
Andon Andoni/
Në fillim të shkurtit 1914, Qeveria e Përtashme kishte dhënë dorëheqjen dhe ministrat tashmë përmbushin detyrat e drejtorëve të lartë kurse qeverimin e mori në dorë Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, kur në 4 shkurt, Kostë Çekrezi emërohet dragoman i këtij Komisioni.
I ri në moshë, por ambicioz, i imponuar te njerëzit më me influencë të vendit, duke filluar që nga Ismail Qemali dhe shtatë ministrat e tij, duke veçuar Petër Pogën, i cili e kishte vlerësuar Kostë Çekrezin si sekretar i gjykatores së Vlorës, por dhe si një nga të rinjtë oratorë në mitingjet e protestave kundër fqinjëve, tashmë duke pasur dhe simpatinë e vetë anëtarëve të Komisionit të Kontrollit, i besohet detyra e përkthyesit dhe shoqëruesit të këtij Komisioni.
Në fillim të marsit, përpara se të niset për në Durrës, Çekrezi merr pjesë në mbrëmjen festive përkushtuar lirimit të Korçës. Në atë mbrëmje u kënduan këngë patriotike dhe u kujtuan emrat e dëshmorëve të mëmëdheut. Folën për të pranishmit në hotel “Narta” Luigj Gurakuqi, Raul Fico, Sotir Peci, Dhimitër Berati, Josif Minga dhe, ndër më të rinjtë e tyre, Kostë Çekrezi, që ngritën lart Korçën: “u ngritën shumë dolli për shëndetin e korçarëve të Amerikës, të Rumanisë e të Misirit, të cilët i dhanë sisë idesë kombëtare. U përmendnë të gjithë shërbimet e lavdërueshme që i ka bërë qyteti i bukur, Korça, çështjes Kombëtare”.
ME PRINC WIDIN NË DURRËS
Dhe menjëherë pas kësaj dite, në shoqërinë e anëtarëve të Komisionit të Kontrollit, Çekrezi gjendet në Durrës për të përgatitur ardhjen e princ Widit. Për ato ditë, do të kujtonte një ngjarje të veçantë:
“Dy ose tri javë para se të arrinte Princ Widi në Shqipëri, administrata mbeti në duart e Komisionit të Kontrollit, i të cilit isha dragoman në atë kohë. Komisioni e ndau atëherë Shqipërinë në tri drejtori të përgjithshme dhe drejtorinë e Shqipërisë së Mesme me kryevend Durrësin ia bëri përsipër Azis Pashë Vrionit. Tri ditë përpara se të arrinte princ Widi në Durrës, delegatët e Rusisë dhe Gjermanisë, Z. Petraieff dhe Winckle, i bënë një vizitë Azis Pashës ku më muarrë dhe mua. Me atë rast, Azis Pasha deklaroi se kishte më tepër se dy javë që s’kishte vënë gjumë në sytë e tij nga punët e shumta, dhe që belanë më të madhe e kishte gjetur nga korçarët e mbledhur në Durrës për të pritur mbretin.
– Si kështu? -e pyeti Petraieffi i Rusisë, duke më bërë mua me sy, mbasi më dinte që isha nga krahina e Korçës, dhe i cili s’kish asfare nevojë për terxhumanllëkun tim, se fjalosej drejtpërdrejt turqisht me Azis Pashën.
-Efendëm, -i përgjigjet Azis Pasha, -hepisi Gjyrixheliler kavagaxhi, shamataxhider (Tërë korçarët janë kavagaxhinj shamataxhinj).
-Po çfarë lloj kavga dhe shamata bëjnë,- pyeti i djallëzuar Petraieffi.
-Oh, -u përgjigj pasha, -tërë natën e natës s’bëjnë gjë tjetër veçse bredhin nëpër rrugët duke kënduar këngë që i quajnë kombiare. Mezi e mbajta të qeshurën”.
Me gjithë këtë histori të Aziz Pashës në prag të mbërritjes së Princit, qyteti i Durrësit, i veshur si kurrë ndonjëherë dhe me plot entuziazëm, e priti princin dhe suitën e tij mbretërore në 7 mars 1914.
Qindra delegatë të ardhur nga të gjitha krahinat dhe kolonitë hidhnin lule dhe duartrokisnin, ndërsa populli brohoriste, binte në gjunjë dhe qante nga gëzimi. Në Durrës, ato ditë kishin zbritur nga të katër anët e botës shqiptarët gjithë patriotë me emër. Në ato ditë, në Durrës nuk ka se si të mos binte në sy djaloshi i ri, teksa në krye të urës, në udhën që shpie nga bregu i detit në Pallat, priste ardhjen e Princ Widit në krah të Komisionit të Kontrollit, “kur presidenti i tyre, zoti Leon, i urdhëroi mirëseardhjen dhe i dha në dorë fuqinë e shtetit”.
Por më shumë se sa të bënte përshtypje tek të tjerët, Çekrezi ishte i mrekulluar nga burrat e shquar të kombit, si Isa Buletini e Bajram Curri, Hasan Prishtina e kapedanët Mihal Grameno e Çerçiz Topulli, poetët Asdreni dhe Gjergj Fishta, të ardhurit nga kolonitë, si Pandeli Evangjeli dhe Milto S. Gurra, Dervish Hima, Nikolla Ivanaj e Hil Mosi, shumicën e të cilëve i kishte njohur që në Vlorë. Ndoshta dy ditë më vonë, më 9 mars, ai mund të ketë takuar edhe Fan Nolin të mbërritur në Durrës.
Festimet për ardhjen e princit zgjatën një javë në sheshet dhe rrugët e Durrësit. Këndohej; “Portën e qiellit do të thyejmë/
Ti vemë fronin mbretit tonë”
Megjithëkëtë, vetëm pak ditë më vonë, vendin e stolive dhe fishekzjarrëve, festimeve dhe paqes, do ta zinte realiteti i hidhur i tymit dhe rrënojave të luftës. Shqipëria, që deri tani kishte qenë në buzë të greminës, si rrjedhojë e armiqve të saj, e kryesisht fqinjëve, por dhe për paaftësinë apo padrejtësinë e Europës, tani filloi të marrë rrokopujë, për shkak të gabimeve të saj të brendshme si dështime të shtetit shqiptar dhe qeverimit të brendshëm.
Gabimi i Princit, që kishte pranuar të vijë në Shqipëri pa zgjidhur problemin e krahinave të jugut dhe pa marrë siguri për këtë çështje nga Fuqitë e Mëdha, do të pasonte edhe disa të tjera, si shkarkimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, kur ky i fundit i dorëzoi autoritetin qeveritar që kishte ushtruar në Shqipëri deri në atë moment, duke e larguar për në Vlorë, si një shkelje të dispozitave të Konferencës së Ambasadorëve, dhe duke formuar fill pas kësaj kabinetin e vet me në krye Turhan Pashën, dhe me emërimin e Esat Pashës si ministër i Luftës dhe ministër i Brendshëm. Emërimi i tij ishte një turp i hapur për patriotët shqiptarë dhe nacionalistët. Kjo gjë do pohonte Kostë Çekrezi, do sillte rrebelimin e Shqipërisë së mesme në atë që mori emrin kryengritja e Haxhi Qamilit.
S