• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

June 24, 2022 by s p

De omnibus dubitandum

 “ De omnibus dubitandum” –   tha latini.

Kierkegard   citat  kopsiti dhe njëherë,

Marks, Robin Hudi i Hegelit  si pinguini

E futi nën pupla   për t’a vjedhur përherë.

Në libra … kjo  thënie në  kohë pa diell

Më mësoi t’ ecja mbi bajoneta i palënduar, 

N’ dimrin e acartë dhe  nën tokën   thellë

Kur shpresa grishte   sërish qiellin e kulluar. 

Porsa u bëra një apostull i paqes  së shtime,

Sofër  shpirtin  për ata që i kish dënuar Zoti!

Minj , gjarpërinj hynë nën sqetullën time ,

Gjaku i keq , t’ pabesë …  kurtizane  moti .

Përsëri më gëzon luftë  e fituar vështirë,

Duke kujtuar Abraham në Sadomë – Gamorë…

Që iu lut engjëjve : – Zot ,  fal në ka  të mirë ?!

Dhe un’ lutem  për ata që kan’  besë e Orë .

Burri i urtë

Një rrenaxhi e burracak

Bash delenxhi e matrapaz

Loz si zengjin ky rjepacak

Në qafë gurë  fallso  topaz:

– A e dini more të mjerë 

Çfarë  kam varur në qafë 

Që dhe  dimrin e bën verë

Qaf’n e patës e bën xhirafë!

Serbes në derë tek dyqanxhi:

-Merhaba birinxhi argjendar! 

Sa okë ke ti me inxhi 

Me peshu kyt gurë n’ kandar ?

M’ durim e kundron  argjendar

Prej në gisht deri në kokë: 

– Çun, për si ti nuk kam kandar…

Shes me gram dhe s’blej me okë!

Unë ju them

Unë ju them  kush keni qenë dhe kush jeni!

Ju , më thoni si më quajti  enverizmi …

Baballarët tuaj dhe fiset prej qeni

Ku lindi lehja , krimi, hajnia e bullizmi?!

Ethtrinjë ! Unë vij nga larg dhe  shkoj më larg…

Atje ku mbretëron paqe , dashuri  e nur ,

Mijëra  ngjyra lulesh ,  bahçevanë  engjëjt  varg ,

Ombrellë ajri…, fron bisqesh   stolis me  bozhur.

Këshillë

Mëshira asht sevap, dritë

Për të humbunin zhytun  në terr…

Por , keni me u zhgënjye   tue pritë

Qi  dialli  një ditë me u ba berr !

Njeri, ç’është miku

Njeri , po t’ pyes ç’është miku…

a është  shpirt apo urë ?

Apo ishte , s’ësht çifligu…

gëlqere , ar dhe pëlhurë !

Ju do m’ thoni  mijëra fjalë… 

torbën plot  me  pleonazmë ,

buzagaz mbi t’ bardhin  kalë

Do u them kush është fantazmë…

Jeta ka dy dyer

Ka grenza  ka  dhe  bletë…

Aderencë  e genesisë ,

Në dy dyer kalon   jetë :

Një e djallit ,  një e Perëndisë.

Samartari dhe Duka 

Dukë mbi kalë ngreh si kokosh

Fisnik nga soji por kok’ bosh

Nis  me u tall me samartar

Jo si Dukë , as  si hokatar:

-Si i bëhet more djalë 

Me e vu  një  samar mbi shalë ?

– Kam dëgjuar shalë mbi samar 

Këtë e di  kërriç   e  gomar !

Lacrimosa (Moxart-Luçino) Përkthim

Lacrimosa dies illa                                       (Latinisht)

Qua resugent ex favilla

Judicandus homo reus. 

Huic ergo parce , Deus;

Pie Jesu Domine

Dona eis requiem. Amen.

Mbushur me  lotë  at’ ditë                            (Shqip )

Prej pluhuri ka me u ngritë… 

Fajtori  gjykimin ka me marrë.

O Zot me e falë ;

Jezus mëshirëplotë

Jepja  paqen n’ at’ botë. Amen !

——————————————–

*- De omnibus dubitandum = Dysho për gjithçka.

Shprehje Latine  që e perdori Kierkegaard  dhe Marks. 

Ky i fundit e beri  “quoten”  e tij. 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

May 10, 2022 by s p

             Echo XXI

Qaj o lum mbi globin e universit tem.

Qaj për detet e shterruna të truve 

qi përditë   bahen fli  nji e nga nji 

tue u shue prej shkëlqimit  të rrem.

Qaj o kolumri për vllaznit e Abelit,

qi pantallonat i ban fustane …

e fustanet çakshirë  tue i turpnue  xhubletat!

O Zot i universit! Bjeri trumpetave dhe shalo meteorët

qi mos me shue krejt kyt krisje  qytetnimi…

ku dhe pse Hyu ka 2000 vjet qi robtohet m’e ndërtue njeriun, por ai prap  zvarritet  si gjarpni. 

Metamorfoza mundet me ardhë  dhe prej kataklizmës ,

qi me shërue hipokondrinë e shekullit t’ mallkimit 

t’ librit, q’ asht zëvendësue  me shabllonin tabloid.

Qaj o qiell me  atë vaj   qi bane Noen me lundrue 

n’ Ararat…

E kataklizma ripërtërin shpresën qi njeriu me e njoft vedin  tue nderue lavdin Tande.  

Atëherë  kam me këndue me shtojzovallet qi jan msheh prej frikës n’ qendër të tokës … e , globet e kshnellave kam me i kurdis në nji kor me kumont e katedraleve , tue thirr  në kup t’ qiellës , Halleluujaah !!!

Mundesh me has

N’ gardhe ka  edhe kaçamij,

si  n’ ferra ka edhe  lule.

N’ saraje futen dhe  mij ,

n’ shoqni,  hipokrit pa  tule. 

Mundesh me has dhe zagarë 

qi i lehin  zogjve t’ qiellit…

burimit e ujëvarë,

ku i bajn , “ ham” dhe  diellit!

Pan Gu 

O miku jem Pan Gu ,  koka jote u bë mal…

                                       e sytë diellë e hënë,

gjak’ lumë-ujë , flok’t pemë , mishi tokë u fal . 

Nu Wa,  degën e manave e tërhoqi n’ baltë

                         dhe i  shkundi njerëz  mbi dhe! 

Po , prej asaj kohe dhe sot… mbetën të  pafe ?!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj

Sakrilegji i Kuq

April 15, 2022 by s p

Nga Alfons Grishaj/

Ka ditë që qarkullon një foto e 12 Apostujve të DaVinçit e  ndryshuar nga anti-Krishtë, që njihen si spiunë të Partisë së Punës dhe sahanlëpirës të komunizmit, ku në bashkëpunim  me vjellës të Logos dhe vulës së Vatrës e emrin e Diellit, mendojnë të na shantazhojnë me pislleqe ordinere.… Pamundësia për të na mposhtur më votë, krijoi frontin e neveritjes.

Ata po përdorin “llogoret tona”, për të bindur “botën” dhe veten, që kanë të drejtë me përçudnime, gënjeshtra e manipulime, duke thirrur nën armë dhe Dylqinjën e Topozës, yllin që po shëndrit në pleqëri buzë supernovës!

Rezulton se, në  shtratin e kësaj përçudnie  kanë kontribuar ca  emra mjeranë që kanë dëshirë të bëhen të mëdhenj pa qenë as të vegjël, por vetëm minj  të shoqërisë së Hadit. A mund të fshihet ujku pas këlyshit të tij? Kurrë ! Çdo ballone artificiale e fryrë me pordhë dhe pse tërheq për një kohë “çudibërës e çudimbrojtës”  ka një destinacion: fundin e uthullës së fortë që then enën e vet!

Megjithatë, i takon drejtësisë amerikane të merret më fallsifikatorë (që njëri nga ta e ka provuar gjobën e gjykatës për shpifje) dhe piratë (krimba) të internetit që thejnë ligjet e vendit në fuqi. Kalorësit e fytyrave të vrerosura dhe Dylqinjat plaka  në momentin që do të ballafaqohen me drejtësinë e qytetërimit ligjor do heqin poturet, duke mohuar infiltrimin abuziv dhe evokuar regjimin e malit dhe pyllit ku fshinin prapanicën me  gjethe e gurë dhe bash një nga këta, talentë në moshë të vonuar, po bën çudira duke e ngritur  shkencën në absurditet,  siç  bëri me  “pëshkrimin ideal” të bretkosës së detit, kur ajo ekziston vetëm në fanazinë e tij, por shkencërisht asgjëkundi! O Tempora! O Mores! Don Kishoti ka bërë dhe një listë “militantësh” ku gjysma e tyre ia kanë përplasur në fytyrë që t’ia heqin emrin nga ajo listë e turpshme dhe ai jo vetëm nuk i ka fshirë emrat, por kur njerëzit i shkruajnë, “m’a hiq emrin!” Ai  me paturpësi i përgjigjet, “ I am sorry, who is this ? Bash me këto njerëz të pandërgjegjshëm, ne,  duhet të bëjmë deal që të mos  bëjnë “Vetvrasjen e Trumcakut”!

        Ashtu siç shkrojta më lart,  foto e montuar  është një sakrilegj mortal që bëri një reaksion tepër negativ, sepse besimtarët kërkojnë fajtorin ndërsa lukunia zullumbërëse mëkatare po feston budallallëkun, duke harruar se, Zoti punon në mënyra misterioze. Kudo e keqja është  një karrige të thyer që të gërvish veshët dhe trurin…

Persona të indinjuar më telefonuan dhe pyetën se kush mund të jetë kaq i pa fe sa në këto ditë të Krishtit të bëjë këtë mëkat, duke vënë fytyrat tona në vend të Krishtit  dhe apostujve? Pata telefon dhe prej një prifti të shenjtë që goja i nxjerr veç mjaltë e paqe. Unë heshta megjithëse i njoh mjeranët që e kanë bërë këtë shëmti, por duke kujtuar mundimet e Krishtit (Azreti Isa-së), që u mohua dhe nga Shën Pjetri në hapësirën e parashikimit të thënë, vendosa të pranoj fjalët e Atit tonë. 

Shoqëria jonë hipokrite është fajtore e skenave dhe turpeve. Miklimi i të keqes është bashkëfajësi që njeriun e bën mëkatar të dorës së dytë. Heshtja është lurtuesja më e dëmshme dhe më e dhimbshmja e krimit të menduar që gjen shtratin për tu zbatuar në praktikë.

          Sikur të luhej me figurën e Muhametit, ashtu siç lozën  mjeranët me figurën e Krishtit,  do digjej një pjesë e Michiganit dhe minjtë do të piqeshin në hell! Dhe më keq, sikur të ishte gjallë Tomas Turkuemada, mjeranët anti-Krishtë do të muroseshin të gjallë!

Por ja që ne nuk kemi dëshirë  që një gjë e tillë të ndodhë, që anti-Krishtët në këto ditë  të Pashkëve të, sepse, Krishti na mëson të falim. Po a falen  minjtë e galerave, ateistë  që prej vitesh hedhin helm kundër Kishës, Xhamisë, Vatrës dhe personaliteteve jetikë që kanë kontribuar në vite për çështjen kombëtare? Unë them, Po! Falja është mekanizmi i urtësisë dhe dashurisë ndaj Hyut, fitore e paqes së bekuar. Nuk ka gjë më madhështore se kur njeriu e shikon gjarpërin  duke vijëzuar në pluhur dhe i hap rrugën zvarranikut që e ka dënuar Zot i madh për t’u zvarritur gjithë jetën. Urtësia njerëzore nuk presupozon revanshin, por zbutjen e orës finale. Sa më tepër njeriu të preventojë  energjinë negative  aq më tepër fiton sigurinë e pakrahasueshme të  jetës ndaj vdekjes .  Sigurisht orët e punës  së Djallit nuk mund t’i amortizojë njeriu i thjeshtë, por vetëm mjeshtërat religjozë që merren me shërimin e shpirtrave të ligj . 

Shën Mikeli kishte katër detyra dhe një ndër detyrat  më të rëndësishme që kishte ishte  mbrojtja e Kishës. Pra  i takon atij të selektojë anti-Krishtët që janë kundër të vërtetës dhe jetës , shpresës dhe ditëve  të bukura. 

         Ashu siç kam thënë dhe më parë,  natyra  njerëzore është gjithnjë superiore, prandaj shembujt e këqinj nuk duhen marrur si sfidë , por me mëshirë, me qëllim që mos të ushqehet e keqja më të keqe, por e mira mbi të keqen. Versimilituda  duhet të ketë pushtetin e shkërmoqjes së fallsitetit dhe hipokrizisë së rastit që ngjirret për drejtësi të stisur! Marrëzia është burimi i çdo të lige, por që ta minimizosh atë duhet t’a futësh në sitën e korigjimit analitik të mençurisë.  

Lavdia e gjakut të pastër ka një  status:  Pasaportë njerëzore për të hyrë tek portat e Zotit, ku jo të gjithë e kanë atë privilegj, prandaj ai privilegj nuk fitohet kurrë me sakrilegj!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

KODI MORAL NË POLITIKË

October 9, 2021 by s p

NGA ALFONS GRISHAJ

Çfarë do t’i shërbente më mirë  Shqipërisë  për të ecur përpara, “Kod Moral” në politikë apo moral i burrit të shtetit pa “Kod Politik”? 

       Kjo është një pyetje që do të sillte  përgjigje të ndryshme, ku sipas mendimit tim do të predominonte: “Kodi Moral”! Sepse pa të nuk ke kualitet personal, nuk ke staturën për një mbështetje masive, edhe për faktin se vë në pikëpyetje besueshmërinë tënde si Lider (Basha). Nëse “Kodi Moral” është kaq i rëndësishëm në figurën e politikanit përse  Lulzim Basha e shkeli  këtë kod ? 

          Në politikë, çdo lëvizje  gjurmëlënëse e ka një prapavijë diplomatike dhe lëvizje të tilla njihen si të ftohta pa trokthin  e zemrës, me  një mizanskenë të ngrirë, shtrëngim duarsh e buzëqeshje fallso, ose me një fytyrë të perënduar ku tregon se rrethanat  sollën  një vendim të padëshëruar po që duhej marrë. Sikur vendimi të merrej në bazë të normave të shkruara dhe shumica e voton … duhej përshëndetur si një arritje diplomatike dhe demokratike. Por, nëse shkelen normat dhe uni merr vendim pa votën e shumicës…është antidemokratike dhe amorale se morali nuk është një monedhë nomizmatike, por standarti më  brilant i virtytit.

              Çdo lëvizje politike deformuese apo reformuese ka një kosto: Kompromisi i Lulëzim Bashës në kurriz të liderit historik të PD-së, Dr. Sali Berisha, shtroi një pyetje për të gjithë ne: çfarë do t’i shërbente më mirë  Shqipërisë  për të ecur përpara,“Kod Moral” në politikë apo moral i burrit të shtetit pa “Kod Politik”? 

Vendimi i Berishës për të lënë Bashën si pasues qe  tepër delikat dhe  i pamenduar  mirë!  T’i dorëzosh një kontribut kombëtar të mijëra demokratëve një njeriu, kushdoqoftë ai, që nuk e njeh ende Partinë Demokratike, nuk e ka shoqëruar rrugëtimin e saj duke kaluar nëpër struktura,  shtron pikëpyetje.  Filozofi popull , kur sheh ndonjë shtëpi të bukur e  pyet të zonë : “ A e ke ndërtuar vetë apo ta ka lanë baba?”  Pra, zotni Basha e ka kollaj se shtëpinë e “të parëve “ nuk e ka ndërtuar vetë , por  as Sali Berisha nuk e ka ndërtuar  i vetëm , po aktualisht ai ka tagrin e lidershipit historik! Megjithatë, Partia Demokratike është kontribut i heronjve , mijëra qytetarëve , studentëve, fshatarëve , nxënësve, të cilët sakrifikuan për ditë më të mira  që nuk i panë kurrë! 

        Çdo përplasje mes të dyve nuk ka efektin e thyerjes së vezëve  ku fiton më e forta, por një reaksin zinxhir tek masa e elektoratit të djathtë. Në këtë kontekst mund të bëhet  fjalë  për një korrigjim, ringritje , daltim të standarteve demokratike , por përsëri  dilema do të mbizotërojë në kampin e djathtë.

       Berisha ka dhënë prova që  nga humbës ka dalur ngadhnjimtar. Zoti e ka pajisur  me  një natyrë burrërore  kalorsiake që di t’ia shtrijë  dorën kundërshtarit … shokëve të një ideali. Berisha e ka tel dhe derën 24/7 të hapur. Ndërsa Lulëzim Basha ka treguar se është një zyrtar teknik efikas , por  jo një lider   politik, sepse ai nuk qe në gjendje  asnjëherë  t’i bashkojë mendimet intelektuale ndryshe dhe oponencën delikate brenda Partisë. Ai është i kufizuar  në ballafaqim me kontribuesit real si me tel dhe derë të hapur . Ndoshta nesër ai mund t’a kuptojë sa i rëndësishëm është komunikimi, kolegjialiteti dhe do te reflektojë ?  Mbase  bëhet lider  si Toni Bler  që   e solli Partinë Laburiste në  qeverisje, ku shkelqeu si një nga Kryeministrat Laburist më me jetëgjatësi dhe më me peshë. Por, aktualisht , deri tani ai nuk i ka afruar  elektoratit të djathtë asnjë  strategji vizionare për fitore.  Burri i shtetit  tregon integritetin dhe lidershipin e vet me vendime të zgjuara që merr dhe jo me  grimasa teatrale që shfaq. 

Labirinthet e politikës :

           Në vitin 1997-98 ishte e njëjta tabllo kundër Berishës… Erdhën përfaqësues të lartë të shtetit amerikan  për të bërë DEAL  me Pjetër Arbnorin . Ai  nuk e shiti mikun e tij… biles e bëri  me turp delegacionin. Negociatorët që takuan Arbnorin nuk ishin në rang nëpunësi si ambasadorja Juri Kim, e cila  është vënë në shenjestër nga të djathtët. Pjesa dërmuese nuk e kupton   misionin e Ambasadores Kim,  dhe  ia vënë fajin për çdo prapësi. Zonja në fjalë e di  mirë se  kush është njëri apo tjetri , por ajo nuk mund të dalë jashtë linjës zyrtare  të  Shtëpisë së Bardhë  dhe Presidentit Biden që respekton fuqishëm kontributin  e Soros në mandatin e tij. Kjo është puna e tyre dhe ne nuk kemi e të drejtë  të gjykojmë Biden për prapësitë e Soros , sepse alancat e tyre janë të vjetra. Po! Ne kemi të drejtë të bëjmë zgjidhjen tonë , të jemi të orientuar se, Shqipëria është një shtet sovran, ku të kuptojmë që miqtë e huaj nuk janë Zot të vendit tonë por këshillëtarë dhe nganjëherë lojtarë  klani të rastësishëm që i bëjnë gjërat dhe për inertësi… 

Partneritet serioz nuk do të thotë diktat dhe shkelje normash demokratike, nuk do të thotë uniliteralizëm , shkelje e votës së lirë, minim të verdiktit të popullit , por sinqeritet dhe shkëmbim reciprok të marrëdhënieve bilaterale. 

           Politika është shkencë dhe slot mashine… , mvaret  cilën zgjedh, të parën apo të dytën . Nëse zgjedh shkencën,  ke vizion dhe i shërben me përkushtim misonit dhe atdheut, aleancave dhe të ardhmes si, Teodor Ruzvelt  e Regan.  Po zgjodhe slot mashine,  mbetesh gjysmak, pa horizont për të gjetur rrugën  e duhur, sepse kjo lloj politike është politikë interesash klanore, politikë prostitucioni ku  për ti shërbyer momentit shkel mbi çdo lloj norme, vizioni e strategji për të ardhmen. Paraqitje e tillë të bën më tepër humbës se fitues. 

Bota e qytetëruar ka pasur zigzake të tilla më parë , dhe në prag të mbarimit të luftës së II Botërore,  dhe  më pas . Po sjell tre shembuj të tjeshtë kur politika është slot machine, pa moral : 

– Gjenerali  MacArthur (Field Marshall  me kod moral  të lartë ), i propozoi Presidentit Truman për t’i dhënë një mësim Kinës që kish futur hundët në luftën e Koresë, por Truman në vend që të dëgjonte Heroin Amerikan, “padashur” mori anën e Kinezëve, duke e qitur në pension me arsyetimin banal: “Shkelje urdhërash” !

Sipas mendimit tim, pjesa dermuese e ushtarakëve në botë kanë një disiplinë të hekurt dhe moral të lartë se betohen për ti  shërbyer atdheut dhe kauzës. Janë të paktë ata që e shkelin këtë disiplinë. Shkelësit dënohen ose janë të predispozuar të bëhen diktatorë. 

Sikur të dëgjohej kërkesa e Gjeneral MacArtur, Kina e sotme do ishte ndryshe!

-E njëjta gjë ndodhi dhe me Gjeneral Paton (ushtarak me kod moral të lartë) që  i propozoi Dwight D. Ajzenhaureit  të sikteriste Rusët jashtë zonave që patën okupuar. Gjeneralit legjendar që u kish shti tmerrin nazistëve i shtuan një yll dhe e nxorën në pension! Ironi politike frikacakësh.

Po të merrej parasysh propozimi Gjeneral Paton…Amerika e udhëhequr nga Presidenti John Kennedi nuk do të pregaditej për  luftë bërthamore me Rusinë e Hrushovit  dhe Europa nuk do ndahej me gardhe e mure… si  Muri i Berlinit dhe  Shqipëria me Dardaninë.

– Otto Skorzeny, kriminel lufte, Koloneli SS që liroi Musolinin. Për hir të bashkëpunimit me CIA dhe MOSSAD (dhe pse ishte një nga kriminelët më të kërkuar), u mbrojt nga  interesat e politikës Slot Machine (ashtu siç mbrohen sot Sorosianët globalistë, armiqtë më të rrezikshëm të kombit tim, që duan të sakrifikojnë heronjtë  për të pastruar rrugën nga pengesat e planeve ogurzeze). Otto vdiq në shtrat nga kanceri pa u penduar për  asnjë çast për krimet që kish bërë. Ai e la pas të  shoqen milionere,

 milionat e gjakut të çifutëve dhe plaçkës së luftës dhe një pikëpyetje të madhe  për Amerikën , Anglinë dhe “drejtësinë” e Izraelit! 

Vëmendje!

          Që  politika shqiptare  të shpëtojë (Shqipëri-Dardani), duhet  të jetë e hapur, duke u larguar  njëherë e mirë nga  mendësia komuniste !

Çfarë është mendësia komuniste ? Mendësia komuniste është një zgjuarësi regresive , vdekjeprurëse, që si mikrobi hiv  ndërron formën. Shfaqet  kapitaliste,  socialiste, demokrate, humaniste, monarkiste, sipas  nevojës për mbijetesë. Ajo ka  injektim degjenerativ që  mikun e bën  armik dhe armikun e kombit,  vëlla. Fut sherrin brenda kampeve dhe ndez një fjalor rrugaçëror e amoral duke frymëzuar militantizmin,  mediat e shitura dhe njerëzit e stërlodhur , viktimat e  pafaj i bën të fajshme. Vëllezërit dhe motrat  e një ideali brenda natës bëhen armiq për vdekje! Më pas, kazani i vulgut këndon Internacionalen duke shkelur mbi idealizmin patriotik që është shkalla më e lartë e vetëdijes dhe  sakrificës. 

Të gjithë ata që merren me “politikë” i kanë të qarta  format e qeverisjes: Demokraci, Kapitalizëm, Komunizëm, Oligarki, Aristrokaci, Socializëm, Monarki, Teokraci, Kolonializëm. Fashizëm. Përveç Aristrokracisë dhe Teokracisë, populli shqiptar i ka kaluar të gjitha format e qeverisjes dhe tani  përjeton Oligarkinë e kuqe  që nuk lindi nga aristrokacia që mund të kishte dhe kuptim, por lindi nga zhelet e komunizmit, mjeshtrat kleptokratë që nuk e kanë për asgjë të shesin çdo gjë … deri   nderin e atdheun. Kështu që lufta për demokraci nuk duhet të fokusohet në kampin e të djathtës  midis njëri-tjetrit (që dhe kjo tregon një formë demokracie për ti bërë gjërat më mirë),  por  forcimin e së djathtës kundër kësaj mortaje, e cila po e shpërbën Shqipërinë. Opozita duhet të gjëjë rrugën e përbashkët. Mospërputhja e mendimeve dhe veprimeve  mund të thjeshtëzohet vetëm  në një tavolinë të rrumbullakët xhentëlmenësh duke pranuar arritjet  dhe gabimet,  humbjet  dhe sfidat. Kjo arrihet  me vullnetin e mirë të dyja palëve  si atdhetarë e largpamës politik, të cilët e duan vendin dhe Partinë Demokratike. Dhe prej kësaj tavoline në paqe me veten dhe Zotin. Në filozofi, shkaku dhe pasoja… “Shkaku” duhet të hapë rrugë dhe “Pasoja”  të korrektojë.

Sa më e fuqishme e djathta shqiptare, aq më pak orë për detashmentet e kuq oligarkë, aq më e fortë dhe e begatë do jetë Shqipëria  dhe më e afërt dita e bashkimit kombëtar…

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Kodi Moral ne Politike

URIM I PËRZEMËRT PËR NJË MIK, PATRIOT DHE VATRAN TË VEÇANTË

September 10, 2021 by s p

Nga Mondi Rakaj

Sot është një ditë speciale jo vetëm për ty miku i veçantë Alfons Grishaj por edhe për familjen tënde, miqtë e tu, bashkëpunëtorët, vatranët dhe këdo që ka pasur nderin të punojë ngushtë me ty.  Ishte Shtatori i vitit 2009 kur u  njohëm, me rastin e ardhjes së Mjeshtrit të Madh të humorit shqiptar në Michigan, Gezim Kruja. Eksperienca jote shumë vjeçare në lëvizjen studentore, përmbysjen e regjimit komunist, lidershipin e Partisë Demokratike, na ndihmoi jashtëzakonisht shumë edhe këtu në Michigan.

Nën lidershipin tand në Michigan, u rihap dega e Vatrës në Michigan. Përgjatë rrugëtimit tand pati suksese dhe arritje për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë. Me propozimin tand u dekoruan të gjitha qëndrat fetare në Michigan, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Rruga jonë për ngritjen e një shoqërie Vatrane të shëndoshë në Michigan nuk ishte e lehtë por kur drejtësia qëndron në anën e të ndershmit dhe të drejtit, koha e nxjerr në shesh gjithmonë të vërtetën. Sot është ditë gëzimi dhe urimi për ty, për ne si miq dhe çdo njeri që ka njohur ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin tand. Gjashtë dekada të mbushura me sfida, suksese dhe arritje që ne të gjithë i njohim. 60 vite të mbushura me krenari dhe sukses. Ditëlindja jote është një moment falenderues për të gjithë ne për besnikërinë që ke treguar, për kulturën, pjekurinë, urtësinë dhe maturinë. Ne jemi rritur çdo ditë me ty, ne mësojmë çdo ditë prej teje. Unë dhe shoqnija Vatrane urojmë të bahesh 100 vjeç me gjithë të mirat dhe bekimet e Zotit. Pas çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e zonja, e cila është Mirela, që bashkë me të keni kriju një familje të mrekullueshme. Fëmijët Almi, Gerhardi, Aurora dhe Kevin po shkollohen dhe janë fëmijë të mrekullueshëm në komunitetin shqiptar në Michigan. Ti je patriot i respektuar dhe i nderuar, një vatran i përkushtuar dhe mik e njeri model. Urime nga zemra Brother Alfons, u bafsh 1 shekull.

Mondi Rakaj

Michigan

Më 10 Shtator 2021.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Vatra Michigan

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja
  • FRANCE-SOIR (1949) / “NJË PLEBISHIT DUHET TË VENDOSË PËR FATIN E SHQIPËRISË…”— DEKLARATA E MBRETIT ZOG NË KAJRO
  • A DO TË KETË LUFTË NË PAQËSORIN AZIATIK?
  • Praga, bota e Kafkës
  • Biblioteka e Familjes Vlora
  • BIJTË E PROMETEUT e të tjerë…
  • Përpjekjet sovraniste të Kosovës më tepër përputhen me Washingtonin se sa me Brukselin
  • PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI FILLON PUNËN NJË SHKOLLË VERORE PËR DESHIFRIMIN E SHKRIMIT LATIN. PALEOGRAFIA LATINE, SI TË ZBULOSH SEKRETET E MESJETËS!
  • MARRVESHJA ABAZOVIÇ-PORFIRIJE — NJË KRIM NDAJ IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE — JO VETËM NË MAL TË ZI
  • ZBULOHET VULA E IPESHKVIT TË SAPËS PJETËR ZAHARISË NGA VITI 1422 NË HVAR TË KROACISË
  • LOGU I BJESHKËVE, TRADITË KULTURORE E HISTORIKE-SHEKULLORE E  KELMENDIT… 
  • ANTON MARKU, POETI I MBURRJES SONË LETRARE NË AUSTRI 
  • David Phillips, Analisti amerikan: Kosova të përgatitet, Serbia e ndikuar nga Rusia mund të provokojë me konflikt të armatosur
  • With the Opening of a Photo Exhibit at the Museum, Worcester Albanians Make History and More Discoveries
  • Dua Lipa Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT