
Eduart Caka/
Duke nisur që nga shek. XVI fuqitë perëndimore kishin realizuar revolucionin industrial, kishin zbuluar rrugë të reja detare dhe në Europë kishin lindur Fuqi të Mëdha si Anglia, Austro-Hungaria, Rusia e Franca të cilat tashmë e kishin kaluar Perandorinë Osmane në fusha të ndryshme si ekonomi, ushtri, kulturë e politikë. Për më tepër, me revolucionin Francez mori hov ideologjia e shtetit komb i cila ishte krejt e kundërt me sistemin e mileteve që ishte baza e shoqërisë osmane. Për pasojë edhe brenda Shtetit Osman do të lindin lëvizjet kombëtare të cilat do të kulmojnë në shek. XIX.
Si rrjedhojë e një procesi të nisur nga Rusia vërejmë se shtetet Evropiane do të ndërtojnë aleanca për të rritur epërsinë ndaj perandorisë osmane. Kështu, në vitet 1756-1764 do të krijohet aleanca Ruso-Prusiane; në vitin 1757 aleanca Austriako-Ruse; në vitet 1757-1758 aleanca Francezo-Austriake; në vitin 1873 alenaca Austriako-Ruso-Gjermane; në vitet 1881-1887 aleanca Austriako-Gjermano-Italiane dhe; në vitin 1892 aleanca Francezo-Ruse. Shteti më aktiv në këtë periudhë në aksionet kundrejt shtetit Osman do të jetë Rusia, e cila do t’i ndërmarrë këto hapa me justifikimin se po mbronte të drejtat e sllavëve.
Por, nuk duhet harruar fakti që në Mesdhe kishte edhe shtete të tjera si Austro-Hungaria, ndoshta edhe Italia të cilat përpiqeshin të formonin një zonë influence në det. Shkaku i parë për të cilin vendet Europiane i ushtruan trysni Stambollit kishte të bënte me të drejtat e jo myslimanëve që jetonin brenda perandorisë. Sistemi i mileteve e kishte marrë goditjen e parë në vitin 1767 me shpërbërjen e kishave Serbe e Bullgare nga ana e Partiarkanës së Stambollit. Kjo lëvizje ishte cilësuar si një tentativë për të helenizuar ortodoksët e tjerë dhe kishte hasur në kundërshtimin e shteteve të fuqishme të Europës. Menjëherë pas kësaj Rusia i kishte shpallur luftë Shtetit Osman me pretendimin se po mbronte të drejtat e sllavëve që jetonin në gjeografinë e kësaj të fundit. Për më tepër, Rusia e shihte veten si pasardhëse të perandorisë Bizantine. Me marrëveshjen e Kyçyk Kaynarxha-së të mbajtur në vitin 1774 Rusia kishte fituar të drejtën e përfaqësimit të ortodoksëve që gjendeshin nën sundimin e Portës së Lartë.
Shembullin e Rusisë e ndoqi edhe Austro-Hungaria e cila shtoi influencën mbi osmanët duke u justifikuar me mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Kështu, në Shqipëri Austro-Hungaria në saje të kultusprotektoratit mori nën mbrojtje të drejtat e katolikëve që jetonin në hapësirat veriore. Nga ana tjetër, Perandoria Osmane përballej me probleme të shumta. Të ardhurat e doganave kishin rënë, duheshin shpenzime të mëdha për luftë dhe për modernizimin e ushtrisë, revolucioni industrial nuk ishte zhvilluar, ishin marrë para hua nga shtetet Europiane, populli ishte varfëruar dhe të gjitha këto elementë e kishin kthyer Shtetin Osman siç thoshte Çari I Nikolla në “një të sëmurë plak”. Janë të shumtë studiuesit të cilët e shohin këtë periudhë si rënien e perandorisë osmane. Duhet theksuar që qeveria e Stambollit hodhi disa hapa me qëllim përmirësimin e gjendjes si reformat në ushtri, ato në ekonomi dhe administratë. Shpërbërja e Jeniçerëve, shpallja e Tanzimatit, marrëveshjet e Shën Stefanit dhe të Berlinit që u mbajtën më vonë janë treguesi më i qartë i gjendjes së dobët në të cilën gjendej perandoria.
Si rezultat i zhvillimeve të sipërpërmendura shumë shtete që gjendeshin nën sundimin e perandorisë Osmane do ti shpallnin luftë Portës së Lartë duke tentuar të formonin shtetet kombe. Pjesa e rumelisë ose e ballkanit do të jetë një arenë e këtyre luftërave për çlirim. Shteti pararojë në këtë aspekt do të jetë Greqia. Marrëveshja e Berlinit (13 Korrik 1878) e cila mund të konsiderohet si një vazhdimësi e asaj të Shën Stefanit më 3 Mars 1878 do t’i njohë Serbinë, Malin e Zi dhe Rumaninë si shtete të pavarura, ndërsa Bullgarinë si një shtet autonom. Kështu, në hartat e reja të formuara me miliona njerëz mbeteshin jashtë kufijve të tyre etnikë ku shumica më e madhe e të dëmtuarve ishin shqiptarët.
Të mbetur pa mbrojtje ndërkombëtare, krerët shqiptarë do të ndërmarrin nismën për t’i ruajtur vetë trojet e tyre. Veçanërisht pas traktatit të Shën Stefanit ku parashihej një shkëputje e madhe e trojeve shqiptare dhe ndarje e tyre tek vendet fqinje. Përballë kësaj gjendje shqiptarët e organizuar në Stamboll, Janinë dhe qendra të tjera më 10 Qershor 1878 do të formojnë Lidhjen e Prizrenit. Në përfundim të mbledhjes ku morën pjesë delegatë nga të gjitha trojet shqiptare dalën këto përfundime: 1. Nuk duhet t’u lëshohet asnjë copë tokë Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi; 2. Nga trojet që u janë dhënë Serbisë dhe Malit duhet të rikthehen ato troje ku jetojnë shqiptarë; 3. Lidhja do të dërgojë delegacion në Konferencën e Berlinit; 4. Shqipërisë duhet ti jepet një autonomi e gjerë; 5. Nuk do ti paguhet ndonjë taksë qeverisë qendrore.
Në shek. XIX Shteti Osman i kishte ndarë trojet shqiptare në katër vilajete; Janina, Manastiri, Shkodra dhe Kosova. Traktati i Shën Stefanit dhe Marrëveshja e Berlinit i kishin shkaktuar dëme të mëdha kësaj harte. Në rast të një shpërbërje të perandorisë Osmane trojet shqiptare do të ndaheshin midis shteteve ballkanase. Kështu, intelektualët shqiptarë do të vihen në lëvizje në të gjithë kryeqytetet e ballkanit për të ruajtur interesat kombëtare. Një hap i rëndësishëm në këtë aspekt do të jetë programi prej shtatë pikash i Komitetit Shqiptar të Stambollit i botuar më 27 Shtator 1878 në gazetën “Tercüman-ı Şark” ku ato kërkonin forminin e vilajetit Shqiptar. Ndërsa në vitin 1879 prijësit shqiptarë të mbledhur në Prevezë, kishin trajtuar çështjen e kufirit jugor të shqipërisë dhe me 23 Qershor i kishin dërguar letër sulltanit ku i kërkonin të mos aplikonte pikën 13 të marrëveshjes së Berlinit e cila përcaktonte kufirin grek.
Ndërsa për mbrojten e trojeve në veri ishte hyrë në front lufte ndaj Malit të Zi. Veçanërisht me aksionet ushtarake të vitit 1881 u çliruan Shkupi, Prishtina e Mitrovica ku u vendos pushteti i qeverisë së Lidhjes së Prizrenit, por këto zona u rimorën pas disa muajsh nga ushtritë osmane. Të gjitha shtypjet nuk do t’i tkurrin lëvizjet për çlirim të shqiptarëve të cilët në Janar të vitit 1899 do të formojnë Lidhjen e Pejës. Përveç elementit ushtarak lëvizja kombëtare do të fokusohet edhe në aspekte të rëndësishme siç është ajo e gjuhës dhe kulturës. Kështu, në qytete të rëndësishme si Bukuresht, Sofje e Stamboll do të publikohen libra, broshura, gazeta e revista ku promohej çështja kombëtare por edhe kultura shqiptare. Një hap i rëndësishëm në këtë kontekst duhet konsideruar edhe Kongresi i Manastirit (1908) ku u përcaktua alfabeti shqip.
Pavarësisht reformave të kryera, mosdalja e shtetit Osman nga kriza ku ishte zhytur i kishte shtyrë qarqet politike dhe intelektuale osmane në shqetësim, madje edhe në pakënaqësi. Këto reagime do të kulmojnë në periudhën e Abdylhamitit II (1876-1909) dhe si rezultat në vitin 1876 do të çojnë në shpalljen e kushtetutës. Gjithashtu, këto pakënaqësi do ti hapin rrugën edhe një organizate e cila do të quhej Bashkim dhe Përparim ose lëvizja Xhonturke. Grupi në fjalë do të ketë pakënaqësi kundrejt pushtetit të Abdylhamitit dhe zgjidhjen e vetme e shikonte në shpalljen e pavarësisë. E veçanta e tyre ishte se organizata në fjalë funksionoi në fillim në fshehtësi dhe arriti të fuqizohet në një kohë të shkurtër.
Ndryshe nga identiteti osman, tek xhonturqit elementi turk konsistonte si një identitet politik. Ky aspekt është evidentuar qartësisht në kongresin e Bashkimit dhe Përparimit të organizuar në Paris në vitin 1902. Delegatët e mbedhur nga të gjitha anët e perandorisë i dolën kundër mendimit të xhonturqve për forminin e një qeverie qendrore dhe propozuan forminin e qeverive lokale. Edhe nëse propozimi i xhonturqve do të mbetej në minorancë, në programin e tyre pas disa vitesh ky element do të pasqyrohet sërish. Në rrugëtimin e tyre drejt pushtetit, xhonturqit ishin mbështetur në dy parime bazë; mendimi i nevojës së rrëzimit të pushtetit absolut dhe shtypës i cili ishte i mbledhur në personin e Abdylhamitit dhe riforcimin e shtetit Osman që ishte dobësuar. Por, teksa i realizonin këto të dyja, ata u premtuan popujve të tjerë që do të ju njihnin të drejtat më të gjera të mundshme duke ju dhënë të drejtat politike dhe etnike.
Është i ditur fakti që shqiptarët patë një rol të rëndësishëm në formimin dhe zhvillimin e lëvizjes xhonturke. Përveç elementit përkrahës të kësaj organizate, shumë drejtues të saj ishin shqiptarë. Si nga kujtimet e tyre ashtu edhe nga studime të bëra mbi këtë lëvizje tregojnë që figura shqiptare si Ibrahim Temo, Dervish Hima, Ismail Qemali, Hamdi Ohri, Jashar Erebara dhe shumë të tjerë ishin pjesë e kësaj organizate apo bashkëpunuan me të. Përveç kontributeve personale mund të thuhet se shqiptarët në mënyrë popullore e mbështetën lëvizjen. Në Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Shkup, Dibër dhe shumë qytete të tjera do të formohen komitete të Bashkimit dhe Përparimit. Sipas Ibrahim Temos lëvizja në Shqipëri datonte që në vitin 1896, pra para hapjes së degës së Selanikut. Xhonturqit u premtonin njerëzve që do të ju njihnin të drejtën e mësimit në gjuhën shqipe dhe nuk do të kishte më diferencim midis myslimanëve dhe të krishterëve.
Ato iu afruan popullit të thjeshtë me sloganin “Liri e barazi për të gjithë” duke e fituar mbështetjen e tyre. Sipas studiuesve numri i të anëtarësuarve pranë xhonturqve i kalonte 15 mijë. Ndërsa shumicën e këtyre e përbënin njerëz nga Rumelia e kryesisht shqiptarët. Madje menjëherë pas shpalljes së pavarësisë më 24-29 Korrik 1908 në shumë qytete shqiptare do të festohet për fitoren e arritur. Por, pas shpalljes së programit do të vihet re që asnjë prej kombësive në shtetin Osman, përfshi këtu edhe shqiptarët nuk ishte marrë në konsideratë. Intelekualë dhe politikanë shqiptarë si Ismail Qemali, Dervish Hima dhe Ibrahim Temo do ta shprehin indinjatën e tyre për këtë çështje duke reaguar me zë të lartë.
Pas datës 23 Korrik 1908, xhonturqit nuk i mbajtën premtimet që u dhanë intelektualëve shqiptarë gjatë kohës që po luftonin për të ardhur në pushtet.
Premtimi për autonomi që u ishte dhënë shqiptarëve do të jetë mosmarrëveshja më e madhe midis krerëve të Lëvizjes Kombëtare dhe drejtuesve të lëvizjes xhonturke. Gjithashtu me urdhër të qeverisë xhonturke do të jepet fetva nga ana e Shejhulislamit me të cilën ndalohej mësimdhënia në gjuhën shqipe. Ndikimet e kësaj pakënaqësie ndaj politikave të qeverisë xhonturke Eqerem bej Vlora i shpeh kështu:
“Po! Nëse turqit do tju kishin dhënë autonomi Shqipërisë dhe Maqedonisë, do të kishin mundësinë ta zgjasnin edhe për disa vite ekzistencën e perandorisë në Europë.”
Sipas Ismail Qemalit me nocionin Bashkim, shqiptarët kuptonin që të gjithë popujt të cilët formonin perandorinë osmane do të mblidheshin nën kushtetutën dhe që do të garantohej me ligj ekzistenca etnike e secilit komb. Por, për Bashkimin dhe Përparimin nocioni Bashkim do të thoshte bashkim i të gjitha racave dhe mohimi i të gjitha elementeve të ndryshme etnike si sakrificë për fuqizimin e qeverisë. Ismail Qemali shkruan se, fatura e parë e këtyre politikave të xhonturqve ishte lëshimi i Bosnjës për Austro-Hungarinë dhe pavarësia e Bullgarisë.
Shqiptarët u dolën prerazi kundër politikave centralizuese të xhonturqve. Këto të fundit, si kundërpërgjigje do të nisin përndjekjet ndaj atyre që ngrinin zërin dhe flisnin për pavarësinë e shqipërisë. Kështu, Dervish Hima i cili më parë kishte qenë njëri ndër drejtuesit e lëvizjes xhonturke do të arrestohet dhe burgoset në Shkodër. Në sytë e xhonturqve shqiptarët ishin një popull mysliman e që nuk kuptonin nga politika.
Problemi i vetëm për ta ishte të mos paguanin taksa. Për këtë, xhonturqit mendonin se me anë të presioneve shqiptarët do të zbuteshin sërish. Në sytë e tyre, organizata dhe shteti ishin të njëjta, po ti dilje kundër organizatës i kishe dalur kundër shtetit. Për këtë atyre u duhej të shtypnin shqiptarët të cilët ishin kryelartë. Si masë kryesore për këtë qëllim do të ishte vendimi për mbledhjen e armëve në Shqipëri dhe Maqedoni pas një revolte që nisi në vitin 1910.
Gazeta Tanin e cila bënte lajme pro xhonturqve e cilësonte si normale situatën në Shqipëri dhe shtonte që fushatat ushtarake bëheshin për të mirën e shtetit. Por nuk do të ishte ashtu. Siç thoshte Eqerem bej Vlora, nisma e xhonturqve për ti bërë shqiptarët “turq të mirë” do të përfundojë tragjikisht. Gazeta e sipërpërmendur do të dërgojë në kosovë gazetarin e saj më të njohur Ahmet Sherifin për të ndjekur operacionet e mbledhjes së armëve pas revoltave të vitit 1910. Nga raportimet që ai bënte në lidhje me operacionin në fjalë e komentonte gjendjen me këto fjalë:
“Dje janë djegur bashkë me gjërat që kishin brenda rreth dhjetë-pesëmbëdhjetë shtëpi të personave në arrati të cilët janë vërtetuar që i janë kundërvënë me armë ushtarëve. Në të vërtetë këto pamje nuk janë të mira, as mbetja në qiell të hapur të grave dhe fëmijëve. Por, këtu nuk nevojitet zemërbutësi, mendime prej filozofi… Duhet menduar për të ardhmen e duke ushqyer shpresa, këto nuk duan ti dorëzojnë armët dhe armatimet. I fshehin ato në vende ku nuk të shkon mendja, madje edhe në kubetë e xhamive. Ndërsa gratë dhe fëmijët nuk duan të përgjigjen se ku ndodhen burrat dhe baballarët e tyre dhe ku janë fshehur armët. Ato gjithnjë janë në tentativë të shpërqëndrimit të autoriteteve shtetërore. Për këtë, si për shpëtimin dhe lumturinë e qeverisë ashtu edhe për të tyren ata e kanë merituar çdolloj dhune e ndëshkimi. Po, sot duhet bërë gjithçka për të mirën e të nesërmes.”
Po në lidhje me këtë temë gazetari do të dërgojë këtë lajm disa ditë më vonë: “Nga informacionet e marra më herët, kuptohet që dënimet e dhëna me vdekje nga gjykata e jashtëzakonshme e Ferizajit për ndihmësit e Idriz Seferit, kuptohet që njëri është ekzekutuar në Kaçanik dhe tjetri në Gjilan. Në fushatën ushtarake të zhvilluar nga Kosova për në Malësi dhe Has kanë ndodhur përleshje ku janë plagosur dy oficerë dhe pesë ushtarë. Këto njerëz injorantë dhe të ashpër nuk u ndrojtën së përleshuri me ushtarët dhe nuk qëndruan pa i njollosur me gjak ato ditë që i kaluam pa luftë. Por, edhe ato do ta kuptojnë të vërtetën dhe është e sigurt që përpara fuqisë, sinqeritetit dhe vendosmërisë së qeverisë do ta ulin kryet e do të bëhen qengja të butë. Koha i premton jetëgjatësi qeverisë dhe lumturi këtij populli.”
Po në lidhje me aksionin e mbledhjes së armëve, në kujtimet e Shemsi Pashës (i cili ishte kundër xhonturqve dhe pro Abdulhamitit) kalon një rrëfim i një oficeri turk të quajtur Ahmet Hamdi bej ku ato që oficeri thotë janë krejt ndryshe nga shkrimi i gazetës pro qeveritare:
“Në fushatën ushtarake të vitit 1910 shqiptarëve u janë marrë armët me dhunë e forcë, janë rrahur e keqtrajtuar para grave e fëmijëve, gratë dhe vajzat janë zhveshur me justifikimin se po kontrollohej për armë dhe pajet e vajzave janë derdhur në mes të rrugëve, pra nuk ka mbetur asnjë mënyrë dhunimi pa u bërë. Mbledhja e armëve të shqiptarëve ishte sikur të kishim prerë degën në të cilën qëndronim. Grekët dhe bullgarët në Maqedoni ishin të armatosur deri në dhëmbë. Qeveria e bashkimit i mbyllte sytë ndaj tyre dhe çohej për të mbledhur armët e shqiptarëve. Po u bënim nder me dorën tonë armiqëve që kishim. Qeveria nuk e aplikoi ligjin e bandave kundrejt asnjë banditi bullgar, por shqiptarëve myslimanë po.”
Po i njëjti komandant transmeton një ngjarje të ndodhur gjatë operacionit të mbledhjes së armëve në vitin 1910 i cili e ilustron më së miri atë që është bërë ndaj shqiptarëve në këtë periudhë:
“Gjatë kohës që po mblidheshin armët, dikush lajmëroi që një shqiptar me emrin Sulejman aga në dibër gjendeshin pesë pushkë. Menjëherë u thirr para gjykatës ushtarake. I thanë të dorëzonte armët. Sulejman aga u përgjigj “ai që ju ka lajmëruar ka treguar gabim, unë nuk kam pesë por njëzet e tetë pushkë. Kurdo që të dëshironi shkoj e jua sjell.” Dhe, vajti në shtëpi mori pushkët e i dorëzoi. Pas gjysmë ore e bastisën shtëpinë e Sulejman agait dhe i thanë që tek ti qenka edhe një pushkë e tipit martin. “Po, e kam. E kam kujtim të djalit tim Destanit i rënë dëshmor në luftën e Thesalisë. Ajo varur në mur pranë pushkës është çanta e tij. E kam kujtim nga biri im dëshmor. Në shenjë respekti ndaj birit tim ma falni mua atë.” Ato që erdhën e gjuajtën me qytën e pushkës në kraharor të moshuarin duke i thënë se pse nuk e kishte dorëzuar armën dhe i thanë që do ta dërgonin në gjykatën ushtarake. Sulejman agai kërkoi leje, hyri në dhomën e gjumit dhe doli me një trastë në dorë. Mori edhe çantën dhe pushkën kujtim nga i biri dhe doli para gjyqit ushtarak.
Sytë i ishin përlotur. Doli para gjyqit, e hapi trastën dhe hodhi në tokë medaljet që kishte marrë nga luftërat në Mal të Zi, Rusi e Kretë dhe tha: “Këto janë medaljet që më ka dhënë shteti në këmbim të shërbimit tim, çdo të më jepni ju kundrejt shërbimit tim?” Më pas e hapi gjoksin dhe duke treguar shenjat e goditjeve që kishte marrë në gjoks dhe tha “edhe ju po më jepni këto në këmbim të shërbimit tim, apo jo?”dhe doli duke qarë nga aty.”
Për të marrë nën kontroll situatën që u kishte dalë nga duart, xhonturqit do të bëjnë edhe një lëvizje të fundit duke dërguar në Selanik, Manastir e Kosovë vetë Sulltan Mehmeti V i cili u përpoq ta qetësonte popullatën. Eqerem bej Vlora e përshkruan me këto fjalë situatën:
“Gjatë viteve 1910-12 e gjithë shqipëria ishte si një zjarr që digjej; shkëndijat e urrejtjes që u ndezën me një shkëndijë të çastit shkëlqenin në të gjitha anët. Nevoja për të përdorur autoritetin shpirtëror të sulltanit ishte argumenti i gjendjes së vështirë në të cilën gjendeshin xhonturqit. Është e çuditshme se çfarë shpresonin nga respekti që gëzonte sulltani, kur ato vetë po mundoheshin ta dëbonin nga saraji atë.”
Gjatë periudhës së këtyre operacioneve shqiptarët që gjendeshin në Stamboll u munduan të hedhin hapa për qetësimin e gjendjes. Shumë intelektualë u munduan ta ngrejnë zërin në medie ose kanale të ndryshme politike por këto përpjekje të tyre do të mbesin pa rezultat. Ismail Qemali shprehet se, për shkak të politikave xhonturke ato vendosën të shpallin pavarësinë më 28 Nëntor 1912.