
Prof.as.dr. Hasan Bello/
1-Përbërja krahinore
Delegatët e Kuvendit të Vlorës u zgjodhën sipas krahinave, ndonëse disa prej tyre u caktuan më vonë ose përfaqësonin më shumë se një krahinë. Nga 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, rreth tre të katërtat ishin nga Jugu dhe Shqipëria e Mesme. Arsyeja kryesore ishte Lufta Ballkanike dhe pushtimi i territoreve shqiptare nga ushtritë e shteteve fqinje. Vlora ishte ndër zonat e pakta të lira. Shkodra ishte e rrethuar nga Mali i Zi, Kosova ishte pushtuar nga Serbia, ndërsa Janina dhe Çamëria nga Greqia. Për këtë arsye, shumë delegatë nga këto zona u caktuan me telegram ose mbërritën me vonesë, pasi akti ishte nënshkruar. Të tillë ishin Isa Boletini, Ahmet Zogu dhe delegatët e Çamërisë.
Megjithatë, akti kishte karakter mbarëkombëtar. Atë e nënshkruan edhe delegatë nga Kosova, Ohri e Struga, si dhe nga diaspora shqiptare e Bukureshtit.
2-Përbërja fetare
Aktin e Pavarësisë e nënshkruan përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare: 27 myslimanë (67,5%), 11 ortodoksë (27,5%) dhe 2 katolikë (5%).
Ky ekuilibër u mbajt parasysh edhe në ngritjen e institucioneve të shtetit të ri. Në krye të Senatit u vendos Haxhi Vehbi Dibra, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë, me një zëvendës ortodoks. Edhe qeveria u formua mbi bazën e përfaqësimit krahinor dhe fetar: katoliku Dom Nikollë Kaçorri u emërua zëvendëskryeministër.
3-Përbërja shoqërore dhe arsimore
Firmëtarët vinin nga shtresa dhe profesione të ndryshme:
1. Bejlerë dhe pronarë tokash: Vrioni, Cakrani, Toptanët, Karaosmani, Kanina, Deliallisët. Ky ishte një nga grupet më të mëdha.
2. Nëpunës të arsimuar në shkollat osmane, shumë prej të cilëve kishin shërbyer në administratën perandorake, duke filluar nga vetë Ismail Qemali.
3. Juristë dhe avokatë: Dhimitër Tutulani, Thanas Floqi.
4. Klerikë: myftiu Vehbi Dibra dhe prifti Dom Nikollë Kaçorri.
5. Mësues, publicistë dhe veprimtarë të Rilindjes: Mid’hat Frashëri, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Luigj Gurakuqi.
6. Ushtarakë dhe mjekë: Xhelal Koprëncka (ushtarak) dhe Myrteza Ali Struga (mjek).
7. Tregtarë të diasporës: delegatët e kolonisë së Bukureshtit.
Shkurt, firmëtarët ishin kryesisht njerëz të shkolluar në sistemin osman ose në shkolla perëndimore. Ata përbënin elitën e kohës, që vuri themelet e shtetit shqiptar.