jetën muzikore të Shkodrës, kishte mësuar të luante në disa instrumente dhe kishte nisur të kompozonte. Më pas studioi në Konservatorin Luigi Cherubini të Firences, ku u formua në flaut e kompozicion dhe u njoh nga afër me traditën muzikore evropiane.

Italia i hapi horizonte të reja. Ai e donte Firencen, artin italian dhe qytetërimin që kishte njohur atje. Në bisedat tona kthehej shpesh te ajo periudhë, te muzika, piktura e skulptura. Më ka mbetur në kujtesë edhe rrëfimi i tij për Davidin e Mikelanxhelos.

Prof. Rado kishte një mënyrë të veçantë për të folur për artin. Nuk e trajtonte si diçka të largët, të mbyllur në muze apo libra. E sillte pranë njeriut, e lidhte me historinë dhe me jetën.

Ndër krijimet e tij, dy këngë kanë histori që meritojnë të veçohen.

“Turtulleshë”, me vargje të Qemal Draçinit, lindi nga një idil i dashurisë rinore. Vetë Prof. Rado tregonte se, në vitin 1941, gjatë një qëndrimi në Ulqin, poeti i kishte shkruar vargjet në letra cigaresh, ndërsa ai kishte krijuar melodinë brenda një nate, me kitarën që kishte me vete.

Vetëm tri javë më vonë, gjatë kthimit për në në Itali, e kishte dëgjuar këngën në Durrës, të kënduar nga një hamall. Ajo kishte marrë dhenë, pa u ditur ende se kush e kishte krijuar.

Pas asaj melodie të ëmbël fshihej edhe një histori njerëzore që koha e kishte kthyer në dhimbje. Vajza që e kishte frymëzuar nuk jetonte më dhe profesori nuk dëshironte të rikthente gjithçka që kishte mbetur pas asaj dashurie rinore.

Ndërsa “Lulja me erë” pati një fat krejt tjetër. E krijuar si këngë lirike, ajo kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe, me tekst të ndryshuar, u bë e njohur në Kosovë si “Besa-besë”. Melodia e saj u këndua në demonstratat e vitit 1981 dhe gjatë viteve të qëndresës, duke marrë kuptimin e një himni të lirisë.

Sa domethënëse për një njeri që e kishte dashur Kosovën gjithë jetën!

Një melodi e lindur nga ndjenjat e dashurisë u bë pjesë e kujtesës së qëndresës së një populli.

Në repertorin e tij janë edhe “Zanusha”, “Blegëron delja”, “Rritu mollëzo”, “Jelino”, “Tokë e lashtë”, “Lis i papërkulur” etj.

Disa nga këto krijime u përhapën aq shumë, sa nisën të këndoheshin si këngë popullore, shpesh pa u kujtuar më emri i kompozitorit.

Këtu qëndron një nga paradokset më të bukura të krijimtarisë së Prof. Rados: këngët e tij u bënë aq të afërta me njerëzit, sa filluan të jetonin përtej emrit të autorit.

Por krijimtaria e Prof. Rados nuk kufizohej te kënga. Ai shkroi edhe “Ekspromt për violinë dhe piano”, “Rapsodi për flaut”, “Eklog” për piano, “Legjenda e trojeve”, suitën për harqe “Buzë liqenit”, “Dy kangjelat e Milosaos”, mbi vargjet e Jeronim de Radës etj.

Sa domethënëse që njeriu që kërkonte rrënjët e muzikës shqiptare ndër shekuj gjente frymëzim edhe te poezia arbëreshe, duke lidhur në krijimtarinë e vet traditën me muzikën e kultivuar.

Prof. Ramadan Sokoli nuk ishte vetëm kompozitor. Ai ishte një nga themeluesit e etnomuzikologjisë shqiptare, një studiues që kërkonte të kuptonte jo vetëm meloditë, por edhe historinë që ato mbartnin.

Për të, këngët, vallet, instrumentet dhe mënyrat e të kënduarit ishin dëshmi të vazhdimësisë kulturore të një populli. Studioi traditat muzikore të viseve shqiptare, trashëgiminë e arbëreshëve të Italisë dhe të arbanasëve të Zarës, figurat e hershme të muzikës si Niketë Dardani e Jan Kukuzeli, praninë e Skënderbeut në krijimtarinë muzikore dhe lidhjet e muzikës sonë me traditat e Ballkanit dhe Evropës.

Edhe veprat e tij studimore dëshmojnë këtë gjerësi interesash. Nga “Figura të ndritura”, “Folklori muzikor shqiptar”, “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, “Figura e Skënderbeut në muzikë” dhe “Gjurmime folklorike”, te “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, “16 shekuj”, “Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaja”, “Përtej 16 shekujve”, “Krijime dhe flijime” dhe “Këngët popullore qytetare shkodrane”, ai ndërtoi një trashëgimi që shtrihet përtej kufijve të një disipline të vetme.

E megjithatë, ajo që më bënte më shumë përshtypje ishte kureshtja e tij e pashuar.

Mund të niste një bisedë nga një melodi e dëgjuar në një fshat dhe të përfundonte te historia e muzikës evropiane. Mund të fliste për një instrument popullor dhe të të çonte në shekuj të largët. E bënte këtë pa të dhënë ndjesinë se po ndiqje një leksion. Pranë tij mësoje pa e kuptuar se po mësoje.

Një vend të veçantë në rrethin e miqësive të hershme të profesor Ramadanit zë edhe Musine Kokalari.

Një fotografi e vitit 1945 i ka përjetësuar së bashku, në një kohë kur Shqipëria sapo kishte hyrë në një nga periudhat më të vështira të historisë së saj.

Edhe dokumentet e survejimit të librarisë së Musinesë përmendin vizitat e Ramadan Sokolit. Në njërin prej tyre shënohet se ai kishte qëndruar aty rreth dy orë.

Sa shumë tregon kjo hollësi e vogël!

Një takim mes dy të rinjve të kulturuar, që në një shoqëri të lirë do të ishte krejt i zakonshëm, ishte kthyer në objekt vëzhgimi policor.

Musineja dhe profesori do të përjetonin më pas burgun dhe përndjekjen. Megjithatë, në atë fotografi mbeten dy të rinj që kishin përpara ëndrrat dhe rrugët e tyre intelektuale.

Sa herë mendoj për atë brez, më vjen ndër mend edhe Prof. Rado. Përmes tij njoha jo vetëm historinë e njerëzve të shquar, por edhe peshën njerëzore të një kohe që u mori shumëçka, pa ua shuar dashurinë për kulturën.

Vetë profesori nuk e përdorte vuajtjen për të kërkuar mëshirë apo për të imponuar respekt. Nuk i harronte padrejtësitë dhe kishte, si çdo njeri, dhimbjet e kundërshtimet e veta, por ruajti aftësinë për të dashur njerëzit.

Një nga episodet më të dhimbshme të jetës së tij lidhet me pianoforten.

Profesor Sokoli kishte përgatitur një vëllim studimor për botim ku vlerësohej figura dhe vendi i Skendërbeut në muzikë. Libri u bë objekt ndërhyrjesh dhe bllokimi pas botimit nga mekanizmat e kontrollit komunist të kohës dhe, sipas dëshmisë së tij të botuar më vonë, atij iu ngarkua të paguante 16 mijë lekë për shpenzimet e shkaktuara nga ribërja e materialeve të shtypit.

Detyrimi financiar erdhi në një kohë kur kishte caktuar tashmë dasmën e njërës prej vajzave. Për të paguar gjobën, u detyrua të shiste pianoforten.

Instrumentin me të cilin kishte kompozuar dhe kishte kaluar aq shumë orë të jetës.

Në rrëfimin e tij, dhimbjen që ndjeu kur pianofortja doli nga shtëpia e krahasoi me atë që kishte përjetuar kur prej saj kishin dalë arkivolet e prindërve.

Skulptori dhe miku ynë Prof. Fatos Kola ka përcjellë edhe një thënie të profesorit:

“Nji kompozitori po i more pianon, i ke marrë shpirtin…”

Nuk e di çfarë ka ndier Prof. Rado në atë çast. Por e di sa shumë i donte vajzat e tij.

Dhe sa herë e kujtoj këtë ngjarje, më vjen ndër mend një njeri që kishte studiuar muzikë në Firence, kishte kompozuar, kishte formuar breza muzikantësh dhe ia kishte kushtuar jetën kulturës shqiptare, por që detyrohej të shiste instrumentin e vet për të shlyer një ndëshkim absurd. Në prag të një gëzimi familjar, ai u nda nga një pjesë e pazëvendësueshme e jetës së tij.

Nuk mund të shkruaj për profesor Ramadanin pa folur për Lilin.

Lili Petrela-Sokoli ishte bashkëshortja dhe mbështetja e tij në një jetë të mbushur me sprova. U martuan në vitin 1957. Edhe ajo provoi pasojat e përndjekjes politike. U largua nga puna në Bibliotekën Kombëtare dhe u detyrua të punonte në kushte krejt të tjera nga ato që i përgjigjeshin formimit të saj.

Në librin “16 shekuj”, profesori i kushtoi fjalët:

“Lilit bash lil në rrugën plot ferra të jetës sime.”

Në atë dedikim kishte dashuri, mirënjohje dhe historinë e një jete të përbashkët.

Unë e kam njohur Lilin nga afër. E kam përjetuar mikpritjen dhe kujdesin me të cilin na priste.

Shtëpia e tyre ishte gjithmonë e hapur për mua. Aty kam sjellë vëllanë tim Arbenin, djemtë e xhaxhait tim Bekimin dhe Bashkimin, miq dhe dhjetëra studentë nga Kosova e vise të tjera shqiptare.

Për ne që kishim ardhur nga Kosova, larg familjeve dhe në rrethana të vështira, ajo shtëpi ishte një vend ku nuk ndiheshim të huaj.

Lili u nda nga jeta në mars të vitit 2003. Humbja e saj ishte një goditje e rëndë për Prof. Radon.

Pas kaq shumë vitesh së bashku, ai mbeti pa njeriun që kishte ndarë me të gëzimet, shqetësimet dhe barrën e përditshme të jetës.

Profesor Ramadani i donte shumë edhe nipërit e mbesat, Lejdin, Giulian dhe Sokolin. Me dashuri të veçantë trajtonte Fatmir Dumën, bashkëshortin e Lindës ( Mirlinda Sokoli ), të cilin e kishte si djalin e vet. Dhe Fatmiri ia kthente këtë dashuri me përkushtim e respekt.

Shtëpia e Rados dhe Lilit ishte një vend takimi për familjarë, artistë, profesorë, studentë dhe miq nga vise të ndryshme shqiptare.

Ndër miqtë e afërt të profesorit qe unë i kam njohur ishin Sadik Kaceli, Vladimir Jani, Amik Kasoruho, Gjergji dhe Petro Zheji, Naxhi Bakalli, Pertef Kruja, Kudret Velça, Giuseppe del Gaudio, Mentor Çoku dhe shumë të tjerë.

Nuk dua t’i rendis këta emra si një listë personalitetesh. Për mua, shumë prej tyre janë njerëz që i kam parë, i kam takuar e dëgjuar dhe me të cilët kam kaluar orë të tëra në shoqërinë e Prof. Rados.

Flitej për letërsinë, muzikën, pikturën, skulpturën, historinë, vitet e diktaturës dhe Shqipërinë që po përpiqej të ndryshonte. Nuk mungonin kundërshtimet, humori dhe kujtimet që shpesh nuk ishin shkruar askund.

Profesori kishte një aftësi të rrallë për të afruar njerëz me formime, karaktere dhe përvoja të ndryshme. Nuk kërkonte që të gjithë të mendonin njësoj. E çmonte mendimin e pavarur dhe kishte kënaqësi të veçantë kur njerëzit sillnin në bisedë diçka të re.

Pranë tij ishte krijuar edhe një rreth më i ri miqsh, ku bënim pjesë unë, Fatos Kola, Fatmir Seit Boshnjaku , Fatmir Carkanji -Lordi, Shaqir Veseli , Miftar Gjana dhe të tjerë.

Secili kishte rrugën dhe profesionin e vet. Por na bashkonte dashuria dhe respekti për Prof. Radon. Pikërisht përmes tij u njohëm më mirë dhe u bëmë miq të ngushtë me njëri-tjetrin.

Me mua dhe Prof. Fatos Kolën, Prof. Rado kishte krijuar një afërsi të veçantë, që nga viti 1991 e deri në fund të jetës së tij. Ishim pranë njëri-tjetrit në ditë të mira, por edhe në disa nga çastet më të vështira. Mes nesh ishte krijuar një besim i ndërsjellë, që shkonte përtej marrëdhënies së zakonshme mes një profesori dhe miqve të tij më të rinj.

Fatosi, në veçanti, i qëndroi pranë me një përkushtim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë atyre viteve. Ishte një miqësi e ndërtuar jo vetëm mbi admirimin dhe respektin, por edhe mbi praninë njerëzore, atëherë kur ajo kishte më shumë rëndësi.

Kjo ishte një nga dhuntitë e profesor Ramadanit. Ai nuk krijonte vetëm marrëdhënie mes vetes dhe njerëzve që e rrethonin. Krijonte lidhje edhe mes tyre.

Ne ishim më të rinj në moshë, por profesori nuk na trajtonte si njerëz që duhej vetëm të dëgjonin. Na përfshinte në biseda, na pyeste dhe na nxiste të mendonim.

Sot e kuptoj se, përveç dijes dhe kujtimeve, ai na la edhe miqësinë që krijuam mes nesh.

Dashuria e profesor Ramadanit për artet figurative ishte e jashtëzakonshme. I njihte artistët, veprat e tyre dhe historitë njerëzore që qëndronin pas tyre.

Në librin “Krijime dhe flijime” ai trajtoi figura të artit shqiptar si Janaq Paço, Sadik Kaceli, Vladimir Jani, Naxhi Bakalli dhe Vladimir Metani.

Ai nuk e ndante krijimin nga jeta e krijuesit. E dinte se pas një pikture apo skulpture mund të qëndronin vite sakrificash, përndjekjesh dhe përpjekjesh për të mos hequr dorë nga arti.

Kishte edhe një aftësi të veçantë për të dalluar talentin.

Ndër nxënësit e tij ishin flautistët me famë Xhovalin Shestani dhe Shaqir Rexhvelaj.

Marrëdhënia me Shaqirin ishte shumë më tepër se ajo mes një mësuesi dhe nxënësi. Shaqir Rexhvelaj i qëndroi jashtëzakonisht pranë profesorit, duke ruajtur me përkushtim lidhjen njerëzore me të.

Prof. Rado kishte meritë edhe në zbulimin e këngëtares Hafsa Zyberi. Po ashtu, dalloi dhe mbështeti talentin e skulptorit autodidakt Vladimir Metani.

Për të, talenti nuk varej nga diploma apo titulli. Ai mund të lindte kudo dhe duhej ndihmuar të gjente rrugën.

Profesor Sokoli nuk ishte studiues i mbyllur në bibliotekë. Mori pjesë në ekspedita kërkimore, në veprimtari folklorike dhe në organizimin e ngjarjeve kushtuar trashëgimisë sonë muzikore.

Puna e tij lidhet me historinë e festivaleve folklorike shqiptare, përfshirë Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, si edhe me veprimtari të rëndësishme folklorike në Berat.

Ai pati gjithashtu angazhime në jetën institucionale dhe në diskutimet për rolin e televizionit publik gjatë viteve të ndryshimeve demokratike.

Prof. Ramadani kishte mendime të qarta për mënyrën si duhej të ruhej e të paraqitej trashëgimia jonë.

Për të, kultura nuk ishte një zbukurim i jetës publike, por pjesë e identitetit dhe e përgjegjësisë së një shoqërie.

Dashuria e tij për Kosovën ishte e hershme, pjesë e edukimit familjar dhe e mënyrës si e kuptonte kombin shqiptar.

Në shtëpinë e tij vinin personalitete nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Mes njerëzve me të cilët kishte marrëdhënie dhe kontakte ishin Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Bujar Bukoshi, Zekrija Cana, Mark Krasniqi, Azem Shkreli, Ramiz Kelmendi, Isa Zymberi, Rexhep Munishi, Rauf Dhomi etj.

Për mua, takimet me shumë nga ta në shoqërinë dhe shtepinë e Prof. Rados kishin vlerë të veçantë. Ishin njerëz me përvoja të ndryshme, por me shqetësime të përbashkëta për fatin e shqiptarëve.

Lidhja e profesor Ramadan Sokolit me Kosovën kishte edhe një përmasë të rëndësishme kulturore e botuese. Shtypshkronja “Rilindja” e Kosovës, në Tiranë, u përfshi në botimin e veprave të tij, nën përkujdesjen e redaktorit të “Rilindjes”, shkrimtarit dhe kritikut letrar Ramadan Musliu.

Për mua, kjo ishte më shumë sesa një bashkëpunim botues. Ishte një shprehje konkrete e lidhjes së ndërsjellë mes profesorit, që ia kishte kushtuar jetën trashëgimisë kulturore shqiptare, dhe Kosovës, të cilën ai e kishte dashur dhe mbështetur gjithmonë.

Edhe unë solla në shtëpinë e tij shumë të rinj nga Kosova. Dëshiroja që të njihnin jo vetëm një profesor të njohur, por një njeri që kishte aq shumë për t’u dhënë.

Një vend të veçantë në kujtimet e mia zënë takimet me don Gjergj Gjergji-Gashi.

Me Prof. Radon kemi shkuar dhjetëra herë në Elbasan, ku don Gjergji shërbente si meshtar. Ato udhëtime i kujtoj për bisedat e gjata mbi historinë, besimin, kulturën, Kosovën, Shqipërinë dhe njerëzit që kishin lënë gjurmë në jetën tonë.

Profesori kishte një kulturë që i lejonte të bisedonte natyrshëm me njerëz të besimeve dhe formimeve të ndryshme. Ai e respektonte njeriun përtej përkatësisë së tij fetare.

Me don Gjergjin lidhet edhe kujtimi i mundësisë që na u krijua për të takuar Nënë Terezën. Është një prej atyre ngjarjeve që ruaj me ndjeshmëri të veçantë.

Një nga kujtimet më të veçanta që ruaj nga viti 1995 është takimi me Ismail Kadarenë, gjatë realizimit të dokumentarit televiziv kushtuar jetës dhe veprës së profesor Ramadan Sokolit.

Atë ditë ishim tre veta: unë, skulptori Fatos Kola dhe kameramani Xhemail Reçi. Intervistën me Kadarenë e zhvillova unë. Në një moment, jashtë regjistrimit, Kadareja na tha se i kishte borxh Ramadan Sokolit, pasi ideja për veprën e tij “Autobiografia e popullit në vargje” ishte frymëzuar nga studimet dhe veprat e profesorit.

Edhe gjatë intervistës së regjistruar, ai theksoi se studimet e Prof. Ramadanit kishin frymëzuar shumë shkrimtarë e artistë shqiptarë, duke përfshirë edhe veten.

Për mua, kjo ishte një dëshmi e veçantë e ndikimit të tij përtej muzikologjisë.

Por marrëdhënia e tyre kishte edhe një përmasë njerëzore.

Profesori na kishte treguar disa herë se Kadareja kishte ndikuar në lirimin nga burgu të vëllait të tij, Hodos.

Ai e kujtonte këtë ndihmë me mirënjohje dhe kjo ishte një nga arsyet pse dëshironte që Ismaili të ishte pjesë e dokumentarit.

Kështu, ajo intervistë më zbuloi më qartë një marrëdhënie mirënjohjeje të ndërsjellë: Kadareja vlerësonte ndikimin intelektual të profesor Sokolit, ndërsa ky nuk e harronte ndihmën që, sipas dëshmisë së tij, shkrimtari i kishte dhënë familjes.

Prof. Rado e njohu edhe babanë tim, Xhemailin. U takuan shpesh here.

Ky është një kujtim që e ruaj me dashuri. Babai im kishte kaluar një jetë të vështirë, të lidhur me arsimin, përndjekjen dhe qëndresën për të ruajtur dinjitetin. Edhe profesori kishte përjetuar padrejtësi të rënda.

Për mua kishte një kuptim të veçantë që ata të njiheshin.

Kam një peng që më ka mbetur deri sot: nuk kam një fotografi të tyre së bashku.

Kam ruajtur shumë fotografi me njerëz të ndryshëm, por pikërisht atë takim nuk e përjetësova.

Me kalimin e viteve e ndiej edhe më shumë mungesën e saj. Sepse ka çaste që, kur ndodhin, nuk e kupton sa të rëndësishme do të bëhen më vonë.

Më 12 korrik 1998, kur unë dhe Aida u martuam, Kosova ishte në luftë.

Ishte një periudhë e rëndë për familjen time dhe për gjithë shqiptarët e Kosovës. Babai im dhe familjarët e mi nuk mund të ishin pranë nesh ashtu siç do të kishim dëshiruar.

Në atë ditë, Prof. Rado dhe Lili zunë vendin e tyre.

Nuk ishte një gjest protokollar apo një nderim formal ndaj një profesori të madh. Ishte diçka shumë më e thellë.

Ata ishin bërë pjesë e familjes sonë.

Në një kohë kur mendjen dhe zemrën i kishim edhe te Kosova, profesori dhe Lili na qëndruan pranë si prindër.

Këtë nuk mund ta harroj.

Në vitin 2000 pata fatin të jem dëshmitar i një takimi të paharrueshëm mes Prof. Rados dhe aktorit të madh Bekim Fehmiu.

Ata njiheshin prej kohësh. Në bisedë u rikthyen edhe te viti 1972, kur profesori i kishte dhuruar Bekimit regjistrime me zërin e Aleksandër Moisiut, aktorit të madh me origjinë shqiptare që kishte lënë gjurmë në teatrin evropian.

Ishte një takim me shumë emocione. Dy njerëz të kulturës shqiptare, me jetë dhe përvoja të ndryshme, po rikthenin kujtime të përbashkëta.

Unë i vështroja, dëgjoja bisedën dhe përpiqesha të mbaja mend gjithçka.

Në ato çaste do të kisha dashur që sytë e mi të ishin kamera.

Të mund të ruaja çdo shikim, buzëqeshje e gjest të tyre.

Sepse disa takime kanë një bukuri që nuk mund të përsëritet dhe kujtesa, sado e fortë, nuk arrin t’i ruajë të gjitha.

Përmes profesor Ramadanit njoha edhe njerëz që më vonë u bënë miqtë e mi. Njëri prej tyre ishte tenori Kastriot Tusha.

Profesori pati një rol të veçantë në njohjen dhe miqësinë tonë. Ai nuk të jepte vetëm njohuri apo këshilla; të afronte me njerëz që mund të bëheshin pjesë e jetës sate.

Në albumin tim ruaj fotografi nga vite të ndryshme me Prof. Radon dhe miqtë tanë, kur i shoh sot, më kujtohen bisedat, njerëzit dhe një kohë që nuk kthehet më.

Profesor Sokoli ishte mik i shumë piktorëve dhe skulptorëve. Disa prej tyre e përjetësuan edhe në vepra arti. Ndër artistët që kanë realizuar portrete të tij janë Buron Kaceli, Fatos Kola, Fatmir Carkanji-Lordi, Ibrahim Turkeshi etj.

Secili e ka parë me syrin e vet, duke kërkuar të ruajë diçka nga personaliteti i tij.

Unë, kur i shoh këto portrete, kujtoj zërin, buzëqeshjen, humorin, gjestet dhe mënyrën si na priste.

Një portret mund të ruajë pamjen. Kujtesa ruan njeriun.

Për profesor Ramadan Sokolin nuk u realizuan vetëm piktura, skulptura e portrete. Jetës dhe veprës së tij iu kushtuan libra, ndër të cilët monografia “Ramadan Sokoli – jeta dhe vepra”, e Osman Xhatufës, si dhe shumë shkrime në gazeta, revista e portale.

U realizuan intervista, dokumentarë dhe emisione në radio e televizion.

Sidomos pas viteve ’90, kontributi i tij në kulturën shqiptare mori një vlerësim më të gjerë publik. Atij iu dhanë çmime, tituj e dekorata, si gjatë jetës, ashtu edhe pas ndarjes prej saj.

Për mua, çdo vlerësim që i është bërë dhe mund t’i bëhet profesor Ramadan Sokolit mbetet i pamjaftueshëm përballë trashëgimisë që ai i la kulturës shqiptare dhe pasurisë së jashtëzakonshme që nxori në dritë nga thellësitë e kujtesës sonë kombëtare.

Nuk është qëllimi im t’i rendis të gjitha. Për mua, përtej librave, portreteve dhe nderimeve, mbetet njeriu që pata fatin ta njoh nga afër, me dijen e jashtëzakonshme, humorin, thjeshtësinë dhe dashurinë për njerëzit.

Ramadan Sokoli nuk u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Por di se vepra, formimi dhe ndikimi i tij në kulturën shqiptare ishin të jashtëzakonshme.

Ai kishte dije që shkonin përtej një fushe të vetme. Mund të fliste me autoritet për muzikën, folklorin, historinë, artet figurative, letërsinë dhe traditat e popullit tonë.

Për mua, Prof. Rado ishte Profesori i Profesorëve.

Nuk u bë akademik.

Por ishte vetë një Akademi.

Me kalimin e viteve, mosha solli vështirësitë e veta. Pas ndarjes nga jeta të Lilit, mungesa e saj ndihej në shtëpi dhe në përditshmërinë e profesorit.

Por ai ruajti interesimin për njerëzit dhe për kulturën.

Miqtë vazhdonin ta vizitonin dhe bisedat vazhdonin.

Nuk ishte e lehtë të shihje njeriun që kishe njohur aq energjik duke u përballur me kufizimet e moshës.

Më 11 mars 2008, profesor Ramadan Sokoli u nda nga jeta.

Me largimin e tij humba një mik që kishte qenë pranë meje në një periudhë vendimtare të jetës, një njeri që më kishte mësuar shumë, pa më kërkuar asgjë në këmbim.

Por kujtimet me të nuk u zbehën. Me kalimin e viteve, shumë prej tyre morën një kuptim edhe më të thellë.

Në qershor 2020, Presidenti i Republikës e dekoroi pas vdekjes profesor Ramadan Sokolin me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm familjarë, miq dhe njerëz që e kishin njohur e vlerësuar.

Për mua, ajo ditë kishte një domethënie të veçantë.

Në prani të vajzës së tij, Lindës, familjarve dhe miqve të përbashkët, kujtimet u rikthyen natyrshëm.

Mendova për shtëpinë e profesorit, për Lilin, për bisedat, udhëtimet, miqtë dhe vitet që kishin kaluar.

Mendova edhe për pianon që ishte detyruar të shiste.

Një regjim e kishte përndjekur, burgosur dhe penguar në punën e tij. Shumë vite më vonë, shteti shqiptar po i jepte një nga nderimet më të larta.

Por Prof. Rado nuk ishte më aty për ta marrë.

Kam njohur gjatë jetës sime shumë personalitete të politikës, diplomacisë, kulturës dhe jetës publike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Disa kanë pasur poste të larta, të tjerë famë, tituj apo ndikim. Por jo të gjithë kanë lënë gjurmë të thella në jetën time.

Prof. Rado ishte nga ata njerëz që të mbeten pranë edhe kur nuk janë më.

Nuk e kujtoj vetëm si etnomuzikologun, kompozitorin apo studiuesin që kërkoi rrënjët e muzikës shqiptare ndër shekuj.

E kujtoj si njeriun që më hapi derën e shtëpisë dhe të zemrës.

Si mikun që më prezantoi me një Shqipëri që nuk e njihja.

Si profesorin që më mësoi të çmoja dijen, kulturën dhe dinjitetin njerëzor.

Si babanë që, në prag të dasmës së vajzës, u detyrua të ndahej nga pianoja.

Si bashkëshortin që i kushtoi Lilit fjalët për rrugën plot ferra të jetës së tij.

Si njeriun që i donte vajzat, nipërit, mbesat, familjarët dhe miqtë. Si atë që na bëri miq edhe me njëri-tjetrin.

Dhe, mbi të gjitha, si Radon që më thërriste:

“Shkopi i pleqërisë.”

Nuk e di nëse gjatë atyre viteve arrita t’ia kthej gjithë dashurinë dhe mirësinë që më dha.

Por e di se ai më la një pasuri që nuk matet me libra, tituj apo dekorata.

Më la kujtime, miqësi, mësime dhe një mënyrë për ta parë njeriun.

Sa herë e kujtoj, më duket sikur dëgjoj përsëri zërin e tij.

Dhe kuptoj se disa njerëz nuk largohen vërtet nga jeta jonë. Ata vazhdojnë të jetojnë në atë që na kanë mësuar, në njerëzit me të cilët na kanë lidhur dhe në kujtimet që na kanë lënë.

Prof. Rado ishte njëri prej tyre.

Dhe për mua do të mbetet gjithmonë Profesori i Profesorëve, mësuesi dhe babi im shpirtëror dhe miku i pazëvendësueshëm!

#JamShqiptar….🇦🇱

Portreti i Prof. Ramadan Sokolit

Piktor: Fatmir Carkanji – Lordi

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 3328
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR KOLEC DHE RICHARD NDOJA DHURUAN 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • Noli, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia…
  • 40 emra, 1 flamur: Kush e shpalli Pavarësinë më 28 Nëntor 1912
  • Pse Shqipëria e shpalli e fundit pavarësinë nga Perandoria Osmane?
  • GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU, PJETËR BOGDANI DHE ADEM JASHARI TRI SHTYLLA TË KUJTESËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR
  • OKB në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave
  • JETA SHQIPTARE PËRTEJ KUFIJVE TË NJË HISTORIE INDIVIDUALE
  • BRUNO SELIMAJ, NJË HISTORI SUKSESI NË AMERIKË DHE LETRA NGA Z. JAKUP KRASNIQI, 1999!
  • TRAGJEDIA E TRANZICIONIT SHQIPTAR: KUR PADREJTËSIA U BË NORMË DHE DINJITETI PËRJASHTIM
  • Si u trajtua çështja e kufijve të Çamërisë nga Qeveria e Vlorës në vitet 1912–1914
  • Peter Prifti In Memoriam – Dedikimi për Fan Nolin, Peteri dhe Naum Prifti
  • Pesë revolucione. Një jetë që vazhdon të frymëzojë botën
  • “GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE KOSOVA”
  • FESTIVALI I LIBRIT NË NJU JORK–DËSHMI E GJALLË E IDENTITETIT SHQIPTAR
  • Prof. Ramadan Sokoli – njeriu që ruajti tingujt e një kombi, por humbi pianon e vet

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT