
Prof.as.dr. Bernard Zotaj/
(Veli Gërra ishte një nga figurat e shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare në Çamëri, një atdhetar që ia kushtoi jetën përhapjes së gjuhës shqipe, ngritjes së flamurit kombëtar dhe mbrojtjes së të drejtave të popullsisë shqiptare të këtyre viseve. Ai u shqua si veprimtar i Rilindjes Kombëtare, organizator i përpjekjeve patriotike dhe përfaqësues i Çamërisë në Kuvendin historik të Vlorës, më 1912).
Veli Gërra lindi në Gumenicë të Çamërisë, në vitin 1870, në një familje të njohur për traditat atdhetare dhe luftarake. Në historinë e saj familjare ruheshin kujtimet e pjesëmarrjes në kryengritjet antiosmane të gjysmës së dytë të shekullit XIX. Që në fëmijëri u rrit në një mjedis ku dashuria për vendin, nderimi për traditat dhe qëndresa ndaj pushtuesve ishin vlera të rëndësishme të edukimit familjar. Mësimet e para i mori në mejtepin e vendlindjes. Më vonë, nëpërmjet studimit të pavarur, arriti të përvetësonte një kulturë të gjerë dhe të zotëronte disa gjuhë të huaja, ndër të cilat greqishten, persishten dhe italishten. Nën ndikimin e Hasan Tahsinit dhe Rasih bej Dinos, u njoh edhe me shkrimin e gjuhës shqipe, të cilin e mësoi dhe e përvetësoi në kushtet e vështira të kohës, kur përdorimi i saj përballej me pengesa dhe kundërshtime.
Në prag të shekullit XX, Veli Gërra u përfshi gjithnjë e më shumë në veprimtarinë patriotike. Në vitin 1900 bashkëpunoi me Rexhep Demin, Musa Demin dhe Sheh Prevezën për përhapjen e ndjenjave kombëtare, mësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Për të, gjuha ishte jo vetëm mjet komunikimi, por edhe themeli i identitetit kombëtar, elementi që bashkonte shqiptarët dhe i ndihmonte të ndërgjegjësoheshin për përkatësinë e tyre.
Në mbështetje të Kongresit të Manastirit dhe të shkollës shqipe. Në vitin 1908, Veli Gërra u bë përkrahës i Kongresit të Manastirit dhe i veprimtarisë së klubeve patriotike në Çamëri. Ai e kuptonte rëndësinë historike të njësimit të alfabetit shqip dhe nevojën për ta kthyer gjuhën amtare në një mjet të fuqishëm të emancipimit kombëtar. Në këto vite mbante korrespondencë me Rasih bej Dinon, i cili, ashtu si edhe atdhetarë të tjerë të kohës, e nxiste të shtonte përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe në Çamëri. Në dhjetor të vitit 1908, Rasih Dinua i shkruante Veli Gërrës: “Me anën e gjuhës shqipe do të kujtojmë edhe më mirë vlerat e kombit dhe rreziqet e ligësitë e të huajve që na bëjnë”.
Kjo letër dëshmon jo vetëm marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet dy atdhetarëve, por edhe shqetësimin e tyre për fatin e gjuhës dhe të identitetit shqiptar në Çamëri. Veprimtaria e Veli Gërrës ra në sy të autoriteteve osmane, të cilat e thirrën për ta marrë në pyetje dhe e mbajtën nën mbikëqyrje. Megjithatë, presioni nuk e largoi nga rruga e zgjedhur.
Në organizimin e kryengritjes dhe në krah të Ismail Qemalit. Në vitin 1911, Veli Gërra u hodh në Korfuz së bashku me Muharrem Rushitin, ku mori pjesë në mbledhjen e zhvilluar me atdhetarë shqiptarë për organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut. Në këtë mjedis u takua me Ismail Qemalin, Themistokli Gërmenjin dhe veprimtarë të tjerë të lëvizjes kombëtare. Këto takime dhe lidhje politike e patriotike ndikuan në zgjerimin e veprimtarisë së tij, duke e bërë pjesë të përpjekjeve të përbashkëta për çlirimin nga sundimi osman dhe krijimin e shtetit shqiptar.
Ai e shihte çlirimin kombëtar si një domosdoshmëri edhe për Çamërinë, e cila rrezikohej nga politika dhe pretendimet territoriale të qarqeve shoviniste greke.
Ngjarjet e vitit 1912 e gjetën Veli Gërrën në radhët e atyre atdhetarëve që punonin për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të pavarur. Në nëntor të atij viti, kur në Vlorë po përgatitej shpallja e Pavarësisë, Çamëria ndodhej në kushte të vështira komunikimi dhe rreziku, për shkak të zhvillimeve ushtarake dhe ndërhyrjeve të huaja. Përfaqësuesit e saj duhej të kapërcenin pengesa të shumta për të mbërritur në Kuvendin Kombëtar. Në procesverbalin e mbledhjes së katërt të Kuvendit të Vlorës, lidhur me përfaqësimin e Çamërisë, shënohet: “Z. Myfit bej Gjirokastra, kërkon fjalën e thotë se, meqenëse telegrafi me Çamërinë s’punon, është mirë të quhen prej Kuvendit delegatët e kësaj krahine. Proponimi i Zotërisë së tij pranohet me tanësinë e zanave. Kështu pra bahen delegatë të Çamërisë: Veli Gerra Rashadija, Vesel (Jakup Vesel) Margëllëçi, Aziz Tahir Ajdonati dhe zoti Rexhep Demi nga Filati”.
Ky vendim kishte rëndësi të veçantë, sepse garantonte përfaqësimin e Çamërisë në Kuvendin ku po hidheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar. Duke saktësuar rrethanat e mbërritjes së delegatëve çamë në Vlorë, studiuesi Ibrahim D. Hoxha, në librin “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922”, shkruan: “Duke udhëtuar me kokë në trastë për shkak të vështirësive dhe rreziqeve të gjithëfarshme, përfaqësuesit e Çamërisë ende të dhe lirë: Aziz Tahir Ajdonati, (Tahir Mete Murati), përfaqësuesi i Paramithisë dhe i rrethit të saj, Jakup Veisel Rusi, përfaqësues i Mërgëllëçit dhe i rrethit të tij, Rexhep Hamit Demi, përfaqësues i Filatit dhe i rrethit të tij, dhe Veli Gerra përfaqësues i Gumenicës dhe i rrethit të saj, si dhe përfaqësuesi i Janinës Fehim Ffendi Arshiu së toku me Myfit bej Libohova mezi mundën të arrinin në Gjirokastër, më 29 nëntor dhe po atë ditë së bashku me Petro Pogën dhe Hysejn Efendi Hoxhën, u nisën me ngut për në Vlorë”. Mbërritja e tyre në Vlorë ishte një akt i rëndësishëm atdhetar. Përfaqësuesit e Çamërisë, duke kapërcyer rreziqet dhe vështirësitë, sollën në Kuvend zërin e një popullsie që kërkonte të ishte pjesë e shtetit të ri shqiptar.
Për mbrojtjen e pavarësisë dhe të trojeve shqiptare. Në Vlorë, Veli Gërra dha kontributin e tij në mbështetje të Qeverisë së Ismail Qemalit dhe në përpjekjet për konsolidimin e shtetit të saposhpallur. Ai u përfshi në veprimtarinë politike e patriotike për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë nga synimet aneksioniste të qarqeve shoviniste greke. Emri i tij gjendet krahas përfaqësuesve të tjerë të Kuvendit të Vlorës në dokumentet dhe protestat drejtuar Fuqive të Mëdha, ku kërkohej mbrojtja e viseve jugore shqiptare dhe respektimi i vendimit të popullit shqiptar për pavarësi. Në telegramin e datës 20 të Vjeshtës së Tretë 1912, drejtuar Kryesisë së Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare dhe parësisë së Gjirokastrës, ku nënshkruan edhe Veli Gërra, theksohej: “Tuke qenë pra se duhet të ecim pas politikës së Qeverisë së Përkohshme, ju porosisim e ju lutim të ngrini flamurin kombëtar nëpër vende zyrtare dhe të veproni kështu”.
Ky dokument shpreh qartë qëndrimin e tij për domosdoshmërinë e shtrirjes së autoritetit të Qeverisë së Përkohshme dhe të simboleve kombëtare në të gjitha viset shqiptare.
Në dhjetor të vitit 1912, me porosi të Qeverisë së Vlorës, delegatët e Çamërisë shkuan në Janinë, ku këmbëngulën për ngritjen e flamurit shqiptar. Kjo përpjekje kishte rëndësi të veçantë, pasi Janina dhe Çamëria ndodheshin në një situatë të ndërlikuar ushtarake e politike. Ngritja e flamurit nuk ishte thjesht një veprim simbolik, por shprehje e vullnetit për t’u përfshirë në shtetin shqiptar dhe për të mbrojtur identitetin kombëtar.
Në mbrojtje të popullsisë çame. Edhe pas periudhës së Qeverisë së Vlorës, Veli Gërra vazhdoi të ishte në radhët e atdhetarëve që mbronin çështjen kombëtare shqiptare. Vëmendjen e tij e përqendroi veçanërisht te fati i popullsisë çame, e cila përballej me presione, diskriminim dhe përpjekje për shkombëtarizim. Në vitin 1922, ai doli në krye të një komisioni që kundërshtoi të ashtuquajturën “andallai”, politikën e shpërnguljes me dhunë të popullsisë çame nga trojet e veta dhe dërgimit të saj në vende të huaja. Në këtë veprimtari u shfaq edhe një herë karakteri i tij i vendosur dhe përgjegjësia që ndiente ndaj bashkëkombësve. Ai nuk e shihte çështjen çame vetëm si një problem të pronës dhe të vendbanimit, por si një çështje të të drejtave njerëzore, të identitetit dhe të vazhdimësisë historike të shqiptarëve në trojet e tyre. Për këtë arsye, qëndresa e tij kishte një karakter të gjerë kombëtar.