
Aleksandër Çipa/
Politika dhe shteti në këtë vend ekzekutuan rolin dhe faktorin ndërgjegje. Shtylla e parë që shembën tranzicionistët -prijës të shembje-përdhosjes së Shqipërisë , ishte morali dhe e moralshmja. U bë frymë dhe bukë- turpi. Kriza e thellë e shumështresëzuar në këtë vend, është e lidhur me ndërgjegjen e shuar si përgjegjësi e individit ndaj familjes, publikut, vendit, shoqërisë dhe pse jo, edhe Atdheut. Madje për dëmin ndaj këtij të fundit, pra Atdheut, pasojat nuk inventarizohen dot dhe, kolaterali do të jetë më shumë se shumë pagues ndër breza. Në fakt do të duhej të thoshim:- këtij të parit, pra Atdheu është e do të duhej të mbetej vetëm i pari! Por kjo ndodh vetëm për shoqëritë që e kanë thelb dhe hise potenciale të ndërgjegjes dhe shpirtit- atdhedashurinë dhe patriotizmin real. Në këtë shoqëri, të tallin dhe qesëndisin vagabondpt dhe sallabandat nëse bën këtë pohim…!
Ndërgjegjia në këtë kuptim dhe në këtë adresim, në shoqërinë shqiptare të 35 viteve u ekzekutua: u injorua si e panevojshme dhe madje u ndërtua një strategji për ta defaktorizuar si substancë e çdo njeriu, ndaj njerëzisë. Ndërgjegjia në shumë shoqëri, shtete dhe kombe është motori real që shtyn dhe përballon sfidat e vendeve dhe shoqërive. Shembja deri në pamundësi ribërjeje, e ndërgjegjes kolektive shoqërore në këtë vend, është gjëma e madhe që shkakton dhe na ka sakatuar kombëtarisht në shtetin tonë dhe në hapësirën tonë. Doktrina jonë e vetma dhe më e shëndetshmja në krejt historinë shqiptare mbetet ajo e Rilindjes Kombëtare. Këtë shtyllë të trashëgimisë na e sulmuan dhe skeletuan, duke i nguluar me qindra gozhdë kryqesh e tarikatesh dhe duke na zgafelluar mendjen dhe trutë e seicilit individ, grupimi, partie apo shoqërie.
E helmuan, e veanë, e sterilizuan ndërgjegjen tonë kombëtare e shoqërore duke na lënë si grupime të mishtësh që nuk u duhet as identiteti, as trashëgimia, por preferojmë opcionin e vetëm të arratisë, përdhosjes dhe mallkimit tribal. I vetmi program dhe projekt që na duhet, e vetmja lëndë që na ndihmon: është zgjimi dhe rimëkëmbja morale.
Kush na e ofron këtë projekt? Kush do ta investojë këtë program durimmadh? Kush do të na fiksojë kriteret dhe parimet morale mbi çdo gjë? Kush do ta ndërtojë këtë kontrast mes antillumit dhe llumit, mes mendjes dhe makutërisë? Kush do të na ushqejë me bukën naimjane apo fishtjane të At-Mëmëdheut pa të dytë në jetën dhe botën e gjithëseicilit? Kush do të na rikthejë tek kulti dhe fetaria e at-mëmësisë sonë shqiptare?
Kush do të sjellë Profetin e ringritjes sonë?!? Sytë nuk i kam nga qielli, por ndër njerëz, aty ku Sokrati i antikitetit kërkonte Njerinë.