
Nga Frank Shkreli/
Zbulimi i busteve të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Adem Jasharit dhe Pjetër Bogdanit, më 22 nëntor 2026, në Famullinë “Shën Abrahami” në Llapushnik të Drenasit — tri shtyllave të historisë kombëtare shqiptare: qëndresës, kulturës dhe lirisë — është shumë më tepër se një ceremoni përurimi monumentesh. Është një ngjarje me domethënie të veçantë historike, kombëtare dhe identitare për Kosovën, për Dardaninë e sotme dhe për mbarë Kombin shqiptar.
Zbulimi i busteve të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Adem Jasharit dhe Pjetër Bogdanit, në Llapushnik të Drenasit, është një ngjarje që meriton vëmendje të veçantë jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare. Nuk është fjala thjesht për vendosjen e tri busteve në një hapësirë publike. Është fjala për një mesazh historik, kulturor dhe kombëtar, që përmbledh në një vend tri periudha të rëndësishme të ekzistencës dhe të qëndresës shqiptare – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Pjetër Bogdani dhe Adem Jashari – tre emra, tri epoka, një histori kombëtare! Gjergj Kastrioti – Skënderbeu përfaqëson epokën e qëndresës shqiptare të shekullit XV, kur, përballë një perandorie të fuqishme, shqiptarët dëshmuan se kishin identitet, dinjitet dhe vullnet për të mbrojtur lirinë e tyre.
Pjetër Bogdani përfaqëson qëndresën shpirtërore, intelektuale dhe kulturore. Me veprën e tij monumentale “Çeta e Profetëve”, ai i dha gjuhës shqipe një vend të rëndësishëm në kulturën dhe mendimin evropian. Ai dëshmoi se një popull nuk mbijeton vetëm me armë, por edhe me gjuhë, dije, besim dhe kulturë. Ndërsa Adem Jashari përfaqëson epokën e fundit të qëndresës shqiptare në Kosovë, sakrificën për lirinë dhe vendosmërinë për të mos pranuar nënshtrimin. Me flijimin e tij dhe të familjes Jashari në Prekaz, ai u bë simbol i luftës çlirimtare të Kosovës.
Tri figura, të largëta në kohë, por të bashkuara në një ideal: lirinë, dinjitetin dhe identitetin kombëtar shqiptar. Domethënia e veçantë e kësaj ngjarjeje qëndron edhe në vendin ku u zhvillua. Llapushniku, në zemër të Drenicës, një trevë e njohur për qëndresën dhe sakrificat e saj, bëhet sot vendtakim simbolik i historisë kombëtare të shqiptarëve. Po aq domethënëse është edhe vendosja e busteve në oborrin e Kishës së Shën Abrahamit. Kjo na kujton një të vërtetë historike dhe qytetare të shqiptarëve se dashuria për Zotin dhe dashuria për Atdheun nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Përkundrazi, në historinë e Kombit shqiptar, ato shpesh kanë bashkëjetuar dhe kanë frymëzuar njëra-tjetrën.
Për Dardaninë e sotme, pra Kosovën, ky veprim ka edhe një domethënie tjetër: ai dëshmon se historia e saj nuk fillon me një datë të vetme, as nuk përfundon me një ngjarje të vetme. Ajo është pjesë e një historie shumë më të gjerë shqiptare, me rrënjë të thella dhe me vazhdimësi nëpër shekuj. Kosova nuk mund ta kuptojë plotësisht të tashmen dhe të ardhmen e saj pa Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, pa Pjetër Bogdanin, pa figurat e mëdha të kulturës dhe të mendimit shqiptar dhe, natyrisht, pa sakrificën e Adem Jasharit dhe të dëshmorëve të lirisë. Këto tri buste janë, në njëfarë mënyre, një përgjigje simbolike ndaj përpjekjeve të ndryshme historike të armiqëve të shqiptarëve për të zbehur, përjashtuar apo tjetërsuar kujtesën kombëtare shqiptare.
Por monumentet nuk duhet të mbeten vetëm objekte për fotografi ceremoniale. Ato duhet të shndërrohen në burime edukimi për brezat e rinj, në dëshmi të historisë dhe në kujtesë të përhershme të atyre që i shërbyen kombit në epoka të ndryshme. Në një kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për unitet, vetëdije historike dhe respekt për figurat e saj kombëtare, Llapushniku na përcjell një mesazh që duhet dëgjuar në Prishtinë, në Tiranë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.
Skënderbeu na kujton qëndresën, Pjetër Bogdani na kujton dijen dhe identitetin, ndërsa Adem Jashari na kujton çmimin e lirisë. Ky është kuptimi i vërtetë i tri busteve në Llapushnik.
Nderim për ata që e mundësuan këtë vepër! Nderim për tri figurat që i përkasin historisë së përbashkët të Kombit shqiptar! Dhe, si gjithmonë, respekt për Drenicën trimneshë e cila edhe një herë dëshmon se kujtesa kombëtare nuk është vetëm histori e së kaluarës, por edhe përgjegjësi për të ardhmen. Se një popull që nderon Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, që ruan amanetin e Pjetër Bogdanit dhe i cili nuk harron sakrificën e Adem Jasharit, dëshmon se e njeh të kaluarën, e kupton të tashmen dhe ka përgjegjësi ndaj së ardhmes së vet.