• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IMZOT GJERGJ VOLAJ / Vritet Ipeshkvi ma i ri n’ botë

May 3, 2022 by s p

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\INetCache\Content.Word\download.jpg

  IMZOT GJERGJ VOLAJ

  (1904 – 1948)

“Nanë! Mos kjaj per até që po shef tashti! 

Kjaj per até që vjen ma mbrapa!” 

Imz. Gjergj VOLAJ

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Porsa kalon Uren e Bunës brij Kështjellës Rozafat dhe nisesh per në rrugen brijë  Liqenit të Shkodres, plot mbas 7 km, gjindesh në fshatin Shirokë. Asht nder fshatet ma t’ aferta të Shkodres, ku prifti i Shirokës Don Zef Ashta, në vitin 1874 ka hapë shkollen e parë shqipe. Ajo shkollë u hap pranë Kishës në

krahun e djathtë, në ndertesen e Tom Mark Radovanit, të Parvet të mij. Bana ket hymje mbasi Shiroka asht qendra ma e permendun pranë Shkodres, per njerzit e mëdhaj që i ka dhanë Shqipnisë tue fillue nga i njoftuni Kardinali i Parë Shqiptar Imzot Mikel Koliqi, doktor Federik Shiroka, At Anton Harapi e deri tek mësues e profesora të njohun në gjithë Shqipninë e ditve të shkueme e të sotme. 

Aty asht le edhe Imzot Gjergj Volaj me 21 Shtator 1904. Mbasi perfundoi shkollen fillore në vendlindje, vazhdoi seminarin Papnuer në Shkoder e, mbas tij vazhdoi n’ Itali në Padova, universitetin e filozofisë si dhe Seminarin Minor, ku ra në sy per një pergatitje të mrekullueshme dhe sjelljen e Tij shembullore. 

Pak vjet mbas Tij u pat le edhe djali i dytë Kola, që ma vonë edhe Ky ju kushtue me andje të madhe, Urdhnit Françeskan dhe mori emnin At Viktor Volaj O.F.M. 

Dy vllazen dijetar dhe klerikë shumë të nderuem të Klerit Katolik në Shqipni.

Me 28 Qershor 1930, Gjergj Volaj shugurohet Meshtar nga Argjipeshkvi i njohun Metropolitan i Shkodres, Imz. Lazer Mjedja. Emnohet famullitar i Malit Jushit. Në Shkrel ka sherbye deri në vitin 1936, që ishte zonë e thellë malore e njohun. Aty emnohet Ipeshkëv i Sapës, me qender në Nenshat, ku me 26 Qershor 1940, në moshen 36 vjeçare, tue kenë ipeshkëv i Sapës, gzon titujt ma të naltë fatarë e kjo ishte një knaqësi shumë e madhe per Katolikët e Shqipnisë së Veriut. Imz. Gjergj Volaj ishte shumë i rij kur Kardinali della Costa, Ipeshkëv i Padovës, e prezantoi me përgjegjësin, Delegatin Apostolik në Shqipni della Pietra, tue i paraqit studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë. Prej asaj kohë Imz. Volaj u dallue edhe si predikatar. 

Ishte ma i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe me një kulturë të naltë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda, Dom Ndre Zadeja. Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj 1946 kur ndrroi jetë Imzot Gaspër Thaçi. Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë masa tepër të rrepta nga shteti komunist që të pengonte në çdo mënyrë procesionin, ai u ba aq madhështor dhe me pjesmarrje të gjithë jo vetem të qytetarve të Shkodres por, edhe të studentave të Gjimnazit shtetit, saqë u vlerësue si manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit.

Në meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit ia caktuene dhe e mbajti Imzot Gjergj Volaj. Një ligjeratë e mbetun në kujtesen tonë, si fjalim i paharrueshëm historik, madje edhe i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale ku populli e mbushi si asnjëherë, mbrenda e jashta me popull besimtar të Shkodrës mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në dorë, me gojtarinë e rrjellshme të predikatarit me forcë fjale, i prekun thellë nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetë shprehja gojore e një fjalimi ma të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej figura e njohun fetare e nderueme e Imz. Gasper Thaçit, ku Imz. Volaj thirri me za të naltë:
I paharrueshmi Kryeipeshkëv Imzot Thaçi! Ti përgjithmonë Shqiptar!
Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik romak!  Ishte ky fillimi i fjalës plot za e forcë që ushtoi edhe jashtë Katedrales dhe u përhap kudo, si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme i të gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në Kalvarin e madh e deri në martirizim. Nuk harrohet edhe jehona e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë Shejtore, të ardhun nga qyteti e të gjitha katundet rreth Shkodrës për festën e Zojës. 

Mesha e kremtue nga Imzot Gjergj Volaj. Predikatari i njohun Volaj, me aftësi foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme tek Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë aq të vështira. 

Ishte predikimi i fundit i Imz Volaj: Porosi dhe thirrje për Besim në Zotin.

Ky fjalim paralajmërues i fundit nuk ishte jo i papritun. Ata që e njohën dhe ia ndigjuen zanin, kanë shka të flasin për Imzot Gjergj Volaj, por edhe të lotojnë sepse, komunistët ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së Ever Hoxhës kundër Krishtit. Në rrethana poshtnimi u arrestue Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të pavërteta u torturue mizorisht dhe kujtohet nder ma të masakruemit klerikë katolik nga Sigurimi i shtetit komunist. 

Mbas arrestimit u mbajt në hetuesinë ma të mnershme të Sigurimit shtetit në Shkoder, në hetuesinë e Kuvendit të Fretenve pranë Kishës së tyne, ku pak kohë perpara sigurimi komunist kishte futë edhe armët nën elterë. Aty Imz. Volaj provoi tmeret e panjoftuna ndonjëherë nga Atdhetarët dhe kleri katolik paperjashtim, po disa nga drejtuesit e Atij kleri janë masakrue aqsa nder shtetet e Europës Lindore komuniste as nuk njiheshin ato tortura. 

Vetë mbyllja e procesit Imz. Gjergj Volaj me firmen e Tij, verteton paasnjë kundershtim se Ai, jo vetem ishte i pafajshem po, edhe i pamujtun mos me i pranue akuzat që as nuk i shkonte mendja se do të firmonte në jeten e Tij. 

U dënue me vdekje. Për çudi Ju lejue një takim special me Nanën e tij njëditë para pushkatimit të Imz. Gjergjit. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Dukej si ndalesa e Katërt ku Jezu Krishti i dënuem me vdekje takon Nanën e vet. Jo pa qellim të keq: E takuene vetem me e demoralizue Djalin para Nanës së vet të shkretë!

Sa dhimbje të mëdha kanë provue këto dy zemra të pasterta e të dashtuna!

I dhimshëm po edhe i paimagjinueshem takimi me Nanën e vet Tone, i të dënuemit me vdekje Imzot Gjergj Volaj njëditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi Nanën e vet kur e pau aq të rrënueme. “Nanë, mos vajto atë që tashti sheh tek unë. Kjajë ditët ma të vështira që do të vijnë!” Ia shtrini dorën mbi kokë dhe i tha: “Kjofsh e Bekueme o Nanë!” Të theruna zemre, mjerim e lot, por bekim për amshim. “Kjofsh i bekuem o Biri i Nanës!” Iu përgjegj Nana. Vetem Ato Nana mund të flasin edhe sot nga gropat e Rrmajt mbasi asnjëherë, nuk harrohen krismat në orët e para të mëngjeseve të atyne kohëve të zeza, që vijshin gjithnjë nga Penda e Kirit mbas Rrëmajit.

Me 3 shkurt 1948 mbas vorreve, aty tek Zalli i Kirit, u pushkatuen disa vetë të hjedhun në një gropë. Por nuk u mbyll këtu dhimbja për Nanën e vujtun. Edhe djali tjeter At Viktor Volaj, atdhetar, gjuhëtar dhe studiues, etnograf, përkthyes e autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i ngushtë i At Justin Rrotës e At Gjergj Fishtës, që ishte edhe komentator i të gjitha veprave të poetit të madh kombtar, nuk i shpëtoi dënimit për shumë vite në internime komuniste kur nana e vet krejtësisht e vetmueme, kalonte jetën  pranë një familjes bamirse. E pra kjo asht e verteta e Familjes Volaj, që u shfaros nga Sigurimi i shtetit komunist i diktatorit terrorist pa asnjë shkak vetem, pse dy djelmët ishin thirrë me i sherbye Kishës Katolike në Shqipni.

E sa familje si kjo ka sot Shqipnia e “rilindur socialiste”?! – As nuk bahet e dijtun kurr masakra e madhe e diktaturës barbare komuniste në Shqipni! 

Dihet vetem një fakt: Shqipnia jo vetem nuk i dënon krimet e komunizmit, po perditë mendon per kthimin mbrapa të shtetit, tue ringjallë diktaturen, fanatizmin anadollak dhe shthurjen e ligjve e të ecjes drejtë Europës.   

A ka sot Nanë Shqiptare që i këndon Djalit si Nana e Imzot Gjergj Volaj: 

“Flej qetësisht n’at djep moj njome,

  pusho n’paqë me ej’ e zana,

  si ma t’mirin nder gjithë kombe

  për Shqipni tash t’rritë ty Nana.” (Shkrue nga Don Ndre Zadeja).

Melbourne, 2 Maji 2022.                       

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani

VETEM SHQIPNIA KA TERRORISTA ME DEKORATA

December 2, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

ANd9GcSdYGTEaJlvJELunynyOKxS-BefALwK_ovnRzYZJbgMgJ0mNuuKwA
ANd9GcQnwJAgRGl9FzVi4DW5sYKrScYUIjmnDptGF_idXOJaVQgy4RgB
ANd9GcSmXyDKKckcaFM9zfP346m1qi57ZryzZI-WKy00z7gfOMJRMonA
ANd9GcRegm3YB7cmJ1-teEpIEZX_g0Fl7gB5ywwmjg8PzV8ksrmPfRYn

A ka mbetë kund në Trojet Shqiptare ftyrë e gjak Shqiptari!? 

Po si lejohen tradhëtarët njeni ma i poshter se tjetri me vazhdue me u quejtë “heronj”?!

Ka pasë qitë në vajë e shkreta Katrin Tomja kur i vrane djalin në 1946: 

“Enver Hoxha me Nishan…

Gjan’ e vet dreqi s’e han…” 

Dhe, me të vertetë.., jo vetem ata, po as rojet e rrugicave e të vorreve të tyne! Prof. I Madh Arshi Pipa tha: “Xhonturqit e Shqipnisë së ré, kerkojnë me vazhdue me sundue pergjithmonë…” Po bahen 30 vjet tjera prej ditës që Profesori foli n’Institutin Pedagogjik të Shkodres, dhe Shqiptarët i gjenë tue kullotë nen shkopin e sundimtarëve…

E sundimtarët tanë i njeh OKB, “Konferenca Islamike”, NATO, se porosia tyne asht:  “amaneti” i Ramiz Alisë: “Edhe bar do hajmë.., e parimet nuk i shkelim…!” Veteranët i gjenë ditë e natë tue kullotë te livadhet e maruanës…I lagun me lotët e partisë ngordhur.

Shumë interesante: Në të gjitha kohët kur Shqiptarët u sunduen nga vrasës e terroristë të vetshpallun “presidentë.., deri tek mbret apo sekretarë të parë partie, tue u modifikue si kryeministra…”, ky Popull ka provue vetem vrasje, varje, dëbime, internime, pushkatime dhe terror nga vrasësit e vet per me ruejtë kolltukun e sunduesit barbar e tradhëtar! Kjo ngjet se edhe sunduesit e sotem e ndiejnë veten trashigimtarë të denjë të kriminelëve të djeshem, prej të cilëve kanë marrë vetem instingtin e gjakut dhe të hajnisë, me të cilin nuk po ngopen asnjëherë! Filloi i pari Esad pashë Toptani, i nipi Ahmet Zogu, e mbas tyne vrasësi i Gjinokastres së njohun me titullin e drejtuesit komunist, që perfundoi në shinat anadollake të kriminelit, tue u pasue nga llomi vrastarë boshnjak Ramiz Alia, i cili kolltukun ua trashigoi terroristave hajdut e drogaxhinjë të PPSh, që janë vetdeklarue “vëllezer gjaku të turqëve”… E po mos t’ishin Burra të vertetë minatorët e Valiasit, edhe sot Enver Hoxha do t’ishte tue i tregue sundimtarëve se “e ardhmja asht nga banka e shtetit”, ku me rradhë si mbas porosisë së tij po vazhdojnë hajninë, grabitjen e pronave, dhunimin e të persekutuemëve dhe i pronarëve të ligjshem, këthimin e kohës primitive të largimit rinisë dhe skllavnimin poshtnues me drogë e lojna kufijsh të Shqiptarëve. 

Me çfarë surrati ulen nder karrigat e Omer Nishanit, Haxhi Lleshit e Ramiz Alisë disa të vetquejtun “deputetë të Kuvendit Popullor”..? Një tufë agjentësh e hajdutësh, pasues të denjë të një epoke të turpëshme diktatoriale dhe terroriste, që edhe dekoraten e Enver Hoxhës “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dhanë nga Tito me 1 korrik 1946, endè sot ia ruejnë të varun në gjoks!! Asht ajo dekoratë që i dha Tito vetë E. Hoxhës, se filloi në vitin 1944 luften vllavrasëse civile pa pikë mëshire ku i erdhi ma mbarë në Jug e Veri, në male e fusha e deri me vllaznit e vet kosovarë, që mbrenda janarit 1945 filluen edhe zhdukjen e tyne në Kukës dhe e mbyllen me krimet e “Masakres së Tivarit” bashkë me “heroin” Ramiz Alia. Ishte pikrisht gjysa e janarit kur vrane edhe mbi 118 Burra të Kelmendit pabesisht në perpjekje me forcat Atdhetare të Prekë Calit, e trupat e të vramëve i ka tretë bash tradhëtari i shitun, baba i atij Kastriot Islamit me Koçi Xoxen e Mehmet Shehun, shoqnue nga forcat jugosllave që u ranë mbas shpine Atyne Burrave.

Terroristët komunistë ma barbar të shekullit XX, janë vrastarët “heronjë” të mashumëse 50.000 Shqiptarëve Atdhetarë, prangues dhe interrnues të mbi 450.000 Shqiptarëve tjerë, burra, gra, fëmijë, pleqë e të rinjë, shumicës së të cilëve nuk ju dihen as vorrezat?!

Këto janë shifrat e verteta dhe jo ata që publikojnë disa…

Të gjitha ata vrasje a u bane me urdhen të Enver Hoxhës, Omer Nishanit, Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Nexhmije Hoxhës e plehave tjerë që u shkonin mbrapa si zagarët derisa, u dhane edhe atyne ate çka kanë kerkue tue fillue nga Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Spiro Koleka, Bedri Spahiu, me shokë?! 

Të gjithë ketë llom e pleh edhe sot Shteti e ka të mbathun me dekorata e tituj…

Paturpsisht “dr. prof., akademikë” presin se,“ku do t’i vendosin këta barbarë” historia?!

Dosjet nuk hapen…Vetem premtime e rrena…Nuk tregohet per asnjë person “pastertia” e figurave politike, Presidenti zgjidhet pa tregue kush asht, “nuk i dihet as baba”.., veç per ke asht i martuem. Nuk tregohet prejardhja e as origjina e qeveritarëve se të gjithë i kanë sherbye sigurimit të shtetit vrastar per me realizue diktaturen komuniste, që solli e po sjellë perditë në pushtet vetem bijtë e terroristve vrasës hajdutë. Kjo asht “Rilindja”!

Knaqësi… Rinia po ikë… Pleqnia po vdes… 

Mbas kujt mëshefen këta tregtarë droge? E kush janë këta drejtues të Shqipnisë?! 

I pari Kryeministri, Kryetari i Kuvendit Popullor, Gjykatat e dikasteret… Deri tek deputetët e “bodigardët” e Nexhmije Hoxhës. Që, me siguri duhen pague se, nuk ka kush me ia zhgulë barin që i del mbi vorr, se rritet perditë prej plehut që ka nen dhe… 

E mos me kenë veteranët që permallohen e i pshton… 

Kush ua lanë surretnit e tyne?.. 

Melbourne, 2 Dhjetor 2021. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani

QENI DHE HANA…

November 29, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

Në një mbrame vonë një qen po shikonte hanen. Nuk po i besonte syve të vet! I dukej ma afer se kurr! Ndoshta, i ishte krijue idea se hana edhe mundet me ra…  

Ai po e priste nga minuti në minut ramjen e saj, mbasi kishte kuptue lëvizjen e saj në rrotullim, po nuk po kuptonte se a po lëvizë toka ku ishte ulë, dhe po shikonte naltë… 

Pema ishte aty ku e gjeti porsa erdhi me vrojtue hanen… As ajo nuk duket se lëvizë… 

Porsa perqendrohej me sy nga hana, i prishej pamja e saj nga shkelqimi i yjeve. Edhe ata nuk i merrte vesht a lëvizin apo edhe ata rrotullohen me hanen në drejtim të tokës, gja që edhe e frigonte ramja e tyne si copa zjarri…

Nuk vonoi dhe iu afrue një deputet i PS që kishte në dorë një foto, që qeni porsa e pau filloi me leh… Prap ju me kete ujk në dorë!?… As qenit nuk ju besue se ai, kishte në dorë foton e everit… Vertetë u tmerrue i shkreti qen kur pau foton e atij krimineli që kishte masakrue Popullin Shqiptar per ma shumë se një gjysem shekulli… Filluen me i rrjell lotët qenit shkretë… 

U bane sa e sa vite që ai ujk na pat shkye edhe klyshët tonë… 

E ju vazhdoni me na e sjellë per me na frigue me foton e tij…! Filloi i shkreti qen me u topitë nga frika… 

Nuk ishte i zoti as me leh… Kishte harrue qeni se ishte data 29 nandor… Priste kot kur, po del drita… Ashtu, si po presin edhe … Shqiptarët tash 30 vjet kur po del ajo.., dritë… 

Melbourne, 29 Nandor 2021.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani

“28 NANDOR”

November 24, 2021 by s p

Kujtime…

images

Pergatiti: Fritz RADOVANI
Melbourne, 24 Nandor 2021.

At Pjeter Meshkalla S.J.

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, nuk di se çfarë do të kénë mendue shumica e Shqiptarëve!? Përgjithësisht pesimizëm: Jo pse nuk donin Shqipninë e Lirë, por pse nuk e besonin. 

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë gjaku i nxehun që vlonte nder déj (damar) të njomë u trumhas: Një nervozizëm i egër na pushtoi; kénka pra, një Shqipni! 

Nervozizmi kishte ngritë krye edhe përpara ndër fëmijët kur Shqiptarët ishin, por Shqipnia ende nuk ishte. Të mdhajët na thonin se njêllim zi… Na u gjuenim me gurë përditë e përnatë… kërkonim në vedi antagonizëm edhe ku nuk kishte… 

Shkolla, mësimet, librat, kokordat (shenjat dalluese) kuq e zi, flamurthit me një gjylpanë për shtizë, kangët e lirisë, jerm, kllapi! 

Paj vjerrshën “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, e lexova sëpari ndër banka të së dytës fillore, kah kalonte tue u strukë prej një libri në tjetrin. Kot mësuesi i ngratë shkyente zanin tue na britë: “Pandigjesë (disiplinë) e studim, ku do të përfundoni ju e Shqipnia me gjithë kangë e kokorda!?” Kujt i flet?… Por edhe na nuk kishim faj: Ishte tharmi që përzinte brumin, tharmi që shkatrron.., e pertrinë… 

Binim me fjetë… Ndër “boka”(kodra) kriste pushka pa pushim, si të kishte kenë një shprazje e vetme mitralozi: Malësoret, Turku, Mali i Zi, !?

Në fund të fundit qé, e vërteta: Ishte një popull, që kërkonte-ndoshta, pa e ditë mirë se si të rrnojë; por, kërkonte me rrnue si popull. Sot njëzet e sa vjet, u mbajshin andrrues ata pak “poet”, që pohonin se ka Shqipni. Sado me i pasë mpref sytë, sado me e pasë ngreh dylbinë… nuk u dukte kurrkund! 

E pra, ishte shumë ma afër se u mendonte! Ndër zemrat e shumë Shqiptarëve qëndronte endè gjallë flaka e Atdheut, trashigue prej të Parëvet, por e mësheftë; ma fort se flakë, mund të quhej prush nën hi, gati me nxjerrë shkëndija. 

Sot, ka Shqipni e, ka edhe ndërgjegje Shqiptare!

Gacat (thëngjijtë) kanë nxjerrë shkëndia, shkëndijat edhe janë bâ flakë… Askujt nuk ia ep ma ndërgjegja me na e pré rrugën; kurrnjë Shqiptarit me u kthye dalë (mbrapa)! 

Kemi endè shumë të meta; e dijmë… Kemi ba shumë gabime; kush nuk gabon? Por, tue zhdukë dalëngadalë të metat, tue njohë e tue ndreqë gabimet, a thue do të jetë kush me na thanë se po zmbrapsemi mbi gjurmët e shkeluna?! Jo, kurrë! Kjo nuk asht zmbrapsje, ky asht Përparim!

Zhvillimet e reja bijnë me vehte kurdoherë guxim, guximet të fusin shpesh në mjegull, nëpër mjegull lindin mosmarrveshjet. Dalngadalë shpërndahet mjegulla; po të jenë vullneti i mirë marrveshja lind rrugës e, mbas saj edhe bashkëveprimi. 

“Përparimi nuk asht tjetër përveçse tradita në ecje”, thotë një shkrimtar francez. Por, tradita në çdo popull i ka disa baza themelore, të palëkundëshme, sepse janë të vendosuna mbi shkamb të të drejtave të natyrëshme të njeriut. Përballë këtyne të drejtave vullneti i mirë përkulet; vetëm kështu asht e mundun marrveshja e bashkëveprimi. Trinomi i lumtunisë: Vullneti i mirë, marrveshja, bashkveprimi.

Binomi i shkatrrimit: Dy kuaj të një qerrje që tërheqin, por që nuk tërheqin. Por, na nuk duem shkatrrim! Duem Përparim e Shqipni të lumtun! 

Përparimi asht shkalla e lumtunisë.

Përparimi asht fryti i veprimit simbas parimeve të shëndoshta. Prej Përparimit njihet parimi si landa (druni) prej frytit: Po nuk kjenë të shndoshta parimet, tue përparue ose tue ecë përpara, rruga të nxjerrë në kaos. Përderisa natyra e njeriut asht e arsyeshme, herët o vonë e vërteta nxjerrë krye, mbetët parimi që bazohet mbi të vërtetën, i forcuem tashti të thuesh: Me provë e kundër-provë.  

Ari nxirrët i përziem me baltë e gurë mandej, dlirët (pastrohet). Latini thotë, sé mendja e lehtë i përngjet flamurit (banderolës). Tham se e ka gabim. 

Flamuri përfaqëson përnjëheri e ma së miri Parim e Përparim: Shtiza e ngulun asht Parimi, pelhura që valvitët asht Përparimi, megjithë atë forfuri të pandalun ngjyrash e refleksësh, me atë fantazmagori dredhimesh, hollimesh, zhvillimesh e kjeshë tue thanë, gadi edhe filmash.

Kur shtiza asht e ngulun në shkamb, qëndron e patundëshme. 

Shkambi asht besimi. Besimi në Perendinë po se po, sepse pa ketë themel nuk ka mbështetje asnjësend; por edhe besimi në vetvehte mbështetet në forcat tona, në Ideal.

Jemi tue u ngjitë një mali thik me pyll të dendun, virgjin, të panjohun: Një copë shteg i mirë asht çilë, shumë ma tepër mbetet me u çilë, por kemi besim të ngultë se dikur do t’i kapemi majës, Idealit. Ky besim do të na bajë me vlue gjakun ndër déj, do t’u japi fuqi gjymtyrëve të lodhuna prej përpjetës, do t’i kthéjë entuzjazëm për me fluturue zemrës së lëshueme. 

Na, Shqiptarët, deri tash vonë e kemi pasë një të métë fatale: kemi pasë shumë pak besim në fuqitë tona. E, atëherë, rri të rrimë!! Tue ushtue nëpër krepa e ferra na ka pikue gjaku, na ka zanë nata.., jemi kthye mbrapësht, secili në punë të vet. 

Rri të rrimë!..

PËRPARA!… Shteg më shteg, derisa të dalim rishtas në drejtim!

PËRPARA!… Çdo hutim paguhet shtrenjt! 

PËRPARA!… Nëpër ferra, gëmusha, krepa e tërthore!

PËRPARA!… Edhe kur drejtimi të na ketë humbë! 

PËRPARA!… Edhe kur balli, thêmbra e zêmra të pikojnë gjak pikë-pikë! 

Disiplinë e Vullnet e, … Optimizëm!

Pesimizmi kjoftë zhdukë! 

Kriza materiale na ka lodhë. Ka lodhë gjithë Botën… 

Kriza shpirtnore kishte me na mbytë!

Pesimizmi thotë: “Më lëshoj zemra… Ka mbarue. Nuk ngrihet ma gja në kambë!” 

Optimizmi thotë: “Zemër…Të gjitha shpresat nuk kanë humbë endè, diçka kemi ngritë në kambë… Zemër!”. 

Por, nuk asht optimizëm i shëndoshtë ai që thotë symbylltas: Padyshim, gjithshka asht mbarë, ma mirë nuk ka si bahët!”. 

Ky do të ishte ma i rrezikshëm se pesimizmi vétë. Përkundrazi, nuk asht pesimizëm ai që çilë sytë me pa si të mirën,si të keqën. 

Po! Do t’u dalim përballë fakteve me i shikue në fëtyrë ashtu siç janë; me të mira e me të këqija që zbulojnë e mshefin. Por, ky realizëm e objektivitet nuk do të ketë fuqi me shue flakën e Idealit, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: 

Ideali, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: Përndryshej kishte me na ardhë fundi, sigurisht! 

Me vapën entuziastike të optimizmit ndoshta, sigurisht, do të dalim në breg! Egoizëm e abnegacion, edhe këto janë fjalë të hueja por, që kuptohën lehtë në rrethe shoqnore të kulturueme e të mesme. 

Për me kalue ndonjë ujë hidhën mbrendë në té gurë të mdhaj e të vogjel: Të parët, të dytët, të tretët.., zhdukën e nuk shihën ma, hidh e hidh e tèk e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prap hidhën të tjerë.., derisa bahet i mujtun kalimi, keq o mirë, po bahet; ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë! Na jemi gurtë (të mëdhaj o të vogjel), të hjedhun në fillim, që zhdukën e nuk shihën ma, por janë në themel të parë! 

Qé, ambicioni i themelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma!

Egoizëm… Abnegacion!

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët do të kërkojnë njëditë të mirën e Atdheut e Ndérën e Flamurit pa kurrfarë interesi egoistik. Padyshim, të gjithë e kanë për detyrë; por për me i ra shkurt, secili lè t’ia nisin ma i pari.

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët njëditë do të puthen në ballë! Po nuk kje një antagonizëm, nxjerrë krye një tjetër; po kërkuem me zhgulë një rranjë marrin frymë e ushqim njëqind të tjera të helmueme. A nuk asht ma mirë me shndrrue antagonizmin brutal në emulacion të natyrshëm e veprues?

STAFETA: Të Parët tonë na e dorzuen të ndezun flugun (zéllin) e Atdhedashunisë lidhë me Flamurë; në vrap na e dorzuen e të bamë féle-féle (copa-copa). 

Çka kishte me thanë brezi i ri që po na rritët ndër sy, po nuk ia dorzuem atij gjithnjë në vrap Visarin e Shénjtë?!

Prej të Parëve pritëm një Shqipni të Lirë! 

Nipat presin prej nésh një Shqipni të lumtun!..

                                                                                               Psim

Psim – Asht pseudonimi i At Pjetër Meshkallës S.J.

Artikulli asht marrë nga revista “Leka” 1933, nr. XI, XII, fq.  337-340.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani

Intervistë nga Fritz RADOVANI në Radio Shkodra

November 12, 2021 by s p

download

RADIO SHKODRA

Më datën 25 shtator 1992, ora 12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës S.J., prej Presidentit të Republikës 

“Me Medaljën e Artë  PISHTAR  I  DEMOKRACISË”. 

Kjo ishte medalja e parë që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar prej një forumi të naltë të Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i Tij. 

Drejtor’i Radio “Shkodrës” atëherë ishte z. Anton Çefa, ndërsa intervistuesi im ishte z. Albert Kurti. 

Pyetje: Asht ba një peticion nga një grup qytetarësh për dekorimin e të Nderuemit Padër Pjetër Meshkalla. Mëqë në këte grup keni ba pjesë edhe ju, çfarë mund të na thoni ? 

Përgjegje: Peticioni që kemi ba në bashpunim me zotnijtë: Anton Benussi, Kolec Çefa, Refik Bushati dhe Sandër Kaçinari nga Tirana, gjeti përkrahjën e të gjithë nënshkruesve, si në qytetin e Shkodrës, ashtu edhe në Kryeqytet. Na ndihmuen në mënyrë të veçantë: Shoqata e të burgosunve politikë të Shkodrës, si edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit tonë, z. Filip Guraziu. Pranimi për shqyrtim dhe aprovimi i kërkesës sonë nga ana e Presidentit Sali Berisha, tregon se me të vërtetë ka ardhë koha e vendosjës në piedestalin e merituem të demokracisë, së figurës së Pader Pjetër Mëshkallës, Këtij “Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”, që gjithë jetën punoi për Lirinë, Unitetin e Përparimin e Atdheut. 

Pyetje: Ku konsiston vepra atdhetare e Këtij Patrioti? 

Përgjegje: Pader Pjetër Mëshkalla asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik Shqiptar, të salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nder i madh që nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se primare për Té ishte kenja Shqiptar! 

Që në moshë të re, rreth vitëve 1925-30, prej vjershave të para e deri tek artikujt e Tij të randësishëm, në të cilët dallohët “Udhë e gabueme”, Ai lufton fanatizmin. Ai thotë: “Vëllazën me të gjithë, këso dore kemi me provue me fakte, se asht e mundun bashkjetesa ma paqësore dhe ma e frytëshme me besimet tjera.” 

Ai luftoi me gjithë shpirt ndasitë fetare në gjithë Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohë edhe ma mirë figurën e Tij. 

Pyetje: Meqë materiali vlenë per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin tonë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës? 

Përgjegje: Sigurisht që po! 25 vjet ma parë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun thirreshin po në këtë auditor dhe aty u viheshin hekurat. Pikërisht aty, me 29 prill 1967 u arrestue edhe Pader Mëshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë shërbëtorë besnikë të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arsimit tonë kombëtar. 

Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e Pader Mëshkallës mbetet simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë Shqiptare dhe, Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar!  Ju falëmnderës!

•Shenim FR: Botohet pa asnjë ndryshim nga intervista.

Melbourne, 12 Nandor 2021.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT