• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA KËRCËNOHET NGA SERBIA E MADHE

April 27, 2020 by dgreca

DY LIBRA NË ANGLISHT MBI KOSOVËN TË AUTORIT ENVER BYTYÇI/

                                                 Nga Frank Shkreli/

 Autori dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe të Evropës jug-lindore, Profesori i shkencave politike dhe i historisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, pati mirësinë të më dërgonte kohët e fundit dy librat e tija të përkthyera në anglisht: “Kosovo Threatened by the Greater Serbia” (Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe) dhe “Coercive Diplomacy of Nato in Kosovo” (Diplomacia e Imponuar e Nato-s në Kosovë).  Libri, “Diplomacia e NATO-s në Kosovë” e studiuesit dhe historianit Enver Bytyçi është botuar në anglisht në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese Cambridge Scholars Publishing, ku trajtohet, siç sugjeron edhe titulli, diplomacia e NATO-s në Kosovë, duke i ofruar lexuesit një pasqyrë të gjithëanshme të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës.  Por, po përqendrohemi tek libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, botuar kohët e fundit, në përgjigje të hedhjes së tezës për korigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, është botuar anglisht dhe shqip nga Instituti i Studimeve të Evropës Jug-lindore dhe është promovuar nga fundi i Janarit që kaloi në Tiranë dhe në Prishtinë.  Kjo monografi është një përmbledhje dokumentacioni mbi ngjarjet historike mbi Kosovën, ku në thelb, autori trajton çështjen e kufijve të Kosovës me Serbinë, duke argumentuar se ndryshimi, rishqyrtimi, korrigjimi i kufijve, rregullimi ose demarkacioni, ose sido që ta quajnë sot mbështetsit e kësaj teze ndryshimin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë – është një precedent tepër i rrezikshëm për paqën dhe stabilitetin afat-shkurtë dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.  Profesor Bytyçi me të drejtë e konsideron ndryshimin e mundëshëm të kufijve midis dy vendeve, si një akt që është në interesin e Serbisë dhe që si i tillë kontribon drejt realizimit të planit afatgjatë dhe ëndërrës shekullore të Beogradit, për krijimin e Serbisë së Madhe.

Autori ka zgjedhur kohën më të përshtatëshme për të botuar në anglisht monografinë “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndërkohë që qendrat kryesore botërore – Washingtoni dhe Brukseli – po përgatiten të rifillojnë bisedimet e planifikuara, ose siç e qujanë ato, “dialogun” midis Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje “gjithëpërfëshirse”, e cila sipas shumë eskpertëve do të përfshijë edhe ndryshimin, ose të pakën rishqyrtimin e kufijve midis dy vendeve.  Megjithëse zëdhënës të ndryshëm, sidomos në Washington, pretendojnë se propozimi për ndryshim të kufijve nuk është në tavolinë, përfshir edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Ambasadorin Richard Grenell, ndërsa evropianët janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve midis dy vendeve.  Megjithkëtë, në këtë ndërkohë, duke parë se diçka po vlon në ketë mes, Kongresisti amerikan dhe mik i kahmotshëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Dhomës së Deputetëve për Punët e Jashtme, ka shprehur, ditët e fundit, shqetësimet e tija mbi politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës. 

Ndërkohë që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e kryesuar nga ish-deputeti amerikan Joe Dioguardi, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të largojë ambasadorin Richard Grenell nga detyra e tij si i Dërguari Special i tij për dialogun Kosovë -Serbi,  “Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA).  Kjo organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, njëkohësisht, kritikon ashpër edhe klasën politike të Kosovës në krye me Presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se nga një ndryshim i kufijve, jo vetëm që do të humbiste Kosova, por do të fitonte Serbia dhe jo vetëm Serbia, por edhe aleatja e saj historike, Rusia: “Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat e tyre hegjemone për dominim në Evropën Juglindore dhe hyrjen në detin Adriatik”, thuhet në letrën e hapur të LQSHA-s.  Me fjalë të tjera, punët shqiptare janë ndërlikuar shumë keq dhe për fat të keq, mund të keqësohen e dhe më shumë.  Libri i historianit Enver Bytyçi “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe” e përkthyer në anglisht, është një kontribut i vlefshëm në debatin aktual të këtyre çështjeve madhore në këtë moment të historisë së shqiptarëve.

Do të sugjeroja që të gjithë protagonistët në këtë mes — kombëtarë dhe ndërkombëtarë — të lexojnë monografinë e Profesor Enver Bytyçit.  Në debatin aktual, Enver Bytyci ofron, jo vetëm, fakte e dokumentacion të dobishëm për gjëndjen e krijuar por ofron edhe këshilla se si duhet të dilet nga ky qorrsokak i politikës shqiptare në Kosovë, por edhe politikës së ngatërruar ndërshiptare, midis Tiranës dhe Prishtinës.  Ndajë shqetësimin tim me autorin e nderuar dhe jam dakort me të — ashtu siç kam shkruar edhe disa herë në të kaluarën — se mungesa e këshillimeve dhe bashkrendimeve të qëndrimeve në radhët e udhëheqësve shqiptarë, për një politikë aq me rëndësi, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndryshimi i mundëshëm i kufijve — është një politikë e papërgjegjëshme nga ana e kësaj klase politike, për të mos thenë edhe skandaloze, ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve.  Siç është i papërgjegjëshëm edhe i ashtuquajturi procesi “minishengen”, i udhëhequr nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një proces ky që kundërshtohet nga Kosova pasi nuk merr aspak parasyshë shqetësimet dhe as interesat e Kosovës, në këtë proces. 

Ku është strategjia kombëtare e platformës mbarë-shqiptare për “minishengenin” ballkanik dhe ku janë këshillimet dhe bashkrendimet e politikave me institucionet përkatëse midis dy shteteve shqiptare?  Mos pasja e një politike të bashkrenduar midis Shqipërisë dhe Kosovës, për parimet e mëdha të interesit kombëtar, jo vetëm që është skandaloze, por mund të konsideorhet edhe kriminale ndaj interesave kombëtare.

Pajtohem edhe me mendimet dhe kritikat e Profesorit Enver Bytyçit, autorit të monografisë, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndajë politikës së gabuar të Tiranës përsa u përket shumë çështjeve të pazgjidhura Kosovë-Serbi – e sidomos, procesit ndaj procesit “minishengen” të kohëve të fundit, si një politikë e gabuara që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendos përsëri Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re”, e cila i shërben kryekëput interesave të Serbisë së Madhe, ndërkohë që njëkohësisht, i hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës në Ballkanin Perëndimor.  Dikush prej këtyre udhëheqësve shqiptarë që mbështesin këtë proces, duhet të shpjegojë se si një rol i përforcuar politik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë në Balkan dhe në Evropën Jug-lindore, është në favor të interesave kombëtare të shqiptarëve?!

Për ata që duan të dinë se pse kjo politikë është e gabuar, le të lexojnë librin e posa botuar në anglisht dhe shqip të Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”.  Eksperti i politikës dhe i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare bën paralajmërimin e tij se Tirana zyrtare me politikën e saj, sidomos, me politikën minishengen për Ballkanin Perëndimor, po dëmton dhe mund të shkatërrojë pavarësinë shtetërore të Republikës së Kosovës.  Ai e quan këtë politikë si terësisht anti-shqiptare sepse, shkruan autori, ky proces thekson dhe mbështetë një politikë që drejtohet nga Beogradi dhe jo nga Brukseli, drejtë integrimeve të plota euro-atlantike të shqiptarëve, një ide dhe dëshirë kjo e kahmotëshme e shumicës së shqiptarëve. Tridhjetë vjet pas shembjes së komunizmit dhe pak më shumë se 20-vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pas 12-vjetë pavarësi, Kombi shqiptar, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe, gjëndet përballë një krize të një rreziku të përmbrendshëm, një rreziku të shkaktuar nga vet shqiptarët.

Kjo krizë për të cilën kanë kontribuar vet me politikat e tyre të papërgjegjëshme nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, fatkeqësisht, i gjenë udhëheqësit politikë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, duke mos ditur se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide të re dhe pa asnjë strategji politike kombëtare, se si duhet shkuar përpara.  Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa ofruar asnjë marrëveshje as vizion të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht, aktualisht, pasi ka “hedhur gurin e tani fsheh dorën”.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare.  Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo vetëm kërcënimit, por edhe mundësisë së krijimit të një Serbie të Madhe, në kurriz të interesave të Kosovës dhe të shqitarëve në përgjithësi. 

Fatkeqsisht, për fatet tona, kriza shëndetsore botërore e shkaktuar nga koronavirusi vdekjeprurës, i ka ndërlikuar edhe më shumë punët e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe interesimin e miqëve tradicionalë të shqiptarëve, të cilët ashtu si e gjithë bota përballen me hallet e veta, si përfundim i kësaj epidemie dhe është vëshitër që ti kushtojnë vëmendje një zone të largët të Balalkanit, me të cilën edhe mund të jetë lodhur edhe opinion public amerikan dhe perëndimor. 

Prandaj, para se të fajësojmë amerikanët por edhe të tjerët për ngërçin e punëve tona, duhet që të drejtojmë gishtin e akuzës atje ku në të vërtetë duhet ta drejtojmë: ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare dhe politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme.  Libri i Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, furnizon në gjuhën anglisht — jo vetëm lexuesin e thjeshtë por edhe protagonistët ndërkombëtarë që merren me punët e Ballkanit Perëndimor — me analiza të dobishme, dokumentacion, fakte dhe ide, nga të cilat, sipas Wolfgang Grossruck, ish-presidenti Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, gjithashtu “do të përfitojnë edhe politikëbërsit rajonalë që të mendojnë dhe të veprojnë në mbështetje të demokracisë, paqës dhe sigurisë në rajonin e Evropës Jug-lindore”.

                              Autori i librit, Profesor Enver Bytyçi

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Frank shkreli, Kosova e Kercenuar nga Serbia e Madhe

Shqipërinë nuk e rrezikon kryeministri…

February 24, 2019 by dgreca

Shqipërinë nuk e rrezikon kryeministri, por egoja e Edi Ramës!/1-enver-BytyciNga Enver Bytyçi/

Në marsin e vitit të kaluar ndodhi protesta e kukësianëve! Atë ditë Edi Rama ishte në Vlorë. Erdhi me vrap në Tiranë dhe në deklaratën e parë bëri cubin! Denoncoi djegjen e katër kabinave dhe tha se ato kushtonin 15 milion dollarë amerikanë. (Katër kabina 2x1m – 15 milionë dollar?!) Arrestoi në mesnatë qytetarë të pafajshëm. E më në fund bëri gjithashtu viktimën. “Mund të kemi gabuar”! “Nuk jemi konsultuar”! “Na falni, njerëz jemi dhe gabojmë”!

Këtë ritual e vazhdoi sa herë ai u vu para akuzës së qytetarëve. Sidomos me studentët. Teknika e komunikimit me publikun nuk ndryshoi. Herë presion, herë tërheqje, herë tjetër diversion, po jo pak manipulim e thirrje të vazhdueshme për t’i përçarë ata! Ditën që u zhvillua protesta në Tiranë, më 16 shkurt, Edi Rama organizoi një antimiting me karrike dhe zyrtarë shteti në Vlorë. Pas kësaj u shfaq herë më arrogancë e herë si viktimë, me qëllim që ta shmangte efektin e kësaj proteste. Të njëjtën lëvizje bën gjithashtu këto ditët e pas 21 shkurtit.

Ky është Edi Rama. I paplotësuar në jetë sipas fantazisë së tij, i frustruar dhe cmirxhi për suksesin e tjerëve, i inatosur në kulm me dështimin dhe i mllefosur vazhdimisht me ata që Ia njohin veset, dështimet, prapësitë, Edi Rama nuk heq dorë nga fantasia e tij për t’u bërë i famshëm, i pasur e për të sunduar me forcë mizat e dheut e jo vetëm njerëzit! Ai ishte gati 30 vjeç kur blloku u shkatërrua dhe shihte me inat jetën e bllokmenëve byroistë, duke mallkkuar veten pse nuk ishte si ata. Në rininë e vet luajti basketboll. Por nuk u plotësua asnjëherë, sepse kishte shumë talente më të mëdha se vetja, ndërkohë që brenda subkoshiencës së tij zhvillohej xhelozia dhe egoja për të qenë me çdo kusht njëshi. Më tej nuk mundi të shquhet as si piktor. Dhe për të plotësuar veten, shfrytëzoi postin e kryeministrit të vinte një kosh basketbolli në zyrë dhe të zhgarraviste në tavolinën e punës kryeministrore. Thirri në ndihmë pushtetin, me qëllim që të marrë famën e talenteve, të cilat nuk mundi asnjëherë t’i arrinte.

Jeta e Edi Ramës, formimi i tij, ambicja, xhelozia, smira, e kanë bërë atë manipulator klasi, arrogant, aktor viktimizues në kërcënim, intrgant par excellent, mjeshtër i përçarjes dhe mashtrimit si dhe maestro në format këcënuese të frikësimit. Ne nuk kemi kryeministër Edi Ramën, por egon e Edi Ramës, atë që quhet subkoshienca e tij. Kështu që ne jemi bërë kavie eksperimentale në duart e tij. Laboratori i egos së Ramës bën kërkime shkencore të llojit: – Deri ku mund të durojnë shqiptarët, në çfarë temterature “u ngrihet atyre” dhe në cilin moment duhet Rama të bëjë një tërheqje mashtruese taktike.

Egoja në subkoshiencën e Ramës është e kushtëzuar nga edukimi dhe kultura që ka marrë. Uni i tij shfaqet sidomos përmes aktit të hakmarrjes. Diskursi politik i Edi Ramës dallon për agresivitet të tejskajshëm. Metoda e imponimit prepotent e me mendjemadhësi është tipar i shfaqjeve egoiste të pashembullta në politikën shqiptare. Modeli i reagimit të kryeministrit tonë si me kundëshshtarët politikë, me bashkëpunëtorët, me studentët me qytetarët në rrjetet sociale e në takime publike është modeli i një prepotenti shalatan, që vetëm një kryeministri e politikani nuk i shkon.

Në këtë kuptim mund të thuhet se opozita e qytetarët shqiptarë nuk përballen me Edi Ramën, por me subkoshiencën e Edi Ramës me Egon (unin) e tij. I frustruar nga një e shkuar e padëshirueshme për të, ai ka projektuar në kokën e tij një të ardhme me lavdi e pasuri të pafund. Lavdinë e sheh te pushteti, ndërsa pasurinë tashmë e ka pa hesap. Ikja nga pushteti ende pa i pastruar paratë e krimit e të korrupsionit e bën këtë pasuri variabël. Kësisoj ai ndjehet i kërcënuar. Tri herë u ndje gafil. Me kukësianët, me studentët dhe tani me dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës e protestat e mëdha qytetare. Në të tri rastet u xhindos, pastaj bëri sikur reflektoi për çitjanet, më pas përsëri shkoi te vetja dhe u xhindos, madje duke kërcënuar. Është kjo pikërisht ajo që në psikologji quhet luftë e egos për mbijetesë, ose përpjekje e saj për t’u mbrojtur e për t’u bërë akoma më e madhe. (Eckhart Tolle. Eine neue Erde (Beëustseinsprung anstelle von Selbstzerstoerung) Arkanna Verlag Muenchen, 2003, faqe 76)

Sipas Tolle egoistët kanë nevojë të përdorin fyerjet e etiketimet, si budalla, maskara, kurvë, idiot, madje me egërsi dhe përmes çirrjeve, me qëllim që të shfryjnë dufin e tyre kundër të tjerëve. Përmes këtyre metodave njerëzit egoistë ndjehen triumfatorë dhe lumturohen kur denigrojnë të tjerët! Kjo karakteristikë është dhe mbetet tipari dalluies i egoistit Edi Rama! Kësisoj ai i ka ndërtuar raportet e tij me të gjithë segmentet e shoqërisë shqiptare, madje dhe ato me Kosovën. Kur bën “të pafajshmin” deklarohet se “Ky jam unë. Reagoj si të më vijë”! Në fakt edhe kur kërcet dhëmbët, kur harton projektet e vjedhjeve të mëdha, kur ideoi kanabizimin e vendit, kur liron banditët nga burgjet, kur jep fletë-porosinë e kokainës kolumbiane në tailerin e bananeve, kur urdhëron blerjen dhe vjedhjen e votave, kur projekton institucione të kapura nga krimi dhe kriminelët, atij “I vjen ashtu të reagojë”! E në këto raste ai nuk është kryeministri i vendit, është egoja e Edi Ramës.

Edi Rama ka një ego pa kufij, pa limite. Eshtë një përjashtim i species njerëzore, e cila përmbahet për shkak të disa parimeve. Edi Ramën e sundon egoja e tij çdo moment, sepse ai nuk ka asnjë parim. Egoja kujdeset vetëm për veteveten. Ndërsa njeriu dëshiron që të bashkëjetojë me mjedisin që e rrethon. Kësisoj egoja shfaqet si një shpirt inhumaniteti. Njeriu shquhet për shpirtin njerëzor. Inhummaniteti i egos së Edi Ramës në qeverisjen e Tiranës dhe të Shqipërisë është i pashembullt. Përveçse me bashkëpunëtorët e tij të implikuar me krimin, si Tahiri, Ndoka, Frroku, Lloshi, Dako, Gjiknuri, egoja e Edi Ramës nuk ndjen për askënd tjetër. Egoja e tij prodhon në çdo fjalë të komunikimit energjinë më negative të mundshme. Për pasojë njerëzit e humbën shpresën te kryeministri që që u premtoi “parajsën”. Në këto vite kanë ikur gati 500 mijë. Dhe 70 % e shqiptarëve duan të ikin nga ky vend. Mijëra kryefamiljarë u dënuan nga egoja e kryeministrit me burg për 20 euro energji të papaguar, ndërsa 5 milionët e shpërblyen Elisën me postin e ministres! Shumë prej tyre u vetëvranë, sepse nuk e duruan egon e Edi Ramës, fyerjen e tij.

Prej këtej shkojmë te ajo që Eckhart Tolle e quan ego patologjike. Se Edi Rama vuan nga sëmundja e egos patologjike, nëse i referohemi përcaktimeve të Tolle, kjo nuk ka më asnjë dyshim. Sipas psikologut të shquar, egoja patologjike shfaqet në formën e gënjeshtrës, me të cilën njeriu kërkon të vlerësohet. Në fakt kryeministri ynë thjesht vetëvlerësohet. Ego e shtyn atë që gjithnjë të ketë e të jetë më shumë. Në mungesë të aftësive e të realizimeve ky kryeministër u vu në kërkim të imazhit, vendosi standardin e gënjeshtrës në vend të suksesit! Suksesin imagjinar ai e gjeti te fantasia ose te një realitet fiktiv. Ne e kemi parë sesi na shfaqet me paraqitje bombastike e vetëlavdëruese për suksese imagjinare të shfaqura në ekrane si projekte e që shiten si vepra të tij. Ne e shohim Edi Ramën si fiksohet te vetëvetja.

Trajtimi i vetëvetes si askush tjetër në historinë e pluralizmit e madje të shtetit shqiptar ka bërë që Edi Rama të shfaqet më shumë si i sëmurë mendor, sesa njeri normal. Këtë lloj fenomeni Eckhart Tolle e quan skicofreni, ose paranojë për shkak të bartjes së tepruar të egos. (Libër i cituar më lart faqe 139). Sipas Tolle, elementët e kësaj skicofrenie janë mendjemadhësia, ndjenja e frikës, bindja se persona ose grupe të caktuara bëjnë komplot, për pasojë vendosja e kontrollit personal mbi gjthçka e mbi këdo. Dhe ja një shembull I freskët: – Kryeministri deklarohej para dy ditësh se “Berisha është penduar që nuk e ka likuiduar atë kur ishte në opozitë”! I deklarohej kësisoj një media italiane, ndërkohë që para disa javësh thoshte se “divergjencat e brendshme nuk i proklamoj jashtë vendit”! Kjo dëshmon për haluçinacione të tejskajshme, paranoja të shfrenuara dhe frikën e komplotit, karakteristika këto për diktatorët e sidomos për ish-diktatorin shqiptar, Hoxha!

Si përfundim mund të thuhet se Shqipërinë nuk e rrezikon kryeministri, por Edi Rama, subkoshienca e tij, egoja e tij, sipas të cilit të gjithë tjerët janë mace të zeza dhe shtriga, vetëm ai është “më i miri”, ndërkohë që njerëzit shohin të kundërtën. Kështu raporti me të drejtën dhe të padrejtën trajtohet nga Edi Rama pa vënë në funksion logjikën, ligjin, balancën dhe ekuilibrin njerëzor të sjelljes kolektive.

Fatmirësisht vërehet se egoja e Edi Ramës ende nuk është shndërruar në një ego kolektive, çka në një vend si yni, kjo do të krijonte shumë probleme. Në të vërtetë ai ka bërë e bën të gjitha përpjekjet që ta përçajë shoqërinë shqiptare, që ndjekësit e tij të ushqehen me paranojën e armikut të brendshëm. Nëse do ta arrinte këtë, përballja e sotme e opozitës me Edi Ramën mund ta çonte vendin në luftë civile. Fatmirësisht ka ende shpresa. Por opozita dhe shoqëria shqiptare duhet të mbajnë parasysh faktin se përballë tyre nuk kanë kryeministrin e Shqipërisë, ata përballen me egon deri në skicofreni të Edi Ramës. Prandaj kreu i ekzekutivit shqiptar është dhe mbetet i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm.

Tiranë, më 23.02.2019

Filed Under: Politike Tagged With: Egersia e Edi Rames, Enver Bytyci

Territore apo treg në këmbim të njohjes?! Kjo është çeshtja!

February 12, 2019 by dgreca

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi/

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u pozicionua dje rreth idesë së Vuçiq, Ramës dhe Thaçit për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Sipas akademikëve, ndarja e vendit është një projekt i vjetër i Beogradit dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Ndërsa sot kreu i kësaj Akademie, Nexhat Daci, përgenjështroi se deklarata e shpallur dje është firmosur prej tij. Hulumtova në internet për të gjet një kryetar të dytë të ndonjë akademie të shkencave në botë, që predikon dhënien e territoreve të vendit të tij një vendi tjetër fqinjë, por më kot. Kurrkund në botë nuk ndodh kjo, ashtu siç nuk ndodh që kreu i një shteti të punojë për tjetërsimin e territorit të vendit të vet. Megjithatë nuk dua të ndalem në këtë. Ajo me të cilën publiku shqiptar është përballur këto dy muajt e fundit ka të bëjë me dy skema të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit idis Kosovës e Serbisë si dhe keqinterpretimin e mbështetjes amerikane. Në Kosovë ka tashmë dy rryma politike, të cilat elaborojnë dy skema të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb. Rryma e parë është ajo që kryesohet nga Hashim Thaçi e mbështetet nga Nexhat Daci. Sipas kësaj rryme në dialogun me Serbinë duhet zbatuar skema “Territore në këmbim të njohjes”. Kjo rrymë politike proserbe ka shpallur në publik idenë mashtruese, sipas së cilës “Kush është kundër kësaj skeme, është kundër SHBA-ve”! Dhe duke qenë pengesë taksa e qeverisë Haradinaj për mallrat serbe, kjo kategori politikanësh të marrë peng propogandojnë se “Haradinaj është kundër SHBA-ve, meqenëse ai nuk pranon të heqë ose të pezullojë taksën”! Ndërkaq sot ambasadorja amerikane në NATO Kay Bailey Hutchison, foli ndryshe. Ajo tha se çeshtja e taksës është çeshtje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë e një prej autoriteteve diplomatike më të spikatur të Amerikës përgenjështron gënjeshtrat e Thaçit dhe të tijëve se “Amerika dhe Presidenti Trump na qenkan për heqjen e taksës dhe ndryshimin e kufijve”. Ndërsa sot u dha edhe një dëshmi tjetër pro kësaj teze. Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeu i bëri thirrje Europës që të bashkohet për të përballuar kërcënimin rus dhe kinez. Dhe nëse departiamenti i Shtetit Amerikan i përmbahet kësaj formule të ndalimit të influencës ruse në Europë, atëherë është e sigurt se SHBA-të nuk mbështesin ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, sepse ky ndryshim ka e do të ketë ndikim të kundërt. Kësisoj ngrehina e gënjeshtrave dhe mashtrimit e ngritur nga Rama e Thaçi bie! Rënia e ngrehinës së mashtrimit të autorëve dhe aktorëve të faljes së territorit të Kosovës – Serbisë avantazhon skemën e zgjuar të Ramush Haradinajt: “Treg në vend të njohjes”! Sipas kryeministrit, Kosova mund të japë treg, por jo edhe territore në këmbim të njohjes nga Serbia. Kësaj formule i shërben kërkesa që “Serbia ta njohë Kosovën e kjo e fundit të heqë taksën ndaj saj”! Por pavarësisht kësaj, Hashim Thaçi, Edi Rama, Nexhat Daci dhe dacër të tjerë të joshur ose të kërcënuar nga Beogradi vazhdojnë me këmbngulje spekullimet e manipulimet për heqjen ose pezullimin e kësaj takse, me qëllim që gjatë periudhës së pezullimit dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, të mund të nënshkruajnë marrëveshjen në dobi të krijimit të Serbisë së Madhe! Spekullimi me amerikanët vazhdon të mbetet pjesë e arritjes së qëllimeve serbo-ruse për Kosovën. Në fakt Vuçiq është në pozicion shumë të vështirë. Ai nuk mori mbështetje publike nga Vladimir Putin për Kosovën. Ndërkaq opozita proteston vazhdimisht kundër arrogancës së tij në qeverisje. Atij i duhet një aksion politik domethënës në dialogun me Kosovën, me qëllim që të rikthejë pozitat e humbura në elektoratin e tij. Këtë shans përpiqet t’ia japë Thaçi dhe Rama, megjithëse dhe këta gjenden tashmë të tronditur në pozicionet që kanë. Rama është i rrethuar nga jashtë dhe nga brenda. Thaçi është i kapur dhe shpejt do të bëhet objekt sulmi nga ana e opozitës së Kosovës. Nëse Kosova thellon konfliktin politik për shkak të skemës së Thaçit për të dhënë territore në këmbim të njohjes nga Serbia, atëherë ajo mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Vënia dhe heqja e taksës është atribut i qeverisë. Haradinaj nuk dëshiron që ta heqë atë. Madje ai është i vendosur për të përballuar presionin e stisur të Hashim Thaçit. Megjithatë Haradinajt i duhet edhe më tej të përballojë sulmet, intrigat dhe kurthet e Hashim Thaçit. Këto kurthe e intriga mund të vijnë psh nga bashkëpunimi i presidentit me Lidhjen Demokratike. Sot Abdullah Hoti është shprehur për pjesmarrjen e partisë së tij në këtë qeverisje. Kjo do të thotë që Thaçi punon për të krijuar një mazhorancë tjetër pa shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nëse do të ndodhin zgjedhjet e reja, partia e Thaçit do të shkonte në vendin e katërt pas Vetëvendosjes, AAK-së dhe LDK-së. Për këtë arësye Thaçi është në kërkim të një formule tjetër. Por ajo parti politike që ia jep këtë shans Hashim Thaçit është e destinuar të shuhet njësoj si Partia Demokratike e Kosovës. Këtë do ta dëshmojnë zgjedhjet e reja, kurdo që ato mund të bëhen. Ndryshimi ose përpjekjet për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe heqja e taksës nga një kryeministër tjetër, veç Haradinajt, do të jetë bumerang politik për partitë që do të punojnë për projektin serb të Ramës e Thaçit me moton “Territore në këmbim të njohjes”! Fitorja do t’i takojë skemës së Haradinajt të përkrahur nga Albin Kurti “Treg në këmbim të njohjes”! Tirane, me 12.02.2019

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, Territore apo treg në këmbim të njohjes?!

Alibitë serbe të Baton Haxhiut në funksion të ndarjes së Kosovës!

February 5, 2019 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Baton Haxhiu nuk mund t’i mungonte mbreme opinionit te Blendi Fevziut. Ai kishte ardhur nga Prishtina, i bindur se alibitë e tij të reja në mbrojtje të idesë së ndarjes së Kosovës, do ta nxirrnin fitimtar. Dhe falë shumicës së panelistëve ia arriti qëllimit. Ai shtroi para shikuesve disa alibi: 1. Së pari tha se ideja për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi dështoi nisma e Berlinit për Ballkanin Perendimor. Sipas tij, meqenëse “dështoi” Gjermania në përpjekjet e saj për arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, çeshtja kaloi në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt kaloi në duart e Moskës dhe Beogradit. Por Amerika përdoret për të kamufluar shërbimin që Thaçi, Rama dhe Batoni ia bëjnë Serbisë dhe Rusisë. Kjo ishte gënjeshtra e parë e radhës, të cilën Batoni e solli nga Beogradi në ekranin e vogël të TV Klanit, përmes Blendi Fevziut. Ishte një gënjeshtër, sepse ideja dhe procesi i ndarjes së Kosovës ka qenë gjithmonë aty dhe është riaktivizuar me forcë pas takimit në Nish në vjeshtën e vitit 2016 të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucciq. Të dy këta, sipas Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Serbi, në atë takim kanë folur dhe kanë vendosur që të punojnë së bashku për një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, me opsion ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë. Aso kohe projekti I Berlinit nuk kishte dështuar, përkundrazi ishte në kulmin e suksesit të vet. Por Rama dhe Vucciq ishin kundër atij projekti, pavarësisht premtimit që i kishin dhënë zonjës Merkel për të punuar për zbatimin e tij. Ata që ishin thirr në panel nuk e dinin ose nuk deshën ta ballafaqojnë këtë argument me Baton Haxhiun. Batoni u duk se e fitoi betejën me alibinë serbe të “dështimit” të Berlinit dhe hyrjes në lojë të SHBA-ve. 2. Alibia e dytë e Batonit dhe përkrahësve të ndarjes së Kosovës kishte të bënte me faktin se “veriu i Kosovës nuk administrohet nga qeveria e Kosovës”, për pasojë “nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm se t’i bashkohet Serbisë. Ndërkaq vihet re lehtë se veriun e Kosovës qëllimisht e kanë lënë në mëshirën e fatit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Them qëllimisht, sepse ata mesa duket ata në kulisa kanë projektuar shumë vite më parë që ta çojnë zgjidhjen te ndarja e Kosovës. Dhe gjithçka ka ndodhur në fshehtësi, kur të dy kanë qenë aktorët kryesorë politikë në të dy vendet e tyre. Jam i sigurt se në këtë lojë antishqiptare ka rolin e vet Baton Haxhiu, i cili mbrëmë hiqej se nuk di se kush është ideatori dhe iniciatori i projektit të ndarjes së Kosovës. Kishte frikën e dekonspirimit po ta pranonte atë që Batoni e di më mirë se kushdo, se Vuçiq dhe Daçiq janë kreatorë të kësaj ideje. Në panel askush nuk solli argumentin e tillë, ku t’i thuhej Batonit se ai që në vitin 2015 ka anonçuar në televizionin e tij Klan Kosova lajmin se Daçiq deklaron: “Mua nuk më intereson në sa shtete jetojnë shqiptarët. Interesi i Serbisë është që serbët në Ballkan të bashkohen e të jetojnë në shtetin e tyre të përbashkët”. Kjo deklaratë nuk i drejtohej vetëm veriut të Kosovës, por edhe Republikës Srpska. 3. Alibia e tretë e Batonit lidhet me thënien e tij se “Mua nuk më intereson se destabilizohet Ballkani, mjafton të ketë një marrëveshje midis Prishtinës e Beogradit”, dmth mjafton që Kosova t’ia japë Serbisë pjesën më vitale të territorit të saj. E vërteta është se me këtë alibi Baton Haxhiu dhe kreatorët e tij në Tiranë, Beograd e Prishtinë janë vënë në shërbim të skenarit ruso-serb për krijimin e Serbisë së Madhe dhe operojnë me “gjetjen patriotike”, sipas së cilës “u dhemb shpirti për Kosovën”, me territoret e së cilës duan të kënaqin orekset nacionaliste të Serbisë. Ky truk i shkollës sllave ishte ndoshta suksesi më i madh i Batonit në opinionin e mbrëmshëm. Dhe përsëri suksesi i tij kaloi nga paaftësia ose papërgjegjshmëria e panelistëve të përzgjedhur nga Fevziu. Përveç argumenteve të Bejtjes, asgjë nuk tingëlloi bindëse për të kundërshtuar alibitë e Batonit. Së katërti, Batoni dhe Fevziu, por edhe Preçi e Muçi, u nbërthyen në alibinë e vendimmarrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket arritjes së marrëveshjes Prishtinë-Beograd. Por asnjëri prej tyre nuk tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është angazhuar si askush tjetër në historinë e shteteve të botës, që të punojë me lobin serb në Amerikë, me lobin antishqiptar, për të fituar mbështetje për idenë dhe nismën e tij për ndarjen e Kosovës. Aleati më i ngushtë i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës është gjithashtu aleati më i ngushtë i Aleksandër Vuçiq dhe Ivaca Daçiq. Ai quhet John Bolton. Në SHBA ka një lob të fuqishëm proshqiptar. Janë ata që kanë çliruar Kosovën dhe kanë bekuar pavarësinë e saj. Por Hashim Thaçi nuk bashkëpunon me këta amerikanë vullnetmirë në dobi të kombit shqiptar. Ai punon dhe bashkëpunon me kundërshtarin e pavarësisë së Kosovës, Bolton. Megjithatë, askush nuk e përmendi këtë fakt në atë debat, sepse i duhej hapë rruga idesë se “Të kundërshtosh Thaçin, Ramën e Batonin je kundër Amerikës”! Pra Batoni ia arriti ta përccojë këtë mesazh te shqiptarët falë angazhimit të Blendi Fevziut dhe kontributit të Preçit e të tjerëve, përveç Andi Bejtjes, i cili theksoi se nuk është momënti i duhur që Kosova të kërkojë marrëveshje me Serbinë. Dhe e fundit, Btoni shpalli alibinë beogradase, sipas së cilës “Edhe Sali Berisha paska qenë për ndarjen e Kosovës, si zgjidhje”! Prisni të enjten që vjen, kur Edi Rama të bëjë në parlament shoun e radhës me këtë alibi serbe të Baton Haxhiut! Të gjitha këto alibi kanë vetëm një burim – Beogradin. Por kjo nuk do të thotë se ato nuk përpunohen rrugës nga Prishtina deri në Tiranë. Të gjithë proserbët janë vënë në shërbim të projektit të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Ndaj dhe Artur Zheji nuk ka të drejtë kur thotë se ky projekt nuk zbatohet dhe se Tirana duhet të heshtë! Tiranë, më 05.02.2019

Filed Under: Analiza Tagged With: Alibitë serbe të Baton Haxhiut në funksion, Enver Bytyci, të ndarjes së Kosovës!

Instikti i intrigës Rama

December 12, 2018 by dgreca

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi /

“Pasi na goditën, tani thonë hajde të bisedojmë për dajakun”, ishte pohimi epic i një student në një studio televizive pak më parë! Kjo thënie e mençur më ngacmoi kujtesën historike të një sjellje të njëjtë të serbëve ndaj viktimave të veta. Pasi i dhunojnë, i vrasin, i përdhunojnë dhe pasi shkatërrojnë çdo gjë, serbët kanë një ves të tillë të njëjtë: I thërrasin viktimat e tyre për pajtim. Edi Rama po bën oikërisht këtë me studentët, ndërkohë që po ndihmon presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të diskutojë me viktimat e veta në Kosovë për ndarjen e saj. Rama me qëllim korrupsioni hartoi dhe miratoi një ligj të arsimit të lartë, i cili është burimi i të gjitha të këqijave dhe vështirësive që u janë krijuar studentëve dhe universiteteve. Sepse futi në dorë paratë, u hoqi autonoinë universiteteve dhe katër teknokratë të emruar prej tij vendosin fatin e qindra akademikëve dhe mijëra studentëve të një universiteti. U hoqi fondet për pagat e pedagogëve dhe i detyroi universitetet që të ngrejnë tarifat për studentët. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që studentët të paguanin për pagat e pedagogëve. Një gjë e tillë ndodhi vetëm me ligjin e Edi Ramës për arsimin e lartë. Ndërkohë që profesorët që hartuan atë ligj ishin të interesuar tejmase t’ia merrnin fondet shtetit e t’ia jepnin universiteteve private! Një pjesë prej nesh e kundërshtuam me forcë këtë skemë korruptive, që maskohej me reformën në arsimin e lartë. Por askush nuk na vuri veshin. E vërteta është se shumica e stafeve akademike ose heshtën, ose ranë në ujdinë e kryeministrit. Por ky i fundit në vend që të hidhrohej nga kjo, u gëzua pa masë dhe e shiti reformën si sukses spektakolar të tij! Edhe opozita nuk reagoi fort! Derisa ligji për arsimin e lartë e çoi thikën në kockën e studentëve. Derisa studentët u ndjenë si klientë dhe jo si zotër të universiteteve. Tani skandali i ligjit për arsimin e lartë plasi. Studentët dolën në shesh. Ndërsa kryeministri i fton të dialogojë për atë që ai u ka marrë atyre. Qëllimi është që në dialog ai do të diskutojë jo për ndonjë pronë të vetën, por për atë që me ligj ua ka grabit studentëve. Dhe dialog në këtë rast do të thotë që studentët t’i japin përsëri diçka nga pasuria e tyre këtij kryeministri të pangopur e të pashpirt! Prandaj kryeministri dhe ministrja bëjnë viktimën, bëjnë “engjëllin”, sikur ata janë jashtë kësaj skeme mashtruese e fyese për studentët e universitetet që kanë gatuar vetë! E njëjta skemë dhe i njëjti mentalitet si te sjellja e serbëve në rastin e dhunimit, poshtërimit dhe përdhunimit të popujve të tjerë. Mesa duket të gjithë derrat kanë një turi, të gjithë mashtruesit kryejnë të njëjtin rit, rimashtrimin! Dhe të gjithë ata që bëjnë padrejtësi, kanë të zhvilluar instiktin e intrigës! Si Rama dhe Serbët e Beogradit!

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Instikti i intrigës Rama

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT