
(Pamflet) Nga Rafael Floqi/
Në Samitin e Diasporës në Tiranë, gjithçka dukej e kuruar me kujdes: skenografia, fjalimet, narrativat optimiste dhe një vizion i Shqipërisë që pret me krahë hapur bijtë e saj të larguar. Shkallët e jashtme të Pallatit të Kongreseve u veshën me tapet të kuq, ndërkohë që simboli i shqiponjës dykrenare në murin ballor mikpriste dhjetëra shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, të ftuar në aktivitetin e qeverisë të njohur si Samiti i Diasporës.
Ky është samiti i katërt që qeveria organizon në harkun kohor të dhjetë viteve, pa pasur një bilanc të qartë mbi përfshirjen reale të diasporës në zhvillimin e vendit. Përkundrazi, ajo që bie në sy është përsëritja e së njëjtës skenografi politike: shumë fjalë për kthimin, pak mekanizma për përfshirjen; shumë premtime për investime, pak siguri për investitorët; shumë emocione patriotike, por pak vullnet për të ndërtuar ura reale bashkëpunimi.
Samiti nisi me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili foli për “Paketën e Maleve”, për mundësi të reja investimi dhe për një Shqipëri që, sipas tij, është bërë magnet për zhvillim. U fol për votën e diasporës, për suksesin e reformave dhe për klimën e favorshme për kapitalin e emigrantëve. Por u shmang pyetja thelbësore: çfarë lloj zhvillimi i ofrohet Shqipërisë dhe diasporës? Zhvillim për kë, në ç’ sektorë dhe me çfarë vizioni afatgjatë?
Sepse, po të shihet me vëmendje, modeli i zhvillimit që promovon Rama duket se njeh vetëm një alfabet: asfaltin, fasadën, kullat, resortet dhe shkurt atë zhvillim që matet me beton, me karta propagandistike dhe me postime në rrjetet sociale. Shqipëria paraqitet si një vend që ecën përpara, por ecja e saj duket se kufizohet në rrugë, aeroporte pa fluturime, projekte turistike sezonale dhe një ekonomi që nuk ndërton prodhim të qëndrueshëm.
Dhe këtu lind pyetja më serioze: pse Shqipëria nuk investon në industri? Pse nuk investon në industri përpunuese? Pse nuk investon në industrinë petro-kimike? Pse një vend që nxjerr naftë nga nëntoka e vet vazhdon ta eksportojë atë si lëndë të parë bruto dhe më pas t’i blejë derivatet e saj me çmimet më të larta në rajon? Pse duhet që pasuria natyrore shqiptare të largohet e papërpunuar dhe t’i kthehet qytetarit shqiptar si barrë e shtrenjtë në pompë, në transport, në prodhim, në jetën e përditshme?
Kjo nuk është thjesht pyetje ekonomike. Është pyetje politike, strategjike dhe kombëtare. Një vend që eksporton naftë bruto dhe importon karburant të përpunuar me çmime të larta, në të vërtetë eksporton dobësinë e vet dhe importon varësinë e vet. Ai humbet vlerën e shtuar, humbet vendet e punës, humbet dijen teknike, humbet mundësinë për të ndërtuar zinxhir industrial dhe më në fund humbet edhe sovranitetin ekonomik. Në vend që nafta të kthehet në bazë të një industrie kombëtare, ajo mbetet një lëndë e parë që i shërben të tjerëve, ndërsa qytetari shqiptar paguan faturën më të rëndë.
Një qeveri që flet çdo ditë për zhvillim duhet të japë përgjigje të qarta: pse nuk u krijua një strategji e vërtetë për përpunimin e naftës? Pse nuk u ngritën politika serioze për rafinim, për industri kimike, për nënprodukte, për plehra kimike, për lubrifikantë, për sektorë që do të hapnin vende pune dhe do të rrisnin eksportin me vlerë të shtuar? Pse Shqipëria duhet të mbetet treg konsumator dhe jo vend prodhues? Pse qeveria e sheh zhvillimin vetëm te bregdeti, te resorti dhe te fotografia, por jo te fabrika, teknologjia, laboratori dhe uzina?
Ministri i Jashtëm premtonte strategji të reja dhe koordinim institucional për periudhën 2026–2030, ndihmë për gjuhën shqipe dhe bashkëpunim me diasporën. Por pyetja mbetet po aq e fortë: sa herë është takuar realisht shteti me diasporën jashtë protokollit dhe jashtë podiumeve? Sa projekte të prekshme janë mbështetur? Sa qendra kulturore janë hapur? Sa konsullata janë shtuar në vendet ku diaspora shqiptare është masive? Pse në Michigan, ku jeton një numër i madh shqiptarësh, nuk ka një prani konsullore që t’i përgjigjet realitetit të komunitetit?
Mos harrojmë: shqiptarët e diasporës e kanë ndërtuar prej kohësh Shqipërinë natyrale. Ata kanë ruajtur gjuhën, kanë hapur shkolla, kanë financuar aktivitete, kanë mbrojtur çështjen kombëtare, kanë lobuar në Perëndim dhe kanë ndërtuar ura që shpesh shteti nuk ka ditur as t’i konceptojë. E megjithatë, politika shtetërore ndaj tyre mbetet e fragmentuar, ceremoniale, thuajse dekorative.
Lobimi shtetëror nuk koordinohet seriozisht me shoqatat e diasporës, me organizata historike si “Vatra”, E vërteta e diasporës nuk është podkasti i Ramës. Cilat janë politikat e koordinimit te lobizmit qeveritar me lobizmin e shoqatave te tilla si Vatra, apo Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, apo AAF, apo AARC, Këshilli Për Marrëdhëniet Shqiptaro Amerikane shoqata qe njihen e bashkëpunojnë me Kongresin Amerikan. Sa biznesmenë dhe intelektuale te rinj e te vjetër ka diaspora shqiptaro amerikane veç Mark Gjonajt emrit i të cilit në katër vite solli vetëm njё ish kryetar bashkie i New Jorkut Adams që pasi humbi zgjedhjet e natyralizuan shqiptar.
Pse ky samit nuk është ndërtuar për të nxjerrë në pah vlerat reale të diasporës, ata njerëz që për 25 vjet me radhë punojnë për kombin, për gjuhën, për kulturën dhe për imazhin e Shqipërisë jashtë vendit? Pse duket se çdo gjë organizohet për të shtuar duartrokitjet për një skenar të parapërgatitur dhe jo për të dëgjuar realisht ata që kanë diçka për të thënë?
Por ky skenar i bukur u përplas me realitetin. Dhe jo nga opozita politike, por nga vetë diaspora.
Në një nga panelet, juristja shqiptare që punon në Prokurorinë e Bolonjës, Eva Baçi, bëri atë që rrallë ndodh në këto samite: e prishi regjisë.
“Jeni larg realitetit!” ishte akuza e saj e drejtpërdrejtë ndaj politikës. Ky nuk ishte një reagim emocional, por një akt akuze i strukturuar ndaj një sistemi që, sipas saj, e përdor diasporën si dekor, por nuk e përfshin si aktor. Ajo e tha qartë: diaspora nuk vjen në samite për të mbushur karriget. Diaspora nuk është numër. Diaspora kërkon të dëgjohet. Dhe, megjithatë, paradoksi më i madh ishte se vetë zëri kritik nuk gjeti hapësirën që meritonte.
Baçi përdori një metaforë të fortë: “Skenari është shkruar shumë bukur, por mungojnë aktorët kryesorë.” Kjo është ndoshta diagnoza më e saktë e marrëdhënies mes shtetit dhe diasporës. Sepse shteti shqiptar ka ndërtuar një narrativë të bukur për diasporën: një komunitet global i suksesshëm, një burim investimesh, një urë mes Shqipërisë dhe botës. Por mungon pjesëmarrja reale. Diaspora trajtohet si objekt i politikave, jo si subjekt i tyre.
Dhe ndërsa në sallë flitet për investime dhe rikthim, jashtë sallës realiteti flet ndryshe. Një investitor përballet me pasiguri ligjore, prona mbetet konfliktuale, projektet shpallen si fitore para se të provojnë funksionalitetin e tyre, ndërsa klima e përgjithshme për biznesin vazhdon të prodhojë mosbesim. Si mund t’i kërkosh diasporës të investojë në një vend ku prona nuk është gjithmonë e sigurt, ku rregullat duken të paqëndrueshme dhe ku shteti shpesh perceptohet jo si garant, por si burim pasigurie?
Në këtë kuptim, pyetja e Eva Baçit ishte shumë më e madhe sesa rasti i saj personal. Ajo përfaqësonte një brez profesionistësh që nuk kërkojnë lëmoshë, por hapësirë; nuk kërkojnë privilegj, por meritë; nuk kërkojnë dekoratë, por mundësi reale. “Shqipërisë nuk i mungon truri. I keni mbyllur dyert.” Kjo është fjalia që përmbledh gjithë dramën e samitit. Një nga kritikat më të forta të saj ishte se diaspora trajtohet si statistikë. Dhe kjo dhemb pikërisht sepse është e vërtetë. Një e tretë e kombit jeton jashtë, por në shumë raste kjo fuqi njerëzore, intelektuale dhe ekonomike përmblidhet në shifra, në duartrokitje dhe në dekor patriotik. Njerëzit që mbajnë familje, biznese, shkolla, media, aktivitete kulturore dhe rrjete lobimi mbeten shpesh pa zë, pa emër dhe pa përfaqësim.
Edhe kjo është pjesë e problemit ekonomik që ngritëm më sipër. Sepse një shtet që nuk di të përfshijë diasporën në strategji zhvillimi, nuk di as ta ndërtojë zhvillimin. Diaspora nuk mund të thirret vetëm për të blerë apartamente, për të hapur një bujtinë a për të investuar në ndonjë resort. Ajo duhet të ftohet të marrë pjesë në projekte të mëdha kombëtare: në industri, në energji, në teknologji, në përpunim, në universitete, në kërkim shkencor, në diplomaci ekonomike. Vetëm atëherë bashkëpunimi bëhet strategjik dhe jo folklorik.
Vlerat e vërteta të diasporës nuk janë vetëm remitancat. Janë sakrifica, profesionalizmi, përkushtimi për identitetin, dëshira për të kontribuar dhe aftësia për të sjellë kulturë pune, dije dhe standarde. Kur Eva Baçi thotë se punon 14 orë në Itali dhe mund të punojë 20 orë për Shqipërinë, ajo nuk bën retorikë. Ajo shpall potencialin e një Shqipërie tjetër, që ende nuk po ndërtohet.
Ky pamflet, pra, nuk është thjesht kritikë ndaj një samiti. Është kritikë ndaj një modeli. Nga njëra anë kemi një shtet që flet për diasporën si shpresë; nga ana tjetër kemi një diasporë që kërkon vetëm të dëgjohet. Nga njëra anë kemi një qeveri që e quan zhvillim ngritjen e kullave, asfaltin, resortin dhe reklamën; nga ana tjetër kemi pyetjen themelore që mbetet pa përgjigje: pse Shqipëria nuk ndërton industri? Pse nuk e përpunon pasurinë e vet? Pse eksporton naftë bruto dhe importon varësi? Pse qytetari shqiptar duhet të paguajë më shtrenjtë për produktet që burojnë nga toka e vet?
Derisa këtyre pyetjeve t’u jepet përgjigje serioze, çdo strategji do të mbetet letër, çdo paketë do të mbetet slogan dhe çdo samit do të mbetet skenë pa aktorë.
Sepse diaspora nuk kërkon privilegje. Ajo kërkon drejtësi, hapje, meritë dhe respekt.
Dhe pa këto, Shqipëria nuk humbet vetëm investime.
Ajo humbet njerëzit e saj më të mirë.