
Ilir Ikonomi/
Më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, gazetarët i shkuan Fan Nolit në Kishën e Shën Gjergjit në Boston.
Kjo foto është bërë atë ditë.
Noli kishte veshur një pallto të madhe dhe, poshtë saj, rrobën priftërore. Flokët që po i rralloheshin i zbulonin ballin e madh. Nuk mbante as mjekër, as mustaqe dhe në fytyrë dukej i hequr.
I ulur në një karrige që kërciste, kreu pastoral dhe shpirtëror i shqiptarëve të Amerikës u tregoi gazetarëve kopjen e një proteste kundër pushtimit që u ishte dërguar kryetarëve të qeverive amerikane, franceze, angleze dhe ruse, si edhe Lidhjes së Kombeve, në emër të Kishës Ortodokse dhe Vatrës.
Kur gazetarët e pyetën për Mbretin Zog, Noli me buzëqeshje e quajti atë “Brother Zog” [Vëllai Zog] dhe e përgëzoi për qëndrimin e guximshëm në çastin e fundit kundër agresionit.
Ndërkaq, me tone të qeta, ai e kritikoi Mbretin për politikën e jashtme dhe të brendshme që, sipas tij, e kishte çuar vendin drejt pushtimit.
Noli e kishte parashikuar pushtimin italian më shumë se një dekadë më parë, kur Zogu kishte nënshkruar dy paktet e Tiranës me Mussolinin.
Ai e hodhi poshtë si shaka absurde thashethemin se do të kthehej në Shqipëri si mbret. “E ku të kthehesh? Se mos ka mbetur gjë!” tha ai. Kur ata e pyetën për një kthim të mundshëm në të ardhmen, Noli iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë dhe tha: “Atëherë natyrisht që nuk do të ketë më mbretër”.
Noli tha se një luftë botërore mund të fillonte atë vit ose vitin tjetër; kjo nuk dihej, por gjërat po lëviznin shpejt. Një luftë e tillë, tha ai, në mënyrë të pashmangshme do të fitohej nga Anglia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.
Noli tha se përpara se të vinte lufta, ai e shihte Ballkanin krejtësisht të nënshtruar nga boshti Romë-Berlin.
Duke u mbështetur te njohjet e tij për historinë e Mesjetës, ai tha se në Krishtlindjen e atij viti ose të vitit tjetër Hitleri mund ta shihte veten në Romë si perandori modern i Perandorisë së Shenjtë Romake. Noli e bazonte këtë parashikim të tij te kurorëzimi i Karlit të Madh, po ashtu gjerman, në Ditën e Krishtlindjes së vitit 800.
(Marrë nga libri “Syrgjyni”).
Në foto: Noli (majtas) dhe krerët e Vatrës Elias Mitchell, Andrea Ilia më 8 prill 1939 në takim me gazetarët në Boston.