
Saimir Kadiu/
Azem Shkreli (10 shkurt 1938-27 MAJ 1997)
Azem Shkreli përfaqëson një nga kulmet e poezisë moderne shqiptare: një poet që solli gjuhë të re, intimitet lirik dhe një ndjeshmëri të mprehtë ndaj fjalës, duke e shndërruar poezinë kosovare në një hapësirë të lirë artistike. Ai e çliroi poezinë nga patosi kolektiv i realizmit socialist, duke e kthyer drejt intimitetit, subjektivitetit dhe lirizmit personal. Shkreli e trajtonte fjalën si gur, si materie të rëndë e të shenjtë, duke i dhënë poezisë një dimension filozofik. Shumë poezi të tij janë të mbushura me imazhe të Rugovës, me natyrën e ashpër dhe të bukur, të ndërthurur me ndjenja intime.
Poezia e tij shpesh përshkohet nga një ndjenjë humbjeje, mallkimi, por edhe kërkimi për kuptim në mes të heshtjes dhe gurit. Poezia e Azem Shkrelit është si një kështjellë e ndërtuar me gurë të fjalës – e ashpër, e fortë, por e mbushur me dritë të brendshme.
Ai mbetet një nga poetët më të përkthyer dhe më të studiuar, duke e vendosur poezinë shqiptare në dialog me letërsinë evropiane. Kur kam lexuar ne vitet 80’ “E di një fjalë prej guri” (1969), një nga librat më të fuqishëm, ku fjala merr peshë metafizike, jam tronditur nga “trimeria” e tij letrare. Shqiperia asokohe nuk kishte “trima”
———————————————————————-
Kadare: Azem Shkreli më pyeste në atë kohë, tetor 1972, – hë si duket Shqipëria, a ka ndonjë shenjë liberalizmi atje? Unë i përgjigjesha po. Po më gëzon shumë – tha Azemi. Sepse unë s`shoh ndonjë shenjë nga jashtë, përsëriti ai. Nga jashtë nuk ka shenjë, por nga brenda po, ia ktheva unë. Unë dija në atë kohë që, në udhëheqjen shqiptare ekzistonte një grup liberal, në thonjëza, ose diçka si liberale aq sa mund të ishte, si Todi Lubonja etj. Më vonë doli që unë s´kisha patur të drejtë. Ka ndodhur shpesh në diktatura, gjoja jepet një si frymë oksigjeni dhe pastaj kur të vjen karboni e të mbyt fare.
Ne jemi takuar më vonë dhe e bëmë këtë bisedë me Azemin, ai ishte i sjellshëm nuk thoshte gjë. Unë i thashë, ti kishe pasur të drejtë!
——————————————————————-
“LIRIKË PËR LIRINË” ( AZEM SHKRELI)
Liria është ylberi im matanë grilave
Liria është gërshet i vashës me fjongë
Kur rritet, e veshim nuse
Kur eçtohemi, i pijmë shëndet nga gjiri
Ajo është pikë në ujë, zog në qiell
Kur flet, e kuptojmë si nënën
Kur dhemb, dhemb në zemër
Liria thinjet bukur, nuk plaket
Kur vdiset, është e pavdekshme
Kur vdes, i bëjmë vend në dhe të atdheut.
Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë.