
Paulin Zefi/
Marrëdhëniet historike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Kosovën përbëjnë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë politike, ushtarake dhe kulturore të Shqipërisë gjatë shek. XV. Këto lidhje duhen shqyrtuar në një kontekst më të gjerë, duke përfshirë prejardhjen e Kastriotëve, zotërimet dhe interesat e tyre ekonomike e strategjike, si dhe marrëdhëniet me trevat dhe personalitetet historike të Kosovës. Në këtë kuadër, Kosova përfaqësonte një hapësirë me rëndësi të veçantë gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për shkak të pozitës së saj dhe rolit në komunikimin ndërmjet trevave të ndryshme të Ballkanit.
Punimi trajton disa dëshmi dhe episode domethënëse që lidhen me këtë marrëdhënie, nga traditat mbi origjinën e Kastriotëve dhe zotërimet e Gjon Kastriotit, deri te itineraret e mundshme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, veprimtaria e tij ushtarake dhe lidhjet me institucione fetare e figura të rëndësishme të kohës. Analiza mbështetet në burime dokumentare, historiografike, dëshmi materiale dhe tradita të kujtesës lokale, duke synuar të dallojë faktet e verifikueshme nga interpretimet dhe hipotezat historike. Nëpërmjet kësaj qasjeje synimi është që të vlerësoj rolin e Kosovës në kontekstin e veprimtarisë politike dhe ushtarake të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në punimin tim do të ndalem në shtatë çështje kryesore:
1. Prejardhja e Kastriotëve dhe lidhjet e tyre me Hasin
Për të kuptuar marrëdhëniet historike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Kosovën, është e rëndësishme të ndalemi fillimisht te një çështje me interes të veçantë: prejardhja e familjes Kastrioti. Historiografia shqiptare ka paraqitur disa teza mbi vendorigjinën e kësaj familjeje fisnike. Marin Barleti, në veprën e tij të njohur mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut, e lidh zanafillën e Kastriotëve me krahinën e Matit. Ndërsa një traditë tjetër historiografike, e mbështetur në autorë të mëvonshëm dhe në dëshmi të ndryshme dokumentare, e lidh këtë familje me Hasin.
Ndër dëshmitë që meritojnë vëmendje është ajo e kronistit raguzan, Giacomo di Pietro Luccari, i cili në veprën Annali di Ragusa, botuar më 1605, shkruan se familja e Gjon Kastriotit kishte dalë nga Kastrati, një fshat nën juridiksionin e Hasit të Arbërisë, pranë lumit Drin. Kjo traditë mbështetet edhe nga Frang Bardhi, i cili në veprën e tij kushtuar Skënderbeut, botuar më 1636, e lidh prejardhjen e Kastriotëve me Mazrekun e Hasit. Në të njëjtën linjë janë trajtuar edhe disa dëshmi të tjera historiografike, përfshirë referenca që lidhen me emërtimin e vjetër të kësaj familjeje. Natyrisht, duhet të theksoj se çështja e vendorigjinës së Kastriotëve nuk është përfundimisht e zgjidhur.
Përballë tezës hasjane qëndron edhe tradita e Barletit për Matin, ndërsa në historiografi janë diskutuar edhe variante të tjera, ku kryesojnë krahina e Çidhnës në Dibrën e Poshtme, Kastri i Vigut në Mirditë dhe Mazreku i Shkodrës. Prandaj, prejardhja nga Hasi mund të paraqitet si një tezë e rëndësishme historiografike, e mbështetur në dëshmi konkrete, por jo si një çështje e mbyllur përfundimisht. Megjithatë, kjo lidhje është veçanërisht domethënëse për temën që po trajtoj. Hasi, trevë historike e lidhur ngushtë me hapësirën dardane dhe me luginën e Drinit, përbën një pikë të rëndësishme në diskutimin mbi zanafillën e dinastisë më të njohur të Arbërisë mesjetare. Kështu, marrëdhënia e Kastriotëve me Kosovën nuk nis vetëm me veprimtarinë politike e ushtarake të Gjergj Kastriotit, por mund të kërkohet edhe në traditat mbi prejardhjen e vetë familjes së tij.
2. Gjon Kastrioti, zotërimet e tij në Kosovë dhe çështja e Prizrenit
Një nga çështjet më interesante për historinë politike të Kosovës në fillim të shek. XV është shtrirja e zotërimeve të Gjon Kastriotit drejt lindjes. Gjon Kastrioti ishte një nga sundimtarët më të rëndësishëm arbërorë të kohës. Zotërimet e tij përfshinin një hapësirë të gjerë, e cila lidhte territoret e brendshme të Arbërisë me korridoret tregtare drejt bregdetit dhe trevave të Kosovës. Në këtë drejtim, dokumentacioni mesjetar ka një rëndësi të veçantë. Një marrëveshje tregtare-doganore e vitit 1420, që lidhet me marrëdhëniet e Gjon Kastriotit me Republikën e Raguzës, përmban të dhëna të rëndësishme për shtrirjen e interesave dhe zotërimeve të tij, nga Shufadaja në bregdet deri në drejtim të Prizrenit. Historiani Kasem Biçoku, i kushton vëmendje të posaçme kësaj çështjeje.
Ai argumenton se Kastriotët kishin një lidhje të qëndrueshme me rrugën tregtare që bashkonte bregdetin pranë Lezhës me Prizrenin dhe trevat e Dardanisë. Kjo rrugë kalonte nga Shufadaja dhe Lezha nëpër Mirditë, ndiqte luginat e Fanit dhe të Fanit të Vogël, përshkonte trevën e Lumës dhe mbërrinte në Prizren. Ajo nuk ishte thjesht një rrugë komunikimi, por një arterie me rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike. Nëpërmjet saj qarkullonin mallra, karvane tregtare dhe njerëz, ndërsa kontrolli mbi këtë korridor i jepte zotëruesit të tij ndikim të konsiderueshëm në marrëdhëniet ndërmjet hapësirave perëndimore dhe lindore të Arbërisë. Por elementi që meriton vëmendje të veçantë është vetë Prizreni.
Në bazë të dokumentacionit të trajtuar nga K.Biçoku dhe studiues të tjerë, ekzistojnë argumente për përfshirjen e Prizrenit dhe të një hapësire të gjerë përreth tij në zotërimet e Gjon Kastriotit. Biçoku shkon edhe më tej, duke e konsideruar Prizrenin si një nga qendrat kryesore të shtetit të tij dhe duke shqyrtuar mundësinë që ai të ketë pasur funksionin e kryeqendrës së këtij formacioni politik. Kjo është një çështje që meriton studim të mëtejshëm dhe ballafaqim të kujdesshëm të dokumentacionit. Por, pavarësisht interpretimit përfundimtar të statusit të vetë qytetit, lidhja e Kastriotëve me trevat përreth Prizrenit dhe me rrugën që bashkonte këtë qytet me bregdetin është një element i rëndësishëm i historisë sonë mesjetare.
Për rrjedhojë, Prizreni me rrethina nuk mund të trajtohen si një territor i shkëputur nga historia e Kastriotëve. Përkundrazi, ai përbënte një element të rëndësishëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike të kësaj familjeje. Dhe kjo na çon në një përfundim të rëndësishëm: hapësira e ndikimit të Kastriotëve nuk kufizohej vetëm në krahinat e Shqipërisë së Veriut, Shqipërisë së Mesme dhe Maqedonisë Perëndimore, por shtrihej në një sistem më të gjerë marrëdhëniesh që përfshinte edhe qytete dhe vise të sotme të Kosovës.
3. Varianti i kthimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga Nishi nëpërmjet Kosovës, në nëntor të vitit 1443.
“Variant itinerari dhe tradita historike e Drenicës”
Pas disfatës së ushtrisë osmane në betejën e Nishit, më 3 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu shfrytëzoi rrethanat e krijuara për t’u shkëputur nga ushtria osmane dhe për t’u kthyer në zotërimet e familjes së tij. I shoqëruar nga 300 kalorës arbër, ndër të cilët edhe nipi i tij Hamza Kastrioti, ai ndërmori një udhëtim që do të shënonte fillimin e kryemisionit të jetës së tij. Sipas të dhënave historiografike, pas largimit nga Nishi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kaloi në Fushë-Dardani, vijoi nëpërmjet korridorit të Prishtinës dhe Prizrenit, për të zbritur më pas drejt trevës së Dibrës.
Megjithatë, itinerari i saktë i këtij udhëtimi nuk dokumentohet në mënyrë të hollësishme nga biografët e hershëm të tij, çka lë hapësirë për shqyrtimin e varianteve të mundshme të rrugës së ndjekur. Në këtë kontekst, një variant me interes të veçantë është ai që e përfshin Drenicën në itinerarin e kthimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ky variant është: Nish – Leskovac – Medvegjë – Malësia e Gollakut/Gallapit – Fushë Kosovë – Drenicë – Prizren – Dibër. Tradita gojore e ruajtur nëpër disa vendbanime të Drenicës, së bashku me toponiminë historike, përcjell kujtesën e kalimit të tij nëpër këtë trevë, ku thuhet se qëndroi për disa ditë në territorin pranë vendit ku më vonë do të zhvillohej qyteti i sotëm i Skënderajt. Sipas kësaj tradite, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vijoi udhëtimin përgjatë luginës së Drenicës, përmes Drenicës së Kuqe, drejt Bjeshkëve të Berishës, ku thuhet se pushoi së bashku me kalorësit e tij dhe u ndal për të shuar etjen te një krua që njihet edhe sot me emrat “Kroi i Mbretit” dhe “Kroi i Skënderbeut.”
Nga Bjeshkët e Berishës, itinerari i mundshëm duhet të ketë vijuar drejt rrethinave të Malishevës dhe Therandës (Suharekës), për të arritur më pas në Prizren, e prej andej drejt Dibrës, në zotërimet e Kastriotëve. Kjo traditë, ndonëse nuk mbështetet deri më sot në një dëshmi dokumentare bashkëkohore që të përcaktojë me siguri itinerarin, përbën një element me interes për studimin e kujtesës historike, të toponimisë dhe të marrëdhënies së trevave të Kosovës me figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nëse ky variant do të merret në konsideratë si një segment i itinerarit të njohur Prishtinë-Prizren, ai e vendos Drenicën në një hapësirë të mundshme të lëvizjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut gjatë episodit më vendimtar të jetës së tij.
4. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Janosh Huniadi dhe Beteja e Dytë e Kosovës, në vitin 1448
Një tjetër moment i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut dhe Kosovës është fushata ushtarake e vitit 1448, e lidhur me përpjekjet e Janosh Huniadit për të frenuar zgjerimin osman në Ballkan. Në tetor të vitit 1448, Huniadi ndërmori fushatën që do të përfundonte me Betejën e Dytë të Kosovës, të zhvilluar më 17–20 tetor, kundër ushtrisë së sulltan Muratit II. Skënderbeu synoi t’i bashkohej kësaj ekspedite me forcat e veta. Megjithatë, gjatë marshimit drejt Fushë-Kosovës, ai u përball me pengesa politike dhe ushtarake, pikërisht me qëndrimin e despotit të paskrupullt serb dhe vjehrrit të sulltan Muratit II, Gjergj Brankoviçit, i cili asokohe kontrollonte rrugë dhe territore të rëndësishme të kësaj hapësire gjeografike. Për pasojë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk arriti të bashkohej në kohë me ushtrinë e Janosh Huniadit. Beteja përfundoi me disfatën e ushtrisë hungareze dhe të aleatëve të saj.
Grupet e ushtarëve të mbijetuar u arratisën në tre drejtime të ndryshme: në jug, në veri dhe në perëndim. Në mesin e të mbijetuarve, siç e thekson historiani rumun dhe jetëshkruesi i njohur i Janosh Huniadit, Camil Bujor Mureşanu, “më me fat ishin ata që u arratisën drejt jugut, të cilët u takuan në afërsi të Duhlës së sotme (Komuna e Suharekës/Therandës – P.Z.) me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.” Grupi i dytë, që ishte nisur në drejtim të veriut për në Hungari, kur kaluan në malet e Qyqavicës në afërsi të Vushtrrisë, u takuan me Dukë Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit. Falë ndihmës së dhënë prej Dukë Bogdanit, ata i shpëtuan pa vështirësi rrezikut që u kanosej nga forcat osmane, të cilët po i ndiqnin nga pas. Duhet theksuar qartë se përpjekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut për t’u përfshirë në këtë ndërmarrje ushtarake ka një domethënie të veçantë. Ajo dëshmon se Kryeheroi e shihte qëndresën e tij si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë ballkanike dhe evropiane për t’i bërë ballë zgjerimit osman. Në këtë kontekst, Kosova ishte një nga hapësirat gjeografike që zinte një vend të veçantë në planet e tij për çlirimin e plotë të Arbërisë dhe dëbimim e turqve osmane nga Europa Juglindore.
5. Marshimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga rrethinat e Ohrit dhe Dibrës në drejtim të Sjenicës, në fillim të shtatorit 1464
Burimet dokumentare të kohës dëshmojnë se, në fillim të shtatorit të vitit 1464, ndërsa ishte i angazhuar në operacionet ushtarake kundër forcave osmane për çlirimin e qytetit të Ohrit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndërmori një marshim në drejtim të trevës së Sanxhakut të sotëm, me synimin për t’u përballur me pararojën e armatës perandorake osmane. Sipas të dhënave të përcjella nga burimet e kohës, ushtria arbëre arriti deri në Sjenicë, ndërsa autorë të mëvonshëm e datojnë përballjen ushtarake më 11 shtator 1464. Megjithatë, itinerari i saktë i marshimit të kalorësisë arbëre, nën drejtimin e Kryeheroit, nuk është përcaktuar ende me siguri. Në këtë kontekst, një nga itineraret e mundshme mund të ketë ndjekur rrjedhën e Drinit të Zi, për të vijuar më pas drejt Rrafshit të Lumës (Kukës), përmes Rrafshit të Dukagjinit dhe në drejtim të zonave malore në pjesën lindore të Bjeshkëve të Namuna.
Prej këtej, ushtria mund të ketë kaluar nëpër zonën e Malit të Zhlebit (2.382 m), në veri të Pejës, për të zbritur më pas drejt Rrozhajës dhe, me ndihmën e zbuluesve vendas, për të depërtuar në trevën e Sanxhakut, deri në afërsi të Sjenicës. Një itinerar tjetër i mundshëm mund të ketë ndjekur luginën e Drinit të Zi dhe Rrafshin e Lumës, duke vijuar drejt Prizrenit, Suharekës, Drenicës e Mitrovicës, prej nga ushtria arbëre mund të ketë përshkuar rrugën e vjetër tregtare drejt Pazarit të Ri (Novi Pazar) dhe më pas të ketë mbërritur në afërsi të Sjenicës. Ndërkohë, disa autorë kanë sugjeruar se udhëtimi për në Sjenicë bëhej duke kaluar nëpër Rrafshin e Dukagjinit të sotëm dhe këtu arrijnë edhe në një përfundim tjetër, se gjatë vitit 1464, Dardania Perëndimore është kontrolluar prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Ky interpretim, megjithatë, duhet trajtuar me kujdes, pasi kalimi i ushtrisë arbëre nëpër këto treva, në vetvete, nuk përbën dëshmi të mjaftueshme për të përcaktuar shkallën e kontrollit politik ose ushtarak të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut mbi Rrafshin e Dukagjinit. Për rrjedhojë, rindërtimi i itinerarit mbetet një çështje e hapur kërkimore, e cila kërkon ballafaqimin e burimeve dokumentare me topografinë historike, rrjetin e rrugëve mesjetare dhe kushtet strategjike të lëvizjes së ushtrive në këtë hapësirë.
6. Shandani që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ka bërë dhuratë Manastirit të Deçanit
Një dëshmi interesante e marrëdhënies së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Manastirin e Deçanit është pikërisht një shandan bronzi i shek. XV, i cili, sipas traditës historike, i atribuohet si dhuratë e Kryeheroit këtij institucioni të rëndësishëm fetar dhe kulturor. Ky objekt, që shërbente për ndriçimin e trapezës (sallës së ngrënies së murgjve), përbëhet nga një rreth bronzi, prej qendrës së të cilit shpërndahen tetë krahë të vendosur në mënyrë koncentrike. Në skajet e tyre ngriheshin vertikalisht tetë qirinj. Shandani mbahet nga një zinxhir rreth tre metra i gjatë dhe është i varur në harkun mbi hyrjen e hapësirës së absidës gjysmërrethore, e cila mbyll sallën e madhe nga ana jugore. Si objekt i artit kishtar të shek. XV, ky shandan përbën një dëshmi materiale me interes të veçantë për studimin e lidhjeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me institucionet fetare mesjetare në territorin e Kosovës.
7. Martin Segoni i Novobërdës, një nga biografët më të hershëm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Martin Segoni zë një vend të veçantë në traditën e hershme historiografike kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Humanist, klerik katolik dhe ipeshkv i Dioqezës së Ulqinit, ai ishte një nga autorët parabarletianë që kontribuuan në dokumentimin e jetës dhe bëmave të Heroit tonë Kombëtar. I lindur në Novobërdë (Artanë), në Kosovën e sotme lindore, Martin Segoni ishte i biri i Gjon Segonit (Giovanni de Segonis), me prejardhje nga Kotorri. Fillimisht shërbeu si prift në kishën katolike të Shën Marisë në Novobërdë, ndërsa më pas studioi në Universitetin e Padovës, ku në vitin 1475 mori gradën e doktorit në të Dyja të Drejtat (Doctor utriusque iuris). Më vonë shërbeu si ipeshkv i Dioqezës së Ulqinit. Rëndësia e tij historiografike lidhet veçanërisht me punimin biografik kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me titull: “Narrazioni di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioè Alesandro Magno”, të hartuar rreth vitit 1480. Ky tekst përbën një nga dëshmitë më të hershme të shkruara kushtuar jetës së Kastriotit dhe i paraprin veprës së mirënjohur të Marin Barletit.
Po ashtu, rivalizon edhe jetëshkrimin e vetë bashkëpunëtorit të ngushtë të Kryeheroit, Dhimitër Frangut. Afërsia kronologjike me jetën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ndërroi jetë 12 vite më herët, më 1468, i jep veprës të Martin Segonit një vlerë të veçantë si burim shumë i besueshëm për studimin e kujtesës historike të Kryeheroit në vitet e para pas vdekjes së tij. Ndonëse nuk provohet drejtpërdrejt ndikimi i tij mbi Marin Barletin, vepra dëshmon se përjetësimi i figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në shkrimet humaniste kishte nisur që në shek. XV. Ndërsa, një kontribut vendimtar për njohjen e Martin Segonit ka dhënë historiani italian, Agostino Pertusi, i cili, në vitin 1981 botoi monografinë me titull: “Martino Segono di Novo Brdo, vescovo di Dulcigno”, duke vënë në dispozicion të studiuesve dokumentacionin dhe një pjesë të veprës e tij.
*Shqyrtimi i këtyre shtatë çështjeve dëshmon se marrëdhëniet historike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Kosovën ishin të shumëanshme dhe shtriheshin në rrafshin politik, ekonomik, ushtarak dhe kulturor. Nga traditat mbi prejardhjen e Kastriotëve dhe zotërimet e Gjon Kastriotit, deri te veprimtaria ushtarake e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe lidhjet me institucionet fetare e personalitetet historike të Kosovës, evidentohen marrëdhënie me rëndësi të veçantë për historinë e shek. XV.
Këto dëshmi e vendosin Kosovën në një pozicion të rëndësishëm në hapësirën politike dhe strategjike ku u zhvillua veprimtaria e Kastriotëve. Megjithatë, interpretimi i tyre kërkon një qasje kritike dhe metodologjike, duke dalluar faktet e dokumentuara nga traditat historike dhe hipotezat kërkimore. Studimi i mëtejshëm i burimeve arkivore, dokumentare dhe dëshmive materiale mund të ndihmojë në sqarimin e disa aspekteve ende të debatueshme të këtyre marrëdhënieve. Në këtë kuadër, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Kosova përfaqësojnë një lidhje shumë të rëndësishme historike, e cila dëshmon ndërthurjen e fatit politik dhe ushtarak të trevave arbëre në shek. XV.