
Sokol Paja/
Prof. Dr. Zana Frashëri Lito vizitoi Federatën Vatra. Ajo u prit nga editori i Diellit dhe arkëtari i Vatrës z.Ilir Cubi. Editori njohu shkurtimisht me historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe veprimtarinë patriotike, atdhetare e kulturore të drejtuesve të Vatrës në histori dhe kontributin për çështjen kombëtare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prof. Dr. Zana Frashëri Lito vlerësoi Vatrën, historinë dhe trashëgiminë e vyer patriotike si vlerë kombëtare dhe paraqiti detaje e vlera historike e kulturore të botimit të saj më të ri: Rrugëtimi i qytetërimeve botërore në shekuj” vëllimi I dhe II. Prof. Dr. Zana Frashëri Lito ka lindur në Tiranë më 1 mars 1954. Në 1976 u diplomua në Universitetin e Tiranës, dega Histori-Turqisht, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Ka kryer kualifikim pasuniversitar në Historinë e Ballkanit (1987-1991) pranë Universitetit të Tiranës; studime pasuniversitare për turqisht dhe osmanisht në Fakultetin e Letërsisë, Universiteti Shtetëror i Stambollit (1988-1989); studime pasuniversitare në gjuhën greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti Shtetëror Kapodistria, Athinë, dhe në kursin pasuniversitar për Historinë e Re të Greqisë, 1991-1993. Ka marrë titullin Doktor i Shkencave në fushën e historisë pranë Institutit të Historisë, Akademia e Shkencave, Tiranë. Është diplomuar si Pedagoge Online për Shkencat Humanitare nga Michigan Virtual University, SHBA.
Ka qenë pjesëmarrëse në grupin e historianëve për ndërtimin e muzeut të ri Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë (1981-’82). Ka punuar si bibliografe-osmaniste pranë sektorit të Albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë (1981-1991).
Në vitin 1991 u vendos në Athinë, Greqi. Ka punuar pedagoge e gjuhës shqipe dhe turke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit Shtetëror Kapodistria dhe bashkëpunëtore e jashtme pranë Qendrës së Kërkimeve Neohelenike.
Në verën e vitit 1997 u vendos në Lansing, Miçigan, SHBA. Punoi si bashkëpunëtore në Qendrën e Studimeve të Europës Juglindore, Universiteti Shtetëror i Miçiganit, ku ka organizuar leksione dhe kolokuiume të ndryshme mbi rajonin e Ballkanit. Më pas si pedagoge në auditor dhe online pranë Departamentit të Shkencave Humanitare, ku jep lëndët e domosdoshme Qytetërimi Botëror dhe Mitologjia. Vitet e fundit ka krijuar kurrikula të reja dhe jep mësim Qytetërimi Islamik dhe Ballkani mbas Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu është pedagoge e gjuhëve greqisht dhe shqip për studentët që mbulojnë tema doktorature mbi Ballkanin. Zotëron gjuhët greqisht, turqisht, anglisht, italisht, frëngjisht dhe shqip.