
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/
Pas një dite mjaft intensive shpikjesh dhe racionalizimesh ligjore, që si rregull janë produkt, jo vetëm i një shumice të thjeshtë, por i një shumice të cilësuar bazuar në konsensus të gjanë politik, mbi modele analoge legjislacioni, të gjithë sot pritëm krerët e institucioneve të nalta të drejtësisë të flisnin. Por, siç ndodh rëndom në rastet kur ka interesa të epërme publike, ata, gjyqtarët, heshtin, bajnë sikur nuk dëgjojnë. Thjesht nuk duan ta prishin punën me ata, të Gjithpushtetshmit, që kanë hy garant për vetingimet, prig’jimet e pastërtisë dhe të vazhdimësisë, Zotat që i bëjnë ta hedhin vallen vendçe, sa herë duan t’i telendisin publikisht.
Atëherë, cila duhej të ishte radha e korrektimeve për të cilat asht i interesuem publiku?
1. Sot, përpara se të ndërmerreshin propozimet e paarsyetueme e të pasinqerta, për ndryshime të gjëra në Kodin Penal apo në Kodin e Procedurës Penale, do të ishte e nevojshme që Kryeministri dhe shumica parlamentare të paraqisnin një kuadër – projekt të kjartë ligjor mbi përgjegjësinë politike dhe institucionale të funksionarëve të naltë publikë të përfshirë në procedime penale. Kjo sepse, prej së paku dy vitesh, publiku asht i çoroditun nga dyzimi figurativ i funksionarëve publikë, që shfaqen, ose janë njëkohësisht, ushtrues funksionesh në parlament e gjetkë dhe paralelisht, persona të vendosun nën akuzë, në pritje të gjykimit, ose individë që nga burgu kryejnë shkarkime dhe emërime. Kjo ështe një situatë e pangjashme që as zonja Ursula von der Leyen nuk do ta kishte kuptuar, sikur t’i shpjegohej se si po tallen qytetarët shqiptarë të mbetun peng në Shqipërinë kandidate.
Një projektligj i tillë i munguem edhe sot, do të duhej të kishte një nen të vetëm, i cili të përcaktonte se “personat që ushtrojnë funksione të nalta shtetnore, në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, në administratën e naltë, në pushtetin vendor dhe në institucionet e pavaruna, kur ndaj tyre ngrihet zyrtarisht akuzë për vepra penale të lidhura me ushtrimin e detyrës, korrupsionin, shpërdorimin e detyrës ose krimin e randë, dhe veçanërisht kur ndaj tyre caktohet nga gjykata një masë sigurimi, nuk duhet të vazhdojnë ushtrimin normal të funksionit”.
Po ashtu në shtesë të këtij neni, do të duhej të përcaktohej se në këto raste, asht e nevojshme të funksionojë një mekanizëm i përcaktuar kjartë i zhvendosjes nga detyra me ligj: dorëheqje, pezullim i përkohshëm ose procedurë shkarkimi nga organi kompetent, sipas natyrës kushtetuese të funksionit, duke e vendosun funksionarin në dispozicion të drejtësisë deri në sqarimin e pozitës së tij juridike.
Kjo formulë, ky mekanizëm, kështu i konceptuem, nuk do të përbante ndonji deklarim fajësie dhe nuk duhet të cenonte prezumimin e pafajësisë. Ai do të shprehte një standard tjetër: përgjegjësinë, e cila në asnji rast për funksionarin publik nuk është individuale, por ligjore dhe politike, mbasi ka të bajë, me integritetin e funksionit publik dhe detyrimin që pushteti shtetëror të mos përdoret për të penguar, ose ndikuar, ose komprometuar hetimin penal.
Dhe tani duhet të dalim tek problemi i dytë, i nderlidhur me të parin. Në fakt asht një pyetje: A ka Qeveria e Republikës së Shqipërisë një Kod të Përgjegjësisë Politike, Kolektive dhe Individuale, sikurse çdo qeveri parlamentare në Europë e Bashkuar, në menyrë që e vërteta të mos mbetet tëk humori i një njëriu, por të shfaqet tek fryma dhe përmbajtja e ligjit?! Pse duhet të përfshihemi në debate të kota, me fytyra të vrazhda imponuese, ndërkohë që duhet të angazhohemi të shkruajme rregullat që i paraprijnë përgjegjesisë penale të funksionarëve publike?!
Këto ditë jemi përfshirë çuditshëm në një debat mbi formulën, do ta quaja sofiste, të Përgjegjësisë Individuale të një ministri ose funksionari të naltë të pushtetit shtetëror, që ka ngjallur debat midis njerëzve të arsyeshëm nga njera anë, dhe të zanunve në qark, nga ana tjetër, të cilët duan ta gjejnë shpëtimin në fjalëkryqe të pakuptimta për t’u shpjeguar qytetarëve të drejtën publike. Kjo mënyrë arsyetimi e redukton një çështje themelore të së drejtës publike në një lojë fjalësh, duke ngatërruar përgjegjësinë penale personale me përgjegjësinë politike individuale dhe kolektive.
2. Sot, para shpalljes së nismës së rikodifikimit te ri penal, do të kishte kenë e udhës të shpallej Kodi i Pergjegjesise Politike Qeveritare, në të cilin të përcaktoheshin kjartë standardet e qëndrimit në detyrë të funksionarëve të naltë publikë. Kjo sepse në legjislacionin shqiptar nuk rezulton i ndërtuar një regjim i përgjithshëm, i cili të përcaktojë pasojat politike kur një ministër ose funksionar i naltë vihet nën akuzë apo nën masë sigurie për vepra të rënda penale. Po aq e papërcaktuar mbetet përgjegjësia politike e drejtuesit të qeverisë, sidomos kur raste të tilla përsëriten ndër persona të propozuar ose të emëruar prej tij dhe shtrojnë çështjen e standardit të përzgjedhjes, kontrollit dhe mbikëqyrjes politike.
Kjo nuk do të thotë t’i atribuohet Kryeministrit përgjegjësi penale për veprat e një ministri të tij, sepse përgjegjësia penale është personale; bëhet fjalë për përgjegjësinë politike për emërimin, mbajtjen në detyrë, mbikëqyrjen dhe reagimin institucional.
Kushtetuta dhe Kodi Etik Ministror njohin përgjegjësinë e ministrit dhe rolin drejtues e kontrollues të Kryeministrit, por nuk ndërtojnë një mekanizëm të plotë që të përcaktojë kur akuza, masa e sigurimit ose shkelje të rënda të integritetit të një ministri, duhet të sjellin pezullim, dorëheqje, shkarkim apo pasoja politike për autoritetin emërues.
Ky është boshllëku që një kod i mirëfilltë i përgjegjësisë politike do të synonte të rregullonte: pra, jo fajësinë penale, por standardin e përgjegjshmërisë së pushtetit.
Ky asht qarku ku jena futë pa dashjen tonë, por me vullnetin e ngatërrimit të krenave tanë, prej Zotave që kanë monopolin e të gjithë të vërtetave të këtij vendi të bamë lamsh.
Pyetjet që mbeten për t’i dhanë përgjegje janë këto: Kush duhet ta shkruajë këtë Statut? A duhet që ky Statut të shkruhet mbi bazen e modeleve të ngjashme të vendeve të tjera me sistem qeverisjeje parlamentare në Europë?
Për 11 vite me radhë, një prej seminareve ma të mirëpritura nga studentet e Fakultetit të Drejtësisë në UET, në lendën e të Drejtës Publike ka qenë ai mbi “Qeverinë e Përgjegjeshme dhe të Shpjegueshme”/” Kodi i Përgjegjësisë Politike të Qeverisë” / “Moraliteti i Funksionit Publik”. Duke mos pasur nji model tonin bashkëkohor, studenteve u ofroja rastin e qeverisjes parlamentare me spikatje të Kryeministrit, të Mbretërisë së Bashkuar. Sa larg jemi………edhe nga Mali i Zi, vend në të cilin, pas pak muajsh, për hatër të imuniteteve deri në 5 vite të disa mëkatarëve, do të hyjmë me kontroll të rreptë biometrik të pasaportave, duke mbajtur radhën.



