
Nga Marilyn Anderson/
Ngjarja që amerikanët zakonisht e quajnë “Dita e Falenderimeve”, “Thanksgiving” u festua nga pelegrinët pas korrjeve të tyre të para në vitin 1621, festë që zgjati tri ditë. Ndërsa në shkallë vendi u festua në vitin 1789, kur President ishte George Washington. Në vitin 1863, gjatë luftës civile, Presidenti Araham Lincoln e shpalli si ditë kombëtare. Që atë kohë “Dita e Falenderimeve” bën pjesë në sezonin e gjerë të festave Amerikane.
Kjo datë tashmë festohet edhe nëpër familjet shqiptare në Amerikë, por mos të harrojmë, se kjo datë shërben edhe për të rikujtuar njerëzimin se mirënjohja ekziston duke thënë “faleminderit!”. Me ligjërimin e festës së falenderimeve (Thanksgiving) në një farë mënyre “i tërhiqet” vëmendja dikujt që harron, ose bën sikur harron, se ka për të falenderuar dikë, qoftë edhe pjesëtarë të familjes, për të mirën që i kanë ofruar sado e vogël të ketë qenë ajo.
Mënyra më e thjeshtë për t’i dhuruar dikujt mirënjohjen është t’i thuash faleminderit. Për disa njerëz që nuk i japin vlerën e duhur kësaj fjale, të paktën SHBA, e kanë njohur si festë zyrtare dhe e festojnë të enjten e katërt të çdo muaji nëntor. Ceremoni të mëdha organizohen me këtë rast në Amerikë, me lutje, muzikë, parada, lojra futbolli, ndarje dhuratash, me ushqime për familjet e varfëra, e njihet kryesisht si festë familjare.
Sot, Dita e Falenderimeve lidhet më shumë me bashkimin familjar, vaktet e përbashkëta dhe bamirësinë. Gjel deti i pjekur, pure patatesh, salca e boronicave të kuqe dhe ëmbëlsira me kungull “Pumpkin pie” janë gatimet më të veçanta e tradicionale të kësaj feste.
Për shumë njerëz, kjo është një nga ditët më të rëndësishme të vitit për t’u kthyer në shtëpi te familja, prindërit ose rrethi i ngushtë i miqve. Një traditë gjithnjë tashmë e përhapur edhe tek familjet shqiptare në SHBA, por sidomos tek brezat e rinj ose te ata që jetojnë larg familjes, ku miqtë mblidhen për një darkë të përbashkët, shpesh duke sjellë secili nga një pjatë me gatimin e preferuar.
Rreth tryezës, familjarët përcjellin mes tyre mirënjohjen për familjen, shoqërinë, apo një individi që i është gjendur në situatë të vështirë. Edhe pse menuja ndryshon sipas rajonit dhe kulturës familjare, ka disa pjata klasike që shoqërojnë pothuajse çdo tryezë.
Parada e Macy’s në Nju Jork ndiqet si në rrugë ashtu edhe në televizion nga miliona njerëz, me balona gjigante, grupe muzikore dhe performanca. Shikimi i ndeshjeve të futbollit amerikan në televizion është një ritual i përhapur pas drekës apo darkës. Shumë familje e kalojnë mbrëmjen duke parë filma të stinës ose me biseda të gjata mes tyre.
Dita e Falenderimeve shoqërohet shpesh me fushata bamirësie, shpërndarje ushqimesh për të pastrehët ose familjet në nevojë, si dhe vrapime bamirësie në mëngjes. Mbi të gjitha është një festë e ngrohtë familjare, mikpritjeje dhe mirënjohjeje, ku traditat e trashëguara ndërthurren me zakone të reja që pasqyrojnë shoqërinë e sotme. Për shumë njerëz, kjo ditë shënon kalimin zyrtar nga vjeshta tek atmosfera e festave të fundvitit, zbukurimet e shtëpive dhe blerjet e stinës.