

Vatra Tampa Bay organizoi sot piknikun e mbylljes së vitit shkollor 2025-2026 të Shkollës Shqipe “Vatra”. Ky aktivitet u zhvillua në prani të prindërve, nxënësve, mësuesve dhe anëtarëve të komunitetit shqiptar.
Presidenti i Vatrës Tampa Bay, z. Isuf Spahiaj, mbajti fjalën e mirëseardhjes, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.
Më pas, Administratori i Shkollës, z. Tasim Ruko, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e Shkollës Shqipe për brezin e ri në diasporë. Ai vuri në dukje punën e palodhur të stafit pedagogjik gjatë gjithë vitit, si dhe mbështetjen e fortë e të vazhdueshme nga prindërit dhe anëtarët e komunitetit.
Gjatë ceremonisë u ndanë certifikatat e suksesit për të gjithë nxënësit që përfunduan vitin shkollor, si dhe certifikata falënderimi për prindërit mbështetës, sponsorët dhe mësuesit.
Pjesëmarrësit shijuan ushqime tradicionale shqiptare të përgatitura me kujdes dhe kaluan kohë duke u socializuar e duke forcuar lidhjet mes tyre.
Ky piknik ishte një demonstrim i qartë i forcës dhe unitetit të komunitetit shqiptar në Tampa Bay. Shkolla Shqipe Vatra mbetet një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e identitetit kombëtar larg atdheut.
Vatra Tampa Bay falënderon ngrohtësisht të gjithë nxënësit, stafin pedagogjik, prindërit, anëtarët e komunitetit dhe sponsorët për kontributin e tyre të çmuar gjatë këtij viti shkollor.
Vatra është e vendosur të përgatitet për një vit të ri shkollor, edhe më të suksesshëm dhe më të fortë se ky që sapo mbyllëm.
Me përzëmësi dhe respekte të larta,
Vatra Tampa Bay ![]()
![]()