
– Kujtimet e Fuat O. Memellit, si një dokumentar që vazhdon… –
Brezi im, në fillim, kishte fjalën. Dëgjonim radion. Ne, në Pogradec, kishim Radio Korçën. Në veri ishte Radio Kukësi, ndërsa Radio Tirana ishte për të gjithë.Si skllav i kujtesës sime, mbaj mend televizorët e parë në fshat, “plot xixa”. Ishin bardh e zi dhe njerëzit, majë çative, lëviznin antenat artizanale për të gjetur një stacion. Bardh e zi filloi jeta jonë. Për herë të parë televizor me ngjyra kam parë në Korçë, kur shkoja te daja.
Këto më erdhën në kujtesë ndërsa shfletoja librin e Fuat O. Memellit, “Jetë në dy kontinente”. E shfletoja dhe nuk kisha nevojë ta lexoja nga e para, sepse tashmë i njihja shkronjat dhe kapitujt. Por libri më la ndjesinë e një buqete që nuk do të vyshket kurrë. Është jeta e mikut dhe kolegut tonë, Fuat Orhan Memelli.
Në Tiranë u thanë të gjitha fjalët për këtë kujtesë të sinicarit që vjen duke qeshur dhe kthehet në Amerikë duke qarë. Unë shpesh kam qeshur me lotët e Fuat Memellit, për një arsye të vetme: unë ika me dëshirë. Memelli “nuk kishte ç’të bënte”. Ai erdhi në Amerikë sepse “kosherja” e familjes ishte arratisur krejt këtej, ku jam edhe unë.
Në 379 faqet e librit me kujtime të Fuat O. Memellit shoh 379 milionë pika loti dhe pika djerse. Jo vetëm lotët e Fuatit, por edhe të të atit. Jo vetëm djersën e Memellëve, por edhe mundin e çuditshëm të nënë Xhevries. Jo vetëm fjalët e Fuatit, por edhe pëshpërimat e padëgjuara në Sinicë, Devoll, e deri në Argjentinë, ku u tret jeta e babait të nënës së Fuat Memellit.Vështruar në këtë plan, rrëfimi i Fuat Memellit të rrëmben në një botë të shkuar, ku jeta nuk ishte “me ngjyra”, por thjesht bardh e zi dhe “plot xixa”, si ato ekranet e para ku xixëlluan sytë tanë.Por Fuat Memelli e kapërcen këtë prag.
Në faqet e librit të tij lexojmë edhe jetën me ngjyra, ashtu siç e shohin sytë tanë.
Duke shfletuar kujtimet e gazetarit të bujqësisë shqiptare dhe kronikanit për të Ministrisë së Bujqësisë, përsëri të vijnë në mendje “xixat” e para të televizorëve që nuk na sillnin dot një figurë të pastër. Dhe kur figura shfaqej dallueshëm, ne bërtisnim:“Aty mbaje! Mos e lëviz antenën!” Ishte një kor dëshire për të parë diçka që nuk e kishim parë kurrë…
Nga “i marri” i fshatit, që e nxiti të shkruante poezi, e deri te “bombat në Boston”, Fuat Memelli, ose, sikur ma ka ënda ta quaj, Fuat O. Memelli, na rrëfen jetën që i ngjan vetëm jetës së tij: e bukur, plot ëndrra, plot dëshira, zhgënjime, përplasje, “ndalesa në qeli” dhe shëtitje te varri i Nolit në Boston…
Çfarë jete! Nga një djalë i vetëm, te një i vetëm mes të shumtëve, që merr fizarmonikën nga Tirana për të kënduar në Boston. Që merr valixhen nga Sinica për ta “lënë peng” në Televizionin Shqiptar. Që rrëmben zërat e zogjve në kodrinat e Sinicës për t’i sjellë në qendrën e zërit të studentëve në ILB… Rruga e Memellit është plot zigzage, plot “kodra e lugina”, plot “rrëpira e fusha”. Udhëtimi i tij është udhëtim pune, udhëtim pasioni dhe dëshire për të qenë djali i vetëm, por aq i mbarë, i Orhan Memellit.
Libri në fjalë është një “rrëke” e shpirtit që nuk do të shuhet para se t’i rrëfejë të gjitha.
Nuk është testament, është shpirt. Nuk është lot, mbetet xixëllimë. Fuat Memelli nuk harron asgjë dhe, pasi mendon se i ka rrëfyer të gjitha, përsëri kujtohet se ka “harruar diçka”. Merr fizarmonikën dhe këndon kujtimet e pashkruara që jetojnë në shpirtin e tij si gazetar dhe si poet. Si dokumentarist rural dhe sebepçi në ngjarje. Si mik i veçantë i Dritëro Agollit dhe si shok i çdo personazhi që intervistoi dhe për të cilin shkroi.
Memelli mbetet ai që ishte: djali i mirë i Sinicës, që e la fshatin kur ishte ende djalkë i ri dhe nuk e harron as tani, në një moshë kur mund ta quash “I moshuar”. Plak me thinja, që vijon të rrëfejë dhe të kujtojë gjithçka në 80 vitet e veta.
Ky është, në thelb, misioni i librit plot kujtime të Fuat O. Memellit. Një dokumentar “me ngjyra”, ku jeta rrëfehet ashtu siç është jetuar dhe miqtë ashtu siç kanë qeshur. Fuat O. Memelli, me librin “Jetë në dy kontinente”, i ka bërë lotët “cirka” akulli që shkëlqejnë si diamantet që nuk i provoi kurrë. Me fjalën e vet, me thjeshtësinë e rrëfimit, me ndjeshmërinë që e karakterizon, tani që e ka përfunduar dhe “vulosur” librin, diku në Boston, i ngazëllyer nga ajo që përjetoi në Tiranë dhe Korçë, me lot në sy e “brazda” plot valgë në shpirt, Memelli tashmë gërmon në “torbën” e kujtimeve dhe sjell ndër mend çastet e harruara. Harresa nuk është mëkat. Ajo na shoqëron të gjithëve.
Ndaj tani, pas suksesit të madh me librin e parë të kujtimeve, Fuat O. Memelli mbase po mendon librin tjetër, ose “serinë e dytë” të kujtimeve që i “zhvarros” kujtesa në momente reflektimi.Kjo ndodh kur jeta ka begati dhe është mbushur me “veregë rrushi”, ku piklat e vesës kanë një shkëlqim margaritar.
Në libër, Memelli i ka thënë të gjitha dhe, si shpërblim, mori vëmendjen që meritonte në Tiranë, ku Televizioni, në të cilin punoi, u bë një “pasqyrë” e madhe, si për t’i thënë: “Të duan, o Fuat Memelli!”
Libri është një shpirt në fjalë dhe një jetë në kapituj që nuk mbyllen kurrë.
Isha me fat që redaktova një libër ku, para fjalës, rrëfen shpirti, me një gjuhë shqipe-qartë që përcillet si mesazh i koduar për t’u lexuar në vitet që vijnë. Dhe, kur mbyll faqen e fundit, më duket sikur kthehem te televizorët e parë të fëmijërisë sime. Antenat nuk lëvizin më mbi çati dhe ekrani nuk është më “plot xixa”. Figura është kthjelluar. Tani filmi është me ngjyra.
Është filmi i jetës së Fuat Memellit, që vazhdon…
Shefqet Meko
Minneapolis, Minnesota
20 nëntor 2026