• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDI RAMA, DIL PËRBALLË POPULLIT QË QEVERIS!

October 19, 2026 by s p

Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë

Zoti Kryeministër,

Vjen një moment në jetën e çdo udhëheqësi politik kur pushteti nuk matet ma me postin që mban, me shumicën parlamentare që kontrollon, apo me forcat e policisë që qëndrojnë ndërmjet tij dhe qytetarëve.

Ai matet me guximin për të dalë përballë atyne që e kundërshtojnë.

Shqipnia ka mbërritë në një moment të tillë.

Ju e keni paraqitë vazhdimisht veten si udhëheqësi që do ta çojë Shqipninë në Bashkimin Europian. Por Europa nuk asht thjesht një destinacion, një proces negociatash, apo një arritje politike që mund t’i përvetësohet një njeriu të vetëm.

Europa përfaqëson një qytetnim të ndërtuem mbi dinjitetin njerëzor, lirinë e ndërgjegjes, përgjegjësinë politike dhe parimin se qeveria e merr legjitimitetin prej popullit.

Nuk mund ta udhëhiqni Shqipninë drejt demokracisë europiane, ndërkohë që i trajtoni shqiptarët që ju kundërshtojnë si pengesë për pushtetin tuaj.

Po ju drejtohem jo thjesht si kritik politik, por si një njeri që ka qëndrue në fshatrat dhe qytetet e Shqipnisë gjatë ditëve të para të zgjimit tonë demokratik, kur plagët e pothuejse gjysmë shekulli diktaturë komuniste ishin ende të hapuna.

I kujtoj mirë mbledhjet ku komunistë e demokratë qëndronin përballë njëni-tjetrit, të zemëruem, mosbesues, e nganjëherë gati për t’u përleshë.

Unë nuk kërkova që njena palë ta heshtte tjetrën.

Nuk u fsheha mbas përkrahësve të mi.

Qëndrova ndërmjet tyne.

I ftova edhe ata që më kundërshtonin të më dëgjonin. U kërkova t’i kundërshtonin argumentet e mia, në vend që të sulmonin njëni-tjetrin.

Dhe kur tensionet rrezikonin të ktheheshin në dhunë, u thosha:

“Nëse doni të goditni dikë, më goditni mue. Unë ju fal. Por mos u përleshni me njëni-tjetrin në praninë time dhe mos më bani mue shkak të përleshjes suaj.”

Nuk i thosha këto fjalë sepse e pranoja dhunën.

I thosha sepse besoja se asnjë ambicie politike, përfshi edhe timen, nuk vlente sa gjaku i një shqiptari.

Kështu e kuptonim ne lirinë.

Nuk po luftonim për ta zëvendësue një sundimtar me një tjetër. Po luftonim për të drejtën e çdo shqiptari, përfshi edhe ata që nuk pajtoheshin me ne, me jetue pa frikë, me folë pa kërkue leje dhe me zgjedhë lirisht qeverinë e vet.

Zoti Rama, sot ju nuk jeni vetëm Kryeministri i Partisë Socialiste. Ju jeni Kryeministri i të gjithë shqiptarëve.

Jeni edhe Kryeministri i studentëve që protestojnë kundër jush.

I prindërve që kanë frikë për fëmijët e tyne.

I policëve që gjenden ndërmjet qytetarëve të zemëruem dhe institucioneve të shtetit.

I qytetarëve që nuk ju kanë votue.

Dhe i atyne që e kanë humbë besimin te udhëheqja juaj.

Mospajtimi i tyne nuk ua pakëson të drejtën e qytetarisë.

Zemërimi nuk ua shuen të drejtat.

Kërkesa për dorëheqjen tuaj nuk i ban ata armiq të Shqipnisë.

Policia nuk asht mburoja juaj politike. Policët janë shërbyes publikë, të ngarkuem me mbrojtë të drejtat dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshi edhe ata që kërkojnë largimin tuaj.

Dhe studentët nuk janë nënshtetasit tuaj.

Ata janë qytetarë të Republikës.

Nëse jeni i bindun se udhëheqja juaj asht e pazëvendësueshme për të ardhmen e Shqipnisë, atëherë tregoni guximin me i dëgjue ata që mendojnë ndryshe.

Dilni përballë tyne, jo për të organizue një shfaqje, jo për të mbajtë një tjetër fjalim dhe jo për të kërkue duartrokitje.

Takoni publikisht përfaqësuesit e pavarun të studentëve, në kushte që garantojnë sigurinë e të gjithëve.

Lërini të flasin pa frikësim.

Dëgjojini pa i ndërpre.

Përgjigjuni pa përbuzje.

Dhe pranoni se shqetësimet e tyne mund të kërkojnë ma shumë se fjalë.

Një udhëheqës që beson vërtet në demokraci nuk i frikësohet zanit të popullit.

Ai e kupton se e drejta për ta sfidue pushtetin asht pikërisht ajo që e dallon një republikë të lirë prej një shteti autoritar.

Ju keni ushtrue pushtet të jashtëzakonshëm politik për shumë vite. Por qëndrimi i gjatë në pushtet nuk e ban askënd të pazëvendësueshëm.

Asnjë individ nuk asht i pazëvendësueshëm për Shqipninë.

As ju.

As paraardhësit tuaj.

As ata që synojnë t’ju zëvendësojnë.

Dhe sigurisht, as ne që ndihmuem në vendosjen e pluralizmit politik.

Shqipnia nuk asht prona personale e askujt prej nesh.

Autoriteti qeverisës jepet në besim. Nuk fitohet si pronë.

Një shumicë parlamentare jep të drejtën kushtetuese për të qeverisë. Ajo nuk jep pronësinë mbi shtetin, paprekshmëri ndaj kritikës, apo të drejtën morale për të shpërfillë një krizë të besimit publik.

Dhe kur qytetarët e policët përballen në rrugë, përgjegjësia e udhëheqjes rritet, nuk zvogëlohet.

Nuk mund ta zgjidhni atë përballje vetëm përmes forcës.

Nuk mund ta riktheni besimin përmes propagandës.

Nuk mund t’u përgjigjeni kërkesave të një brezi vetëm duke përmendë fitoret zgjedhore apo premtimet për integrimin europian.

Duhet të përballeni me realitetin politik që keni përpara.

Zoti Rama, ju keni një zgjedhje.

Mund të tregoni guximin për të dalë përballë qytetarëve që ju kundërshtojnë, për t’i pranue shqetësimet e tyne dhe për të marrë pjesë në një zgjidhje të besueshme kushtetuese.

Ose mund ta pranoni se vazhdimi i udhëheqjes suaj asht kthye në pengesë për rikthimin e besimit publik dhe të jepni dorëheqjen, duke u hapë rrugën institucioneve të Shqipnisë për të organizue një tranzicion paqësor dhe legjitim.

Por nuk mund t’i kërkoni një brezi të tanë të heshtë, vetëm sepse ju besoni se misioni juaj nuk ka përfundue.

E ardhmja e Shqipnisë nuk asht një mision personal që mund ta zotëroni.

Ajo u përket qytetarëve të saj.

U baj thirrje studentëve dhe të gjithë qytetarëve ta refuzojnë dhunën, ta mbrojnë njëni-tjetrin dhe ta ruejnë dinjitetin e protestës paqësore. I baj thirrje policisë të tregojë përmbajtje dhe t’i përmbushë detyrimet e saj kushtetuese. Dhe u baj thirrje të gjitha partive politike ta vendosin stabilitetin e vendit mbi ambicien për të trashëgue pushtetin.

Një dorëheqje pa një tranzicion të besueshëm nuk mjafton. Një dialog pa përgjegjësi nuk mjafton. Dhe një ndryshim udhëheqjeje që riprodhon të njëjtin përqendrim pushteti nuk mjafton.

Shqipnia ka nevojë për një rrugëdalje paqësore dhe kushtetuese, që mbron drejtësinë e pavarun, rikthen besimin publik dhe krijon kushtet për zgjedhje vërtet konkurruese.

Zoti Kryeministër, masa e udhëheqjes suaj nuk asht ma sa fort mund ta mbani pushtetin. Asht nëse mund ta vendosni paqen, dinjitetin dhe të ardhmen e Shqipnisë mbi vendosmërinë tuaj për ta ruejtë atë.

Në ditët e para të demokracisë, ne dilnim përballë atyne që na kundërshtonin, sepse donim ta fitonim besimin e tyne.

Sot ju kërkoj të kujtoni një parim që asnjë fitore zgjedhore nuk mund ta fshijë:

Populli nuk i përket qeverisë. Qeveria i përket popullit.

Ju nuk jeni pronari i Shqipnisë.

Ju jeni administruesi i përkohshëm i pushtetit që ju asht besue.

Dhe kush administron pushtetin e besuem, duhet t’i japë gjithmonë llogari Sovranit.

Dilni përballë popullit. Dëgjojeni. Pranoni përgjegjësinë. Dhe nëse nuk mund ta riktheni besimin e tij, kini guximin të largoheni.

Shqipnia nuk duhet të mbahet kurrë ma peng i mbijetesës politike të një njeriu të vetëm.

Kolec Ndoja

Bashkëthemelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë (1990).

EDI RAMA, FACE THE PEOPLE YOU GOVERN

An Open Letter to the Prime Minister of Albania

By Kolec Ndoja

Co-founder of the Democratic Party of Albania (1990)

Mr. Prime Minister,

There comes a moment in the life of every political leader when power is no longer measured by the offices he occupies, the parliamentary majority he commands, or the police forces standing between him and the people.

It is measured by his courage to stand before those who oppose him.

Albania has reached such a moment.

You have repeatedly presented yourself as the leader who will take Albania into the European Union. But Europe is not merely a destination, a negotiating process, or a political achievement to be claimed by one man.

Europe represents a civilization built upon human dignity, freedom of conscience, political accountability, and the principle that government derives its legitimacy from the people.

You cannot lead Albania toward European democracy while treating dissenting Albanians as an obstacle to your authority.

I speak to you not merely as a political critic, but as someone who stood in the villages and towns of Albania during the earliest days of our democratic awakening, when the wounds of nearly half a century of communist dictatorship were still open.

I remember meetings where communists and democrats stood face to face, angry, suspicious, and sometimes ready to fight.

I did not ask one side to silence the other.

I did not hide behind my supporters.

I stood between them.

I invited those who opposed me to listen. I asked them to challenge my arguments rather than attack one another.

And when tensions threatened to become violence, I told them:

“If you must strike someone, strike me. I will forgive you. But do not fight one another in my presence, and do not make me the reason for your fight.”

I did not say those words because I believed violence was acceptable.

I said them because I believed that no political ambition, including my own, was worth the blood of another Albanian.

That was our understanding of freedom.

We were not fighting to replace one ruler with another. We were fighting for the right of every Albanian—including those who disagreed with us—to live without fear, speak without permission, and choose their government freely.

Mr. Rama, today you are not the prime minister of the Socialist Party alone. You are the prime minister of every Albanian.

You are also the prime minister of the students who protest against you.

Of the parents who fear for their children.

Of the police officers placed between angry citizens and the institutions of the state.

Of the citizens who voted against you.

And of those who have lost confidence in your leadership.

Their disagreement does not diminish their citizenship.

Their anger does not extinguish their rights.

Their demand for your resignation does not make them enemies of Albania.

The police are not your political shield. They are public servants entrusted with protecting the rights and safety of all citizens, including those demanding that you leave office.

And the students are not your subjects.

They are citizens of the Republic.

If you are convinced that your leadership is indispensable to Albania’s future, then demonstrate the courage to listen to those who believe otherwise.

Go before them—not to stage a spectacle, not to deliver another speech, and not to demand their applause.

Meet their independent representatives in public, under conditions that protect everyone involved.

Let them speak without intimidation.

Listen without interruption.

Answer without contempt.

And accept that their grievances may require more than words.

A leader who genuinely believes in democracy does not fear the voice of the people.

He recognizes that the right to challenge power is precisely what distinguishes a free republic from an authoritarian state.

You have held extraordinary political authority for many years. But longevity in office does not establish indispensability.

No individual is indispensable to Albania.

Not you.

Not your predecessors.

Not those who aspire to replace you.

And certainly not those of us who helped establish political pluralism.

Albania belongs to none of us individually.

The authority of government is entrusted, never owned.

A parliamentary majority grants the constitutional right to govern. It does not grant ownership of the state, immunity from criticism, or a moral license to disregard a crisis of public confidence.

And when citizens and police officers confront one another in the streets, the responsibility of leadership becomes greater, not smaller.

You cannot resolve that confrontation through force alone.

You cannot restore trust through propaganda.

You cannot answer a generation’s demands merely by invoking electoral victories or promises of European integration.

You must confront the political reality before you.

Mr. Rama, you have a choice.

You can demonstrate the courage to face the citizens who oppose you, acknowledge their grievances, and participate in a credible constitutional solution.

Or you can recognize that your continued leadership has become an obstacle to restoring public confidence and resign, allowing Albania’s institutions to organize a peaceful and legitimate transition.

But you cannot demand that an entire generation remain silent simply because you believe your mission is unfinished.

The future of Albania is not your personal mission to possess.

It belongs to its citizens.

I call upon the students and all citizens to reject violence, protect one another, and defend the dignity of peaceful protest. I call upon the police to exercise restraint and uphold their constitutional duties. And I call upon every political party to place the country’s stability above its ambition to inherit power.

A resignation without a credible transition is not enough. A dialogue without accountability is not enough. And a change of leadership that reproduces the same concentration of power is not enough.

Albania needs a peaceful, constitutional way forward—one that protects independent justice, restores public trust, and creates the conditions for genuinely competitive elections.

Mr. Prime Minister, the measure of your leadership is no longer how firmly you can hold power. It is whether you can place the peace, dignity, and future of Albania above your determination to retain it.

In the early days of democracy, we stood before those who opposed us because we wanted to earn their trust.

Today, I ask you to remember a principle that no election victory can erase:

The people do not belong to their government. The government belongs to the people.

You are not Albania’s owner.

You are its temporary steward.

And a steward must always answer to the sovereign.

Face the people. Listen to them. Accept accountability. And if you cannot restore their confidence, have the courage to step aside.

Albania must never again be held hostage to the political survival of one man.

Kolec Ndoja

Co-founder of the Democratic Party of Albania (1990)

Filed Under: ESSE

JU MUNDI…

October 17, 2026 by s p

Prof. Dr. Aurel Plasari/

Ky djalë ju mundi. Atë që nuk e bëri dot një opozitë e tërë zyrtare, jua bëri ky djalë: ju mundi, madje ju poshtëroi, ju përdhosi.

E bëri duke protestuar, duke reaguar, duke mos qenë në një mendje me ju, duke mos u pajtuar me politikën tuaj, duke e vënë në dyshim autoritetin tuaj, domethënë: me armën më të fortë të mundshme që është të menduarit ndryshe.

Kujtoni se do të harrohet se ku e kishit mbërthyer në hekura si martirët në Mesjetë? Në vendin më të përshtatshëm për turpin tuaj: në portat e Ministrisë që etiketohet si e “Arsimit”. Pak rëndësi ka tani se kur do të ikni, si do të ikni, pse do të ikni. Nga historia e qeverisjes suaj këtë njollë nuk do ta shlyeni dot kurrë.

Ja ai në shtratin e spitalit, i plagosur prej jush, i ruajtur nga policë që më nuk janë tanët, dhe po lexon. Është pra nga ata studentë që, edhe në kushtet më të pavolitshme, lexojnë libra. Dhe më kujtohet Heine-ja, kur policët prusianë i kontrollonin bagazhet, – siç u kontrolloni ju sot çantat adoleshentëve, – kurse poeti i tall duke thënë me vete: Ç’rrëmoni kot ndër brekë e këmisha, o budallenj, kur unë kam në kokë një bibliotekë më të rrezikshme se gjithë autorët e ndaluar prej jush në Prusi?!

Bibliotekave në kokë të një brezi tjetër, që mendon ndryshe prej jush, si do t’ia bëni?

Sa e kam zili!

Filed Under: ESSE

Kur studentët lidhen në kangjellat e një instucioni, demokracia ngrihet në gjyq

October 17, 2026 by s p

Nga Ndriçim KULLA/

Në disa momente disa pamje nuk mund t’i shohësh pa u tronditur thellë sepse ato nuk i përkasin vetëm çastit kur janë filmuar, por zbulojnë një të vërtetë më të thellë për gjendjen e një shoqërie dhe për natyrën e pushtetit që e sundon atë. Të shohësh nje student djal të ri 22 vjec të lidhur në kangjellat e nje instucioni siç ka ndodhur në ditën e pare të protestës , është një nga ato pamje që të bëjnë të pyesësh me zemërim e dhimbje: në çfarë pike kemi mbërritur si shoqëri dhe çfarë po ndodh me demokracinë tonë?Ndërsa edhe dia pamje të publikuara nga një rajon policies, të cilave iu referua mbrëmë edhe kryetari i opozitës, nuk mund të trajtohen si një lajm i zakonshëm i kronikës policore. Ato kërkojnë një përgjigje politike, morale dhe institucionale.

Kur të rinjtë ngrihen për të drejtat e tyre demokratike dhe për problemet që prekin arsimin e të ardhmen e tyre, shteti demokratik ka detyrimin t’i dëgjojë, jo t’i poshtërojë; të garantojë rendin, jo ta shndërrojë rendin në një mjet frikësimi. Askush nuk është mbi ligjin, por asnjë pushtet nuk mund ta përdorë ligjin si perde për të fshehur arbitraritetin. Policia nuk është pronë e qeverisë dhe as instrument për të mbrojtur krenarinë e një kryeministri të sfiduar nga furia e skandaleve korruptive dhe nga protestat studentore. Ajo është institucion i shtetit, i detyruar të mbrojë qytetarët dhe të veprojë brenda kufijve të ligjit, me proporcionalitet dhe respekt për dinjitetin njerëzor.

Ajo që i bën edhe më tronditëse këto pamje është mosha dhe simbolika e atyre që shohim përtokë. Studentët përfaqësojnë pjesë vitale të së ardhmes së vendit, njerëz që duhet të jenë në auditorë, biblioteka dhe hapësira të debatit, jo të trajtohen sikur përbëjnë një kërcënim që duhet nënshtruar fizikisht. Kur një shtet e sheh rininë e vet si kundërshtar, ai fillon të humbasë jo vetëm autoritetin, por edhe arsyen për të cilën ekziston. Dhe kur imazhi i studentit që kërkon të drejtat e tij zëvendësohet nga imazhi i studentit të lidhur përtokë, problemi nuk është më thjesht policor: është një alarm për vetë cilësinë e demokracisë.

Historia moderne njeh regjime që e kanë përdorur dhunën për të heshtur kundërshtimin, ndër to edhe diktaturën e Pinochetit në Kili, ku represioni shtetëror la plagë të rënda në kujtesën e shoqërisë. Demokracia nuk rrënohet gjithmonë me një akt të vetëm; ajo mund të gërryhet gradualisht, sa herë që dhuna justifikohet, protestuesi shpallet armik dhe qytetari mëson se përballë pushtetit duhet të heshtë nga frika.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Por këto përkatësi dhe aspirata nuk mund të jenë vetëm dekor diplomatik, që shfaqet në fotografi dhe në fjalime zyrtare të monstres së regjimit. Ato duhet të shprehen në mënyrën se si shteti sillet me qytetarin, në pavarësinë e institucioneve, në respektimin e lirive dhe në aftësinë e pushtetit për të pranuar kritikën. Nuk mund të kërkojmë besimin e Evropës duke paraqitur një imazh të rregulluar të vendit, ndërsa realiteti i brendshëm na detyron të përjetojmë një shqetësim dramatik për të drejtat demokratike që janë ende një garanci e jetuar apo thjesht një premtim në letër.

Përgjegjësia kryesore, natyrisht, i takon pushtetit shqiptar. Kryeministri Edi Rama ka dashur ta trajtojë çdo protestë si një sfidë personale dhe çdo kërkesë për llogaridhënie si një përpjekje për t’i cenuar autoritetin. Në demokraci, pushteti nuk është pronë private dhe qeverisja nuk është një skenë ku kryeministri duhet të dalë gjithmonë fitimtar. Një kryeministër që beson te forca e institucioneve nuk ka arsye të trembet nga studentët; ai u përgjigjet kërkesave të tyre, pranon përgjegjësitë që i takojnë dhe kërkon zgjidhje përmes dialogut. Përkundrazi, sa më shumë që një pushtet mbështetet te gazi, prangat dhe represioni, aq më shumë zbulohet problemet e tij të mëdha politike.

Prandaj, dhuna ndaj studentëve dhe ndaj çdo qytetari që protestojnë sot duhet të ndalet. Çdo pretendim për keqtrajtim duhet të hetohet seriozisht në mënyrë të pavarur, përgjegjësit të identifikohen dhe të drejtat e të ndaluarve të garantohen. Kjo nuk është çështje simpatie partiake, por një vijë e kuqe që ndan shtetin e së drejtës nga arbitrariteti. Askush nuk duhet të ketë frikë se do të përfundojë i lidhur përtokë vetëm sepse ka ngritur zërin kundër qeverisë.

Por përgjegjësia nuk përfundon te narkodiktatura shqiptare në Tiranë. Faktori ndërkombëtar duhet ta shohë Shqipërinë përtej murit të imazhit që ka ndërtuar Edi Rama. Partneriteti me Shqipërinë nuk duhet të ngatërrohet me mbështetjen pa kushte për qeverinë e radhës. Miqtë e vërtetë të një vendi nuk duhet ta mbrojnë pushtetin nga kritika, sepse kështu ata ndihmojnë që institucionet të funksionojnë, të drejtat të respektohen dhe krizat politike të mos shndërrohen në kriza të shoqërisë.

Në këtë kontekst, dialogu me përfaqësuesit e protestuesve, shoqërinë civile dhe të gjithë faktorët politikë shqiptarë duhet të bëhet një domosdoshmëri. Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje politike që ta nxjerrë nga spiralja e tensionit dhe t’i rikthejë vendit qetësinë institucionale. Një qeveri kujdestare, e dalë nga një marrëveshje e gjerë politike dhe me një mandat të përcaktuar qartë për garantimin e kushteve të një procesi të besueshëm demokratik, mund të diskutohet si një alternativë për kapërcimin e krizës. Por çdo zgjidhje duhet të mbështetet në Kushtetutë, në ligj dhe në vullnetin demokratik të qytetarëve, jo në imponim apo në pazare që përjashtojnë shoqërinë.

Eshtë fatalitet që Shqipëria të vazhdojë të ecë drejt përplasjes. Kjo krizë nuk duhet të vazhdoj me më shumë gaz, më shumë arrestime dhe më shumë urrejtje. Politika ekziston pikërisht për të gjetur rrugëdalje aty ku emocionet, interesat dhe konfliktet rrezikojnë të bllokojnë arsyen. Një pushtet që e kupton këtë duhet të ketë guximin të tërhiqet nga përshkallëzimi; një opozitë që pretendon të përfaqësojë ndryshimin duhet të dijë ta kthejë revoltën në një alternativë demokratike; ndërsa partnerët ndërkombëtarë duhet të ndihmojnë në krijimin e një rruge institucionale, pa u bërë palë në mbrojtjen e asnjë interesi të ngushtë.

Megjithatë, mbi të gjitha qëndron një detyrim njerëzor që nuk mund të shtyhet për nesër. Kur sheh studentë të lidhur përtokë, që arrestohet nga njerëz të pa njohur që janë detashment i një strukture misterioze të pushtetit nuk mund të rrish indiferent, sepse në atë pamje nuk është vetëm një i ri që ka humbur lirinë e lëvizjes për disa çaste; është edhe dinjiteti i një vendi që kërkon të mos humbasë lirinë e vet. Ato pamje duhet të na turpërojnë si shoqëri, por mbi të gjitha duhet të na zgjojë. Një komb nuk e mbron të ardhmen duke i frikësuar të rinjtë, por duke u krijuar atyre arsye për të qëndruar, për të besuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre në vendin e vet.

Sot, më shumë se kurrë, Shqipërisë i duhet të fitojë arsyeja. Jo arsyeja e ftohtë e atij që kërkon të ruajë pushtetin me çdo kusht, por arsyeja politike që di të dëgjojë, të pranojë përgjegjësinë dhe të gjejë një zgjidhje përpara se përplasja të bëhet plagë e re kombëtare. Studentët nuk duhet të jenë pengje të krenarisë së askujt. Ata janë zëri i një të ardhmeje që nuk mund të lidhet me pranga, as të shtrihet përtokë. Dhe nëse politika nuk e kupton këtë të vërtetë sot, ne do jetë vetë historia ajo që do t’ia kujtojë me një gjuhë shumë më të ashpër.

Filed Under: ESSE

FUNDI I TURPSHËM I RRETHIT VICIOZ

October 16, 2026 by s p

Ajet Delaj/

Shoqëria shqiptare sot  është në një kapërcyell historik drejt një të ardhmeje krejt tjetër, pasojë e zgjimit dhe ndërgjegjësimit për të kuptuar se ku e kishin futur antishqiptarët për më shumë se 36 vjet.

Nuk dëshiroj të bëj historinë e krijimit të këtij rrethi vicioz antishqiptar të më shumë se 36 viteve të fundit, pasi tashmë pjesa dërrmuese e shqiptarëve e kanë kuptuar manipulimin që u kanë bërë sunduesit e rinj për interesat e tyre, në shërbim të trashëgimisë së tyre dhe të miqve të tyre internacionalistë e globalistë, në kuadër të agjendave të tyre antishqiptare tē mirēstudiura.

E thashë «më shumë se 36 vjet», pasi projekti i komunistëve për zëvendësimin e komunizmit stalinist me trashëgiminë e tyre mafioze komunisto-globaliste është iniciuar në vitin 1974, me shefin e KGB-së, Yuri Andropov, por komunistët shqiptarë e morën pas vitit 1985.

Pa hyrë në histori apo teori konspirative për këto zhvillime në Shqipëri, mjafton t’ju vë në vëmendje se ku ka qenë lidershipi i 36 viteve të fundit natën e 8 dhjetorit 1990, kur çdo tentativë e bërë nga shqiptarët për të kaluar kufirin paguhej me çmimin e jetës.

Në të njëjtën skemë bëjnë pjesë edhe hapja e ambasadave më 2 korrik 1990 dhe lëvizja e trukuar studentore që pasoi në dhjetor 1990.

Projekti kriminal i transferimit të pushtetit ekonomik te komunistët, trashëgimtarët e tyre gjenetikë e shpirtërorë dhe ata të lidhur me mijëra fije me regjimin kriminal të së shkuarës, rezultoi në një projekt antishqiptar të shpopullimit dhe shkombëtarizimit të Shqipërisë, në unison me agjendat antishqiptare lokale e globale.

Për të realizuar këtë projekt, sundimtarëve të rinj u duhej një popullatë shqiptare e reduktuar, e varfër, e dhunuar në të drejtat e saj themelore dhe e pasigurt për të nesërmen e saj dhe të fëmijëve të tyre.

Për këtë, sunduesit e rinj përdorën të gjitha format dhe metodat e grabitjes së pasurive dhe të djersës së shqiptarëve brenda dhe jashtë Atdheut, deri te pjesëmarrja në trafikun ndërkombëtar të të gjitha llojeve, për të grumbulluar pasuri të pafundme e për të blerë mbështetjen e të huajve dhe vullnetin e shqiptarëve.

Krahët politikë, të formësuar para vitit 1990 dhe të konsoliduar përgjatë 36 viteve të fundit me marrëveshje të hapura e të fshehta, arritën të ruajnë monopolin e pushtetit politik dhe ekonomik, duke dhunuar e përdhunuar shqiptarët që mbetën në Atdhe. Por as diaspora e madhe nuk mbeti e paprekur, jo vetëm për sa i përket remitancave, por edhe moskthimit dhe zaptimit të pronave të saj, duke e lënë diasporën të përjetshme për veten dhe trashëgimtarët e saj.

Mirëpo, gjithçka e ka një fund, pasi zullumi i këtyre zullumqarëve të pangopur po këputet, sepse shqiptarët panë se sundoheshin, më së vërteti, me zë e figurë nga krimi i organizuar, ku koordinatori i krimit të organizuar, Ergys Agasi, ishte kryeministri faktik i Shqipërisë natyrisht me vullnetin e atij qe shqiptaret formslisht e dinin si Kryeminister, Edi (Edvin) Rama .

Falë ndërhyrjes së miqve amerikanë, abandonimit  tē hapur të lidershipit politik që ka bashkësunduar  pērgjatë 36 viteve të fundit nga institucionet amerikane të të gjitha niveleve, si dhe rikonfirmimit të shpalljes non grata për Berishën dhe shpalljes faktike, përpara asaj zyrtare, non grata për Ramën nga institucionet amerikane, këto zhvillime ndikuan fuqishëm në zgjimin dhe ndërgjegjësimin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve. 

Edhe Ambasada Amerikane, gjatë eventit të organizuar me rastin e fillimit të detyrës nga Ambasadori Eric Wendt, dha një mesazh që, sipas këtij këndvështrimi, përforcoi bindjen se kjo bashkëqeverisje kriminale duhet të shembet, qoftë edhe nëpërmjet një mënyre paksa të ashpër.

Rinia universitare, si pjesa më vitale dhe elita e shoqërisë shqiptare, është ngritur fuqishëm në mbrojtje të Atdheut dhe interesit kombëtar. Pa dyshim, largimi i këtyre misionarëve antishqiptarë jo vetëm që është tashmë një kërkesë e panegociueshme e pjesës dërrmuese të shqiptarëve, por edhe hapi vendimtar që Shqipërisë t’i hapen perspektiva të reja.

 Vendi më i pasur dhe më i bukur në botë për njësi sipërfaqeje jo vetëm që i ka resurset për të ndalur shpopullimin dhe, njëkohësisht, shkombëtarizimin, por, brenda një kohe fare të shkurtër, do të krijohen mundësitë që të kthehet edhe pjesa dërrmuese e diasporës.

Garanci se Shqipëria e nesërme do të jetë Atdheu i ëndërruar i shqiptarëve është zgjimi dhe ndërgjegjësimi i pjesës dërrmuese të shqiptarëve brenda dhe jashtë Atdheut, si dhe diskreditimi dhe kalbëzimi i sunduesve 36-vjeçarë, të përfshirë në afera dhe trafiqe, ballafaqimi i të cilëve me drejtësinë do të jetë i pashmangshëm. 

Kjo, falë edhe ndihmës së miqve amerikanë. Mjafton t’ju vë në vëmendje se, gjatë dy javëve të para të punës së Ambasadorit Wendt, ai shkoi dy herë në SPAK.

Në mbyllje të kësaj analize të shkurtër, u bëj thirrje strukturave të sigurisë së shtetit shqiptar, aq sa ka mbetur prej tij, që të mos shndërrohen në gardianë të një lidershipi ilegjitim e kriminal, por t’i shërbejnë me korrektësi popullit, nga i cili paguhen, pasi e ardhmja do të jetë ndryshe edhe për ata dhe familjet e tyre.

Njëkohësisht, i bëj thirrje rinisë së mrekullueshme shqiptare që të izolojë dhe të ndëshkojë elementët kriminalë që kërkojnë të përfitojnë nga situata e shembjes së një pushteti misionar, duke e bërë të qartë dallimin midis kriminelëve që pushteti i ka rekrutuar në radhët e institucioneve për qëllime dhe veprime kriminale dhe policëve të thjeshtë, bij të popullit.

Çdo tentativë për t’i qëndruar me forcë popullit shqiptar në zverk  jo vetëm që është një mision i pamundur, por do të përcaktojë edhe vetë fatin ne largim tē këtij lidershipi bashkësundues kriminal.

Filed Under: ESSE

KOSOVA SOVRANE SI EKSTERRITOR AMERIKAN PËRSA I PËRKET SIGURISË

October 14, 2026 by s p

Ajet Delaj/

Shteti i Kosovës, me të gjithë komponentët e tij institucionalë dhe politikë, po kalon një periudhë mjaft të vështirë, për të mos thënë të rrezikshme, që nga shpallja e pavarësisë.

E them këtë pasi, praktikisht, Kosova është pothuajse e vetme në këtë rrugëtim të ri të konsolidimit të sovranitetit të saj, pas zgjedhjeve të fundit dhe vendimeve të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-lidershipit shtetëror të Kosovës.

Pavarësisht hezitimit të gjatë dhe reagimit të vonuar të kryeministrit Kurti, zotTia në fjalë është mëkatari më i vogël në të gjithë këtë histori pa precedent për një shtet sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht, siç është Kosova.

Krijimi i një gjykate speciale të Kosovës në Hagë, i nisur mbi bazën e një mashtrimi publik ndërkombëtar te institucioneve te Europes lidhur me pretendimet për veprimtari gjenocidale të lidershipit të UÇK-së dhe për transplantimin e organeve të serbëve, madje edhe në Shqipëri, përbën, sipas vlerësimit tim, një akt të paprecedentë në historinë e Evropës e me gjere.

Themelet e kësaj gjykate monoetnike vetem per shqiptaret e cila funksionon në kuadrin e një shteti multietnik siç është Kosova, u vendosën mbi pretendime te rrejshme dhe përdorën nga armiqtë e kombit per te goditur themelet e shtetit te Kosoves, shtet te fituar me aq shume gjak vuajte e mundime e sigurist me supportin e pazevenesueshme te miqve Amerikane. Megjithatë, pretendimet apsurde te gjenocidit te lidershipit të UÇKse duke perfshire edhe transplantin e organeve te serbve u trajtuan dhe u hodhen poshte si tridhime nga vete Gjykata e Dhomave Te Specializuara ne Hage duke hedhur poshte pretendimin kryesor te themelimit te kesaje Gjykate .

Institucionet e Kosovës duhet të kishin marre  një rol aktiv në mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të qytetarëve të tij nga momenti qe Gjykata Speciale hodhi poshte akuzen per gjenocid kunder njerzimit per te arrestuarit e kesaje Gjykate .

Ndërhyrja e institucioneve të Kosovës është dashur të bëhej për të ndalur vazhdimin e kësaj gjykate, e cila, që nga inicimi, ndërtimi, emërtimi dhe deri te salla ku zhvillon veprimtarinë pa simbole të Shtetit te Kosovës, është perceptuar nga pjesa dermuese e shoqërisë shqiptare si një institucion që nuk pasqyron sovranitetin e shtetit të Kosovës e respektin ndaj lirive dhe te drejtave njerzore te te skuzuarve ne nje proçes transparent te ndershem e te pa-anshem .

Zgjatja e procedurave hetimore për më shumë se gjashtë vjet, pranimi i dokumenteve nga institucionet e tē shtetit gjenocidal tē Serbise , si dhe çështjet që lidhen me dëshmitarët anonimë dhe deklaratat e tyre, kanë ngritur shqetësime serioze për transparencën, paanshmërinë dhe respektimin e të drejtave procedurale.

Ndërhyrja e institucioneve të Kosovës është e vonuar, por, gjithsesi, më mirë vonë se kurrë.

Ruajtja e objektivit , gjenocid kundēr njerzimit mbi te cilēn ēshtē ngritur Gjykata eDhomave te Specializuara te Kosoves ne Hage ēshtē happy i duhur  nga Parlamenti I Kosoves .

. Megjithatë, duhet të shqyrtohet edhe mundesia e ndryshimit te emrit  dhe i kuadrit ligjor e  institucional të kësaj gjykate, në respekt jo vetëm të së vërtetës historike çfare barbaret serbe kane bere ne Kosove por edhe të partnerëve tanë evropianë, në frymën e traditës patriotike të Fishtës së madh per Europen plake.

Sipas mendimit tim, emërtimi i kesajē gjykate te pasqyrojë qartë te gjitha  krimet , gjenocid kunder njerzimit qe ka ndodhur gjate masakrave serbe ne Kosove 1997-1999 .

Për këtë arsye, propozoj që Dhomave te Specializuara te Gjykates se Kosoves ne Hage ti vendoset egzaktesisht emri adekuat mbi te cilin eshte krijuar kjo gjykate, si Gjykate per denimin te gjenocid kunder njerzimit ne teritorin e Repuplikes se Kosoves me objective te qartē për dokumentimin dhe gjykimin e gjenocidit  kundër njerëzimit të kryera në territorin e Kosovës.

Në këtë Gjykate duhet të vazhdojne prokuroret dhe gjykstsit egzistuese mund të shqyrtohet përfshirja e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Kosovës, krahas ekspertëve ndërkombëtarë, si dhe zgjatja e mandateve përkatëse, pēr vetē volumin e punes qe do te kete ky institucion i sistemit te drejtesise se Kosovēs.

A ka dëshmi më të dhimbshme të vuajtjeve njerëzore sesa masakrat e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, kur mijëra civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, u vranë nga forcat serbe, ndërsa shumë të tjerë u zhdukën me dhunë? Mes viktimave kishte edhe 1400  fëmijë dhe shumë gra e vajza shqiptare që u përdhunuan gjatë masakrave te ushtrise e militarve serb mbi popullaten civile te pambrojtur qe natyrisht duhet të dokumentohet e gjykohet nga Gjykata kunder Gjenocidit Serb pasi shqiptaret persa i perket gjenocidit rezultuan te pafajshem me vendim te Gjykates se Dhomave te Specializuara. 

Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë ekspertizë nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hartimin e një kuadri ligjor të plotë dhe funksional për hetimin dhe gjykimin e gjenocidit  kundër njerëzimit të kryera në territorin e Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe mandati i tyre duhet të shqyrtohen në përputhje me ligjin që i ka krijuar, me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe me garancitë për një proces të rregullt ligjor.

 Çdo propozim për ndryshimin ose përfundimin e veprimtarisë së tyre duhet të mbështetet në një analizë të plotë juridike mbi te akuzuarit per gjenocid kunder njerzimit qe mbahen ne hetim per gjashte por kjo akuze u rrezua nga vete kjo gjykate .

Nese te arretuarit e akuzuarit per gjenocid kunder njerzimit qe rezultoje shpifje kane akuza te tjera per krime por jo me dokumenta te shtetit gjenocidal serb e deshmitare anonim e deklerata anonime nje precedent i drejtesise te botes demokratike per arsye te saktesimit te objektit te punes se Gjykates kunder krimeve te gjenocidit kunder njerzimit ne territorin e Kosovēs te burgosurit aktual ne Hage duhet të kalojne nen juridiksionin e sistemit te drejtesise ne Kosovē.

Së bashku me urimet për detyrën e lartë, i bëj thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës që të vendosë kontakte me Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij sa me shpejt qe te jete e mundur  me qëllim që Shtetet e Bashkuara të angazhohen për të ndihmuar në forcimin e drejtësisë, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Realistisht dhe faktikisht, Kosova duhet të synojë një marrëdhënie të posaçme strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e sigurisë, duke shqyrtuar modele të ndryshme marrëveshjesh që SHBA-ja ka me vende dhe rajone të tjera të botës që mbështeten në garanci ose mekanizma të posaçëm sigurie diç jane ca vende te paqsorit.

Qëllimi duhet të jetë që Kosova të mbetet shtet sovran dhe i pavarur, me institucionet e veta, por me garanci më të forta sigurie dhe me një partneritet strategjik afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Koha nuk pret, pasi jam i bindur se armiqte e kombit shqiptar po mendojnë dhe po përgatisin hapa të tjerë që mund të cenojnë shtetësinë e Kosovës dhe, rrjedhimisht, interesat afatgjata të kombit shqiptar.

Për këtë arsye, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me maturi, vendosmëri dhe përgjegjësi historike, duke forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke garantuar të ardhmen e një Kosove të lirë, sovrane dhe të sigurt.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 641
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT