• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BALTA QË DUHET TA DUAM

November 3, 2026 by s p

– Një syhedhje librit “Balta që (s)duam” të publicistit lezhjan Gjovalin Gjeloshi –

Në këtë vjeshtë të trazuar shqiptare, kur duhet të shihnim rënien e gjetheve dhe ngjyrat e bukura, jo flakët, shkatërrimin dhe urrejtjen “pa kandar” ndërshqiptare, shfletoja me kureshtje librin publicistik të Gjovalin Gjeloshit. Është një libër me dedikim privat nga autori, me fjalë të thjeshta: “Mikut tim të parë të gazetarisë”. Dhe kujtoj: askush nuk trokiti në atë redaksi të vogël si Gjovalin Gjeloshi: i sjellshëm, i urtë (vetëm unë e Boriçi e dimë se ç’hoqëm më vonë, prej shkrimeve të tij) e plot respekt më tha: “Dua të shkruaj”. Dhe rrëmbeu çelësat e botimit vetëm me talentin e vet publicistik. Koha i dha të drejtë në “unin” gjeloshjan…

Ky libër, si një ndër kulmet e publicistikës së Gjeloshit, “nusëron” në bibliotekën time në Minneapolis. Në fakt, disa herë e kam shfletuar për të mësuar të rejat e autorit që e njoh aq mirë, por shpesh telefonatat e punët e papritura më ndërprisnin. Këtë vjeshtë thashë: Ta lexoj Gjeloshin (Gjelin e dashur, siç e kam quajtur edhe kur jemi “kacafytur”). M’u drodhën duart ndërsa lexoja titujt aq të gjetur qysh në fillesat e shkrimeve të tij, si “Kullotje me shkop dhe jo “shkopin kullotave”, duke marrë në mbrojtje kullotat malore, të cilat dëmtoheshin pa kriter; “Pa çati, por ka themele”, për bujqësinë tonë e cila vërtetë, pavarësisht politikës, lodhjeve e sakrificave të atyre që merreshin me të, pati arritje të cilat sot nuk po i arrijmë më; “Më hidh në baltë se të nxjerr në dritë”, duke përdorur një shprehje popullore për kohën dhe mënyrën e mbjelljes së grurit; “Bujqësia shqiptare mes lëngesës dhe harrimit”, ku kritikohen me të drejtë qeveritë shqiptare qysh nga viti 1991 e këndej, të cilat nuk e vënë ujin në zjarr për të bërë prioritet bujqësinë; “Kujt i dhimbsen më shumë lisat: fshatarit apo rojtarit”, shkrim ky në fillimvitin 1991, ku jep idenë e privatizimit të pasurisë pyjore, e cila kishte pësuar dëmtime të pallogaritshme në fund të viteve 1980; “Lumi i vdekur i Lezhës”, dukë vënë alarmin se lumi Drin që kalon nëpër Lezhë, ka vdekur dhe tashmë është vetëm një kanal që mbledh ca mbeturina e ujrat e tepërta të reshjeve në dimër; apo “Shqipëria, “Delja e zezë’”, edhe në privatizimin e tokës bujësore”, duke kritikuar me forcë ligjin e ngatërruar 7501, duke vënë theksin se “Kushtetuta e RPSSH e vitit 1976, megjithëse ishte komuniste, e mbron më shumë të drejtën e pronës, kur shprehet se “toka jepet në përdorim pa shpërblim”, se sa dekreti presidencial, nr. 1431, mars 1996, kur thotë se “toka jepet në pronësi pa shpërblim”; e plot tituj të tjerë, që vetëm Gjovo “i peshkon” aq gozhdueshëm.

“Një libër i mrekullueshëm i së vërtetës publicistike”, thashë me vete ndjeva gëzim. Gjeloshi ngeli te dashuria e parë: gazetaria. Ai nuk bëri asnjë tradhti ndaj asaj që quhet “puthja emocionale” e botimit, që e realizoi te gazeta e vockël, por serioze ato kohë: “Studenti i Bujqësisë”. Me krenari e fillon librin me “Studentin e Bujqësisë” e sjell në “vitrinë” gjithë organet ku botoi (“Bashkimi”, “Koha jonë”, “Rilindja Demokratike”, “Tema” etj,) duke e mbullur me gazetën që themeloi vetë “Drini”). Shfletoj në Minneapolis publicistikën e Gjovalin Gjeloshit dhe ndihem në një “katapultë” drejt Atdheut tim, ku edhe pata fatin të njihja auorin dhe shumë talente të tjera të realitetit publicistik shqiptar. Lexoj Gjeloshin e Lezhës dhe “vij” në Shqipëri, futem në orizoret e dikurshme të Shkodrës dhe fushat pa fund me misër e “humb rrugën” në tematikën therëse që trajton libri. Më tmerron fakti se nuk mund të kthehem në Minneapolis, ku jeta ime ka marrë “kthesë perëndimore”.

Unë nuk mund të tejkaloj dot publicistin me përvojë mbi gjysëmshekullore, Bashkim Koçi. Në parathënien e këtij libri ai na nxjerr “lakuriq” talentin e lindur publicistik të Gjovalin Gjeloshit, siç e ka cilësuar Prof. Boriçi, në të cilin, pa fshehur modestinë, “kam meritë edhe unë”. Por kjo nuk mjafton. Kjo është thjesht për të përkëdhelur egon time që po “kacavirret” drejt të 70-ve. Por duke qenë në midis Shqipërisë dhe Amerikës, midis “Moshës së Boriçit” dhe “Viteve të mia”, ndihem i çlodhur duke lexuar Gjovalin Gjeloshin. Libri “Balta që (s’)duam” është një “Piramidë mendimi” ndërtuar me fjalën e Gjeloshit në Lezhën legjendë. Ai që në fillim përulet ndaj mësuesit të madh të gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, kur shkruan në përkushtimin e librit: “Mësuesit tim të gazetarisë, Prof. Dr. Hamit Boriçi, në 40-vjetorin e miqësisë sonë”. Kjo më ngazëllon. Prof.Boriçi është edhe për mua Vlerë e Ҁmuar e Gazetarisë Shqiptare e meriton çdo nderim edhe “kumbari” i parë i Gjeloshit ka emrin tim. Ishte fati im rastësor “të krehja” shkrimet e para të tij.

Ishte kjo “krehje redaktoriale” nga ku do kalonin edhe gazetari Martin Lekaj, apo fabulisti po nga Lezha, Edmond Kaçeli si dhe poeti e romancieri modern i sprovuar Marash Mirashi, etj. Është folur shpesh në shtypin letrar për një “shkollë poetike” të Lezhës, por unë do të shtojë me krenari, se ekziston edhe një “shkollë gazetarie”, po në Lezhë dhe autorin për të cilin po shkruaj, do ta emëroja “dekanin”e saj.

Ndërsa unë zhytesha në “dallgët publicistike” të Gjovalin Gjeloshit, një telefonatë nga Çikago më befasoi. Ishte Emin Kukli, agronomi, fotograf i gazetës që na rriti dhe “moshoi”. “Keko, – më tha Kukli.- Jam në Çikago…” Më erdhën në mendje të gjitha aventurat tona në një gazetë rinore siç ishte “Studenti i Bujqësisë”. Isha gati të vrapoja drejt Çikagos, por “Balta që (s’)duam” nuk më la. “Herën tjetër”, i thashë Emin Kuklit tiransit fjalë-ëmbël. Unë shfletoja librin publicistik si një “letër që nuk m’u dërgua”. Në fakt, ashtu është. Gjeloshi nuk më dërgoi kurrë letër në Amerikë. Ai thjesht më harroi, siç ndodh harresa për shumë e shumë të tjerë. Ai kurrë nuk bëri telefonatën si ajo e Emin Kuklit, megjithëse shkeli disa herë tokën e Amerikës, duke e bërë këtë vend të madh, si Atdhe të dytë. Ai… Ai është Gjovalin Gjeloshi, por këtu flasim për librin. Është libri që mbetet, jo “qejfmbetjet” tona që janë të pashmangshme.

“Balta që (s’)duam” nuk është thjesht një publicistikë bujqësore. Ky libër është një “Lahutë Malësie” e dashurisë për punën dhe tokën që na mban gjallë. Gjovalin Gjeloshi me këtë libër dëshmon se është një “asqer” i tokës dhe punës mbi të. Ai nuk ndihet i përbuzur të flasë për fshatarin që punon tokën, që lodhet dhe “fle mbi parmendë”, ai nuk ngurron të kritikojë “tangërllëkun” qeveritar ndaj bujqësisë dhe fermerit dhe me të gjitha shkrimet mbetet një “pishtar” fjale për “baltën tonë”. Unë besoj se publicistika e Gjovalin Gjeloshit është një prurje e jashtëzakonshme jo vetëm në publicistikën rurale, por edhe një mburrje se nga njerëzit “e baltës” dalin filiza dhe “pemë plot kokrra”.

Argëtohem në Minneapolis, duke shfletuar librin e Gjovalin Gjeloshit “Balta që (s’)duam”. Në 492 faqe të këtij libri thuhen të gjitha “lëngimet” e bujqësisë shqiptare. Në gati 125 artikuj të përzgjedhur, autori ngre probleme madhore të bujqësisë, pyjeve, natyrës, jetës së fshatit dhe me dhimbjen e një gazetari që e do fjalën si “shpatë” progresi, nuk kursen asgjë. Me një gjuhë që di ta përdorë vetëm Gjeloshi, me lakonizëm publicistik që ai mjeshtërisht e shkruan, me një tematikë shteruese të përfshirë në këtë libër, publicistika e Gjovalin Gjeloshit shënon një kulm të lartë të botimeve rurale të deritanishme në Shqipëri. Ndërkohë, me pasionin e madh të të shkruarit, Gjovalin Gjeloshi synon dhe arrin të jetë një “Gjergj Fishtë” i publicistikës rurale shqiptare. Ai nuk harron asgjë në meditimet e veta intelektuale dhe i trajton thellësisht të gjitha temat e nxehta të bujqësisë shqiptare, kur kritikonte piramidën e Ministrisë së Bujqësisë përpara vitit 1990, por edhe “kur shan shefat” e qeverive qysh nga rënia e sistemit “Lavdi PPSH!”.

Lexon shpirtin e trazuar të publicistit të lindur Gjeloshi dhe përfytyron se çdo ditë, madje tri herë në ditë, Kryeministri, ministrat, deputetët, këshilltarët, gjykatësit, prokurorët, kryebashkiakët, opozita, të gjithë, tri herë në ditë “mbllaçitin” punën e bujkut shqiptar: ulen në tavolinë të ushqehen. Nuk ka rëndësi se si kjo energji shfrytëzohet, por një gjë është alarmante: bujku dhe bujqësia shqiptare janë të harruar edhe pse “mëkojnë” gjithë shoqërinë shqiptare. Është kjo harresë e shpërfillje shkaku kryesor i “shkretirës” në fshat, përballë së cilës kuja e dhimbëshme dërrmon shpirtin.

Gjeloshi ka meritë të madhe: ngre në kulme kritike një realitet të harruar e të braktisur, që do të kërkojë kohë të rigjallërohet. Ringritja do vijë ani se Gjeloshi ka “çelësat e kashtës”. Ai ka vetëm fjalën. Argumentin. Të vërtetën. Të gjitha këto “Gjeli” nga Lezha i sjell mrekullisht në një libër si “Balta që (s’)duam”. Vërtet e duam apo nuk e duam baltën që na rriti dhe baltën që “do të na hajë”? Gjeloshi mbetet alarmant dhe unë bashkohem me këtë “alarm publicistik”.

Ju që qeverisni, ju që protestoni, ju që krekoseni në ekrane. Lexoni Gjeloshin të kuptoni baltën dhe “baltosjen” tuaj. Ta duam baltën që na rriti. Ta duam Shqipërinë. Këtë thotë libri i Gjovalin Gjeloshit.

Unë vijoj ta shfletoj në Minneapolis dhe pëshpëris: “Gjovo mbeti ‘qibritkë publicistike’”. Dhe gëlltis një gotë verë e cila më shijon si “Kallmeti” që më gostitën 45 vjet më parë te shtëpia e Gjeloshëve në rrethinat e Lezhës.

Shefqet Meko, Minneapolis, MN, USA, 24 Tetor 2026

Filed Under: ESSE

Ndërgjegjia etike për gazetarin, si fetari për studiuesin Musliu

November 1, 2026 by s p

Nga Aleksandër Çipa*/

Në jetën e gjatë profesionale gazetari Fahri Musliu ka mbërritur disa herë në disa stacione ku vetveten si reporter e ka bashkëpërngjitur me studiuesin e gazetarisë. Ka sjellë në disa libra të vet, kërkime si studiues i përhershëm dhe ka shkruar si gazetar i pashkëputur nga zelli dhe brendia e vet prej profesionisti. Në këtë cilësi të pabjerur, pamvarësisht se në ckohë e në c’regjim, në c’shoqëri dhe nën cilat kushte ka ushtruar gazetarin, nuk ka ndërprerë asnjë cast refleksionin dhe zellin studimor për teoritë e gazetarisë dhe për sfidat e saj në kohë ndryshimesh drastike. Sidomos në ditë kaq të ndryshme me të shkuarën, sikundër këto që po na sjell librin e ri “ Gazetaria dhe etika në shoqëri”.

Ky libër vjen prej një kolegu që mbart në tekstin e ri, ndërgjegjen si bashkëjetuese me këmbënguljen e hershme fisnike, të një duajeni në gazetari. Eshtë një botim me vlerën e një teksti teorik dhe orientues, i nismuar prej ndërgjegjes profesionale të autorit.

Autori është një teoricion dhe praktikant i racës, që e ka mishëruar përvojën dhe formimin e vet, duke lëvruar në zhanre dhe lloje të realiteteve multimediale. Ka raportuar, ka informuar dhe analizuar në shumëgjuhësi dhe për shoqëri të ndryshme të arealit ballkanik si dhe në mediume të ndryshme ndërkombëtare, .

Kjo lëndë studimore e konceptuar për një arkitekturë antologjike teorike dhe praktike në këtë libër, është bazuar mbi një referencë kritike ndaj realitetit aq të përdhosur etik në mediat bashkëkohore shqiptare.

Eshtë përqëndruar mbi një njohje rigoroze të deformimeve, abuzimit dhe devijimeve deontologjike në skenat mediatike shqiptare.

Struktura e këtij libri mbart aftësinë dhe zotësinë metodologjike të një mentori dhe lektori të afirmuar mbi cështje dhe sfida të gazetarisë së ushtruar dhe asaj të ndryshuar nga brezni të mëparshme, tek gjenerata të sotme gazetarësh.

Botimet e gazetarit, publicistit dhe studiuesit Fahri Musliu sjellin një dimension teorik të munguar në traditën e më shumë se një shekulli ekzistencë në gazetarinë shqiptare. Sikundër edhe ky libër, një seri librash autorialë të Musliut përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në bibliografinë tonë mbi etikën, standartet, rolin dhe tipologjitë e medias në shoqëri të tilla si të rajonit tonë. Në këtë aspekt emri i Musliut, për këtë kontribut autorial, pason emrat gati klasikë të teksteve teorike që kanë sjellë me herët mentorët e njohur Ramiz Kelmendi, Hamit Boriçi, apo Artan Fuga etj.

Në vakumin e mbartur nga e shkuara dhe të lënë me aq hapësirë në kohët e tashme, botime të tilla studimore dhe kapituj me rëndësinë e manualeve profesionale, sikundër ky libër i Musliut, janë përpjekje serioze për të sistemuar përvojën praktike të gazetarisë dhe për ta përkthyer atë në reflektim teorik.

Sipërmarrjen e vet prej autori e përcakton dhe e nismon nga përballja me realitetin dhe apoteozën etike të gazetarisë së sotme.

“A mund të ketë etikë të mediave në vendet dhe shoqëritë ku në politikë, ekonomi dhe në veprimtari të tjera, nuk ka as etikë, as moral, as përgjegjësi?…”

Ndërsa gdhend në këtë tekst brengën, prej kësaj krize, Musliu gjen si alpinisti guvën mbajtëse, në shkëmbin e rrëpirtë dhe ngjitjen spartane, maksima si ajo e mentorit të vet Llukaç:“Gazetari është goja e popullit për veshin e sundimtarëve.”

Misioni publik dhe ai angazhues i gazetarisë sipas Musliut, nuk shkëputet asnjë grimë prej primordialitetit informues.

Ky libër është një sintezë e plotë e përgjegjësisë së gazetarit ndaj vërtetësisë dhe interesit qytetar. Pa pasur asnjë ekuivok në raportet me parimet themelore të gazetarisë, Musliu na sjell në këtë libër një punim teorik të plotë orientues, me kulturë dhe nivel shkencor ekstrauniversitar, si dhe një manual që spikat jo thjesht për kulturën profesionale të autorit, por për konceptin determinalist vetiak të lidhjes së përhershme midis praktikës gazetareske dhe reflektimit kritik mbi të.

Musliu sjell argumentet e tij jo vetëm mbi teori, por mbi përvoja konkrete të funksionimit të mediave në shoqëritë post-socialiste, në kontekstin e tranzicionit demokratik dhe në realitetin e kohës multimediale.

Ky botim pasuron shëndetshëm diskutimin e hapur mes gazetarisë si praktikë profesionale dhe asaj si fushë studimi. Për këtë arsye autori ofron edhe një kontribut specifik në mediologjinë shqiptare.

Teksti I strukturuar metodologjikisht shton dijeninë për autoritetin profesional dhe kapacitetin teorizues të autorit. Nuk është thjesht një reflektim teorik, por një udhëzues elegant për përgjegjësinë dhe gravitetin moral brenda kominitetit të gazetarëve.

Stili analitik, pasuria e referencave në bibliografitë rajonale dhe ndërkombëtare dhe adresimi në kazuse të realitetit mediatik shqiptar e më gjerë, e ngrenë këtë tekst në vlershmërinë e një metode të përgjithshme për gazetarët dhe profesionistët në struktura të ndryshme redaksionale.

Autori ka skeduluar përgjegjësitë konkrete të gazetarit në procesin informues dhe raportues.

Ai i sheh standartet si themelësi të rolit të gazetarisë në shoqëri, por si logjist, e shmang absurdin që 200 vite më parë konstatonte Gëte në marrëdhënie me shpërdorimin e lirisë së shtypit.( “Askush nuk e kërkon lirinë e shtypit më shumë se ata që janë të parët që e keqpërdorin atë liri”).

Kapituj të posaçëm të këtij libri kanë vlerën e doracakut unik në kohë të re, sikundër janë 10 elemente të përbashkëta për gazetarinë e mirë.

Autori duke përmendur raste eklatante, nga përditshmëria ndërkombëtare dhe ajo kombëtare shqiptare, na jep mundësinë e një pasurimi jo vetëm teorik si lexues dhe profesionistë, por substancialisht na ndihmon dhe pasuron memorien me raste dhe domethënie deontologjike.

Autori sjell debate të thukëta për koncepte dhe praktika gazetareske, këmbëngul në diskutimet principiale që kanë zhurmuar herët dhe rizhurmojnë kthyeshëm në aulat universitare të teorive të gazetarisë dhe të redaksive prestigjioze.

Mes thënies, kundërthënies, raportimit dhe përballjes etike me joetikën, Musliu pozicionohet pa asnjë ambiguidet teorik dhe interpretues si filistin i përgjegjësisë. Sepse ndërgjegjia e tij nuk ndahet nga etika e përgjegjësisë dhe kujdesi për pasojat e veprimit vetjak. Në emër dhe respekt të kësaj ndërgjegjeje si studiues, Musliu nuk ndahet nga fetaria e ruajtjes së standarteve dhe stoicizmit etik. Eshtë pa asnjë mëdyshje kantian në raport me peshën dhe përgjegjësinë morale që gazetari duhet të përfaqësojë në misionin publik.

Ky libër vjen në kohën e apoteozës etike në hapësirat tona mediatike dhe në epokën me hiperinfrastukturën komunikuese dhe informuese. Në këtë epokë misioni i gazetarisë u sfidua nga alternativat e shumështuara informuese, nga shfaqja e entitetit të ri të qytetarit-gazetar dhe opcioneve IA, të cilat sipas “besnikut klasik” të gazetarisë profesioniste Musliu, nuk përballen dot pa u bazuar në diferencën tonë. Ai këmbëngul në recetën se “Ostrakizmi ynë na ndan!” Entiteti i më të cilësishmëve në komunitetin e gazetarëve profesionistë në botë, e ndan këtë pikëpamje njëjtë si gazetari dhe studiuesi Fahri Musliu.

Sepse ai, sikundër edhe Korny, udhëhiqet prej principit “si të zvogëlohet fushëveprimi i keqpërdorimeve gazetareske dhe mediatike”.

*Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: ESSE

Demonstratat dhe komprometimi i tyre…

October 29, 2026 by s p

Alfons Grishaj/

Çdo dhunë, padrejtësi apo shtypje e vazhdueshme ndaj një populli ka një pikë thyerjeje, një pikë kthese, një kulm në të cilin durimi shteron dhe zemërimi shpërthen në kryengritje. Historikisht, protestat nisin në mënyrë paqësore, sepse në thelb të tyre nuk qëndron dëshira për dhunë, përballje fizike apo gjakderdhje. Megjithatë, diktaturat rrallëherë rrëzohen pa përballje, sepse, sado që protestuesit përpiqen ta shmangin konfliktin, janë pikërisht pushtetarët autoritarë ata që e provokojnë atë.

Në rastin e demonstratave në Shqipëri, qytetarët nisën të mbushnin sheshet me thirrjet: “Rama, jep dorëheqjen! Rama, jep dorëheqjen!” Për muaj të tërë, ky kor jehonte si një refren epik i revoltës popullore. Mes demonstruesve kishte edhe të rinj që ende nuk kishin mbushur moshën për të votuar, por që ishin bashkuar në kërkim të drejtësisë. Në këtë lëvizje spikatnin studentët e universiteteve të ndryshme, përfshirë edhe ata të Universitetit të Mjekësisë.

Ndërkohë, forcat e rendit godisnin demonstruesit me shkopinj gome, madje edhe në kokë. Goditnin qytetarët e vendit të tyre, ndonëse goditje të tilla mund të përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Por si mund të ndodhte ndryshe, kur, sipas protestuesve, forcat e rendit ishin kthyer në instrumente të një pushteti që ata e konsideronin ilegjitim? Në rrethana të tilla, dialogu shuhet dhe, bashkë me të, zbehet edhe mundësia e një zgjidhjeje demokratike përmes mirëkuptimit.

Komprometimi i idealizmit protestues

Pas thirrjeve të fuqishme të revoltës, në skenë shfaqen edhe refrene të tjera, të nxitura nga ata që synojnë të komprometojnë idealet dhe nismat e lëvizjeve popullore. Një shembull është përfshirja e emrit të Sali Berishës në thirrjet e protestës. Kori ndryshon: “Rama ik! Berisha ik!” Por ç’lidhje ka këtu Sali Berisha, i cili ka qenë në opozitë prej 13–14 vjetësh? Ai është kryetari i forcës kryesore opozitare, e cila deklaron se lufton kundër korrupsionit, vjedhjes dhe shpërdorimit të pushtetit. Lind natyrshëm pyetja: A ka brenda Partisë Demokratike individë që mbajnë përgjegjësi për gabime dhe mëkate politike? Sigurisht që po!

Megjithatë, nëse protesta shpërndahet në dy fronte kundërshtare, demonstruesit rrezikojnë të bien në grackën e propagandës qeveritare. Në këtë mënyrë, përkrahja e opozitës dobësohet dhe, si pasojë, zbehet edhe mbështetja për vetë lëvizjen protestuese.
Duam apo nuk duam, një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar mbetet e ndarë mes dy forcave kryesore politike: Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Këtë realitet Edi Rama e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër. Pikërisht për këtë arsye, sipas kësaj analize, njerëzit e tij përpiqen me mjeshtëri ta shkëpusin opozitën nga demonstruesit, duke synuar dobësimin gradual të protestës. Nëse kjo strategji arrin qëllimin, sheshet do të zbrazen dita-ditës dhe pushteti autoritar do të dalë sërish triumfues.

Kësaj propagande i bashkohen edhe zëra që kërkojnë: “Të fillojmë gjithçka nga zero!” Por si mund të mendohet se Europa dhe Amerika do të shpërfillnin gjithë përpjekjet dhe investimin e tyre shumëvjeçar në proceset demokratike të Shqipërisë? A mund të ketë një absurditet më të madh sesa të kërkohet shkatërrimi i gjithçkaje të ndërtuar deri më sot, pa pasur një alternativë të qartë dhe të besueshme? Një qëndrim i tillë, në vend që ta forcojë lëvizjen demokratike, rrezikon t’i shërbejë drejtpërdrejt konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës.

Ata që, nën parullën e një fillimi nga zeroja, përpiqen të komprometojnë lëvizjen studentore dhe popullore, duhet të përballen me kritikën publike. Mendësi të tilla, që të kujtojnë frymën përçarëse të haxhiqamilizmit, nuk mund të shërbejnë si udhërrëfyese për një lëvizje demokratike dhe kombëtare.

Si e mendoj vazhdimësinë e protestës drejt fitores

Lufta për demokraci kërkon sakrifica, trimëri dhe mençuri, por, mbi të gjitha, dashuri të sinqertë për atdheun.
1. Bashkëpunimi mes studentëve, qytetarëve dhe opozitës

Studentët dhe qytetarët duhet të bashkëpunojnë me opozitën demokratike për të ndërtuar një pakt historik, të mbështetur në parime të qarta dhe në një vizion të përbashkët për ndryshimin.

2. Krijimi i një grupi përfaqësues intelektualësh

Nga lëvizja studentore dhe akademike duhet të përzgjidhet një grup intelektualësh me integritet, të cilët, në bashkëpunim me përfaqësuesit e përgjegjshëm të opozitës, të nisin dialogun me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Ky grup duhet të mbetet i pavarur nga interesat e ngushta personale dhe grupimet vetëshpallura si “borde shpëtimi”, duke përfaqësuar interesin e përgjithshëm qytetar dhe demokratik.

3. Fuqizimi dhe organizimi i demonstratave

Demonstratat duhet të bëhen më të fuqishme, më masive dhe më të organizuara. Propozohet që protestuesit të vendosen në tre deri në gjashtë rrathë, me nga pesë deri në dhjetë rreshta secili, rreth godinës së qeverisë, duke krijuar një prani të fuqishme qytetare dhe një trysni të vazhdueshme politike, përmes mjeteve paqësore dhe demokratike. Ndërkohë, rrugët dhe sheshet përreth duhet të mbushen me qytetarë demokratë, idealistë dhe njerëz me përvojë në organizimin e lëvizjeve popullore.

Përmbyllje

Lufta për demokraci sapo ka filluar.
Do të ketë frymëzim dhe lot!
Por kurrë mos qoftë thënë apo shkruar
Që ne të luftojmë më kot!

Filed Under: ESSE

“The Versailles Order and the Making of Albania, 1918–1926”

October 21, 2026 by s p

The Versailles Order and the Making of Albania, 1918–1926 offers a compelling analysis of Albania’s struggle for statehood in the aftermath of the First World War. Focusing on the diplomatic and political battles at the Paris Peace Conference, the League of Nations, and the Conference of Ambassadors, the study examines how Albania’s sovereignty and borders were debated, delayed, and ultimately recognised. The book explores the external pressures exerted by regional powers, Western allies, and Albania’s internal efforts to establish a modern state amidst institutional fragility, foreign occupation, and socio-economic backwardness. Drawing on various archival sources, this monograph reveals how early 20th-century diplomacy shaped Albania’s political destiny. It highlights the role of diaspora, elites, and Western-oriented reformers in resisting dismemberment and asserting national identity.

Romeo Gurakuqi is a Professor of History and Law and a former Member of the Albanian Parliament (2017–2019). He is a scholar of modern and contemporary Albanian history. His principal publications include Albania 1911–1914, The Principality of Albania and the Kingdom of Greece 1913–1914, Albania in the Second World War, and Albania in the ‘Great War’, 1914–1918. Since 2019, he has been affiliated with the Institute of Historical Studies at the Albanian Academy of Sciences and is currently a member of the Institute of History, which is currently part of the Albanian Academy of Sciences.

https://www.peterlang.com/document/1742174

Filed Under: ESSE

JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!

October 20, 2026 by s p

Dr. Iris Halili/

Pika themelore e çdo peticioni për krijimin e një qeverie të re duhet të jetë përcaktimi i kritereve të qarta dhe transparente për anëtarët e saj.

Sipas këtij propozimi, anëtarët e qeverisë së re duhet:

• Të mos kenë lidhje personale, familjare, financiare apo institucionale me George Soros dhe organizatat e financuara prej tij.

• Të mos kenë përfituar bursa studimi, programe edukimi, trajnime apo financime nga George Soros dhe fondacionet e lidhura me të.

• Të mos kenë qenë funksionarë të lartë të partive politike.

• Të kenë jetuar në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit.

• Të mos jenë pjesë e klientelës së partive politike dhe të mos kenë lidhje të afërta familjare me elitat politike që kanë ushtruar pushtet gjatë 70 viteve të fundit.

• Të kenë integritet të provuar dhe të deklarojnë çdo konflikt të mundshëm interesi.

Shqetësimi për bursat dhe programet e financuara nga Soros lidhet me mundësinë që ato të kenë shërbyer jo vetëm për arsimim, por edhe për krijimin e rrjeteve të ndikimit dhe rekrutimin e elitave të ardhshme politike. Kjo kërkon transparencë dhe verifikim.

NDRYSHIMI I EMRAVE NUK ËSHTË NDRYSHIM SISTEMI!

Në të kundërt, rrezikojmë një Katovicë të dytë: një tranzicion ku ndryshojnë individët, por strukturat, klientela dhe interesat e vjetra vazhdojnë të kontrollojnë pushtetin.

NUK MUND TË NDËRTOHET NJË SISTEM I RI DUKE RICIKLUAR KLIENTELËN E SISTEMIT TË VJETËR!

Filed Under: ESSE

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 641
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT