
Alfons Grishaj*/
Në emër të Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe kryetarit të saj, z. Berisha, ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë!
Tashmë, falë përkujdesjes së Baba Elitonit dhe sekretarit të Vatrës, Mondi Rakaj, kremtimi i Festës së Pavarësisë është shndërruar në një traditë të bukur e domethënëse në këtë tempull të shenjtë. Teqeja Bektashiane mbetet një strehë e besimit dhe e patriotizmit, një vatër e mirësisë dhe e dashurisë njerëzore, ku ndërthuren rrënjët e besimit me misterin e universit… me misterin e Demiurgut!
Meqenëse sot jemi mbledhur në këtë qendër të shenjtë, që mban emrin e Baba Rexhepit, dëshiroj të ndalem për pak çaste te roli historik i bektashizmit në çështjen kombëtare shqiptare dhe në rrugëtimin drejt Shpalljes së Pavarësisë.
Jo të gjithë e njohin rëndësinë e jashtëzakonshme që ka pasur bektashizmi në Lëvizjen Kombëtare dhe në përhapjen e gjuhës shqipe. Në kohën kur Perandoria Osmane pengonte arsimin dhe shkrimin në gjuhën shqipe, bektashinjtë u shndërruan në mbrojtës dhe përhapës të saj.
Në krye të kësaj përpjekjeje qëndronte Baba Alushi, i cili drejtonte Teqenë e Frashërit, një nga qendrat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, e lidhur ngushtë me veprimtarinë atdhetare dhe intelektuale të vëllezërve Frashëri: Naimit, Samiut dhe Abdylit.
Dervishët dhe baballarët bektashianë u bënë përhapës të abetareve dhe të dijes shqipe. Figura si Baba Xhaferi dhe Baba Meleq Shëmbërdhenji, së bashku me shumë atdhetarë të tjerë, dhanë ndihmesën e tyre në hapjen dhe mbështetjen e shkollave shqipe.
Më vonë, Naim Frashëri do të hartonte veprën e tij të njohur, “Fletore e Bektashinjet”, ku besimi, morali dhe dashuria për atdheun ndërthureshin në një filozofi të thellë kombëtare. Fryma e bektashinjve mund të përmblidhet në një thënie sa të thjeshtë, aq edhe madhështore:
“Pa atdhe nuk ka fe!”
Ashtu si kleri katolik, që nxori kolosë të historisë, të kulturës dhe të gjuhës shqipe, dhe që qëndroi në krah të vëllezërve myslimanë në aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë, edhe bektashinjtë dhanë një kontribut të çmuar në këtë rrugëtim kombëtar. Edhe pse ndër firmëtarët e Pavarësisë nuk spikatën figura me titujt fetarë dervish apo baba, personalitete të lidhura me traditën bektashiane ishin pjesë e lëvizjes kombëtare dhe e përpjekjeve që çuan në mëvetësinë e Shqipërisë.
Historia dëshmon se bashkësitë fetare shqiptare kanë qenë në pararojë të lëvizjeve të mëdha kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, qendrat e besimit duhen mbrojtur, forcuar dhe përkrahur, e jo të gjuhen me gurë!Sepse gurët që hidhen ndaj përfaqësuesve të besimit nuk godasin thjesht individë. Ata rëndojnë mbi tempujt që dashuria njerëzore i ka ngritur në emër të Zotit, mbi kujtesën historike dhe mbi vlerat shpirtërore të kombit.
Mendoj se çdo gur që bie mbi barinjtë e fesë rëndon edhe mbi qivuret e atyre që sakrifikuan për besimin dhe atdheun. Përvujtëria, ndërgjegjja e lartë dhe fisnikëria e klerikëve patriotë janë pjesë e trashëgimisë morale që na ka sjellë deri në ditët tona.
Sot, detyra jonë në Amerikë është e dyfishtë: së pari, të ruajmë dhe të përcjellim vlerat tona historike e kombëtare; së dyti, të ushqejmë te brezat e rinj dashurinë për atdheun e të parëve.
Kjo detyrë bëhet edhe më e rëndësishme për brezat që lindin dhe rriten në këtë tokë të bekuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për shqiptarët janë bërë atdheu i dytë.
Nuk ka mision më fisnik sesa të ruash gjuhën, historinë, traditat dhe kujtesën e trungut prej nga vjen. Sepsenjë popull që harron rrënjët e veta rrezikon të humbasë edhe busullën e së ardhmes.
Sot, kur bota përballet me tronditje të mëdha politike, shoqërore dhe identitare, kur globalizmi, ashtu si dikur komunizmi, ka nxjerrë në pah kundërthëniet dhe dështimet e veta, ne duhet t’u qëndrojmë edhe më fort besnikë vlerave tona kombëtare dhe ditëve që kanë përcaktuar fatin e Shqipërisë.
E mbi të gjitha, ditës për të cilën jemi mbledhur sot: 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë!
Në këtë ditë të shenjtë për kombin shqiptar, kujtojmë me nderim dhe përulje etërit e kombit, duke nisur nga figura madhështore e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, simbolit të qëndresës dhe të identitetit tonë kombëtar.Kujtojmë gjithashtu firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, me në krye Ismail Qemalin, si dhe personalitete të shquara të asaj ngjarjeje historike: Luigj Gurakuqin, Dom Nikollë Kaçorrin, Vehbi Dibra Agollin, kryemyftiun e Shqipërisë, Jorgji Karbunarën, Mid’hat Frashërin, Iljaz Bej Vrionin, Myrteza Ali Strugën,Lef Nosin, isa Boletini dhe shumë patriotë të tjerë, të cilët vunë interesin kombëtar mbi çdo interes personal.
Por sot kujtojmë me krenari edhe kolosët e Federatës Panshqiptare “Vatra”, me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën, të cilët mbështetën Qeverinë e Vlorës dhe punuan pa u lodhur për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.Edhe në ato kohë të vështira nuk munguan mendimet e kundërta dhe përplasjet politike. Sipas dëshmive të Refat Gurazezit, edhe Edith Durham i kishte kërkuar Vatrës të mos e mbështeste Ismail Bej Qemalin. Megjithatë, Vatra, duke vendosur mbi gjithçka interesin kombëtar, bëri atë që duhej bërë në atë moment historik.
Sepse Vatra nuk ishte thjesht një organizatë e diasporës. Ajo ishte dhe mbetet një institucion i ndërgjegjes kombëtare, një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Amerikë dhe një urë e përhershme mes atdheut të të parëve dhe atdheut tonë të dytë.Historia na ka mësuar se, pavarësisht dallimeve, bindjeve dhe përplasjeve të herëpashershme, shqiptarët, në çastet më dramatike të fatit të tyre, kanë ditur të bashkohen rreth flamurit, gjuhës dhe atdheut.
Kjo është forca jonë!
Kjo është trashëgimia jonë!
Kjo është arsyeja pse shqipja ka mbijetuar ndër shekuj dhe do të vazhdojë të jetojë në shekuj të shekujve! Le të mbetet kjo ditë një thirrje për bashkim, besim, dashuri dhe përkushtim ndaj kombit shqiptar. E gëzofshi dhe e festofshi Ditën e Pavarësisë, sot e në shekuj të shekujve! Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
*Fjala përshëndetëse me rastin e Festës së Pavarësisë.