
Kriledjan Çipa/
Në prag të festës së Pavarësisë Kombëtare, munda të lexoj librin tashmë të mirënjohur me autor Evarist Beqirin, “Themeluesi Lidershipi i Ismail Qemalit”, botuar nga Shtëpia Botuese Filara. Libri është një udhëtim në jetën dhe veprën e themeluesit të shtetit shqiptar, rruga e të cilit është një drejtvizore paralele me rrugëtimin e kombit shqiptar drejt pavarësimit. Stili me të cilin është shkruajtur libri nuk ngjason aspak me atë të historianit klasik, ku frazat e ngurtësuara dhe përsëritëse të shoqëruara me analiza të zgjatura e bëjnë atë të pakapshëm dhe të lodhëshëm për lexuesin e thjeshtë.
Përkundrazi, stili është i rrjethshëm dhe i zhdërvjellët, duke e bërë leximin të këndëshëm dhe tërheqës. Edhe pse stili është atipik për një vepër historike, autori i ka ndjekur me rigorozitet rregullat akademike të të cituarit dhe referuarit të bibliografive dhe dokumentacionit historik. Metodologjia moderne e zgjedhur për të analizuar dhe prezantuar profilin e personalitetit historik të Ismail Qemalit, nëpërmjet analizës dhe krahasimit të lidershipit të tij me atë të figurave historike botërore, ka rezultuar mjaft efikase dhe e suksesëshme. Nëpërmjet përdorimit të kësaj metodologjie, del në pah kultura e gjerë e autorit dhe njohja e thellë e profileve të rëndësishme politike. Nëpërmjet përshkrimit të ulje-ngritjeve, eksperincave dhe kontributeve të karierës së Ismail Qemalit, autori na jep një profil ndërkombëtar të personalitetit të themeluesit, duke na bërë të kuptojmë që lidershipi i tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare nuk ishte i rastësishëm.
Gjithashtu, duke na dhënë një profil të prejardhjes së tij familjare, kryesisht të aktivitetit të gjyshit dhe babait të tij, kuptojmë se patriotizmi i Ismail Qemalit është i ngulitur thellë jo vetëm në ndërgjegje, por edhe në ADN. Formimi i themeluesit dhe prirjet e tij liberale, janë ato të cilat do të mbajnë të forta themelet e shtetit të ri shqiptar. Figura e Ismail Qemalit si lider me karakter të fort, personalitet, qëndrueshmëri dhe besueshmëri ishte faktori kryesor që i bashkoi shqiptarët rreth figurës së tij, duke i dhënë atij besimin e ndërmarrjes më të pabesueshme të themelimit të shtetit më të ri në Europë.
Gjenialiteti i tij politik dhe diplomatik bëri të mundur themelimin e shtetit Shqiptar në një kohë lufte, pa pasur nevojën e armëve. Vizioni i tij për ta prezantuar Shqipërinë, si një fuqi stabilizuese dhe ekuilibruese në rajonin e Europës Juglindore, ishtë një ndër argumentet që morri mbështetjen e Fuqive të Mëdha. Është trashëgimia e këtij vizioni, që themelet e këtij shteti i mban ende të qëndrueshme. Duke lexuar librin e Evarist Beqirit arrijmë të kuptojmë, se sa pak dimë dhe sa shumë kemi ende për të mësuar rreth personaliteti të themeluesit. Ndërsa reflektojmë, gjithnjë e më tepër bëhet e qartë, se sa punë duhet ende për të njohur dhe kuptuar në tërësi veprimtarinë dhe kontributin e familjes Vlora. Për sa i përket përmbajtjes së librit, nuk po zgjatem me analiza, atë po ja lë lexuesit për ta zbuluar.